KLGJ të mos lejojë sektin Rama t’i vërë shkelmin pavarësisë së gjyqësorit!

Këshilli i Lartë Gjyqësor është qeveria e sistemit tonë të drejtësisë. Raporti mbi gjendjen e sistemit gjyqësor dhe veprimtarinë e Këshillit të Lartë Gjyqësor për vitin 2022 tregon se, megjithëse institucioni ka punuar duke prodhuar 562 akte brenda vitit të kaluar(faqe 9 e Raportit), si dhe është përpjekur të realizojë disa nga objektivat e tij, ai nuk ka mundur të gjenerojë një drejtësi më të aksesueshme, më efektive dhe më pranë pritshmërive të qytetarit.
Fakti që, sipas të dhënave të vetë raportit, gjatë vitit 2022 ka 12 përqind më pak çështje të hapura në sistem nga qytetarët, në krahasim me një vit më parë, tregon uljen e besimit të tyre tek drejtësia e sotme. Ky tregues duhet ta shqetësojë seriozisht KLGJ-në dhe të gjithë ne.
Sistemi ynë gjyqësor, me më pak gjyqtarë dhe më i ngarkuari me çështje për gjyqtar në Evropë
Sipas të dhënave të raportit (faqe 9), sistemi ynë gjyqësor sot po funksionon me 55.8 përqind të kapacitetit, pra të organikës së gjyqtarëve. Na mungon pothuajse gjysma e tyre! Duhet ta pranoni se po punojmë në situatë emergjence. Jemi ndër vendet e fundit të Evropës, për numrin e gjyqtarëve për 100 mijë banorë, në mos i fundit, me 8.2 gjyqtarë për 100 mijë banorë, në krahasim me 22.2 gjyqtarë, që është mesatarja e vendeve të Evropës. Gjyqtarja/gjyqtari ynë, në të gjitha sistemet e gjykimit, është më i ngarkuari me çështje në Evropë. Kjo mbingarkesë, e paprecedentë në kontinentin tonë dhe me pak raste të ngjashme në botë, ul cilësinë e punës së gjyqtarëve, shton tensionin dhe stresin e tyre në punë, si dhe rrit papërgjegjshmërinë e tyre. Nga ana tjetër, mbingarkesa ka sjellë shtyrjen e jashtëzakonshme në kohë të pjesës dërrmuese të çështjeve gjyqësore në të gjitha nivelet e gjykatave. KLGJ duket se ka harruar postulatin kryesor që të detyron të realizosh një shërbim të shpejtë gjyqësor për qytetarin, sipas të cilit, një drejtësi e vonuar, është një drejtësi e munguar! Në të 99 faqet e raportit nuk ka një fjalë të vetme për treguesin e shpejtësisë, kohës së përfundimit të një çështjeje gjyqësore për qytetarin. Pse nuk e kemi këtë tregues? Ndoshta, për arësyen e thjeshtë se koha mesatare e shqyrtimit të një çështje gjyqësore në nivelet e të gjitha gjykatave është rritur në mënyrë shqetësuese? Duhet ta pranojmë të gjithë se kjo mungesë serioze e numrit të gjyqtarëve, të paraqitur edhe në faqet e raportit tuaj, nuk ka ardhur vetëm dhe thjesht për shkak të reformës në drejtësi dhe vetingut, ku, krahas ndryshimeve pozitive në sistem, ka patur edhe shumë vendime të gabuara e të kontestuara, që kanë lënë shteg për interpretime të ndryshme. Duhet ta pranojmë se e gjitha kjo ka krijuar një situatë tejet problematike me institucionet tona të drejtësisë, pavarësisht punës së mirë të disa strukturave, ku vlen të përmendet Komisioni i përkohshëm për vlerësimin etik dhe profesional (në kuadër të rivlerësimit kalimtar të gjyqtarëve), i cili ka monitoruar e kontrolluar një proces të vështirë e delikat, por ka funksionuar me profesionalizëm dhe korrektësi, i drejtuar nga kryetari Dritan Hallunaj. Dua të përmend edhe punën dhe rezultatet e Gykatës së Lartë, e udhëhequr me kompetencë nga kryetari në detyrë Sokol Sadushaj, jurist i njohur dhe me përvojë. Shpreh vlerësimin tim për struktura të tilla dhe i përgëzoj për punën e bërë, por njëkohësisht shpreh shqetësim për një strukturë jetike të sistemit tonë gjyqësor si Gjykata Kushtetuese, pavarësisht se ajo nuk është pjesë e qeverisjes së KLGJ-së. Gjykata jonë Kushtetuese kishte shpalosur në të kaluarën qëndrime profesionale dhe kurajoze, të përmbajtura në shumë vendime të saj, gjatë kohës së drejtimit të qeverisë nga Partia Demokratike dhe më vonë nga Partia Socialiste. Por, duke synuar kapjen plotësisht të gjyqësorit, sekti Rama e deformoi reformën në drejtësi. Na la si qytetarë dhe shoqëri disa vite pa Gjykatë Kushtetuese, për të vënë pastaj në krye të saj një individ që nuk numëron një ditë të vetme pune si gjykatëse, në vend që të konsideronte kandidaturën e një akademikeje si Profesoreshë Aurela Pasko Anastasi, personalitet i jurisprudencës shqiptare. Sekti në qeverisje prodhoi kështu një institucion ku shumica e anëtarëve janë anonimë, ushtarë të bindur të tij, të cilët nuk kanë as kapacitetin, as edhe guximin të gjykojnë çështje, kur ky gjykim shkon ndesh me interesat e sektit. Kjo nuk ndosh në Gjykatën e Lartë, ku ka juristë të zotë dhe me integritet. Në vitet e fundit, qytetarët kanë parë një Gjykatë Kushtetuese me mungesë të theksuar profesionalizmi dhe kurajo në qëndrimet e saj, duke mos guxuar të trajtojë shumë raste flagrante të shkeljes së Kushtetutës së Shqipërisë. Theksoj rastin skandaloz të investimit gjysëm mafioz, në shkelje flagrante të Kushtetutës dhe shumë ligjeve të tjera të vendit, përmes projektit “Durrës Yachts& Marina”, të denoncuar dhe çuar në Kushtetuese nga Partia Demokratike. Këshilli i Lartë i Drejtësisë ka përpara qytetarëve dhe historisë përgjegjësinë e trefishtë: kushtetuese, ligjore dhe morale, që të mos e lejojë sektin Rama në qeverisje, që t’i vendosë shkelmin pavarësisë së gjyqësorit, sikurse ka bërë me pavarësinë e Kuvendit.
Harta e re e gjyqësorit, stërkëmbëshi më serioz i reformës në drejtësi
Çfarë u realizuar me procesin e hartës së re të gjyqësorit, i shpjeguar në faqet 41-43 të raportit të KLGJ-së, në marrëveshje me Ministrinë e Drejtësisë dhe i shndërruar në akt ligjor me VKM Nr. 495, datë 21.7.2022 “Për riorganizimin e rretheve gjyqësore dhe kompetencave tokësore të gjykatave”, përbën një gabim fatal të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Dhoma Kombëtare e Avokatisë është shprehur publikisht kundër projektit të hartës së re të gjyqësorit. Përfaqësuesit e kësaj Dhome, si dhe shumë ekspertë të njohur të jurisprudencës në vend, janë pozicionuar kundër dhe janë shprehur tejet të shqetësuar nga Harta e Re. Gjykoj se ky projekt, ku nga 36 Gjykata të Shkallës së Parë ngelën 16, nga 6 Gjykata Administrative të Shkallës së Parë ngelën 2 dhe nga 6 Gjykata Apeli në gjithë Shqipërinë ngeli vetëm një, në Tiranë, përbën ndoshta goditjen më të madhe që i është bërë deri tani reformës në drejtësi dhe efektivitetit e efiçiencës së saj. Në emër të një ndarje të barabartë të ngarkesës në punë të gjyqtarëve me riorganizimin e ri, si dhe të kritereve të barabarta në vlerësimin e gjyqtarëve, KLGJ rrezikon dështimin e reformës më të rëndësishme të shoqërisë shqiptare sot, reformës në drejtësi. E them me keqardhje që pikërisht, duke mos reflektuar dhe duke mos marrë masa urgjente për të minimizuar efektet e zbatimit të kësaj harte të re të gjyqësorit, për ta rikonsideruar atë, KLGJ do të shkaktojë edhe dështimin e Strategjisë së vet 2022-2024. Harta Gjyqësore nuk mund të jetë kurrsesi hartë krize për emërimet në drejtësi dhe hartë risistemimi gjyqtarësh të ngelur në sistem, por hartë e shanseve dhe e të drejtave të qytetarëve për drejtësi. Efiçienca e dhënies së drejtësisë tek ne është vënë seriozisht në pikëpyetje nga kjo hartë e re gjyqësore. Harta e re nuk e përmirëson të drejtën kushtetuese të aksesit të qytetarit në drejtësi, pra, afërsinë e individit me gjykatën, por përkundrazi e dërrmon këtë parim. Ajo e detyron qytetarin të shkojë nga gjykatat e mbyllura tek ato të risistemuara, duke harxhuar dyfishin e kohës: deri në 2.5 orë për në Shkallë të Parë dhe deri në 5.5 orë për Apelin. Aksesi në drejtësi ka të bëjë dhe me kostot që i duhet individit dhe kostot e qytetarit per transportin publik apo privat, krahas kohës së harxhuar, janë minimumi dyfish! Ja përse gjykatat e apelit duhet të jenë të paktën në Tiranë, Vlorë, Shkodër dhe Korçë. Ftoj Këshillin e Lartë të Drejtësisë ta rishikoj?ë me shumë seriozitet hartën e re gjyqësore, për ta ridimensionuar tërësisht atë, në dobi të aksesit të qytetarit dhe shpëtimit të reformës në drejtësi!

Botuar në Gazeta Sot më 5 Korrik 2023