Ekonomia, shpopullimi dhe menaxhimi qeverisës i krizave

Ekonomia, shpopullimi dhe menaxhimi qeverisës i krizave

Botuar ne gazetën Panorama, date 25.01.2021.
Ekonomia është një organizëm i gjallë, dinamik , ku e tëra rrallë është e barabartë me shumën e pjesëve. Ndonëse një sistem kaotik në dukje, kaosi ekonomik ka një rregull, një vijueshmëri shkak-pasojë, por analiza e kësaj lidhjeje “vezapulën” apo “pula-vezën” është e vështirë, sepse ndryshimi fillestar në një pjesë të organizmit indukton ndryshime në pjesë të tjera të tij e më pas bëhet vetë pasojë e këtyre ndryshimeve. Kjo është më se e vërtetë sot për Shqipërinë, që po përballet me një shpopullim të përmasave biblike, i cili ka ndikim direkt, rrënues në ekonomi, e, për rrjedhojë, rënia ekonomike shndërrohet më pas në nxitës të shpopullimit të mëtejshëm të vendit. Pra, një rreth vicioz ky. Kjo rënie surreale është përshpejtuar këto 7 vite nga qeveria, e cila është kujdesur që me indiferencën apo shurdhërinë e vet, sklerozën kronike ndaj premtimeve, trajtimin bipolar e selektiv të investitorëve në veçanti e popullatës në tërësi, të mos kryejë minimalisht rolin, për të cilin është mandatuar si imunizuese krizash e maksimalisht si stimuluese e ekonomisë.
Por, le t’i marrim gjërat me radhë, le të sjellim fillimisht disa statistika për të kuptuar kontekstin e situatës.
Niveli i të ardhurave : Sipas të dhënave të EUROSTAT, në vitin 2018 niveli i të ardhurave për familje në kufirin e varfërisë e rendit Shqipërinë në vendin e fundit krahasuar me vendet e rajonit. Të ardhurat mujore për familje në Shqipëri janë 105 €, në Malin e Zi janë 189 €, në Serbi janë 140 dhe në Maqedoninë e Veriut janë 131 Euro. Ndërsa përqindja e popullsisë në kufirin e varfërisë është përsëri më e lartë, respektivisht 39% në Shqipëri, 31% në Malin e Zi, 29,6% në Serbi dhe 25,7% në Maqedoninë e Veriut.
Sipas raportit të Bankës Botërore (tetor 2020), tronditës është fakti se niveli i popullsisë që jeton me më pak se 5.5 $ në ditë për banor, është rritur në 41,5%, nga 35,6% krahasuar me vitin e kaluar. Niveli i varfërisë në Shqipëri, rezulton dy dhe më shumë herë më i lartë se në të gjitha vendet e rajonit, ndërkohë që borxhi publik për qytetar rritet. Sipas shifrave, të ardhurat për frymë kanë rënë nga 5.323 $ për vitin 2019 në 4.898 $ në 2020-n, ndërkohë që borxhi është rritur nga 3.606 $ në 4.079 $ respektivisht për këto vite.
Dhe në treguesin e të ardhurave për frymë në vitin 2020, Shqipëria renditet e fundit në rajon. Të ardhurat për frymë respektivisht parashikohen të arrijnë në 4.898 $ në Shqipëri, 7.933 $ për frymë në Malin e Zi, 7.497 $ për frymë në Serbi dhe 6.019 $ për frymë në Maqedoninë e Veriut. Qytetarët shqiptarë parashikohet të varfërohen më shumë në vitin 2021 krahasuar me vitin 2020.
Rritja e papunësisë: Raporti i INSTAT tregoi një rritje të papunësisë në tremujorin II të vitit 2020, krahasuar me tremujorin e parë. Niveli i papunësisë u rrit nga 11,4% në 11,9% në fund të tremujorit II të vitit 2020. Më shqetësues mbetet niveli i papunësisë për grupmoshat 15-29 vjeç, i cili është në rreth dy herë më i lartë se mesatarja kombëtare. Ndërsa mesatarja kombëtare është 11,9%, niveli i papunësisë për grupmoshën 15-29 vjeç është 21,4% (disa studime e nxjerrin në nivelin 51%). Sipas të dhënave të EUROSTAT, Shqipëria rezulton me një përqindje të papunësisë për të rinjtë e grupmoshës 15-24 vjeç në vitin 2018, në 2,3 herë më e lartë se grupmoshat mbi 24 vjeç. Nëse do të trajtonim lidhjen e papunësisë me arsimimin, rezulton se norma e papunësisë për të rinjtë me arsim të lartë është 11% për meshkujt dhe 13,1% për femrat respektivisht dhe për ata me arsim të mesëm 13,4% dhe 14,4%. Domethënës është fakti që normën më të ulët të papunësisë në vend e kanë të arsimuarit me arsim 8-9-vjeçar.
Pensionet dhe pagat: Rritja mesatare vjetore e pensionit mesatar të qytetit dhe të fshatit është realizuar me ritme shumë më të ulëta në periudhën 2013- 2019, krahasuar me periudhën 2005- 2013. Ndërsa në periudhën 2005-2013 pensioni mesatar në qytet u rrit mesatarisht në 8,5% në secilin vit, në periudhën 2013-2019 u rrit mesatarisht me 2,6%. Ndërsa pensioni i fshatit u rrit mesatarisht në 20,6% në secilin vit në periudhën 2005-2013, ndërsa për periudhën 2013-2019 u rrit mesatarisht me 3,8% për çdo vit.
Sipas INSTAT, rritja e pagës reale për periudhën 2005-2013 është mesatarisht 5,8%/vit, ndërsa për periudhën 2013- 2019 rritja e pagës reale është vetëm 1,6% mesatarisht çdo vit. Rritja nominale e pagës në sektorin shtetëror në periudhën 2005-2013 është mesatarisht në çdo vit 8,7%, ndërsa për periudhën 2013-2019 rritja vjetore mesatare e pagës është 3,3%.
Ndihma, asistenca dhe remitancat: niveli i varfërisë është thelluar më shumë, si për shkak të uljes së numrit të familjeve që përfitojnë ndihmë ekonomike, ashtu edhe për shkak të nivelit të ulët të ndihmës ekonomike. Numri i familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike, sipas të dhënave të INSTAT, është ulur në mënyrë drastike. Nga 104.398 familje në vitin 2013, në fund të tremujorit të II të vitit 2020, numri i familjeve me ndihmë ekonomike ka zbritur në 63.670. Ndërsa niveli i pagesës së ndihmës ekonomike për një familje në vitin 2020 është mesatarisht 4.965 lekë në muaj. Rikujtojmë këtu që qeveria shqiptare ende nuk ka përllogaritur, publikuar e vënë në jetë një minimum jetik për person në Shqipëri, vlerë e cila do të ishte guri i themelit për hartimin dhe implementimin e një strategjie të mirëfilltë kombëtare për të adresuar siç duhet varfërinë.
Të ardhurat nga asistenca përfaqësojnë aktualisht vetëm 1% të burimit të të ardhurave nga 3% që kanë përfaqësuar në vitin 2010.
Një nga efektet e pandemisë është dhe ulja e remitancave në vendet e rajonit. Sipas raporteve të fundit të Fondit Monetar dhe të Bankës Botërore, ulja e remitancave ka prekur kryesisht Shqipërinë, Kosovën dhe Bosnjë Hercegovinën. Ulja e tyre jo vetëm ka ulur të ardhurat e familjeve, por dhe ka ndikuar negativisht në uljen e konsumit dhe si rrjedhim dhe në uljen e rritjes ekonomike.
KUPTIMI I SHIFRAVE
Ndonëse shifrat më lart flasin vetë për këdo që do dhe di të lexojë, është e nevojshme të bëjmë një analizë të tyren. Rreth 79% e të rinjve që studiojnë sot në Shqipëri kërkojnë të emigrojnë (studim i Gëdeshi&King) dhe arsyeja lidhet me perceptimin e tyre për të ardhmen e vendit. Nëse vijohet me këto ritme, EUROSTAT parashikon që brenda 70 viteve Shqipëria të shpopullohet tërësisht. Cilat janë arsyet e këtij emigrimi biblik dhe pasojat e tyre mbi ekonominë?
Nga njëra anë, Shqipëria, në aspektin makroekonomik, ka bjerrë gjatë gjithë këtyre viteve potencialin e avantazheve të veta konkurruese. Sfida e identifikimit, planifikimit investues, vjeljes së fryteve dhe rishpërndarjes së drejtë të tyre i përket më së pari qeverisë, e cila ka monopolin e strategjive dhe politikave zhvillimore për të gjithë agjentët e tjerë ekonomikë në vend. Si një vend i vogël, me pasuri natyrore dhe pozicion gjeografik të favorshëm, histori të pasur dhe orientim pro perëndimor, i vetmi motor që do t’i përkthente në vlera ekonomike gjithë këta faktorë prodhimi, do të ishte popullsia e arsimuar, e shëndetshme, sipërmarrëse dhe e vlerësuar për punën e saj.
Pikërisht ky motor zhvillimi i mungon sot Shqipërisë, sepse politikat qeveritare kanë dështuar ta adresojnë siç duhet në të gjitha dimensionet e saj. Tregues final i kësaj performance të dobët është mungesa e një shtrese të mesme të stabilizuar në vendin tonë, që do të përbënte shtyllën kurrizore të zhvillimit ekonomik. Kjo shtresë ose është varfëruar ndër vite, ose ka humbur nocionin e pasurimit me meritokraci, ose ka emigruar dhe po tenton të emigrojë familjarisht. Nëse në vitet e para të tranzicionit synonin të largoheshin moshat e reja, tashmë studimet tregojnë se edhe në moshën 45 vjeç shqiptarët janë gati të emigrojnë së bashku me fëmijët e tyre. Kjo ka pasoja dhe implikime të rëndësishme, sepse tashmë janë gati të largohen jo vetëm të rinj të paarsimuar apo pa eksperiencë, por brez i mesëm me eksperiencë, përvojë pune dhe kualifikime. Madje, po t’i shtosh kësaj edhe faktin që largohen ata që nuk duan të bëjnë kompromise të pista, atëherë mund të konkludohet se po largohen punonjësit më me integritet, ata për të cilët Shqipëria ka nevojë sot më shumë se kurrë. Kësaj kambane alarmi i kanë rënë dhe po i bien me forcë partnerët tanë ndërkombëtarë, të cilët në pothuajse të gjithë raportet e tyre e theksojnë problemin me korrupsionin dhe paaftësinë e administratës, që shtrihet më pas në pengesa për zhvillimin e biznesit, rritjen ekonomike dhe mbarëvajtjen e skemës së pensioneve sot e në të ardhmen.
Si zgjidhje afatshkurtra për këtë problem afatgjatë, qeveria ka tentuar të ridimensionojë politikën për borxhin publik, të forcojë luftën ndaj korrupsionit, të fusë mekanizmin e PPP-ve për të stimuluar përfshirjen e sektorit privat, të bëjë reforma në arsim e shëndetësi, skema pensionesh deri edhe në riformatimin e territorit administrativ. Por strategjitë e zhvillimit që janë hartuar dhe miratuar ndër vite nuk janë ndjekur rigorozisht ose sepse kanë qenë të projektuara për imazh e reklamë, pra, utopike e si të tilla të paarritshme, ose sepse janë lënë pas dore për shkak të mungesës së vullnetit politik ose “filozofisë” së vitit zero, duke mos akumuluar pak e nga pak zhvillim të qëndrueshëm, ose dhe kjo është më e dëmshmja, janë përdorur për interesa të pasurimit personal. Vendin e ka pllakosur varfëria, qeverisja sipas dëshirave dhe interesave klienteliste ose siç shprehet sekti i Kryeministrit: modeli “KÇK”, i cili, në fakt, është model ekskluziv pikërisht i këtij sekti.
Në aspektin makroekonomik, qeveria ka dështuar të krijojë dhe promovojë modelin e duhur të kulturës kapitaliste të punës. Ajo ka stimuluar kulturën e pasurimit të shpejtë, selektiv dhe okult (jotransparent), të pambështetur në merita (arsim, profesionalizëm, novatorizëm, integritet). Në këto kushte, çdokush e kupton që pavarësisht strategjive qeverisëse dhe talentit personal, modeli i gabuar që buron nga qeveria është pengesë për zhvillim. Ky model kërkon udhëheqjen dhe kohën e vet të kthehet në brazdën e duhur.
Në aspektin mikroekonomik, motori i ndryshimit është sipërmarrja individuale. Shqiptarët kanë shpirt sipërmarrës, ndonëse historia dhe tranzicioni 30-vjeçar i kanë penguar. Madje, janë aq sipërmarrës, sa kur nuk u ecin gjërat brenda vendit, dalin të provojnë veten e tyre jashtë tij. Ky shpirt sipërmarrës duhet kultivuar e mbështetur për të dhënë frytet e veta. Një problem ende i pazgjidhur për të vjelë frytet e sipërmarrjes është ai i pronave. Po kështu, konkurrenca e pandershme, ku qeveria ka rolin e vet, qoftë duke mbështetur selektivisht biznese të caktuara, qoftë duke mos ushtruar siç duhet funksionet e veta mbikëqyrëse e rregullatore, dëmton më shumë sipërmarrësin e vogël e të ndershëm. Një nga arsyet e migrimit në masë të shqiptarëve lidhet me rregullat e drejta e të barabarta për të bërë biznes e siguruar jetesën për vete dhe fëmijët. Këto rregulla në Shqipëri vlejnë vetëm për individin punëtor, pa lidhje me pushtetin, “ushtarin e vogël të perandorisë”. Për pjesën e lidhur me pushtetin, militante të Rilindjes, e cila është tkurrur në numër, por është bymyer në pasuri, vlejnë të tjera rregulla e ligje, ato që draftohen e miratohen posaçërisht për ta.
Individi shqiptar ka humbur gjithashtu besimin se arsimimi mund t’i shpjerë përpara në jetë këtu brenda vendit. Për këtë arsye, ata emigrojnë në Perëndim. Mjafton të rikujtojmë se kur Europa u përmbyt nga kriza e emigrantëve në vitin 2013, Instituti Gjerman i Tregut të Punës raportonte se 49% e refugjatëve në moshë pune që kishin mbërritur në Gjermani ishin të punësuar. Më shumë se gjysma e atyre ishin në punë të kualifikuar dhe më shumë se dy të tretat ishin në punë me kohë të plotë. 17% të tjerë ishin në programe trajnimi me pagesë dhe 3% ishin në praktikë me pagesë. Sipas hulumtimit, shumica e të tjerëve ishin ose duke studiuar, duke kërkuar në mënyrë aktive punë ose me leje lindjeje ose prindërore. Rreth 85% kanë marrë kurse të gjuhës gjermane. Shoqëritë e zhvilluara gjithnjë e kanë mirëpritur dhe stimuluar individin e arsimuar. Në Shqipëri po ndodh e kundërta, po përzihen nga vendi më të arsimuarit.
Një panoramë e tillë nuk mund dhe nuk duhet të vazhdojë më gjatë. “Elefanti në dhomë” është pikërisht qeveria, e cila këtë emigrim masiv mundohet të na e shesë si zhvendosje globale normale të popullsisë.
Bujar Leskaj

PËRGJEGJSHMËRIA PUBLIKE KUNDREJTË APATISË DHE SHPËRDORIMEVE NGA ZYRTARËT E NIVELIT DREJTUES TË SHTETIT.

PËRGJEGJSHMËRIA PUBLIKE KUNDREJTË APATISË DHE SHPËRDORIMEVE NGA ZYRTARËT E NIVELIT DREJTUES TË SHTETIT.

 

Në thelb, ligji ynë i menaxhimit të financave publike, e ka përkufizuar konceptin e “Përgjegjshmërisë menaxheriale”, si detyrimi i titullarëve dhe drejtuesve të njësive publike, që, në kryerjen e veprimtarive, të respektojnë parimet e menaxhimit të shëndoshë financiar, të ligjshmërisë e të transparencës në administrim, si dhe të përgjigjen për veprimet dhe rezultatet përpara organit që i ka emëruar ose u ka deleguar përgjegjësinë. Përgjegjshmëria përfshin çështjet që lidhen me ndarjen e detyrave, zhvillimin e menaxhimit financiar dhe kontrollit, transaksionet financiare, bashkërendimin me shërbimet qendrore harmonizuese, si dhe me vlerësimin e raportimin për sistemet e menaxhimit financiar dhe kontrollit. Përgjegjshmëria menaxheriale përfshin sipas ligjit, edhe përgjegjësinë për veprimet e kryera.
Thelbi i trajtimeve të këtij nocioni të analizuar nga studiuesi Wolfram Rehbock, është ky: në rastet kur një zyrtar ka shkaktuar dëme në pasurinë materiale të punëdhënësit, është thelbësore që menaxhimi të sigurojë që zyrtari të mbahet materialisht përgjegjës. Edhe sipas legjislacionit të mjaft shteteve me tradita në mirëqeverisjen publike, kategoria e përgjegjshmërisë publike rregullohet krahas përgjegjësisë materiale të zyrtarëve apo nëpunësve të shtetit, e cila lind në rast të shkeljes së përgjegjësive të tyre.
Kështu, si flamuj të kuq (red flag) për çdo lloj të përgjegjësisë materiale janë:
(i)dëmi i shkaktuar mbi financat, asetet e pasuritë, në përputhje me dispozitivin e legjislacionit rregullues, dhe (ii)veprimi i paligjshëm nga ana e drejtuesve të enteve shtetërore dhe zyrtarëve publik.
Në çdo rast, titullarët apo drejtuesit e entiteteve publike mbartin detyrimin që të krijojnë kushtet e nevojshme dhe të përshtatshme për zyrtarët e çdo niveli, për të ruajtur financat dhe pasuritë e shtetit, pasi përndryshe, kjo do t’i japë menaxhimit të drejtën për të mbajtur përgjegjës këto zyrtarë, nëse dëmtohen aktivet financiare a materiale.
Në legjislacionin e shumë vendeve të zhvilluara, si në Evropë ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si emërues i përbashkët, përgjegjësia materiale e titullarëve, drejtuesve dhe zyrtarëve ndryshon në varësi të fushës dhe arsyeve të lidhura me të, duke bërë dallimin në disa klasifikime si: përgjegjësi materiale, përgjegjësi e kufizuar materiale dhe përgjegjësi e plotë materiale. Përgjegjësia materiale dallon gjithashtu në përgjegjësi materiale individuale dhe përgjegjësi ekipore ose kolektive, e cila zbatohet kur përgjegjësia është e përbashkët dhe kolegjiale.
Ndryshimi midis llojeve të përgjegjësisë qëndron në arsyet e zbatimit të tyre. Përgjegjësia e kufizuar materiale lind kur:
(i)punonjësit janë përgjegjës për dëmtimin ose shkatërrimin e pasurisë (të objekteve, të inventarit ekonomik, materialeve, stokut të produkteve të gatshme, financave, etj), për shkak të neglizhencës dhe mosveprimit, ose
(ii)drejtuesit e ndërmarrjeve, menaxherët ekzekutivë, shefat e departamenteve etj., janë përgjegjës për pagesa të paautorizuara, veprime jo të ligjshme dhe të ndëshkueshme, të cilat kanë sjellë shpërdorimin e instrumenteve monetare apo dëmtimin dhe shpërdorimin e aktiveve materiale të një njësie publike.
Në të gjitha rastet, legjislacioni dhe normat e brendshme rregulluese të institucioneve, ndërmarrjeve dhe shoqërive anonime shtetërore duhet të përcaktojnë procedurën për rikuperimin e kostos së dëmit nga zyrtaret apo personat materialisht përgjegjës dhe se dëmet duhet të mbulohen në përputhje me një vendim të gjykatës kompetente.
Natyrshëm shtrohet pyetje: Si është indikatori i përgjegjshmërisë publike dhe ai i përgjegjësisë materiale në qeverisjen publike në vendin tonë?
Më mirë se kudo, ky indikator gjen pasqyrimin e tij në raportet e auditimeve të institucionit të jashtëm të mbikëqyrjes së financave publike, të KLSH, duke iu referuar vetëm dy të dhënave sintetike, që janë kuptimplote:
•Referuar të dhënave zyrtare, në bazë të auditimeve të kryera gjatë vitit 2019, janë konstatuar shkelje financiare dhe parregullsi në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik prej 27,304 milionë lekë (ose afro 224 milionë EURO), dhe shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara prej 131 miliardë lekë (ose 1,069 milionë EURO).
•Vlera e parregullsive dhe shkeljeve financiare në të ardhurat dhe shpenzimet e kryera në 6-mujorin e parë të vitit 2020, në shumën prej 2,178 milionë lekë (ose 17,5 milionë EURO) dhe shkeljet e disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara është 2,276 milionë lekë (ose 18,3 milionë EURO).
Pra, pyetja e shtruar më lartë, kërkon një parashtrim tjetër: Përse nuk ka asnjë veprim nga ana e Qeverisë dhe Kuvendit për hartimin dhe miratimin e kuadrit rregullues të domosdoshëm, mbi përgjegjësinë dhe përgjegjshmërinë publike e materiale të zyrtarëve dhe menaxherëve të çdo niveli në shtet?
Studiuesit V.Chhotray dhe G.Stoker në botimin me titull “Governance Theory and Practike. A cross-disiplinary approach” (v.2009), nënvizojnë ndër të tjera se, “qeverisja ka të bëjë me rregullat e vendimmarrjes kolektive, në mjediset ku ka një shumicë të aktorëve dhe organizatave dhe ku nuk ka një sistem formal të kontrollit që mund të diktojë kushtet e marrëdhënieve ndërmjet këtyre aktorëve dhe organizatave”. Sa sipër, arrihet në përfundimin se, ekziston një neglizhencë e qëllimshme në hartimin e bazës së plotë ligjore e rregullatorë që të normojë institucionin e përgjegjshmërisë memaxheriale dhe përgjegjësisë materiale publike.
Për institucionin e Kontrollit të Lartë të Shtetit, si agjent i Kuvendit për mirëmenaxhimin e parasë publike, nevoja e hartimit të një projekt ligji mbi përgjegjshmërinë dhe përgjegjësinë materiale (si derivat i kësaj të parës), ka qenë një rekomandim i hershëm dhe konstant për strukturat qeveritare (kjo, së paku, që prej vitit 2012).
Në këndvështrimit tim, hartimi dhe miratimi i këtij projekt-ligji (duhet thënë shqip se është shumë i vonuar!), duhet të kishte si qëllim që, krahas mbrojtjes së interesave publike, forcimit të dimensionit të integritetit dhe parandalimit të korrupsionit, ti shërbejë përmirësimit të mirëpërdorimit të vlerave materiale e monetare në institucionet e qeverisjes së përgjithshme, njësitë e qeverisjes vendore, apo njësitë e fondeve speciale, si pjesë këto të sektorit publik. Domosdoshmëria e hartimit të këtij projekt-akti ka buruar nga analizat e shpeshta të kryera mbi mangësitë dhe anomalitë e vazhdueshme ligjore, të konstatuara nga ekspertiza profesionale e audituesve të jashtëm apo dhe institucioneve të tjera shtetërore.
Unë kam insistuar se, miratimi i kësaj norme ligjore do të shërbejë për identifikimin e ndarjen e përgjegjësive të zyrtarëve publikë, si rrjedhojë e vendimmarrjeve të gabuara gjatë ushtrimit të detyrave dhe përgjegjësive të tyre funksionale. KLSH gjatë auditimeve të ushtruara, ka konstatuar një mori rastesh e situatash të ndryshme të vendimmarrjeve të gabuara të zyrtarëve publik, me pasoja të parikuperueshme për buxhetin e shtetit, dëme të konsiderueshme financiare, përdorime jo eficente të burimeve publike, shpërdorime dhe abuzime të ndryshme të pasurisë publike, por që, edhe për shkak mungesës së dispozitave ligjore që të parashikojnë ngarkimin me përgjegjësi materiale të titullarëve, autoriteteve apo institucioneve të ngarkuara nga ligji, si rrjedhojë e veprimeve apo mosveprimeve të tyre kundrejt ligjeve në fuqi, këto efekte nuk janë rikuperuar dhe kthyer në arkën e shtetit.
Në vlerësimin tim, domosdoshmëria e hartimit të një ligji të tillë nën moton “përgjegjshmëri nëpërmjet përgjegjësisë”, është e lidhur përveç të tjerash, me arsyet e mëposhtme:
Asnjë dispozitë ligjore aktualisht, nuk parashikon aplikimin e përgjegjësisë materiale mbi dëmet e shkaktuara buxhetit të shtetit nga funksionarët dhe zyrtarët e tij të çdo rangu dhe niveli, kjo si pasojë e suprimimit të institutit të përgjegjësisë materiale;
Kodi i punës i referohet përgjegjësisë civile të punëmarrësit dhe kjo ka shkaktuar probleme të rëndësishme në rikuperimin e dëmeve pasurore;
Siç dihet, përgjegjësia civile është shumë e gjerë dhe trajtimi i saj behet vetëm në rrugë gjyqësore dhe jo në rrugë administrative, gjë që vështirëson së tepërmi arkëtimin e dëmeve (sidomos atyre të rezultuara nga auditimet financiare dhe të përputhshmërisë) dhe nga ana tjetër shtohet në mënyrë të padrejtë volumi i punës në gjykatat e vendit;
Përgjegjësia materiale do të disiplinonte zbatimin e vendimeve të gjykatave apo të institucioneve të tjera, pasi koncepti i përgjegjësisë materiale i konsideron si dëm efektiv efektet e pasojave që rrjedhin nga moszbatimi i këtyre vendimeve;
Aplikimi i përgjegjësisë materiale synon të përfshijë edhe përgjegjësinë e titullarëve të subjekteve shtetërore, apo organeve kolegjiale publike në lidhje me vendimmarrjet e gabuara, (kjo e fundit qoftë edhe si përgjegjësi indirekte);
Përgjegjësia materiale do të rrisë në një shkallë shumë të lartë përgjegjshmërinë menaxheriale. Ajo synon që të ndëshkojë edhe rastet e sjelljeve te gabuara profesionale apo dobësitë në keqmenaxhim në raport me ligjin, objektivat apo standardet profesionale, kur këto veprime kanë sjellë dëme ose përdorim jo eficient të burimeve publike.
Në tërësi, hartimi i një projekt akti të tillë do të ndihmonte në:
1.Sanksionimin e përgjegjësisë specifike të zyrtarëve publikë nga vendimmarrjet e gabuara, që kanë sjellë apo do të sjellin efekte negative për financat publike, për të cilat paguhen penalitete, gjoba, sanksione, kamatëvonesa, etj;
2.Parandalimin dhe frenimin në mënyrë të dukshme të dëmeve financiare, keqmenaxhimit dhe shkeljeve të ligjshmërisë dhe nxitjen e maturisë së titullarëve publikë mbi përgjegjësinë dhe pasojat e tyre për urdhrat, vendimet dhe aktet që nënshkruajnë.
3.Reduktimin në tërësi të kostove administrative jo eficente.
4.Përmirësimin e mekanizmave të mbrojtjes së burimeve publike, nëpërmjet rikuperimit të shpejtë të dëmeve të shkaktuara.
5.Ngulitjen dhe forcimin e kulturës së përgjegjshmërisë menaxheriale, duke u bazuar në konsekuencat dhe impaktin e veprimeve dhe mosveprimeve, kjo si në ushtrimin e përgjegjësive funksionale direkte, ashtu dhe për rastet e ushtrimit të kompetencave të deleguara.
6.Reduktimin dhe minimizimin e arbitraritetit në vendimmarrjet e titullarëve të entiteteve publike, që ushtrojnë funksione menaxheriale dhe që duhet të mbajnë përgjegjësi në kuadër të njësisë publike.
7.Përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe kontrollit të brendshëm, pa kërkuar investime apo kosto shtesë nga fondet e buxhetit të shtetit, apo krijimin e strukturave organizative të reja.
8.Themelimin e procedurave dhe mekanizmave për realizimin e kësaj përgjegjësie, pa shkelur në asnjë rast të drejtat e punonjësve për t’u paraqitur përpara një gjykate, kur nuk janë dakord me vendimet administrative, etj. Në këtë kuadër, sanksionimin e proceseve të shqyrtimit të ndershëm e të drejtë të pretendimeve të punonjësve; mundësinë për t’u njoftuar lidhur me fillimin e procedimit për caktimin e përgjegjësisë materiale, për t’u informuar lidhur me dëmin faktik të pretenduar dhe provat në ngarkim të tij, të drejtën për t’u dëgjuar, për të paraqitur prova shtesë, për mbrojtje juridike dhe të drejtën për t’u asistuar nga një avokat, këshillues ligjor, etj.
9.Parashikimin dhe aplikimin e procedurave të qarta për autoritetin e caktimit të përgjegjësisë materiale, veçanërisht kur kjo është rrjedhojë e vendimmarrjeve kolegjiale. Këtu mendojmë se në të ardhmen, një rol më aktiv duhet të ketë institucioni i Avokaturës së Shtetit.
Gjithçka më sipër, e bën të domosdoshme dhe imediate inicimin e një projekt ligji rregullator në lidhje me përgjegjësinë materiale të zyrtarëve publik.
Për sa më sipër, kohë më parë, kam shprehur angazhimin tim personal, duke ofruar e vënë ne dispozicion për përgatitjen e një projekt-ligji me këtë fokus, përvojën dhe ekspertizën e specializuar të institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, për të kurorëzuar një proces të tillë të rëndësishëm dhe jetik për mirëqeverisjen publike, por kjo ka hasur në heshtjen dhe përgjumjen e Qeverisë, të cilës kjo situatë e mos rregullimit ligjor mesa kuptohet, i shkon për shtat. Inkurajoj debatet publike rreth kësaj teme, të cilat, pavarësisht mospajtimeve nuk duhet të rreshtin dhe tejkalohen nga mbisundimi i lajmit të ditës dhe zhurmës mediatike që ushqehet nga Qeveria.
Dr. BUJAR LESKAJ

Selenica qyteti i harruar

Selenica qyteti i harruar

Kanë kaluar dekada, shekuj dhe për Selenicën për qytezën e arit të zi kanë shkruar e folur shumë historianë, gjeografë, shkrimtarë, gazetarë, kronistë, studiues, janë dhënë emisione televizive,
e gjithkush prej tyre është përpjekur të japin një tablo për të, disa, me dhimbje në zemër e me
lot në sy jepnin realitetin – të tjerë përpiqeshin kësaj qyteze t’i vishnin vellon e nusërisë në një
trup të plakur të copëtuar nga pangopësia e oligarkëve.
Jo shumë larg brigjeve të Adriatikut dhe Jonit e futur mes dy lumenjve, Vjosë e Shushicë si
dikur “Mesopotamia” mes lumenjve Tigër dhe Eufrat, ndodhet Selenica. Emri i këtij qyteti është
lidhur ngushtë me mineralin e rrallë në Europë dhe me gjerë Seren “arin e zi”. Kjo minierë është njohur që në kohërat më të hershme, bile ekzistojnë materiale që vërtetojnë lashtësinë e saj edhe para erës së re. Po ashtu ka materiale më konkrete që vërtetojnë se këtu është punuar edhe në periudhën e Mesjetës. Nga dokumentet e gjetura vërtetohet se në këtë minierë kanë punuar ilirianët e kanë njohur grekërit dhe romakët të cilët kanë shkruar për të. “Pirusët punonin në minierat e bitumit të Selenicës, e cila u zhvilluar mjaft në influencën e qytetërimit grek e atij
romak (A. Baldaçi). Aristoteli në një nga dokumentet e gjetura thotë: “Thamë se del asfalt dhe zjarre si currila që shpërthejnë nga toka… dhe banorët e vendit thonë se jo larg këtij vendi është një zjarr”… Në juglindje të Selenicës edhe sot dallohen dherat e pjekur, të kuq, të fortë, që tregojnë se në të vërtet ka pasur zjarre.
Periudha e kohës së Mesjetës
Dokumente të gjetur në vitet 1675-1750 po kështu në librin “Shqipëria para dy shekujve” të
autorit Muhamet Dihilini Dervish i shekullit 17 i cili ka vizatuar Beratin, Frakullën, Selenicen,
etj., midis të tjerave thuhej: “Njëzet katunde myslimanësh u përdorën si punëtorë në këtë
minierë dhe si shpërblim janë përjashtuar nga të gjitha taksat shtetërore. Veç këtyre në minierë
punojnë dhe gjithë kriminelet e dënuar burgim të përjetshëm”.
Sipas Baldaçit, bitumi i Selenicës është tregtuar në vende të ndryshme të pellgut të detit Mesdhe dhe të Europës Qendrore, si në Hamburg, Roterdam, Trieste, Otranto, Odese, Pire,
Volos, Patra, Marsejë, etj. ne periudhat:
Periudha e shoqërise angleze 1870-1890
Periudha e shoqërise franceze 1890-1714
Periudha e okupacionit italian 1916-1920
Periudha e shoqërisë SIMSA
Periudha e sistemit komunist 1944-1990
Periudha e shoqëris franceze 1990 – e ne vazhdim.
Pra i nderuar lexues gjithë kohën e kanë zhvatur nëntokën e këtij qyteti – Por vallë përse e
dhuroi zoti? – Për armë vrasëse apo për të shtruar rrugët e tua. Selenica fle mbi arin e zi, i cili
shtrihet nga Jugu në kufi me kodrat e Treblovës, e në Veri në kufi me lumin Vjosë. U ndalëm pak në periudhat e shfrytëzimit të minierës se Selenicës për t’i kujtuar Politikanit, pushtetit lokal apo atij qendror se nëntoka e këtij qyteti ka prodhuar miliarda tonë pasuri e zbërthyer kjo në miliarda $ të derdhura në arkat e shtetit. Por le të ndalemi te tek qëllimi i shkrimit tonë.
“Selenica e pasur nëntokë, por e varfër mbi tokë”
Kjo situatë më bren ndërgjegjen dhe më bën të revoltohem. Pse? Pse? Vallë ky qytet, këta banorë, të vuajnë neglizhencën e shtetarëve të cilët e kanë lënë në harresë. Provo i dashur lexues të udhëtosh në Selenicë. Nisu nga qyteti bregdetar dhe drejtohu drejt Lindjes jo me shumë se 25km do të ndalesh në këtë qytet. Provo i dashur kalimtar të vish në këtë rrugë! Provo! Por të lutem mos eja me mjete luksoze dhe të larta, ashtu siç vinë shtetarët tanë, eja me furgon ose me një “Fiat” siç udhëton Selenicari. Pra do të shohësh dhe do të tmerrohesh nga kjo rrugë ku thellësie e gropës kalon 50cm. Ja pra ky është një nga problemet me kryesore e këtij komuniteti i akumuluar ndër vite. Selenica me minierë zifti dhe me rrugë të standardeve të luftës, që nuk do ta gjesh në asnjë copë të planetit tonë. Vijnë fushatat zgjedhore dhe premtimi i parë që bëjnë politikanët është rruga – populli përsëri duartroket.
-rruga jo
-populli prap brohoret
-I tillë ishte dhe premtimi i 2013 nga PS dhe nga vetë z. Rama, i cili u bë dhe deputet i Qarkut
Vlorë. “Selenica më në fund do të lidhet me anë të një ure mbi lumin Vjose dhe me superstradën Levan-Tepelën”. Banorët gëzuan dhe prapë duartrokiten. Edhe kësaj radhe votat shkuan për atë që gënjyen me premtime të mëdha. Pra Selenica u bë pjesë e investimit të “lumit të Vlorës pra pjesë e lotit të 4-të”. Vitet kalonin dhe drita që prisnim të shfaqej në fund të tunelit nuk po dukej.
Përfaqësuesi ynë në Parlament e denoncoi “Investimi anulohej”, – komuniteti i zonës do të kalojë nga Kuçi –Gusmar – Tepelenë për të vajtur në Gjirokastër apo Tiranë. Sa absurde!
Më i forti në organin më të lartë legjislativ, atje ku mblidhen të votuarit e popullit, rrëmbyen
fondin dhe e çuan atje ku kish një stan – një bujtinë – dhe një vilë të mikut të tyre.
Po ku vallë është produktiviteti i këtij investimi?
Investimi shkon atje ku ka njerëz atje ku ka prodhim – atje ku ka investim – e pra i dashur
përfaqësues i Parlamentit këtu në Selenicën e mjerë ka jetë, – por që ju doni ti zini frymën.
Po eja shiko zoti politikan se sa investime kanë bërë banorët.
Punuan në emigracion prej tre dekadash dhe ndërtuan shtëpi – krijuan plantacione ullishte,
vreshtari, pra njerëzit ju kthyen punës (tokës) – me shpresën se dhe ne do te lidheshim me
superstraden që është vetëm 5 minuta larg qytetit.
Premtim i pa mbajtur!
-Ëndrra që u realizua!
Populli filloi të lëvizë, populli filloi zgjohet nga gjumi i thellë. Shoqëria civile e mblodhi atë në tubime paqësore, pa firmosën dhe peticion drejtuar instancave më të larta – ende asnjë përgjigje!
Populli foli: “Mosbindje civile” – pra bojkotim të zgjedhjeve Qendrore të 2021.
Shteti nxori ligje.
Ky zë u shua!
Ndoshta një ditë do të lindë dielli dhe për ta.
Po!
Partia Demokratike pas 25 Prillit do realizojë ëndrrat e Selenicarëve!
Bujar Leskaj & Ilia Bombaj

Kapja e shtetit dhe llogaridhënia te ndërkombëtarët

Kapja e shtetit dhe llogaridhënia te ndërkombëtarët

Botuar ne gazeten Panorama datë 30.12.2020.
Shtatë vite e katër muaj të qeverisjes së Edi Ramës kanë shkaktuar zhvendosje tektonike të pllakës së demokracisë sonë, duke krisur shtyllat e shtetit shqiptar dhe minuar bazat ekonomike dhe sociale të qytetarëve të këtij vendi. Megjithatë, dëmet e jashtëzakonshme të shkaktuara nga kjo keqqeverisje janë ende edhe sot të vështira jo vetëm për t’u analizuar, por edhe për t’u konstatuar. Kjo ndodh për shkak të propagandës së përditshme, trullosëse dhe të kapilarizuar të qeverisë, e cila ka shpenzuar me dhjetëra-miliona euro gjatë këtyre viteve për të dalë ndryshe nga ç’është në sytë e shqiptarëve. Fatmirësisht, për të parë mbretin lakuriq, për të ditur të vërtetën e plotë të qeverisjes në këto ditë, na ndihmojnë filtrat objektivë dhe optika e pagabueshme e partnerëve dhe vëzhguesve ndërkombëtarë.
Sot, institucione të rëndësishme ndërkombëtare, veçanërisht të SHBA-së dhe BE-së, si dhe forume të “think-tank”-ëve, instituteve dhe organizatave prestigjioze ndërkombëtare, pavarësisht nga individualiteti, vendndodhja ose përkatësia institucionale dhe organizative, bashkohen në gjetjet e tyre mbi zhvillimet politike dhe ekonomike të vendit, të cilat janë korrupsioni i shndërruar në sistem, pastrimi i parave, rritja e borxhit publik përmes PPP-ve dhe koncesioneve të pakërkuara, kapja e plotë e shtetit.
Pas raporteve të Departamentit Amerikan të Shtetit mbi klimën e investimeve, indeksit vjetor të Institutit të Bazelit, raportit të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të trajtuara në një shkrim të mëparshëm të datës 3 dhjetor me titull “Nota jokaluese e institucioneve ndërkombëtare për qeverinë”, ku theksova se vënia e interesit të sektit të Kryeministrit në fuqi mbi interesat publike të vendit po e shkatërron të ardhmen e shqiptarëve, shfaqja e disa raporteve nga organizata të tjera ndërkombëtare më shtyu që t’u referohem këtyre analizave objektive, përpara të cilave zbërthehet dimensioni më i zi i qeverisjes Rama, që është kapja e plotë e shtetit nga një grup sipërmarrësish mbizotërues në treg (oligarkësh), ose edhe nga një oligark i vetëm.
Konkretisht, organizata prestigjioze “Transparency International” (TI) në raportin për vitin 2020 me titull “Ekzaminimi i Kapjes së Shtetit”1 , thekson se Shqipëria është e para në rajonin e Ballkanit Perëndimor për numrin e “ligjeve të qëndisura”, të bëra me porosi për grupe ose persona të caktuar. “Transparency International” ngre alarmin se në Shqipëri po shkohet drejt një situate ku do të konsiderohet i paligjshëm denoncimi i të paligjshmes: “Ligjet e qëndisura posaçërisht për një ose disa persona vulosin dhe legjitimojnë privatizimin e institucioneve dhe burimeve publike duke e bërë atë të ligjshëm. Ligje të tilla jo vetëm që dekriminalizojnë kapjen e shtetit por, pasi miratohen, e bëjnë më të vështirë luftimin e kapjes së shtetit, sepse përpjekja do të perceptohet si mosbindje ndaj ligjit” (faqe 16 e Raportit). Ligji për lojërat e fatit dhe koncesioni për ndërtimin e autostradës Milot-Balldren janë dy nga shembujt që përmenden në raport, për të ilustruar ligjet, përmes të cilave synohet kapja e plotë e shtetit dhe vënia e tij në shërbim të interesave të një grushti kompanish të lidhura me kreun e qeverisë ose me sekserë e “agallarë” të tij, kompani që pasurojnë sektin Rama dhe varfërojnë shqiptarët.
Në ligjin për lojërat e fatit të vitit 2015, “Transparency International” denoncon se fillimisht ishte parashikuar që taksa mbi lojërat e fatit të ishte 25%, numri i sipërmarrjeve 500 dhe të vendosura të paktën 200 metra larg institucioneve edukuese dhe fetare. Por 24 orë para sesionit plenar parlamentar, ligjit iu bënë ndryshime, duke rezultuar në uljen e taksës nga 25% në 15%, rritjes e numrit të sipërmarrjeve nga 500 në 1000 dhe uljen e distancës minimale mes tyre, nga 200 m në 100 m (faqe 17 e Raportit).
Në denoncimin për koncesionin e autostradës Milot-Balldren, raporti i “Transparency International” thekson se “në qershor 2018, Këshilli i Ministrave i dha një kompanie pikë bonus prej 8.5 përqindësh dhe në tetor Ministria e Infrastrukturës njoftoi një koncesion 13- vjeçar për ‘A.N.K Shpk’ për ndërtimin e rrugës 17.2 km Milot-Balldren. Ligji u miratua në korrik 2019 për këtë qëllim. Për punën, kompania do të ngarkojë 256 milionë € (15 milionë € për km), më shumë se dyfishi i shumës që qeveria e Shqipërisë kishte parashikuar për ndërtimin e rrugës në Strategjinë Sektoriale të Zhvillimit të Transportit 2016-2020. Megjithatë, qeveria alokoi një shtesë prej 44 milionë € për projektin në planin e saj buxhetor afatmesëm, duke rritur koston totale në gati 300 milionë €. Institucioni i Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) zbuloi një rritje artificiale në kostot e projektit të krijuar, duke e kualifikuar projektin si një “autostradë” në vend të një “rruge ndërurbane”, me një shtim, për pasojë, të çmimit nga 61.5 milionë € në 140 milionë € në studimin e fizibilitetit” (faqe 18 e Raportit).
Mes këtyre ligjeve, të cilat Raporti i “Transparency International” i cilëson “tailor-made laws”(në shqip “ligje të qëndisura, të porositura si te rrobaqepësi”) bën pjesë edhe ligji për dividendin me nr. 94/2018 “Për disa ndryshime në ligjin nr. 8438 ‘Për tatimin mbi të ardhurat, të ndryshuar”. Në kundërshtim flagrant me Nenin 155 të Kushtetutës, ku përcaktohet se ligjet mbi tatim-taksat, detyrimet financiare etj., nuk kanë fuqi prapavepruese, sekti Rama arriti të përfshinte në nenin 9 të ligjit një dispozitë që e ulte tatim-fitimin nga dividendi nga 15% në 8%, duke i dhënë efekt prapaveprues.
Në raportin e zbatimit të buxhetit faktik të shtetit për vitin 20182 (faqe 130-133), Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se ky ligj ka krijuar pabarazi fiskale në raport me individët apo aksionerët, të cilët e kanë shpërndarë dividendin deri në vitin 2017, ndërsa disa kompani të mëdha, duke e ditur përpara, kanë pritur ndryshimin ligjor favorizues për tatimin mbi dividendin. Kështu, të ardhurat e derdhura nga tatimpaguesit për dividendin deri më 20 gusht 2019 janë gjithsej 7.8 miliardë lekë, krahasuar me vetë 3.6 miliardë lekë për vitin 2017 dhe 3.1 miliardë lekë për vitin 2016. Dhe nga 7.8 miliardë lekë të dividendit të shpërndarë në vitin 2019, rreth 2.6 miliardë lekë u përkasin vetëm 5 kompanive që kanë kontributin më të lartë në zërin e të ardhurave “Dividend”. Thënë ndryshe, ndryshimi i ligjit mbi dividendit ka favorizuar drejtpërdrejt dhe kryesisht vetëm 5 kompani, në kurriz të të ardhurave për buxhetin e shtetit. Del qartë se këto kompani “porositëse” të ligjit, nuk e tërhoqën qëllimisht dividendin deri në gusht të vitit 2018 (në kohën kur tatimi mbi dividendin, sipas ligjit të porositur, u ul në 8%). KLSH konkludon se fuqia prapavepruese e këtij ligji për diferencën 7% (15% – 8% ndryshim në nivelin e tatimit mbi dividendin) përbën të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit.
Tjetër dimension i kapjes së shtetit është shndërrimi i Shqipërisë në qendër të pastrimit të parave dhe përdorimi i PPP-ve si “lavatriçe”. Instituti Ndërkombëtar për Lindjen e Mesme dhe Studimet Ballkanike (IFIMES), me qendër në Lubjanë, ka botuar në 19 dhjetor një raport analitik me titull “Edi Rama takes Albania closer to Latin America, not EU” (Edi Rama po e afron Shqipërinë me Amerikën Latine, jo me BE-në3 . Ky raport, duke analizuar ngjarjet politike dhe ekonomike për vitin 2020 në Shqipëri, cilëson se “megjithëse në 2013-ën me ardhjen në pushtet të Edi Ramës, kryetar i Partisë Socialiste dhe kryebashkiak i Tiranës për shumë vite, pritej që vendi të lulëzonte, në fakt ndodhi krejt e kundërta. Ndërsa në dy vitet e para të mandatit si Kryeministër u regjistruan disa ndryshime pozitive, fill më pas ndryshime drastike ndodhën me shpërthimin e krimit (të organizuar) dhe korrupsionit”. IFIMES ndër të tjera thekson se pastrimi i parave dhe PPP-të po e çojnë Shqipërinë drejt falimentimit. Sipas IFIMES, Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar ka zbuluar se gjatë periudhës 2017-2019 vetëm në Tiranë u pastruan rreth 1.6 miliardë euro në sektorin e ndërtimit, ndërsa projektet e PPP-ve, përveçse kanë shërbyer edhe si lavatriçe parash, e kanë katapultuar borxhin e Shqipërisë (duke përfshirë edhe atë të fshehur) nga 63% në 2013- ën në 95.7% në 2020-ën. Raporti i IFIMES del me konkluzionin se “largimi i Edi Ramës është shpëtim për Shqipërinë” (faqe 6 e Raportit).
Kapja e plotë e shtetit tonë në lëmin ekonomik, e denoncuar fuqishëm këtë dhjetor nga raportet e mësipërme, të sjell në vëmendje shprehjen e njohur “është ekonomi, o budalla” të James Carville, strategut të shquar të fushatës presidenciale të ish-Presidentit të 42-të SHBA-së, Bill Klinton. Qeveri Rama e ka kuptuar së prapthi këtë shprehje, që në fakt është aksiomë sa politike dhe ekonomike e logjikës së veprimit të një qeverie brenda kornizës së shtetit të së drejtës. Qeveria Rama kupton vetëm ekonominë për sektin oligarkik të Kryeministrit, duke e kthyer Kuvendin në një “rrobaqepësi” ligjesh për oligarkët, në dëm të ekonomisë së vendit dhe qytetarëve.
Në historikun 30-vjeçar të demokracisë sonë të brishtë, asnjëherë nuk kemi pasur një qeveri kaq të komentuar me nota negative nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare, sa qeveria Rama. Kur ndërkombëtarët humbasin besimin te një qeveri dhe e demaskojnë atë si grupim për kapje të shtetit, kumti që përcillet është një dhe i vetëm: kjo qeveri jo vetëm që e ka humbur besimin e qytetarëve të saj, por largimi i saj është një domosdoshmëri për frymëmarrjen demokratike dhe integrimin në BE të Shqipërisë.
Bujar Leskaj

Takim me qytetarët dhe strukturat e PD të Bashkisë Selenicë.

Takim me qytetarët dhe strukturat e PD të Bashkisë Selenicë.

Së bashku me kryetarin e PD Dega Selenicë z. Sezai Balilaj si dhe ish kryetarin e Bashkisë Selenicë z. Përparim Shametaj dhe sekretarin e PD Dega Selenicë z. Klevis Beko, në kuadër të përgatitjeve për zgjedhjet parlamentare të 25 Prillit gjatë periudhës 13 Nëntor – 24 Dhjetor kemi kryer takime me 6 grup-seksionet e Degës së PD Selenicë, me strukturat drejtuese të saj si dhe një pjese të antarësisë.
Takimet janë zhvilluar sipas kalendarit më poshtë.
12 Nëntor takim me Kryesinë e PD-së, dega Selenice.
4 Dhjetor, mbledhje me grup-seksionin Kotē.
5 Dhjetor, mbledhje me grup-seksionin Selenicë.
17 Dhjetor, mbledhje me grup-seksionin Vllahinë.
18 Dhjetor, mbledhje me grup-seksionin Sevaster.
18 Dhjetor, mbledhje me 18-grup-seksionin Brataj.
24 Dhjetor, mbledhje me grup-seksionin Armen;
Në të gjitha takimet e sipërpërmendura, kanë marrë pjesë:
Nënkryetari i Degës së PD Selenicë z.Leonard Rakipaj ;
Kryetarët përkatës të grup-seksioneve si më poshtë:
– Kotë z. Neim Veshaj
– Selenicë z. Xhuljo Maraj
– Vllahinë z. Ariton Shoraj
– Sevaster z. Bedri Aliaj
– Brataj z. Trëndafil Hoxhaj
– Armen z. Haxhi Sulaj
Gjithashtu në takime kanë marrë pjesë kryetarët/sekretarët e seksioneve dhe një pjesë e anëtarësisë.
Takimet janë zhvilluar në respekt e në zbatim të normave ligjore mbi tubimet publike e veprimtaritë politike në kushtet e pandemisë.

Liria dhe kthimi i shpresës

Liria dhe kthimi i shpresës

8 Dhjetori, Dita e Rinisë përfaqëson edhe Ditën e Lirisë për të gjithë shqiptarët, ndoshta e ngjashme me 28 Nëntorin, ditën e madhe të lirisë kombëtare në raport me historinë tonë.
Studentët në dhjetorin e 1990-ës, ndërmjet Lirisë dhe Tiranisë, pa mëdyshje zgjodhën lirinë, si pasurinë më të madhe të Njerëzimit dhe shoqërisë moderne. Liria nuk implementohet në mënyrë mekanike, ajo ndërtohet. Studentët e dhjetorit 90-të ishin nismëtarët e saj të parë, duke gjeneruar heronjtë e e mëdhenj të Lëvizjes për Liri e Demokraci, si Arben Broci, Azem Hajdari, etj.
Mposhtja e frikës dhe sfida që studentët shqiptarë i bënë sistemit diktatorial komunist gati 50 vjeçar shënuan atë moment të madh të ndërgjegjësimit të kombit tonë për të shkuarën e vet, por mbi të gjitha për të ardhmen e tij.
Bijë e Lëvizjes së Dhjetorit 90-të u bë Partia Demokratike, Partia e Dhjetorit, e cila thirrjet e studentëve “E DUAM SHQIPERINE SI GJITHE EVROPA!” i bëri program për të ndërtuar marrëdhënien e re të vendit me të ardhmen evropiane.
Studentët në dhjetorin e 1990-ës zgjodhën lirinë. Tani, pas 25 prillit 2021, studentët e sotëm do të kenë mundësinë të zgjedhin rrugën e jetës mes ofertave më të mira për punë, që do t’ua mundësojë një qeverisje e përkushtuar dhe e fokusuar tek ata.
Gjithshka ka të bëjë me idealin qeverisës. Partia Demokratike është e përkushtuar të sigurojë një të ardhme të qartë për të rinjtë në vendin e tyre. Forca politike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, ka një program të plotë për krijimin e lehtësirave me politika fiskale nga shkolla tek tregu i punës për grupmoshat 18-20 vjeç, për vendosjen e sistemit të meritës.
Sa qindra mijëra prindër sot janë të etur për të parë dhe përqafuar fëmijët e tyre, të ndodhur larg në shtetet e tjera në Evropë dhe në botë?
Sa dhjetëra mijëra prindër të tjerë rrinë me zemër të dredhur, pse tetë ndër dhjetë fëmijët e tyre dëshirojnë vetëm të largohen një orë e më parë nga Shqipëria?
Jo pse nuk e duan vendin e tyre. Jo se nuk kanë menduar të ndërtojnë të ardhmen pranë shokëve, shoqeve, miqve dhe prindërve këtu. Jo se nuk kanë shpresuar, ndoshta dhe me muaj e vite të tëra, për një shans, një mundësi punësimi, që nuk e kanë gjetur në atdhe. Me rezultate të shkëlqyera në studime brenda dhe jashtë vendit, kanë aplikuar pafund, të ndodhur brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, për një vend të ri pune në administratë në vendin e tyre. Kanë pësuar një zhgënjim të thellë, ndoshta më të hidhurin e jetës së tyre të re, kur u janë mbyllur brutalisht dyert, nga makutëria dhe nepotizmi i burokratëve shtetërorë, mes zhurmës dhe fanfarave butaforike të gjoja pritjes me krahë hapur në administratë të studentëve të ekselencës.
Mungesa, gati vrasja përfundimtare e shpresës ka bërë që emigracioni në Shqipëri të rritet 3-4 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Ballkanit. Mungesa e perspektivës, mungesa e vendeve të punës janë shkaku kryesor i largimit të më shumë se 315 mijë të rinjve në tetë vitet e fundit. Është sikur qarqet e Vlorës dhe të Kukësit të boshatisen brenda një nate dhe të kenë zero banorë!
Të rinjtë përbëjnë 45 përqind e fuqisë punëtore të vendit, por sot tre në pesë prej tyre jetojnë të papunë. Edhe pse kanë arsimin e duhur dhe motivimin për të filluar sa më shpejt. Sot kemi realitetin më të hidhur dhe dështimin më të pagojë të investimit tek të rinjtë, me 74.8 përqind të grupmoshave 19-27 vjeç që duan të emigrojnë, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre në atdhe.
Partia Demokratike ka vendosur në krye të prioriteteve të saj për qeverisjen e nesërme, kthimin e shpresës tek Shqipëria. Prioritet absolut është gjenerimi i vendeve të reja të punës, punësimi nëpërmjet investimeve të Shtetit në sektorët që e kthejnë menjëherë këtë investim, si në turizëm, agro-përpunim, agro-turizëm, energji të rinovueshme dhe teknologji e informacionit.
Programet dhe projektet e reja për investime nga Buxheti i Shtetit, në bashkëpunim me fondet e donatorëve, do të përparësojnë në mënyrë të veçantë punësimin e të rinjve. Detyra e qeverisë së ardhshme është që t’ua bëjë sa më të lehtë dhe sa më të pranueshëm rikthimin në vendin e tyre seicilit prej të 315 mijë të rinjve që u detyruan të braktisin atdheun nga mungesa e perspektivës dhe e shpresës në tetë vitet e fundit.
Partia Demokratike do të synojë me të gjithë forcën e vizionit dhe idealit të saj mbylljen e plagës së emigracionit, në rradhë të parë tek të rinjtë. Qeveria e ardhshme e saj do të sillet ndaj të rinjve me të njëjtin përkushtim e përgjegjësi, siç sillen prindërit ndaj fëmijëve të tyre.
Vetëm përkushtimi absolut çdo ditë, çdo orë, vetëm përqëndrimi i fondeve publike tek programet dhe projektet për hapjen e vendeve të reja të punës në sektorë konkurrues e prioritarë për ekonominë tonë, do të ngjallë dhe kthejë shpresën tek të rinjtë tanë, si dhe besim tek investitorët vendas dhe të huaj. Kriza, në rradhë të parë ajo e besimit, do të ndalojë dhe vendi do të kthehet në një cikël pozitiviteti për të gjithë. Të parët që do të përqafojnë shpresën dhe pozitivitetin do të jenë të rinjtë, duke rikthyer shikimin dhe planet e tyre në Shqipëri.
Programi ekonomik i Partisë Demokratike për katër vitet e ardhshme parashikon paketa konkrete fiskale për të nxitur qëndrimin e të rinjve nëpërmjet investimeve, mbështetjes së start-up-eve të tyre, një arsimi me formim profesional dhe të lidhur ngushtë me kërkesat e tregut të punës dhe të sektorëve lider të ekonomisë shqiptare. Partia Demokratike do të ketë lightmotiv të saj në çdo masë për ekonominë frenimin e emigracionit rinor dhe boshatisjes së vendit, nëpërmjet nxitjes me çdo masë e mjet të punësimit rinor. Ky punësim do të nxitet si me politika të qarta, ashtu dhe me fondet e duhura në agroturizëm, agro-përpunim, industri të lehtë me cikël të mbyllur “Made in Albania”, shërbime dhe projekte e sipërmarrje IT të të rinjve.
Studentët në dhjetorin e 1990, ndërmjet lirisë dhe tiranisë, pa mëdyshje zgjodhën lirinë sepse liria është pasuria më e madhe e shoqërisë moderne. Sot të rinjtë duhet të kenë shanset për të zgjedhur punësimin dhe të ardhmen e tyre në atdhe. Partia Demokratike ka vullnetin, energjitë, vizionin dhe programin e duhur për t’ia siguruar këtë të ardhme të rinjve tanë.
Bujar Leskaj

Nota jo kaluese e institucioneve ndërkombëtare për qeverinë

Nota jo kaluese e institucioneve ndërkombëtare për qeverinë

Për një vend si Shqipëria, që në 30 vjet liberalizim ekonomik, ende nuk ka konsoliduar një model të qartë ekonomik, roli i shtetit në politikat ekonomike dhe përmes tyre direkt në ekonomi, mbetet një dilemë e pazgjidhur dhe sfidë e rënduar nga koha. Trashëgimia që na la sistemi monist në kulturën dhe mentalitetin ekonomik, është ajo e një shteti paternalist, centralizues, dogmatik dhe anakronik në novacionet ekonomike, si në ide, ashtu edhe në teknologji.
Gjatë këtyre 30 viteve, kjo kulturë e trashëguar jo vetëm që nuk u zëvendësua nga ajo e tregut të lirë, por përkundrazi, u përçudnua, duke krijuar incentiva të çuditshme ekonomike, që zënë fill nga privatizimet e gabuara politike të së kaluarës e deri tek PPP-të e sotme, si forma të pastra të oligarkisë ekonomike që rëndom lulëzojnë në autokraci politike.
Në një mjedis të tillë, ku informacioni i brendshëm amplifikon interesat ekonomike të klasës ekonomiko-politike në pushtet, zë i besueshëm mbetet ai i partnerëve të huaj, që jo vetëm kanë kaluar eksperienca të tilla në historinë e tyre dhe kanë triumfuar mbi risqet, por njëkohësisht duan ta shohin Shqipërinë sa më shpejt të integruar apo në rrugën e drejtë të integrimit.
Kështu, sipas Raportit mbi klimën e investimeve në Shqipëri 2020 të Departamentit Amerikan të Shtetit , korrupsioni endemik(në sistem) vazhdon të minojë sundimin e ligjit dhe të rrezikojë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Raporti përmend që investuesit e huaj theksojnë korrupsionin veçanërisht të shtrirë në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa nga problemet më të mëdha tek ne.
Departamenti Amerikan i Shtetit(DASH) cilëson se perceptimi mbi korrupsionin vazhdon të përkeqësohet. Shqipëria ka rënë shtatë pozicione në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës Transparency International për vitin 2019, duke u renditur e 106-a nga 180 vende. Së bashku me Maqedoninë e Veriut, ajo regjistron treguesin më të ulët në Ballkan. Progresi në luftën ndaj korrupsionit ka qenë i ngadaltë dhe i paqëndrueshëm. DASH konkludon se Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas Transparency International dhe vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë.
Në korrik 2020, Indeksi vjetor i Institutit të Bazelit për Qeverisjen e renditi Shqipërinë të dytën në Europë dhe të 44-tën në botë për rrezikun e pastrimit të parave . Indeksi mat cilësinë dhe zbatueshmërinë e e kuadrit ligjor të luftës ndaj pastrimit të parave, korrupsionit, transparencën e raportimit financiar, transparencën dhe llogaridhënien publike dhe rreziqet ligjore e financiare.
Një raport i datës 12 nëntor 2020 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), konstatoi se në vitin 2020 mirëqeverisja është përkeqësuar në mënyrë domethënëse në Shqipëri, duke përfshirë mungesën e funksionimit normal dhe tëefektivitetittë gjykatave dhe rritjen e perceptimit të korrupsionit dhe paqëndrueshmërisë politike tek qytetarët.
Sipas BERZH, Shqipëria është sot më e keq-qeverisur sesa katër vite më parë. Pikëzimi i BERZH për mirëqeverisjen e Shqipërisë ra nga 5.16 në vitin 2019, në 4.5 në 2020. Jemi vendi i dytë me qeverisjen më të keqe në Europen Juglindore, pas Bosnjë Hercegovinës.
BERZH evidenton se masat mbështetëse të qeverisë shqiptare kundër Covid-19 kapin një vlerë prej vetëm 2.8% të PBB-së. Ky tregues është më i ulëti ndër vendet e Ballkanit Jugperëndimor dhe ndër më të ulëtit në botë.
Ndërkohë, në Indeksin “Lehtësia e të bërit Biznes 2020” të Bankës Botërore , humbim 19 vende nga klasifikimi i vitit 2019, duke u renditur në vendin e 82-të në botë. Në këtë Indeks, zëmë vendin e dytë në shtetet që kanë performuar më keq në Evropë. Nga 10 treguesit e Indeksit, në shtatë prej tyre jemi përkeqësuar, ndërsa në dy kemi ngelur në vend. Përkeqësimin më të madh e shënoi treguesi i mbrojtjes se investimeve. Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit në vendin e 26-të për mbrojtjen e investimeve, ndërsa këtë vit u renditëm në vendin e 111-të. Ky është indikatori më i rëndësishëm për investuesit e huaj. Për një vit, kemi rënë me 85 vende. Përkeqësim të fortë ka pësuar edhe indikatori tjetër që ka të bëjë me investimet, i quajtur “mbrojtja e kontratave”. Vendi ynë humbi këtë vit 22 vende në renditje, në raport me vitin e kaluar. Indikatori prej të cilit jemi penalizuar prej vitesh, lejet e ndërtimit, ka pësuar edhe ai përkeqësim të mëtejshëm. Këtë vit, Shqipëria renditet në vendin e 166-të në botë, nga vendi i 151 që ishte një vit më parë.
Jemi ndër vendet me barrën fiskale më të lartë në rajon (Banka Botërore, Raporti Ekonomik i Regullt mbi Vendet e Ballkanit Perendimor, shtator 2020, faqe 23 (https://www.worldbank.org/en/region/eca/publication/western-balkans-regular-economic-report),. Bizneset shqiptare paguajnë 36.5% të fitimeve si taksa. Rritja e tatimit mbi fitimin nga 10% në 15% nga 1 janari 2014, rezulton të ketë shtuar barrën e taksave për sipërmarrjet. Goditja selektive dhe klienteliste ndaj biznesit është kthyer në aktivitet të përditshëm për administratën tatimore, në shërbim të interesave të një sekti komandues në qeveri. Sot më shumë se kurrë është i domosdoshëm Ligji për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik, në një vendim-marrje publike gjithnjë e më tepër e orientuar të kënaqë urdhërat dhe interesat e sektit.
Në vend që të punojë për përmirësimin e klimës së biznesit në mes të një pandemie, qeveria provon marrëzinë e Urdhërit Nr. 44 datë 09.11.2020, duke u përpjekur të transferojë abuzivisht detyrimin e pashlyer tatimor nga sipërmarrja me përgjegjësi të kufizuar (Shpk.) tek pronari(pronarët) e saj apo administratori. Një sprovë flagrante kundër frymës dhe parimeve bazë të Kushtetutes, e cila sanksionon të drejtat legjitime të biznesit për t’u përgjigjur brenda detyrimeve të përcaktuara në ligj për sipërmarrjen e tij. Edhe pse qeveria u tërhoq brenda 48 orëve, ngeli shija e hidhur e një sprove-aventurë krejtësisht e papërgjegjshme, në dëmtim të fortë të klimës së të bërit biznes në Shqipëri.
Më 21 shkurt 2020, Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL e futi vendin tonë sërish në listën gri të pastrimit të parave . Ky mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës, me detyrën që të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, u shpreh se “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhur me pastrimin e parave” . Që në fund të vitit 2018, MONEYVAL u tërhiqte vëmendjen autoriteteve shqiptare që ato nuk po merrnin masat e duhura për të luftuar këto fenomene. Situata nuk ndryshoi tek ne dhe kjo solli që, në shkurt 2020 Komisioni Europian të zgjerojë mekanizmin mbikëqyrës për dukurinë e pastrimit të parave në Shqipëri, duke e rifutur vendin tonë në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave.
Të gjitha këta vlerësime objektive dhe profesionale të institucioneve dhe organizatave vëzhguese ndërkombëtare e rendisin tejet ulët vendin tonë, duke dëshmuar për rënie të fortë të nivelit të mirëqeverisjes tek ne. Institucionet ndërkombëtare evidentojnë ulje të dukshme të përgjegjshmërisë në performancën e nëpunësve të lartë publike. Risqet e menaxhimit të financave publike, të tilla si Risku i Inflacionit, Risku i Kërkesës, Risku i Normës së Interesit, Risku i Kursit të Këmbimit dhe Risku i Ndërtimit janë rritur kërcënueshëm, jo vetëm në 13 koncesionet dhe PPP-të aktive që do të paguajmë për vitin e ardhshëm, por po gjenerohen edhe në gjashtë PPP-të dhe koncesionet e reja që Buxheti i Shtetit do të financojë në vitin 2021.
Kredibiliteti i Buxhetit te Shtetit ndodhet në nivelin më të ulët të këtij 10 vjeçari të fundit dhe nuk ka shenja të përmirësimit të tij. Të gjitha vlerësimet serioze të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare për vendin tonë tregojnë çfarë qeverisje kemi dhe papërgjegjshmërinë ekstreme të saj. Një sjellje e tillë qeveritare nuk është thjesht mungesë profesionalizmi, sepse konsulentët dhe bashkëpunëtorët e huaj kanë qenë gjithnjë pranë nesh, si me dije, ashtu edhe me fonde. Një sjellje e tillë, apo më saktë një shurdhëri e tillë, buron nga vënia e interesit të sektit të Kryeministrit në fuqi(i cili sillet si krye-oligark) mbi interesat publike të vendit, nga vjedhja e së ardhmes së një kombi për të pasuruar veten dhe oligarkinë që rrethon pushtetin, nga pengimi i proceseve integruese, për ta mbajtur Shqipërinë peng të kulturës moniste, të trashëguar nga e kaluara.
Bujar Leskaj

Shtatorja e Ismail Qemal Vlorës do të vendoset edhe në Shkup

Shtatorja e Ismail Qemal Vlorës do të vendoset edhe në Shkup

Nga Vlora e flamurit, në ditën e 28 Nëntorit, Pavarësisë së Shqipërisë, ish-deputeti i PD-së Z.Bujar Leskaj, dha një lajm të shkëlqyer për të gjithë bashkëqytetarët vlonjatë dhe më gjerë. Në vitin 2021, në Bashkinë e Shkupit, Komuna Çairi Vjetër, që banohet tërësisht nga shqiptarë, do të vendoset përmendorja e Ismail Qemalit. Leskaj falënderon të gjitha ata që kontribuuan për marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm, në veçanti politikanin e njohur të Maqedonisë, Ali Ahmeti dhe kryetarin e Komunës së Çahirit, Visar Ganiu, si dhe intelektualë e studiues.
z. Bujar Leskaj gjatë intervistës që pati me televizionet e ndryshme lokale dhe kombëtare, pas ceremonisë së zhvilluar në sheshin e flamurit dhe vendosjes së kurorës ne varin e Ismail Qemalit, në cilësinë e drejtuesit politik të fushatës elektorale të PD-se në qarkun e Vlorës, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021, ndër të tjera u shpreh, se :
Kjo ditë dhe kjo datë, 28 Nëntori është dita dhe data më e shënuar në historinë e kombit shqiptar. Është dita e kombit, dita flamurit, dita që bashkon në një të vetëm Ismail Qemal Vlorën, Vlorën, Shqipërinë, Kosovën. Padyshim, kjo ditë festohet në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë, pa dallim bindje politike dhe bindje të tjera. Unë kam vetëm një lajm të mirë për të dhënë për bashkëqytetarët e mi vlonjatë dhe më gjerë. Në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora”, me intelektualë vlonjatë dhe të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, për vitin 2021 ne do të vendosim përmendoren e Ismail Qemal Vlorës në Bashkinë e Shkupit, Komuna e Çairit (Shkupi i Vjetër) që banohet tërësisht nga shqiptarët. Ky është një projekt për të cilin ne kemi një vit që punojmë. Tashmë jemi në fazën finale. Janë përzgjedhur, kuptohet nga ekspertët, dy veprat, të skulptorit të popullit, “Nderi i Kombit” Muntaz Dhrami dhe të skulptorit të shquar Luan Mulliqi. Këtë muaj ne përcaktojmë përzgjedhjen. Kemi përcaktuar dhe vendin. Tashmë është vendimi përkatës i Komunës së Çairit të Vjetër në Shkup. Këtë projekt e realizojmë në bashkëpunim me politikanin e shquar të Maqedonisë, Ali Ahmeti, me kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, me profesor Bedri Islamin, profesor Bardhosh Gaçe, me shoqatën “Labëria”, kryetarin e saj dhe shumë intelektualë të tjerë vlonjatë.
Në linkun e mëposhtëm gjeni fjalën e plote të z.Bujar Leskaj.

Dr.Bujar Leskaj, Kryetari historik dhe themeluesi i KLSH-së moderne

Dr.Bujar Leskaj, Kryetari historik dhe themeluesi i KLSH-së moderne

Gazeta 55, 08 korrik 2020, nga Redi Ahmetllari. KLSH-ja më në fund arriti në linjën e finishit me zgjedhjen nga Kuvendi të Kryetarit të ri Arben Shehu. Për rreth 8 vite e gjysmë, Dr. Bujar Leskaj qëndroi në krye të KLSH-së duke u bërë kështu Kryetari me mandatin më të gjatë në historinë 100 vjeçare të KLSH-së. Natyrisht, qëndrimi rreth 1 vit e 6 muaj përtej mandatit 7 vjeçar nuk ishte një dëshirë apo ambicie për t’u kapur pas karriges, por ngërçi ishte i tillë saqë KLSH-ja s’bënte dot pa Dr.Leskajn. Natyrisht, u krijua kjo simbiozë mes institucionit të KLSH dhe personalitetit të Dr. Bujar Leskajt, e cila nuk duhet keqkuptuar me kultin e individit, por në thelb ajo duhet të shihet me atë fenomenin e shkrirjes së institucionit me një burrë-shteti, e cila përbën veçantinë e institucioneve demokratike europiane. Pikërisht, kjo lexohet edhe tek vlerësimi i Presidentit Ilir Meta gjatë takimit me 6 korrik me Dr. Bujar Leskaj,  me rastin e dorëzimit të detyrës së tij, ku Kreu i Shtetit e falënderoi zotin Leskaj për ushtrimin me përgjegjshmëri të kësaj detyre deri në fund dhe vlerësoi rolin e tij për modernizimin e KLSH-së, përdorimin e standardeve të auditimit suprem publik të pranuara ndërkombëtarisht (ISSAI-t), për forcimin e llogaridhënies, transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike në administratën shtetërore. Takimi kishte edhe një domethënie artistike dhe simbolike, në sfond me  pikturës shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali ku trashëgimia politike dhe patriotike e të madhit Ismail Qemali spikat si rrjedhë vijuese  edhe tek përfundimi me sukses i detyrës nga Dr. Leskaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion unikal, një dhe i vetëm, në repertorin e institucioneve shqiptare dhe megjithatë, ai ka qenë i përhumbur në atë karvanin burokratik të administratës, të cilat kanë rendur mbi dërrasat e kalbura të tranzicionit shqiptar. Si ogur i mirë, 100 vjetori i shtetit shqiptar e gjeti KLSH-në me një Kryetar të ri, dr. Bujar Leskaj, personaliteti i të cilit ka qenë më i zëshëm se vet KLSH-ja e inspektimeve të zymta të 20 vjeçarit të tranzicionit. Mund të duket provinciale t’i kujtosh dikujt origjinën ku është rritur dhe mbrujtur, po përkatësia vlonjate është puqur më shumë me institucionin, më saktë në një konvergim historik, marrë parasysh faktin se themelimi i Këshillit Kontrollues në 1925 qe një propozim i deputetit të Vlorës, Mustafa Tragjasi, i cili mbi domosdoshmërinë për ngritjen e një institucioni auditimi do të shprehej se: “Populli po thotë se taksat jam tue i paguar, por nuk jam duke ditur se ku po prishen. Edhe për t’i dhënë një dritë popullit që nesër t’i paguajë taksat ma me gëzim është e nevojshme që ta ndriçojmë mbi të ardhurat dhe të prishurat”.

 

Shumëkush mund të flasë dhe të shkruaj gjithfarë qokash për dikë, por në rastin konkret, t’i thurësh artificialisht lavde është një mohim i punës reale të Dr. Bujar Leskajt në krye të KLSH-së. Si një institucion me mandat të gjerë 7 vjeçar drejtimi, Kryetarin Leskaj duhet ta shkëpusim nga e përgjithshmja, pra nga cikli i rotacioneve të kryetarëve sepse ai, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk do të bëjë pjesë tek grupi i ish-kryetarëve, por do të mbetet si kryetari i themelimit të KLSH-së moderne, ose një Kryetar emeritus i KLSH-së.

 

 

Arkitektura e re menaxheriale dhe audituese e KLSH-së ka një dëshmitar kyç, verba volant, scripta manent thotë latini, pra ligjin e ri 154/2014 të funksionimit dhe organizimit të KLSH-së. Me të drejtë, ky ligj mund të pagëzohet si Ligji “Leskaj” i KLSH-së sepse është hartuar dhe miratuar falë përkushtimit dhe vendosmërisë personale të Dr. Bujar Leskajt. Sinqeriteti i kësaj vendosmërie lexohet qartë tek thirrja e tij se do jepte dorëheqjen si Kryetar i sapozgjedhur në rast të mosmiratimit nga maxhoranca e majtë të këtij ligji. Kësaj sipërmarrjeje të Kryetarit Leskaj iu bashkua një aleat i fuqishëm i shqiptarëve, Bashkimi Europian, i cili e “kërcënoi” qeverinë e majtë se nuk do ti lëvronte rreth 40 milion euro nëse nuk do të miratonte ligjin “Leskaj” të KLSH-së.

 

Nëse do të bëjmë një bilanc, në dy vitet e para, përmes këtij ligji të ri, Dr. Bujar Leskaj arriti t’i jepte KLSH-së ato atribute që s’mori përgjatë 20 viteve. Sot, KLSH-ja është i vetmi institucion shqiptar që ka një ligj identik me simotrat europiane. U zhbë termi kontroll dhe u gdhend fjala auditim dhe u vendos fjalori dhe metodologjia euro-atlantike e auditimit, përfshirë auditimin e performancës që Perëndimi filloi ta realizonte qysh në fund të viteve ’70. Miratimi i këtij ligji është një nga ato pak arritje që regjistrohen në progres-raportet e Bashkimit Europian, pra angazhimi i tij është përkthyer në një përfitim për të gjithë shqiptarët në kuadër të përafrimit me BE-në.

 

Shtatë vjet të Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë prodhuar shumë shifra, por tek puna e tij ka diçka më të çmuar për t’u qëmtuar se 6.2 miliardë euro dëm ekonomik të zbuluar në 8 vite apo një kallëzim penal në javë: Sjellja prej shtetari!- ajo çka sot duket edhe me e rrallë, për të mos thënë inekzistente. Në fakt, para se të ketë vepruar si Kryetar i KLSH-së, ai ka vepruar si patriot dhe shtetar. Janë këto dy veti që e kanë bërë KLSH-në një institucion pararojë ndër institucionet shqiptare, madje mund të themi se Kontrolli i Lartë i Shtetit duket si para kohe në krahasim me institucione e tjera, mbarëvajtja e të cilave është bjerrë nga llurba korruptive dhe ambicia për t’u kapur me kthetra pas pushtetit. Pështjellimet politike dhe veçanërisht korruptive i kanë ngecur në kapsulën e kohës së tranzicionit institucionet shqiptare ndërsa KLSH ka arritur spikamën e vet dhe është i pari që ka shkelur finishin e integrimit europian, duke u pozicionuar si një kalorës i vetëm në luftën kundër korrupsionit. Si kryetar i KLSH-së, Dr. Bujar Leskaj ka vepruar në njëfarë mënyre edhe si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, si një përfaqësues dinjitoz i interesave kombëtare. Kujtojmë këtu se nënshkrimi i marrëveshjes së parë, si Kryetar i KLSH-së, ka qenë me Zyrën Kombëtare të Kosovës, dhe kjo përzgjedhje nuk është rastësore, por tërësore në patriotikën e vet. Po ashtu, vizitat e tij jashtë vendit kanë pasur në qendër lobimin për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare të auditimit. Me rëndësi për t’u theksuar është edhe auditimi mbi bashkimin doganor Kosovë-Shqipëri, i cili shërben si busull për atë sesi mund të bëhet ky bashkim.Në raport me Bashkimin Europian, KLSH-ja ka spikatur si aleati më i besueshëm për kontrollin dhe monitorimin e financave publike duke u shndërruar në një partner i Gjykatës Europiane të Audituesve dhe të Komisionit Europian, përmes direktoratit të përgjithshëm për buxhetin e BE-së, “DG Budged”.Marrëdhënia me SHBA është harlisur më tej përmes një bashkëpunimi origjinal dhe unikal me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së, ku dr. Bujar Leskaj është i vetmi kryetar në vend dhe në rajon që ka realizuar një homologim të plotë dhe konkret me një institucion amerikan. Pritja që iu bë në fund të mandatit nga Kryekontrollori amerikan Gene.L.Dodaro  ose e thënë ndryshe i besuari më i ngushtë i Kongresit Amerikan për auditimin e Shtëpisë së Bardhë, vjen si një certifikim i suksesit dhe besimit të punës së Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.Kujtojmë këtu se brenda 5 viteve (2015-2020) numërohen rreth 5 vizita të Kryetarit Leskaj në GAO në SHBA. Madje, kjo marrëdhënie gëzon sot një mbrojtje bibliofilike përmes botimit të fundit të Dr. Leskaj “GAO, NIK dhe leksionet e Dodaros”  si dhe ka arritur një rekord të ri në nivel europian, ku Kryetari Leskaj është drejtuesi që ka vizatuar më shumë GAO-n se çdo kryetar tjetër i KLSH-ve europiane.

Në raportet me vendet e zhvilluara të Europës Lindore, veçanërisht ato vende si Polonia dhe Çekia, aktiviteti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka rezonuar, përpos bashkëpunimit për detyrat funksionale, edhe ato ndjesitë e momenteve kyçe historike si e famshmja Solidarnos nga ku kanë marrë spunto edhe ndryshimet demokratike në vendin tonë. Si kurorëzim i këtij bashkëpunimi të suksesshëm, në fakt sot është një Kryetar i KLSH-së,Dr. Bujar Leskaj, e jo një Ministër i Jashtëm apo ndonjë zyrtar tjetër, që është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Polonisë, z. Andrzej Duda me titullin “Kryqi kalorësiak i urdhrit për merita në dobi të Republikës së Polonisë”. Si kryetar i KLSH-së ai s’ka lënë pa shpalosur “reflekset” si njeri i kulturës dhe si një mik i librit, duke e kthyer Kontrollin e Lartë të Shtetit në një institucion të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave kulturore, madje më shumë sesa vet ministria e Kulturës. Në njoftimet zyrtare apo rubrikën mjaft kërshërore “jeta sociale” të faqes së KLSH-së, Kontrolli i Lartë i Shtetit shfaq një tjetër dimension si një shtëpi e artistëve dhe intelektualëve. Po ashtu, shtresa e ish-përndjekurve ka gjetur në 7 vitet e Dr. Bujar Leskajt më shumë mbështetje tek KLSH-ja sesa përgjatë 25 viteve të marrë së bashku tek institucionet e ngritura për këtë qëllim. Madje, Kryetari Leskaj u dedikoi një auditim që nxori në pah se problematika e kësaj shtrese janë edhe më të mëdha se ato të publikuara përgjatë viteve. Duke iu rikthyer titullit, se dr. Bujar Leskaj është themeluesi i KLSH-së moderne, duhet të bëjmë një vlerësim në një optikë më të gjerë ngase mbrothësia e një institucioni matet jo nga propaganda, por tek sakrificat e drejtuesit. Në këtë rrafsh, dr. Bujar Leskaj arriti që të bënte reformë edhe me ikjen e tij, më saktë duke mos pranuar të kandidonte për një mandat të dytë. Thënë në mënyrë metaforike, ai mbrojti institucionin edhe nga “vetvetja” pasi të ushtrosh për 14 vite postin e Kryetarit, rrjedhimisht zvetënohet në njëfarë mënyre pavarësia e për pasojë KLSH kthehet si një institucion i dhënë me koncesion. Prandaj, transformimi i këtij vendimi personal të Bujar Leskajt në një parim të Kodit Etik Auditues ka dhënë një shembull të mirë, jo për KLSH-në, por në fakt për të gjithë drejtuesit, qofshin edhe ata politikë. Sepse vjen një moment kur zhvillimi i një institucioni kërkon që t’i hapet rrugë edhe nga vet iniciatorët. Kësisoj, si me emërimin e tij si kryetar ashtu edhe me largimin, Dr. Bujar Leskaj tregoi se ne shqiptarët, nëse drejtohemi nga vullneti i mirë dhe interesi i përgjithshëm, mund të arrijmë të “bëjmë shtet”. Thelbi apo kryekumti që na përcjell veprimtaria e Dr. Bujar Leskajt si Kryetar është se duhet t’i mbrojmë institucionet pikësëpari nga ambiciet personale për t’u kapur pas karriges së institucionit. Dhe ja vijmë pikërisht në realizimin e atij qëllimi që mëtojmë ta realizojmë duke u kacavjerrë pas karriges. Sot, Dr. Bujar Leskaj, përmes punës si kryetar dhe dorëzimit të mandatit si shtetar me dinjitet, ka ngadhënjyer në betejën me kohën përtej mandatit 7 vjeçar pasi e ka fituar titullin si themeluesi i KLSH-së europiane dhe moderne. Por, cilido që ka punuar, cilido mik, cilido bashkëpunëtor apo cilido që e ka takuar qoftë edhe njëherë kupton se për vlerat e mëdha multidimensionale, patriotike, kulturore dhe prej shtetari që bart Dr. Leskaj, karrigia e KLSH-së ishte e vogël për të dhe shteti shqiptar ka nevojë për punën, përkushtimin dhe kontributin e tij në instanca edhe më të larta.

Përurohet në KLSH pllaka përkujtimore në nder të ish Presidentit të Polonisë, z. Lech Kaczynski

Përurohet në KLSH pllaka përkujtimore në nder të ish Presidentit të Polonisë, z. Lech Kaczynski

Në datë 26 qershor 2020,  Kryetari i Kontrollit të Lartë të  Shtetit, z. Bujar Leskaj dhe  Ambasadori i Republikës së Polonisë në Shqipëri,  SHTZ. Karol Bachura përuruan në hyrjen e KLSH-së pllakën përkujtimore në nderim të ish Presidentit  të Polonisë në vitet 2005-2010 dhe ish Presidentit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë në vitet 1992-1995, z. Lech Kaczynski.
Ai është një nga personalitetet më të shquara polake të periudhës pas rënies së komunizmit në Poloni. Në detyrën e tij si Presidenti Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë (NIK) ai ka luajtur një rol të qenësishëm në modernizimin e NIK-ut polak, baza e të cilit është miratimi i ligjit të ri  organik të institucionit.
Në fjalën e tij me këtë rast, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj theksoi se z. Kaczynski si President i  NIK në periudhën 1992-1995 ka një kontribut të veçantë për vendosjen e aktivitetit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sigurimin e pavarësisë institucional. Ai ishte iniciator i hartimit të një ligji modern për NIK polak edhe me koston e ndërprerjes së mandatit të tij pas miratimit të ligjit nga parlamenti polak.
Në detyrën e Presidentit të Republikës së Polonisë në periudhën 2005-2010 z. Kaczynski ishte nxitës dhe përkrahës i reformave të thella social-ekonomike pas anëtarësimit të Polonisë në BE në vitin 2004. Figura e tij në historinë e Polonisë  renditet krahas figurës së Papa Gjon Palit të II dhe  udhëheqësit të Solidarnos, z. Lech Walesa. Në nderim për figurë së tij, si dhe të bashkëpunimit të ngushtë midis KLSH-së dhe NIK-ut, KLSH ka emërtuar në vitin 2018 një nga sallat e institucionit me emrin e z. Lech Kaczynski.
Kryetari i KLSH-së, z. Leskaj theksoi se NIK-u polak ka qenë një nga partnerët më të ngushtë të KLSH-së në tetë vitet e fundit duke kontribuar me ekspertizën e tij në modernizimin e KLSH.
Ambasadori Bachura në fjalën e tij të falënderimit theksoi se miqësia dhe bashkëpunimi midis Shqipërisë shtrihet ndër vite e shekuj. Të dy vendet tona kanë histori të ngjashme,  e cila në vitet e fundit është  shoqëruar me reforma të thella demokratike dhe ekonomike. Ai vlerësoi figurën e z. Kaczynski si një nga personalitetet më të rëndësishme të vendit pas viteve 1990  i cili synoi ta kthejë institucionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë si  një institucion model në administratën publike për të rritur në këtë mënyrë llogaridhënien dhe transparencën.
Z. Bachura vlerësoi bashkëpunimin e KLSH me NIK-un polak gjatë viteve të fundit the theksoi se vendosja e pllakës përkujtimore në KLSH për vetë pozicionin që ka institucioni në Tiranë, do tu sjellë në vëmendje polakëve që vizitojnë Shqipërinë vlerësimin që ka KLSH për z. Kaczynski, miqësinë midis dy vendeve tona dhe ftesën për të vizituar sallën me emrin Lech Kaczynski në godinën e KLSH-së.
Z. Bachura theksoi se ai është në mbarim të mandatit të tij si ambasador në Tiranë por ai po largohet nga Shqipëria me bindjen se bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të vijojë të thellohet në fusha të ndryshme dhe se si KLSH dhe NIK do të vazhdojnë të jenë promotore të mirëqeverisjes.
Pas ceremonisë, Kryetari i KLSH-së priti në zyrën e tij Ambasadorin Bachura  i cili vlerësoi  dhe uroi z. Leskaj për përfundimin e mandatit të tij si Kryetari i KLSH-së.