ERE dhe dështimet në energjitikë

Më duhet të konstatoj me keqardhje, se veprimtaria e Entit Rregullator të Energjisë (ERE) edhe për vitin 2023, reflekton një varësi të plotë nga vullneti i sektit në qeverisje, për të keqadministruar sektorin energjitik, duke abuzuar me prodhimin dhe shitblerjen e energjisë elektrike, në shkelje të hapur të Nenit 10 “Pavarësia e ERE-s” të ligjit Nr. 43/2015 “Për Energjinë Elektrike”. Arsyet kryesore pse votoj kundër Rezolutës së Kuvendit për veprimtarinë e ERE-s gjatë vitit 2023 janë:

ERE-bashkëfajtore në mosfunksionimin e ALPEX

Pas më shumë se 4 vitesh vonesë, bursa e energjisë elektrike ALPEX u hap më 11 prill të vitit 2023. Me aktivizimin e ALPEX, u shpresua do të ndryshonin marrëdhëniet ndërmjet operatorëve të tregut, duke shmangur marrëdhëniet dypalëshe të shitblerjes së energjise.

U shpresua që çdo kompani, shtetërore ose private, që vepron në tregun e energjisë elektrike, bazuar në licencën e marrë nga ERE, do ta shiste ose blinte energjinë nëpërmjet ALPEX, duke rritur konkurrencën mes kompanive dhe siguruar çmime të favorshme. Sidomos u prit, nga të gjithë veprimtarët, por edhe nga opinioni publik, që Korporata Elektroenergjitike Shqiptare(KESH) të ishte e para kompani, për të kryer transaksionet përmes bursës ALPEX. Kjo gjë nuk ndodhi dhe përbën një skandal të mirëfilltë. Që nga prilli 2023 e gjatë gjithë vitit, kemi patur shumë raste të mbiprodhimit të energjisë në Kaskadën e Drinit, për shkak të një viti hidrik të mirë, por KESH asnjëherë nuk ka shitur energji përmes ALPEX. Këtu ka një shkelje të pastër ligji, pasi, nëse transaksionet nuk kryen përmes bursës shqiptare ALPEX, çfarë kuptimi ka që u krijua kjo bursë?! KESH, nga transaksionet dypalëshe të shitblerjes së energjisë gjatë gjithë vitit të kaluar dhe këtyre gjashtë muajve të këtij viti, duke shmangur ALPEX, i ka shkaktuar Buxhetit të Shtetit një dëm në nivele dhjetra miliona euro, në sy dhe nën hundë të ERE-s. Nëse do të kishte kryer shitblerjet e tij përmes ALPEX, KESH do të kishte siguruar çmim më të lartë në shitje dhe çmim më të ulët në blerje. Prandaj dhe janë bursat. Justifikimi nga drejtuesit e KESH, se ne dalim në kontraktim direkt, sepse kemi frikë se në bursë nuk na i ble njeri energjinë, është absurd dhe i pabazë. Ose KESH duhet të mbajë përgjegjësi, ose bursa duhet të shkrihet. Në këtë situatë, ERE sheh dhe nuk vepron. Rri pa gojë, krejtësisht i përgjumur dhe i paralizuar si institucion, nga diktati i sektit Rama në qeverisje. KESH e ka shmangur për 14 muaj me radhë ALPEX, që nga krijimi i tij, sepse bursa ka funksion kryesor transparencën. Aty dalin qartë cilat janë kompanitë dhe çmimet e negociuara. Nuk devijon, nuk manipulon dot me çmimet, kur kryhen transaksionet përmes bursës.KESH i rri larg ALPEX, për t’i shpëtuar mekanizmave të monitorimit dhe transparencës së saj. ERE sërish sheh dhe hesht. Ka 14 muaj rresht që po e bën këtë! Qeveria mund të thotë se në ALPEX janë të listuara katër kompani private. Shumë mirë që janë listuar. Nëpërmjet kompanive private liberalizohet tregu, transaksionet janë më transparente dhe me çmim referencë, sa i përket bursave europiane. Kompanitë private do ta ndihmonin shumë bursën në funksionet e saj, por në momentin që KESH nuk e tregton energjinë që shet dhe blen nëpërmjet bursës, kompanitë private janë sa për numër. Sa i përket kompanive private, është e drejta e tyre të shesin jashtë ALPEX, kurse KESH e ka prioritet dhe detyrim të shesë brenda bursës. Drejtuesit e KESH duhet të mbajnë përgjegjësi për shmangjen 14 mujore të ALPEX. Përbën skandal të mirëfilltë! Nëse KESH do të vepronte përmes ALPEX, atëhere bursa shqiptare do të funksiononte. KESH do e blinte energjinë në ALPEX me çmime më të favorshme, ndryshe nga ajo që e gjen në bursën hungareze. 4.4 milionë euro investim të Buxhetit të Shtetit në ALPEX nuk po i shërbejnë asnjë ditë dhe për asgjë qytetarëve shqiptarë, përderisa KESH e ka braktisur ALPEX. Vërtet abuzimet dhe korrupsioni në KESH dhe OSHEE nuk është përgjegjësi e drejtpërdrejtë e ERE-s, por mungesa e kurajos profesionale dhe civile për të denoncuar rastet e panumurta të abuzimit dhe korrupsionit të këtyre dy institucioneve, e ngarkon edhe ERE-n me përgjegjësi jo të pakët. ERE duhet të japë kontributin e saj, deri tani tërësisht të munguar, si dhe të luajë një rol proaktiv, për të sjelle më në fund KESH në ALPEX , si dhe të punojë fort për realizimin e bashkimit të tregjeve të energjisë së një dite më parë, bashkim i cili ka ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e efiçiencës së impianteve të prodhimit të energjisë se rinovueshme të Shqipërisë, në tregun rajonal dhe me gjerë.

Dështim i turpshëm njëmbëdhjetëvjeçar i politikave dhe reformave në sektorin e energjisë

Qeveria e sektit Rama premtoi me pompozitet që në shtator 2013 kryerjen e reformave të thella në energjitikë, si (i)diversifikimin e prodhimit të energjisë, (ii) pakësimin e ndjeshëm në nivel të mesatares evropiane, të humbjeve teknike dhe jo-teknike në rrjet, (iii)vendosjen e matësve inteligjentë dhe (iv) krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë Elektrike ALPEX në vitin 2019.

Deri më sot, asnjë nga këto objektiva nuk është arritur. Edhe ALPEX, i krijuar 14 muaj më parë nuk po funksionon. Nga ana tjetër, pabesia në ndjekjen me seriozitet të këtyre objektivave dhe abuzimet e korrupsioni ne prodhimin dhe tregtimin e energjisë elektrike shtetërore, kanë sjellë shkëputjen e financimeve me kredi të buta të Bankës Botërore për sektorin e energjitikës shqiptare. Largimi i interesit të këtij financuesi global ndaj një sektori jetik të ekonomisë shqiptare, si ai i prodhimit dhe tregtimit të energjisë elektrike, është një përgjegjësi e rëndë dhe e madhe e strukturave tona shtetërore dhe një pjesë të fajit e ka edhe ERE.

Bllokim i kërkesave të biznesit për ndërtimin e parqeve dhe mini-parqeve fotovoltaike deri në 4 megavat-orë

Biznesi shqiptar, në radhë të parë ai prodhues, ka mbi 7 vjet që i kërkon qeverisë të lejojë ndërtimin e parqeve dhe mini-parqeve fotovoltaike, të ligjëruar nga Ligj nr. 7/2017 “Për nxitjen e përdorimit të energjisë nga burimet e rinovueshme”, me kapacitet deri në 4 megavat-orë, sikurse e kanë bërë rëndom vendet rreth nesh dhe ato të Bashkimit Evropian. ERE, edhe pse i ka patur të plota argumentat teknike dhe ligjore për të mbështëtur këto kërkesa të biznesit prodhues shqiptar dhe të huaj në vend, ka preferuar të heshtë, kur qeveria e vuri tavanin e lejeve vetëm në nivelin 1 megavat-orë. Ky refuzim shtatëvjeçar, pa sens dhe kokëfortë i sektit në pushtet, për të mos lejuar rritjen e fortë të kapaciteteve tona prodhuese nga panelet diellore, jo vetëm që përbën krim ekonomik, pasi i privon biznesit prodhues të jetë i pavarur në sigurimin e energjisë që i duhet për proceset teknologjike të prodhimit, duke rrezikuar falimentimin e tij, por dëshmon interesin okult të sektit, për të mos prishur pazaret e blerjes së energjisë nga klientët e vet përtej kufirit, jashtë bursës ALPEX. ERE, duke ju referuar praktikave më të mira të vendeve fqinje, si Italia, Greqia, por edhe Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut, duhet të punojë fort dhe me përgjegjësi, për krijimin e lehtësirave konkrete në instalimin e paneleve fotovoltaike, nga bizneset prodhuese shqiptare.

Asnjë politikë fiskale në dobi të lehtësimit të faturës së energjisë për familjarët

Deri tani, ERE nuk ka bërë praktikisht asgjë, për të kërkuar adresimin e duhur nga OSHEE të ankesave dhe pretendimeve të konsumatorëve familjarë dhe bizneseve, kundrejt mbifaturimeve, keqfaturimeve apo faturimeve aforfe. Nuk ka asnjë investigim të hapur nga ERE, gjatë vitit 2023, për rastet flagrante të mosrespektimit të të drejtave të konsumatorëve nga ana e OSHEE.

ERE nuk ka ndjekur me përparësi dëmin ekonomik shkaktuar konsumatorit, nga tarifimi i gabuar nga ana e operatorit të shpërndarjes, apo nga ngarkimi me pa të drejtë me përgjegjësi të konsumatorit, kur konstatohen ndërhyrje apo dëmtime të matësve, të vendosur në ambiente të përbashkëta. Për lehtësimin e faturës së energjisë për familjarët, propozimi i opozitës është i qartë dhe ofron zgjidhje për mos-rëndimin më tej të situatës energjitike të qytetarit të thjeshtë.

ERE duhet t’i bashkohet këtij propozimi, që konsiston në kërkesën që qeveria të miratojë heqjen e përkohshme të TVSH-së nga çmimi fundor i energjisë elektrike për familjarët, duke u kursyer atyre menjëherë një të pestën e shpenzimeve për energjinë. Për fat të keq, ERE duket krejtësisht i paaftë për të fituar pavarësinë e tij nga diktati i sektit në qeverisje. Në këto kushte, Rezoluta e Kuvendit për të përmirësuar punën e ERE-s nuk ka asnjë peshë dhe shpresë, se më në fund ky institucion, do të jetë në gjendje të marrë vendime në mënyrë të pavarur.

Botuar në Gazeta Sot më 09.07.2024

Postimet e lidhura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *