Në qershor 2023, vetëm 18 muaj pas marrjes së eurobondit të pestë në nëndor 2021, pa ndonjë emergjencë të dukshme, qeveria shqiptare bleu një borxh të ri prej 600 milionë eurosh, eurobondin e gjashtë.
Në vend që të merrte hua të lirë në tregun e brendshëm dhe të përdorte fondet e shumta të lira në këtë treg në duar të bankave dhe qytetarëve, qeveria zgjodhi të merrte hua në tregun e jashtëm. Huaja e re e jashtme u sigurua me një kosto 60 përqind më të lartë se huaja e nëndorit 2021(interesi 6.1 përqind, ne krahasim me interesin 3.75%), për t’u shlyer për gjysmën e kohës së eurobondit të pestë. Ajo përfaqëson huanë e dyte më të shtrenjtë në historinë e eurobondeve të Shqipërisë, pas asaj të marrë në kulmin e krizës financiare botërore, në vitin 2012.
Me eurobondin e gjashtë, qeveria e sektit Rama dëshmoi papërgjegjshmërinë e saj kriminale në menaxhimin e borxhit publik, pasi Shqipëria deri tani ka shlyer vetëm dy eurobondet e parë, ndërkohë që ka katër të tjerë për të shlyer, duke akumuluar një borxh prej 3.4 miliardë eurosh.
Katër eurobondet për t’u shlyer janë:
I. Eurobond-i i tretë, i emetuar në tetor të vitit 2018, në vlerë prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.55 %.
II. Eurobond-i i katërt, i emetuar në qershor te vitit 2020, në vlerë prej 650 milionë euro, me maturim po 7-vjeçar dhe normë interesi 3.75 %.
III. Eurobond-i i pestë, i emetuar në nëndor të vitit 2021, po në vlerë prej 650 milionë euro, me maturim 10-vjeçar dhe normë interesi 3.75 %.
IV. Eurobond-i i gjashte, i emetuar në qershor 2023, në vlere 600 milione euro, me maturim 5-vjeçar dhe normë interesi 6.125 %.
Edhe eurobondin e gjashtë, këtë borxh të ri të marrë, qeveria nuk po e investon në aktivitete që sjellin një kthim të shpejtë nga investimi, prej të cilave mund të shlyhet borxhi. Ky është borxh i siguruar për të shlyer këstet e borxheve të vjetër që po maturohen dhe për mbështetjen e përgjithshme buxhetore (p.sh. për financimin e defiçiteve).
Shlyerja e tij, pothuajse pa dyshim, do të financohet nga rritja e borxhit të ri, në një mjedis normash interesi ne tregjet ndërkombëtare, që mund të jetë dukshëm më i rënduar se i sotmi.
Morëm tre eurobonde në katër vitet e fundit! Kjo duhet të na shqetësojë seriozisht. Në harkun e 5-6 viteve të fundit, interesat e borxhit të jashtëm të qeverisë shqiptare janë më shumë se dyfishuar!. Nga diçka më pak se 100 milionë euro në vitin 2017, në rreth 200 milionë euro për këtë vit, si pasojë e marrjes së njëpasnjëshme të huave në tregjet e huaja.
Botuar në Tirana Diplomat më 11.07.2023