Nga Raporti vjetor 2022 i Komisionit te Prokurimit Publik, gjykoj se institucioni ka punuar dhe është përpjekur, por nuk ka arritur të jetë në lartësinë e misionit të tij publik, pavarësisht renditjes në raport të disa treguesve sasiorë jo themelorë në përmbushjen e misionit të tij, për tre arësye kryesore të mëposhtme:
KPP nuk ka mundur të parandalojë efektivisht marrëveshjet e fshehta të operatorëve ekonomikë në prokurimet publike
Nxitja e konkurrencës në procedurat e prokurimit është më shumë se një parashikim ligjor, është qëllimi dhe fryma që duhet të shoqërojë një procedurë prokurimi publik. Sipas specialistëve të Institutit Shqiptar të Shkencave, OJF-së që menaxhon portalin e njohur dhe profesional Open Data Albania, defeket më të mëdha të sistemit te prokurimit publik sot tek ne, përtej tenderimeve me një operator në garë, janë kontratat me marrëveshje të fshehura dhe shumica e garave, ku shumë kompani marrin pjesë formalisht, sa për të plotësuar numrin e pjesëmarrësve, në marrëveshje ose pagesë të kompanisë apo bashkimit të operatorëve, të paracaktuar si fitues. Problemi themelor qëndron tek kontratat që miratohen me ligje të posaçme dhe që, qëllimisht e shmangin, pa e nxitur fare konkurrencën, për shkak të marrëveshjeve të fshehta titullar publik-kompani biznesi e interesuar. Këto kontrata me vlera dhjetra e qindra milionë euro para të buxhetit të shtetit, në të vërtetë përfaqësojnë procedura tenderimi të trukuara, gara të trukuara, me fitues të paracaktuar, që deformojnë konkurrencën e lirë të operatorëve ekonomikë në treg dhe janë bërë shkak që në kontratat tona publike për punime në infrastrukturën rrugore, portuale, etj., të realizohet gati 100 përqind fondi limit, si dhe të ketë më shumë se një dekadë që mungojnë kompanitë e huaja me emër, shumë të pranishme në rajon, në kontrata të ngjashme në Kosovë, Mal të Zi, Maqedoni te Veriut, etj. Komisioni i Prokurimit Publik duket refraktar dhe jo-reagues ndaj këtyre problemeve themelore të prokurimit publik tek ne. Gjatë vitit 2022, nuk kemi parë një rast të vetëm ku KPP të ketë reaguar për shkeljet e qarta, shpesh herë dhe flagrante, të ligjit të Prokurimit Publik në kontrata të tilla. Dy institucionet tipike që edhe gjatë vitit 2022, kanë kryer shkeljet më serioze dhe me dëm të ndjeshëm ekonomik për buxhetin e shtetit, janë Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Janë të shumtë tenderat dhe kontratat e përfunduara dhe zbatuara nga ARSH dhe FSHZH gjatë vitit të kaluar, ku, në kundërshtim të hapur me Ligjin e Prokurimeve Publike dhe rregullat e tjera në fuqi, fituese nuk shpallen kompani që ofrojnë vlerën më të ulët ekonomike për cilësi të barabartë oferte, por kompani të favorizuara nga qeveria qendrore, apo nga drejtuesit e pushteteve vendore. Ju sjell vetëm dy shembuj nga tenderat e FSHZH-së për vitin 2022. Në vetëm 7 tendera të zhvilluar nga FSHZH gjatë vitit 2022, për ndërhyrje për përmirësimin e strukturave rrugore në disa rajone të vendit, me vlerë totale mbi 22 milionë euro, Fondi i ka shkaktuar një humbje disa milionë euro buxhetit të Shtetit, nga përzgjedhja klienteliste e firmave fituese, me oferta dukshëm më të larta se kompanitë e tjera në garë. Projekti “Eden” i korrikut 2022, i vendosjes së një instalacioni druri në oborrin e Kryeministrisë, përfaqëson një projekt ku taksapaguesit shqiptarë duhet të paguajnë 3.7 milionë euro për një kopësht me tre kate prej druri dhe pemësh të varura, brenda oborrit të Kryeministrisë, ndërkohë që kjo strukturë nuk ka asnjë dobi funksionale për mbledhjet dhe aktivitetin e Këshillit të Ministrave në Kryeministri.
FSHZH shkeli ligjin për Prokurimet Publike, duke hapur një tender që nuk e kishte në programin e tij vjetor të investimeve, pa praninë e fondit përkatës, si dhe duke zgjedhur formën e tenderit “prokurim me procedurë të kufizuar”, pa patur asnjë emergjencë për realizimin e këtij projekti. KPP nuk pati asnjë reagim për këto shkelje, të denoncuara me dhjetra herë në mediat tradicionale dhe sociale të vendit.
Flamujtë e kuq në tenderat problematike të bashkive nuk shihen vetëm nga KPP!
Sipas një sistemi vlerësimi për tenderat publikë, të mbështetur dhe nga projekte të USAID në Shqipëri, marrin flamuj të kuq tenderat e dyshimtë, ku evidentohet mungesa e konkurrencës ose skualifikimi i qëllimshëm i konkurrentëve, duke lënë në garë vetëm fituesit. Tenderi që merr “Flamur të kuq” ka dy karakteristika: 1. fituesi nuk është operatori me ofertën më të ulët ekonomike dhe 2. më parë janë skualifikuar të gjithë operatorët e tjerë konkurrues në garë, përveç fituesit. Këtë sistem po e zbaton Open Data Albania, në analizën e tenderave të 61 bashkive të vendit. Është një punë voluminoze disavjeçare, e cilat duhet vlerësuar. Bashkia e Tiranës rezulton të jetë më problematikja, sipas Open Data Albania, sa i përket tenderave pa garë apo ato me negociim. Për prokurimet me vlerë të lartë nga bashkia e kryeqytetit, një pjesë të konsiderueshme të tyre, Open Data i ka shënuar me flamur të kuq, për shkak se nuk ka pasur konkurrim. Bashkia e Tiranës është institucioni me më shumë tendera mbi 100 milionë lekë, të cilat janë shenjuar me flamur të kuq, me sqarimin mungesë konkurrence, ose skualifikime të kompanive dhe kontrata me negociim. Për një periudhë të caktuar kohore, ky institucion ka realizuar 44 tendera të tillë dhe 12 prej tyre rezultojnë me procedura problematike. Këto shifra janë shqetësuese, pasi vlera totale e prokurimeve shkon në 4.7 miliardë lekë, ose 42 milionë euro. Në 7 raste, Open Data ka gjetur që janë skualifikuar konkurrentët me ofertën më të mirë ekonomike, për të shpallur fituesin. Bashkia e Durrësit e cila është bashkia e dytë e madhe, e cila, në të njëjtën periudhë kohore, ka 38 prokurime me vlerë mbi 100 milionë leke, me 7 raste me sinjalizimin e flamurit të kuq. Komisioni i Prokurimit Publik nuk ka shfaqur asnjë shqetësim për raste të tilla të hetuara nga struktura me emër dhe profesionale të shoqërisë sonë civile dhe të denoncuara ne media. Ai nuk ka ndërmarrë asnjë hetim të tij vlerësues dhe kontrollues, lidhur me to. KPP është mjaftuar vetëm me procedurën formale të marrjes zyrtare të ankesave nga operatorë të skualifikuar nga procese tenderimi. Duke u marrë me disa drurë të shtrëmbër që i vendosen përpara, KPP ka humbur shikimin mbi të gjithë pyllin!
KPP nuk shikon arsyet e vërteta pas uljes së ankesave dhe indikatorit shumë të ulët të dobisë së vendim-marrjes së tij
Komisioni i Prokurimit Publik nuk është thelluar në arësyet pse një nga treguesit kryesorë sasiorë të punës së tij, numri i ankesave të marra(fq 21-22 e Raportit Vjetor), është ulur dukshëm, nga 15.1 përqind në vitin 2021 në 8.2 përqind në vitin 2022, ose gati dy herë më pak. KPP këtë ia dedikon punës së mirë të tij, por nuk e ka pyetur veten nëse kjo rënie drastike e ankesave mund të vijë kryesisht nga fakti që janë rritur kompromiset ndërmjet operatorëve ekonomikë pjesëmarrës në tenderat shtetërorë dhe autoriteteve kontraktore dhe, po ashtu, është rritur zhgënjimi i kompanive të ndershme dhe të rregullta të biznesit ndaj pranisë së procedurave të trukuara të tenderimit, ku fituesi është i paracaktuar, gjë që shkakton dezertimin masiv të tyre në të ashtuquajturat “gara” për mallra dhe shërbime publike. Open Data Albania ka vlerësuar se nga një total mbi 4 mijë tendera publikë të ekzaminuar, i rezultojnë vetëm pak më tepër se një mijë operatorë ekonomikë ose bashkime operatorësh ekonomikë fitues, ose një operator ekonomik apo bashkim operatorësh ekonomikë fiton mesatarisht katër tendera!. Kjo është një shifër shqetësuese, por duket se nuk e ka shqetësuar KPP-në. KPP në Raportin e tij vjetor 2022 nuk ka asnjë përmendje të fenomenit shqetësues të shtuar dukshëm të ndarjes së punëve në tenderat publikë, ku çdo operator merr nga një lot punimesh publike. Në faqen 24 të Raportit, KPP del zbuluar, pavarësisht shifrave të dhëna më parë. Sipas Raportit, “Gjatë vitit 2022, nga totali i ankesave të shqyrtuara (ankesa të vitit 2022, si edhe ankesa të vitit 2021 për të cilat Komisioni është shprehur me vendim në vitin 2022), …. me fond limit 17,997,871,842 lekë pa TVSH, ose rreth 18 miliardë lekë, pra rreth 175 milionë euro, rezulton se pas vendimmarrjes së Komisionit të Prokurimit Publik, KPP i ka kursyer buxhetit të shtetit vlerën prej rreth 115,967,650,00 lekë pa TVSH, ose diçka më shumë se 1 milionë euro, llogaritur si diferencë e ofertës së kualifikuar nga vendimmarrja e autoriteteve kontraktore dhe e operatorëve ekonomikë të ankuar, ankesa e të cilëve është pranuar nga Komisioni i Prokurimit Publik. Duke patur parasysh vlerën e shpenzimeve vjetore të Komisionit të Prokurimit Publik, indikatori i dobisë së vendim-marrjes së KPP-së, ose raporti mes parave te shpenzuara nga Buxheti i Shtetit për KPP-në dhe parave të kursyera Buxhetit të Shtetit nga institucioni, del vetëm 0.7 ose afër njëshit. Shumë ulët dhe shumë pak, për një institucion si Komisioni i Prokurimit Publik!
xxx
Përmenda më lart vetëm tre, nga shumë arësyet pse mendoj se KPP, megjithë përpjekjet e tij gjatë vitit 2022, është treguar jo-efektiv, në luftën ndaj abuzimeve dhe korrupsionit në tenderat publikë. Institucionit i ka munguar kurajo publike në shikimin e së vërtetës në sy, me prokurimet publike dhe në hetimin e rasteve të dyshuara si abuzive dhe të denoncuara në media. Sot, krahas mungesës së theksuar të kurajos publike për të parë në sy problematikën e vërtetë në prokurimet tona publike, qëndron po aq reale edhe sfida e sistemit të prokurimit publik në tërësi, si dhe e Komisionit të Prokurimit Publik në veçanti, për forcimin e kapaciteteve profesionale të zyrtarëve të prokurimit. Në këtë drejtim, duke vleresuar Konferencën e dytë me temë “Sfidat e Sistemit të Prokurimit Publik në Republikën e Shqipërisë” të datës 27 Maj 2022, organizuar nga Komisioni i Prokurimit Publik, në bashkëpunim me SIGMA- OECD, gjykoj se rekomandimet e kësaj konference për krijimin e Trupës së Zyrtarëve të Çertifikuar të Prokurimit Publik, për hartimin e Standardeve Kombëtare për grup mallrat me përdorim të përgjithshëm dhe për hartimin, në bashkëpunim me Autoritetin e Konkurrencës, të një Manuali të Sinjaleve të Marrëveshjeve të Ndaluara në prokurimet publike, do ta ndihmonin KPPP të punonte më me efektivitet dhe pavarësi për realizimin e misionit të tij në të ardhmen.
Botuar në Gazeta Sot më 27.06.2023