Tallje dhe qëndrim jo njerëzor me dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit politikë
Sekti Rama në pushtet vijon të tallet me dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin me burg dhe internim. Ky dëmshpërblim po vazhdon të akordohet vit pas viti me fonde në vlera qesharake, në nivele 11 milionë euro në vit. Për kujtesë: në buxhetin e vitit 2013, qeveria e Prof. Dr. Sali Berishës dha 3 miliardë lekë për ish-të përndjekurit politikë, ose 28 milionë euro me këmbimin e sotëm, pra 2.5 herë më shumë. Në vitin 1991, Parlamenti i parë pluralist, me ligj të veçantë, iu dha pafajësinë të dënuarve politike. 33 vite nga marrja e pafajësisë, kalvari i ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë drejt rifitimit të plotë të të drejtave të tyre të mohuara dhe të shkelura, vazhdon dhe nuk duket se do të marrë fund shpejt.
Ligji për dëmshpërblimin financiar të ish-të përndjekurve politikë daton në vitin 2007 dhe parashikonte brenda 8 vitesh dëmshpërblimin e tyre të plotë. Kanë kaluar 17 vite nga ky ligj dhe ish-të përndjekurve politikë do t’u duhet të presin edhe 20-25 vite të tjera me këtë nivel fondi, që të arrijmë të ezaurojmë faturën e plotë financiare ndaj shtresës më të goditur dhe më të përvuajtur të shoqërisë sonë! Kjo është jo-njerëzore, tallje dhe shkelje e shtetit të së drejtës. Përpara 8 vitesh kam drejtuar një auditim në institucionet shtetërore përgjegjëse për realizimin e dëmshpërblimit financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe kam llogaritur se me ato ritme do të duheshin 32 vjet për t’i dëmshpërblyer ata plotësisht!
Fondi jepet qëllimisht kaq i ulët për këtë shtresë, pasi janë të gjitha mundësitë ekonomike të buxhetit të Shtetit, sidomos në këto vite sufiçitesh të ardhurash të tij, që ai të ishte dinjitoz dhe detyrimi ynë ligjor, moral dhe financiar ndaj ish-të përndjekurve politikë të mund të shlyhej brenda një periudhë vetëm 5 vjeçare. Në këto 3 vjet, kam përcjellë në Parlament kërkesën për amendamente ligjore për ndryshimin e Ligjit për dëmshpërblimin financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe të ligjit për menaxhimin e sistemit tonë buxhetor, për të krijuar mundësi që një pjesë e të ardhurave nga privatizimet të dedikoheshin për fondin e përvitshëm të dëmshpërblimit financiar të ish-të përndjekurve politikë.
Kërkesa ime ka rënë në veshët e shurdhër të kësaj maxhorance. Të njëjtën lojë të shëmtuar po bën sekti në pushtet edhe me ish-pronarët dhe të drejtat e tyre të ligjshme, duke ua vonuar dhe madje bllokuar procesin e kompensimit financiar dhe fizik të pronës së tyre të uzurpuar, si dhe duke e ulur fondin e parashikuar në buxhet për këtë qëllim.
Të gjitha familjet në nevojë, shtresat e margjinalizuara dhe personat me aftësi të kufizuar jetojnë sot poshtë kufirit të varfërisë!
Me projektligjin për vitin 2025, bëhen 11 vite rrjesht që qeveria nuk realizon asnjë mbrojtje efektive sociale, duke mos rritur pagesat mjerane të 64 mijë familjeve në asistencë sociale, si dhe të 161 mijë përfituesve të skemës së aftësisë së kufizuar, edhe pse Shqipëria i ka patur dhe vijon t’i ketë çmimet e shportës së konsumit jetik më të lartat në rajon. Për cilat procedura të ankesave për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore të shkelura të qytetarëve mund të flitet tek ne, kur skudi social në periudhën e pandemisë nga Covid 19 në Shqipëri ishte më i ulti si përqindje mbi PBB-në, nga të gjitha vendet e rajonit, kur pensioni mesatar është më i ulti në rajon dhe poshtë minimumit jetik, kur minimumi jetik zyrtar nuk përcaktohet, kur të drejtat e popullsisë rome dhe egjyptiane në Shqipëri nuk garantohen në zbatimin praktik të ligjeve tona?
Denoncimi më i fundit ndaj kësaj situate skandaloze vjen nga Kryetari i Shoqatës “Roma Active Albania”, për rrezikun e asimilimit të gjuhës rome. Komuniteti rom ka kërkuar prej kohësh ngritjen e një shkolle, apo kursi të veçantë në Fier, por edhe në Pogradec dhe Korçë, ku të mësojnë gjuhën amtare nxënësit e këtij komuniteti. Asnjë përgjigje deri tani nga strukturat indiferente të qeverisjes sonë vendore dhe qendrore.
Kokëfortësia dhe indiferenca vrastare e sektit në qeverisje për të mos miratuar për 11 vite rrjesht Minimumin Zyrtar Jetik të Republikës së Shqipërisë
Që nga tetori i vitit 2013 dhe deri në tani në nëntor të vitit 2024, janë 11 buxhete që sekti Rama në pushtet përgatit, pa mbajtur premtimin e vet zgjedhor të vitit 2013, për të miratuar në Kuvend, në formë ligji, Minimumin Jetik Zyrtar, të domosdoshëm për të trajtuar me dinjitet qytetarët në asistencë sociale dhe pensionistët, shtresat më në nevojë të shqiptarëve. Vetëm duke përcaktuar Minimumin Jetik Zyrtar, vendi ynë do të mund të zbatojë me seriozitet Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të qytetarëve. Minimumi Jetik Zyrtar vendos një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat e sigurimeve shoqërore, ato sociale dhe ekonomike te vendit, duke u ofroruar garancitë qytetarëve, në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të domosdoshme dhe dinjitoze të jetesës.
Mjafton të përmend që sot pensioni mesatar për pjesën më të madhe të 720 mijë pensionistëve të vendit është poshtë minimumit jetik të përcaktuar nga një studim profesional i Avokatit të Popullit. Janë mbi 240 mijë pensionistë, krahas 62 mijë familjeve që përfitojnë një ndihmë sociale qesharake, me vetëm 9 mijë lekë në muaj, që jetojnë nën kufirin e minimumit jetik. Është e pafalshme për një vend si Shqipëria, i cili ka filluar bisedimet teknike të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që të mos e përafrojë legjislacionin e vet në fushën e mbrojtjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve, me standardin e Minimumit Jetik të Bashkimit Evropian. Seicili Shtet Anëtar i BE-së e ka në ligj përcaktimin e Minimumit Jetik Zyrtar të vendit te tij. Përcaktimi i Minimumit Jetik Zyrtar është një detyrë kushtetuese! Minimumi jetik përfaqëson një normë ligjore, e cila buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve tanë. Mosshndërrimi i tij në ligj dëshmon indiferencën e plotë dhe vrastare të qeverisë së sotme ndaj mbrojtjes së të drejtave ekonomike esenciale të qytetarëve në nevoje dhe pensionistëve.
Pse mungon Ministria e Drejtësisë ndër zbatueset e këtij Protokolli Opsional?
Tek pika e VII-të e Relacionit për zbatimin e Projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju Jork, në datën 10.12.2008”, institucionet që ngarkohen për zbatimin e detyrimeve të aderimit janë institucionet përgjegjëse që bashkëpunojnë për të garantuar të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore, konkretisht: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Prokuroria e Përgjithshme dhe Avokatura e Shtetit. Si mund të lihet jashtë institucioneve zbatuese në Shqipëri të këtij Protokolli Opsional Ministria e Drejtësisë, e cila duhet të garantojë zbatimin ligjor të të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore të qytetarëve, sidomos atyre në nevojë dhe shtresave të margjinalizuara?
Kjo “harresë” dëshmon e vetme mungesën e përgjegjshmërisë të strukturave qeveritare në marrjen dhe zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare, duke mos u interesuar fare për dobine dhe mbrojtjen reale të interesave të qytetarëve të vet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut në Shqipëri është edhe marrëveshja për strehimin e emigrantëve të paligjshëm afrikanë, mes Edi Ramës dhe Kryeministres italiane Giorgia Meloni. Gjyqtarja e Gjykatës së Romës Silvia Albano, këto ditë ka vulosur me vendimin e saj dhe me dispozita ligjore, bllokimin e kësaj marrëveshjeje kulisash. Marrëveshja është një shkelje e pastër e të drejtave të emigrantëve dhe në thelb të saj, përfaqëson një pakt politik ,që synon t’i japë Melonit një kauzë elektorale që shet, siç është ajo e zgjidhjes së problemit të emigracionit të paligjshëm në Itali. Kurse autokratit Rama, i cili e konsideron Shqipërinë një çiflig të tij, kjo marrëveshje i jep një patericë perëndimore, paterica të cilat në këtë mënyrë i ka fituar të gjitha këta 11 vjet nga mentori i tij Xhorxh Soros. Me marrëveshjen për strehimin e emigrantëve të paligjshëm afrikanë, Shqipëria merr kosto të lartë politike dhe imazhi, si një vend pa lidhje që angazhohet ne një projekt logjike fushate, jashtë çdo lloj logjike ligjore! Ky është i dyti precedent turpërues në Evropë dhe në arenën ndërkombëtare më tej, pas atij që rrëzoi qeverinë konservatore të Britanisë së Madhe, pasi kjo e fundit i deportoi emigrantët në Ruanda.
xx
Lista e arsyeve pse Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju Jork, në datën 10.12.2008” është fals dhe do të ngelet formalisht tek Ne, është e gjatë. Për efekt kohe, rendita vetëm katër më themeloret prej tyre, tejet shqetësuese në këto 11 vite të sektit Rama në pushtet. Së fundmi, duke cituar Parimin 11 të 12 Parimeve të OECD-së për mirëqeverisjen publike “Politikat dhe legjislacioni hartohen në mënyrë gjithëpërfshirëse e cila mundëson pjesëmarrjen aktive të shoqërisë dhe mundëson koordinimin e këndvështrimeve të ndryshme brenda qeverisë”, i ftoj shoqërinë civile dhe te gjitha palët e interesuara t’i referohen Neneve te Protokollit Opsional te OKB-se, të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të qytetarëve, në veçanti Nenit 2, që thotë shprehimisht se “… ankimet mund të dorëzohen nga ose në emër të individëve ose grupeve të individëve, nën juridiksionin e një Shteti palë, duke pretenduar se janë viktima të shkeljes së cilësdo prej të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore, të përcaktuara në pakt nga ai Shtet palë”, për të denoncuar çdo politikë dhe ndërhyrje të qeverisë qendrore dhe vendore tek ne, që përbën shkelje të të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore.
Botuar në Gazeta Sot më 16.11.2024
Protokoll Opsional i OKB-së për denoncimin e shkeljeve mbi qytetarët
