Mirënjohje për TIKA-n!

Popullin turk dhe popullin shqiptar i lidh një miqësi tradicionale dhe lidhje historike, shpirtërore e kulturore që shtrihen ndër shekuj. Mbi të gjitha, shqiptarët ushqejnë për babain e kombit turk, Mustafa Qemal Ataturkun, një personalitet i përmasave botërore, një dashuri dhe admirim të madh. Janë me dhjetra titujt e librave në shqip kushtuar Ataturkut, si dhe ka shumë aktivitete të zhvilluara në Shqipëri, për njohjen e kontributit të tij të jashtëzakonshëm në themelimin dhe zhvillimin e Turqisë moderne. Mbi këtë bazë, përshëndes projektligjin “Për Ratifikimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit për Zhvillim, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Shqipërisë dhe Qeverisë së Turqisë dhe caktimin e statusit juridik dhe administrativ të zyrës në Shqipëri të Agjencisë Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA)”, si një veprim që do të shtojë bashkëpunimin ekonomik, arsimor, social e kulturor mes Shqipërisë dhe TurqisëMbi 600 projekte të TIKA-s në Shqipëri

Populli shqiptar dhe institucionet e Shtetit të Shqipërisë do t’i jenë thellësisht mirënjohëse popullit dhe Shtetit turk, për ndihmën e pakursyer në përballimin e periudhës së vështirë pas shembjes së komunizmit në Shqipëri në vitin 1991, apo pas trazirave të vitit 1997. Ndihma turke për Shqipërinë ka qenë konstante dhe një shprehje e përqëndruar e saj është pikërisht aktiviteti 28 vjeçar i TIKA-s tek ne, me mbi 600 projekte të realizuara deri tani. TIKA është një nga donatorët kryesorë në vendin tonë, që ka ndikuar në përmirësimin e jetës së qytetarëve shqiptarë, në tre dekadat e fundit. Projektet zhvillimore të TIKA-s kanë pasur për qëllim transformimin dhe zhvillimin social-ekonomik të vendit, rindërtimin e infrastrukturës institucionale, përmirësimin e kapaciteteve administrative, forcimin e sektorëve të prodhimit dhe rritjen e kapaciteteve të punësimit, zhvillimin e sektorëve të shëndetësisë dhe arsimit, mbrojtjen e trashëgimisë së përbashkët historike dhe kulturore dhe ringjalljen e turizmit.

Projektet e TIKA-s nuk njohin limit, në të gjitha fushat e ekonomisë dhe shoqërisë

Me fondet e TIKA-s janë rehabilituar ujësjellës, kopshte e shkolla, janë ndërtuar spitale, duke u pajisur me aparatura moderne, janë trajnuar mjekë, por edhe punon­jës të policisë, janë ndihmuar familje në nevojë dhe fëmijë jetimë, blegtorë, bujq dhe bletërritës në zona të largëta të vendit. Sektorët ku TIKA jep kontribut janë kryesisht shëndetë­sia, arsimi dhe turizmi, por agjencia mbështet dhe mbrojtjen e mjedisit, pyjeve, zhvillimin e T.I., kulturës, sportit, medias, bujqësisë, si dhe projekte në ndihmë të personave invalidë, apo me aftësi të kufizuara fizike. Projektet e TIKA-s nuk njohin limit. TIKA, projektet dhe aktivitetet e së cilës kanë vazhduar të rriten me kohen, ka zbatuar 52 projekte në sektorin e shëndetësisë, nga rinovimi i spitaleve dhe qendrave shëndetësore, e deri te krijimi i laboratorëve të analizave mjekësore dhe ofrimi i mbështetjes kompjuterike, si dhe 302 projekte në fushën e bashkëpunimit social dhe kulturor dhe zhvillimit të infrastrukturës administrative dhe civile. Me rëndësinë që i ka dhënë fushës së arsimit në Shqipëri, agjencia turke kryen projekte për ndërtimin e shkollave, rinovimin e gjerë të çerdheve, shkollave dhe konvikteve ekzistuese, si dhe ofrimin e pajisjeve, duke përfshirë infrastrukturën teknike dhe mobilimin e institucioneve arsimore. Në këtë kuadër, deri tani, në të gjithë vendin janë realizuar 131 projekte në fushën e arsimit. Projekti i 131-të, i realizuar këtë vit, kishte të bënte me ngritjen dhe kompletimin me pajisje dhe materiale laboratorike të laboratorëve të kimisë dhe biologjisë në Gjimnazin “Sami Frashëri” në Tiranë. Këto laboratorë të rinj janë standardi më i lartë i laboratorëve në strukturat e arsimit në Shqipëri, një model që TIKA zotohet ta aplikojë edhe në struktura të tjera arsimore. Agjencia Turke për Bashkëpunim dhe Koordinim (TIKA) vazhdon mbështetjen për familjet në nevojë në Shqipëri, ku në projektin e vitit të kaluar, ka shpërndarë motokultivatorë për 33 familje të fëmijëve jetimë në Lushnjë. Gjatë këtij viti, nga projekti i TIKA-s po ndihmohen 50 familje në nevojë, me farëra fasule, misri, jonxhe dhe pleh kimik, në qarqet Tiranë, Fier dhe Durrës. Në këto afro tre dekada bashkëpunimi, ndër projektet më të mëdha sociale të TIKA përmend Qendrën e Dializës për Fëmijë, e vetmja në Shqipëri dhe Bankën e Gjakut në Vlorë. Për mua, gjatë kohës kur shërbeja me detyrën e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mori një vlerë të veçantë projekti i realizuar nga TIKA, për mundësimin e trajnimit të dhjetra e dhjetra audituesve tanë pranë institucionit modern të Gjykatës së Llogarive të Turqisë, përgjatë dy viteve 2013-2014, duke sjellë rritjen e dukshme të kapaciteteve audituese të stafit, në një periudhë sfidash dhe ndryshimi të pandërprerë për institucionin.

TIKA zgjeron dukshëm ndihmën dhe projektet në Shqipëri

Vërej me kënaqësi që fushat e paracaktuara të bashkëpunimit në marrëveshjen e re janë zgjeruar, duke përfshirë sektorët e bujqësisë, peshkimit dhe pylltarisë, mbrojtjen e mjedisit, agroindustrinë dhe sigurinë ushqimore, ujin dhe higjienizimin, zhvillimin rural dhe nxitjen e industrive cilësore, të mirëbazuara, përfshirëse dhe të qëndrueshme, shëndetësinë, mbështetjen për uljen e varfërisë, ruajtjen dhe restaurimin e trashëgimisë kulturore, mbështetjen për grupet vulnerabël, arsimin, kërkimin shkencor dhe promovimin e inovacionit e të teknologjisë, turizmin, bashkëpunimin në fushën detare, si dhe zhvillimin e kapaciteteve institucionale e administrative, qendrore e vendore. Mbështetja teknike nga TIKA do të jepet në formën e transferimit të know-how, trajnimit të stafit, aktiviteteve konsultuese, sigurimit të pajisjeve, shërbimeve, teknologjive të reja, ndërsa asistenca financiare do të jepet në formën e granteve për mallra, materiale dhe pajisje të nevojshme për realizimin e projekteve apo shërbimeve të caktuara. Jam i sigurt se programet e zhvillimit, në kuadrin e kësaj ndihme bujare të popullit dhe qeverisë turke, do të kontribuojnë në zhvillimin konkret social dhe ekonomik të vendit. Lidhur me statusin e zyrës përfaqësuese të bashkëpunimit turk në Shqipëri, gjykoj se do të ishte mirë që TIKA-s, krahas përjashtimeve, privilegjeve dhe imuniteteve, që i njihen, bazuar në Konventën e Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961, lidhur me mjetet e transportit, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, llogaritë bankare, interesin dhe transferimin (remitancat), vizat dhe lejet e qëndrimit për zyrtarët dhe anëtarët e tjerë të familjes së stafit, të përfshiheshin dhe përjashtimi nga TVSH për mallrat dhe shërbimet që TIKA porosit të vijnë në Shqipëri, në realizimin e projekteve të saj këtu…

Botuar në Gazeta Sot më 07.06.2024

Postimet e lidhura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *