Për kë bien këmbanat e FMN-së?


Fondi Monetar Ndërkombëtar(FMN) përfaqëson një nga tre institucionet e dala nga Konferenca e Bretton Woods-it 80 vite më parë. Ai u themelua më 27 dhjetor 1945. Qëllimi primar i themelimit të tij ishte që të realizonte një bashkëpunim monetar mes vendeve të porsadala nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe një stabilitet monetar e financiar të tyre, për të shpejtuar rritjen ekonomike dhe për të ngritur nivelin e punësimit në botë.
Profili historik dhe aktual i FMN-së
Roli i Fondit Monetar Ndërkombëtar është unik dhe i pazëvendësueshëm në mbikqyrjen e sistemit monetar ndërkombëtar dhe në monitorimin e politikave ekonomike dhe financiare të 185 vendeve anëtare të tij.
Mbikqyrja e FMN-së ofron vlerësim të specializuar të zhvillimeve ekonomike dhe financiare globale dhe rajonale. Fondi jep po ashtu këshilla rreth rreziqeve që i kanosen stabilitetit dhe rritjes ekonomike të seicilit vend anëtar.
Fondi jep kontributin e tij në tre qasje të ndryshme. Së pari, ai mbikqyr dhe monitoron zhvillimet financiare dhe ekonomike globale, rajonale dhe të seicilit vend anëtar, duke dhënë këshilla profesionale mbi politikat e ndjekura nga shtetet e ndryshme, që synojnë të shmangin krizat ekonomike.
Së dyti, FMN u huazon para vendeve në vështirësi në bilancin e pagesave, për t’u dhënë financim të përkohshëm dhe suport në korrigjimin e problemeve akute që kanë.
Së treti, Fondi u jep vendeve asistencë teknike dhe trajnim në fushat e tij të ekspertizës.
FMN ka aplikuar mbikqyrjen dhe asistencën teknike në zhvillimin e standarteve dhe kodeve të praktikës së mirë, në fushat e saj të përgjegjësisë, duke kontribuar në forcimin e financave publike te shume vendeve ne bote. Fondi luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit.

11 vite këshilla të injoruara të FMN-së në Shqipëri!
FMN ka kontribuar ndjeshëm në periudhën e vështirë të tranzicionit 34 vjeçar të vendit tonë. Shqipëria u bë vend anëtar i FMN-së në vitin 1991. Në vitin 2014, pavarësisht se Fondit i mori hua 330 milionë euro për mbështetje buxhetore, sekti në qeverisje në Shqipëri e rrudhi dhe e pakësoi shumë rolin aktiv dhe gati përcaktues që ka patur FMN në vitet e mëparshme, duke e kufizuar bashkëpunimin me FMN-në në vetëm rolin e këshilluesit, sipas Nenit 4 të Marrëveshjes me FMN.
Gjatë këtyre 11 viteve të misioneve të tij faktmbledhëse, FMN ka kërkuar në vijimësi transparencë të plotë për menaxhimin e kontratave koncesionare dhe PPP, si dhe përfshirjen e pagesave të tyre në bilancin e Buxhetit të Shtetit të çdo viti buxhetor. Duke parë se, po ta bënte këtë, borxhi publik do të rritej ndjeshëm me gati 20 përqind të GDP-së, sekti në qeverisje e ka injoruar plotësisht këtë rekomandim të bazuar në praktikat më të mira dhe parimet e mirëqeverisjes së OECD-së.
FMN ka kërkuar transparencë edhe për fondet e rindërtimit, duke ripërsëritur kërkesën për të qenë pjesë e kontrollit të menaxhimit të financave publike, njëlloj si dhe për fondet për Pandeminë nga Covid-19.
Fondi ka tërhequr vëmendjen për risqet fiskale të shtuara në skemat e garancisë për sektorin privat dhe në mbështetjen pa kriter për sipërmarrjet shtetërore, si OSHEE, ujësjellësit, etj., duke theksuar se nevojitet reformë urgjente në sektorin e energjisë dhe ujit.
FMN ka kërkuar që vëmendja duhet të përqendrohet të dobësitë e sektorit të pasurive të paluajtshme, si dhe te risqet që paraqesin asetet virtuale të këtij sektori, duke i hapur rrugë pastrimit të parave.
Ka rekomanduar rishikimim e skemës së mbrojtjes sociale, e cila është më e ulëta në Ballkanin Perëndimor, për të ofruar një mbulim më të mirë, duke ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.
Asnjë nga këto rekomandime dhe këshilla shumë të vlefshme dhe aktuale të specialistëve të FMN-së nuk janë marrë në konsideratë nga qeveria e Sektit Rama.
Asnjë rrugëzgjidhje e dhënë nga FMN për sistemin fiskal nuk është pranuar nga Rama
Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, sistemi ynë aktual i taksave është kompleks dhe i fragmentuar. Ndryshimet e shpeshta në të kanë minuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit.
Fondi këshillon për një sistem tatimor më transparent, më të drejtë, më efikas dhe më të thjeshtë, i cili do ta bënte Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja. Edhe kjo qasje e ofruar nga FMN është injoruar totalisht.
Ekspertët e institucionit ndërkombëtar kanë propozuar që të hiqen përjashtimet e ndryshme të bëra me taksat, si tek arsimi privat, tek shëndetësia, etj.
FMN ka hedhur me të drejtë dyshime edhe mbi menaxhimin e vendimit për përjashtimin nga TVSH të bizneseve që kanë xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë. Sipas Fondit, synimi për uljen e pragut ishte adresimi i informalitetit, por administrata tatimore nuk ka kapacitete për të monitoruar në mënyrë efektive këtë segment të madh të taksapaguesve. Për më tepër, ekzistojnë pragje të shumëfishta për sektorë të ndryshëm, te cilat minojnë thjeshtësinë e sistemit.
Institucioni ndërkombëtar që ka 34 vite që na këshillon, ka propozuar që përjashtimet e bëra për bizneset në sektorin e turizmit të rishikohen, pasi TVSH-ja për akomodimin në hotel është taksë që u takon të huajve, jo qytetarëve, dhe këta të fundit mund të jenë më pak të ndjeshëm ndaj një çmimi, nëse shërbimi i biznesit është unik.
FMN ka terhequr vemendjen qe te mos menaxhohet Buxheti i Shtetit permes akteve normative, si një rrugë që shmang shqyrtimin parlamentar të ndryshimeve në Buxhet dhe shton paqartësitë për objektivat, politikat dhe synimet e planit kryesor ekonomik të qeverisë dhe vendit.
xxx
Asnjë nga këto propozime të vlefshme dhe profesionale, nga këto këmbana alarmi për rrugën pa krye që ka marre disiplina buxhetore, financiare dhe fiskale e Shqipërisë nuk është marrë parasysh nga Rama.
Qeveria vijon me kokëfortësi të injorojë çdo konstatim dhe vërejtje të Fondit Monetar Ndërkombëtar, e vendosur në rrugën e saj të aventurave fiskale dhe minimit të qendrueshmërisë së financave publike të vendit.

Botuar në Gazeta Sot më 13.12.2024

Postimet e lidhura

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *