Për Çetën Plakë të Vlorës, Gjormin dhe bijtë e tij, Neki Ymerin dhe Sadik Premten flet historia!

Për Çetën Plakë të Vlorës, Gjormin dhe bijtë e tij, Neki Ymerin dhe Sadik Premten flet historia!

Sot 4 dhjetor 2022 mbushen 80 vjet nga themelimi i Çetës Plakë të Vlorës. Sikurse e thekson studjuesi Kastriot Kapaj, bir i Gjormit, “Çeta Plakë në formë ishte komuniste, ndërsa në përmbajtje ishte nacionaliste, duke mos iu larguar traditave të trevave vlonjate. Veprimtaria luftarake e saj, fitorja triumfuese në çdo përpjekje me pushtuesin, iu futi frikën në palcë komunistëve serbë, kur ju kërkoi largimin dhe mos-ndërhyrjen në punët e brendshme të Shqipërisë”(Libri “Për Gjormin flet historia”, faqe 166 fragmenti i dytë).
Historiografia shqiptare i ka një “borxh” të madh Gjormit, Sadik Premtes, Neki Ymerit, Xhafer Dalanit dhe dhjetëra djemve të tjerë të Gjormit, që u rreshtuan në Çetën Plakë të Vlorës, që më 4 dhjetor 1942, ditën e parë të formimit të saj. Ajo ende nuk u ka kushtuar vëmendjen e duhur atyre ngjarjeve historike që ndodhën në Gjorm gjatë Luftës Antifashiste. Historia e asaj kohe ka nevojë për vështrim më të thellë për veprimtarinë e këtij fshati heroik, që sfidoi për shumë kohë drejtuesit e Partisë Komuniste Shqiptare dhe kërkoi largimin e influencës serbe të Dushan Mugoshës nga kjo parti, në emër të idealizmit dhe të një të majte evropiane.
Gjormi ishte fshati i parë në krahinën e Vlorës, që u mobilizua në luftë kundër pushtuesit fashist. Sadik Premtja dhe Neki Ymeri e kthyen vendlindjen e tyre në bazën e parë të Lëvizjes Antifashiste. Duke qenë gjithë fshati i mobilizuar për luftën, bazat e para të luftës në këtë fshat ishin familjet e Muço Sherifit dhe Esat Sherifit, Neki Ymerit, Qani Shenaj, Zagoll Shenaj, Xhafer Dalanit, Lulo dhe Xhebro Lulaj, Sadik Premtja, Alliajt, Kapajt, etj.
Falë cilësive oratorike, organizative, trimërisë dhe trashëgimisë familjare të Neki Ymerit, ai u zgjodh komandant i njësitit të parë partizan, Çetës Plakë, të cilën e udhëhoqi sa qe gjallë në 24 aksione kundër fashizmit dhe të gjitha me fitore: në Tiranë, Vlorë, Përroi i Silorakut, Selenicë, në Qafë të Pullumbit, në Mal të Bardhë, tek Ura e Gjormit, në Ujë të Ftohtë Vlorë, në Mavrovë, në Radhimë, ku dogji të gjitha depot e armikut, në Luftën e Gjormit kundër forcave të shumta të fashistëve italianë dhe mercenarëve të Halil Alisë.
Në disa prej betejave të rëndësishme, çeta Plakë dhe çeta territoriale e Gjormit kanë bashkëpunuar dhe me çetën nacionaliste të Hysni Lepenicës dhe me çetat territoriale të lumit të Vlorës, të drejtuar ose jo nga komunistët(jemi përpara gushtit 1943, kur nuk kishin filluar vëllavrasjet).
Komiteti i Qarkorit Komunist të Vlorës, duke shkruar për aksionet kundër fashizmit thekson se: “Në ballë të luftës prin komandanti ushtarak dhe zëvendës i tij është komisari politik”. Populli i njihte Çetës Plakë të Neki Ymerit, që ai komandoi dhe vetëm fitoi kudo ku luftoi, 24 aksione, të cilat për 50 vjet historiografia komuniste ia mohoi.
Çeta Plakë, nën komandën e Neki Ymerit u bë tmerr për armikun. Komisar i çetës u caktua një tjetër trim nga Tragjasi dhe që e njihte artin ushtarak, Qazim Çakërri.
Nga Gjormi, në Çetën Plakë kanë marrë pjesë 26 djem, nga 41 partizanë që kishte çeta ditën e parë të formimit. Nga 26 djem të Gjormit, 20 djem u vranë, 6 të tjerë, në ditët e fundit të vitit 1944, u arratisën jashtë shtetit, të ndjekur nga shokët e tyre komunistë për t`i vrarë!
Ndër ta përmendim: Lulo Shaipi, Qani Shenaj, Arap Shenaj, Xhafer Dalani, Selam Emini, Bako Tafili, Nimet Mita – Fterra, Veip Kapaj, Hamdi Lazaj, Hasan Premtja, Feti Premtja, Gjysh Premtja, etj.
Lufta e Gjormit më 31 dhjetor 1942 dhe 1 janar 1943, krahas vlerave të larta patriotike që mbart, çshtë gjithashtu një dëshmi e pabesisë së Mehmet Shehut ndaj Gjormit, çetave partizane dhe çetave balliste të tij, që morën pjesë në këtë betejë, me urdhrin antikombëtar që dha për tërheqjen e forcave, kur ata ishin drejt fitores(u vra komandanti i forcave italiane). Kjo tërheqje solli djegjen e fshatit Gjorm dhe raprezaljet e fashistëve dhe forcave mercenare kolaboracioniste.
Sadik Premtja e Neki Ymeri, bij të denjë të këtij fshati, si dhe shokët që i pasuan ata, ishin produkt i patriotizmit dhe shpirtit luftarak të një krahine të tërë, fshatrave të Lumit të Vlorës, që luftoi dhe sakrifikoi gjithshka, për liri e demokraci. Ata kanë patur një jetë pritash, pusish e atentatesh, të përgatitura në mënyrë mafioze nga sivëllezërit e tyre komunistë. Lavdi dhe mirënjohje të përjetshme këtyre heronjve të ëndrrës së popullit shqiptar për një jetë më të mirë!

Botuar në Gazeta Sot, më 3 Dhjetor 2022

12 nëntor, protestë kombëtare ndaj sektit Rama

12 nëntor, protestë kombëtare ndaj sektit Rama

Më në fund, megjithëse me vonesë, Partia Demokratike përcaktoi datën 12 Nëntor për fillimin e protestave, së bashku me Partinë e Lirisë dhe të gjitha forcat e tjera opozitare shqiptare.
Protesta, të cilat duhet dhe do të jenë të vazhdueshme deri në rrëzimin e këtij sekti arrogant!
Cilido demokrat, cilido shqiptar ka nga një arsye për të protestuar dhe të gjitha arsyet së bashku, përbëjnë etjen e një populli që nuk pajtohet me keqqeverisjen, mashtrimin, mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies nga sekti Rama në pushtet.
Secili prej nesh do të protestojë kundër varfërisë së ulur këmbëkryq, rritjes galopante të çmimeve, arsimit të shkatërruar, shëndetësisë në gjendje mjerane; shpopullimit, largimeve masive të shqiptarëve, sidomos rinisë; do të protestojë kundër sektit, që në nëntë vjet largoi 27% të shqiptarëve dhe mburret për këtë; do të protestojë kundër korrupsionit në çdo qelizë të pushtetit, kundër krimit e drogës në apoteozë, kundër shpërdorimit e vjedhjes së pasurive publike…
Do të protestojmë kundër armiqve të votës së lirë, kundër plaçkitësve të paskrupullt përmes shtetit elektoral, patronazhistëve të kuq dhe bandave kriminale e parave të drogës.
Sepse protestat janë i vetmi mjet që të kujtohemi se jetojmë në demokraci, vetëm protestat na kanë ngelur për t’u përballur me këtë sekt armiqësor ndaj shqiptarëve, që keqqeveris, pa përgjegjshmëri, transparencë e llogaridhënie.
Mosbindja civile dhe protestat janë mjete demokratike për të refuzuar çdo formë të qeverisjes dhe vendimmarrjeve diktatoriale dhe tregues i shëndetit të shoqërisë dhe, si të tilla, një ndër gjërat më të mira që mund t’i ndodhin një shoqërie demokratike.
Shqiptarët nuk janë të varfër, janë të vjedhur dhe kanë një kryeministër harbut që ka mbi dy dekada në majë të pushtetit dhe intimidon shqiptarët.
Shqiptarët nuk janë pa dinjitet; do ta dëshmojnë me protestat, reagimin e tyre dhe përballjen finale me këtë regjim.
Shqiptarët janë të kthjellët, kanë guxim, mendim, energji; dinë të organizohen e të reagojnë.
Çfarë do t’i ngelet sektit armiqësor në qeveri përballë një reagimi të tillë qytetar?
Do të vazhdonte të ishte kaq arrogant, hajdut e armiqësor me popullin?
Jo!
Përballë reagimit masiv të shqiptarëve, sektit Rama do t’i ngeleshin veçse disfata, frika, zmbrapsja, arratisja.
Kundër një qeverie që të mohon, shan, fyen e injoron, duhet të protestosh!
Kundër një rrugaçi të veshur me pushtet që të vret, duhet të veprosh!
Kundër një qeverie që të mohon, shan, fyen e injoron, duhet të protestosh!
Kundër një sekti kriminal, duhet të luftosh!
Një kryeministër arrogant e cinik e rrëzon!
Sado i ashpër të jetë një regjim, populli reagon!
Sado arrogant të jetë një regjim, populli fiton!
Sado të kërcasë dhëmbët sekti Rama, populli e përmbys!
Demokratët dinë të fitojnë ndaj së keqes dhe nuk do ta lejojnë fyerjen, nëpërkëmbjen.
Arrogancës së regjimit antishqiptar i përgjigjemi me protesta demokratike!

Botuar në Gazeta Panorama më 26 Tetor 2022

Paketë fiskale apo rrebesh gjobash?

Paketë fiskale apo rrebesh gjobash?

Në një kohë kur qytetarët dhe biznesi me të drejtë kërkojnë lehtësira fiskale për të përballur inflacionin galopant që që mbërthyer vendin, në një kohë kur të gjitha shtetet rrotull nesh realizojnë përjashtime fiskale, ulje të taksave, sidomos të nivelit të TVSH-së mbi produkte jetike për popullatën dhe biznesin. sekti në pushtet bën publik disa propozime të paketës fiskale 2023, duke mos e përfshirë qëllimisht paketën në diskutimet e nisura në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2023.
Duket se sekti po taton reagimin popullor dhe të biznesit, për të vendosur sa do ta forcojë “kërbaçin” e gjobave të rritura.
Biznesi, i shokuar nga nisma për dhjetëfishim gjobe!
Një nga këto propozime, që ka sjelle reagimin e menjëhershëm shqetësues dhe gati të shokuar, të shoqatave të konsoliduara të biznesit, është dhjetëfishimi i gjobës ndaj bizneseve të mëdha(të rregjistruara si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe TVSH), nëse ato për herë të dytë nuk lëshojnë faturë për mallrat dhe shërbimet që blejnë dhe shesin.
Gjoba për to shkon 1.500.000 lekë dhe përbën gjobën më të lartë fiskale që është parashikuar ndonjëherë për bizneset, në historinë e pas tranzicionit shqiptar. Ndërkohë që dyfishohet gjoba për mosdeklarim të punonjësve dhe nënpagim të tyre në listëpagesat.
Biznesi shprehet se kriza e çmimeve e ka vënë sipërmarrjen përballë sfidave të mëdha. Industritë prodhuese po përballen me kosto që shkojnë mbi 50 përqind të çmimeve të mëparshme. Sipërmarrja ndihet e befasuar me një paketë fiskale që i vjen si thikë pas shpine, ndërkohë që ekonomia ka nevojë për ndërhyrje radikale, sidomos në ndihmë të biznesit prodhues. Paketa fiskale jo vetëm që nuk ndihmon, por është e fokusuar në shumëfishimin e penaliteteve e gjobave. Shumëfishimi i gjobave është i pakuptimtë. Në asnjë shtet në kohë krize, nuk aplikohen gjoba që janë 10-fish në dëm të sipërmarrjes. Madje as në periudha të një rritjeje të fuqishme ekonomike. Shoqatat e biznesit kërkojnë me një zë që qeveria të ndërmarrë një paketë të strukturuar, duke u përqendruar në mbështetjen direkte ndaj industrive prodhuese dhe biznesit në tërësi. Kërkojnë të ketë ulje të ngarkesës fiskale.
“Reforma” fiskale e ndëshkimeve shumëfish: një nonsens
“Reforma” e ndëshkimeve, e nënkuptuar nga informacionet e deritanishme të bëra publike nga paketa fiskale 2023, kërkon të ligjërohet me argumentin se ashpërsimi i gjobave synon parandalimin e evazionit fiskal. Gjoja, synon nxitjen e “frikësimit” të tatimpaguesit për një rritje të nivelit të pajtueshmërisë tatimore. Kjo taktikë mund të jepte efekt, nëse do të kryheshin disa veprime të domozdoshme paraprake, të tilla si (i) analiza e administrimit të tatimeve, ku duhet konkluduar çfarë nuk funksionon me modelin aktual të pajtueshmërisë vullnetare dhe (ii) gjetja e mospërputhjeve dhe gabimeve me strategjinë e administrimit tatimor në tërësi. Pasi kryhet analiza, ajo orienton edhe logjikën e qasjes dhe fokusit strategjik në politikën fiskale. Gjobat duhen reformuar si funksion plotësues i një politike për nxitje të pajtueshmërisë vullnetare dhe jo si shkop që valëvitet, nëpërmjet forcës së shtuar.
Një qasje e bazuar në ndëshkime të rënda ndaj gabimeve të sipërmarrjes me pajtueshmërinë tatimore nuk do të funksionojë kurrë, për shkak të kostove relativisht të larta administrative të qasjes, si dhe paaftësisë së administratës sonë tatimore për të zbatuar ndëshkimet me drejtësi dhe në mënyrë uniforme, pa përzgjedhje dhe diferencim politik.
Një sistem gjobash tatimore që promovon trëmbjen e tatimpaguesve, duke mos u matur me logjikën e duhur të pajtueshmërisë tatimore, sikure në fakt po zbatohet prej shumë vitesh nga sekti në fuqi(tani rrezikon të jetë “trëmbje” e shumëfishuar), është i pakuptimtë.
Pse Rama u tregon dhëmbët bizneseve?
Por çfarë nënkuptojnë këto gjoba të rritura? Rritja disa herë e gjobave tatimore për lloje të ndryshme kundravajtjesh tatimore përbën shqetësim kryesor publik. Jemi në një kohë që paketa fiskale duhej të shërbente si një bazë diskutimesh dhe propozimesh, jo vetëm për gjobat dhe sanksionet, por për të ulur taksa si TVSH dhe akciza nga produkte tejet sensitive për nivelin e jetesës të mbi 627 mijë qytetarëve të llogaritur nga INSTAT, me të ardhura nën kufirin e varfërisë ose me të ardhura të pakta.
Paketa fiskale duhej të pasqyronte të gjithë kërkesave dhe nevojat e biznesit dhe individëve tatimpagues, lidhur me thjeshtimin e sistemit tatimor dhe eliminimin e ndërhyrjeve të shpeshta në ligjet tatimore, të cilat çorientojnë biznesin dhe rrisin stokun e kundravajtjeve dhe dhjetëra mijëra gjobave nga mosnjohja e ndryshimeve të reja fiskale prej operatorëve ekonomikë.
Sekti Rama trumbeton se gjobat e rritura me herë do të rrisin disiplinën fiskale dhe shmangin evazionin, mirëpo në kushtet e një sistemi tatimor të dobët dhe një patronazhi politik të fortë në të gjitha hallkat e strukturës fiskale, morali i një politike tatimore mbetet i shkëputur si instrument dhe kthehet në të kundërtën e tij.
Zgjedhjet vendore po afrohen dhe Rama kërkon të trembë bizneset e mëdha me gjobat e dhjetëfishuara, që këto t’i nënshtrohen kërkesave për të financuar fushatën e tij zgjedhore, ose ndryshe do të përballen me rrënim të aktivitetit, nga gjobat më të rënda të para ndonjëherë në periudhën e tranzicionit shqiptar.
Me paketën fiskale 2023, Rama u kërkon bizneseve të mëdha “të kolliten” dhe të “kolliten mirë”, për të përkrahur financiarisht kandidatët e sektit për kryetarë bashkish.
Veprimet e administratës me “sëpatën” e gjobave në dorë, gjoja në emër të forcimit të disiplinës fiskale dhe luftës ndaj evazionit fiskal, në të vërtetë minojnë gjoja “objektivat” që qeveria e sektit Rama i ka vendosur vetës për një sistem të thjeshtë, të ndershëm dhe efiçient fiskal. Gjobat tejet të larta jo vetëm që nuk mbështesin respektimin e parimeve të taksimit, por përcaktojnë sjelljen e tatimorëve drejt një orientimi të gabuar.
Sikurse e ka thënë me plot të drejtë studjuesi i njohur i teorive të taksimit Gary Becker, “Gjobat e larta në një administratë të dobët fiskale mund të japin efekt të kundërt. Nga njëra anë, ato rrezikojnë të rrisin dëshirën dhe oreksin për t’iu shmangur detyrimit fiskal nga subjektet tatimpaguese, nga ana tjetër rrezikojnë të pasurojnë me zor punonjësit e administratës tatimore në kontakt të drejtpërdrejtë me biznesin, për shkak të përpjekjeve të këtij të fundit, për t’iu shmangur me çdo mënyrë marrjes së gjobës së lartë, për shkak të kundravajtjes që ka kryer”.
Pikërisht këto dy gjëra do të ndodhin me rrebeshin e gjobave të larta të sektit Rama në paketën fiskale për vitin tjetër. Së pari, bizneset do të detyrohen të paguajnë më shumë financime të fshehta dhe të hapura për kandidatët për kryetarë bashkie të sektit. Së dyti, zarfat nën dorë të dhëna tatimorëve do të rriten shumëfish, ndoshta shumë më tepër se sa rritja e vetë gjobave.

Botuar në Gazeta Panorama dhe Gazeta Sot me 22 Tetor 2022

Mangësitë e zbatimit të IPA II të mos përsëriten në IPA III

Mangësitë e zbatimit të IPA II të mos përsëriten në IPA III

Projektet e Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) janë konceptuar nga Bashkimi Evropian si një instrument orientues, lehtësues e mbështetës drejt anëtarësimit në BE. Për më shumë se një dekadë, me qindra projekte nga fondet IPA, programet IPA I dhe IPA II, kanë kontribuar në asistencën ndaj tranzicionit dhe ngritjen institucionale, në zhvillimin rajonal, zhvillimin e burimeve njerëzore, reformën në drejtësi dhe shtimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Duke mbështetur plotësisht ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit (IPA II)” dhe vleresuar asistencën e re IPA III (2021- 2027), e cila do të jepet në përputhje me kuadrin e politikës së zgjerimit të përcaktuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, në partneritet me përfituesin, dua të theksoj, në vëmendje të agjencive tona zbatuese të projekteve IPA, disa probleme dhe mangësi te mprehta të vërejtura në zbatimin e programeve IPA, mbi bazën e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit(3 E-ve), nga ana e palës sonë.
Këto mangësi kanë sjellë situatën, ku renditemi shumë ulët në shkallën e gjenerimit të ideve për projektet IPA nga vendi përfitues(sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2022(https://ëëë.rcc.int/pubs/142/balkan-barometer-2022–infographics), si dhe në shkallën e përthithjes së projekteve IPA mes vendeve në Ballkanin Perendimor, sidomos në krahasim me vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Ndonëse në Shqipëri projektet IPA po zbatohen prej më shumë se 11 vitesh, në shuma të konsiderueshme financiare, në nivele qindra milionë euro, efektiviteti i shumë prej këtyre projekteve lë për të dëshëruar dhe progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE vijon të jetë i dobët.
Dobësitë dhe mangësitë kryesore konsistojnë në:
I.Një bashkëpunim institucional i pakët dhe mungesë e theksuar e kapaciteteve të duhura absorbuese
Në terësi, sfida e decentralizimit të menaxhimit të fondeve IPA dhe rritjes së përgjegjësive dhe detyrave të strukturave shtetërore të vendit përfitues, nuk ka sjellë angazhimin e shpresuar nga institucionet tona shtetërore dhe entet menaxhuese.
Këto të fundit, nuk kanë arritur të koordinojnë dhe harmonizojnë si duhet veprimtarinë e tyre, për të realizuar disbursimet sipas parashikimeve të përcaktuara në Marrëveshjet Financiare të projekteve përkatës. Nuk kemi arritur të sigurojmë angazhimin efektiv të strukturave të dedikuara dhe kapacitetet e duhura realizuese dhe absorbuese të projekteve IPA.
Bashkëpunimi institucional për realizimin e projekteve IPA, si në nivel ministrish të linjës dhe institucioneve të tjera qendrore, ashtu dhe në nivel vendor, është parë në shumë raste si një detyrë dytësore dhe shtesë e kompetencave primare të institucioneve, ndërkohë që integrimi evropian, duke përfshirë gjenerimin dhe zbatimin e fondeve IPA, duhet të konsiderohet si një qasje unike zhvillimi.
II.Shtyrje të gjata të afateve të disbursimeve dhe mbikqyrje e dobët e kontratave të punimeve dhe e shërbimeve të konsulencës
Ka ndodhur shumë shpesh dhe është kthyer në një sëmundje kronike, shtyrja e afateve të disbursimeve, duke sjellë shtesa në kontratat e konsulencës dhe mbikëqyrjes, si dhe duke shkaktuar efekte negative financiare në rritjen e kostos së projekteve.
Njësitë e zbatimit të projekteve, në shumë raste, nuk kanë bërë një planifikim në vite dhe nuk kanë patur një plan veprimi konkret, për përfundimin në kohë të disbursimeve.
Njësitë e zbatimit të projekteve, ne shume raste nuk kanë realizuar dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për monitorimin e vazhdueshëm dhe mbikëqyrjen e kontratave të punimeve dhe shërbimeve te konsulencës, duke sjellë, për pasojë, dëm ekonomik për punime të pakryera, por të paguara, cilësi të dobët, shtim të vëllimit të punimeve dhe vonesa të tejzgjatura dhe të paargumentuara, në realizimin e komponentëve të veçantë, si dhe të projekteve në tërësi.
Keto mangesi ne zbatimin e projekteve te programit IPA III duhen adresuar urgjentisht dhe mitiguar e minimizuar.
III.Asnjë nxjerrje përgjegjësie ndaj njësive zbatuese të projekteve, për mungesë penalitetesh ndaj kontraktorëve që nuk kanë plotësuar detyrimet kontraktuale
Njësitë e menaxhimit të projekteve IPA, në shumë nga projektet, kanë shfaqur parregullsi në zbatimin e afateve të përfundimit të kontratave, kryesisht për punimet e ndërtimit, si dhe nuk kanë zbatuar penalitetet për kontraktorët të cilët nuk kanë mundur të plotësojmë detyrimin e realizimit të kontratës brenda afateve të përcaktuara.
Keto njesi nuk kanë bërë asnjehere një analizë e hollësishme, sa here janë shfaqur nevojat për shtyrje të afatit të realizimit të projekteve, analize ku të përcaktohen arsyet e vonesës, masat e marra për realizimin e projekteve, përcaktimi i afatit të ri, si dhe nuk kanë nxjerrë përgjegjësitë për vonesat e shkaktuara.
Në shumë nga projektet IPA, njësitë e zbatimit të projekteve nuk e administrojnë dokumentacionin e projekteve në përputhje me legjislacionin shqiptar, pasi përgjithësisht dokumentacioni mbahet në gjuhë të huaj dhe nuk ruhet sipas kërkesave ligjore për arkivim.
xx
Për projektet IPA, ka munguar transparenca dhe auditimi i tyre. Mjafton të kujtoj këtu, se, në rast se shikoni ëeb-in e Agjencisë së Auditimit të Fondeve të Asistencës së Huaj, të krijuar në vitin 2016, raportimi ka ngelur në Raportet Vjetore të viteve 2018-2019. Duke mos realizuar koordinimin e duhur dhe angazhimin e plotë në realizimin e projekteve IPA, pala shqiptare në përgjithësi dhe ministritë e linjës në veçanti, kanë dëshmuar:

  1. Pasivitet të theksuar në aplikimin për projekte të tilla, duke treguar se qasja jonë europiane vijon të mbështetet më shumë në slogane, sesa në punë;
  2. Menaxhim të dobët në nivel strategjik, taktik e operacional të projekteve të ndërmarra, ku mungojnë struktura që duhet të ishin ngritur me kohë, njësi të dedikuara IPA në përputhje me prioritetin politik e social, monitorim eficient në dimensionin financiar dhe atë performant, duke treguar rrjedhimisht për një proces më së shumti fiktiv të rritjes së kapaciteteve administrative dhe integrimi europian;
  3. Proces të mangët feedback-u në nxjerrjen e mësimeve nga gabimet e kaluara, korrigjimin e tyre në kohë dhe parandalimin e rindodhjes së tyre në ardhmen, duke treguar mungesë përgjegjësie dhe shkaktuar dëme financiare.
  4. Mungesë të burimeve njerëzore të mirë-trajnuar në ministritë e linjës (për shkak se procedurat e rekrutimit të stafit të ri janë të gjata, si dhe largimi i stafit nga puna);
  5. Mungesë të komunikimit dhe koordinimit brenda administratës qendrore, veçanërisht në rastet kur një projekt përfshin më shumë se një përfitues;
  6. Informacion të limituar nga ana e nivelit të lartë drejtues të institucioneve përfituese, lidhur me programimin dhe zbatimin e fondeve IPA;
  7. Ndryshimet në qeveri prekin njerëzit që janë trajnuar tashmë, mbi mbështetjen dhe mekanizmat e mbështetjes së BE-së;
  8. Mungesë të politikave për të motivuar stafin. Për shkak të vështirësive gjatë programimit të projekteve IPA si dhe kërkesave të tregut të brendshëm për shkrim projektesh, stafi i IPA-s në ministritë e linjës ka braktisur administratën publike;
  9. Përfshirje e ulët e grupeve të tjera të interesit, si organizatat e shoqërisë civile dhe stafit të qeverisjes vendore;
  10. Mungesë të përshkrimit të qartë të punës të dedikuar vetëm për programimin e IPA-s. Në shumë raste, ekspertët në ministritë e linjës nuk kanë kohë për t’i dedikuar shkrimit të projektit IPA, për shkak të detyrave të tjera që duhet të përmbushin, etj.
    Mangësitë e mësipërme i përmend, me qëllim që Agjencia e re e krijuar t’i reflektojë në punën e saj, në zbatimin e Projekteve IPA III.
    Ne në Komisionin e Ekonomisë kërkuam informacion për implementimin e projekteve të IPA II. Agjencia e e re SASPAK u tregua korrekte dhe na përcolli informacionin. Sipas këtij informacioni, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, për projektet IPA II 2014-2020, nga 540 milionë euro janë realizuar 45%, në një kohë kur, sipas afateve normale të IPA +2 vjet, këto projekte duhej të ishin realizuar 100%. Këto shifra vërtetojnë të gjitha mangësitë që kam përmendur në fillim.
    Adresimi i duhur dhe sa më parë i këtyre problematikave, do të sillte një rritje të efektivitetit të projekteve ekzistues dhe shtim të stokut të projekt-ideve për ndërhyrje të fondeve IPA në të ardhmen, në dobi të rritjes së imazhit të vendit tonë, si një vend i përgjegjshëm dhe i përkushtuar në rrugën e tij të integrimit, si dhe gjenerues i aftë projekt-idesh të realizueshme, në kuadrin e financimeve nga paratë e taksapaguesve të Bashkimit Evropian, për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.Botuar në Gazeta Sot më dt. 17.09.2022
Hemorragjia në sistemin tonë arsimor

Hemorragjia në sistemin tonë arsimor

Në 12 shtator mijëra nxënës do të ulen në bangat e shkollës. Normalisht atyre u takon urim, por këtë vit në bangat e shkollave shqiptare të arsimit fillor, të mesëm të ulët e të mesëm të lartë do të ulen shumë më pak nxënës nga viti i kaluar. Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri. Këto ndoshta do të ishin katër pika, në të cilat qeveria, por edhe gjithë politika shqiptare duhet të ulet me seriozitetin më të madh e të gjejë një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme e të zbatueshme. Pasi, sipas të dhënave të publikuara edhe në mediet kombëtare (TV KLAN, prej nga janë marrë edhe fotografitë ilustruese) këtë vit në shkollat shqiptare do të ketë 58.000 nxënës më pak krahasuar me 5 vite më parë! Dhe nuk është vetëm rënia natyrore e popullsisë, është edhe shpopullimi për arsye emigrimi, por edhe largimi i të rinjve, që po thellon një plagë 30 vjeçare për shoqërinë tonë! Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm të ulët e të mesëm të lartë, zgjedhin emigrimin në të shumtën e rasteve me familjet e tyre. Varfëria, mungesa e shpresës, papunësia, pamundësia për të përballuar “arsimin falas” në Shqipëri, burokracia, arsimi jo cilësor janë disa nga arsyet që mund të listoj… “Politikat arsimore” të qeverisë së sektit Rama në pushtet kanë 9 vite që vetëm nxisin emigrimin, analfabetizmin dhe analfabetizmin funksional, ndëshkojnë të arsimuarit, vrasin shpresën. Në 9 vite të Edi Ramës në pushtet, mbi 300.000 të rinj dhe mbi 500.000 shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Në 9 vitet në pushtet të sektit Rama, afërsisht 150.000 nxënës braktisën shkollën. Vetëm këtë vit nga 31.000 maturantë, 11.000 kanë aplikuar për të studiuar jashtë shtetit, normalisht nxënësit ekselentë, të cilët shumë shpejt do të pasohen nga familjet e tyre për të mos u rikthyer më në Shqipëri. Dhe kjo shifër rritet vit pas viti, duke treguar se sa besim ka rinia jonë tek arsimi, punësimi, mundësitë që ky sekt në pushtet u krijon atyre… Pavarësisht gjendjes, nxënësve në mbarë Shqipërinë u uroj suksese në rrugën e dijes këtë vit të ri shkollor!

Botuar në Gazeta Sot më dt. 12.09.2022

Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE na takojnë të gjithëve!

Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE na takojnë të gjithëve!

Më 12 qershor 2006, 16 vite më parë, Shqipëria firmoste Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit(MSA). Në periudhën 2006-Në sajë edhe të punës dhe kontributit të Partisë Demokratike gjatë viteve 2006-2012, procesi i integrimit kishte ecur mirë dhe negociatat për anëtarësim mund dhe duhej të ishin hapur që në vitin 2013, 9 vite më parë, kur edhe Bashkimi Evropian ishte gati për ta ndërmarrë atë hap. Në shkurt 2013, Komisioneri i atëhershëm Evropian për Zgjerimin, Stefan Füle, i bëri thirrje opozitës të miratojë tri ligjet e integrimit, si kushtin themelor që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Në vitin 2013, drejtuesi i opozitës së atëhershme, Edi Rama, kryetari i sektit që po ravijëzohej dhe uzurpoi PS dhe pastaj drejtimin e te gjithe vendit, bëri gjithçka për të penguar integrimin dhe për të mos votuar 3 ligjet e paketës së 12 prioriteteve të BE-së, me pretekstin e kryetarit të Qarkut të Fierit! (Vërtet, e mban mend njeri emrin dhe veprat e këtij kryetari qarku?!…).
Puna fillon tani
Më 19 korrik 2022 u çelën zyrtarisht negociatat, pasi 27 vendet anëtare të BE-së votuan unanimisht pro për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ishte një ditë e mirë për të gjithë ne, për Shqipërinë, për realizimin e ëndrrës evropiane të shqiptarëve. Kjo ditë e mirë u prish nga megalomania e Ramës, që nuk ftoi asnjë përfaqësues nga opozita në Konferencën Ndërqeveritare dhe, në adresimin e tij në Bruksel, gjeti momentin të kritikojë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian është institucioni garant i progresit të një vendi që i hapet drita jeshile e bisedimeve për anëtarësim. Ekspertët e tij kanë një eksperiencë të madhe negociatash, të akumuluar në vite përmes qindra e mijëra raundeve të bisedimeve për anëtarësim të dhjetra vendeve që tani janë Shtete Anëtare të BE-së. Komisioni garanton monitorim të rreptë dhe nga shumë afër, të ecurisë së progresit. Gjithëpërfshirja duhet të jetë deviza jonë në procesin e integrimit. Aty ku Acquis(legjislacioni komunitar) do të ketë implementim më të gjerë, opozita, institucionet e pavarura dhe shoqëria civile duhen ftuar në tavolinë. Qeveria nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në pronare e procesit. Nuk funksionon kështu në BE. Acquis, korpusi legjislativ i Bashkimit Evropian përmban 135 mijë faqe. Rreth 70 % e Acquis do të implementohet në nivel vendor. Kërkohet përfshirje më e lartë e institucioneve të pavarura dhe e pushtetit vendor. Ky proces integrues do të jetë tejet i gjatë, sfidues dhe i komplikuar.
Kritizeri i sëmurë i BE-së në Ballkan
Rama nuk e do monitorimin e rrepte dhe t’i tregojnë çfarë duhet bërë për ta merituar anëtarësimin. Ai kërkon ta lënë të lirë të veprojë si të dojë. Prandaj është bërë kritizeri i sëmurë i BE-së në Ballkan. E ka rrëmbyer flamurin e kritizerit, me një synim të qartë, ta lënë të qetë ta qeverisë Shqipërinë si një sulltanat. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Opozita nuk duhet të provokohet dhe kompleksohet nga qëndrimet e Ramës, por të shikojë të zbatojë detyrat e saj në procesin e integrimit.
Natyra e negociatave
Procesi do të jetë shumë i vështirë dhe rruga përpara nesh do të jetë e tatëpjetë. Për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian, duhet që vendet kandidatë të përafrojnë legjislacionet e tyre përkatëse me atë të BE-së, i njohur ndryshe si “acquis comunitaire”. Ky acquis përbëhet nga 35 kapituj apo fusha të ndryshme të cilat përfshijnë politikat monetare, transportin, energjinë, politikat sociale, mjedisin, etj. Ajo që mbetet e rëndësishme për tu theksuar është se secili prej këtyre kapitujve negociohet me vete duke marrë në konsideratë ecurinë dhe progresin e arritur në reformat e ndërmarra. Acquis comunitaire nënkupton bazën ligjore të Bashkimit Evropian, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Ajo përfshin parimet dhe objektivat politike të traktateve; legjislacionin e përshtatur në zbatim të tyre si dhe jurisprudencën e Gjykatës së drejtësisë; deklaratat dhe rezolutat e miratuara në kuadrin e Bashkimit Evropian; aktet e ndryshme të miratuara në fushën e drejtësisë, të çështjeve të brendshme, të politikës së jashtme dhe të sigurisë; marrëveshjet ndërkombëtare të Komunitetit si dhe marrëveshjet e lidhura midis vetë vendeve anëtare në fushat e veprimtarisë së BE-së. Pranimi i «acquis» nga vendet anëtare është parakusht për aderimin e tyre në BE. Kjo gjë nënkupton përshtatjen e legjislacioneve kombëtare me normat e BE-së dhe zbatimin e tyre që në momentin e aderimit. Secili kapitull diskutohet më vete dhe në bazë të situatës ose ecurisë, mund të përcaktohen kritere/standarde të matshme për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull. Këshilli i Evropës dhe vendi qe i jane çelur negociatat analizojnë ligjet kombëtare dhe ato të BE-së, për të përcaktuar dallimet mes të dyjave. Këshilli më pas përcakton hapjen e bisedimeve për ‚kapitujt? e ligjeve, për të cilat mendon se ka një bazë të përbashkët e të mjaftueshme për bisedime. Kështu, bisedimet janë mundësia që vendet qe u jane çelur bisedimet për anëtarësim kanë për të bindur BE-në se administrata e vendit të tyre është e afte dhe e gatshme të zbatojë ligjin Evropian. Kapitulli quhet i mbyllur kur të dy palët kanë rënë dakord se ai është zbatuar mjaftueshëm. Bisedimet për anëtarësim mbahen në Konferenca Ndërqeveritare Dypalëshe midis shteteve anëtare të BE-së, që përfaqësohen nga ministri apo ambasadori në BE i shtetit anëtar që ka Presidencën e BE-së dhe vendit që i janë çelur negociatat, i cili përfaqësohet nga ministri përgjegjës për çështjet e BE-së ose kryenegociatori. Takimet mbahen së paku dy herë çdo gjashtë muaj. Për secilin prej kapitujve, përcaktohen qëndrime të përbashkëta diskutimi. Kur bisedimet dhe reformat shoqëruese kanë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dy palët, Shqipëria mund t’i bashkohet BE-së. Pas mbylljes së bisedimeve për të gjithë kapitujt, rezultatet e bisedimeve vendosen në një traktat anëtarësimi. Sipas rastit, sistemi i masave kalimtare u jep mundësi diskutimeve të mbyllen, edhe nëse nuk është realizuar tërësisht harmonizimi i Acquis.
Elementet e negociatave
Bisedimet për çdo kapitull bazohen në elementet e mëposhtme: Shqyrtimi (në anglisht, “Screening”. Komisioni Evropian, së bashku me vendin që i janë çelur negociatat, kryen një kontroll të hollësishëm të politikave të çdo kapitulli, për të përcaktuar përgatitjen e vendit. Shqyrtimi për çdo kapitull mbahet në dy faza. Faza shpjeguese është faza ku vendi që i janë çelur negociatat mëson rreth kërkesave që duhet të plotësojë. Komisioni Evropian e paraqet “Acquis”, bazuar në një listë aktesh ligjore. Takimet shpjeguese mund të zgjasin nga 1 deri në 9 ditë pune për kapitujt më voluminozë, të tilla si bujqësia apo mjedisi. Shqyrtimi dypalësh është faza ku vendi që i janë çelur negociatat testohet për nivelin e të kuptuarit dhe gatishmërinë e administratës së tij për të plotësuar detyrimet. Vendi shpreh qëndrimin e vet, nëse e pranon ose jo acquis dhe nëse do të mund ta zbatojë atë menjëherë apo në një të ardhme. Ekspertë nga ministritë e linjës, si dhe anëtarët e grupeve të punës paraqesin nivelin e harmonizimit të legjislacionit vendas me Acquis. Gjatë prezantimeve mund të identifikohen probleme të mundshme për zbatimin e Acquis ose Komisioni Evropian mund të kërkojë informacion shtesë në formë të shkruar. Takimet mbahen në Bruksel. Në rastin e Kroacisë, shqyrtimi për të gjithë kapitujt zgjati 1 vit. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni Evropian ia paraqet shteteve anëtare për miratim në formën e një raporti shqyrtimi. Ato përmbajnë rekomandime nëse bisedimet mund të hapen direkt, (procedura e shkurtër) apo do të duhet të plotësohen më parë disa kushte (procedura e dytë). Standardet për hapjen dhe mbylljen e kapitullit, zakonisht i referohen kuadrit ligjor apo strategjik të nevojshëm për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit, ndërsa standardet për mbylljen e një kapitulli i referohen nivelit të zbatimit të legjislacionit të përafruar.
Negociatat na takojnë të gjithëve
Pas konfirmimit nga ana e Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare që standardet e hapjes janë plotësuar, Presidenca e BE-së i dërgon letër shtetit që i janë çelur negociatat, që të paraqesë pozicionin e vet negociues për kapitullin përkatës. I njëjti parim zbatohet edhe kur janë vendosur standarde për hapjen dhe mbylljen e kapitullit, si dhe kur nuk ka standarde shtesë. Përpara fillimit të bisedimeve, vendi që i janë çelur negociatat duhet të paraqesë pozicionin e tij negociues dhe BE duhet të miratojë një qëndrim të përbashkët mbi të. Për përgatitjen e një drafti final të një pozicioni negociues, kërkohet angazhimi i të gjithë ekspertizës dhe burimeve të mundshme; marrja në konsideratë e të gjitha komenteve dhe sugjerimeve për të dhënë një pasqyrë të plotë të të gjitha çështjeve kryesore me interes kombëtar, dhe se si harmonizimi në këtë kapitull do të reflektojë në politikën kombëtare. Kërkohen konsultime jozyrtare me Komisionin Evropian, sidomos nëse standardet për hapjen janë përmbushur. Pozicionet negociuese janë një proces delikat, si në aspektin procedurial, ashtu dhe atë substancial/thelbësor. Ato përgatiten bashkërisht nga anëtarët e grupeve të punës, duke synuar përfshirjen e gjerë të ekspertizës nga administrata publike apo shoqëria civile, përpara se të miratohen përfundimisht nga Qeveria. Pas miratimit të versionit final nga Qeveria, pozicioni negociues i dërgohet Presidencës së Këshillit të BE-së, nëpërmjet Misionit në Bruksel të vendit që i janë çelur negociatat. Ritmi i bisedimeve varet nga shpejtësia e reformave dhe harmonizimit me ligjet e BE-së, prandaj dhe kohëzgjatja e bisedimeve ndryshon dhe nuk ka garanci se kur do të mbyllen. Ja përse bisedimet e anëtarësimit na takojnë të gjithëve dhe në to duhet të përfshihen aktivisht opozita dhe ekspertët e saj, si dhe shoqëria civile dhe ekspertët e saj. Është hapur vërtet një kapitull i ri dhe jemi të gjithë përpara sprovave të mëdha. Opozita dhe Partia Demokratike duhet dhe do ta bëjnë punën dhe pjesën që u takon atyre, për të shkuar dinjitozë e me kokën lart në BE, jo me propagandë boshe, jo me fasada, si ato që propagandon, ngre e ndërton çdo ditë sekti në pushtet. Integrimi na takon të gjithëve si qytetarë. Ai nuk mund dhe nuk do të ngelet peng i kapriçove të Liderit Global.

Botuar ne Gazeta Sot me dt. 23.07.2022

Mendime mbi librin “Ambasadorë amerikanë për shqiptarët”(studime, shkrime, intervista dhe ese mbledhur, përzgjedhur dhe përgatitur nga studjuesi Ramiz Lushaj)

Mendime mbi librin “Ambasadorë amerikanë për shqiptarët”(studime, shkrime, intervista dhe ese mbledhur, përzgjedhur dhe përgatitur nga studjuesi Ramiz Lushaj)

28 korriku i vitit 1922, dita kur Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën marrëdhëniet diplomatike me ne përfaqëson një datë të shënuar në historinë e Shtetit shqiptar. Në Jubileun e 100 Vjetorit të marrëdhënieve diplomatike SHBA-Shqipëri, përmbledhja-kolanë me 6 vëllime e librit “Ambasadorë amerikanë për shqiptarët”, e publicistit, gazetarit dhe intelektualit atdhetar Ramiz Lushaj vjen në kohën e duhur, si një kontribut i rëndësishëm për memorjen tonë kombëtare dhe historike, si dhe si një libër me dokumenta i dobishëm për t’u lexuar.
Është për të ardhur keq, por duhet ta pranojmë se, edhe pse në 110 vite të Shtetit shqiptar është ravijëzuar botërisht se SHBA-të janë aleati ynë kryesor strategjik, trashëgimia e botimeve mbi raportet SHBA-Shqipëri vjen e pakët dhe nga opinioni ynë publik nuk dihet mjaftueshëm për historinë dhe karakteristikat e këtyre relatave, të cilat janë tejet të veçanta, në këndvështrimin historik dhe gjeostrategjik.
Disa autorë dhe studjues janë përpjekur ta mbushin disi këtë boshllek, sikurse studjuesi boshnjak Haris Silajxhiç me veprën madhore “Shqipëria dhe SHBA në arkivat e Uashingtonit”(1999), diplomati i shquar, deputeti i djathtë dhe eskperti i politikave të sigurisë Leonard Demi me monografinë “Shqipëria dhe Diplomacia Amerikane”(2009), studjuesi dhe kulturologu i njohur Ndriçim Kulla me punimin “Marrëdhëniet Shqiptaro-Amerikane, një historik gjithëpërfshirës”(2017), diplomati i mirënjohur Mal Berisha me botimet “Amerikani Charles Telford Erickson- Një jetë kushtuar Shqipërisë”- tre vëllime(2012); “Herman Bernstein, Ambasadori i SHBA në Mbretërinë Shqiptare, 1930-1933”(2014) dhe gazetari e studjuesi Ilir Ikonomi me veprën “Pushtimi: ministri amerikan në Tiranë, Hugh Grant, rrëfen 7 prillin”(2014).
Studjuesi i mirënjohur Ndriçim Kulla në monografinë e tij “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, cilëson se “Dy ambasadorë amerikanë, me detyrë në Shqipëri në vitet tridhjetë të shekullit të kaluar, shkruajtën libra për Shqipërinë, ndërsa një tjetër ambasador amerikan, që ka qenë në Shqipëri përpara Luftës së Dytë Botërore, Post Wheeler, u apasionua aq shumë me vendin, sa mblodhi dhe përktheu në anglisht përralla shqiptare, me të cilat botoi një libër në Amerikë. Më pak se tre dekada pas krijimit të shtetit shqiptar, SHBA-të u kthyen në të vetmin shtet, tre ambasadorë të të cilit kishin shkruar libra për një vend të vogël si Shqipëria”.
Amerikani Charles Telford Ericson, i cili nga qeveria e Kongresit të Lushnjës e vitit 1920 e Sulejman Delvinës u emërua si Ministër Fuqiplotë i Shqipërisë në SHBA, sjell një veçanti në fushë, pasi ka shkruar pesë libra për Shqipërinë.
Libri “Ambasadorë amerikanë për shqiptarët” në 6 vëllime, në fakt është përmbledhja e studimeve, fjalimeve, shkrimeve, intervistave dhe deklaratave të ambasadorëve amerikanë në Shqipëri dhe Kosovë, si dhe të disa personaliteteve të tjera të shquara të politikës, jetës dhe shoqërisë amerikane, të cilën punëtori i palodhur i letrave shqipe, Ramiz Lushaj, Drejtor Ekzekutiv i Qëndres Shqiptare të Studimeve Amerikane e Britanike (ACABS), ia paraqit sot lexuesit shqiptar kudo në botë, sjell një vlerë të shtuar evidente në këtë këndvështrim, për shumë arësye, të cilat po i rendis si më poshtë.

xx

I. E veçanta e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane
Siç pohojnë studjuesit e fushës, marrëdhëniet shqiptaro-amerikane janë të një karakteri shumë specifik. Shumë rrallë ndodh që vendi dhe kombi më i fuqishëm dhe i prosperuar i kohës të jetë ai, i cili t’i ofrojë miqësinë, aleancën dhe të gjithë potencialin e tij një vendi dhe një kombi të vogël, siç është rasti i SHBA-ve me Shqipërinë dhe kombin shqiptar në përgjithësi.
Kjo qasje gati unikale ka gjeneruar specifikën e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane. Një veçanti e farkëtuar përgjatë këtyre 100 viteve marrëdhënie me shume kujdes e pasion, e cila arriti t’i rezistojë edhe cunamit të prerjes së njëanshme dhe të dhunshme të marrëdhënieve diplomatike nga regjimi diktatorial komunist i Tiranës për gati një gjysëm shekulli(1946-1990).
Kjo prirje e SHBA-ve për marrëdhënie speciale me një vend të vogël si Shqipëria dhe një komb të vogël si shqiptarët, si dhe disa momente kulmore kur SHBA-të kanë shpëtuar vetë ekzistencën e Shtetit shqiptar, kanë bërë që tek shqiptarët të lindë një ndjenjë proamerikanizmi shumë e theksuar dhe e thellë.
Këtë ndjenjë e luftoi regjimi komunist i Enver Hoxhës por nuk e zhduku dot, madje, në mënyrë paradoksale, mund të thuhet se e forcoi kundër dëshirës së tij. Shqiptarët e sfiduan antiamerikanizmin e diktatorit të tyre, duke dëgjuar çdo ditë “Zërin e Amerikës”. Fakti që “Zëri i Amerikës” vazhdoi të transmetonte gjatë gjithë kohës së Luftës së Ftohtë në gjuhën e një vendi të vogël si Shqipëria, është tregues i bindjes së thellë që SHBA-të kishin se shqiptarët e izoluar do të mbeteshin proamerikanë.
Në çdo kohë të vështirë të shqiptarisë, patriotët dhe qytetarët shqiptarë nga të gjitha viset e Shqipërisë etnike kanë përsëritur devizën e Fan Nolit të madh:”Mbahu Nëno, mos ki frikë/ se ke djemtë në Amerikë!”. Dhe realisht, zhvillimi i Shqipërisë, Kosovës dhe trojeve të tjera shqiptare në Ballkan, si dhe problematikat e çështjes shqiptare në rajon kanë gjetur gjithnjë mbështetje dhe një avokati të pashembullt nga patriotët shqiptaro-amerikanë të SHBA-ve, nënshtetas amerikanë, të cilët kanë përbërë ambasadorin më të mirë të kombit shqiptar në Amerikë.
Edhe pse diktatori Hoxha e nxiti për një gjysmë shekulli antiamerikanizmin në Shqipëri, kur erdhi dita të provohet se sa vend kishte zënë te shqiptarët kjo nxitje, u verifikua katërcipërisht në të kundërtën e saj në ditën e vizitës së Sekretarit Amerikan te Shtetit James Baker në Shqipëri, në qershor 1991, ku mbi treqind mijë vetë u derdhen në rrugët e Tiranës dhe në sheshin Skenderbej, duke brohoritur me ovacione “Baker, Baker!”. Vizita u shndërrua në një referendum mbarëpopullor për qëndrimin e shqiptarëve ndaj SHBA-ve dhe gjithë bota e konstatoi se, edhe pse me marrëdhënie diplomatike të prera dhunshëm për gati një gjysëm shekull nga diktatura komuniste, shqiptarët ishin dhe mbeten ndër popujt më pro-amerikanë të botës.
Përfaqësuesit e lartë të SHBA-ve në Shqipëri në këto vite konfirmojnë se “Gjatë tridhjetë viteve të shkuara, marrëdhëniet SHBA-Shqipëri kanë përparuar dhe janë rritur. Shtetet e Bashkuara kanë qenë një partner i fortë, aleate dhe mike e Shqipërisë teksa Shqipëria forcon demokracinë e saj, hap ekonominë dhe ofron mundësi për të gjithë njerëzit e saj. Shtetet e Bashkuara mbështesin synimin e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian, siç bënë edhe kur mbështetën kërkesën e Shqipërisë për anëtarësim në NATO. Si një Aleate e çmuar e NATO-s, Shqipëria ka treguar qëndrueshmëri dhe përkushtim ndaj partneritetit tonë të sigurisë – kudo në botë. Jemi krenarë të qëndrojmë si aleatë të NATO-s bashkë me Shqipërinë”.

xx

II. Pak histori mbi marrëdhëniet SHBA-Shqipëri
Themelet e marrëdhënieve shqiptaro-amerikane kanë nisur të ndërtohen shume vite përpara krijimit të shtetit shqiptar dhe përpara se sa SHBA-të të nisnin të ndërhynin në Europë në Luftën e Parë Botërore më 1917.
Më 1 qershor 1880, gazeta prestigjoze amerikane “New York Times” shkruante “Evropa ka krijuar një principatë për bullgarët; Serbia e Mali i Zi janë bërë të pavarura dhe e kanë shtuar territorin e tyre; për këtë shqiptarët të cilët kanë qenë të lirë dhe të pavarur para shumë shekujsh, kanë të drejtën të krijojnë shtetin e tyre”.
Në vitin 1908 në Shqipëri vjen Charles Telford Ericson, një publicist, diplomat dhe gazetar i shquar amerikan, i cili, pasi njohu mirë Shqipërinë dhe shqiptarët, duke i quajtur “zambaku i Ballkanit”, u bë amerikani i parë që punoi për pavarësinë e Shqipërisë nga Turqia. Në shumë shkrime, në gazetat amerikane dhe angleze, që nga mbërritja në Shqipëri e deri më 1913, Ericson i bëri jehonë sjelljes së papërgjegjshme të Europës ndaj Shqipërisë, por edhe masakrave të Serbisë dhe Greqisë ndaj popullsisë shqiptare.
Në vitin 1914, kur Shqipëria ishte shtet nën kujdestarinë e gjashtë fuqive të mëdha europiane, dhe midis vendeve kujdestare nuk ishte SHBA, ministri fuqiplotë(ambasadori) amerikan në Greqi, George Fred Williams, i cili mbulonte përkohësisht edhe shtetin e ri shqiptar, u urdhërua nga Washingtoni që të bënte një udhëtim në Shqipëri. Ambasadori Fred Williams e kreu udhëtimin, duke shkruar librin e njohur “Shqiptarët(The Shkypetars)”. Në libër ai thekson:”Kur më në fund Turqia u copëtua, Europa u vërsul mbi këtë popull heroik dhe i shkëputi disa nga pjesët më të mira të territorit të tij dhe më tej mori përsipër t’i impononte një qeveri aq despotike nga natyra, sa edhe vetë Porta e Lartë nuk do ta kishte parafyturuar. Në vend të kartës së lirisë, Europa solli një princ, një komision dhe një polici për qeverisjen e Shqipërisë, pa e vrarë mendjen se ky popull duhet ta ketë një zë në qeverinë e vet. Ishte kjo tirani e pastër, deri në palcë dhe ndërkohë Amerka heshtte, sepse populli amerikan akoma nuk i di faktet që sot e kam marrë penën për t’i shpalosur para tij për historinë e dhimbshme të shqiptarëve trima, të cilët luten për lirinë dhe pavarësinë për vete, për fëmijët e tyre dhe fëmijët e fëmijve… Që Europa e ka marrë më qafë mizorisht Shqipërinë, kjo as që mund të vihet në diskutim, por që të ndreqen këto gabime duhet drejtësi. Shqiptarët mund të kërkojnë nga Europa jo vetëm drejtësi, por edhe reparacione. Europa e krishterë mban përgjegjëi për skllavërimin dhe varfërimin e këtij populli të pafajshëm”.
Kulmi i parë i madh i marrëdhënieve SHBA-Shqipëri ishte kontributi i Presidentit amerikan Tomas Woodrow Wilson për shpëtimin e pavarësisë së Shqipërisë dhe vetë ekzistencës së shtetit shqiptar në vitet 1919-1920. Ishte Wilson, i cili në Konferencën e Paqes në Paris 1919, duke shpalosur doktrinën e tij të vetëvendosjes së popujve, mbështeti fuqimisht rikonfirmimin e pavarësisë së Shqipërisë, e cila në realitet në ato momente ishte një pavarësi e humbur! Ishte vetoja e fuqishme dhe unikale e Wilson, që shkatërroi planet e Serbisë, Greqisë dhe Italisë së kohës, për të eliminuar dhe fshirë nga harta Shtetin shqiptar. Është kuptimplotë të lexosh sot, pas 103 vjetësh, atë që Wilson tha ato ditë qershori 2019 në Paris: “Amerika e ka për detyrë të pranojë thirrjet e shqiptarëve, të cilët kërkojnë ndihmë, njëlloj sikurse kapiteni i anijes e ka për detyrë t’i përgjigjet sinjalit “SOS” dhe t’i afrojë ndihmë anijes që po mbytet”.
Ajo që kanë bërë SHBA-të për Kosovën në vitin 1999 është e njohur botërisht, por 80 vjet më parë se SHBA të çlironin Kosovën, në vitet pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, ato kishin si partner Komitetin “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës”, i cili vepronte në Shqipëri, për të shpërndarë ndihmat humanitare amerikane te refugjatët shqiptarë të Kosovës, të ardhur në Shqipëri për shkak të masakrave serbe.
Interesi i SHBA-ve për Shqipërinë, pas Konferencës së Paqes në Paris 1919-1921, mori një dimension shumë të thellë, të fortë dhe të gjerë, deri në vendosjen e marrëdhënieve diplomatike në
28 korrik 1922. Ambasadorët amerikanë, fjalimet, shkrimet dhe studimet e të cilëve i sjell me referenca të plota dhe një përzgjedhje të kujdesshme përmbledhja e Ramiz Lushaj, janë dëshmitarë të interesit në rritje dhe të jashtëzakonshëm të SHBA-ve ndaj Shqipërisë.
Diplomacia dhe qeveria e SHBA-ve i dha prioritet këtyre marrëdhënieve me Shqipërinë, nëpërmjet një sërë vendimesh, të tilla si akordimi i statusit të kombit më të favorizuar më 28 dhjetor 1925, heqja e vizave me Shqipërinë, marrëveshja e ekstradimit dhe ndërtimi i godinës së ambasadës amerikane në Tiranë, me vendimin e 21 gushtit 1926, e para godinë që Departamenti i Shtetit ndërtonte jashtë SHBA-ve deri në atë kohë. Të gjitha këto vendime dëshmonin për vizionin e qartë dhe perspektivën e marrëdhënieve të SHBA-ve me Shqipërinë.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës ishin i pari shtet në botë që denoncuan pushtimin e Shqipërisë nga Italia fashiste më 7 prill 1939! SHBA-të, ende asnjanëse në atë kohë ndaj luftës, bënë çmos ta ekspozonin dhe dënonin aktin e pushtimit.

xx

III. Profili i lartë i përfaqësuesve të Shtetit amerikan në Shqipëri dhe Kosovë
Sikurse i referohet studjuesi Ndriçim Kulla në librin “Marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, “Ambasadorët amerikanë të emëruar në Shqipëri kanë qenë gjithmonë personalitete me cilësi të larta profesionale dhe me profil të shquar në shoqëri, mbi nivelin e ambasadorëve që SHBA-të dërgojnë zakonisht në vende të përmasave të Shqipërisë”.
Profilin më të plotë të ambasadorëve amerikanë në Shqipëri dhe Kosovë e sjell punimi i hulumtuesit të talentuar Ramiz Lushaj “Ambasadorë amerikanë për shqiptarët”, vëllimi i parë.
Materialet në këtë vëllim të parë dëshmojnë se ekipi diplomatik i 19 ambasadorëve amerikanë dhe të ngarkuarve me punë në Shqipëri në këto 100 vite marrëdhënieve diplomatike dhe ai i 6 ambasadorëve amerikanë dhe të dërguarit special në Kosovë përfaqësojnë, në shumicën dërrmuese të rasteve, jo vetëm diplomatë karriere, por edhe personalitete që i kanë dhënë shumë vendit të tyre, përpara se të vinin në Shqipëri e Kosovë, që kanë shkëlqyer në kryerjen e detyrës në vendet tona, por edhe që kanë ndjekur një karriere të suksesshme, pas largimit nga Shqipëria dhe Kosova.
19 ambasadorët amerikanë dhe të ngarkuarit me punë në Shqipëri

  1. Pas lidhjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA në vitin 1922, i pari përfaqësues diplomatik amerikan në cilësinë e të ngarkuarit me punë ishte Maxuell Black, i cili mbante njëkohësisht detyrën e konsullit amerikan në qytetin Tangier të Marokut. Ai përfaqesonte një nga diplomatët më të rëndësishëm amerikanë në botë në atë kohë. Black, tre vite pas ardhjes në Shqipëri, do të rikthehej në detyrën e Konsullit të Përgjithshëm në Marok, të cilën do ta mbante për 15 vite deri në 1940.
  2. Ambasadori Ulysses Grant-Smith, ministri i parë fuqiplotë amerikan në Shqipëri, i cili qëndroi në detyrë nga 4 dhjetori 1922 deri në 8 shkurt 1925, mbante një emër historik, duke qenë nipi i komandantit të famshëm ushtarak të Unionit të Veriut në Luftën Civile Amerikane dhe më pas President i SHBA, Ulysses Grant. Z. Grant-Smith ishte një diplomat karriere, i ngarkuar me punë në Danimarkë dhe në 1919 komisioner amerikan në shtetin e porsakrijuar të Hungarisë, me detyrë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike. Pas largimit nga Shqipëria, ai shkoi si ministër fuqiplotë në Uruguaj, një vend i Amerikës Latine, ku SHBA kishin interesa të rëndësishme.
    Gjatë vitit 1922, misionit amerikan në Shqipëri i bashkohet edhe Charles Telford Ericson, pasi në vitet 1919-1920 u zgjodh delegat nderi në Konferencën e Paqes në Paris nga Vatra, Federata Panshqiptare e Amerikës dhe nga qeveria e përkohshme e Shqipërisë e Sulejmand Delvinës.
    Ericson veproi si Ministër Fuqiplotë(komisioner special) i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara në vitet 1920-1921 dhe, nga viti 1922 deri në vitin 1923, ndihmoi stafin diplomatik në Ambasadën Amerikane në Tiranë. Ai i propozoi Fan Nolit dhe Ahmet Zogut ngritjen e shkollave profesionale për djem dhe vajza, veçanërisht për bujqësinë. Në vitin 1925 u hapën shkollat me emrin “Shkollat Shqiptaro-Amerikane të Bujqësisë” në Golem të Kavajës. Erickson punoi atje si drejtor shkolle deri në vitin 1937.
  3. I treti përfaqësues diplomatik amerikan në Shqipëri ka qenë Charles T. Hart, një emërim politik i Presidentit Coolidge, dy muaj pasi kishte ardhur në Shtëpinë e Bardhë. Hart qëndroi në Shqipëri me detyrën e Ministrit Fuqiplotë nga 1 gushti 1925 deri në 12 dhjetor 1929.
  4. Herman Bernstein, ishte edhe ai një emërim politik i Presidentit republikan Herbert Hoover, në 17 shkurt 1930. Ndërkohë, Bernstein ishte dhe një gazetar dhe shkrimtar hebre shumë i njohur amerikan dhe më gjerë, mik personal i Presidentit Hoover. Kur presioni italian ndaj Shqipërisë u rrit shumë në vitin 1934, Bernstein botoi në gazetën New York Times shkrimin me titull: “Shqipëria e vogël është pengu i një loje të madhe diplomatike”. Bernstein është ndër amerikanët më të shquar që kanë ardhur me detyrë diplomatike në Shqipëri.Përfaqësuesi i pestë diplomatik amerikan në Shqipëri ishte Post Wheeler, një diplomat karriere. Ai u emërua nga Presidenti Roosevelt në 26 gusht 1933. Kur erdhi në Shqipëri, ai kishte 27 vjet karrierë diplomatike në detyra të rëndësishme, si Sekretar i Dytë i Ambasadës Amerikane në Japoni.
  5. Përfaqësuesi i pestë diplomatik amerikan në Shqipëri ishte Post Wheeler, një diplomat karriere. Ai u emërua nga Presidenti Roosevelt në 26 gusht 1933. Kur erdhi në Shqipëri, ai kishte 27 vjet karrierë diplomatike në detyra të rëndësishme, si Sekretar i Dytë i Ambasadës Amerikane në Japoni.
  6. Përfaqësuesi i gjashtë amerikan në Shqipëri ishte Hugh Gladney Grant, një emërim politik i Presidentit Roosevelt më 9 gusht 1935. Ai është i vetmi përfaqësues diplomatik amerikan në Shqipëri, i cili është larguar nga detyra, i detyruar nga një shtet i huaj që pushtoi Shqipërinë. Kur Italia pushtoi Shqipërinë në prill 1939, qeveria kolaboracioniste e Tiranës, me urdhër të Romës ia hoqi statusin diplomatik z. Grant në 5 qershor 1939. Por z. Grant e zgjati periudhën e qëndrimit që lejohet në këto raste për mbylljen e Legatës deri në 16 shtator të atij viti. Ai u largua nga Shqipëria në 26 shtator të atij viti. Për qëndrimin e tij në Shqipëri, veçanërisht për periudhën e fundit pas pushtimit italian, Grant ka botuar edhe një libër me kujtime, libri i tij i dytë për Shqipërinë, i shqipëruar nga studjuesi Ilir Ikonomi. Pas largimit nga detyra, Grant u emërua në 1940 me detyrën e ministrit fuqiplotë amerikan në Tailandë.
  7. Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, në përgjigje të kërkesës që i bëri qeveria shqiptare SHBA-ve për vendosje të marrëdhënieve diplomatike, qeveria amerikane, sipas protokollit të saj, vendosi të dërgojë në Shqipëri një mision diplomatik vëzhgues, të ngjashëm me atë që ishte dërguar në 1922. Më 7 prill 1945, Sekretari i Departamentit të Shtetit emëroi diplomatin Joseph E. Jacobs me detyrën e shefit të misionit vëzhgues diplomatik amerikan në Shqipëri. Jacobs erdhi në Shqipëri në 8 maj të atij viti dhe qëndroi deri në tetor 1946.Gjatë kësaj kohe, Harry Fultz, amerikani më i madh që ka punuar dhe jetuar tek ne, rikthehet në Shqipëri, si anëtar i një misionit zyrtar amerikan, pas një mungese prej më shumë se 10 vitesh. Ai u shoqërua nga vajza e tij Joan. Pesë vjet më vonë, ata të dy botuan një libër me vjersha të titulluar «Lines to Illyria» (Vargje për Ilirinë) i cili u shkrua gjatë qëndrimit të tyre në vend.
  8. Më 10 tetor 1946, detyrën e shefit të misionit amerikan në Shqipëri e mori George D. Henderson, i cili e mbajti këtë detyrë deri në 14 nëntor kur misioni amerikan u largua nga Shqipëria.
  9. Ambasada Amerikane në Tiranë u rihap më 1 tetor 1991 nga Christopher R. Hill, që mbante detyrën e të ngarkuarit me punë të SHBA në Shqipëri. Viti 1991 ishte viti jo vetëm i një fillimi të ri në marrëdhëniet dypalëshe, por edhe një vit i kthesës së madhe për zhvillimin e Shqipërisë si vend demokratik dhe partner serioz e besnik i SHBA-ve.Christopher Hill më vonë do të bëhej një diplomat i njohur në rang botëror, si një nga tre negociatorët në Konferencën e Rambouillet në 1999 dhe si negociatori amerikan në bisedimet për çështjen e armëve bërthamore me Korenë e Veriut. Ai sot shërben si ambasador i SHBA-ve në Serbi. Megjithëse Hill pas ardhjes së ambasadorit tek ne, u bë sekretar i parë i ambasadës, ai pati faktikisht një rang më të lartë, të një lloj bashkë-ambasadori.Në vitin 2016, Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani vlerësoi Ambasadorin Christopher R. Hill me dekoratën më të lartë për një të huaj “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, me rastin e 25-vjetorit të rihapjes së Ambasadës së SHBA-vë në Tiranë.
  10. Me rivendosjen e marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë dhe SHBA në 15 mars 1991, në maj 1991 erdhi në Shqipëri William E. Ryerson, me detyrën e komisionerit amerikan në Shqipëri, në mënyrë të ngjashme siç ishte vepruar në 1922. Ryerson kishte mbajtur detyrën e konsullit në shumë vende, duke qenë një veteran i shërbimit konsullor amerikan në botë. Ryerson përgatiti vizitën e Sekretarit të Departamentit të Shtetit, James Baker, në Tiranë, në qershor 1991. Më 21 dhjetor 1991, ai paraqiti kredencialet si ambasador i SHBA-ve në Shqipëri dhe vazhdoi aktivitetin e tij si ambasador deri në vitin 1994.
  11. Pasuesi i Ryerson ishte në vitin 1994 Joseph E. Lake, një diplomat me përvojë që kishte qenë Sekretar i Dytë në Tailandë, Sekretar i Parë dhe Zv/Ambasador në Bullgari, si dhe Drejtor i Qendrës së Operacioneve në Departamentin e Shtetit. Pas largimit nga Shqipëria, Lake u emërua Zëvendës-Asistent i Sekretarit të Departamentit të Shtetit për Menaxhimin e Informacionit.
  12. Mariza R. Lino ishte një diplomate karriere, e para ambasadore amerikane femër në Shqipëri. Ajo e mori detyrën më 4 shtator 1996. Pas largimit nga Shqipëria në vitin 1999, ka mbajtur detyra të rëndësishme, si këshilltare për çështjet ndërkombëtare e Sekretarit të Homeland Security (Ministria e Punëve të Brendshme e SHBA) dhe ne vitin 2007 si Asistente për Çështjet Ndërkombëtare e Sekretarit të Departamentit të Shtetit.
  13. Pas largimit të parakohshëm të Linos, në Shqipëri erdhi për disa muaj si i ngarkuar me punë një diplomat karriere i rëndësishëm amerikan, James W. Pardew. Ai kishte qenë anëtar i ekipit negociator të kryesuar nga Richard Holbrooke në Konferencën e Daytonit dhe në kohën që erdhi në Shqipëri, mbante detyrën e zëvëndësit të këshilltarit special të Presidentit Clinton dhe Sekretares së Shtetit, Madeleine Albright për Ballkanin.
  14. Më 8 shtator 1999, si ambasador erdhi Joseph Limprecht, një diplomat karriere. Postet e tij përfshinin shërbimin si këshilltar për sigurinë publike në misionin e SHBA-së në Berlin nga viti 1985 deri në 1988 dhe drejtimin e operacioneve kundër narkotikëve në Islamabad, Pakistan deri në vitin 1991. Në vitet 1992-1997, Limprecht shërbeu si zëvendësdrejtor i Zyrës së Izraelit dhe Çështjeve Arabo-Izraelite. Ndërsa kryente detyrën e ambasadorit në Shqipëri, ai u nda nga jeta më 19 maj 2002.
  15. Më 22 tetor 2002 vjen në Shqipëri si ambasador James F. Geffrey, një diplomat i kompletuar dhe ndër më influentët e kohës në diplomacinë amerikane. Ai u largua përpara mbarimit të afatit më 2 maj 2004, për shkak se mori një detyrë shumë të rëndësishme, atë të të ngarkuarit amerikan për të bërë kalimin e zyrës amerikane në Irak, nga Autoriteti i Përkohshëm i Okupimit të Irakut në Ambasadë, ku ai u emërua zëvëndësambasador. Në 2006, ai u bë këshilltar special për Irakun i Sekretarit të Departamentit të Shtetit. Më pas Geffrey u bë ambasadori amerikan në Irak(2008-2010), ku ishte ambasada amerikane më e madhe në botë, me 16 mijë punonjës dhe me një buxhet prej 6 miliardë dollarë. Geffrey është i vetmi nga përfaqësuesit diplomatikë amerikanë që kanë qenë me detyrë në Shqipëri, që ka fituar titullin më të lartë diplomatik që jepet në SHBA, atë të Ambasadorit të Karrierës, në vitin 2010, në moshën 64 vjeç. Ai është gjithashtu i vetmi nga ambasadorët amerikanë në Shqipëri, që nga mbajtur një detyrë të lartë në stafin e një presidenti amerikan, atë të Zëvendës-Këshilltarit për Sigurinë Kombëtare, në vitet 2007-2010.
  16. Më 20 tetor 2004, Marcie B. Ries, një diplomate karriere merr detyrën si Ambasadore në Shqipëri. Ajo e la postin përpara kohe, më 16 qershor 2007, pasi mori një detyrë mjaft të lartë diplomatike në ambasadën amerikane në Irak, si Ministër-Këshilltar për çështjet politiko-ushtarake. Gjatë mandatit të saj, Shqipërinë e vizitoi më 10 qershor 2007 për herë të parë një president i SHBA-ve, Presidenti George W. Bush, i cili i siguroi shqiptarët se aspirata e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO ishte në prag të përmbushjes së saj dhe se mbështetja e Uashingtonit për pavarësinë e Kosovës ishte e palëkundur, pavarësisht kundërshtimit të fortë nga Rusia.
  17. Pasuesi i saj në postin e ambasadorit në Shqipëri u bë më 27 gusht 2007 John Lovelle Withers II, diplomat karriere. Para se të vinte në Shqipëri, ai kishte mbajtur detyra të rëndësishme për një diplomat, si desk officer për çështjet kineze në Departamentin e Shtetit (1986-1988), zyrtar politik (political officer) në Moskë (1991-1993), në kohën e shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik, Drejtor i Zyrës për Çështjet e Europës Qendrore dhe Veriore në Departamentin e Shtetit (2001-2002) dhe Drejtor i Qendrës së Operacioneve në Departamentin e Shtetit (2003-2005).
    Gjatë shërbimit të Withers në Shqipëri, vendi ynë u anëtarësua në NATO në vitin 2008, meritë edhe e orientimit euroatlantik që Partia Demokratike e Shqipërisë i dha politikës shqiptare pas vitit 1991 dhe e drejtuesve të lartë të Shtetit të asaj kohe, Presidentit Prof. Dr. Bamir Topi dhe Kryeministrit Prof. Dr. Sali Berisha.
  18. Më 1 korrik 2010, Presidenti Obama emëroi ambasador në Shqipëri Alexander Arvizu, një diplomat karriere. Përpara se të vinte në Shqipëri, ai mbajti detyra diplomatike me rëndësi, si zëvendësambasdor në Kamboxhia (2000-2003) dhe Tailandë (2004-2007). Në shkurt 2015, Arvizu u emërua zëvendës i Asistentit të Sekretarit të Departamentit të Shtetit për Byronë e Çështjeve Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjeve.
  19. Ambasadori pasardhës Donald Lu paraqiti letërkredencialet e tij më 13 janar 2015. Përpara se të merrte postin në Shqipëri, ai mbajti disa detyra të rëndësishme, si Zv/Ambasador në Indi, në Azerbajxhan dhe Kirgizizistan. Pasi u largua nga Shqipëria në vitin 2019, Lu caktohet ambasador në Kirgizizistan dhe më 19 shtator 2021 merr një detyrë shumë të lartë, si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Azinë. Ky është posti më i lartë që një ish-ambasador në Shqipëri ka mbuluar deri tani.
  20. Në këtë 100 Vjetor të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike, në postin më të lartë të Ambasadës së SHBA-ve në Tiranë vazhdon zonja Juri Kim, ambasadorja e tretë femer e SHBA-ve në Shqipëri, e votuar nga Senati Amerikan më 19 dhjetor 2019. Përpara se të vinte këtu, ajo ka sherbyer si Drejtor i Qendrës për Studimin e Diplomacisë në Departamentin e Shtetit, Shef i Kabinetit të Zëvendës Sekretarit të Shtetit Blinken dhe Drejtor i Zyrës së Sigurisë Evropiane dhe Çështjeve Politiko-Ushtarake.

xx

6 ambasadorët amerikanë dhe i dërguari special në Kosovë

  1. Edhe pse nuk ka patur detyrën e ambasadorit në Kosovë, në vitet 1998-1999, Christopher Robert Hill, si i Dërguari i Posaçëm i Presidentit Klinton në Kosovë, i shërbeu fort asaj. Sot ai
    është ambasador i Shteteve të Bashkuara në Serbi. Hill shërbeu si ambasador i SHBA-së në Maqedoni nga viti 1996 deri në 1999, ambasador në Poloni nga 2000 deri në 2004 dhe ambasador në Republikën e Koresë nga 2004 deri në 2005, përpara se sa të emërohej si Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet e Azisë Lindore dhe Paqësorit.
  2. Christopher Dell, diplomat i karrierës. Ishte Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i SHBA në Kosovë, i emëruar më 13 korrik 2009, i paraqiti Letrat Kredenciale më 24 gusht 2009, e përfundoi misionin e tij diplomatik më 9 gusht 2012. Më herët, ishte Ambasador i SHBA në Angola dhe në Zimbabve.
  3. Tracey Ann Jacobson, diplomate e karrierës në Shërbimin e Jashtëm të SHBA. Ambasadore e SHBA në Kosovë, e emëruar më 2 prill 2013, i paraqiti Letrat Kredenciale më 21 gusht 2012 dhe u largua nga detyra më 10 gusht 2015. Ka shërbyer si Ambasadore e SHBA në Turkmenistan, Taxhikistan, si pasi u largua nga Kosova, ushtroi detyrën si Ndihmës Sekretare e Shtetit për Çështjet e Organizatave Ndërkombëtare (2017). Doli në pension, por u rikthye në detyrë aktive më 2021, si Drejtoreshë e Departamentit të Shtetit të Task Forcës së Afganistanit.
  4. Gregory F. Delawie, diplomat i karrierës. Ambasador i Jashtëzakonshëm e Fuqiplotë i SHBA në Kosovë: i emëruar më 29 korrik 2015, i paraqiti Letrat Kredenciale me 21 gusht 2015 dhe u largua nga misioni diplomatik me 20 shtator 2018. Ka shërbyer Zv/Shef i Misionit në Ambasadën Amerikane në Kroaci dhe Gjermani.
  5. Philip Scott Kosnett është ambasadori i pestë i SHBA në Kosovë (2018-2021); u emërua në korrik 2018 nga Presidenti Amerikan Donald Tramp dhe u konfirmua nga Senati Amerikan në shtator 2018. Filloi detyrën në Prishtinë më 27 nëntor 2018 dhe u largua më 17 shtator 2021. Më herët, ambasadori Kosnet ishte Zv/Ambasador dhe i Ngarkuar me Punë i SHBA në Turqi (2016-2018).
  6. Jeffrey M. Hovenier është ambasadori aktual në Kosovë. Gjatë gjithë karrierës së tij mbi 30-vjeçare dhe në funksione të ndryshme, ambasadori Hovenier ka përfaqësuar prioritetet dhe angazhimet strategjike të SHBA-së për Kosovën dhe Ballkanin Perëndimor. Në vitin 1999, ndërsa shërbente në misionin e SHBA-së në OSBE, ai ishte anëtar i delegacionit të SHBA-së në Procesin e Rambuje-së. Në vitin 2001, ai shërbeu si negociatori kryesor i SHBA-së për Ministerialin e OSBE-së në Bukuresht dhe Marrëveshjen për Stabilitetin sipas Nenit V të Dejtonit, si dhe përfaqësoi Shtetet e Bashkuara në Forumin Politiko-Ushtarak të OSBE-së për Bashkëpunimin e Sigurisë.
    Sikurse e thekson edhe Lushaj në librin e tij, faqe 298, në Prishtinë, më 21 janar 2022, Hovenier angazhohej se “ekipi im dhe unë do të vazhdojmë të avokojmë për interesat dhe vizionin tonë të përbashkët: -një Kosovë plotësisht të angazhuar dhe të integruar në rajon dhe në institucionet evropiane dhe euro-atlantike, me marrëdhënie të përmirësuara, të normalizuara me fqinjët e saj; -një Kosovë me institucione publike të qëndrueshme, të besueshme dhe efi kase që ofrojnë shërbime, ndajnë drejtësi, i mbrojnë të drejtat dhe liritë e të gjithë kosovarëve; dhe -një Kosovë me ekonomi të qëndrueshme, dinamike që tërheq investime, mbron mjedisin dhe mban në vend talentin inovativ”.

xx

IV. Harry Fultz: Ambasadori i padekretuar i SHBA-ve në Shqipëri
Këtë parathënie modeste të librit “Ambasadorë amerikanë për shqiptarët”, me përmbledhje të shkrimeve dhe diskutimeve të ambasadorëve amerikanë, të përgatitur nga studjuesit dhe hulumtuesi i palodhur Ramiz Lushaj, dëshiroj ta mbyll me portretin e një amerikani të madh, Harry
Fultz-it(1888-1980), Ambasadorit të padrekretuar të SHBA-ve në Shqipëri, të sjellë në libër në faqet 109-112, përmes një profili të mrekullueshëm të skicuar nga ish-nxënësi i tij, Anton Logoreci(1910-1990).
Logoreci, një nga figurat e shquara të emigrimit shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar, shkrimtar, diplomat, publicist dhe gazetar shumëvjeçar në BBC, shkruan: “Pothuajse të gjithë e njohin Harry Fultz, ish Drejtor i Shkollës Teknike Amerikane në Tiranë… Shumë vetë, po ashtu dhe unë, i kemi borxh një mirënjohje të madhe. Me të vërtetë mund të themi që ai ka bërë më shumë se çdo intelektual tjetër për t’i dhënë formë zhvillimit arsimor dhe kulturor të Shqipërisë në periudhën midis dy luftrave boterore. Ai ishte në gjendje të arrinte këtë sepse kombinoi shumë cilësi të shquara. Energjia e tij ishte e tillë që gjatë 12 vjetëve që kaloi në këtë vend bëri punën e shumë njerëzve. Shumanshmëria e tij ishte po aq e madhe sa edhe energjia e tij. Përveç se ishte një mësues i madh dhe frymëzues, ai ishte edhe një administrator i aftë, inxhinier, mjeshtër për tregti dhe artizanat. Shkurt ai ishte një shembull i shkëlqyer i njeriut të mendimit dhe veprimit…, duke krijuar një shkollë, e cila në fund ishte një nga institucionet më të mira të llojit të saj në Ballkan”.

xxx

Nëse një ditë në një nga malet e Shqipërisë ose të Kosovës, do të arrijmë të gdhendim në gur profilet e katër Presidentëve Amerikanë që i kanë dhënë më shumë kombit shqiptar, njëlloj si kanë bërë amerikanët me baballarët e tyre të kombit në malin Rushmore (Presidentët George Washington (1732–1799), Thomas Jefferson (1743–1826), Theodore Roosevelt (1858–1919) dhe Abraham Lincoln (1809–1865), në malet tona duhet të përjetësohen profilet e Presidentëve Woodrow Wilson(1913-1921), George H.W. Bush (1989-1993), Bill Klinton (1993-2001) dhe George W. Bush (2001-2009), si figurat politike amerikane që garantuan mbijetesën e Shtetit shqiptar, i dhanë pavarësinë Kosovës dhe sigurinë Shqipërisë me anëtarësimin në NATO.

Lexim të mbarë!

Bujar Leskaj

Keqmenaxhimi i rëndë i KESH (prill 2021-prill 2022)

Keqmenaxhimi i rëndë i KESH (prill 2021-prill 2022)

Botuar në Gazeta Sot më dt 30.04.2022.
Qytetarët qartazi konstatuan se tre-katër javë më parë u cenua siguria kombëtare në furnizimin me energji elektrike, kur dolën mbi ujë gërmadhat e Kukësit të Vjetër në Liqenin e Fierzës. Ky bazën në atë kohë ishte vetëm 8 metra mbi pikën e vdekjes, pikë ku turbinat e Fierzës nuk arrijnë të punojnë.
I.Në dorë të Zotit…
Për shkak të keqmenaxhimit të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, kësaj pasurie kyçe kombëtare, kjo kaskadë në ditët e para të prillit 2022 duhej të ishte plot, por kishte nivelin e ujërave që zakonisht ka në mes të gushtit! Na ndihmoi Zoti që na solli dy javë me shira të njëpasnjëshme, por jo gjithnjë do të na ndihmojë Zoti.
Për këtë situatë, duhen analizuar dhe identifikuar fajtorët dhe fajtori kryesor është menaxhimi skandaloz i kompanisë shtetërore sha Korporata Energjitike Shqiptare(KESH). Ne mund të përballonim shumë më lehtë krizën botërore energjetike sot, nëse nuk do të ishte për keqmenaxhimin e kompanive publike të sektorit energjitik, në radhë të parë të KESH.
Rrënimi financiar i sektorit energjetik nuk është pasojë e krizës aktuale të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por frut i një keqmenaxhimi afatgjatë të kompanive publike. Të dhënat zyrtare tregojnë se në pesë vitet e fundit 2017-2021, borxhi i tre kompanive publike të energjisë (KESH, OSHEE dhe OST) u rrit me 67.4 përqind.
Në vitin 2017, borxhi total që KESH, OSHE dhe OST kishin ndaj njëra tjetrës ose palëve të treta ishte 617 milionë euro. Në fund të vitit 2019, shifra kërceu në 910 milionë euro dhe në fund të vitit 2021, edhe pse ende shifrat zyrtare mungojnë, përllogaritet të ketë kaluar shifrën një miliardë euro.
II.Shkelje flagrante e ligjit.
Keqmenaxhimi i rëndë i KESH ka nisur në maj 2021, për të arritur në nivelet skandaloze ku është sot. Në muajin maj, KESH ka shitur energji mesatarisht me 40 euro për megavat, në shkelje flagrante të ligjit Nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” (https://infrastruktura.gov.al/ëp-content/uploads/2017/10/ligj_nr_43_dt_30_4_2015_22652_1.pdf), Neni 8, pika 3, “ Operatori i Sistemit të Transmetimit përgatit një parashikim të përgjithshëm afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të kërkesës për energji elektrike dhe burimeve të mundshme të furnizimit, duke marrë parasysh kriteret dhe kërkesat e sigurisë së furnizimit”. KESH ka shkelur çdo parashikim të OST!
Në tetor 2021, Kaskada pësoi një rënie drastike të nivelit të ujërave. Çfarë ndodhi? Për shkak të shitjes pa kriter të energjisë nga KESH gjatë muajve maj-qershor 2021, u krijua një stok shumë i pakët fondesh për të përballuar rritjen e çmimit ndërkombëtar të energjisë në shtator-tetor 2021. Fierza u detyrua të punonte edhe në një kohë kur duhej të kishte pushuar, për të ruajtur nivelin e ujërave në kaskadë. Kuotat e liqenit të Fierzës duheshin ruajtur me çdo kusht(e kërkon me forcë edhe vetë ligji Nr. 43/2015), por KESH mendoi ndryshe.
Dhe arritëm në cenimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe rrezikun e ndërprerjeve të energjisë elektrike, pikërisht për shkak të KESH.
III.Mosrespektimi i 3 E-ve nga KESH
Kur pardje u diskutua në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend për menaxhimin e situatës energjitike, një nga përfaqësuesit e grupit qeveritar që kishte ardhur të prezantonte aktin e shëndoshjes së financave të KESH, duke ia kaluar detyrimet e saj dy kompanive të tjera sha shtetërore, në replikat normale të punës, arriti deri aty sa deklaroi që Korporata Energjitike Shqiptare është mirëmanaxhuar gjatë gjithë kohës, madje ka një drejtim shembullor(?!).
Kjo nuk i qëndron së vërtetës. KESH nuk ka respektuar në asnjë ditë të menaxhimit të kompanisë të 3 E-të, drejtimin me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të parasë publike.
Sipas raportit të Entit Rregullator të Energjisë(ERE), çmimet mesatare, me të cilat është blerë energjia elektrike nga importi gjatë vitit 2021, janë shumë më të larta se çmimet mesatare në bursën hungareze, e cila shërben si referencë për blerjet në Shqipëri. Sha-të tona, nga keqmenaxhimi, nuk i kanë kërkuar qeverisë të bëheshin kompani të listuara në bursën hungareze. Mjaftonte një garanci prej 50 milionë euro. Por nuk e realizuan këtë kërkesë themelore të tregut. U interesonte të mos ishin pjesë e tregut formal dhe e afishimit me transparencë të plotë të transaksioneve(sikurse ndodh në bursë), por pjesë e kontratave të turbullta dhe jo transparente me kompanitë private të zgjedhura prej tyre, për të marrë pjesë në tenderat që organizonin.
IV.2021: 65.8 milionë euro humbje!
Rezultati janë humbje me dhjetëra miliona euro në Buxhetin e Shtetit, gjatë blerjeve skandaloze nga KESH. Për shembull, çmimi mesatar i blerjes së energjisë në muajin tetor 2021 ishte 278.9 euro për megavat, ndërsa ai në bursën hungareze ishte 197.2 euro për megavat, ose 41 përqind më i lirë!
Për nëntorin 2021, çmimi mesatar i blerjes së energjisë nga KESH ishte 295 euro për megavat, ndërsa ai në bursën hungareze ishte 215.9 euro për megavat, ose 37 përqind më i lirë!
Në mes janë me dhjetëra miliona euro humbje në buxhetin e shtetit nga kjo diferencë, pasi totali i importeve të energjisë për vitin 2021 ishte 285.5 milionë euro dhe energjia u ble gjatë gjithë vitit mesatarisht me 23 përqind më shtrenjtë se sa po të ishte blerë në bursë, ose 65.8 milionë euro humbje!
Humbjet kanë vazhduar edhe gjatë muajve janar-mars 2022. Buxheti i Shtetit për këtë vit ka dalë garant me 26.5 miliardë lekë (221 milionë euro) për blerjen e energjisë nga importi. Ekziston rreziku i lartë që këto fonde të shpërdorohen sërish nga KESH.
Mirëpres dhe përshëndes sprovën për të vendosur në punë TEC-in e Vlorës nëpërmjet gazit të lëngshëm që do të sigurohet nga kompani amerikane, pasi nisja e punës së TEC-it do të jetë një garanci e madhe për të mos kaluar më momentet e vështira të fundit të marsit dhe fillimit të prillit 2022, që kaluam për shkak të keqmenaxhimit të KESH.
V.“Ngrirja” e paneleve diellore!
Kompanitë shtetërore sha të energjisë janë përgjegjëse për ngrirjen e zbatimit të Ligjit Nr. 116/2016 “Për perfomancën e energjisë së ndërtesave”. Do të kishte mjaftuar një VKM e thjeshtë për zbatimin e këtij ligji, që të mos bllokohej aksesi në rrjet i sipërmarrjeve private dhe qytetarëve që dëshironin dhe dëshirojnë të instalojnë panele diellore, për të prodhuar vetë energji gjatë ditës, për t’ia shitur një pjesë të kësaj energjie rrjetit dhe për të blerë energji nga rrjeti gjatë natës. Do të kishin mjaftuar më pak se 100 milionë euro investim, për të ngritur rrjetin e duhur për këtë transmetim energjie.
Por asgjë e tillë nuk ndodhi dhe mundësia e artë që na u dha për të përballuar afro 20 përqind të nevojave për energji nga energjia alternative e paneleve diellore, u shpërdorua keqazi. Sot prodhohet vetëm 1 përqind e sasisë së energjisë nga panelet diellore dhe për këtë faji është i gjithi i sha-ve shtetërore të energjisë, i KESH në radhë të parë.
Pragu i katastrofës me sigurinë e furnizimit me energji elektrike në ditët e para të prillit 2022 dhe shifrat e fryra të blerjeve të energjisë elektrike nga KESH janë akuzatorë më të fortë të keqmenaxhimit të rëndë dhe skandaloz të KESH.
Bujar Leskaj

Ismail Qemal Vlora, themeluesi i shtetit shqiptar

Ismail Qemal Vlora, themeluesi i shtetit shqiptar

103 vjet më parë, më 24 janar 1919 u largua nga jeta, për të hyrë dhe qëndruar në altarin e pavdekshmërise të kujtesës sonë kombëtare, themeluesi i shtetit shqiptar, ati i Kombit, personaliteti më i shquar shtetëror, diplomatik dhe shoqëror i lëvizjes kombëtare shqiptare, Ismail Qemal Vlora.
Ai u lind në Vlorë, në 24 janar 1844, në familjen e madhe të Vlorajve. Mbiemri i tij Vlora flet shumë për vendlindjen e tij, për qytetin dhe për familjen e tij patriotike. Familja “Vlora” është ajo familje e madhe që në breznitë e saj i ka dhënë shumë personalitete Perandorisë Otomane, por edhe themeluesin e shtetit shqiptar, Ismail Qemal Vlorën, që i kushtoi jetën dhe pasurinë idealit kombëtar.
Në vitet e kryengritjeve shqiptare 1910-1912 dhe të Luftrave Ballkanike, veprimtaria atdhetare e Ismail Qemalit u kurorëzua më 28 nentor 1912 me shpalljen në Vlorë të Pavarësisë së Shqipërisë. Kuvendi Kombëtar i Vlorës, të cilin ai e ideoi dhe e drejtoi, e zgjodhi Ismail Qemal Vlorën, kryetar të Qeverisë së Përkohshme dhe Ministër të Jashtëm.
Ai ndërroi jetë në Peruxhia të Italisë, ndërsa ndodhej aty, i ftuar nga Qeveria Italiane për të arritur një bashkëpunim mbi të ardhmen e Shqipërisë, në prag të nisjes së punimeve të Konferencës së Paqes të Parisit.
Emri i Ismail Qemalit është shkruar me gërma të arta në kujtesën tonë kolektive, si Babai i Pavarësisë dhe Themeluesi i shtetit shqiptar. Ai është protagonisti kryesor që bëri përpjekje kolosale politike dhe diplomatike nëpër kancelaritë e Evropës, për të siguruar mbështetjen për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Politikani shqiptar më i suksesshëm në Perandorinë Otomane 1860-1908
Ismail Qemali përfaqëson njërin nga politikanët me prejardhje shqiptare më të suksesshëm në Perandorinë Otomane, me një karrierë të gjatë politike e shtetare dhe me ndikim të madh. Megjithëse u shkollua, punoi dhe jetoi për mbi gjysëm shekulli në një Perandori ku mendimet liberale shtypeshin dhe bartësit e tyre persekutoheshin dhe dënoheshin edhe me vdekje, ai do të qëndronte gjithnjë konsekuent i bindjeve të tij liberale dhe tejet përparimtare për shtetin ku jetoi dhe kontribuoi.
Arsimimi i tij filloi në Selanik dhe vijoi e mbaroi në Gjimnazin “Zosimea” të Janinës.
Karrierën e tij administrative e filloi pranë administratës së Vilajetit të Janinës dhe ne vitin 1860 u vendos në Stamboll, ku filloi punën në zyrën e përkthimeve të MP Jashtme Osmane.
Më 1869, në moshën 25 vjeçare u dektretuar mytesarif (prefekt) i Varnës, (Bullgari), në mars të 1870 u dërgua mytesarif në Dobruxhë (Rumani), me qendër në Tulça, ndërsa një muaj më vonë u emërua kryetar i Komisionit Evropian të Danubit, me qendër në Galac (Rumani).
Në mesin e vitit 1884 u dekretua si Vali (guvernator) i Bejrutit, ku shërbeu deri në fund të vitit 1892.
Ismail Qemali u kthye në Stamboll dhe u dekretua anëtar në Këshillin e Shtetit, ku shërbeu deri më 1 maj të vitit 1900 e më mbas shërbeu si Vali në Tripoli të Libisë.
Qëndrimin e hapur atdhetar të tij, Ismail Qemali e mbajti në Kongresin e Xhonturqve të vitit 1907, duke kërkuar një Perandori Osmane multietnike, ku të gjithë popujt të ishin me të drejta të barabarta. Mbas shpalljes së “Hyrietit” Ismail Qemali u zgjodh deputet i Vlorës në Parlamentin Osman të vitit 1908. Por parlamenti xhonturk u tregua armiqësor me shqiptarët dhe Ismail Qemali u largua në shenjë proteste, për tu rikthyer më vonë.
Liberalizmi i Ismail Qemalit pati më shumë se një burim. Burimi i parë ishte shkollimi i tij. Në gjimnazin e njohur Zosimea të Janinës ai mësoi “…të jetojë – siç thotë vetë – në frymën e lirive të botës së vjetër greke“. Aty ai u njoh dhe përvetësoi idete liberale të Volterit, Zhan-Zhak Rusoit dhe Xhon Lok-ut.
Burimi i dytë ishin njohuritë e gjera që zotëronte për Evropën Perëndimore. Ai qëndroi shpesh, diku më shkurt apo diku më gjatë, në Angli, në Francë e në Itali, ku njohu organizimin shtetëror, sistemin ekonomik, filozofinë politike dhe qytetërimin e këtyre vendeve.
Burimin e tretë te liberalizmit të Ismail Qemalit e përfaqëson kultura e tij e jashtëzakonshme politike dhe historike. Ai e dinte se vetëm shtetet demokratike janë shtete historikisht të qëndrueshme. Ai theksonte se “shovinizmi shtetëror, politik, kombëtar dhe fetar është varrtar i shteteve”. Se “çdo perandori e krijuar me shpatë në të njëjtën kohë ka mbjellë edhe farën e shkatërrimit të vet“. Për këtë arsye, për rregullimin shtetëror ai e çmonte “forcën morale më të fuqishme se forcën e armatosur” por, natyrisht, forcën morale të mbështetur në ligje demokratike.
Në gati gjysmëshekulli (1860-1908) të veprimtarisë se tij politike e shtetare në Perandorinë Otomane, ai arriti të jetë Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i propozuar për Ministër të Jashtëm, Ministër të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë në qeverinë otomane. Drejtues dhe pjesëmarrës në misione të ndryshme politike e diplomatike të Perandorisë në vende të Evropës, Ismail Qemali shkëlqeu me te gjithë bagazhin e tij si mendimtar, politikan dhe dijetar. Gjate nje karriere gati gjysem shekullore, u caktua Kryetar i Komisionit Evropian të Danubit, këshilltar dhe sekretar i kryeqeveritarëve në vilajete, prefekt në qytete të mëdha dhe kryeqeveritar në krahina të mëdha të Perandorisë, si dhe Kryetar i Dhomës së Deputetëve.
Njohja e gjendjes politike e shoqërore dhe përvoja e madhe shtetare do ta bënin disa herë të përzgjedhurin e sulltanit për reforma shtetërore, ndërsa liberalizmi i guximshem dhe i theksuar i pikepamjeve te tij per shtetin do ta bënin njëkohësisht edhe të dyshu
Kontributi i qeverisjes liberale të Ismail Qemalit në Perandorinë Otomane
Megjithëse politikan e diplomat në një Perandori në të cilën sundonte despotizmi oriental, me bindje e me sjellje ai ishte dhe mbeti demokrat liberal. Marrëveshja ishte mjeti i tij politik. Toleranca ishte mënyra e sjelljes së tij, ndërsa humanizmi ishte etika e tij. Liberalizmi ishte koncepti i tij për shtetin dhe shoqërinë.
Ismail Qemali mbrojti në Perandorinë Otomane të drejtat e njeriut, në një kohë kur nuk kishte mbrojtje të tyre të ligjësuar dhe në kushte në të cilat aq shumë shkeleshin këto tre drejta në pjesen me te madhe te vendeve në Botë.
Ai punoi për lirimin e çerkezëve që trajtoheshin si skllevër. U muar me pozicionimin normal ne shoqëri në Perandorinë Otomane të hebrenjve të dëbuar dhunshëm nga Rusia. Kudo ku u caktua si qeveritar provincash në Perandori, Ismail Qemali bëri përpjekje të zbusë dhe (aty ku mundi) të zerojë pasojat e sundimit despotik, duke e ushtruar pushtetin si pushtet të ndërgjegjes.
Kryevepra e tij-Themelimi i Shtetit shqiptar
Në fillim të shekullit të Njëzetë, ai mund të qëndronte vali në provincën e qetë të Tripolit në Perandorinë Otomane, por zgjodhi të arratisej dhe në mërgim të kërkonte mëvetësinë e tokave shqiptare dhe krijimin e shtetit shqiptar.
Cilësitë me të cilat e kishte mbrujtur natyra dhe karakteri i tij i vendosur dhe i fortë prej shqiptari, së bashku me dijet e fituara gjatë shkollimit dhe punës, krijonin baraspeshë në personalitetin e tij të jashtëzakonshëm. Ai ishte modest dhe i dinjitetshëm, i vendosur dhe zemërgjerë, i guximshëm dhe i matur, gojëtar e largpamës.
Gjykimi i tij i qartë, ndershmëria dhe qëndrueshmëria, sjellja e përmbajtur dhe kurajo e gykimit e bënin sipëror dhe magjepës personalitetin e tij. Ismail Qemali ishte zotëruesi i situatave dhe zotëri i kohës në të cilën jetoi.
Po në sajë të cilësive të mësipërme dhe të një vizioni sa patriotik aq edhe largpamës, Ismail Qemali arriti të bëhet prijës i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, themelues i shtetit shqiptar dhe kryeministër i Shqipërisë.
Të dhënat që dihen për jetën dhe veprimtarinë politike e shtetare të Ismail Qemalit, kujtimet e tij dhe kujtimet e të tjerëve për të e përshkruajnë njeri me formim të gjithanshëm dhe me kulturë të gjerë. Në mendjen e tij kishte vend për të gjitha kulturat, për të gjitha racat, të gjitha kombësitë dhe të gjitha besimet, por në zemrën e tij kishte folenë pasioni i jashtëzakonshëm kombëtar dhe vizioni e ëndrra që e bëri realitet: Shqipëria e mëvetësuar, e pavarur dhe me shtetin e saj.
Megjithëse atdhetar i përkushtuar dhe krijues i shtetit shqiptar, ai kurrë nuk do t’i keqpërdorte ndjenjat kombëtare për qëllime politike. Megjithëse mysliman për nga besimi, ai do të kalonte një jetë të lumtur me gruan e besimit të krishterë dhe të kombësisë tjetër.
Me bindje të tilla liberale, të cilat ishin bërë shkaku i përndjekjes së tij nga sulltani dhe Perandoria Otomane, Ismail Qemali hyri natyrshëm në Lëvizjen tonë Kombëtare për realizimin e pavarësisë së Shqipërisë.
Dhe, duke hyrë, njëkohësisht ai ndryshoi me kohën edhe idenë për mjetet që do të duhej të përdoreshin për sendërtimin e asaj pavarësie. Në vend të luftës politike – si i vetmi mjet në kokën e tij për periudhën 1880-1908, ai tashmë do të kërkojë luftë të armatosur – si mjeti kryesor.
Rrjedhimisht, veprimtaria e tij përqendrohet: e para, në bashkimin e të gjitha forcave mendore, morale e vepruese kombëtare për atë luftë dhe, e dyta, në sigurimin e mirëkuptimit të Fuqive të Mëdha për kërkesën shqiptare për mëvetësi.
Megjithatë, përkundrejt formulës së tij politike gjithnjë realiste, Ismail Qemali arriti t’i shtojë edhe komponentin idealist. Gjenialiteti i tij politik shkëlqeu në ecejaket e tij intensive në kancelaritë e Evropës gjatë viteve 1909-1912. Në mes dhjetëra e dhjetëra takimeve e bisedimeve, letrave të shkruara dhe të marra, ai pa dritën në fund të tunelit. Ai ishte i pari dhe i vetmi që e pa me aq intensitet dhe e kuptoi aq qartë, se ndërsa Fuqitë e Mëdha po haheshin me njëra-tjetrën dhe prisnin shembjen dhe shkërmoqjen e Perandorisë Otomane, ndërsa fqinjët ballkanikë po shikonin me lakmi trojet shqiptare përmes procesit të dezintegrimit të Perandorisë në përfundim të vitit 1912, kishte ardhur pikërisht koha për lëvizjen vendimtare.
Ai lundroi me anije nga Italia dhe zbriti në Durrës. Me një mesazh dhe plan veprimi të qartë në kokë: të realizonte gjënë më të dëshiruar. Shihte tashmë, gjatë udhetimit me pajton nga Durrësi për në Vlorë, idealin e pavarësisë, ëndrrën e përkundur në zemrën e tij kaq gjatë, me mundësitë më të qarta për t’u bërë e sendërtueshme.
Dhe më tej pastaj gjithshka është histori, faqja më e ndritur e idealit modern shqiptar. Më 28 nëntor 1912, ai mblodhi në Vlorë Kuvendin Kombëtar, i cili shpall pavarësinë e Shqipërisë, zgjodhi Qeverinë e Përkohshme dhe atë vetë, Ismail Qemalin, kryeministër të saj.
Ky ishte shtet ende pa kufij, pa forca të rendit, pa ushtri, pa administratë kombëtare, pa ekonomi, pa financa. Pra, shtet pa kushte shteti. Por kishte një garanci të madhe që bëri mrekullinë. Ky shtet i porsalindur kishte dinjitetin politik, juridik dhe moral të shtetit, të mishëruar në personalitetin e Ismail Qemalit, të farkëtuar me aq mund pranë kancelarive evropiane. Kishte institucionet e tij shtetformuese – Kuvendin dhe Qeverinë, struktura sovrane në një pjesë, sado e vogël të atëhershme, të Shqipërisë së ardhshme.
Qeveria e Përkohshme, me në krye Ismail Qemalin, liberalin që ishte i bindur se virtytet shpirtërore duhet të ishin arma kryesore e saj, bëri mrekullinë. Bëri çmos që Shqipëria të shtrihej deri atje deri ku ishin kufijtë e saj etnikë.
Edhe pse kjo nuk ndodhi, edhe pse gjysma e kombit ngeli jashtë kufijve të shtetit të porsaformuar shqiptar, historia ishte shkruar tashmë.
Njeriu, shtetari, pavdekësia
Atë ditë të madhe, më 28 nëntor 1912, kur filloi jeta e Shqipërisë së pavarur, atë ditë nisi edhe kalvari i krijuesit të saj dhe i popullit të tij nëpër mundime. Shqipërisë do t’i shkaktoheshin shumë të këqija. Cënime dhe përvetësime prej fqinjëve ballkanikë, madje dhe prej disa prej Fuqive të Mëdha Evropiane.
Luftërat Ballkanike dhe, menjëherë në vijim të tyre, Lufta e Parë Botërore, do të shtonin numrin e shkaktarëve të mundimeve të Ismail Qemalit dhe të Shqipërisë së tij të porsakrijuar.
Konferenca e Ambasadorëve në Londër në vitin 1913 do t’i sillte dëshpërim të madh popullit shqiptar dhe vetë Ismail Qemalit. Jashtë kufijve të Shqipërisë, Traktati i Londrës linte më shumë se gjysmën e trojeve shqiptare dhe më shumë se gjysmën e popullit shqiptar. Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë parashikohej t’u jepeshin fushat më pjellore, burime të lumenjve, qytete të zhvilluara shqiptare.
Se ç’përmasa ka papërgjegjësia historike e Fuqive të Mëdha në Konferencën e Ambasadorëve në Londër shihet në rastin e Kosovës e të Maqedonisë. Ato iu dhanë Serbise, edhe pse numri i serbëve që jetonin aty ishte gati i papërfillshëm! Serbia i vazhdoi përpjekjet për të dalë në det përmes Shqipërisë dhe një kohë e mbajti të pushtuar një pjesë të saj. Mali i Zi bëri çmos të rikthente Shkodrën dhe gjithë Ultësirën e saj nën sundimin e vet. Greqia pushtoi pjesën jugore të Shqipërisë dhe nuk hiqte dorë prej synimeve për shtrirje sa më lart në veri. Italia pushtoi Vlorën dhe Sazani, duke synuar vënien e Shqipërisë së mbetur nën protektoratin e saj.
Rusia e Franca shikonin si ta bënin Serbinë sa më të madhe, kurse Franca nuk do të ngurronte ta shpërblente Greqinë me Korçën!
Ndërkohë, Esat Pashë Toptani krijoi qeveri tjetër në Durrës, duke zhvilluar fushatë të hapur me shpifje djallëzore kundër Ismail Qemalit dhe u vënë në shërbim të Serbisë.
Anarkia e brendshme, që shfaqet gjithnjë pas rënies së sundimeve të gjata të dhunshme, varfëria, analfabetizmi i shtrirë dhe zia e bukës ishin bërë, po ashtu, rrezik për Shqipërinë dhe për qeverisjen e saj. Fati i Shqipërisë dhe i Atit të saj, Ismail Qemalit, ishin bërë njësh.
I gjetur nën trysninë e Fuqive të Mëdha për arsye se donte të ishte subjekt e jo objekt i historisë, i braktisur nga bashkëpunëtorët arrivistë, i pakuptuar nga një pjesë e madhe e bashkëkombësve, i shpërfolur e i akuzuar rrejshëm nga intrigantë, i lodhur nga mosha, i pushtuar nga një mosbesim për mundësinë e ndryshimit të shpejtë të gjendjes, Ismail Qemali më në fund detyrohet të dorëzoj qeverinë në fund të janarit 1914 në duart të Komisionit Ndërkombëtar të Kontrollit (KNK) dhe rishtazi merr rrugën e mërgimit.
Mirëpo, si njeri që nuk dorëzohej lehtë, ai, megjithatë, do ta vazhdonte fort luftën për Shqipërinë, atje ku edhe e kishte filluar: në qendrat politike evropiane, i vetëdijshëm se atje do të vendosej fati i Shqipërisë në fund të Luftës së Parë Botërore, kur fitimtarët do të ndanin në mes të tyre territoret e të mundurve dhe të vendeve të vogla. Falë potencialit të tij të lartë në vitin 1918 shqiptarët e Amerikës i besuan Ismail Qemalit detyrën që t’i përfaqësonte ata ne Konferencën e Paqes në Paris si mbrojtës i interesave të vërteta të Shqipërisë. Prezenca e Ismail Qemalit ne Konferencën e Paqes do të konsiderohej një perspektivë e rrezikshme për Serbinë dhe për qarqet antishqiptare të përfaqësuara nga Esad Pasha. Në gjithë këto vite Ismail Qemali kishte treguar se ishte një Kryetar që udhëhiqte dhe nuk pranonte lehtë që të udhëhiqej nga të tjerët. Ismail Qemali besonte shumë në katërmbëdhjetë pikat e presidentit të SHBA-s Woodrow Wilson, dhe konkretisht pika e njëmbëdhjetë që theksonte kufinjtë midis: “shteteve të ndryshme të Ballkanit duhet të caktohen miqësisht, sipas këshillave të fuqive, dhe në bazë të vijave kombëtare të caktuara historikisht. Shteteve ballkanike, do tu jepen garanci për pavarësi politike e ekonomike e për tërësine tokësore”. Ismail Qemali niset për në qendrat Europiane, por, me pabesi diplomatike, ai do të kërkohej në Itali për takime me qeverinë e Romës. Në Peruxhia atë janar të ftohtë të vitit 1919, ndërroi jetë (dyshohet i helmuar), në pritje të bisedimeve me qeverinë italiane, për të mbrojtur kufijtë e Shqipërisë së tij. Këtë situatë e përshkruan shumë bukur historiani i shquar Skënder Luarasi mbështetur në kujtimet e kryetarit te Bashkisë së Vlorës, Ali Asllani, dhe djalit të Ismail Qemalit, Etem Vlora. (Skënder Luarasi “Ismail Qemali – Jeta dhe vepra të tjera 1972”)
Me rastin e vdekjes së tij patrioti Mihal Grameno shkruajti artikullin shumëprekës po dhe me plot optimizëm: “Mos qani!”. Midis të tjerash ai shkruante “Mos qani dhe mos vajtoni kurrë të kurrës ju o male dhe kodra të Shqipërisë! Ismail Qemali, Plaku I Shqipërisë, nuk ka vdekur dhe kurrë nuk mund të vdesë sa të jetë bota. Në është që ka vdekur Skënderbeu, atëhere le të thomi që vdiq edhe plaku, po jo kurrë! Plaku rron dhe do të rrojë sa të ketë Shqipëria shqiptarë. Mos qani pra ju o shqiptarë se rron Plaku, posa që kemi për të gjyrmuar Program të tij kombëtarë dhe ay program qëndron: Shqipëria e shqyptarëvet! Mos qani pra mos qani!” (Koli Xoxe “Ismail Qemali”, Tiranë 1983, f. 400 (sipas “Albacia”, Mos qani, Mihal Grameno)
Emri i Ismail Qemalit në historinë e popullit shqiptar mbetet përgjithmonë i shënuar si Shtetari, Ati që themeloi Shqipërinë. Si Demokrati liberal, që e filloi qeverisjen demokratike në jetën kombëtare dhe si personaliteti më i spikatur që dhuntinë e tij politike i përdori në mënyrat më të denja për punët më të rëndësishme të kombit të tij.
Bujar Leskaj

Ukraina, autokrati Rama dhe rreziku i Ballkanit të Hapur

Ukraina, autokrati Rama dhe rreziku i Ballkanit të Hapur

Nga Bujar Leskaj Edhe pse me shumë ditë vonesë, Rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë për dënimin e agresionit të Diktatorit Putin ndaj Ukrainës ishte e nevojshme, por jo e mjaftueshme! Në projekt-Rezolutën e disa deputetëve të opozitës, ne me të drejtë theksojmë qartazi mbështetjen totale ndaj qeverisë dhe popullit martir ukrainas, duke shprehur mirënjohje ndaj tyre për mbrojtjen e Evropës së qytetëruar dhe demokratike me luftën e tyre, por edhe duke dhënë vetë ne, qeveria dhe shteti ynë, kontribute të drejtpërdrejta për qeverinë dhe popullin e Ukrainës. Të gjitha shtetet Perëndimore dhe jo vetëm, e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë, të shkaktuar nga Diktatori Putin. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e datës 2 mars 2022, e miratuar nga 141 shtete me 5 shtete kundër dhe 35 shtete që abstenuan, tregoi vullnetin e pjesës më të madhe të globit për të dënuar me forcë invazionin e Diktatorit Putin në Ukrainë dhe për të kërkuar largimin e trupave ruse nga ky shtet i pavarur. Dua të citoj me këtë rast, fjalët e shahistit rus me famë botërore Garry Kasparov në postimin e tij të dytë në rrjetet sociale më 3 mars, në lidhje me invazionin. “Për të gjitha mediat dhe zyrtarët:Mos e quani më Putinin “PRESIDENT”. Ai është një diktator. Fjalët kanë fuqinë e tyre”. Shumë mirë që edhe qeveria shqiptare i është bashkuar dënimit të njëzëshëm dhe të vendosur të botës së qytetëruar dhe shteteve demokratike në mbarë globin, ndaj agresionit rus në Ukrainë, si dhe është bashkuar me valën e parë të sanksioneve ekonomike kundër Rusisë. Marrëdhëniet tona diplomatike me Ukrainën datojnë që në vitin 1992 dhe janë zhvilluar sidomos viteve të fundit, kur Ukraina u shndërrua në një vend demokratik që synon anëtarësimin në BE dhe në NATO. Qëndresa e popullit ukrainas është impresionuese, duke filluar me të 13 ushtarët e Ishullit të Gjarpërinjve dhe duke vijuar me personalitetet ukrainase të kulturës, artit dhe sportit, që po luftojnë në vijën e parë kundër pushtuesit rus, duke rrezikuar jetën e tyre për mbrojtjen e lirisë së atdheut. Ukraina po lufton për të ardhmen e të gjithë Botës! Për mendimin tim, ne duhet të analizojmë me kujdes dhe thellë, si dhe të shprehemi në një Rezolutë tjetër, të cilën duhet ta miratojmë urgjent, për rrezikun e rritur të provokimeve serbo-ruse në Ballkanin JugPerëndimor, në rajonin tonë, në veçanti ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Për këtë, si deputet i Vlorës, do të kërkoj me forcë dhe vendosmëri: 1. Dhënien fund të nismës “Ballkan i hapur” dhe largimin e menjëhershëm të Shqipërisë nga kjo nismë, e cila ka ngelur peng e dy vëllezërve autokratë Vuçiç-Rama. Serbia është i vetmi vend evropian(duke përjashtuar Bjellorusinë) që refuzon të vendosë sanksione ekonomike kundër Rusisë, si masa për të dënuar agresionin e Diktatorit rus në Ukrainë dhe për ta detyruar atë të pushojë luftën dhe të largohet. Në të kundërt, drejtuesit e këtij vendi vijojnë të evokuojnë teoritë dhe qëndrimet e vjetra shoviniste ndaj Kosovës dhe fitimit të lirisë dhe pavarësisë së saj. Nga nisma “Ballkan i hapur” duhet të distancohemi me forcë pikërisht tani, edhe për shkak të sulmeve të sotme pirateske që bëjnë udhëheqësit e Beogradit ndaj pavarësisë së shenjtë të shtetit të Kosovës. 2. Distancimin e Shqipërisë nga qëndrimi serb për luftën në Ukrainë. Edhe pse javën e kaluar, Serbia në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara iu bashkua votës së 140 vendeve të tjera për të kërkuar ndalimin e agresionit rus në Ukrainë, ky ishte një qëndrim thjesht simbolik. Serbia është aleati më i vendosur dhe besnik i Rusisë së Diktatorit Putin në Ballkan. Me luftën në Ukrainë, Serbia është larguar edhe më dramatikisht nga konsensusi evropian, i cili po përqafon gjithnjë e më shumë një linjë më të ashpër kundër Kremlinit. Votimi në OKB nuk ka asnjë ndikim mbi zhvillimet ushtarake e politike në Ukrainë dhe Edi Rama e di mirë se kjo votë nuk i prish aspak punët e Moskës me Beogradin. Megjithatë, ai është i vetmi që mendon se “Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”(?!). Ky qëndrim është një propogandë në dëm të interesave të Kosovës dhe Shqipërisë. Diplomati me përvojë Shaban Murati, në shkrimin e tij “Mbushja e kupës! Apologjia serbe ndaj Rusisë dhe Tirana që s’gjen dot një gjysëm fjale për akuzat e Vuçiç ndaj NATO-s në Kosovë” cilëson se” Si mundet një qeveri normale të mos jetë në gjendje të bëjë leximin e duhur diplomatik dhe vlerëson Vuçiçin për “integritetin territorial të Ukrainës” dhe nuk kupton se presidenti serb e ka fjalën për integritetin territorial të Serbisë, ku ai fut Kosovën si pjesë të saj?”. 3. Cilësimin e saktë të drejtuesve të sotëm të Serbisë për ata që janë në realitet në Ballkan, aleatë të vendosur të Putin. Udhëheqësit e Serbisë sot, disa prej të cilëve kanë qenë bashkëpunëtorë të Millosheviqit, përfshire edhe vetë Vuçiçin, nuk kanë sesi të dënojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, sepse diktatori Putin në Ukrainë po kopjon, pothuaj me përpikmëri, veprimet barbare të Millosheviçit në Kosovë, siç u shpreh Kryeministri britanik, Boris Xhonson, javën që kaloi në parlamentin britanik duke folur rreth sulmit rus në Ukrainë. Udhëheqesi britanik krahasoi agresionin e Putinit në Ukrainë me atë të Millosheviçit në Kosovë në vitet 1998-1999. “Unë mendoj se njëra nga gjërat më impresionuese se çfarë Putin po bën është sa i përafërt është krahasimi midis veprimeve të tij dhe atyre të Sllobodan Millosheviçit. Ekzaktësisht i njëjti nonsens i përdorur mbi lidhjen mistike mes Kosovës dhe Beogradit dhe Kievit me Moskën. Ekzaktësisht i njëjti agresion dhe kujtoni se Sllobodan Millosheviç vdiq gjatë gjyqit”, tha Boris Johnson. 4. Shkëputjen e Shqipërisë nga nisma “Ballkan i Hapur”, si një nismë e dështuar nga të gjitha aspektet. Bota Perendimore, SHBA, BE, NATO, institucionet financiare ndërkombëtare po i thellojnë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë dhe ne duhet t’i bashkohemi këtij veprimi. Kjo është edhe një arësye më tepër për t’iu larguar nismës së Ballkanit të Hapur. Në rast se ne nuk abortojmë dhe dënojmë nismën “Ballkan i Hapur”, duke u shprehur qarte zyrtarisht kundër saj, ne do të quhemi në këtë histori si shërbëtorë të shërbëtorit! Shërbëtorë të Vuçiçit, i cili nga ana e vet është shërbëtor i Diktatorit Putin! Me zgjedhjet e përgjithshme në muajin prill 2022 dhe Vuçiç që kërkon votën e shumë elementëve filorusë në vendin e tij, Serbia po shndërrohet gradualisht jo vetëm në një hapësirë të vendosur kundër integrimit euroatlantik të Ballkanit, por edhe në një pararojë të rrezikshme të provokimit dhe kërcënimeve të ardhshme ruse ndaj gjithë vendeve të NATO-s dhe të BE-se në rajon. Raporti i vitit 2019 i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes vlerëson se “Serbia ofron mjedisin më të favorshëm për ndikimin rus në Ballkan”. (https://www.forbes.com/sites/zakdoffman/2019/07/01/pentagon-report-u-s-failing-to-combat-russias-dangerous-global-influence/?sh=169a083d36b2 ) Në fund, dua të sjell përkufizimin e publicistit dhe shkrimtarit kombëtar Bedri Islami në shkrimin e tij të disa ditëve më parë me titull “Ukraina, krismat në Tiranë! Shqipëria duhet të deklarojë sa më shpejt largimin nga i ashtuquajturi “Ballkan i Hapur”. “Është e pakuptimtë që, nga njëra anë je nënshkruese e përbashkët e dokumenteve, mbajtëse e firmës me Shtetet e Bashkuara, dënon agresionin, dhe, nga ana tjetër mendon se mund të bësh politikë të hapur me presidentin serb që mbështet agresionin, duke ëndërruar çastin kur falangat e tij të vërshojnë në Kosovë”. Botuar në Gazeta Sot më 12 Mars 2022​