Goditja me (anti)ligj e studentëve të mjekësisë!

Projektligji për studentët e mjekësisë është antikushtetues. Ai zeron autonominë dhe vendim-marrjen e arsimit të lartë publik dhe cënon të drejtën themelore të studentit-qytetar për arsim të lartë të pakushtëzuar dhe për specializim të lirë në profesion. Është një projektligj i denjë për vende si Korea e Veriut dhe Kuba, por jo për Shqipërinë.
I. Po i mbyllim studentët jo me viza, por me ligj!
I ftuar në Komisionin për Punën, Çështjet Sociale dhe Shëndetësinë, një student i mjekësisë u shpreh se tashmë nuk janë të mbyllur më me viza por me projektligjin e qeverisë Rama. “Unë kam pasur ëndërr që pasi të mbaroja studimet këtu dhe të specializohesha jashtë, më pas të kthehesha prape këtu, por edhe këtë mundësi po na e hiqni”, cilësoi ai.
Projektligji e detyron mjekun te specializohet në Shqipëri dhe shume shpejt nuk do te kemi më mjek të specializuar jashtë vendit, per nje profesion qe vjeterohet me ore dhe jo me dite! Pas disa vitesh nuk do të kemi më mjek të specializuar jashtë.
Për projektligjin do të duhej të ishin shprehur të gjithë personalitetet mjekë që janë sot pedagogë të Universitetit të Mjekësisë të Tiranës, por kjo nuk ndodhi dhe është shembull i qartë i politizimit të skajshëm të arsimit tonë të lartë publik dhe i frikës që këta pedagogë kanë, po të shprehen lirisht.
Në anën tjetër, qeveria shpërfill diskutimet për projektligjin në komisionet e Kuvendit dhe vjen me nivele të dyta dhe të treta të përfaqësimit, madje nuk pranon as t‘u përgjigjet pyetjeve. Urdhri i mjekut është strukur, ndërkohë që studentet e mjekësisë do të jenë shumë shpejt profesionistë të Urdhrit, të cilët, me ligj, duhet t‘i përfaqësojë ky urdhër.
Përballë argumenteve që sollën studentët, përfaqësuesit e qeverisë u treguan refraktarë, populistë dhe nuk ofruan argumenta logjikë. Nuk është e ndershme dhe profesionale, që qeveria të shkarkojë të gjithë problematikën e mungesës së mjekëve, në fraza si gjoja “patriotizëm i pamjaftueshëm” apo “atdhedashuri e pamjaftueshme” e studentëve të mjekësisë.
Si mund të prezantosh për argument faktin që studimet në mjekësi janë të shtrenjta dhe studentët janë borxhli ndaj shtetit?! Mos vallë prindërit e tyre nuk paguajnë taksa, njëlloj si prindërit e studentëve që studiojnë shkencat teknike, të cilat kanë edhe ato kosto shumë të përafërt?!
Projektligji duket qartë se ka ardhur nxitimthi, gjë tipike për nismat ligjore të sektit Rama në qeverisje. Ai nuk është konsultuar mjaftueshëm, jo vetëm me grupet e interesit, por as edhe me stafin akademik të Universitetit Mjekësor të Tiranës, për të mos folur për mjekë, personalitete që e njohin mirë sistemin shëndetësor të vendit tonë.
Dua të sjell rastin e mjekut të shquar shqiptar Kita Sallabanda, i cili punon si neurokirurg në Spanjë dhe ofroi pardje publikisht, në një intervistë televizive, tre rrugët që ai mendon, për të motivuar mjekët të qëndrojnë në Shqipëri.
Së pari, përmes një politike shëndetësore, ku një pjesë e mirë e të drejtave të studimit për mjekësi të jepen nga studentët që vijnë nga zona të thella të vendit. Së dyti, qeveria të krijojë kushte për mjekët që punojnë nëpër rrethe dhe në fshatra, duke u dhënë shtëpi, duke krijuar atë që quhet shtëpi e mjekut. Mjekët të banojnë në shtëpitë e shtetit dhe kur mbarojnë ciklin e tyre të punës, kthehen. Se treti, qeveria të pajisë çdo qendër shëndetësore, kudo ku ajo ndodhet, me elementët e domosdoshëm që mjekët të punojnë.
II. Projektligji: gjobë e pafytyrë dhe mase enveriste
Projektligji nuk jep asnjë zgjidhje, për të mos folur për zgjidhje të qëndrueshme, të sigurimit të numrit të nevojshëm të mjekëve dhe të shpërndarjes së tyre në të gjithë territorin. Ai nuk adreson problemin themelor që kemi me ofrimin e shërbimeve mjekësore në vend.
Duke qene cenues ne raport me Kushtetutën, projektligji mund të shfuqizohet menjëherë nga një mazhorancë tjetër qeverisëse.
Numri i pamjaftueshëm i mjekëve është pasojë e politikëbërjes se gabuar te sektit Rama në mjekësinë tonë publike, dhe jo faj i studentëve të mjekësisë, të cilët gjoja paskan prirje të emigrojnë në masë. Sikurse vetë studentët e thanë me forcë në komisionet e Kuvendit, asnjë prej tyre nuk dëshiron të lërë vendin, nëse do të kenë mundësi të specializohen jashtë dhe të kthehen të ushtrojnë me dinjitet profesionin.
Nuk mund të shkarkojmë problemet e mbartura të mjekësisë sonë publike në këto dhjetë vite keq-qeverisje, vetëm në kurriz të studentëve dhe mjekëve të rinj të 3-4 viteve të ardhshme!
Qeveria nuk ka pse t’ua mbyllë vendin e tyre studentëve të mjekësisë me ligj, si të ishim në kohën e diktatorit Enver Hoxha! Profesioni i mjekut vijon të jetë tejet i kërkuar edhe në vendin tonë dhe profesionistët me nivel të mirë shkencor mund të ndërtojnë shumë mirë jetën e tyre në Shqipëri. Mbajtja e mjekëve në atdhe kërkon reforme tërësore, zgjidhje racionale dhe të qëndrueshme, dhe jo gjoba prej 5 mijë e treqind euro në vit, për të paguar studimet e mjekësisë, nëse largohesh. Shifër kjo, që, për më teper, nuk kuptohet se nga cila analizë profesionale e kostove të arsimimit mjekësor tek ne ka dalë.
Është e sigurt se tregu ndërkombëtar për mjekët do të rritet në vitet dhe dekadat që do të vijnë dhe do të jetë gjithnjë e më atraktiv për mjekët e rinj të vendeve që nuk afrojnë kushtet e duhura të ushtrimit të profesionit, përfshirë edhe vendin tonë. Por kjo perspektivë nuk mund të përballohet me ligje-gjoba dhe masa mbylljeje të stilit enverist.
III. Në vend të një ligji-gjobë, reformë tërësore në mjekësinë publike
Relacioni i këtij projektligji nuk trajton dhe injoron çdo mundësi zgjidhjeje të problemit të mungesës së mjekëve, në kuadër të studimeve specializuese afatgjata. Lind pyetja: a mund të ndërmerret tek ne një reformë e këtyre studimeve? A mundet që viti i parë i specializimit të realizohet si mjek i përgjithshëm i shërbimit parësor dhe në spitalet rajonale dhe të rretheve, nën drejtimin e një profesori të Universitetit të Mjekësisë së Tiranës dhe të shefit të shërbimit të spitalit rajonal, me një shkallë të kërkuar kualifikimi?
Sigurisht që po! Ky model ekziston edhe në vende të tjera, madje dhe në vende të rajonit tonë, ku specializimi nuk realizohet gjithë kohës pranë klinikës universitare.
Relacioni i projektligjit thotë që mungesat në mjekë hasen në spitalet rajonale të qarqeve dhe të rretheve, si dhe në shërbimin parësor të qendrave shëndetësore në njësitë administrative të vendit. Ky problem zgjidhet pa qenë fare nevoja për këtë ligj!
Ai merr zgjidhje të qëndrueshme, me disa hapa të reformës tërësore në mjekësi. Së pari, me ndryshimin e kurrikulës së studimeve universitare dhe të specializimeve. Studentët në vitin e 6-të të universitetit, të punojnë si stazhierë (intership) në rrethe dhe, pas diplomimit, të bëjnë vitin e parë të specializimit si mjek të përgjithshëm po në rrethe.
Së dyti, duke rritur statusin e shërbimeve të specializuara në spitalet e rretheve, duke emëruar mjekë me kualifikim të lartë në krye të shërbimeve, që të gëzojnë edhe statusin e pedagogut në Universitetin Mjekësor të Tiranës.
Së treti, duke realizuar fuqizimin dhe modernizimin e shërbimeve në spitalet rajonale dhe në qendrat shëndetësore në njësitë administrative të vendit, përmes Vendimeve të Këshillit të Ministrave.
Së katërti, qeveria të përgatisë dhe lançojë një program Brain Gain, duke u përqëndruar në tërheqjen në Shqipëri të mjekëve shqiptarë të kualifikuar, që dëshirojnë të kthehen dhe të drejtojnë shërbimet e specializuara në spitalet rajonale, duke qenë njëherazi edhe pedagogë të Universitetit Mjekësor të Tiranës dhe duke u mundësuar paga konkurruese. Një program i tillë është tërësisht i mundur edhe nga ana buxhetore.
Kaq e thjeshtë është, por ju nuk doni të kërkoni zgjidhje racionale, afatgjata dhe të qëndrueshme. Duke pare këtë absurditet dhe aventurizëm tuajin, të lind natyrshëm pyetja: me rritjen e tarifave tek Universiteti Mjekësor i Tiranës përmes këtij ligji, që do të sjellë edhe rritjen e menjëhershme të tarifave në universitet jo-publike që kanë degë të shëndetësisë, mos po kërkoni të realizoni pozicionin kartel edhe në shërbimet mjekësore në arsimin tonë të lartë?! Nuk ju mjaftojnë kartelet në ekonomi?
xxx
Nëse do të bëhej një reformim si më sipër, atëherë çdo mjek specializant do të bënte vitin e parë të specializimit në spitalet rajonale. Kjo nuk e cënon aspak nivelin e specializimit. Përkundrazi, e rrit atë, sepse mjekët e rinj do të kishin mundësi të fitonin një përvojë praktike shumë më të mirë, përpara se të thelloheshin në një specializim të ngushtë, edhe jashtë vendit.
Reforma e studimeve të specializimit duhet të zhvillohet paralelisht me atë të shërbimeve të specializuara të spitaleve rajonale. Gjykoj se kjo qasje është shumë më realiste, për sigurimin e numrit të mjekëve në rrethe. Ajo, sigurisht, kërkon jo këtë ligj-gjobë, por garantimin që:. Çdo mjek i ri të ketë mundësi reale për t’u specializuar

  1. Të gjithë mjekët e rinj të specializohen me vend pune si mjek i licencuar i përgjithshëm dhe te paguhen me pagë të plotë, madje të rritur
  2. Të kryhet reforma e kurrikulës së specializimeve në mjekësi, në të cilën viti i parë është shërbim parësor nën udhëheqjen e shefit të Shërbimit të Spitalit Rajonal dhe një pedagogu me kualifikimin e nevojshëm akademik të UMT;
  3. Të realizohet reforma e studimeve universitare në mjekësi, për të shkuar tek modeli i shumë vendeve, sipas të cilit viti 6-të është vetëm stazh profesional, i cili kryhet nën udhëheqjen e një pedagogu të fakultetit dhe shefit të shërbimit të spitalit rajonal.
    Gjykoj se ka akoma kohë që te sprapseni dhe qeveria të mendojë për një zgjidhje më racionale dhe më të qëndrueshme, e cila e bën të panevojshëm këtë ligj absurd, aventurier, të përkohshëm dhe jo realist.

Botuar në Syri.net më 21.07.2023