Përse u cënua statusi i nënpunësve të sistemit te burgjeve?
Ndryshimet ligjore në fundvit, prioritet të drejtat e njeriut apo punësimet politike?
Në rendin e ditës së fundit të Kuvendit për këte vit, ishte përfshirë për t’u diskutuar Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Në lexim të parë, nga vetë emërtesa ligjore, pritshmëritë për mua si deputet ishin se kishim të bënim me një ndryshim për të përmirësuar kushtet dhe të drejtat e njeriut të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Ndërsa, në brendësi projekligji i sjellë nuk përmban asnjë dispozitë në këtë drejtim, përkundrazi synon thjesht saktësimin e rregullimit të marrëdhënies së punës së nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB) dhe institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale duke kaluar në rregullimin e tyre sipas Kodit të Punës, si dhe krijimin e kushteve për plotësimin e vendeve vakante në pozicionet e punës në këto institucion.
Ne si deputet kemi përgjegjësi që kur propozojmë ndryshime në një ligj të kësaj natyre dhe para se të investohet Kuvendi në një proces legjislativ, të analizojmë mbi ecurinë dhe rezultatet e deritanishme të këtij ligji dhe nevojat për rregullim, në optikën e avancimit të të drejtave të njeriut. Kjo nuk do të thotë të përjashtojmë teknalite te tjera, por thelbi i ndërhyrjes të ketë si prioritet të drejtat e njeriut.
REKOMANDIMET E AVOKATIT TË POPULLIT
Nuk pashë asnjë dispozitë apo përmirësim ligjor që të reflektojë edhe rekomandimet e Avokatit të Popullit në këtë fushë. Janë një mori çështjesh dhe rekomandimesh nga Avokati i Popullit si:
Për trajtimin me shumëllojshmëri ushqimore;
Për marrjen e masave të nevojshme për përmirësimin e procedurës që duhet të ndiqet nga stafi mjekësor i Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për përcaktimin e kohëzgjatjes së përdorimit të medikamenteve si dhe rekomandimeve të nevojshme për kontrolle apo veprime të mëtejshme në kartelën klinike të të burgosurit;
Marrjen e masave të nevojshme dhe të menjëhershme nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për përllogaritjen e një buxheti të dedikuar për të garantuar efektivisht të drejtën e të burgosurve për zhvillimin e arsimit të mesëm dhe të lartë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.
Madje, janë rekomanduar edhe përmirësime ligjore, që mazhoranca as nuk i ka marrë në konsideratë, si:
Marrja e masave të nevojshme që të rishikohet neni 3 “Përkufizime”, i ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgosurve”, përkatësisht në pikën 1 të tij ku përkufizohen “Anëtarët e familjes”, në funksion të zgjerimit të këtij rrethi.
Marrjen e masave të nevojshme për garantimin e të drejtës të të burgosurve për të kryer biseda telefonike me anëtarët e familjes, të afërmit dhe në raste të veçanta me të tretët, sipas akteve ligjore në fuqi.
Problematika të tjera që kërkojnë vëmendjen e Kuvendit kanë të bëjnë me tenderat në raport çështjet e sigurisë dhe blerjen e medikamenteve
Rreth 85% e tenderave bëhen pa garë, me procedurën negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Rasti i burgut të Peqinit është ulëritës, ku ndonëse janë bërë tendera me qindra milionë lekë për kamera dhe përforcimin e infrastrukturës së sigurisë, u arrit të futej armë e të bëhej vrasje brenda burgut;
Në mënyrë të vazhdueshme është raportuar nga mediat se të dënuarve u mungojnë barnat mjeket, energji elektrike, pagesat e orëve të punë, ndonëse bëhen tendera për prokurimin e këtyre mallrave dhe shërbimeve;
Po zbatimi i kontratave. A ka kapacitete Drejtoria e Burgjeve për të monitoruar këto prokurime për të siguruar mallra dhe shërbime me cilësi.
KUSHTET E BURGJEVE
Pse nuk merren në konsideratë gjetjet dhe sugjerimet e monitoruesve ndërkombëtarë për kushtet e burgjeve.
Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Poshtërues (KPT) ka publikuar raportin e tij për vizitën e majit 2023 në Shqipëri. Objektivi kryesor i vizitës së KPT-së në Shqipëri në vitin 2023 ishte rishikimi i trajtimit dhe kushteve të paraburgimit të personave të mbajtur në paraburgim policor dhe në burgje. Në fokusin e vizitës ishte gjithashtu edhe situata e pacientëve psikiatrikë dhe e të burgosurve me çrregullime mendore. Delegacioni i KPT-së shqyrtoi gjithashtu, për herë të parë në Shqipëri që nga viti 2000, trajtimin e të strehuarve me aftësi të kufizuara intelektuale në institucionet e kujdesit social.
Gjetjet e vizitës së vitit 2023 theksojnë se sa i përket trajtimit të personave të ndaluar nga policia duket se ruhet, kërkohet ende veprime të tjera plotësuese për të çrrënjosur keqtrajtimin nga ana e policisë.
KPT-ja ka shprehur shqetësime të mëdha në lidhje me kushtet në paraburgim dhe trajtimin e të paraburgosurve ndaj të cilëve është vendosur ose një masë trajtimi i detyrueshëm i urdhëruar nga gjykata, sipas nenit 46 të Kodit Penal, ose vendosja e përkohshme në një institucion psikiatrik (neni 239 i Kodit të Procedurës Penale);
Për sa i përket ofrimit të kujdesit shëndetësor për të dënuarit, bëhen rekomandime, ndër të tjera për të përforcuar burimet e personelit shëndetësor në IEVP-të e Fierit dhe të Peqinit, për të mundësuar vizita të rregullta nga një psikiatër në shumicën e IEVP-vë të vizituara dhe për të përforcuar ofrimin e kujdesit psikologjik për të dënuarit. Në veçanti, nga këto vizita u zbulua se në këto IEVP rezultoi se nuk qe realizuar asnjë aktivitet terapeutik apo profesional për pacientët.
Pavarësisht përmirësimeve të dukshme të bëra në Spitalin e Burgut të Tiranës që nga vizita e mëparshme e KPT-së në vitin 2021, për shkak të strukturës së saj penitenciare, KPT-ja vazhdon të konsiderojë se kushtet e jetesës që u ofrohen pacientëve mbeten të papërshtatshme.
III. PËR TË MITURIT DHE GRATË
Çfarë informacioni kemi ne si deputet për kushtet e të miturve dhe grave në burgje. Sipas paragrafit 3 dhe 4 të nenit 5 të ligjit në fuqi parashikohet se:
Të miturit e burgosur trajtohen duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të tyre. Trajtimi mbështetet në interesin më të lartë të të miturit, të riintegrimit shoqëror, edukimit dhe parandalimit të përsëritjes së veprave penale nga i mituri, në përputhje me kushtet dhe rregullat e parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur;
Gratë e burgosura trajtohen duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore dhe pa diskriminim për çdo shkak të parashikuar nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi, duke parandaluar çdo akt dhune me bazë gjinore, që sjell dëmtim fizik, seksual ose psikologjik, vuajtje ose çdo formë tjetër abuzimi e keqtrajtimi, që dënohet sipas legjislacionit në fuqi.
Por çfarë ndodh në realitet?
Përdorimi në mënyrë arbitrare i arrestit në burg ndaj të miturve ose në mënyrë të tejzgjatur vjen jo vetëm në kundërshtim me Standardet Ndërkombëtare, por gjithashtu dëmton zhvillimin psiko-social të të miturit, e privon atë nga e drejta për t’u rritur pranë familjes së tij, për t’u shkolluar njësoj si fëmijët e tjerë dhe gjithashtu e bën vulnerabël ndaj rrezikut të influencës së krimit. Rregullat Minimum Standard të Kombeve të Bashkuara për Administrimin e Drejtësisë për të Mitur (rregullat e Pekinit) parashikojnë se arresti në burg duhet të aplikohet si një masë e fundit për një afat kohor sa më të shkurtër të mundur. Këto rregulla inkurajojnë aplikimin e alternativave të ‘arrestit në burg’.
A funksionojnë shërbimet e specializuara në shërbim të grave shtatzëna dhe atyre me fëmijë në gji. Nëse po çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar më tej. Këto duhet të jenë objekt i propozimeve ligjore.
PËR SISTEMIN BIS-24
Tashmë u bë disa kohë që ë shtë miratuar regjimi i posaçëm i njohur si 41-bis sipas modelit italian ose i etiketuar edhe mediatikisht si burg brenda burgut. Natyrisht, me përmasat monstruoze që ka marrë krimi në Shqipëri bëhet edhe e nevojshme edhe vendosja e disa rregullave strikte.
Por, vendosja e rregullave duhet të analizohen edhe në raport me infrastrukturën e burgjeve për të garantuar që një regjim i tillë i rreptë të mos cenojë thelbin e të drejtave të njeriut. Janë një sërë vendimesh të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, lidhur me këtë regjim, të cilat kanë vendosur disa standarde për të balancuar dhe vendosur kriterin e proporcionalitetit për aplikimin e regjimit të posaçëm të sigurisë.
Prandaj, diskutimi dhe analiza që duhet bërë është nëse ecuria e deritanishme është në përputhje me standardet e përcaktuara në Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore , Rregullat Europiane të Burgjeve të miratuara nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës në 11 Janar 2006, Standardet minimale të Rregullave për Trajtimin e të Burgosurve (Nelson Mandela Rules) të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 17 Dhjetor 2015. Veçanërisht duhen vlerësuar rekomandimet e KPT për sistemin 41 -bis në Itali, gjatë vizitës së kryer në vendin fqini.
Është e lehtë për të kopjuar modele, por a kemi ne infraskturë të përshtatshme për të garantuar që ky model të jetë në proporcion me kufizimet e të drejtave të njeriut, në një kohë kur edhe ne regjimet e zakonshme vihen re kufizime të të drejtave.
DISKUTIMI PËR PUNËSIME PËR ZGJEDHJE
Por çfarë solli mazhoranca në ditën e fundit të vitit për ndryshime në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”?
Në ambalazhin e një intepretimi të nenit 2 të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, ju si mazhorancë, ju si sekt në pushtet në institucionet e sigurisë po krijoni pasiguri për punonjësit e burgjeve, duke i “internuar” në dispozitat e kontratave afatshkurtra të Kodit të Punës. Në një kohë kur ne duhet të synojmë të promovojmë përfshirjen në garancitë dhe mbrojtjen e ligjit të shërbimit civil të sa më shumë institucioneve, Qeveria Rama bën të kundërtën.
Ju me këto ndryshimë, po i shndërroni në të “burgosur politikë” punonjësit për t’i indimiduar e vendosur zinxhirët kontrollit në prag zgjedhjesh.
Jo vetëm kaq, por intriga që fshihet këtu lidhet drejtpërdrejte me punësimet për zgjedhjet e 14 majit që kuptohet nga vetë relacioni e Komisionit të Sigurisë, ku propozuezja thekson (citoj) se “Përmes ndryshimit të regjimit të marrëdhënies së punës së këtyre nëpunësve do të arrihet një plotësim më i shpejtë i vakancave, duke ndikuar direkt në rritjen e nëpunësve, normalizimin e ngarkesës së punës, si dhe në rritjen e cilësisë së shërbimit të ofruar dhe respektimit të të drejtave të të dënuarve dhe të paraburgosurve….(vijon)Nga ana tjetër, edhe procedura e rekrutimit të një nëpunësi civil kërkon një kohë mjaft të gjatë dhe nuk garanton shpejtësi në zëvendësimin e nëpunësve të larguar në një periudhë të shkurtër.
Çfarë është ky nxitim? Përgjigjen e thoni vet ju. Momentalisht janë 406 vende vakante. Pyetja që shtroj unë, a po na sillni këtu një ligj për të sjellë ortekun e patronazhistëve në administratën e burgjeve. A po cenohet siguria e burgjeve, duke shmangur garancitë e pastërtisë së figurës që ofronte ligji për shërbimin civil, për të nisur punësime pa kritere e pa filtra në institucione e sigurisë së lartë.
Shikoni institucionin e kadastrës, drejtoritë vendore. Edhe ato me Kod Pune janë dhe batërtia e ndryshimeve të punonjësve është e tillë saqe ka cenuar drejpëdrejt profesionalizmin dhe sigurinë juridike të pronësisë.
Prandaj, mazhoranca solli këtë ligj. Halli i saj janë zgjedhjet dhe ky propozim është shëmbëlltyra e sistemit të kapjes së shtetit, aq sa paranoja dhe frika e ka çuar deri te burgjet, ku tani pervecse jane mbushur nga krimi, po e mbushet edhe me krimin tuaj elektoral.
V.O. Me forcën e kartonit ndryshimet në ligjin e sipërcituar (në diskutimin që unë mbajta në Kuvend) kaluan duke u hapur rrugë punësimeve për ortekun e patronazhistëve dhe cënimin e statusit të nënpunësve aktualë.
Botuar në Gazeta Sot më 26.12.2024
Ndryshimet ligjore në fundvit, prioritet të drejtat e njeriut apo punësimet politike?
