Sikurse e kam theksuar dhe në fjalën time në Kuvend për Autoritetin e Konkurrencës, në maj 2022, shërbimi më i madh që mund t’u bëjnë institucionet e pavarura dhe qeveria qytetarëve-konsumatorë është garantimi i konkurrencës së lirë dhe të ndershme në treg. Sot jo vetëm në Shtete Anëtare të Bashkimit Evropian, por edhe në të gjithë rajonin tonë dhe më tej në botë, po kërkohet një raport më i drejtë midis lirisë së tregut, zhvillimit të qëndrueshëm dhe të ligjshëm të biznesit, si dhe garantimit të respektimit të të drejtave të qytetarit-konsumator. Misioni i AK është mbrojtja e konkurrencës së lirë dhe efektive në treg, në bazë të ligjit Nr. 9121, dt. 28 korrik 2003 “Për mbrojtjen e konkurrencës”. Megjithë përpjekjet e bëra, gjykoj se Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur ta përmbushë misionin e tij, për arsyet e mëposhtme.
Autoriteti i Konkurrencës nuk arriti të jetë efektiv në punën e tij
Sigurisht që Autoriteti i Konkurrencës(AK) e ka të vështirë të realizojë misionin e tij tek ne, ku funksionimi i shtetit ligjor është i dobët, shkalla e korrupsionit është e lartë dhe kapja e shtetit paraqitet në përmasa tejet shqetësuese. Megjithatë, institucioni duhej të kishte provuar më fort të luftonte rastet e shumta të situatave kartel në sektorë të ndryshëm të ekonomisë sonë, të tipit monopol dhe oligopol, bazuar në denoncimet e shpeshta të qytetareve për abuzimet me çmimet, të përcjella nga mediat tradicionale dhe mediat sociale të vendit. Hetimet e tij të thelluara në tregjet e prodhimit dhe tregtimit të miellit, apo në tregun e tregtimit të karburanteve, duhej të kishin dalë me sanksione konkrete ndaj shkelësve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të parimeve dhe rregullave të konkurrencës së lirë. AK dështoi në këtë mision dhe për rrjedhojë, për fat të keq, marrëveshjet horizontale apo vertikale, krijimi i pozitave dominuese në tregje të caktuara, monopolet apo oligopolet, vijuan me të njëjtin ritëm, në mos edhe me një ritëm më të shtuar, që të dëmtojnë funksionimin e tregjeve, zhvillimin e biznesit të papërkrahur nga qeveria dhe konsumatorët shqiptare, përmes çmimeve fundore abuzuese në treg, për shkak të situatës kartel. Situata kartel formohet për shkak të pranisë së një tregu oligopol në një sektor të ekonomisë, ku ka disa kompani të mëdha, të cilat, për shkak të madhësisë së tyre, përcaktojnë çmimin e një produkti apo shërbimi në treg, në bazë të një marrëveshje të fshehtë mes tyre, për të fiksuar një nivel çmimi jo mbi bazën e fitimit të dalë nga raporti kërkesë-ofertë, por duke i shtuar këtij fitimi edhe një pjesë abuzive të fitimit monopolist. AK nuk ka arritur të luftojë me efektivitet praninë dhe veprimin e karteleve në shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Ai nuk ka arritur të shmangë situatat ku një grusht kompanish, të quajtura rëndom nga populli oligarkë, fitojnë, të suportuar nga qeveria, shumicën dërrmuese të tenderëve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Ju sjell situatën e ligjëruar në qarkun e Vlorës, ku kompani të konsoliduara dhe serioze të ndërtimit në këtë qark, në 5-7 vitet e fundit nuk arrijnë të fitojnë asnjë tender nga ARSH apo FSHZH, edhe pse konkurrojnë rregullisht. AK nuk ka ndërmarrë asnjë hetim për situatën duopol në tregun e shërbimeve telefonike dhe celulare, megjithë shqetësimet dhe ankesat e pareshtura të qytetarëve, të përcjella nga mediat e vendit. Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të plotësojë pritshmëritë e qytetarëve dhe të garantojë ndërveprimin e barabartë mes operatorëve të biznesit në tregjet e importit, shitjes me shumicë dhe pakicë të ushqimeve të shportës, karburanteve dhe te energjisë elektrike për biznesin e mesëm. AK nuk doli në asnjë rast kundër dublimit dhe praktikisht zerimit të kontrollit të tij në periudhën mesi i marsit 2022-qershor 2023, për shkak të veprimtarisë së bordeve të caktimit të çmimit tavan për tregjet e karburanteve dhe të ushqimeve bazë, të ngritura përmes akteve normative të qeverisë, pavarësisht se prania e tyre mund të përligjej vetëm në tre-katër javët e para të emergjencës së çmimeve, nën efektin psikologjik të agresionit të Putin në Ukrainë. AK duhej të kishte këshilluar qeverinë dhe të theksonte me forcë në publik se kontrolli i drejtpërdrejtë i çmimeve, apo ndërhyrja në një masë drastike e qeverise në tregje, në formën që u aplikua përmes bordeve, sjell pasoja të rënda në ekonomi, sikurse u vërtetua në praktikë nga menaxhimi 15-mujor me borde i dy tregjeve jetikë për ekonominë tonë, si ai i ushqimeve bazë dhe i karburanteve. Këto pasoja do të ndihen shumë gjatë në ekonomi. AK duhej të ishte treguar aktiv në luftën ndaj kostove të fshehta dhe të rritura të transaksioneve në industrinë financiare dhe bankare të vendit. Ai duhet të kishte rrokur iniciativën të hetonte, bazuar në denoncimet e shumta të qytetarëve ndaj nivelit, të perceptuar prej tyre si abuziv, të përqindjeve të interesit të ngarkuara nga institucionet dhe shoqatat e kursim-kreditit në mikrokreditë e dhëna, elementë që të çonin në dyshime të arsyeshme për praninë e një karteli në këtë sektor. Një deputet me përvojë i Kuvendit përmendi me të drejtë inaktivitetin e AK, kur denoncoi TPL-të e kompanive të sigurimit. Autoriteti i Konkurrencës duhej të kishte mbikëqyrur më me kujdes dhe fokus tregun e kreditit bankar dhe tregun e ndërmjetësve financiarë, të cilët mobilizojnë kursimet e shqiptarëve për një zhvillim më të qëndrueshëm të vendit, pasi kontratat midis kredidhënësve dhe kredimarrësve duhet të jenë më të thjeshta dhe më të qarta. AK duhej të kishte punuar që të reduktohet ngarkimi mbi kredimarrësin i çdo risku potencial dhe ngarkimi në kostot e kredisë i pjesës së kredive të këqija që nuk janë thjesht dështim i bizneseve shqiptare, por edhe një cilësi jo e mirë e kredidhënësve. Në këto tregje shumë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë, Autoriteti i Konkurrencës ka një përgjegjësi dhe mision të qartë, në mbrojtje të qytetarit-konsumator dhe klient. AK në asnjë rast nuk zbatoi praktikën e njohur, të ndjekur rëndom nga shumë struktura simotra perëndimore të tij, të njoftimeve dhe të paralajmërimeve, të bëra publike, ndaj operatorëve abuzues në treg, për të rritur presionin dhe për t’i frenuar ata në vijimin e abuzimit. Në tërësi, Autoriteti i Konkurrencës nuk ia doli të vërtetojë se përfitimet e nje grushti kompanish te përkrahura nga qeveria, nuk erdhën nga cilësia apo çmimet konkurruese të mallrave dhe shërbimeve të tyre, por nga deformimet e konkurrencës, duke dëshmuar dobësinë e tij në kontrollin efektiv të tregjeve dhe në garantimin e konkurrencës së lirë. Këto përbëjnë arsyet themelore, pse sot kemi një imazh publik shumë të dobësuar të institucionit të AK dhe mungesë të theksuar besimi në aftësitë e tij për të garantuar mbrojtjen efektive te interesave të konsumatorëve. Gati të gjitha shtresat e konsumatorëve shqiptarë dhe pjesa dërrmuese e kompanive të biznesit, që nuk “kanë fatin” të përkrahen nga qeveria, ndihen të pambrojtur nga deformimet e mëdha të konkurrencës në Shqipëri.
AK është shumë larg të qenit avokat i biznesit të ndershëm, të papërkrahur nga qeveria
Deri tani, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka mundur të sigurojë një partneritet real me komunitetin e biznesit, të konsumatorit dhe të organizatave të shoqërisë civile, për të zbuluar praktikat antikonkurruese në tregjet e hetuara dhe në ato ende të pahetuara. Duke mos e arritur këtë partneritet, AK nuk ka mundur të veprojë realisht si një institucion i pavarur, në interes të publikut dhe taksapaguesve. Opinioni publik, nëpërmjet raportimeve të shoqërisë civile dhe analizave në media, ka dyshime lidhur me pavarësinë e plotë të punës së Autoritetit të Konkurrencës. Ende institucioni nuk e ka bërë të ditur, por ekziston në opinionin publik të qytetarëve përshtypja se ky institucion pëson në vijimësi ndërhyrje dhe influenca të papërshtatshme nga struktura shtetërore dhe politike. Do të ishte në të mirën absolute të pavarësisë së AK, që nëse ka patur ndërhyrje të tilla, ai t’i bëjë publike, për të dekurajuar çdo strukturë të Shtetit apo partiake, që të vijojnë këtë presion të papërshtatshëm. Autoriteti duhet ta zgjerojë sferën e kontrolleve të tij, në mënyrë që të përfshijë natyrshëm:
- kontrollin e përputhshmërisë me parimet e konkurrencës së lirë ndaj të gjithë instrumenteve ligjore të përdorura për koncesionet dhe PPP-të, duke përfshirë marrëveshjet ndërqeveritare të lidhura me vendet e treta për zbatimin e projekteve të përbashkëta, si dhe
- analizën e thelluar të koncesioneve shtetërore që i kanë dhënë mundësi një kompanie të vetme private të realizojë pozicionin monopol në shfrytëzimin e një pasurie të vendit apo shërbimi publik të kaluar me PPP dhe koncesione të tjera tek privati.
Botuar në Gazeta Sot më 16 Qershor 2023