Ligësitë e fundit të sektit Rama

Në dhjetë vjet (keq)qeverisje të vendit, por sidomos në vitet e fundit, sekti Rama në pushtet ia doli t’jua tregojë të plota shqiptarëve antivlerat e tij dhe paudhësitë e tij, si më poshtë:

  1. Aventura me “Ballkanin e Hapur” tetor 2019-korrik 2023. Në më pak se katër vjet, Rama, i ashtuquajtur “Lider Global”, së bashku me sivëllain e tij autokrat, Aleksandër Vuçiç, vetë e hapi dhe vetë e mbylli siparin e një nisme që dëmtoi rëndë interesat e Kosovës dhe forcoi pozitat hegjemoniste të Serbisë në rajon. Rama e përqafoi pa mëdyshje nismën “Ballkan i Hapur” të Vuçiçit, autokratit tjetër të Ballkanit, pa u konsultuar me Kosoven, duke luajtur rolin e shërbëtorit të shërbëtorit (Vuçiç është shërbëtori numër një i diktatorit Putin në Ballkan dhe në gjithë Evropën), për interesat serbe dhe ruse në rajon! Si Rama dhe Vuçiç, u sollen qe te dy si minues të Procesit të Berlinit, duke e detyruar atë të ngadalësonte dukshëm dhe te hapte krahun, për t’i lënë udhë surrogatit “Ballkan i Hapur” që gatuan vetë.
  2. Keqpërdorimi i krizës në Veri të Kosovës për kapital politik vetjak. Kryetari i sektit që sot qeveris Shqipërinë e trajtoi pozicionin e qeverisë kosovare në raport me zgjedhjet e bojkotuara nga pakica serbe në Veri të Kosovës me barazlargësi, si partner ndërkombëtar, dhe jo si drejtues i Shqipërisë.
    Marrja pjesë në mbledhjen e programuar të të dyja qeverive në Gjakovë në qershor 2023, nuk do ta rrezikonte aspak pozionin e Shqipërisë përballë partnerëve ndërkombëtarë dhe aty kryeministri i Shqipërisë mund të diskutonte edhe krizën në Veri të Kosovës, sikurse ia sugjeroi kryeministri i Kosovës. Po Rama nuk mund t’i rezistonte dëshirës për shou dhe për t’u treguar në sy të Perëndimit si kalorës i mbrojtjes së të drejtave të pakicave në Ballkan. “Lideri Global” veshi shpejt petkun e kampionit të mbrojtjes së të drejtave të pakicave, duke e izoluar qeverinë e Kosovës, pikërisht në një moment të vështirë për Kosovën dhe ruajtjen e autoritetit të saj si shtet.
  3. Marrja e ethshme e huave, duke përfituar nga mbiçmimi i lekut. Vetëm 18 muaj pas marrjes së eurobondit të pestë në nëndor 2021, pa ndonjë emergjencë të dukshme, qeveria shqiptare bleu në qershor 2023, një borxh të ri prej 600 milionë eurosh, eurobondin e gjashtë. Në vend që të merrte hua të lirë në tregun e brendshëm dhe të përdorte fondet e shumta të lira në këtë treg në duar të bankave dhe qytetarëve, qeveria zgjodhi të merrte hua në tregun e jashtëm. Huaja e re e jashtme u sigurua me një kosto 60 përqind më të lartë se huaja e nëndorit 2021(interesi 6.1 përqind), për t’u shlyer për gjysmën e kohës së eurobondit të pestë. Ajo përfaqëson huanë e dyte më të shtrenjtë në historinë e eurobondeve të Shqipërisë, pas asaj të marrë në kulmin e krizës financiare botërore, në vitin 2012.
    Me eurobondin e gjashtë, qeveria e sektit Rama dëshmoi papërgjegjshmërinë e saj kriminale në menaxhimin e borxhit publik, pasi Shqipëria deri tani ka shlyer vetëm dy eurobondet e parë, ndërkohë që ka katër të tjerë për të shlyer, duke akumuluar një borxh prej 3.35 miliardë eurosh. Rënia e euros me 12 përqind në 15 muajt e fundit, vërtet që në vlerë kontabël ul me 6 përqind borxhin e matur në lekë, në raport me prodhimin kombëtar(Shqipëria gjysmën e huave i ka në valutë të huaj), por, nga ana tjetër, borxhi është i gjithi aty, pavarësisht se i zvogëluar si shifër në lekë, për efekt të rënies së fortë të kursit të këmbimit të euros në Shqipëri.
  4. Tenderat klientelistë pa garë reale. Abuzimet me tenderat publikë janë ngritur ne nivele te paimagjinueshme dhe kanë kulmuar në vite e fundit ne (i)zhvillimin e prokurimeve publike me fitues të paracaktuar, (ii) rritjen eksponenciale të tenderave me ofertues të vetëm dhe (iii)realizimin e tenderimeve në nivelin 99-100% të fondit limit, duke deformuar tërësisht dhe vrarë konkurrencën e lirë, si dhe mundësitë për t’i sjellë kursim Buxhetit të Shtetit, nga formula e ankandit publik.
  5. Rama nuk inicion dhe nuk orienton asnjë masë për realizimin e reformës zgjedhore. Me fjalë shprehet për një reformë elektorale të thellë dhe gjithëpërfshirëse, por nuk punon një ditë të vetme në vit për listat e hapura, depolitizimin e komisioneve zgjedhore vendore dhe të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Vetem premton dhe nuk mban asnjë premtim. Në të kundërtën, shkel marrëveshjet e arritura me opozitën, sikurse ishte ajo e 5 qershorit 2020. Tallet me votën e emigrantëve dhe pas zgjedhjeve të 25 prillit 2021 u heq edhe strukturën e Ministrit të Shtetit për Diasporën, duke u lënë një drejtori në Ministrinë e Jashtme.
  6. Krimi në masë ka dalë në sipërfaqe, si një lumë nga shtrati. Janë zona të tëra të vendit, ku krimi i organizuar mban kontakte dhe lidhje të forta me anëtarët e sektit Rama në pushtet dhe shpërfill Policinë e Shtetit. Ky pozicion u fitua në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021 dhe në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023, ku deputetë të PS, drejtues politikë qarqesh dhe anëtarë të kabinetit Rama i përdorën masivisht “çunat problematikë” për të blerë vota dhe për të ndikuar në dhjetra mënyra të tjera, me joshje e kërcënime, tek zgjedhësit. Për t’i motivuar më tepër, sekti Rama keqpërdori Operacionin Forca e Ligjit, duke u ofruar mosgoditje dhe imunitet nga OFL-ja atyre përfaqësuesve të botës së krimit që aktivizoheshin në krah të PS-së, në zgjedhjet e prillit 2021 dhe majit 2023 .
    Jo rastësisht, Rama i ndërroi komisarët e policisë në rrethe, sapo fitoi zgjedhjet e 25 prillit 2021, për të vendosur drejtues “mirënjohës” ndaj kontributit të klaneve mafioze dhe grupeve kriminale në fitore. Nëse përpara vitit 2013, prania e elementëve me të kaluar kriminale në përfaqësuesit e pushtetit qendror dhe vendor ishte rastësore, pas këtij viti, sekti në qeverisje e ktheu në metodë pune. Dy-tre anëtarë të botës së krimit bëjnë më shumë punë se 100 patronazhistë!
  7. Ministri i ri i Rendit, përfaqësues i drejtpërdrejtë i grupeve kriminale. Zgjedhja e ministrit të ri të Rendit përbën një provokim të pastër. Mediat e pavarura, ish-përfaqësues të forcave të rendit dhe opozita janë tërësisht në të drejtën e tyre legjitime, që të jenë të shqetësuar thellësisht, pasi ministri i ri i Rendit është përfolur prej vitesh si zëdhënës i klaneve mafioze dhe grupeve kriminale të vendit, sipas denoncimeve në media dhe deklaratave të opozitës. Ai nuk mundet kurrsesi të luftojë bandat kriminale dhe të presë lidhjet e tyre me pushtetin.
  8. Kanabizimi masiv i vendit. Ligji i ri i miratuar për lejimin e përdorimit të kanabisit për qëllime mjekesore, do t‘i japë një hov të ri kanabizimit të Shqipërisë, duke e kthyer në hambar të kësaj droge për të gjithë Evropën. Sipas Raportit të vitit 2022 të Qendrës Europiane për Monitorimin e Drogave dhe Varësisë nga Droga për tregun e drogës në vendet e BE-së, ”Shqipëria ka qenë një prodhues kryesor i kanabisit bimor të destinuar për tregun europian”.
  9. Shpopullues i paparë i vendit. Për dhjetë vitet e fundit në pushtet, sekti Rama i ka detyruar shqiptarët të emigrojnë masivisht. Sipas të dhënave të INSTAT dhe EUROSTAT, janë larguar mbi 600 mijë vetë, ose baraz me boshatisjen e plotë të qarqeve Fieri, Vlorës dhe Kukës bashkë! 345 mijë të larguar janë të rinj të gupmoshave 19-27 vjeç. Sipas EuroBarometrit, 74.8 përqind e grupmoshave 19-27 vjeç duan të emigrojnë, ose gati tetë në dhjetë të rinj, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre në atdhe.
  10. Dhjetë vjet dështim me Kadastrën e Shtetit. Në vitin 2013, sekti Rama erdhi në pushtet, duke deklaruar me bujë dhe premtuar fundin e shpejtë të kalvarit të qytetarëve në zyrat vendore të hipotekave dhe fundin e abuzimit me pronën private e shtetërore. Këtë dështim e pranoi ditët e fundit edhe vetë i ashtuquajturi “Lider Global”. Ish-hipotekat, sot ASHK dhe legalizimet mbajnë rekordin si çerdhja më e madhe e korrupsionit në vend. Një korrupsion që bëhej me lejen e shtetit dhe ku të gjithë mbyllnin sytë para rrjepjes së qytetarëve, që nuk gjejnë të drejtën e tyre të shkelur dhe duhet të paguajnë për të marrë lejen e legalizimit apo hipotekën e pronës së tyre.
  11. Rama, përvetesues dhe mohues i pronës së shqiptarëve, me Ligjin Nr. 20/2020 dhe Ligjin për Investuesit Strategjikë. Zbatimi në praktikë i këtyre ligjeve solli që askush të mos jetë tashmë në gjendje të përcaktojë ligjërisht, nëse një pasuri pronë private e ndodhur në afërsi të bregdetit dhe e përfituar me një nga mënyrat e ligjshme të fitimit të pronësisë, ndodhet ose jo nën regjimin e përcaktuar si pronë publike e patjetërsueshme, pjesë e “vijës bregdetare”. Të dyja ligjet krijuan hapësira për abuzime të mëdha me pronat e qytetarëve, sidomos në bregdet, hapësira për dhunim të mëtejshëm të të drejtave të tyre të ligjshme të pronës private dhe përfitim të paligjshëm të statusit të investuesit strategjik, nga oligarkë favoritë të sektit Rama.
    Këto ligje famëkeqe vulosën një trajtim preferencial dhe jo të barabartë të subjekteve apo individëve që gëzojnë tituj pronësie, duke ua dhunuar dhe mohuar të drejtat pronësore qytetarëve, sidomos banorëve në Bregdetin e Jugut të Shqipërisë.
  12. Indiferentizmi ndaj ekonomisë. Me euron e shvlerësuar me 13 përqind në 15 muajt e fundit mars 2022-qershor 2023, eksportuesit shqiptarë rregjistrojnë 13 përqind humbje neto. Ata rrezikojnë të humbin tregjet dhe kontratat e fituara dhe kështu do të falimentojnë. Paketa e deritanishme e qeverisë në ndihmë të tyre përbëhet nga dy-tre ndërhyje të vogla periferike dhe nuk përfaqëson asgjë thelbësore. Me sufiçitin e krijuar nga të ardhurat në buxhet, qeveria duhet t’i rimbursojë eksportuesit me të paktën 5 milionë euro në muaj për humbjen e pakthyeshme nga kursi i këmbimit. Ajo ka për detyrë t’i ndihmojë efektivisht të kalojnë këtë periudhë të vështirë(e cila po projektohet të jetë afatmesme), pasi eksportet janë e ardhmja e vendit.
  13. Rama, dhunues dhe asgjësues i pavarësisë së institucioneve të pavarura. Përfundimisht, i ka vënë të gjitha këto institucione nën kontroll. I ka uzurpuar me ligj ose procedura të paligjshme. Me deformimet dhe ndërhyrjet klienteliste në reformën në drejtësi, Rama i ka “dhuruar” shqiptarëve një Gjykatë Kushtetuese që nuk guxon të prononcohet për çështje themelore, si rasti i projektit abuziv “Durrës Yachts&Marina “ në portin e Durrësit, të denoncuar nga opozita. Apo sprovat për të ndërhyrë në Akademinë e Shkencave, të denoncuara me kurajo nga Akademiku i njohur Artan Fuga.
    Rama ka keqpërdorur dhe është tallur me dinjitetin e institucioneve të pavarura që duhet të mbrojnë qytetarët, si Enti Rregullator i Energjisë(ERE), në show-n kryeministror të vendosjes apo jo të fashës 800 kWh në shtator 2021. Lista është e gjatë: AMA, Autoriteti i Konkurrencës, Autoriteti i Dosjeve, INSTAT, Komisioneri i Mbrojtjes së Shërbimit Civil(KMSHC-verbëria dhe mosveprimi i tij ndaj skandalit të punësimit të mijëra patronazhistëve në Tiranë), etj. Përjashtim bën vetëm Banka e Shqipërisë, e cila ka ditur të ruajë pavarësinë dhe integritetin e institucionit.
  14. Komprometues i Reformës në Drejtësi, me qëllim dështimin e saj. Edhe pse në publik hiqet si përkrahës i reformës në drejtësi, Rama është armik i përbetuar i saj dhe punon nën rrogoz për dështimin e shpresës kryesore të vendit për të ndërtuar një shtet të së drejtës në Shqipëri. Shembulli më konkret i kësaj pune minuese është bashkëpunimi i Ministrisë së Drejtësisë në realizimin e Hartës së re të Gjyqësorit në Shqipëri, e cila ka shkelur plotësisht parimin kushtetues të aksesit të plotë dhe me kosto sa më të ulët të qytetarit në sistemin e drejtësisë.
  15. Pengmarrës i studentëve të mjekësisë. Rama dhe sekti i tij kanë shkelur të drejtat e studentëve, sipas Kartës Universale të të Drejtave të Njeriut, duke u mbajtur peng diplomat.Vendimi i fundit i shumëdebatuar i qeverisë për pagesën nga studenti të 25 mijë eurove, në këmbim të marrjes së Diplomës së Mjekut, për të emigruar jashtë vendit, përfaqëson një shkelje skandaloze të Kartës Universale të të Drejtave të Njeriut dhe të premtimit për arsim të lartë publik falas, si dhe fyerje dhe shkelje e dinjitetit të mjekut shqiptar.
    xxx
    Me realizimin dhe garantimin e këtyre antivlerave dhe ligësive edhe për gjysmën e dytë të mandatit të tretë, sekti Rama në pushtet vazhdon në rrugën e tij të shkatërrimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri, por njëkohësisht është duke parë edhe fillimin e fundit të tij. Është misioni dhe detyra e opozitës t’i kundërvihet me vendosmëri antivlerave të Ramës.

    Botuar në Gazeta Sot më 12 Korrik 2023