Sekti Rama ndërsen oligarkët në zonat e mbrojtura natyrore dhe arkeologjike të vendit

Të enjten më 22 shkurt, shumica qeverisëse në Kuvend, në rolin e saj të rëndomtë të noteres për kapriçot dhe dëshirat-ligje të Sektit Rama, miratoi në seancë plenare ligjin e ri për Zonat e Mbrojtura, megjithë kundërshtimet e forta të organizatave mjedisore dhe të gjithë shoqërisë civile të përgjegjshme të vendit, si dhe rezervat e shprehura nga Bashkimi Evropian. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë kërkoi me forcë për këtë ligj transparencë, parashikueshmëri dhe konsultim me palët e interesuara, duke deklaruar se “Në kuadrin e negociatave të anëtarësimit, miratimi i ligjeve mbi çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së, presupozon konsultim publik të mirëfilltë dhe gjithëpërfshirës, si dhe një proces të parashikueshëm dhe transparent”. Në të kundërt, brenda javës së kaluar, sekti Rama, urdhëroi noterin e vet të rëndomtë, Kuvendin, të miratojë me shpejtësi në komisionet e veta dhe pastaj, në seancë plenare projektligjin më 22 shkurt. Në fillim, për të fshehur kokën dhe dorën e vet, sekti e paraqiti si projektligj, gjoja të propozuar nga dymbëdhjetë deputetë të shumicës, por, kur erdhën reagimet dhe sugjerimet e para bllokuese të nismës ligjore nga shoqatat mjedisore, e flaku tej maskën si nismë deputetësh, dhe me një ndryshim në projektligj, në formë “dhënie mendimi” nga Ministria e Mjedisit, i shkeli dhunshëm në Kuvend të treja këto kërkesa themelore të Bashkimit Evropian, për proceset ligjore që kanë të bëjnë me çështje që mbulohen nga legjislacioni i BE-së. Rama dhe deputetët e tij në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, praktikisht u tallën me Kryetarin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, i cili, me synimin që interesat e Shqipërisë dhe të BE-së për mjedisin në Shqipëri të mbroheshin, zhvilloi më 2 shkurt 2024 një vizitë në Komisionin për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, ku pas takimit me kryetarin dhe nënkryetarin e Komisionit, u shpreh se “U kërkova atyre të garantojnë që çdo ndryshim në kuadrin ligjor ekzistues për zonat e mbrojtura t’i nënshtrohet një konsultimi të plotë, të bazuar në fakte dhe gjithëpërfshirëse me të gjithë aktorët”. Në fakt, ndryshimet përfundimtare në ligjin e mëparshëm të vitit 2017 u bënë në një mbledhje online të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese dhe Mjedisin, me votat vetëm të shumicës, pa debat dhe dëgjesa të organizatave mjedisore. Këto organizata nuk u lejuan të ishin të pranishme, edhe kur projektligji u miratua në Komisionin për Çështjet e Integrimit, në një kohë kur organizatat mjedisore kishin treguar në detaje shkeljet dhe kundërshtitë që kishin ndryshimet e propozuara në ligj, me direktivat e Komisionit Evropian në fushën e mjedisit! Ndryshimet në ligjin e 2017-ës përfshijnë dhënien nën administrim të bashkive të 20 përqind të territorit të zonave të mbrojtura, si dhe lejimin e investimeve dhe aktivitetit industrial në këto zona, duke ulur ndjeshëm dhe praktikisht zeruar, nivelin e mbrojtjes së tyre. Projektligji gjoja u erdhi ndër mend të dymbëdhjetë deputetëve të Partisë Socialiste, nga një letër e disa kryebashkiakëve të Partisë Socialiste, që i paskan kërkuar Kuvendit që ligji t’u jepte atyre mundësi të merrnin pjesë në administrimin e zonave të mbrojtura në territoret e bashkive të tyre. Në të vërtetë, sektit Rama në qeverisje dhe vetë Ramës ia kërkuan me ngulm oligarkët e vet, që të kishin duart e lira në ndërhyrjen dhe investimet në zonat e mbrojtura. Dhe Rama, duke nuhatur fitim të majmë, vuri në lëvizje në kohë rekord noterin e vet të rëndomtë, shumicën në Kuvend. Oligarkët e Ramës nuk janë nginjur akoma me të gjitha tokat e grabitura në jug dhe në bregdet, por tani i kërkuan dhe ia arritën të grabisin edhe zonat e mbrojtura me ligj. Madje, edhe pa miratuar këtë ligj, janë me dhjetra vilat e ngritura në mënyrë të paligjshme nga këta oligarkë, në zonën e mbrojtur arkeologjike të Butrintit, duke dëmtuar një mur të vjetër 1,700 vjeçar! Tani, deputetet e Ramës po i quajnë këto grabitje “vila dhe ndërtime ekologjike”. Në të vërtetë, sekti Rama, me këtë ligj të miratuar më 23 shkurt, po ligjëron krimin ekologjik mbi zonat e mbrojtura natyrore dhe arkeologjike të Shqipërisë.

Botuar në Gazeta Sot më 26.02.2024

Postimet e lidhura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *