Përfshirja e opozitës në diskutimet e projektbuxhetit: Domosdoshmëri për llogaridhënien dhe transparencën

Përfshirja e opozitës në diskutimet e projektbuxhetit: Domosdoshmëri për llogaridhënien dhe transparencën

Projektbuxheti i shtetit është një mekanizëm jetik që përcakton se si do të përdoren të ardhurat publike për të përmirësuar mirëqenien e qytetarëve dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë kontekst, angazhimi i opozitës në debatet rreth projektbuxhetit nuk është vetëm një akt përfaqësimi, por një kontribut i domosdoshëm për të ofruar një perspektivë alternative dhe për të vënë në pah politikat qeveritare që kanë nevojë për përmirësim. Diskutimet mbi buxhetin duhet të shërbejnë si një platformë e hapur ku pozita dhe opozita përballen profesionalisht dhe politikisht. Megjithatë, është shqetësuese se aktualisht po shfaqen përpjekje të qarta për ta margjinalizuar rolin e opozitës, duke e zhvendosur dialogun nga një debat gjithëpërfshirës në një monolog të njëanshëm të udhëhequr nga një qeveri që ndjek vetëm interesat e saj politike. Përjashtimet e përsëritura prej 40 dhe 60 ditësh të opozitës janë tregues i qartë i kësaj prirjeje.

Për opozitën, përjashtimi nga ky proces i rëndësishëm nënkupton kufizimin e të drejtës për të ndikuar në vendimmarrje dhe për të përfaqësuar zërin e qytetarëve që kërkojnë transparencë dhe llogaridhënie. Roli i opozitës në procesin buxhetor përbën një nga parimet themelore të mirëqeverisjes, të njohura dhe të vlerësuara në çdo demokraci funksionale. Një udhëheqje që e injoron këtë rol, siç po ndodh aktualisht, synon të dobësojë institucionet dhe të minimizojë debatin demokratik.

Angazhimi i opozitës në diskutimet për projektbuxhetin është një mundësi për të shpalosur para publikut programin e saj për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve. Ashtu siç dhe po merr pjesë në komisionet hetimore për të siguruar llogaridhënie, ajo duhet të vazhdojë të angazhohet aktivisht edhe në këto diskutime të rëndësishme buxhetore.

Në prag të zgjedhjeve të ardhshme, ky është një moment kyç për opozitën që të prezantojë qartësisht alternativat e saj, të forcojë besimin e qytetarëve në procesin demokratik dhe të japë një kontribut të rëndësishëm në forcimin e politikave fiskale dhe sociale të vendit. Ky angazhim do të shfaqet në mbrojtjen e interesave të qytetarëve, përmes ngritjes së çështjeve të rëndësishme si rritja e pensioneve, përkrahja për grupet më në nevojë, përfundimi i dëmshpërblimit të ish të përndjekurvë politikë dhe zhvillimi ekonomik i qëndrueshëm.

Këto janë çështje që kërkojnë vëmendje të veçantë dhe shërbejnë për të mbajtur qeverinë përgjegjëse për veprimet e saj. Kjo do të ndihmojë në ndërtimin e një sistemi që respekton interesat e qytetarëve dhe promovon menaxhimin e përgjegjshëm të financave publike.

Për më tepër, gjatë këtyre 11 viteve në pushtet, Qeveria Rama ka keqpërdorur buxhetin, financat dhe pasurinë publike në mënyra që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme, ndaj të cilave opozita e ka ngritur zërin gjithmonë. Kjo situatë ka çuar në një mungesë të theksuar transparence dhe llogaridhënie, duke përbërë një pengesë serioze për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Edhe pse mjetet e protestës dhe mosbindjes civile janë pjesë e traditës demokratike dhe do të vazhdojnë të përdoren, përfshirja në diskutimet e buxhetit i jep opozitës një mundësi unike për të shpalosur para publikut pjesë nga programi i saj. Me zgjedhjet vetëm disa muaj larg, ky angazhim është një rast i rëndësishëm për të prezantuar zgjidhjet e saj të prekshme për zhvillimin e vendit. Në këtë mënyrë, opozita jo vetëm që ofron një vizion të ndryshëm për të ardhmen, por edhe forcon besimin e qytetarëve në demokraci dhe në funksionimin e Kuvendit si institucion përfaqësues dhe i hapur ndaj debatit të mirëfilltë.

Për më tepër, angazhimi i opozitës në këto diskutime do të kontribuojë në një qasje më të gjerë për zhvillimin e qëndrueshëm. Kjo do të theksojë rëndësinë e llogaridhënies dhe transparencës si elemente kyçe për arritjen e një shoqërie më të drejtë dhe më të barabartë. Me këtë angazhim, opozita do të sigurojë që zëri i saj të ketë ndikim, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi politik ku të gjitha palët bashkëpunojnë për të avancuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

Botuar në Gazeta Sot më 04.11.2024

Dr. Ibrahim Rugova,Presidenti Historik i Kosovës-80 vjet nga lindja

Dr. Ibrahim Rugova,Presidenti Historik i Kosovës-80 vjet nga lindja

Formula e presidentit Rugova: Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-në, do ta qetësonte këtë pjesë ( Ballkanin)të Evropës e të botës!
Sot, në 2 dhjetor do të festonim 80 vjetorin e lindjes së Dr. Ibrahim Rugovës, i lindur në Cerrcë të komunës së Istogut. Në 1945 komunistët jugosllavë i pushkatojnë babanë dhe gjyshin, për shkak se ishin shquar si luftëtarë nacionalistë kundër çetnikëve serbë.
Diplomohet në Degën e Albanologjisë të Fakultetit të Filozofisë të Universitetit të Prishtinës, më 1971.
Ishte vetën 24 vjeç kur Ibrahim Rugova do të shkruante esenë e tij të parë për themeluesin e shtetit shqiptar, Atin e Kombit tonë, Ismail Qemal Vlorën.
Më 1984 mbrojti doktoraturën në letërsi në Universitetin e Prishtinës.
Në 1996 zgjidhet anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.
Më 1988 u zgjodh kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës.
Më 1989 u zgjodh kryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), partisë së parë politike në Kosovë, që sfidoi drejtpërdrejt regjimin komunist të Miloshevicit. Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të 24 majit 1992 u zgjodh Kryetar i Republikës së Kosovës, ndërsa në mars të vitit 1998 u rizgjodh Kryetar i Republikës, kur partia e themeluar dhe drejtuar prej tij,LDK-ja, fitoi shumicën e vendeve në Kuvendin e Republikës së Kosovës.
Kur NATO-ja nisi sulmet ajrore në një përpjekje për ta detyruar Millosheviçin të tërhiqte forcat policore, ushtarake dhe paraushtarake serbe nga Kosova në mars 1999, policia hyri në banesën e Rugovës në Prishtinë dhe e vendosi së bashku me familjen e tij në arrest shtëpie, por në asnjë çast nuk e gjunjëzoi dot presidentin-simbol.Pas më shumë se një muaj, falë presionit ndërkombëtar Rugova dhe familja e tij u lejuan të largoheshin për në Itali. Ai u kthye në shtëpi në Kosovë pas përfundimit të luftës, në korrik 1999. Kosova fitoi Lirinë dhe Pavarësinë e vërtetë kur mendimit dhe aksionit politik të presidentit Rugova iu shtua si uragan lufta e armatosur e UÇK-së e drejtuar nga Komandanti i Përgjithshëm Adem Jashari, drejtuesi politik Hashim Thaçi dhe luftëtarët e lirisë që me ndihmën thelbësore dhe përcaktuese të NATO-s dhe SHBA, i sollën lirinë Kosovës. Për këtë Liri, ne shqiptarët u jemi përjetësisht si komb mirënjohës dhe borxhlinj Shteteve të Bashkuara të Amerikës!
Nën udhëheqjen e Rugovës, LDK-ja fitoi bindshëm në zgjedhjet lokale dhe parlamentare të mbështetura nga ndërkombëtarët në Kosovën e pasluftës, në tetor të vitit 2000. Në mbështetje të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 17 nëntorit 2001, u zgjodh Kryetar i Kosovës.
Dr. Ibrahim Rugova u zgjodh President i Kosovës në mars të vitit 2002 dhe u rizgjodh edhe më 2004.
Dr. Ibrahim Rugova është nderuar si në gjallje, ashtu edhe pas vdekjes me çmime të shumta nga vende, universitete, akademi ,institucione e personalitetet më të larta politikenë mbarë botën.
I quajtur “babai i pavarësisë së Kosovës”,
“Gandi shqiptar”,rilindasi i fundit,Rugova ndërroi jetë në janar 2006 kur ishte në mandatin e tij të dytë si president. Në këtë kohë, ai po finalizonte mendimin dhe veprimin e përhershëm të tij politik në negociatat e drejtuara nga OKB-ja me Serbinë rreth statusit të ardhshëm të Kosovës, që çoi në shpalljen e pavarësisë në shkurt 2008, me mbështetjen e plotë të ShBA-së.
Dr. Rugova ishte politikan vizionar. Trinomi i tij: Liri, Demokraci, Pavarësi për Kosovën mbështetej në tre parime dhe synime:

  1. Do të bëjmë pajtimin e brendshëm (duke njohur mëritë dhe ndasitë shqiptare),
  2. Në Ballkan popujt janë të njëjtë (në numër), (me këtë theksonte barazpeshën në rajon- serbët në numër të përafërt me shqiptarët),
  3. Kosova e integruar në BE e NATO, me miqësi të përhershme me SHBA, (duke theksuar këtë vizion si domosdoshmëri dhe program politik të Kosovës).
    Prof.Dr.Ibrahim Berisha, politologu, sociologu, kulturologu i shquar, bashkëpuntor prej vitesh I Presidentit Rugova qysh nga themelimi I LDK-së në 1989 e në çdo pozicion e aksion politik deri në ditët e fundit të Presidentit Rugova, në Konferencën Shkencore Jubilare “ Dr.Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë”, mbajtur në Tiranë më 30 nëntor 2024,organizuar dhe drejtuar suksesshëm nga Prof.Dr.Enver Bytyci u shpreh :“Diskursi politik i Ibrahim Rugovës shquhej për tonin e tij, vizionin e qartë për pavarësinë e Kosovës dhe përpjekjen për të ndërtuar një konsensus kombëtar.Ai përdorte një gjuhë diplomatike dhe bashkuese, duke apeluar për unitet kombëtar dhe duke shmangur retorikën polarizuese. Rugova theksonte rëndësinë e dialogut dhe mbështetjes ndërkombëtare, duke i vendosur interesat kombëtare mbi ato partiake. Diskursi i tij politik ishte i rrënjosur në vlerat e demokracisë, lirisë dhe drejtësisë, duke e portretizuar shiptarët si një komb dhe Kosovën si një shtet të denjë për Pavarësi”.
    Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha gjatë fjalës së tij ne Konferencën Shkencore Jubilare “Dr. Ibrahim Rugova dhe shtetformimi në Kosovë” u shpreh se : “nëqoftëse pushka dhe penda, penda dhe pushka janë dy mjetet më kryesore të njeriut për të bërë historinë, dhe në rast se Skënderbeu e bëri me shpatë, Ibrahim Rugova e bëri me mendje, e bëri me penë.Dr.Ibrahim Rugova ishte unik në llojin e tij dhe se ishte vështirë ta ndaje, se cili Rugovë predominon. Predominon Rugova misionar, apo Rugova president, politikan.Rugova misionar ishte Rugova I pathyeshëm”.
    Prof.Dr.Sali Berisha theksoi ne fjalen e tij se:”Ibrahim Rugova ishte ndërtuesi i pavarësisë së Kosovës, ishte ideatori i saj. ai ishte faktori kryesor i garancive për një Kosovë demokratike”.
    Dr. Ibrahim Rugova ishte një njeri që i bashkoi shqiptarët e Kosovës rreth idesë së Lirisë dhe Pavarësisë dhe krijoi ura të forta miqësie me shtetet europiane dhe mbi të gjitha me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
    Siç e cilëson ish- presidenti i Kosovës Prof.Dr. Fatmir Sejdiu: “Si studiues i thellë i letërsisë dhe kulturës shqiptare, dr. Ibrahim Rugova ka lënë pas një trashëgimi që rri në themelet e dijeve tona. Rugova dijetar u bë udhëheqësi i rezistencës së popullit shqiptar të Kosovës.”
    Për dr. Ibrahim Rugovën janë shprehur me respekt të veçantë të gjithë presidentët e mëvonshën të Kosovës, dr. Fatmir Sejdiu, Hashim Thaçi, Vjosa Osmani, duke e vlerësuar si: “Burrështetasin e parë shqiptar dhe presidentin Historik të Kosovës!”
    Presidenti Ibrahim Rugova ishte profet i kombit shqiptar, arkitekt i Pavarësisë së Kosovës, kolosi dhe atdhetari më i devotshëm në historinë e saj të re, i cili me përkushtim të madh tërë jetën e tij luftoi për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
    Siç e thekson studiuesi i njohur, akademik Sabri Hamiti në “Memento për Rugovën”, “Po të përdornim metodën rugoviane për të, do të thonim që në fillim Rugova ishte Vetvetja. Më thellë bëhet i ngjashëm me Ismail Qemalin që ngriti Flamurin. Edhe më thellë me Naimin që predikonte mirësinë universale në një situatë të egërsimit e i ngjashëm me Fishtën në përmbysjen e së keqes për hir të humanitetit e të idealizmit kombëtar. E së fundmi, me Bogdanin (autorin e personalitetin e tij të preferuar) që bashkonte predikimin e mirësisë, rebelimin e përkushtimin për lirinë.”
    Rugova e donte Kosovën. E kishte në shpirt, në zemër, në ëndrrat, në lutjet e tij.
    Dhe se fundi po ricitoj një vlerësim të thënë në promovimin e veprës së plotë të Presidentit Rugova, në cilësinë e Ministrit të Kulturës në qeverinë Betishanë vitin 2005: “Pas Skënderbeut në çetën e profetëve të kombit,Dr.Ibrahim Rugova dhe Ismail Qemal Vlora zënë të parin vend”, si arkitekt të dy shteteve të pavarura shqiptare në Ballkan ,të lidhura shpirtërisht dhe kombëtarisht nën
    idealin më të lartë të kombit shqiptar!
    Në mbyllje të këtij shkrimi modest po përcjell lutjen e tij për Kosovën, në 12 qershor 1999:
    “Të lutemi o Zot
    Për lirinë që na fale
    Të lutemi, o Zot
    Për kthimin tonë
    Në Kosovën tonë
    Në tokën tonë
    Të falemi ty
    Për këtë mrekulli
    O Zot!”

Botuar në Gazeta Sot më 02.12.2024

Hua 120 milionë euro që rëndon financat e vendit

Hua 120 milionë euro që rëndon financat e vendit

Sigurisht që në nivel të ekonomisë së gjelbër, jo ndotëse të rëndë të mjedisit tonë dhe jo eksportuese të mallrave toksike, sikurse ka ndodhur me skandalin e fundit qeveritar në Portin e Durrësit, ne kemi mangësi dhe hendeqe të mëdha. Për këtë arësye, projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë (huamarrësi) dhe Agjencisë Franceze për Zhvillim (huadhënësi), për financimin e projektit “Një hua për politika publike për të mbështetur aftësinë përtëritëse dhe zhvillimin e gjelbër të Shqipërisë”, i cili do të mundësojë financimin e programit të mësipërm nëpërmjet akordimit të një huaje, në shumën 120 milionë euro nga Agjencia Franceze për Zhvillim, do të përbënte një nismë për t’u përshëndetur e mbështetur, po të mos jepej në duart e qeverisë për shpenzimet e buxhetit dhe po të kishte sekti në qeverisje më shumë se dyfishuar në 11 vjet borxhin publik të vendit për frymë.

Problematika parësore me këtë projektligj nuk qëndron tek ndihma e ofruar në formën e huasë koncesionale nga një institucion donator si Agjencia Franceze për Zhvillim, pavarësisht se kjo kredi nuk është krejtësisht “e butë”, pasi afatin e shlyerjes e ka sa gjysma e kredive të buta, vetëm 12 vjet, dhe jo 20-35 vjet, sikurse e kanë huatë e dhëna nga institucionet e tjera donatore, si Banka Botërore, banka gjermane me kapital shtetëror KfW, BERZH, Banka Evropiane e Investimeve, etj. Veçojnë sidomos huatë e buta të bankës gjermane me kapital shtetëror KfW, e cila është e pranishme në mjaft projekte me impakt të fortë ekonomik dhe social në shumë zona të vendit. Ne problemin madhor e kemi brenda vetes, me papërgjegjësinë dhe aventurat fiskale e financiare të qeverisë së sotme, që administron Buxhetin e Shtetit dhe që më 28 gusht 2024 miratoi Aktin Normativ Nr. 3 të saj, duke shkelur haptazi Nenin 7 të Kushtetutës, për ndarjen e pushtetit ekzekutiv nga ai legjislativ.

Mbështetje buxhetore për menaxhimin më të papërgjegjshëm të Buxhetit të Shtetit në tre dekadat e fundit!

Problematika thelbësore e pranimit të kësaj kredie koncesionare ka të bëjë me faktin që kjo hua jepet në formën e mbështetjes buxhetore, pra shkon për financimin e përgjithshëm të buxhetit të shtetit dhe defiçitit të përgjithshëm të tij. Fakti më demaskues është që nuk ka projekte konkrete që të shoqërojnë këtë marrëveshje huaje. Kjo kredi koncesionare i jepet një qeverie që në 11 vjet e ka dyfishuar borxhin publik për frymë të vendit. Që nuk bën asgjë për promovimin e rritjes ekonomike të qëndrueshme dhe gjithëpërfshirëse, përkundrazi. Kjo qeveri ka thelluar pabarazinë shoqërore dhe ekonomike të shqiptarëve. Koefiçienti GINI i pabarazisë për Shqipërinë është më i larti në rajon dhe ndër më të lartët në Evropë. Sipas Marrëveshjes për kredinë, kjo hua jepet për të nxitur konsumin dhe prodhimin e përgjegjshëm në vend, duke siguruar modele të qendrueshme të konsumit dhe prodhimit.

Qeveria që kemi mbi krye në këta 11 vjet, nuk ka siguruar deri tani asnjë model të qendrueshëm prodhimi dhe konsumi. Nuk ka parë asnjëherë nga ekonomia prodhuese e vendit dhe nga eksporti, por vetëm i ka dëmtuar të dy këta motorrë zhvillimi, duke ua lënë të lira tregjet dhe duke favorizuar oligarkët e sektit Rama në pothuajse të gjithë tenderat shtetërorë, në dëm dhe rrënim të biznesit prodhues dhe eksportues të vendit sidomos të industrisë eksportuese fason të tekstileve dhe këpucëve. Qeveria e sotme nuk ka forcuar në asnjë nga këto 11 vite, qendrueshmërinë dhe kapacitetet përshtatëse të vendit ndaj rreziqeve që lidhen me klimën dhe katastrofat natyrore, por përkundrazi, e ka lënë vendin, fermerët dhe gjithë popullsinë në mëshirë të përmbytjeve në dimër dhe zjarreve të mëdha nga thatësira e tejzgjatur në verë. Vendi ka sot vetëm gjysmën e fondit pyjor që kishte tre dekada më parë, me ekosisteme tokësore dhe ujore të dëmtuara keqazi dhe me pyje të keqmenaxhuar. Për të gjitha këto arësye, ngre tre pyetje thelbësore për moralin e marrjes së kësaj kredie koncesionare nga sekti në qeverisje sot:

1. Si mund të marrim kredi koncesionale 120 mln euro për Buxhetin e Shtetit për të nxitur konsumin, duke siguruar modele të qendrueshme të konsumit, kur mbështetja buxhetore për kategoritë në nevojë gjatë Pandemisë së Covid-19 ka qenë më e ulta në rajon?

2. Si mund të marrim kredi koncesionale 120 mln euro per Buxhetin e Shtetit për rritjen e numrit të qyteteve që miratojnë dhe zbatojnë politika dhe plane të integruara drejt përfshirjes dhe efikasitetit të burimeve, kur kjo qeveri ka lënë në mes të rrugës Reformën Administrative dhe Territoriale të nisur në vitin 2015, duke krijuar një kaos të paparë dhe borxhe pafund në menaxhimin e 61 bashkive, disa prej të cilave të stërmëdha dhe pa kapacitetet e duhura njerëzore dhe financiare?

3. Si mund të marrim kredi koncesionale 120 mln euro për Buxhetin e Shtetit për mbrojtjen, rimëkëmbjen dhe nxitjen e shfrytëzimit të qendrueshëm të ekosistemeve tokësore, kur ndryshimet në Ligjin për Zonat e Mbrojtura synojnë shkatërrimin e ekosistemeve të parqeve tona natyrore? Ne po marrim një hua të pambështetur nga projekte konkrete.

Shqipëria sot ka një sipërfaqe rekord të tokës djerrë dhe të papunuar prej më shumë se 100 mijë ha dhe ka humbur shumë në biodiversitetin e mrekullueshëm të saj. Për t’i shërbyer oligarkëve të Ramës, qeveria nuk ndalet në shkretimin edhe të të gjitha fshatrave të Lumit të Vlorës, duke projektuar devijimin e lumit të Shushicës, për t’u çuar ujë resorteve turistike të oligarkëve në Himarë.

Një borxh publik për frymë 2.5 herë më i lartë se 11 vite më parë!

Kredia koncesionare prej 120 milionë euro e Agjencise Franceze të Zhvillimit i jepet një qeverie që në 11 vjet e ka më shumë se dyfishuar borxhin për frymë të vendit, përmes aventurave të saj fiskale dhe financiare. Në vitin 2013, borxhi publik për frymë për çdo qytetar ishte 2,237 euro. Në vitin 2024 është 5,647 euro për frymë, me një rritje 2.5 herë! Pavarësisht se në dy vitet e fundit, kryesisht për shkak të mbiçmimit të lekut në tregun valutor, stoku i borxhit publik, në raport me PBB-në është ulur, kosto e borxhit, paratë që shqiptarët nga taksat e tyre paguajnë për interesat e këtij borxhi janë rritur. Për këtë vit, sekti i papërgjegjshëm në qeverisjen e Shqipërisë ka planifikuar rreth 13.3 miliardë lekë më shumë shpenzime për interesat e borxhit publik të vendit, në krahasim me vitin 2023, ose 133 milionë euro më shumë nga taksat tona. Rritja e pretenduar ekonomike e këtyre viteve 2021-2024 nuk sjell perspektivë tek njerëzit më në nevojë dhe tek qytetarët e thjeshtë, të cilët e kanë humbur përfundimisht shpresën për përmirësim të gjendjes së tyre ekonomike.

Kur qeveria emeton borxh me norma më të larta interesi, kjo automatikisht sjell kosto më të larta të shërbimit të borxhit, pavarësisht uljes së nivelit të stokut të borxhit në vitet e fundit. Pavarësisht se qeveria pretendon se borxhi është ulur, rritja e ndjeshme e shpenzimeve për interesa të borxhit tregon se ulja e borxhit nuk është aq efektive sa paraqitet. Kjo nënkupton që, megjithëse borxhi publik nominalisht është ulur, shpenzimet e shërbimit të tij po shtohen, duke vendosur një barrë më të rëndë mbi buxhetin. Në këto kushte, marrja e një kredie të re koncesionale prej 120 milionë euro, kur në 12 vitet e ardhshme do të duhet t’i kthejmë kreditorit edhe 42 milionë euro më shumë, i rëndon financat publike të vendit dhe përbën papërgjegjshmërinë financiare të rradhës së sektit Rama në qeverisje.

Botuar në Gazeta Sot më 23.09.2024

Protokoll Opsional i OKB-së për denoncimin e shkeljeve mbi qytetarët

Protokoll Opsional i OKB-së për denoncimin e shkeljeve mbi qytetarët

Tallje dhe qëndrim jo njerëzor me dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit politikë
Sekti Rama në pushtet vijon të tallet me dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit politikë, të cilët kanë vuajtur dënimin me burg dhe internim. Ky dëmshpërblim po vazhdon të akordohet vit pas viti me fonde në vlera qesharake, në nivele 11 milionë euro në vit. Për kujtesë: në buxhetin e vitit 2013, qeveria e Prof. Dr. Sali Berishës dha 3 miliardë lekë për ish-të përndjekurit politikë, ose 28 milionë euro me këmbimin e sotëm, pra 2.5 herë më shumë. Në vitin 1991, Parlamenti i parë pluralist, me ligj të veçantë, iu dha pafajësinë të dënuarve politike. 33 vite nga marrja e pafajësisë, kalvari i ish të dënuarve dhe të përndjekurve politikë drejt rifitimit të plotë të të drejtave të tyre të mohuara dhe të shkelura, vazhdon dhe nuk duket se do të marrë fund shpejt.

Ligji për dëmshpërblimin financiar të ish-të përndjekurve politikë daton në vitin 2007 dhe parashikonte brenda 8 vitesh dëmshpërblimin e tyre të plotë. Kanë kaluar 17 vite nga ky ligj dhe ish-të përndjekurve politikë do t’u duhet të presin edhe 20-25 vite të tjera me këtë nivel fondi, që të arrijmë të ezaurojmë faturën e plotë financiare ndaj shtresës më të goditur dhe më të përvuajtur të shoqërisë sonë! Kjo është jo-njerëzore, tallje dhe shkelje e shtetit të së drejtës. Përpara 8 vitesh kam drejtuar një auditim në institucionet shtetërore përgjegjëse për realizimin e dëmshpërblimit financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe kam llogaritur se me ato ritme do të duheshin 32 vjet për t’i dëmshpërblyer ata plotësisht!

Fondi jepet qëllimisht kaq i ulët për këtë shtresë, pasi janë të gjitha mundësitë ekonomike të buxhetit të Shtetit, sidomos në këto vite sufiçitesh të ardhurash të tij, që ai të ishte dinjitoz dhe detyrimi ynë ligjor, moral dhe financiar ndaj ish-të përndjekurve politikë të mund të shlyhej brenda një periudhë vetëm 5 vjeçare. Në këto 3 vjet, kam përcjellë në Parlament kërkesën për amendamente ligjore për ndryshimin e Ligjit për dëmshpërblimin financiar të ish-të përndjekurve politikë dhe të ligjit për menaxhimin e sistemit tonë buxhetor, për të krijuar mundësi që një pjesë e të ardhurave nga privatizimet të dedikoheshin për fondin e përvitshëm të dëmshpërblimit financiar të ish-të përndjekurve politikë.

Kërkesa ime ka rënë në veshët e shurdhër të kësaj maxhorance. Të njëjtën lojë të shëmtuar po bën sekti në pushtet edhe me ish-pronarët dhe të drejtat e tyre të ligjshme, duke ua vonuar dhe madje bllokuar procesin e kompensimit financiar dhe fizik të pronës së tyre të uzurpuar, si dhe duke e ulur fondin e parashikuar në buxhet për këtë qëllim.

Të gjitha familjet në nevojë, shtresat e margjinalizuara dhe personat me aftësi të kufizuar jetojnë sot poshtë kufirit të varfërisë!

Me projektligjin për vitin 2025, bëhen 11 vite rrjesht që qeveria nuk realizon asnjë mbrojtje efektive sociale, duke mos rritur pagesat mjerane të 64 mijë familjeve në asistencë sociale, si dhe të 161 mijë përfituesve të skemës së aftësisë së kufizuar, edhe pse Shqipëria i ka patur dhe vijon t’i ketë çmimet e shportës së konsumit jetik më të lartat në rajon. Për cilat procedura të ankesave për të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore të shkelura të qytetarëve mund të flitet tek ne, kur skudi social në periudhën e pandemisë nga Covid 19 në Shqipëri ishte më i ulti si përqindje mbi PBB-në, nga të gjitha vendet e rajonit, kur pensioni mesatar është më i ulti në rajon dhe poshtë minimumit jetik, kur minimumi jetik zyrtar nuk përcaktohet, kur të drejtat e popullsisë rome dhe egjyptiane në Shqipëri nuk garantohen në zbatimin praktik të ligjeve tona?

Denoncimi më i fundit ndaj kësaj situate skandaloze vjen nga Kryetari i Shoqatës “Roma Active Albania”, për rrezikun e asimilimit të gjuhës rome. Komuniteti rom ka kërkuar prej kohësh ngritjen e një shkolle, apo kursi të veçantë në Fier, por edhe në Pogradec dhe Korçë, ku të mësojnë gjuhën amtare nxënësit e këtij komuniteti. Asnjë përgjigje deri tani nga strukturat indiferente të qeverisjes sonë vendore dhe qendrore.

Kokëfortësia dhe indiferenca vrastare e sektit në qeverisje për të mos miratuar për 11 vite rrjesht Minimumin Zyrtar Jetik të Republikës së Shqipërisë

Që nga tetori i vitit 2013 dhe deri në tani në nëntor të vitit 2024, janë 11 buxhete që sekti Rama në pushtet përgatit, pa mbajtur premtimin e vet zgjedhor të vitit 2013, për të miratuar në Kuvend, në formë ligji, Minimumin Jetik Zyrtar, të domosdoshëm për të trajtuar me dinjitet qytetarët në asistencë sociale dhe pensionistët, shtresat më në nevojë të shqiptarëve. Vetëm duke përcaktuar Minimumin Jetik Zyrtar, vendi ynë do të mund të zbatojë me seriozitet Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të qytetarëve. Minimumi Jetik Zyrtar vendos një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat e sigurimeve shoqërore, ato sociale dhe ekonomike te vendit, duke u ofroruar garancitë qytetarëve, në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të domosdoshme dhe dinjitoze të jetesës.

Mjafton të përmend që sot pensioni mesatar për pjesën më të madhe të 720 mijë pensionistëve të vendit është poshtë minimumit jetik të përcaktuar nga një studim profesional i Avokatit të Popullit. Janë mbi 240 mijë pensionistë, krahas 62 mijë familjeve që përfitojnë një ndihmë sociale qesharake, me vetëm 9 mijë lekë në muaj, që jetojnë nën kufirin e minimumit jetik. Është e pafalshme për një vend si Shqipëria, i cili ka filluar bisedimet teknike të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që të mos e përafrojë legjislacionin e vet në fushën e mbrojtjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve, me standardin e Minimumit Jetik të Bashkimit Evropian. Seicili Shtet Anëtar i BE-së e ka në ligj përcaktimin e Minimumit Jetik Zyrtar të vendit te tij. Përcaktimi i Minimumit Jetik Zyrtar është një detyrë kushtetuese! Minimumi jetik përfaqëson një normë ligjore, e cila buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve tanë. Mosshndërrimi i tij në ligj dëshmon indiferencën e plotë dhe vrastare të qeverisë së sotme ndaj mbrojtjes së të drejtave ekonomike esenciale të qytetarëve në nevoje dhe pensionistëve.

Pse mungon Ministria e Drejtësisë ndër zbatueset e këtij Protokolli Opsional?

Tek pika e VII-të e Relacionit për zbatimin e Projektligjit “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju Jork, në datën 10.12.2008”, institucionet që ngarkohen për zbatimin e detyrimeve të aderimit janë institucionet përgjegjëse që bashkëpunojnë për të garantuar të drejtat ekonomike, sociale dhe kulturore, brenda fushës së përgjegjësisë shtetërore, konkretisht: Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Prokuroria e Përgjithshme dhe Avokatura e Shtetit. Si mund të lihet jashtë institucioneve zbatuese në Shqipëri të këtij Protokolli Opsional Ministria e Drejtësisë, e cila duhet të garantojë zbatimin ligjor të të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore të qytetarëve, sidomos atyre në nevojë dhe shtresave të margjinalizuara?

Kjo “harresë” dëshmon e vetme mungesën e përgjegjshmërisë të strukturave qeveritare në marrjen dhe zbatimin e angazhimeve ndërkombëtare, duke mos u interesuar fare për dobine dhe mbrojtjen reale të interesave të qytetarëve të vet. Shkelje flagrante e të drejtave të njeriut në Shqipëri është edhe marrëveshja për strehimin e emigrantëve të paligjshëm afrikanë, mes Edi Ramës dhe Kryeministres italiane Giorgia Meloni. Gjyqtarja e Gjykatës së Romës Silvia Albano, këto ditë ka vulosur me vendimin e saj dhe me dispozita ligjore, bllokimin e kësaj marrëveshjeje kulisash. Marrëveshja është një shkelje e pastër e të drejtave të emigrantëve dhe në thelb të saj, përfaqëson një pakt politik ,që synon t’i japë Melonit një kauzë elektorale që shet, siç është ajo e zgjidhjes së problemit të emigracionit të paligjshëm në Itali. Kurse autokratit Rama, i cili e konsideron Shqipërinë një çiflig të tij, kjo marrëveshje i jep një patericë perëndimore, paterica të cilat në këtë mënyrë i ka fituar të gjitha këta 11 vjet nga mentori i tij Xhorxh Soros. Me marrëveshjen për strehimin e emigrantëve të paligjshëm afrikanë, Shqipëria merr kosto të lartë politike dhe imazhi, si një vend pa lidhje që angazhohet ne një projekt logjike fushate, jashtë çdo lloj logjike ligjore! Ky është i dyti precedent turpërues në Evropë dhe në arenën ndërkombëtare më tej, pas atij që rrëzoi qeverinë konservatore të Britanisë së Madhe, pasi kjo e fundit i deportoi emigrantët në Ruanda.

Lista e arsyeve pse Projektligji “Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në Protokollin Opsional të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore, bërë në Nju Jork, në datën 10.12.2008” është fals dhe do të ngelet formalisht tek Ne, është e gjatë. Për efekt kohe, rendita vetëm katër më themeloret prej tyre, tejet shqetësuese në këto 11 vite të sektit Rama në pushtet. Së fundmi, duke cituar Parimin 11 të 12 Parimeve të OECD-së për mirëqeverisjen publike “Politikat dhe legjislacioni hartohen në mënyrë gjithëpërfshirëse e cila mundëson pjesëmarrjen aktive të shoqërisë dhe mundëson koordinimin e këndvështrimeve të ndryshme brenda qeverisë”, i ftoj shoqërinë civile dhe te gjitha palët e interesuara t’i referohen Neneve te Protokollit Opsional te OKB-se, të Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike, Sociale dhe Kulturore të qytetarëve, në veçanti Nenit 2, që thotë shprehimisht se “… ankimet mund të dorëzohen nga ose në emër të individëve ose grupeve të individëve, nën juridiksionin e një Shteti palë, duke pretenduar se janë viktima të shkeljes së cilësdo prej të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore, të përcaktuara në pakt nga ai Shtet palë”, për të denoncuar çdo politikë dhe ndërhyrje të qeverisë qendrore dhe vendore tek ne, që përbën shkelje të të drejtave ekonomike, sociale dhe kulturore.

Botuar në Gazeta Sot më 16.11.2024

Buxheti faktik 2023-korruptiv dhe joprofesional

Buxheti faktik 2023-korruptiv dhe joprofesional

Kuvendi pak ditë më parë votoi dhe miratoi me votat e mazhorancës Buxhetin faktik të Shtetit 2023, i cili rezulton tërësisht korruptiv dhe joprofesional, për arsyet e mëposhtme:
Menaxhim kaotik i financave publike edhe në vitin 2023
1. Mungesa kryesore/kryefjala e mungesave në sektorin publik, konfirmuar dhe nga SIGMA dhe BE, është mospërgatitja dhe mospublikimi i Pasqyrave Financiare të Konsoliduara për sektorin publik edhe për vitin 2023. Pra, nga Ministria e Financës nuk është realizuar detyrimi ligjor për të përcjellë dhe miratuar në Kuvend pasqyrat e Konsoliduara vjetore për transaksionet financiare të Shtetit dhe, për pasojë, shqyrtimin dhe çertifikimin e tyre nga institucioni suprem i auditimit. Në këtë mënyrë, nuk iu dha mundësia përdoruesve të interesuar të brendshëm dhe të jashtëm, që të marrin informacion të saktë, të besueshëm dhe të çertifikuar, mbi shpenzimet buxhetore dhe të ardhurat buxhetore. Kjo është e rëndë, e pafalshme..
2. Vonesa në miratimin e kuadrit ligjor në fushën e kontabilitetit publik. Ministria e Financave nuk e ka rregulluar me ligj të veçantë kontabilitetin dhe raportimin në sektorin publik, duke mos nxjerrë udhëzimin përkatës për standardet e kësaj fushe.
3. Mungesa e një rregjistri të konsoliduar dhe të një inventari të plotë të aktiveve.
Treguesi më i qartë i menaxhimit kaotik të financave publike në vitin 2023 është edhe mungesa e një dokumenti strategjik të tyre. Strategjia Sektoriale për Menaxhimin e Financave Publike 2023-2030 u miratua në qershor 2024, duke krijuar shkëputje nga strategjia e mëparshme 2019-2022. Nga ana tjetër, dukuria i përqendrimit të shpenzimeve publike në muajin dhjetor ndikoi negativisht në disa tregues të tjerë ekonomikë, duke shtuar riskun e parregullsive në përdorimin e fondeve publike. Pikerisht ne dhjetor 2023 janë miratuar tre ligje tatimore me efekte në të ardhurat buxhetore, jashtë afatit të përcaktuar në Ligjin Organik të Buxhetit. Ligjet tatimore duhen miratuar jo më vonë se tre muaj përpara fillimit të vitit të ri fiskal.

Në vitin 2023 ka një nivel të ulët të realizimit të shpenzimeve kapitale me burim tëhuaj financimi krahasuar me planin dhe një vit më parë, duke shfaqur mangësi të ministrive të linjës, lidhur me planifikimin e saktë të projekteve me financim të huaj. Fondi i rindërtimit vijon të mbetet një çështje emergjente, për vetë karakterin e tij social, por edhe peshën që zë në shpenzimet e buxhetit të shtetit. Ndryshimet e shpeshta dhe të konsiderueshme të buxhetit për rindërtimin shfaqin mungesë qartësie në objektiva dhe mangësi në monitorimin e ecurisë së këtij procesi, duke lene shteg per potencial abuzimesh me menaxhimin e ketyre fondeve publike. Fondi rezervë është denatyruar gjatë përdorimit të tij, pasi është akorduar dhe përdorur për rastet e financimit të shpenzimeve të njohura, të cilat mund të parashikoheshin gjatë procesit të përgatitjes së buxhetit.

Buxheti i dhjetë pa Minimumin Jetik Zyrtar dhe mbrojtjen e duhur sociale

Që nga viti 2014 e deri në vitin 2023, janë 10 buxhete që sekti Rama në pushtet përgatit, pa mbajtur premtimin zgjedhor, për të miratuar në Kuvend, në formë ligji, Minimumin Jetik Zyrtar, të domosdoshëm për të trajtuar me dinjitet qytetarët në asistencë sociale dhe pensionistët, shtresat më në nevojë të shqiptarëve.
Buxheti faktik 2023 nuk arriti të mbështeste zhvillimin ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale, pasi i mungonte vullneti qeveritar për të përcaktuar një strategji kombëtare të zhvillimit ekomonik të vendit, një model ekonomik i qartë dhe përcaktime zyrtare të avantazheve konkurruese të ekonomisë sonë. Buxheti faktik 2023 nuk arriti të adresojë si duhet nevojat e qytetarëve për kujdes shëndetësor dhe mbështetje sociale, të cilat janë thelbësore për mirëqenien e shqiptarëve. Ai kreu shpërndarjen e gabuar të burimeve financiare për projekte infrastrukturore, duke ua kaluar pjesën më të madhe të parave të taksave të taksapaguesve shqiptarë oligarkëve të Ramës, përmes tenderave të paracaktuar, në një kohë kur sektori i shëndetësisë dhe i mbështetjes sociale kishte nevojë urgjente për financim dhe përmirësime.
Buxheti faktik 2023 nuk adresoi shqetësimin për transparencën dhe mbikëqyrjen e projekteve të Partneritetit Publik-Privat (PPP), edhe pse këto projekte përbënin një pjesë të konsiderueshme të tij, për të garantuar që fondet publike të përdoren në mënyrë efikase dhe të përgjegjshme, pa i keqpërdorur ato. Buxheti 2023 kontribuoi në thellimin e pabarazisë sociale, pasi fokusi i gabuar në projekte infrastrukturore jo të domosdoshme për stadin aktual të zhvillimit të vendit, krijoi një ndarje më të thellë midis grupeve të pasura dhe atyre që janë në nevojë në vend. Buxheti faktik 2023 forcoi ndjesinë e padrejtësisë sociale tek qytetarët, duke përkeqësuar pabarazitë ekzistuese dhe duke kontribuar në motive shtesë për shqiptarët për të braktisur vendin e tyre.
Ky buxhet dhe paketa e tij fiskale dështuan të prodhonin incentiva për të kufizuar ndjeshëm largimin e të rinjve dhe profesionistëve nga vendi. Buxheti faktik 2023, njëlloj si ai i vitit 2022, dështoi të miratonte një paketë emergjente për mbrojtjen e konsumatorëve, në kushtet e inflacionit të lartë të gjeneruar nga sulmi i Putin mbi Ukrainën, duke rishikuar në ulje TVSH-në e produkteve ushqimore bazë, pavarësisht se Shqipëria edhe në vitin 2023 kishte çmimet më të larta të mallrave ushqimore në rajon.
Buxhet që nënfinancoi ndjeshëm shëndetësinë, arsimin publik dhe bujqësinë
Buxheti faktik 2023 u karakterizua nga një mungesë e thekshme e investimeve në sistemin shëndetësor publik, në një kohë që shumë spitale dhe qendrat shëndetësore ishin dhe janë në kushte të dobëta infrastrukturore. Ai dha vetëm 2.7 përqind të PBB-së për shëndetësinë, diçka më shumë së gjysma e premtimit pompoz të sektit Rama për financim 5 përqind të PBB-së për sektorin. Buxheti nuk trajtoi krizën e punësimit, veçanërisht për të rinjtë që janë të detyruar të emigrojnë për mundësi më të mira. Ai nuk ofroi asnjë plan për të rritur investimet në edukim dhe formim profesional, duke mos marrë asnjë masë konkrete, për të siguruar që shpenzimet për arsim të rriten në përputhje me nevojat e zhvillimit të brezit të ri dhe të përmirësojnë cilësinë e edukimit në vend. Edhe arsimi publik vijon të jetë i nënfinancuar në të njëjtin nivel me shpenzimet për shëndetësinë publike, në diçka pak më shumë se gjysma e premtimit të pambajtur të qeverisë për financim 5 përqind të PBB-së.
Edhe pse bujqësia, dega baze e vendit ka një rol të rëndësishëm në sigurinë ushqimore dhe zhvillimin ekonomik të tij, buxheti faktik 2023 i la financimet për të nën pragun 1% të PBB-së, ndërkohë që bujqësia kontribuoi me 18 përqind të PBB-së në vitin 2023. Ai nuk dha asgjë për të përmirësuar produktivitetin e degës bazë të ekonomisë. Buxheti faktik dështoi t’i mbështeste fermerët në përballimin e sfidave të konkurrencës rajonale, të modernizimit të proceseve prodhuese dhe rritjes së eficiencës, përfshirë edhe përballimin e problemeve me aksesin në financim dhe teknologji. Ai nuk bëri asgjë për të adresuar krizën në të cilën ka hyrë blegtoria e vendit dhe prodhimi i qumështit.
Buxhet aktesh normative: mungesë planifikimi afatgjatë dhe serioziteti
Ndryshimi i ligjit të buxhetit të Shtetit për vitin 2023 ka vijuar të bëhet me dy Akte Normative, pa ndjekur procedura të zakonshme parlamentare, ne shkelje flagrante të Parimit Nr. 7 të 12 parimeve të OECD-së për mirëqeverisjen publike, i cili përcakton se “Parlamenti duhet të kontrollojë hollësisht politikëbërjen e qeverisë”. Koha e ndryshimeve në buxhet përmes Akteve Normative është në fund të vitit, kryesisht në fushën e shpenzimeve, duke sjellë pasoja në përdorimin racional dhe të balancuar të fondeve publike. Ndryshimet e konsiderueshme të treguesve gjatë fazave të hartimit dhe zbatimit të buxhetit dëshmojnë për mangësi në aftësinë e parashikimit dhe planifikimit me saktësi të arsyeshme të tyre. Rishikimi i buxhetit përmes akteve normative shkel edhe Parimin e 11-të të OECD-së, i cili përcakton se “Politikat dhe legjislacioni hartohen në mënyrë gjithëpërfshirëse, gjë që mundëson pjesëmarrjen aktive të shoqërisë dhe koordinimin e këndvështrimeve të ndryshme brenda qeverisjes”.
Qeverisja përmes akteve normativë ka treguar një mungesë të theksuar të planifikimit afatgjatë nga ana e qeverisë dhe një mungesë shqetësuese serioziteti në menaxhimin e financave publike. Rishikimi i buxhetit në mënyrë të përsëritur përmes akteve normative, krijon paqëndrueshmëri financiare dhe ndikon negativisht në klimën e investimeve, sidomos në besimin e investuesve të huaj realë dhe potencialë, në një politikë fiskale dhe financiare të qëndrueshme dhe serioze nga ana e qeverisë. Aktet normative reduktojnë deri në zero mundësitë për një kontroll të plotë dhe kritik të mënyrës se si qeveria i menaxhon fondet publike. Duke anashkaluar procesin legjislativ të zakonshëm, qeveria krijon një situatë ku vendimet e rëndësishme buxhetore nuk janë subjekt i një kontrolli të rreptë dhe të hapur nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. Kjo është e pafalshme në një shtet demokratik me ndarje të qartë të pushteteve. Është thellësisht autokratike!

Botuar në Gazeta Sot më 09.11.2024

100 vjet Shkolla Tregtare-sot rrezikon zhdukjen

100 vjet Shkolla Tregtare-sot rrezikon zhdukjen

Sot bëhen 100 vjet nga krijimi i Shkollës Tregtare Vlorë.
Shkolla Tregtare u çel “në Ujë të Ftohtë në Vlorë, më 8 nëntor 1924. Qeveria e Fan Nolit e subvencionoi shkollën me 20 mijë franga ari, por ndihmesën më të madhe e dha Bashkia, në krye të së cilës qëndronte patrioti Qazim Kokoshi. Ndërsa pjesën tjetër të financimit e vuri paria e Vlorës dhe kryesisht Oda e Tregtisë Vlorë. (Aristidh Ruci, Pandeli Bezhani, Xhemil bej Vlora, Muço Sharra, Mehmet Isai, Musa Jonuzi, Mateo Matathia, Sheref Dano, Shahin Haruni, Kristo Karbunara, Shyqyri Radhima, Ali Çakërri, Ibrahim Shyti, Toli Kedhi dhe Rafo Jakoel.)

Drejtori i parë i shkollës ka qenë Isuf Puka “Mësues i Popullit”, dhe vite më pas Naum Stralla nga Korça (1903 – 1972), i cili kreu studimet e larta për inxhinieri kimike në Athinë dhe më 1931 u emërua drejtor i Institutit Tregtar Mbretëror (kështu quhej atëherë Shkolla Tregtare në Vlorë). Në këtë shkollë kanë dhënë mësim Stavro Skëndi nga Korça (1906- 1989) historian, etnolog, gjuhëtar, arsimuar në Stamboll, Zvicër e Gjemani; Skënder Luarasi nga Luarasi i Kolonjës (1900-1982), i biri i rilindasit të dritës shqiptare Petro Nini Luarasi, publicist, përkthyes, luftëtar antifashist, autor librash, veprimtar i arsimit dhe i shkollës shqipe, personalitet i shquar i kulturës shqiptare, arsimuar në Stamboll, SHBA dhe Austri; studimet e larta i përfundoi në Fakultetin e Filozofisë në Universitetin e Vjenës. Një tjetër emër i shquar që ka dhënë mësim në këtë shkollë është Ernest Koliqi nga Shkodra (1903 – 1975), shkrimtar, përkthyes, studiues i letërsisë, publicist, botues, arsimuar në Itali; studimet e larta i kreu për letërsi në Padova. Në shkollën Tregtare kanë dhënë gjithashtu mësim Leonidha Naçi, delegat i Vlorës në Kongresin e Manastirit 1909. Po ashtu patrioti Kolë Kamsi dhe Zihni Hamzaraj, firmëtar i Deklaratës së Pavarësisë dhe patriot i madh. Në atë shkollë gjatë atyre viteve kanë dhënë mësim profesorë të përgatitur në universitetet më të mira të botës, si Safet Butka, Llazaraq Eftimiadhi, Isuf Luzaj, etj.

Traditat atdhetare të qytetit historik të Vlorës, ku ishin ende të freskëta ngjarjet madhore të vitit 1912 dhe fitorja e vitit 1920, ndikuan shumë për të ushqyer në një shkallë më të lartë frymën përparimtare të nxënësve. Gjatë periudhës së pushtimit fashist të vendit, nxënësit e Shkollës Tregtare sabotuan masat për fashistizimin e shkollës.

Në ditën e pushtimit Italian të Shqipërisë nxënësit dhe mësuesit e Shkollës Tregtare do t’i prisnin pushtuesit me demonstratë dhe me armë në dorë. Madje, një nga profesorët e kësaj shkolle, Isuf Luzaj bashkë me 12 studentë të tij do të internoheshin në ishujt famëkeqë të Italisë.

Në bankat e Shkollës Tregtare kanë studiuar dhe 229 nxënës e nxënëse që u radhitën në formacionet e Ushtrisë Nacional-Çlirimtare, ndër ta shkrimtarët Petro Marko, Shevqet Musaraj, Andrea Varfi, Aleks Çaçi, Fatos Arapi, etj.

45 prej tyre ranë dëshmorë për lirinë e Atdheut e u përjetësuan si 45 yje e pashuar, ndër ta dhe Heronj të Popullit: Kastriot Muço (1923-1943), Bajram Tushi (1924-1942), Hajredin Bylyshi (1920-1942), Shyqyri Alimerko (1923-1943), Maliq Muço (1921-1944).

Veçanërisht gjurmë të pashlyeshme në historinë e kësaj shkollë kanë lënë patrioti i madh, Bego Gjonzeneli dhe Isuf Luzaj! Emrat e tyre janë gdhendur në faqet e këtij instucioni të rëndësishëm profesional dhe dritërojnë me dinjitet si yje lirie…

Shkolla Tregtare është mbyllur në 22 maj 1943 nga pushtuesit fashistë.

Sot 100 vite pas hapjes dhe 81 vite pas mbylljes së parë prej fashistëve tentohet mbyllja e dytë, prej atyre që mendojnë se çdo natë e çdo ditë mund të shqyejnë si të babëzitur copa Shqipërie.

Shkolla Tregtare është simbol i një qyteti që historikisht ka vendosur fatet e Shqipërisë. Dhe kur zhduk simbolet ke gërryer themelet dhe ke rrëzuar kolonat që mbajnë në këmbë kombin tonë.

Mënyra e mefshtë se si po ndodh e gjithë kjo nuk lajmëron gjëra të mira.

Shkolla tregtare nuk duhet të prishet sepse është simbol i qytetit, është pjesë e historisë së ndritur të qytetit, është pjesë e panteonit të arsimit në Shqipëri.

Vetëm pushtuesit dhe barbarët shkatërrojnë kulturën, shkollat dhe teatrot; vetëm pushtuesit vrasin kujtesën dhe zhdukin simbolet për të ndërtuar kulla prej betoni.

Botuar në Gazeta Sot më 08.11.2024

Ja si po abuzon dhe po tallet sekti Rama me Vlorën

Ja si po abuzon dhe po tallet sekti Rama me Vlorën

Më 7 tetor 2024, Partia Demokratike e Degës Vlorë bëri kallëzim penal në Prokurorinë e rrethit Vlorë, për përgjegjësitë e rënda te bashkë-shkaktimit të përmbytjeve shkatërruese në qytetin bregdetar, me rastin e shirave të 4 tetorit 2024. Këto përgjegjësi nga bashkia, OSHEE dhe drejtuesit e hidrovorit të qytetit janë konkrete, lehtësisht të verifikueshme në terren dhe krejtësisht të dukshme.

Vlora pati përmbytje masive për dy ditë, për shkak kryesor që nuk funksioi asnjë kanal kullues, ndërsa kanali i ujërave të larta që çonte ujin në hidrovorin e Vlorës, u bllokua nga mos pastrimi!

Përmbytjet penguan dhe paralizuan aktivitetin njerëzor dhe ekonomik të mijëra qytetarëve dhe qindra bizneseve, duke shkaktuar dëme të mëdha ekonomike, të nivelit të miliona eurove, në familjet dhe bizneset vlonjate.

I.Vlora, në krizë të pashembullt ekonomike dhe sociale

Vlora nuk ka qenë kurrë më parë në një krizë të tillë ekonomike, shoqërore dhe sociale, sa e ka zhytur sot sekti në qeverisje, edhe pse drejtuesi i tij mburret se ka bërë shumë për Vlorën e deliron për futjen e tij në historinë e qytetit dhe krahinës!

Mes rretheve të tjera, të dhëna kokëforta e rendisin Vlorën në vendet e para të papunësisë, largimit të familjeve nga emigracioni galopant, si dhe rënies së konsumit dhe fuqisë blerëse të familjeve vlonjate.

Bashkia e Vlorës është pothuajse inekzistente, pa projekte konkrete, me administratë të tejfryrë me militantë partiakë dhe me nivele shumë të ulta të realizimit të të ardhurave dhe investimeve.

Raportet e bankave të nivelit të dytë që operojnë në Vlorë flasin për rritjen e kredive të këqija dhe pamundësinë e dhjetra firmave dhe bizneseve në prag falimentimi, për shkak se nuk kanë mundësi të shlyejnë kreditë.

Porti i Vlorës, mushkëria kryesore e biznesit të qytetit, pritet të zhvendoset në zonën e Triportit, ndërkohë që në vend të tij do të ndërtohet një port jahtesh, me 22 objekte banimi dhe hotelerie për oligarkët e Ramës.

Universitetit publik të Vlorës i mungojnë çdo vit me dhjetra studente, ndërkohë që janë mbyllur disa degë dhe priten të mbyllen të tjera

Institucionet me varësi nga ministritë janë pothujase inekzistente në Vlorë, ku në shumicën e tyre drejtuesit janë militantë partie. Pjesa më madhe e tyre janë të përfolur për abuzime me fondet publike.

Shkollat e mesme dhe nëndëvjeçare të Vlorës janë në masën 90 përqind pa ngrohje, me problematika të shumta në cilësinë e mësimdhënies dhe të disiplinës, ndërkohë që drejtuesit e shkollave janë emëruar jashtë çdo kriteri profesional. Janë thjesht dhe vetëm militantë partiakë, pa formimin dhe përvojën e duhur. Nga shumë shkolla nëntëvjeçare e të mesme raportohen përditë mungesa të nxënësve, të cilët largohen nga shkolla, si pasojë e largimit të familjeve të tyre jashtë shtetit

II.Vlora, e mashtruar nga premtimet dhe e braktisur në problematikat e saj

Pak vite më parë, gjatë vizitës në portin e Vlorës, në skelën e famshme, Rama prezantoi dy projektet: “Zgjerimi i Terminalit të Pasagjerëve” dhe “Rehabilitimi i Portit Detar Vlorë”. U zotua atë ditë edhe për të futur një linjë të re tragetesh me Italinë. Ku shkuan të gjitha këto projekte, zotime e deklarata?!

Rama dhe sekti i tij vetëm se janë tallur me Vlorën dhe vlonjatët. Vlora nuk është vetëm shëtitorja bregdetare dhe bulevardi Vlorë-Skelë, të cilat, për të thënë të vërtetën, janë kthyer në ngushtica dhe makth për qytetarët që duhet t’i përshkruajnë përditë.

Nga një vëzhgim i shkurtër dhe i drejtpërdrejtë, shikon se e gjithë infrastruktura në të gjitha lagjet e qytetit është e shkatërruar. Në këto lagje, rruget nuk janë më rrugë, por gropa e baltë, ndërkohë që sheshet janë kthyer në moçale!

Premtimi gjoja solemn se Vlora do të furnizohej 24 orë me ujë të pijshëm rezultoi një mashtrim i madh elektoral. Angazhimi se gjoja ujërat e zeza të qytetit dhe rrethinave nuk do të derdhen më në det rezultoi po ashtu një mashtrim i madh.

Pas problematikave të shfaqura me biznesin përgjatë Lungomares, ato po shfaqen dhe në bizneset në të dyja anët e Bulevardit Vlorë-Skelë , ku zhvillojnë aktivitet më shumë se 200 sipërmarrje, që nga kancelaritë e deri tek bankat, duke punësuar me mijëra familje.

Mungesa e parkimeve krijon probleme tek këto biznese. Për këtë arsye, shumë prej tyre kanë filluar të kërkojnë ambiente të reja, ose po mbyllin aktivitetet.

III.Qyteti bregdetar në degradim e shkatërrim, jo rinovim!

Shumë rrugë, sheshe e blloqe banimi në qytet janë të amortizuara në një masë të konsiderueshme, duke filluar që nga lagjet në qendër si “Lef Sallata” e “28 nëntori”, e deri në periferi, si në lagjet “11 janari”, “Kushtrimi” e Zona Industriale.

Lagjia “Partizani”, zona e e njohur me emrin “Llonxhë”, vetëm 200 metra larg godinës së Bashkisë së qytetit, jeton prej vitesh të tëra në mjerim të plotë, pa asnjë investim. Në të mungojnë kushtet më elementare të jetës në komunitet.

Impianti i përpunimit të ujërave të zeza në Vlorë, investim i qeverisë Berisha, nuk funksionon normalisht. Kjo sjell si pasojë mosmenaxhimin dhe derdhjen e ujërave të ndotura në Gjirin e mrekullueshëm të Vlorës.

Në zanafillë, projekti synonte uljen e ndotjes së ujit, përmirësimin e kushteve të jetesës dhe të shëndetit të qytetarëve. Asgjë e tillë nuk ka ndodhur këto 11 vite të (keq)menaxhimit të Vlorës nga sekti Rama.

Vlora është një ndër qarqet me një industri turizmi mjaft të fuqishme për kushtet e vendit tonë, e lidhur fort me detin. Nëse nuk arrihet të frenohet ndotja e ujërave që derdhen në det, atëherë kjo industri dhe për pasojë, të ardhurat prej saj dhe për familjet vlonjate, marrin një goditje mjaft të rëndë.

Ujësjellësi i qytetit, tashmë në duart e Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, ndodhet krejtësisht jashtë kontrollit, për fondet që harxhon, me një skandal në pikun e sezonit turistik, kohë kur qyteti I Vlorës qëndroi 3-4 ditë pa ujë të pijshëm.

Sot Vlora është qyteti me zona të shumta që nuk furnizohen me ujë të pijshem ose furnizohen më pak se 30 minuta në ditë!

Ndërkohë, Ujësjellësi i Vlorës është kthyer në hapësirë punësimi, për qoka e shërbime ndaj partisë-shtet.

Vendgrumbullimet e mbetjeve në Vlorë dhe në Orikum janë dy gangrena, që u shpërfaqën dhimbshëm edhe në këtë sezon turistik veror. Në kulmin e sezonit, mbetjet u dogjën për 5 ditë rresht, duke shkaktuar një ndotje të madhe dhe tërësisht të dëmshme për shëndetin e qytetarëve vlonjatë dhe turistëve.

Në njësinë administrative Orikum, vërehet e njëjta situatë me vendgrumbullimin dhe trajtimin e mbetjeve. Kjo, përveç shëmtisë vizuale, përbën një katastrofë të mirëfilltë mjedisore.

Periferia e qytetit është në kaos të plotë ndërtimesh e mungesa hapësirash publike, ku mungojnë rrugë, kanalizime, ndriçim, etj.

Në njësitë administrative, që deri dje ishin komuna, mungojnë gjërat më jetësore për një banor fermer, i cili jeton me bujqësi dhe blegtori.

IV.Rama tani po grabit dhe malet e Vlorës!

Nuk mjaftoi grabitja e pronave të vlonjatëve në bregdet me ligjin famëkeq Nr. 20/20 “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë” dhe me ligjin “Per Investitorin Strategjik”. I fundit është Vendimi i Këshillit të Ministrave i datës 10 tetor 2024 për ndryshimin e destinacionit të 21.979 m2 pyje dhe kullota të Malit të Çikës, në dobi të kompanisë së një oligarku të Ramës, për ndërtim hotelesh luksoze.

Ky Vendim i Këshillit të Ministrave merret në dhunim të plotë të Marrëveshjes së Stabilizim Asocimit që Shqipëria ka nënshkruar me Bashkimin Evropian, e cila kërkon garë të hapur në dhënien e aseteve shteterore privatit.

Gara e hapur të lejon të kesh oferta më të mira për komunitetin e zonës dhe banorët vendas, për nxitjen e ekonomisë dhe turizmit, si dhe për projekte më miqësore me mjedisin. Po Rama dhe sekti i tij as që kanë ndërmend ndonjëherë të zhvillojnë garë. Ata duan vetëm të grabisin dhe Vlora me pasuritë e saj natyrore dhe vendndodhjen strategjike, është bërë kryezona e plaçkitjes së sektit Rama, me çfarë i ka mbetur akoma për t’u vjedhur, malet e saj.

xxx

Qeveria dhe bashkia e qytetit Vlorë kanë detyrim publik dhe ligjor të menjëhershëm të dëmshpërblejnë familjet dhe bizneset e dëmtuara nga përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë, e shkaktuar në rradhë të parë nga paaftësia dhe papërgjegjshmëria skandaloze e tyre, dhe jo vetëm nga rënia e shirave të rrëmbyeshëm.

Këto janë “kryeveprat” e zeza të sektit Rama në Vlorë. Prandaj dhe vlonjatët protestuan fort më 7 tetor në Tiranë dhe nuk do t’i ndalin protestat, derisa bajlozi Rama t’i qërrohet detit dhe tokës së Vlorës, si dhe të gjithë Shqipërisë!

Botuar në Gazeta Sot më 13.10.2024

Porti i Durrësit, port i mafias dhe i mbetjeve të paligjshme toksike

Porti i Durrësit, port i mafias dhe i mbetjeve të paligjshme toksike

Sipas Rrjetit të Veprimit të Bazelit (BAN), një organizatë botërore jo qeveritare e drejtësisë dhe shëndetit mjedisor, që lufton trafikun ndërkombëtar të paligjshëm të mbetjeve toksike, më 2 prill të këtij viti, Shqipëria dërgoi nga porti i Durrësit për në Kinë 115 kontenierë me mbetje toksike. Kjo ngarkesë, e deklaruar si koncentrat i ulët dhe mineral zinku, u bllokua nga autoritetet kineze dhe mbahet ende e bllokuar në Portin e Nanshas, në qytetin Guangzhu në Kinë. Analizat e bëra nga autoritetet kineze provuan se kontenierët ishin të ngarkuar me mbetje të dala nga rafinimi hidrometalurgjik i metaleve jo hekur, që përmbanin nivele të larta të plumbit dhe ndotësve të tjerë, ndryshe nga sa deklarohej në dokumentet shoqëruese të eksportit. Këto ditë, në Tajlandë janë drejtuar 100 kontenierë ( mbi 800 tonë)me mbetje toksike, të ardhura po nga Porti i Durrësit, të denoncuara po Rrjeti i Veprimit i Bazelit.

Këto fakte hedhin dyshime të forta se, tek ne, përmes Portit të Durrësit, është zhvilluar dhe po zhvillohet një aktivitet i mirëorganizuar dhe i mirëfilltë mafioz, me tregtinë e mbetjeve të rrezikshme, të paligjshme për t’u eksportuar. Sekti Rama në pushtet, ia ka dalë të ngadalësojë dhe zvogëlojë aktivitetin përpunues dhe tregtar të mirëfilltë të Portit 2700 vjeçar të Durrësit, si dhe po zeron gradualisht rëndësinë e tij ekonomike. Dhe nuk mjaftohet me kaq, por po e shndërron Portin kombëtar të e Durrësit në një njollë të zezë në transportin evropian detar, si port burimor, për të transportuar drogë dhe për trafiqet e paligjshme të mallrave, duke përfshirë mbetjet toksike. Me të drejtë, shumë qytetarë sot ngrejnë pyetjen: çfarë duhet të vazhdojë të bëjë akoma Porti i Durrësit, që të quhet port i mafias dhe i mbetjeve të paligjshme toksike?

Porti i Durrësit, port pa kontrollet e duhura

Sipas vrojtimeve të shumë ekspertëve dhe organizatave ndërkombëtare, kontrolli i mallrave në portin e Durrësit lë shumë për të dëshiruar. Sidomos ndaj mallrave për eksport, ai aplikohet formal dhe është shumë i pakët. Rastet e sipërcituara janë prova flagrante e moskontrollit portual të mallrave.

Porti i Durrësit, siguria shumë e dobët

Organizata prestigjoze ndërkombëtare “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” ka publikuar një raport për rrugët ballkanike të trafikimit të lëndëve narkotike(https://globalinitiative.net/analysis/balkans-maritime-routes-ports-crime/ . Në raport flitet për trafikun ndërkombëtar të kokainës, i cili bëhet përmes rrugëve detare në Ballkan. Në kapitullin për Shqipërinë, përmendet Porti i Durrësit si port me risk të lartë në përdorimin e mundësive dhe rrugëve të trafikimit të kokainës. “Global Initiative” evidenton disa hallka të dobëta të sigurisë në Portin e Durrësit, që u japin mundësi trafikantëve për të transportuar kokainë, duke shfrytëzuar konteinerët që vijnë nga vende të ndryshme të botës, e specifikisht konteinerët me banane.

Sipas organizatës së njohur ndërkombëtare, siguria në port është larg së qenit garantuese. “Niveli i sigurisë është dukshëm më i ulët në rrugën prej 1 kilometër që ndan terminalin e konteinerëve me skanerin, ne krahasim me zonat e tjera portuale, megjithëse brenda perimetrit të portit. Kjo u jep mafiozeve kohë për të ndërhyrë në konteiner, përpara se ai të jetë kontrolluar”, cilësohet në raportin e “Global Initiative”. Porti i Durrësit është kthyer në një pikë strategjike për grupet kriminale, për të trafikuar sasi të mëdha të lëndës narkotike kokainë, nga Amerika Latine drejt vendit tonë, me destinacion kryesor tranzitimin e saj në vendet e Bashkimit Evropian.

Raporti i “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”vijon me konstatimin se “Që nga viti 2018 ka pasur sasi të konsiderueshme kokaine të sekuestruar në Portin e Durrësit. Sasia e madhe e kapjes së kokainës në këtë port tregon qartë se ky port është një pikë e rëndësishme për trafikun ndërkombëtar të drogës”.

Porti i Durrësit ka rënë në volum dhe po humb përparësinë e tij strategjike

Me vendimin e zhvendosjes së Portit strategjik tregtar të Durrësit drejt Porto Romanos, për shkak të zbatimit të Projektit mafioz “Durrës Yachts & Marina” të një miliarderi arab, në dobi të oligarkëve të Ramës, aktiviteti i ngarkim-shkarkimit dhe në tërësi aktiviteti tregtar në port ka ardhur në rënie. Me këtë zhvendosje, u zeruan jo vetëm dhjetra e qindra miliona eurot e procesit të deritanishëm të modernizimit të Portit të Durrësit, por po zhvleftësohen ndjeshëm edhe financime të mëdha, të kryera në infrastrukturën rrugore, që kanë pasur Portin e Durrësit si shtyllë mbështetëse leverdisshmërie, të tilla si Rruga e Kombit në Shqipëri dhe autostrada Prishtinë-Morinë në Kosovë. Lajmi i spostimit gradual të portit tregtar të Durrësit ka bërë që kompani të njohura detare të transportit të mallrave me konteinerë, të nisin përpjekjet të largojnë aktivitetin e tyre nga Porti i Durrësit, në drejtim të porteve të Selanikut në Greqi dhe të Kotorrit në Malin e Zi.

BE anuloi grantet dhe kreditë për Portin e Durrësit

Menjëherë pasi doli vendimi për zhvendosjen e Portin të Durrësit, Bashkimi Evropian anulloi një grant prej 28 milionë euro, i cili ishte vënë në dispozicion nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim rikonstruksionin e Kalatave 1 dhe 2, në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit. Institucionet e BE-së kanë shprehur hapur shqetësimin dhe rezervat për modifikimin e projektit të zhvillimit të Portit të Durrësit, duke e zhvendosur atë në Porto Romano, si dhe mungesën e transparencës nga qeveria shqiptare.

Shkatërrimi i portit tregtar dhe ndërtimi i një marine dhe 12 mijë apartamenteve

Është e vështirë të kuptohet se si porti kryesor dhe strategjik i vendit do të zerohet brenda shtatë vitesh, duke e zhvendosur, në këmbim të ndërtimit të një marine, një hoteli dhe 12 mijë e 600 apartamenteve! Është vërtet e paimagjinueshme të mendosh se si Shteti shqiptar vë në dispozicion mbi 800 mijë metër katrorë të Portit aktual të Durrësit, ndërkohë që investitori miliarder arab po investon vetëm 86 milionë euro të tijat dhe pjesën tjetër do ta nxjerrë nga shitja e apartamenteve që do të ndërtojë mbi këta 800 mijë metra katrorë! Një projekt mafioz ky, që i ngjan gropave të pallateve të ndërtimit në Tiranë, Durrës e kudo në qytetet kryesore të vendit, ku investuesi hap gropën dhe nis ndërtimin, në fakt duhet shkruar pastrimin.

Projekti, në fakt, është pikërisht një gropë e stërmadhe, një lavatriçe e stërmadhe pastrimi parash! Një projekt i ndarë në dy faza, ku në fazën e parë nuk përmendet në asnjë rresht Marina, vetëm 4 mijë apartamente banimi dhe një hotel. Pastaj vijnë 280 vende ankorimi në Marinë, kundrejt mbi 8 mijë e 600 apartamenteve të tjera, të planifikuara në fazën e dytë. Për këtë ka nevojë Durrësi? Për këtë ka nevojë Shqipëria? A duhet shkatërruar nga themelet porti 2700 vjeçar, kjo nyje strategjike e ekonomisë së vendit, duke u zëvendësuar me 12,600 apartamente banimi? Po qindra milionë eurot e kontratave koncesionare të prishura në Porto Romano dhe që, me siguri, do të përfundojnë në gjykata ndërkombëtare arbitrazhi, kush do t’i paguajë? Sekti Rama në qeverisje?

Mashtrimi i pacipë me financimin e portit të ri

Deklaratat publike të Ramës dhe sektit të tij dy-tre vite më parë, për gjoja financimin e ndërtimit të portit të ri tregtar në Porto Romano nga fondet e investuesve të huaj strategjikë dhe asnjë lek nga Buxheti i shqiptarëve, që nga momenti kur nga “hiçi” doli në skenë projekti i shkatërrimit të portit më të madh në vend, tashmë i përkasin së kaluarës. Rama pastaj kaloi në premtimin se porti i ri do të ndërtohej si PPP (44% shteti dhe 56 % privati). Edhe ky variant-aventurë u la rrugës. Qeveria tani ka degraduar në variantin e ndërtimit të të gjithë portit të ri në Porto Romano, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ajo ka frikë ta përmendë koston e tij të plotë, që mund të shkojë edhe në 1-1.5 miliardë euro. Kjo është trashëgimia nga aventura-projekt mafioz me një marinë, një hotel e 12 mijë e 600 apartamente në zemrën e Durrësit, që Rama ua ka lënë peshqesh shqiptarëve. Për këtë aventurë, shqiptarëve ju grabit një pronë publike, siç është porti aktual, bashkë me asetet tokë truall, me vlerë tregu rreth 3 miliardë euro. Në të njëjtën kohë, janë 231 milionë euro të falura, taksa të qytetit të Durrësit, që do të duhej të ishin kthyer në investime për banorët e qytetit, nëse projekti i miliarderit arab “Durrës Jahte dhe Marinë” do të taksohej sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi( denoncimi i parë i kësaj shume është bërë nga z.Igli Cara). Në këmbim, Rama u ka lënë shqiptarëve “trashëgim” 1-1.5 miliardë euro port të ri, që do të ndërtohet nga taksat e tyre. Dhe nuk ka turp ta shesë si zhvillim të jashtëzakonshëm të vendit!

Përgjegjësi kryesor i abuzimeve në Portin e Durrësit gradohet…ministër!

Sikur të mos mjaftonte evidentimi i portit në të gjitha strukturat ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Evropian si port droge, shkeljet e shumta korruptive në prokurimet publike të denoncuara nga opozita dhe media kurajoze, shkelja e kontratave etj, drejtori i Portit të Durrësit deri pak javë si sot, përmes një emërimi të dyshimtë nga “Lideri Rajonal”, kryetari i sektit në qeverisje ,gradohet …Ministër i Mbrojtjes! Me sa duket, i duhet për të bërë me pronat e ushtrisë atë që bëri me administrimin e aseteve të portit më të rëndësishëm dhe strategjik të vendit, duke e rrënuar e degraduar atë.

Tregtia e mbetjeve toksike të paligjshme është e pamundur të realizohet, pa dijenine dhe korruptimin e institucioneve shtetërore që përgjigjen funksionalisht për sigurinë e kufijve, duke filluar nga autoriteti portual, doganat dhe policia kufitare. Tani që faktet po zbulohen nga OJF-të dhe mediat ndërkombëtare e ato të vendit,fakte që opozita i ka denoncuar dhe po i denoncon fort, organet e drejtësisë duhet të fillojnë menjëherë hetimet, për të parë se çfarë mbetjesh toksike kanë qarkulluar në Shqipëri, kush e organizon këtë tregti të paligjshme dhe deri në ç’masë është i zhytur shteti i sektit Rama në këtë aktivitet kriminal. Ndëshkimi ligjor është domosdoshmëri ulëritëse në shumë plane.

Botuar në Gazeta Sot më 22.08.2024

Aleancat parazgjedhore dhe listat e hapura 100% energjizojnë shpresën për ndryshim

Aleancat parazgjedhore dhe listat e hapura 100% energjizojnë shpresën për ndryshim

Në bisedimet e tanishme për kodin zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, Partia Demokratike duhet të kërkojë me forcë, si kusht të panegociushëm, lejimin e aleancave parazgjedhore dhe të listave të hapura 100 përqind.

Ky është mendimi im personal. Në zgjedhjet e vitit 2021, Rama shkeli Marrëveshjen e 5 qershorit të vitit 2020, të lidhur në selinë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, të negociuar për pesë muaj rradhazi me nismën e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian. Marrëveshja me 12 pika e 5 qershorit 2020 përcaktonte se çdo çështje për reformën zgjedhore duhej të kalonte nga tryeza e Këshillit Politik.

I. Si Kodi Zgjedhor i Rames dëmtoi dhe ndrydhi energjinë e opozitës më 25 prill 2021

Më 21 korrik 2020, Rama kreu ndryshimet ne Kodin Zgjedhor, duke shkelur në mënyrë të pacipë Marrëveshjen e 5 qershorit. Me këto ndryshime, Rama shmangu Këshillin Politik të ngritur nga Marrëveshja dhe vendosi a priori që të pengoheshin koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura 100 përqind në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021.

Rama e realizoi këtë, në hundën e ndërkombëtarëve, pa pyetur opozitën dhe pa marrë dakordësinë e saj, sikurse kërkonte Pika 10 e Marrëveshjes. E grisi Marrëveshjen , duke mashtruar faktorin ndërkombëtar dhe të gjithë shqiptarët, të cilëve u përbetohej se ishte për koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura plotësisht.

Kjo situatë nuk duhet dhe nuk ka pse të përsëritet me zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Koalicionet parazgjedhore zgjerojnë dhe energjizojnë bazën e opozitës, si dhe fuqizojnë tek qytetarët thirrjet e saj për ndryshim. Hyrja në garën zgjedhore me koalicione të tilla është një e drejtë e natyrshme e forcave politike pjesëmarrëse në garë në një vend demokratik.

Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor më 21 korrik 2020, Rama jo vetëm që shkeli 10 nga 12 pikat e Marrëveshjes së 5 qershorit 2020, por i mohoi opozitës marrëveshjet politike përpara garës, koalicionet parazgjedhore. Pa ndryshimet e Kodit Zgjedhor, pa këtë mashtrim ndaj ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të vendit nga ana e Ramës, opozita e bashkuar me siguri do t’i kishte fituar zgjedhjet e 25 prillit 2021.

II. Domosdoshmëria e listave 100 përqind të hapura për demokracinë zgjedhore në vend

Sistemi zgjedhor aktual proporcional rajonal me lista të mbyllura, në të cilat, shqiptarët zgjedhin një parti, ndërsa partia zgjedh deputetët që do të dërgohen në Kuvend, u vendos 16 vite më parë me ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, me argumentet se sistemi krijon stabilitet në qeverisjen e vendit dhe heq mundësinë e përfshirjes në garat elektorale të personave që kanë probleme me drejtësinë.

Në të vërtetë, të dy këto argumente u rrëzuan nga historia e këtyre 16 viteve të qeverisjes së vendit nga sistemi i listave të mbyllura. Në vitin 2016, u detyruam të miratojmë ligjin Për Dekriminalizimin, pikërisht për shkak të numrit të stërmadh të personave me precedentë të penalë që hynë në Parlamentin e vitit 2013, përmes listave të mbyllura, kryesisht në ato të Partisë Socialiste.

Listat e mbyllura nuk krijuan as stabilitet në qeverisje. Ministrat u ndryshuan në vazhdimësi dhe qeveritë, sidomos ato socialiste, u përfshine nga skandale të njëpasnjëshme

Por problemi më i madh që kemi si qytetarë dhe që ka edhe Partia Demokratike me listat e mbyllura, është që Kuvendi i Shqipërisë, institucioni që në një sistem demokratik duhet të kontrollojë qeverisjen, u shndërrua në një institucion të dobët dhe noter i rëndomtë i kryetarit të partisë në qeveri.

Humbi roli dhe pesha e anëtarit të partisë apo e grupeve të interesit brenda bazës së partisë, në vendimmarrjen se kush do të dërgohet si përfaqësues në Parlament e kush jo.

Sigurisht që është vështirë që vendi të kalojë në një sistem demokratik zgjedhor, pas autokracisë së kryetarëve të partive në 16 vitet e fundit. Partia Demokratike duhet të marrë kurajon dhe përgjegjësinë që të kërkojë si kusht të panegociushëm hapjen 100 përqind të listave të kandidatëve për deputet.

Sigurisht që kjo ka kosto edhe për ne deputetët aktuale të saj, por është gjëja më e mirë për t’u bërë, për vetë Partinë Demokratike dhe vendin.

PD nuk duhet të bjerë në kurthin e teknikaliteteve të PS-së me herës dhe pa herës, apo të propozimeve të saj për lista të hapura pjesërisht.

III. PD nuk është kënetë, për të pranuar kode zgjedhore që ndrydhin opozitën!

Argumenti i PS-së për lista zgjedhore pjesërisht të hapura, gjoja për të pasur kuota gjinore dhe për të mbështetur praninë e deputeteve në Parlament nuk qëndron. Shembull per kete është Kosova, e cila ka një sistem zgjedhor me lista 100 perqind të hapura dhe gjithashtu me kuota gjinore.

Në bisedimet për Kodin Zgjedhor, Partia Demokratike nuk duhet të lejojë kurrsesi përsëritjen e operacionit të stilit mafioz të Ramës, si më 21 korrik 2020.

Listat e hapura 100 përqind nënkuptojnë zhvillimin e primareve në parti dhe lëvizja rigjeneruese e Rithemelimit na sjell një shembull të çmuar të forcës mobilizuese dhe besuese në ndryshim, që kanë primaret.

Përjashtimi i Prof. Dr. Sali Berishes ishte një goditje e pistë e katërshes Rama-McGonigal-Soros-Basha. Na u deshën tre vjet që ta kuptojmë plotësisht këtë realitet. Ne si demokratë nuk mundemi të pranojmë të mos çlirojmë plotësisht energjitë opozitare për ndryshim, të mos bashkojmë shumicën e shqiptarëve rreth kauzës për ndryshim, pas 12 vitesh qeverisjeje të papërgjegjshme dhe skandaloze të sektit Rama,

Partia opozitare nuk mund të jetë një kënetë, ku nuk lëviz gjë në garën për fitore. Pa koalicione parazgjedhore, për të energjizuar shpresën për ndryshim, si dhe pa listat hapura 100 përqind të kandidatëve, ku mbështetësit e opozitës së bashkuar të shikojnë me sytë e tyre dhe të binden për kandidatët e ndryshimit, do ta kemi shumë të vështirë, në mos edhe të pamundur, për të fituar dhe arritur ndryshimin.

Botuar në Gazeta më 24.07.2024