Integrimi i vendit ka ngelur në cektinë!

Një shtet që aspiron anëtarësimin e shpejte në BE, duhet të përmbushë ne kohe dhe plotesisht kërkesat e Shteteve Anëtare të BE-së, si dhe të ndërmarrë reforma konkrete për ndërtimin e shtetit ligjor.

Vlerësoj Raportin Vjetor 2023 të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian, në nivel të takimeve periodike dhe ndërgjegjësuese që ka organizuar gjatë vitit të kaluar, të informacionit që ka dhënë dhe përpjekjeve për të ndihmuar zbatimin e detyrimeve të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Ndërkohë, e gjykoj shumë problematik rrugëtimin e Shqipërisë drejt BE-së, edhe përgjatë vitit 2023 dhe në muajt e parë të këtij viti, për një sërë dështimesh serioze dhe të rënda, si më poshtë:

I. Kemi dështuar në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe reale për qytetarët

Mungesa e shtetit ligjor përbën burimin që ushqen disa prej plagëve kryesore, prej të cilave tashmë po vuan, për më shumë se një dekadë, demokracia jonë e brishtë dhe shoqëria shqiptare, si (i) emigrimi masiv, që po sjell boshatisjen e vendit; (ii) kapja e shtetit nga grupe të caktuara të biznesit, e denoncuar nga Transparency International, DASH, etj.; (iii) demonizimi dhe konsiderimi i opozitës si armike; (iv) goditja selektive ndaj mediave, (v) indiferenca dhe mungesë e theksuar e mbrojtjes së shtresave të varfëra të popullsisë, etj. Po i shtjelloj më poshtë këto plage dhe arësye themelore, pse integrimi i vendit ka ngelur në cektinë:

(i) Braktisja e frikshme e vendit. Mungesa e një demokracie funksionale dhe reale për qytetarët është arësyeja kryesore e largimit të tyre masiv nga vendi. Në vitet e sektit Rama në pushtet, jo vetëm u larguan të rinjtë, por edhe profesionistët dhe sipërmarrësit. Sipas të dhënave nga EUROSTAT dhe nga Ministria e Emigracionit e Britanisë së Madhe, janë mbi 750 mijë shqiptarë të Shqipërisë, që kanë emigruar në 10 vitet e fundit në vendet e Bashkimit Evropian dhe në Britaninë e Madhe. Sekti Rama dhe vetë i ashtuquajturi Lider Global, shkaktarë themelorë të boshatisjes së vendit, po ushtrojnë një presion politik të paprecedent mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisjes masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj. INSTAT ka përfunduar censin e popullsisë në tetor 2023 dhe, me urdhër nga Rama, do të deklarojë të dhënat e popullsisë në qershor 2024, nëntë muaj më vonë, në një vonesë të paprecedent për cilindo cens që organizohet në botë.

(ii) Kapja e shtetit nga grupe të caktuara të biznesit (më saktë, oligarkë pranë Ramës), e denoncuar nga Transparency International, DASH, etj. Sipas Transparency International dhe Departamentit Amerikan të Shtetit, që e ka cituar në raportet e tij, Shqipëria ve­çon në rajon, në ligje të përgatitura mbi bazën eskluzive të interesave të një lobi biznesi, madje edhe të një biznesi apo oligarku të caktuar. Mjafton të përmendim Ligjin për Teatrin Kombëtar, masakrën e tokave sipas Ligjit 2020, abuzimet masive me Ligjin e Investimeve Strategjike, të shtyrë për herë të pestë si afat deri në 31 dhjetor 2024, si dhe ndryshimet e marsit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura, që i hapin rrugë abuzimeve të oligarkëve të Ramës me ndërtime edhe në këto zona.

(iii) Demonizimi dhe konsiderimi i opozitës si armike. Fjalori denigrues, sulmet verbale, izolimi në Kuvend dhe tentativat për blerje të përfaqësuesve të opozitës janë kthyer në dukuri të përhershme e të zakonshme të sektit në qeverisje, të motivuar dhe duke dhënë shembullin personal në këto sulme, nga vetë i ashtuquajturi Lider Global, Rama.

(iv) Goditja selektive ndaj mediave. Për sektin Rama në qeverisje, nuk mjaftojnë vetëm insinuatat dhe sulmet verbale të mediave pranë qeverisë ndaj shtypit dhe portaleve të lira. Sa herë mediat e pavarura të vendit sulmojnë dhe denoncojnë aferat qeveritare, nga organet tatimore dhe doganore nisin kontrollet selektive dhe gjobat ndaj vetë mediave dhe ndaj kompanive që i financojnë këto media.

(v) Indiferenca dhe mungesa e theksuar e mbrojtjes së shtresave të varfëra të popullsise. Megjithë propogandën e shfrenuar për gjoja fytyrën humane dhe sociale të buxhetit të shtetit, të përgatitur nga sekti në qeverisje, megjithë qindra milionë euro të ardhura sufiçit në Buxhetin e Shtetit për vitin 2023, qeveria vetëm i rimbursoi pensionet në vitet shumë të vështira 2022-2023, duke mos kryer asnjë rritje reale të tyre për të 717 mijë pensionistët e vendit.

Në stadin aktual të zhvillimit të demokracisë shqiptare, mungesa e shtetit ligjor është kthyer në pengesen më madhore, me të cilën përballet shoqëria jone, në rrugën që rrezikon të zgjatet pambarimisht, drejt përmbushjes së standardeve për integrimin europian.

II. Kemi dështuar të garantojmë pavarësinë e institucioneve të pavarura

Edhe gjatë vitit 2023, rastet e zhvlerësimit kostant, nëpërkëmbjes dhe keqpërdorimit të institucioneve te pavarura te vendit kane qene te shumta. Rasti ndër më flagrantët ishte ai i shpërdorimit të Institutit Kombëtar të Statistikave, duke e urdhëruar të vonojë me nëntë muaj publikimin e rezultateve të Censit 2023, që do të vërtetonin braktisjen masive të vendit. Shqiptarët kanë votuar “me këmbët!”, duke ikur me dhjetra e qindra mijëra çdo vit nga atdheu i tyre, për shkak të bllokimit të nismës së lirë dhe asfiskimit të mendimit opozitar, të prodhuar nga sekti Rama në pushtet.

III. Kemi dështuar të garantojmë krijimin e një tregu konkurrues dhe realizimin e politikave të duhura fiskale për sipërmarrjen vendase dhe të huaj

Më 14 shkurt 2023, ECOFIN, Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare, i perbere nga ministrat e Financave dhe Ekonomisë së Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian(strukture pergjegjese për politikën e BE-së në tre fusha : politika ekonomike, politika të taksave dhe rregullimi i shërbimeve financiare), e futi Shqipërinë në listën e vendeve, legjislacionet e të cilave nuk janë bashkëpunuese për politikat fiskale, duke e mbajtur në monitorim të rreptë për çështjet fiskale.

Kjo është shumë keq për imazhin e financave tona publike. Ndryshimet e shpeshta në legjislacionin tatimor, sidomos dy sprovat për amnistinë fiskale, të dyshuara për favorizime grupesh të caktuara biznesi dhe krijim pabarazie të theksuar tatimore, po na vonojnë dukshëm në rrugën e integrimit.

Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, në një material të përgatitur nga eksperte të tij, posaçërisht për projektligjin qeveritar mbi faljen fiskale dhe penale, thekson, ndër të tjera, se (i) objekti i amnistisë shkon përtej asaj të legjislacionit të ngjashëm të zbatuar në vende të tjera; (ii) projektligji rrezikon të sigurojë mosndëshkim të panevojshëm për subjektet që posedojnë pasuri të paligjshme; (iii) ekziston rreziku që projektligji të krijojë një “dritare mundësie” për evazionin fiskal dhe pastrimin e parave të pista dhe se(iv) draftit i mungon një vlerësim i nevojshëm i aseteve të pritshme që do të formalizohen dhe të ardhurat e pritshme që do të gjenerohen.

IV. Kemi dështuar me turp në përthithjen e plotë të fondeve IPARD II, duke shkaktuar pezullimin e tyre dhe duke vënë në pikëpyetje akordimin për Shqipërinë të fondeve të IPARD III!

Në korrik 2023, Komisioni Europian vendosi të pezullojë për një kohë të pacaktuar grantet për bujqësinë shqiptare dhe zhvillimin rural të vendit, të cilat po akordoheshin në zbatim të programit IPARD II.

Kur kanë kaluar nëntë muaj nga ky pezullim dhe nuk ka asgjë konkrete për rifillimin e financimeve, mos-akordimi i fondeve grant të BE-së për bujqësinë dhe zhvillimin tonë rural përbën një lajm të keq kombëtar, sidomos për fermerët dhe përpunuesit që kanë patur plane investimi dhe një pjesë e mire e tyre i kanë filluar investimet, në pritje të akordimit të fondeve, duke rrezikuar tashmë seriozisht realizimin e tyre.

Nga ana tjetër, pezullimi i fondeve të IPARD II ndikon ndjeshëm në imazhin e përpjekjeve tona për integrim. Për fat të keq, për këtë problem të mprehtë nuk gjeta as edhe një frazë të vetme konsiderimi në Raportin Vjetor 2023 të KKIE.

Në rast se autoritetet tona, në rradhë të parë AZHBR, do të gjenden në shkelje, atëhere qeveria shqiptare, bazuar në një nen të veçantë të MSA-së, detyrohet të rikthejë të gjithë fondin e disbursuar deri tani nga IPARD II, që është në nivelin 51 milionë euro, ndërsa subjektet e identifikuara kalojnë në proces hetimor.

Që prej marsit të vitit 2023, Bashkimi Evropian ka miratuar edhe programin IPARD III, me një vlerë prej 146 milionë eurosh. Ende nuk është hedhur asnjë hap i mëtejshëm, për vënien e tij në jetë. Autoriteteve tona nuk iu është dhënë ende riakreditimi dhe, për pasojë, nuk mund të hapet as thirrja e parë e IPARD III në Shqipëri.

Në vend të heshtjes totale fajtore të qeverisë së sektit Rama, kjo gjendje ka nevojë për reflektim dhe për adresim me përparësi kombëtare të kësaj çështjeje, duke përcjellë në Bruksel gadishmërinë e plotë të shtetit shqiptar, për të ndihmuar në zbardhjen e dyshimeve të ngritura nga OLAF, Zyra Antikorrupsion e Bashkimit Europian, në lidhje me praninë e disa projekteve fantazmë, të financuara nga AZHBR, edhe me paratë e taksapaguesve të BE-së.

Ndërkohë, projektet e Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) janë konceptuar nga Bashkimi Evropian si një instrument orientues, lehtësues e mbështetës drejt anëtarësimit në BE. Dua të theksoj, në vëmendje të agjencive tona zbatuese të projekteve IPA, disa probleme dhe mangësi të mprehta të vërejtura në zbatimin e programeve IPA, mbi bazën e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit(3 E-ve), nga ana e palës sonë.

Këto mangësi kanë sjellë situatën, ku renditemi shumë ulët në shkallën e gjenerimit të ideve për projektet IPA nga vendi përfitues(sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2023, si dhe në shkallën e përthithjes së projekteve IPA, mes vendeve në Ballkanin Perendimor, sidomos në krahasim me vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.

Ndonëse në Shqipëri projektet IPA po zbatohen prej më shumë se 12 vitesh, në shuma të konsiderueshme financiare, në nivele qindra milionë euro, efektiviteti i shumë prej këtyre projekteve lë për të dëshëruar dhe progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE, përmes realizimit të këtyre projekteve, vijon të jetë i dobët.

Dobësitë dhe mangësitë kryesore konsistojnë në (i) një bashkëpunim institucional i pakët dhe mungesë e theksuar e kapaciteteve të duhura absorbuese, (ii) shtyrje të gjata të afateve të disbursimeve dhe mbikqyrje e dobët e kontratave të punimeve dhe e shërbimeve të konsulencës dhe ne (iii) asnjë nxjerrje përgjegjësie ndaj njësive zbatuese të projekteve, për mungesë penalitetesh ndaj kontraktorëve që nuk kanë plotësuar detyrimet kontraktuale.
xxx
Adresimi i duhur dhe sa më parë i këtyre problematikave, do të sillte një rritje të efektivitetit të procesit te integrimit te plote te vendit ne Bashkimin Evropian.


Botuar në Gazeta Sot më 13.04.2024

Postimet e lidhura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *