Kërcënimi mbi pavarësinë institucionale të INSTAT

Kërcënimi mbi pavarësinë institucionale të INSTAT

Diskutim lidhur me Projektvendimin për miratimin e Planit vjetor 2023 për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2022-2026”

Përshëndes dhe vlerësoj Planin vjetor 2023 për zbatimin e Programit të Statistikave Zyrtare 2022-2026, sikurse rreth një vit më parë, në shkurt 2022, kam përshëndetur dhe vlerësuar këtë Program, të përgatitur, përmes një pune sa voluminoze, aq edhe serioze dhe profesionale, nga Instituti i Statistikave(INSTAT),.
INSTAT këto vite ka patur zhvillim të konsiderueshëm dhe po provon të luajë një rol në rritje, nëpërmjet produkteve dhe serive të tij statistikore, për hartimin e politikave te duhura ekonomike publike, sa më të bazuara në informacion objektiv dhe të plotë, falë drejtuesve të tij ndër vite dhe deri tek drejtuesja aktuale.
Theksoj veçanërisht përpjekjet e INSTAT për hapjen dhe pastaj mbylljen e bisedimeve për Kapitullin 18 “Statistikat” të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, për të realizuar përafrimin maksimal dhe pastaj njehsimin e produktit tonë statistikor me standardet e statistikave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me treguesit e EUROSTAT.
Është detyra ime si deputet, që, krahas vlerësimeve të merituara, të tërheq vëmendjen lidhur me dobësitë dhe kërcënimet ndaj punës së INSTAT, mbështetur në analizën SWOT të institucionit, si dhe mangësitë që sollën mosrealizimin e Censit të Popullsisë dhe Banesave gjatë vitit 2022, për probleme në prokurim. Mangësi që mund të përsëritën në mënyrë kërcënuese edhe këtë vit.
Duket paradoksale që angazhimi më i madh statistikor në vend për vitin e kaluar, mbeti peng i një tenderi. Censi i Popullsisë dhe Banesave u shty, si pasojë e mossigurimit të tabletëve, mjeteve elektronike për realizimin e një prej proceseve, atë të grumbullimit dhe monitorimit të informacionit në terren.
Kjo është një vonesë e qëllimshme dhe strumbullari i saj kryesor ka qenë qeveria dhe stepja e saj përpara dokumentimit, nëpërmjet censit, të boshatisjes së frikshme të vendit. Në një kohë kur duhej të ishte qeveria e interesuara kryesore që censi të realizohej sa më shpejt, pasi informacioni i plotë për numrin e popullsisë dhe të banesave, do t’i mundësonte marrjen e vendimeve sa më të drejta e të dobishme për qytetarët.
I. Dobësitë madhore që kërcënojnë prodhimin statistikor
Në analizën e tij SWOT, INSTAT cilëson me të drejtë si mangësi kryesore burimet e pamjaftueshme që ka në dispozicion.
a. Mungesa kronike e fondeve ia ka vështirësuar institucionit realizimin e objektivave të tij. Për censin e popullsisë dhe banesave të vitit 2020, që në vitin 2018 ishte miratuar një buxhet prej 15.8 milionë ëurosh. Kjo shumë do të financohej në masën 52% nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër nga donatorët. Bashkimi Europian u ofrua me 31% të totalit dhe për 17% u ofruan donatorë të tjerë. Por shtyrjet që iu bënë procesit për tre vite rresht kanë zhvlerësuar fondin e vitit 2018, ndërkohë që çmimet janë rritur për të gjitha mallrat dhe shërbimet dhe INSTAT ka ngecur në qerthullin e tenderave dhe pamjaftueshmërisë së fondeve për të bërë statistikën e re kryesore të popullsisë dhe banesave.
b. Vetë INSTAT cilëson si dobësi themelore burimet e pamjaftueshme njerëzore, të cilat nuk ia mundësojnë përmbushjen e kërkesave në rritje për statistika zyrtare. Lëvizja, largimi i stafit ekspert ka qenë e lartë dhe politikat e motivimit të institucionit, në rradhë të parë motivimi financiar, nuk kanë mjaftuar për të minimizuar largimet. Kjo ka sjellë në vonesa në prodhimin dhe shpërndarjen e statistikave zyrtare dhe ka ngritur pikëpyetje për cilësinë e prodhimit statistikor. Edhe pse INSTAT ka investuar në vite për rritjen e aftësive profesionale të ekspertëve të tij, mundi dhe fondet kane rezultuar jo efektivë, pasi një pjesë jo e vogël e tyre është përthithur nga sektori privat, ose është larguar në emigracion. Qeveria duhet të shikojë me përparësi rritjen e nivelit të pagave të ekspertëve të stafit të INSTAT dhe të ekspertizës së jashtme që institucioni kontrakton.
c. INSTAT thekson se sistemi i trajnimit të stafit të tij nuk paraqitet i konsoliduar dhe nuk është i zhvilluar akoma në formë të tillë, që të ndikojë sa duhet në zhvillimin e kapaciteteve profesionale dhe menaxheriale. Kjo ndodh në një kohë kur shkenca dhe industria e prodhimit të statistikave zyrtare është zhvilluar me ritme të shpejta në botë dhe sidomos në Evropë dhe risitë në teknologjinë e informacionit statistikor prezantohen e përthithen me një ritëm marramendës, nga statistikat zyrtare të vendeve anëtare të BE dhe nga EUROSTAT .
d. Tek ne mungon auditi i mirëfilltë statistikor. INSTAT, nën cilësinë e institucionit përgjegjës për të garantuar zbatueshmërinë e parimeve statistikore, nuk zotëron kontroll të mjaftueshëm mbi cilësinë e të dhënave të ofruara nga institucionet publike dhe prodhuesit e tjerë të statistikave zyrtare, në rradhë të parë mbi saktësinë, përpikmërinë, afatin kohor, etj. Të dhënat jo të plota që INSTAT merr ndikojnë në cilësine e produktit përfundimtar të tij. Është domosdoshmëri krijimi i një sektori të auditit statistikor pranë INSTAT, me degëzime në institucionet kryesore publike qendrore dhe vendore, për të garantuar cilësinë dhe plotësinë e informacionit statistikor që mbledh INSTAT.
e. Edukimi i mangët statistikor. Mangësitë në njohuritë statistikore ndikojnë negativisht në interpretimin e drejtë të treguesve statistikorë nga grupet e interesit, siç janë përdoruesit: institucionet qendrore dhe vendore publike, kompanitë e konsoliduara të biznesit dhe media. Për të mbushur këtë boshllëk, trajnimi i përdoruesve për fusha të ndryshme të statistikës do të ndikonte në rritjen e shkallës së interpretimit dhe analizave të informacionit statistikor.
f. Forma të pamjaftueshme komunikimi me palët e interesit. Ka mosbesim të përhapur të sektorit privat dhe të qytetarëve në deklarimin e të dhënave që mbledh dhe kërkohen prej INSTAT. Po ashtu, edhe bashkëpunimi i tyre në vrojtimet statistikore, ku garantohet ruajtja e konfidencialitetit, është minimal. INSTAT duhet të diversifikojë e zhvillojë format e komunikimit me palët e interesit, duke punuar veçanërisht për një komunikim më të mirë me institucionet që sigurojnë të dhënat administrative.
INSTAT, në bashkëpunim me qeverinë dhe donatorët, duhet të synojë që të rrisë transparencën për të dhënat statistikore, mënyrën si ato sigurohen dhe kriteret e objektivitetit statistikor, duke organizuar fushata sensibilizimi në çdo nivel, veçanërisht në sipërmarrjet dhe institucionet e sektorit privat. Duke nënkuptuar dhe përfshirjen e biznesit privat në këtë proces, duke inkurajuar rritjen e rolit të dhomave të tregtisë dhe industrisë, nëpërmjet botimeve të ndryshme, faqeve në internet, katalogjeve apo vjetarëve specifikë, përfshirjes së të dhënave rajonale e kombëtare lidhur me ndërmarrjet private, llojin e sasinë e prodhimeve apo të shërbimeve, shkallën e punësimit, nivelin e teknologjive të përdorura, etj.
g. Shpërndarja jo efektive e informacionit statistikor. Nga analiza SWOT e institucionit, del qartë se disponimi i një kalendari publikimi nuk është i mjaftueshëm, për të patur një politikë koherente të shpërndarjes së statistikave zyrtare. Është e domosdoshme të ndërmerren fushata informimi dhe ndërgjegjësimi dhe qeveria duhet të ndihmojë me akordimin e fondeve të duhura për institucionin, por edhe vetë INSTAT duhet të aplikojë për fonde pranë Ministrisë së Financave, me një program të plotë, të qartë e gjithëpërfshirës, për rritjen e kanaleve të komunikimit dhe përcjelljes së prodhimit statistikor, imazhit, si dhe nivelit të pranueshmërisë dhe besueshmërisë së INSTAT. Institucioni e ka domosdoshmëri që prodhimi i tij statistikor të vendoset i gjithi në një format të lexueshem dhe konciz PDF, lehtësisht të përdorshëm nga palet e interesit.
II. Të gjithë duhet të ndihmojmë dhe jo të pengojmë INSTAT!
Duhet ta pranojmë të gjithë se sistemi ynë i llogarive kombëtare është ende shumë i mangët. Një pjesë e të dhënave të raportuara, përfshi PPB, paraqiten jo rrallë herë si vlerësime, dhe jo matje faktike. Një pjesë e informacionit statistikor që mbledh INSTAT vjen i cunguar në kohë dhe në fushat që ai mbulon.
Në këto kushte të vështira të punës së INSTAT dhe të sfidave të mëdha që këtë institucion serioz dhe profesional e presin për këtë vit, të gjithë NE, institucionet e tjera, duke filluar nga Kuvendi, por edhe qeveria dhe institucionet qendrore dhe vendore, publiku dhe media, duhet të bëjmë më shumë për të ndihmuar INSTAT. Në rradhë të parë, ne duhet të kontribuojmë në plotësimin e mangësive, me të cilat përballet ky institucion.
Si kërcënim kryesor per efektivitetin dhe efiçiencën e produktit statistikor të INSTAT, shoh mungesën e garancive të plota për pavarësinë e këtij institucioni statistikor thelbësor për vendim-marrjen publike. Personalisht, e quaj jetike dhe të domosdoshme këtë pavarësi. Pavarësia e institucioneve statistikore, aq më tepër e të dhënave statistikore, ndaj politikës dhe ndikimit të saj të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, merr sot një rëndësi akoma më të madhe se në të shkuarën, krahas transparencës dhe pavarësisë brenda dhe jashtë sistemit statistikor dhe ndërthurjes shumëpërmasore të tij. Ruajeni pavarësinë institucionale. Ruhuni nga patronazhistët dhe mos i bashkoni me administratën profesionale të INSTAT, se do jua hanë si mola institucionin. Shpresoj të mos i keni angazhuar deri tani, nga presioni i sektit Rama.Pavarësia e INSTAT nga ndërhyrjet apo interesat e ngushta qeveritare, paraqitet si domosdoshmëri dhe kusht “sine qua non” për besueshmërinë e produkteve të institucionit.
Bëj thirrje për zbatimin serioz dhe me përgjegjësi të detyrimeve që na rrjedhin të gjithë institucioneve shtetërore nga ky Plan vjetor 2023. Moszbatimi i këtyre detyrimeve, mosrespektimi i afateve kohore për dërgimin e të dhënave dhe informacioni jo i plotë nga njësitë statistikore dhe siguruesit e të dhënave administrative, do të sillte jo vetëm vonesë në realizimin e produkteve statistikore sipas afateve të parashikuara, por edhe mangësi në sasinë dhe cilësinë e treguesve.
Nga ana tjetër, mungesa e strukturave statistikore si dhe rishikimi i herëpashershëm i strukturës organizative në ministritë e linjës dhe institucionet e tjera që sigurojnë të dhënat administrative, rrezikon zbatimin cilësor të këtij Programi.
Kurse mosadresimi dhe mungesa në vijimësi e burimeve financiare dhe njerëzore të domosdoshme për INSTAT, do të sillte mosrealizimin e aktiviteteve, të cilat janë për t’u përshëndetur si nisma me standarde, si dhe mosplotësimin e Planit vjetor 2023 dhe moskryerjen e vrojtimeve të parashikuara në Programin e Statistikave Zyrtare 2022-2026.
Shënim: Ky diskutim nuk u mbajt, për shkak të situatës së krijuar në dhe për shkak të shkeljes së Rregullores së Kuvendit nga Kryetarja e Kuvendit, zj. Lindita Nikolla

Botuar në Gazeta Sot më dt. 31 Janar 2023

12 nëntor, protestë kombëtare ndaj sektit Rama

12 nëntor, protestë kombëtare ndaj sektit Rama

Më në fund, megjithëse me vonesë, Partia Demokratike përcaktoi datën 12 Nëntor për fillimin e protestave, së bashku me Partinë e Lirisë dhe të gjitha forcat e tjera opozitare shqiptare.
Protesta, të cilat duhet dhe do të jenë të vazhdueshme deri në rrëzimin e këtij sekti arrogant!
Cilido demokrat, cilido shqiptar ka nga një arsye për të protestuar dhe të gjitha arsyet së bashku, përbëjnë etjen e një populli që nuk pajtohet me keqqeverisjen, mashtrimin, mungesën e transparencës dhe të llogaridhënies nga sekti Rama në pushtet.
Secili prej nesh do të protestojë kundër varfërisë së ulur këmbëkryq, rritjes galopante të çmimeve, arsimit të shkatërruar, shëndetësisë në gjendje mjerane; shpopullimit, largimeve masive të shqiptarëve, sidomos rinisë; do të protestojë kundër sektit, që në nëntë vjet largoi 27% të shqiptarëve dhe mburret për këtë; do të protestojë kundër korrupsionit në çdo qelizë të pushtetit, kundër krimit e drogës në apoteozë, kundër shpërdorimit e vjedhjes së pasurive publike…
Do të protestojmë kundër armiqve të votës së lirë, kundër plaçkitësve të paskrupullt përmes shtetit elektoral, patronazhistëve të kuq dhe bandave kriminale e parave të drogës.
Sepse protestat janë i vetmi mjet që të kujtohemi se jetojmë në demokraci, vetëm protestat na kanë ngelur për t’u përballur me këtë sekt armiqësor ndaj shqiptarëve, që keqqeveris, pa përgjegjshmëri, transparencë e llogaridhënie.
Mosbindja civile dhe protestat janë mjete demokratike për të refuzuar çdo formë të qeverisjes dhe vendimmarrjeve diktatoriale dhe tregues i shëndetit të shoqërisë dhe, si të tilla, një ndër gjërat më të mira që mund t’i ndodhin një shoqërie demokratike.
Shqiptarët nuk janë të varfër, janë të vjedhur dhe kanë një kryeministër harbut që ka mbi dy dekada në majë të pushtetit dhe intimidon shqiptarët.
Shqiptarët nuk janë pa dinjitet; do ta dëshmojnë me protestat, reagimin e tyre dhe përballjen finale me këtë regjim.
Shqiptarët janë të kthjellët, kanë guxim, mendim, energji; dinë të organizohen e të reagojnë.
Çfarë do t’i ngelet sektit armiqësor në qeveri përballë një reagimi të tillë qytetar?
Do të vazhdonte të ishte kaq arrogant, hajdut e armiqësor me popullin?
Jo!
Përballë reagimit masiv të shqiptarëve, sektit Rama do t’i ngeleshin veçse disfata, frika, zmbrapsja, arratisja.
Kundër një qeverie që të mohon, shan, fyen e injoron, duhet të protestosh!
Kundër një rrugaçi të veshur me pushtet që të vret, duhet të veprosh!
Kundër një qeverie që të mohon, shan, fyen e injoron, duhet të protestosh!
Kundër një sekti kriminal, duhet të luftosh!
Një kryeministër arrogant e cinik e rrëzon!
Sado i ashpër të jetë një regjim, populli reagon!
Sado arrogant të jetë një regjim, populli fiton!
Sado të kërcasë dhëmbët sekti Rama, populli e përmbys!
Demokratët dinë të fitojnë ndaj së keqes dhe nuk do ta lejojnë fyerjen, nëpërkëmbjen.
Arrogancës së regjimit antishqiptar i përgjigjemi me protesta demokratike!

Botuar në Gazeta Panorama më 26 Tetor 2022

Paketë fiskale apo rrebesh gjobash?

Paketë fiskale apo rrebesh gjobash?

Në një kohë kur qytetarët dhe biznesi me të drejtë kërkojnë lehtësira fiskale për të përballur inflacionin galopant që që mbërthyer vendin, në një kohë kur të gjitha shtetet rrotull nesh realizojnë përjashtime fiskale, ulje të taksave, sidomos të nivelit të TVSH-së mbi produkte jetike për popullatën dhe biznesin. sekti në pushtet bën publik disa propozime të paketës fiskale 2023, duke mos e përfshirë qëllimisht paketën në diskutimet e nisura në Kuvend për projektbuxhetin e vitit 2023.
Duket se sekti po taton reagimin popullor dhe të biznesit, për të vendosur sa do ta forcojë “kërbaçin” e gjobave të rritura.
Biznesi, i shokuar nga nisma për dhjetëfishim gjobe!
Një nga këto propozime, që ka sjelle reagimin e menjëhershëm shqetësues dhe gati të shokuar, të shoqatave të konsoliduara të biznesit, është dhjetëfishimi i gjobës ndaj bizneseve të mëdha(të rregjistruara si subjekte të tatimit mbi fitimin dhe TVSH), nëse ato për herë të dytë nuk lëshojnë faturë për mallrat dhe shërbimet që blejnë dhe shesin.
Gjoba për to shkon 1.500.000 lekë dhe përbën gjobën më të lartë fiskale që është parashikuar ndonjëherë për bizneset, në historinë e pas tranzicionit shqiptar. Ndërkohë që dyfishohet gjoba për mosdeklarim të punonjësve dhe nënpagim të tyre në listëpagesat.
Biznesi shprehet se kriza e çmimeve e ka vënë sipërmarrjen përballë sfidave të mëdha. Industritë prodhuese po përballen me kosto që shkojnë mbi 50 përqind të çmimeve të mëparshme. Sipërmarrja ndihet e befasuar me një paketë fiskale që i vjen si thikë pas shpine, ndërkohë që ekonomia ka nevojë për ndërhyrje radikale, sidomos në ndihmë të biznesit prodhues. Paketa fiskale jo vetëm që nuk ndihmon, por është e fokusuar në shumëfishimin e penaliteteve e gjobave. Shumëfishimi i gjobave është i pakuptimtë. Në asnjë shtet në kohë krize, nuk aplikohen gjoba që janë 10-fish në dëm të sipërmarrjes. Madje as në periudha të një rritjeje të fuqishme ekonomike. Shoqatat e biznesit kërkojnë me një zë që qeveria të ndërmarrë një paketë të strukturuar, duke u përqendruar në mbështetjen direkte ndaj industrive prodhuese dhe biznesit në tërësi. Kërkojnë të ketë ulje të ngarkesës fiskale.
“Reforma” fiskale e ndëshkimeve shumëfish: një nonsens
“Reforma” e ndëshkimeve, e nënkuptuar nga informacionet e deritanishme të bëra publike nga paketa fiskale 2023, kërkon të ligjërohet me argumentin se ashpërsimi i gjobave synon parandalimin e evazionit fiskal. Gjoja, synon nxitjen e “frikësimit” të tatimpaguesit për një rritje të nivelit të pajtueshmërisë tatimore. Kjo taktikë mund të jepte efekt, nëse do të kryheshin disa veprime të domozdoshme paraprake, të tilla si (i) analiza e administrimit të tatimeve, ku duhet konkluduar çfarë nuk funksionon me modelin aktual të pajtueshmërisë vullnetare dhe (ii) gjetja e mospërputhjeve dhe gabimeve me strategjinë e administrimit tatimor në tërësi. Pasi kryhet analiza, ajo orienton edhe logjikën e qasjes dhe fokusit strategjik në politikën fiskale. Gjobat duhen reformuar si funksion plotësues i një politike për nxitje të pajtueshmërisë vullnetare dhe jo si shkop që valëvitet, nëpërmjet forcës së shtuar.
Një qasje e bazuar në ndëshkime të rënda ndaj gabimeve të sipërmarrjes me pajtueshmërinë tatimore nuk do të funksionojë kurrë, për shkak të kostove relativisht të larta administrative të qasjes, si dhe paaftësisë së administratës sonë tatimore për të zbatuar ndëshkimet me drejtësi dhe në mënyrë uniforme, pa përzgjedhje dhe diferencim politik.
Një sistem gjobash tatimore që promovon trëmbjen e tatimpaguesve, duke mos u matur me logjikën e duhur të pajtueshmërisë tatimore, sikure në fakt po zbatohet prej shumë vitesh nga sekti në fuqi(tani rrezikon të jetë “trëmbje” e shumëfishuar), është i pakuptimtë.
Pse Rama u tregon dhëmbët bizneseve?
Por çfarë nënkuptojnë këto gjoba të rritura? Rritja disa herë e gjobave tatimore për lloje të ndryshme kundravajtjesh tatimore përbën shqetësim kryesor publik. Jemi në një kohë që paketa fiskale duhej të shërbente si një bazë diskutimesh dhe propozimesh, jo vetëm për gjobat dhe sanksionet, por për të ulur taksa si TVSH dhe akciza nga produkte tejet sensitive për nivelin e jetesës të mbi 627 mijë qytetarëve të llogaritur nga INSTAT, me të ardhura nën kufirin e varfërisë ose me të ardhura të pakta.
Paketa fiskale duhej të pasqyronte të gjithë kërkesave dhe nevojat e biznesit dhe individëve tatimpagues, lidhur me thjeshtimin e sistemit tatimor dhe eliminimin e ndërhyrjeve të shpeshta në ligjet tatimore, të cilat çorientojnë biznesin dhe rrisin stokun e kundravajtjeve dhe dhjetëra mijëra gjobave nga mosnjohja e ndryshimeve të reja fiskale prej operatorëve ekonomikë.
Sekti Rama trumbeton se gjobat e rritura me herë do të rrisin disiplinën fiskale dhe shmangin evazionin, mirëpo në kushtet e një sistemi tatimor të dobët dhe një patronazhi politik të fortë në të gjitha hallkat e strukturës fiskale, morali i një politike tatimore mbetet i shkëputur si instrument dhe kthehet në të kundërtën e tij.
Zgjedhjet vendore po afrohen dhe Rama kërkon të trembë bizneset e mëdha me gjobat e dhjetëfishuara, që këto t’i nënshtrohen kërkesave për të financuar fushatën e tij zgjedhore, ose ndryshe do të përballen me rrënim të aktivitetit, nga gjobat më të rënda të para ndonjëherë në periudhën e tranzicionit shqiptar.
Me paketën fiskale 2023, Rama u kërkon bizneseve të mëdha “të kolliten” dhe të “kolliten mirë”, për të përkrahur financiarisht kandidatët e sektit për kryetarë bashkish.
Veprimet e administratës me “sëpatën” e gjobave në dorë, gjoja në emër të forcimit të disiplinës fiskale dhe luftës ndaj evazionit fiskal, në të vërtetë minojnë gjoja “objektivat” që qeveria e sektit Rama i ka vendosur vetës për një sistem të thjeshtë, të ndershëm dhe efiçient fiskal. Gjobat tejet të larta jo vetëm që nuk mbështesin respektimin e parimeve të taksimit, por përcaktojnë sjelljen e tatimorëve drejt një orientimi të gabuar.
Sikurse e ka thënë me plot të drejtë studjuesi i njohur i teorive të taksimit Gary Becker, “Gjobat e larta në një administratë të dobët fiskale mund të japin efekt të kundërt. Nga njëra anë, ato rrezikojnë të rrisin dëshirën dhe oreksin për t’iu shmangur detyrimit fiskal nga subjektet tatimpaguese, nga ana tjetër rrezikojnë të pasurojnë me zor punonjësit e administratës tatimore në kontakt të drejtpërdrejtë me biznesin, për shkak të përpjekjeve të këtij të fundit, për t’iu shmangur me çdo mënyrë marrjes së gjobës së lartë, për shkak të kundravajtjes që ka kryer”.
Pikërisht këto dy gjëra do të ndodhin me rrebeshin e gjobave të larta të sektit Rama në paketën fiskale për vitin tjetër. Së pari, bizneset do të detyrohen të paguajnë më shumë financime të fshehta dhe të hapura për kandidatët për kryetarë bashkie të sektit. Së dyti, zarfat nën dorë të dhëna tatimorëve do të rriten shumëfish, ndoshta shumë më tepër se sa rritja e vetë gjobave.

Botuar në Gazeta Panorama dhe Gazeta Sot me 22 Tetor 2022

Mangësitë e zbatimit të IPA II të mos përsëriten në IPA III

Mangësitë e zbatimit të IPA II të mos përsëriten në IPA III

Projektet e Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) janë konceptuar nga Bashkimi Evropian si një instrument orientues, lehtësues e mbështetës drejt anëtarësimit në BE. Për më shumë se një dekadë, me qindra projekte nga fondet IPA, programet IPA I dhe IPA II, kanë kontribuar në asistencën ndaj tranzicionit dhe ngritjen institucionale, në zhvillimin rajonal, zhvillimin e burimeve njerëzore, reformën në drejtësi dhe shtimin e bashkëpunimit ndërkufitar.
Duke mbështetur plotësisht ligjin “Për ratifikimin e marrëveshjes financiare kuadër të partneritetit ndërmjet Republikës së Shqipërisë, përfaqësuar nga Këshilli i Ministrave i Republikës së Shqipërisë, dhe Komisionit Evropian, për rregullat specifike të zbatimit të asistencës financiare të BE-së, për Republikën e Shqipërisë, në kuadër të instrumentit për asistencën e paraanëtarësimit (IPA II)” dhe vleresuar asistencën e re IPA III (2021- 2027), e cila do të jepet në përputhje me kuadrin e politikës së zgjerimit të përcaktuar nga Parlamenti Evropian dhe Këshilli Evropian, në partneritet me përfituesin, dua të theksoj, në vëmendje të agjencive tona zbatuese të projekteve IPA, disa probleme dhe mangësi te mprehta të vërejtura në zbatimin e programeve IPA, mbi bazën e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit(3 E-ve), nga ana e palës sonë.
Këto mangësi kanë sjellë situatën, ku renditemi shumë ulët në shkallën e gjenerimit të ideve për projektet IPA nga vendi përfitues(sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2022(https://ëëë.rcc.int/pubs/142/balkan-barometer-2022–infographics), si dhe në shkallën e përthithjes së projekteve IPA mes vendeve në Ballkanin Perendimor, sidomos në krahasim me vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi.
Ndonëse në Shqipëri projektet IPA po zbatohen prej më shumë se 11 vitesh, në shuma të konsiderueshme financiare, në nivele qindra milionë euro, efektiviteti i shumë prej këtyre projekteve lë për të dëshëruar dhe progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE vijon të jetë i dobët.
Dobësitë dhe mangësitë kryesore konsistojnë në:
I.Një bashkëpunim institucional i pakët dhe mungesë e theksuar e kapaciteteve të duhura absorbuese
Në terësi, sfida e decentralizimit të menaxhimit të fondeve IPA dhe rritjes së përgjegjësive dhe detyrave të strukturave shtetërore të vendit përfitues, nuk ka sjellë angazhimin e shpresuar nga institucionet tona shtetërore dhe entet menaxhuese.
Këto të fundit, nuk kanë arritur të koordinojnë dhe harmonizojnë si duhet veprimtarinë e tyre, për të realizuar disbursimet sipas parashikimeve të përcaktuara në Marrëveshjet Financiare të projekteve përkatës. Nuk kemi arritur të sigurojmë angazhimin efektiv të strukturave të dedikuara dhe kapacitetet e duhura realizuese dhe absorbuese të projekteve IPA.
Bashkëpunimi institucional për realizimin e projekteve IPA, si në nivel ministrish të linjës dhe institucioneve të tjera qendrore, ashtu dhe në nivel vendor, është parë në shumë raste si një detyrë dytësore dhe shtesë e kompetencave primare të institucioneve, ndërkohë që integrimi evropian, duke përfshirë gjenerimin dhe zbatimin e fondeve IPA, duhet të konsiderohet si një qasje unike zhvillimi.
II.Shtyrje të gjata të afateve të disbursimeve dhe mbikqyrje e dobët e kontratave të punimeve dhe e shërbimeve të konsulencës
Ka ndodhur shumë shpesh dhe është kthyer në një sëmundje kronike, shtyrja e afateve të disbursimeve, duke sjellë shtesa në kontratat e konsulencës dhe mbikëqyrjes, si dhe duke shkaktuar efekte negative financiare në rritjen e kostos së projekteve.
Njësitë e zbatimit të projekteve, në shumë raste, nuk kanë bërë një planifikim në vite dhe nuk kanë patur një plan veprimi konkret, për përfundimin në kohë të disbursimeve.
Njësitë e zbatimit të projekteve, ne shume raste nuk kanë realizuar dhe nuk kanë ndërmarrë asnjë veprim për monitorimin e vazhdueshëm dhe mbikëqyrjen e kontratave të punimeve dhe shërbimeve te konsulencës, duke sjellë, për pasojë, dëm ekonomik për punime të pakryera, por të paguara, cilësi të dobët, shtim të vëllimit të punimeve dhe vonesa të tejzgjatura dhe të paargumentuara, në realizimin e komponentëve të veçantë, si dhe të projekteve në tërësi.
Keto mangesi ne zbatimin e projekteve te programit IPA III duhen adresuar urgjentisht dhe mitiguar e minimizuar.
III.Asnjë nxjerrje përgjegjësie ndaj njësive zbatuese të projekteve, për mungesë penalitetesh ndaj kontraktorëve që nuk kanë plotësuar detyrimet kontraktuale
Njësitë e menaxhimit të projekteve IPA, në shumë nga projektet, kanë shfaqur parregullsi në zbatimin e afateve të përfundimit të kontratave, kryesisht për punimet e ndërtimit, si dhe nuk kanë zbatuar penalitetet për kontraktorët të cilët nuk kanë mundur të plotësojmë detyrimin e realizimit të kontratës brenda afateve të përcaktuara.
Keto njesi nuk kanë bërë asnjehere një analizë e hollësishme, sa here janë shfaqur nevojat për shtyrje të afatit të realizimit të projekteve, analize ku të përcaktohen arsyet e vonesës, masat e marra për realizimin e projekteve, përcaktimi i afatit të ri, si dhe nuk kanë nxjerrë përgjegjësitë për vonesat e shkaktuara.
Në shumë nga projektet IPA, njësitë e zbatimit të projekteve nuk e administrojnë dokumentacionin e projekteve në përputhje me legjislacionin shqiptar, pasi përgjithësisht dokumentacioni mbahet në gjuhë të huaj dhe nuk ruhet sipas kërkesave ligjore për arkivim.
xx
Për projektet IPA, ka munguar transparenca dhe auditimi i tyre. Mjafton të kujtoj këtu, se, në rast se shikoni ëeb-in e Agjencisë së Auditimit të Fondeve të Asistencës së Huaj, të krijuar në vitin 2016, raportimi ka ngelur në Raportet Vjetore të viteve 2018-2019. Duke mos realizuar koordinimin e duhur dhe angazhimin e plotë në realizimin e projekteve IPA, pala shqiptare në përgjithësi dhe ministritë e linjës në veçanti, kanë dëshmuar:

  1. Pasivitet të theksuar në aplikimin për projekte të tilla, duke treguar se qasja jonë europiane vijon të mbështetet më shumë në slogane, sesa në punë;
  2. Menaxhim të dobët në nivel strategjik, taktik e operacional të projekteve të ndërmarra, ku mungojnë struktura që duhet të ishin ngritur me kohë, njësi të dedikuara IPA në përputhje me prioritetin politik e social, monitorim eficient në dimensionin financiar dhe atë performant, duke treguar rrjedhimisht për një proces më së shumti fiktiv të rritjes së kapaciteteve administrative dhe integrimi europian;
  3. Proces të mangët feedback-u në nxjerrjen e mësimeve nga gabimet e kaluara, korrigjimin e tyre në kohë dhe parandalimin e rindodhjes së tyre në ardhmen, duke treguar mungesë përgjegjësie dhe shkaktuar dëme financiare.
  4. Mungesë të burimeve njerëzore të mirë-trajnuar në ministritë e linjës (për shkak se procedurat e rekrutimit të stafit të ri janë të gjata, si dhe largimi i stafit nga puna);
  5. Mungesë të komunikimit dhe koordinimit brenda administratës qendrore, veçanërisht në rastet kur një projekt përfshin më shumë se një përfitues;
  6. Informacion të limituar nga ana e nivelit të lartë drejtues të institucioneve përfituese, lidhur me programimin dhe zbatimin e fondeve IPA;
  7. Ndryshimet në qeveri prekin njerëzit që janë trajnuar tashmë, mbi mbështetjen dhe mekanizmat e mbështetjes së BE-së;
  8. Mungesë të politikave për të motivuar stafin. Për shkak të vështirësive gjatë programimit të projekteve IPA si dhe kërkesave të tregut të brendshëm për shkrim projektesh, stafi i IPA-s në ministritë e linjës ka braktisur administratën publike;
  9. Përfshirje e ulët e grupeve të tjera të interesit, si organizatat e shoqërisë civile dhe stafit të qeverisjes vendore;
  10. Mungesë të përshkrimit të qartë të punës të dedikuar vetëm për programimin e IPA-s. Në shumë raste, ekspertët në ministritë e linjës nuk kanë kohë për t’i dedikuar shkrimit të projektit IPA, për shkak të detyrave të tjera që duhet të përmbushin, etj.
    Mangësitë e mësipërme i përmend, me qëllim që Agjencia e re e krijuar t’i reflektojë në punën e saj, në zbatimin e Projekteve IPA III.
    Ne në Komisionin e Ekonomisë kërkuam informacion për implementimin e projekteve të IPA II. Agjencia e e re SASPAK u tregua korrekte dhe na përcolli informacionin. Sipas këtij informacioni, deri në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2022, për projektet IPA II 2014-2020, nga 540 milionë euro janë realizuar 45%, në një kohë kur, sipas afateve normale të IPA +2 vjet, këto projekte duhej të ishin realizuar 100%. Këto shifra vërtetojnë të gjitha mangësitë që kam përmendur në fillim.
    Adresimi i duhur dhe sa më parë i këtyre problematikave, do të sillte një rritje të efektivitetit të projekteve ekzistues dhe shtim të stokut të projekt-ideve për ndërhyrje të fondeve IPA në të ardhmen, në dobi të rritjes së imazhit të vendit tonë, si një vend i përgjegjshëm dhe i përkushtuar në rrugën e tij të integrimit, si dhe gjenerues i aftë projekt-idesh të realizueshme, në kuadrin e financimeve nga paratë e taksapaguesve të Bashkimit Evropian, për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.Botuar në Gazeta Sot më dt. 17.09.2022
Hemorragjia në sistemin tonë arsimor

Hemorragjia në sistemin tonë arsimor

Në 12 shtator mijëra nxënës do të ulen në bangat e shkollës. Normalisht atyre u takon urim, por këtë vit në bangat e shkollave shqiptare të arsimit fillor, të mesëm të ulët e të mesëm të lartë do të ulen shumë më pak nxënës nga viti i kaluar. Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri. Këto ndoshta do të ishin katër pika, në të cilat qeveria, por edhe gjithë politika shqiptare duhet të ulet me seriozitetin më të madh e të gjejë një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme e të zbatueshme. Pasi, sipas të dhënave të publikuara edhe në mediet kombëtare (TV KLAN, prej nga janë marrë edhe fotografitë ilustruese) këtë vit në shkollat shqiptare do të ketë 58.000 nxënës më pak krahasuar me 5 vite më parë! Dhe nuk është vetëm rënia natyrore e popullsisë, është edhe shpopullimi për arsye emigrimi, por edhe largimi i të rinjve, që po thellon një plagë 30 vjeçare për shoqërinë tonë! Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, një kontingjent për arsimin e mesëm të ulët e të mesëm të lartë, zgjedhin emigrimin në të shumtën e rasteve me familjet e tyre. Varfëria, mungesa e shpresës, papunësia, pamundësia për të përballuar “arsimin falas” në Shqipëri, burokracia, arsimi jo cilësor janë disa nga arsyet që mund të listoj… “Politikat arsimore” të qeverisë së sektit Rama në pushtet kanë 9 vite që vetëm nxisin emigrimin, analfabetizmin dhe analfabetizmin funksional, ndëshkojnë të arsimuarit, vrasin shpresën. Në 9 vite të Edi Ramës në pushtet, mbi 300.000 të rinj dhe mbi 500.000 shqiptarë janë larguar nga Shqipëria. Në 9 vitet në pushtet të sektit Rama, afërsisht 150.000 nxënës braktisën shkollën. Vetëm këtë vit nga 31.000 maturantë, 11.000 kanë aplikuar për të studiuar jashtë shtetit, normalisht nxënësit ekselentë, të cilët shumë shpejt do të pasohen nga familjet e tyre për të mos u rikthyer më në Shqipëri. Dhe kjo shifër rritet vit pas viti, duke treguar se sa besim ka rinia jonë tek arsimi, punësimi, mundësitë që ky sekt në pushtet u krijon atyre… Pavarësisht gjendjes, nxënësve në mbarë Shqipërinë u uroj suksese në rrugën e dijes këtë vit të ri shkollor!

Botuar në Gazeta Sot më dt. 12.09.2022

Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE na takojnë të gjithëve!

Negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE na takojnë të gjithëve!

Më 12 qershor 2006, 16 vite më parë, Shqipëria firmoste Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit(MSA). Në periudhën 2006-Në sajë edhe të punës dhe kontributit të Partisë Demokratike gjatë viteve 2006-2012, procesi i integrimit kishte ecur mirë dhe negociatat për anëtarësim mund dhe duhej të ishin hapur që në vitin 2013, 9 vite më parë, kur edhe Bashkimi Evropian ishte gati për ta ndërmarrë atë hap. Në shkurt 2013, Komisioneri i atëhershëm Evropian për Zgjerimin, Stefan Füle, i bëri thirrje opozitës të miratojë tri ligjet e integrimit, si kushtin themelor që Shqipëria të marrë statusin e vendit kandidat për në Bashkimin Evropian. Në vitin 2013, drejtuesi i opozitës së atëhershme, Edi Rama, kryetari i sektit që po ravijëzohej dhe uzurpoi PS dhe pastaj drejtimin e te gjithe vendit, bëri gjithçka për të penguar integrimin dhe për të mos votuar 3 ligjet e paketës së 12 prioriteteve të BE-së, me pretekstin e kryetarit të Qarkut të Fierit! (Vërtet, e mban mend njeri emrin dhe veprat e këtij kryetari qarku?!…).
Puna fillon tani
Më 19 korrik 2022 u çelën zyrtarisht negociatat, pasi 27 vendet anëtare të BE-së votuan unanimisht pro për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ishte një ditë e mirë për të gjithë ne, për Shqipërinë, për realizimin e ëndrrës evropiane të shqiptarëve. Kjo ditë e mirë u prish nga megalomania e Ramës, që nuk ftoi asnjë përfaqësues nga opozita në Konferencën Ndërqeveritare dhe, në adresimin e tij në Bruksel, gjeti momentin të kritikojë Këshillin e Evropës dhe Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian është institucioni garant i progresit të një vendi që i hapet drita jeshile e bisedimeve për anëtarësim. Ekspertët e tij kanë një eksperiencë të madhe negociatash, të akumuluar në vite përmes qindra e mijëra raundeve të bisedimeve për anëtarësim të dhjetra vendeve që tani janë Shtete Anëtare të BE-së. Komisioni garanton monitorim të rreptë dhe nga shumë afër, të ecurisë së progresit. Gjithëpërfshirja duhet të jetë deviza jonë në procesin e integrimit. Aty ku Acquis(legjislacioni komunitar) do të ketë implementim më të gjerë, opozita, institucionet e pavarura dhe shoqëria civile duhen ftuar në tavolinë. Qeveria nuk mund dhe nuk duhet të shndërrohet në pronare e procesit. Nuk funksionon kështu në BE. Acquis, korpusi legjislativ i Bashkimit Evropian përmban 135 mijë faqe. Rreth 70 % e Acquis do të implementohet në nivel vendor. Kërkohet përfshirje më e lartë e institucioneve të pavarura dhe e pushtetit vendor. Ky proces integrues do të jetë tejet i gjatë, sfidues dhe i komplikuar.
Kritizeri i sëmurë i BE-së në Ballkan
Rama nuk e do monitorimin e rrepte dhe t’i tregojnë çfarë duhet bërë për ta merituar anëtarësimin. Ai kërkon ta lënë të lirë të veprojë si të dojë. Prandaj është bërë kritizeri i sëmurë i BE-së në Ballkan. E ka rrëmbyer flamurin e kritizerit, me një synim të qartë, ta lënë të qetë ta qeverisë Shqipërinë si një sulltanat. Por kjo nuk do të ndodhë kurrë. Opozita nuk duhet të provokohet dhe kompleksohet nga qëndrimet e Ramës, por të shikojë të zbatojë detyrat e saj në procesin e integrimit.
Natyra e negociatave
Procesi do të jetë shumë i vështirë dhe rruga përpara nesh do të jetë e tatëpjetë. Për të qenë anëtar i Bashkimit Evropian, duhet që vendet kandidatë të përafrojnë legjislacionet e tyre përkatëse me atë të BE-së, i njohur ndryshe si “acquis comunitaire”. Ky acquis përbëhet nga 35 kapituj apo fusha të ndryshme të cilat përfshijnë politikat monetare, transportin, energjinë, politikat sociale, mjedisin, etj. Ajo që mbetet e rëndësishme për tu theksuar është se secili prej këtyre kapitujve negociohet me vete duke marrë në konsideratë ecurinë dhe progresin e arritur në reformat e ndërmarra. Acquis comunitaire nënkupton bazën ligjore të Bashkimit Evropian, e cila është në ndryshim të vazhdueshëm. Ajo përfshin parimet dhe objektivat politike të traktateve; legjislacionin e përshtatur në zbatim të tyre si dhe jurisprudencën e Gjykatës së drejtësisë; deklaratat dhe rezolutat e miratuara në kuadrin e Bashkimit Evropian; aktet e ndryshme të miratuara në fushën e drejtësisë, të çështjeve të brendshme, të politikës së jashtme dhe të sigurisë; marrëveshjet ndërkombëtare të Komunitetit si dhe marrëveshjet e lidhura midis vetë vendeve anëtare në fushat e veprimtarisë së BE-së. Pranimi i «acquis» nga vendet anëtare është parakusht për aderimin e tyre në BE. Kjo gjë nënkupton përshtatjen e legjislacioneve kombëtare me normat e BE-së dhe zbatimin e tyre që në momentin e aderimit. Secili kapitull diskutohet më vete dhe në bazë të situatës ose ecurisë, mund të përcaktohen kritere/standarde të matshme për hapjen dhe mbylljen e secilit kapitull. Këshilli i Evropës dhe vendi qe i jane çelur negociatat analizojnë ligjet kombëtare dhe ato të BE-së, për të përcaktuar dallimet mes të dyjave. Këshilli më pas përcakton hapjen e bisedimeve për ‚kapitujt? e ligjeve, për të cilat mendon se ka një bazë të përbashkët e të mjaftueshme për bisedime. Kështu, bisedimet janë mundësia që vendet qe u jane çelur bisedimet për anëtarësim kanë për të bindur BE-në se administrata e vendit të tyre është e afte dhe e gatshme të zbatojë ligjin Evropian. Kapitulli quhet i mbyllur kur të dy palët kanë rënë dakord se ai është zbatuar mjaftueshëm. Bisedimet për anëtarësim mbahen në Konferenca Ndërqeveritare Dypalëshe midis shteteve anëtare të BE-së, që përfaqësohen nga ministri apo ambasadori në BE i shtetit anëtar që ka Presidencën e BE-së dhe vendit që i janë çelur negociatat, i cili përfaqësohet nga ministri përgjegjës për çështjet e BE-së ose kryenegociatori. Takimet mbahen së paku dy herë çdo gjashtë muaj. Për secilin prej kapitujve, përcaktohen qëndrime të përbashkëta diskutimi. Kur bisedimet dhe reformat shoqëruese kanë përfunduar në mënyrë të kënaqshme për të dy palët, Shqipëria mund t’i bashkohet BE-së. Pas mbylljes së bisedimeve për të gjithë kapitujt, rezultatet e bisedimeve vendosen në një traktat anëtarësimi. Sipas rastit, sistemi i masave kalimtare u jep mundësi diskutimeve të mbyllen, edhe nëse nuk është realizuar tërësisht harmonizimi i Acquis.
Elementet e negociatave
Bisedimet për çdo kapitull bazohen në elementet e mëposhtme: Shqyrtimi (në anglisht, “Screening”. Komisioni Evropian, së bashku me vendin që i janë çelur negociatat, kryen një kontroll të hollësishëm të politikave të çdo kapitulli, për të përcaktuar përgatitjen e vendit. Shqyrtimi për çdo kapitull mbahet në dy faza. Faza shpjeguese është faza ku vendi që i janë çelur negociatat mëson rreth kërkesave që duhet të plotësojë. Komisioni Evropian e paraqet “Acquis”, bazuar në një listë aktesh ligjore. Takimet shpjeguese mund të zgjasin nga 1 deri në 9 ditë pune për kapitujt më voluminozë, të tilla si bujqësia apo mjedisi. Shqyrtimi dypalësh është faza ku vendi që i janë çelur negociatat testohet për nivelin e të kuptuarit dhe gatishmërinë e administratës së tij për të plotësuar detyrimet. Vendi shpreh qëndrimin e vet, nëse e pranon ose jo acquis dhe nëse do të mund ta zbatojë atë menjëherë apo në një të ardhme. Ekspertë nga ministritë e linjës, si dhe anëtarët e grupeve të punës paraqesin nivelin e harmonizimit të legjislacionit vendas me Acquis. Gjatë prezantimeve mund të identifikohen probleme të mundshme për zbatimin e Acquis ose Komisioni Evropian mund të kërkojë informacion shtesë në formë të shkruar. Takimet mbahen në Bruksel. Në rastin e Kroacisë, shqyrtimi për të gjithë kapitujt zgjati 1 vit. Gjetjet për çdo kapitull, Komisioni Evropian ia paraqet shteteve anëtare për miratim në formën e një raporti shqyrtimi. Ato përmbajnë rekomandime nëse bisedimet mund të hapen direkt, (procedura e shkurtër) apo do të duhet të plotësohen më parë disa kushte (procedura e dytë). Standardet për hapjen dhe mbylljen e kapitullit, zakonisht i referohen kuadrit ligjor apo strategjik të nevojshëm për përafrimin e mëtejshëm të legjislacionit, ndërsa standardet për mbylljen e një kapitulli i referohen nivelit të zbatimit të legjislacionit të përafruar.
Negociatat na takojnë të gjithëve
Pas konfirmimit nga ana e Komisionit Evropian dhe shteteve anëtare që standardet e hapjes janë plotësuar, Presidenca e BE-së i dërgon letër shtetit që i janë çelur negociatat, që të paraqesë pozicionin e vet negociues për kapitullin përkatës. I njëjti parim zbatohet edhe kur janë vendosur standarde për hapjen dhe mbylljen e kapitullit, si dhe kur nuk ka standarde shtesë. Përpara fillimit të bisedimeve, vendi që i janë çelur negociatat duhet të paraqesë pozicionin e tij negociues dhe BE duhet të miratojë një qëndrim të përbashkët mbi të. Për përgatitjen e një drafti final të një pozicioni negociues, kërkohet angazhimi i të gjithë ekspertizës dhe burimeve të mundshme; marrja në konsideratë e të gjitha komenteve dhe sugjerimeve për të dhënë një pasqyrë të plotë të të gjitha çështjeve kryesore me interes kombëtar, dhe se si harmonizimi në këtë kapitull do të reflektojë në politikën kombëtare. Kërkohen konsultime jozyrtare me Komisionin Evropian, sidomos nëse standardet për hapjen janë përmbushur. Pozicionet negociuese janë një proces delikat, si në aspektin procedurial, ashtu dhe atë substancial/thelbësor. Ato përgatiten bashkërisht nga anëtarët e grupeve të punës, duke synuar përfshirjen e gjerë të ekspertizës nga administrata publike apo shoqëria civile, përpara se të miratohen përfundimisht nga Qeveria. Pas miratimit të versionit final nga Qeveria, pozicioni negociues i dërgohet Presidencës së Këshillit të BE-së, nëpërmjet Misionit në Bruksel të vendit që i janë çelur negociatat. Ritmi i bisedimeve varet nga shpejtësia e reformave dhe harmonizimit me ligjet e BE-së, prandaj dhe kohëzgjatja e bisedimeve ndryshon dhe nuk ka garanci se kur do të mbyllen. Ja përse bisedimet e anëtarësimit na takojnë të gjithëve dhe në to duhet të përfshihen aktivisht opozita dhe ekspertët e saj, si dhe shoqëria civile dhe ekspertët e saj. Është hapur vërtet një kapitull i ri dhe jemi të gjithë përpara sprovave të mëdha. Opozita dhe Partia Demokratike duhet dhe do ta bëjnë punën dhe pjesën që u takon atyre, për të shkuar dinjitozë e me kokën lart në BE, jo me propagandë boshe, jo me fasada, si ato që propagandon, ngre e ndërton çdo ditë sekti në pushtet. Integrimi na takon të gjithëve si qytetarë. Ai nuk mund dhe nuk do të ngelet peng i kapriçove të Liderit Global.

Botuar ne Gazeta Sot me dt. 23.07.2022

Keqmenaxhimi i rëndë i KESH (prill 2021-prill 2022)

Keqmenaxhimi i rëndë i KESH (prill 2021-prill 2022)

Botuar në Gazeta Sot më dt 30.04.2022.
Qytetarët qartazi konstatuan se tre-katër javë më parë u cenua siguria kombëtare në furnizimin me energji elektrike, kur dolën mbi ujë gërmadhat e Kukësit të Vjetër në Liqenin e Fierzës. Ky bazën në atë kohë ishte vetëm 8 metra mbi pikën e vdekjes, pikë ku turbinat e Fierzës nuk arrijnë të punojnë.
I.Në dorë të Zotit…
Për shkak të keqmenaxhimit të hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, kësaj pasurie kyçe kombëtare, kjo kaskadë në ditët e para të prillit 2022 duhej të ishte plot, por kishte nivelin e ujërave që zakonisht ka në mes të gushtit! Na ndihmoi Zoti që na solli dy javë me shira të njëpasnjëshme, por jo gjithnjë do të na ndihmojë Zoti.
Për këtë situatë, duhen analizuar dhe identifikuar fajtorët dhe fajtori kryesor është menaxhimi skandaloz i kompanisë shtetërore sha Korporata Energjitike Shqiptare(KESH). Ne mund të përballonim shumë më lehtë krizën botërore energjetike sot, nëse nuk do të ishte për keqmenaxhimin e kompanive publike të sektorit energjitik, në radhë të parë të KESH.
Rrënimi financiar i sektorit energjetik nuk është pasojë e krizës aktuale të rritjes së çmimeve në tregjet ndërkombëtare, por frut i një keqmenaxhimi afatgjatë të kompanive publike. Të dhënat zyrtare tregojnë se në pesë vitet e fundit 2017-2021, borxhi i tre kompanive publike të energjisë (KESH, OSHEE dhe OST) u rrit me 67.4 përqind.
Në vitin 2017, borxhi total që KESH, OSHE dhe OST kishin ndaj njëra tjetrës ose palëve të treta ishte 617 milionë euro. Në fund të vitit 2019, shifra kërceu në 910 milionë euro dhe në fund të vitit 2021, edhe pse ende shifrat zyrtare mungojnë, përllogaritet të ketë kaluar shifrën një miliardë euro.
II.Shkelje flagrante e ligjit.
Keqmenaxhimi i rëndë i KESH ka nisur në maj 2021, për të arritur në nivelet skandaloze ku është sot. Në muajin maj, KESH ka shitur energji mesatarisht me 40 euro për megavat, në shkelje flagrante të ligjit Nr. 43/2015 “Për sektorin e energjisë elektrike” (https://infrastruktura.gov.al/ëp-content/uploads/2017/10/ligj_nr_43_dt_30_4_2015_22652_1.pdf), Neni 8, pika 3, “ Operatori i Sistemit të Transmetimit përgatit një parashikim të përgjithshëm afatshkurtër, afatmesëm dhe afatgjatë të kërkesës për energji elektrike dhe burimeve të mundshme të furnizimit, duke marrë parasysh kriteret dhe kërkesat e sigurisë së furnizimit”. KESH ka shkelur çdo parashikim të OST!
Në tetor 2021, Kaskada pësoi një rënie drastike të nivelit të ujërave. Çfarë ndodhi? Për shkak të shitjes pa kriter të energjisë nga KESH gjatë muajve maj-qershor 2021, u krijua një stok shumë i pakët fondesh për të përballuar rritjen e çmimit ndërkombëtar të energjisë në shtator-tetor 2021. Fierza u detyrua të punonte edhe në një kohë kur duhej të kishte pushuar, për të ruajtur nivelin e ujërave në kaskadë. Kuotat e liqenit të Fierzës duheshin ruajtur me çdo kusht(e kërkon me forcë edhe vetë ligji Nr. 43/2015), por KESH mendoi ndryshe.
Dhe arritëm në cenimin e sigurisë së furnizimit me energji dhe rrezikun e ndërprerjeve të energjisë elektrike, pikërisht për shkak të KESH.
III.Mosrespektimi i 3 E-ve nga KESH
Kur pardje u diskutua në Komisionin e Ekonomisë në Kuvend për menaxhimin e situatës energjitike, një nga përfaqësuesit e grupit qeveritar që kishte ardhur të prezantonte aktin e shëndoshjes së financave të KESH, duke ia kaluar detyrimet e saj dy kompanive të tjera sha shtetërore, në replikat normale të punës, arriti deri aty sa deklaroi që Korporata Energjitike Shqiptare është mirëmanaxhuar gjatë gjithë kohës, madje ka një drejtim shembullor(?!).
Kjo nuk i qëndron së vërtetës. KESH nuk ka respektuar në asnjë ditë të menaxhimit të kompanisë të 3 E-të, drejtimin me efektivitet, efiçiencë dhe ekonomicitet të parasë publike.
Sipas raportit të Entit Rregullator të Energjisë(ERE), çmimet mesatare, me të cilat është blerë energjia elektrike nga importi gjatë vitit 2021, janë shumë më të larta se çmimet mesatare në bursën hungareze, e cila shërben si referencë për blerjet në Shqipëri. Sha-të tona, nga keqmenaxhimi, nuk i kanë kërkuar qeverisë të bëheshin kompani të listuara në bursën hungareze. Mjaftonte një garanci prej 50 milionë euro. Por nuk e realizuan këtë kërkesë themelore të tregut. U interesonte të mos ishin pjesë e tregut formal dhe e afishimit me transparencë të plotë të transaksioneve(sikurse ndodh në bursë), por pjesë e kontratave të turbullta dhe jo transparente me kompanitë private të zgjedhura prej tyre, për të marrë pjesë në tenderat që organizonin.
IV.2021: 65.8 milionë euro humbje!
Rezultati janë humbje me dhjetëra miliona euro në Buxhetin e Shtetit, gjatë blerjeve skandaloze nga KESH. Për shembull, çmimi mesatar i blerjes së energjisë në muajin tetor 2021 ishte 278.9 euro për megavat, ndërsa ai në bursën hungareze ishte 197.2 euro për megavat, ose 41 përqind më i lirë!
Për nëntorin 2021, çmimi mesatar i blerjes së energjisë nga KESH ishte 295 euro për megavat, ndërsa ai në bursën hungareze ishte 215.9 euro për megavat, ose 37 përqind më i lirë!
Në mes janë me dhjetëra miliona euro humbje në buxhetin e shtetit nga kjo diferencë, pasi totali i importeve të energjisë për vitin 2021 ishte 285.5 milionë euro dhe energjia u ble gjatë gjithë vitit mesatarisht me 23 përqind më shtrenjtë se sa po të ishte blerë në bursë, ose 65.8 milionë euro humbje!
Humbjet kanë vazhduar edhe gjatë muajve janar-mars 2022. Buxheti i Shtetit për këtë vit ka dalë garant me 26.5 miliardë lekë (221 milionë euro) për blerjen e energjisë nga importi. Ekziston rreziku i lartë që këto fonde të shpërdorohen sërish nga KESH.
Mirëpres dhe përshëndes sprovën për të vendosur në punë TEC-in e Vlorës nëpërmjet gazit të lëngshëm që do të sigurohet nga kompani amerikane, pasi nisja e punës së TEC-it do të jetë një garanci e madhe për të mos kaluar më momentet e vështira të fundit të marsit dhe fillimit të prillit 2022, që kaluam për shkak të keqmenaxhimit të KESH.
V.“Ngrirja” e paneleve diellore!
Kompanitë shtetërore sha të energjisë janë përgjegjëse për ngrirjen e zbatimit të Ligjit Nr. 116/2016 “Për perfomancën e energjisë së ndërtesave”. Do të kishte mjaftuar një VKM e thjeshtë për zbatimin e këtij ligji, që të mos bllokohej aksesi në rrjet i sipërmarrjeve private dhe qytetarëve që dëshironin dhe dëshirojnë të instalojnë panele diellore, për të prodhuar vetë energji gjatë ditës, për t’ia shitur një pjesë të kësaj energjie rrjetit dhe për të blerë energji nga rrjeti gjatë natës. Do të kishin mjaftuar më pak se 100 milionë euro investim, për të ngritur rrjetin e duhur për këtë transmetim energjie.
Por asgjë e tillë nuk ndodhi dhe mundësia e artë që na u dha për të përballuar afro 20 përqind të nevojave për energji nga energjia alternative e paneleve diellore, u shpërdorua keqazi. Sot prodhohet vetëm 1 përqind e sasisë së energjisë nga panelet diellore dhe për këtë faji është i gjithi i sha-ve shtetërore të energjisë, i KESH në radhë të parë.
Pragu i katastrofës me sigurinë e furnizimit me energji elektrike në ditët e para të prillit 2022 dhe shifrat e fryra të blerjeve të energjisë elektrike nga KESH janë akuzatorë më të fortë të keqmenaxhimit të rëndë dhe skandaloz të KESH.
Bujar Leskaj

Ukraina, autokrati Rama dhe rreziku i Ballkanit të Hapur

Ukraina, autokrati Rama dhe rreziku i Ballkanit të Hapur

Nga Bujar Leskaj Edhe pse me shumë ditë vonesë, Rezoluta e Parlamentit të Shqipërisë për dënimin e agresionit të Diktatorit Putin ndaj Ukrainës ishte e nevojshme, por jo e mjaftueshme! Në projekt-Rezolutën e disa deputetëve të opozitës, ne me të drejtë theksojmë qartazi mbështetjen totale ndaj qeverisë dhe popullit martir ukrainas, duke shprehur mirënjohje ndaj tyre për mbrojtjen e Evropës së qytetëruar dhe demokratike me luftën e tyre, por edhe duke dhënë vetë ne, qeveria dhe shteti ynë, kontribute të drejtpërdrejta për qeverinë dhe popullin e Ukrainës. Të gjitha shtetet Perëndimore dhe jo vetëm, e kanë dënuar agresionin rus në Ukrainë, të shkaktuar nga Diktatori Putin. Rezoluta e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara e datës 2 mars 2022, e miratuar nga 141 shtete me 5 shtete kundër dhe 35 shtete që abstenuan, tregoi vullnetin e pjesës më të madhe të globit për të dënuar me forcë invazionin e Diktatorit Putin në Ukrainë dhe për të kërkuar largimin e trupave ruse nga ky shtet i pavarur. Dua të citoj me këtë rast, fjalët e shahistit rus me famë botërore Garry Kasparov në postimin e tij të dytë në rrjetet sociale më 3 mars, në lidhje me invazionin. “Për të gjitha mediat dhe zyrtarët:Mos e quani më Putinin “PRESIDENT”. Ai është një diktator. Fjalët kanë fuqinë e tyre”. Shumë mirë që edhe qeveria shqiptare i është bashkuar dënimit të njëzëshëm dhe të vendosur të botës së qytetëruar dhe shteteve demokratike në mbarë globin, ndaj agresionit rus në Ukrainë, si dhe është bashkuar me valën e parë të sanksioneve ekonomike kundër Rusisë. Marrëdhëniet tona diplomatike me Ukrainën datojnë që në vitin 1992 dhe janë zhvilluar sidomos viteve të fundit, kur Ukraina u shndërrua në një vend demokratik që synon anëtarësimin në BE dhe në NATO. Qëndresa e popullit ukrainas është impresionuese, duke filluar me të 13 ushtarët e Ishullit të Gjarpërinjve dhe duke vijuar me personalitetet ukrainase të kulturës, artit dhe sportit, që po luftojnë në vijën e parë kundër pushtuesit rus, duke rrezikuar jetën e tyre për mbrojtjen e lirisë së atdheut. Ukraina po lufton për të ardhmen e të gjithë Botës! Për mendimin tim, ne duhet të analizojmë me kujdes dhe thellë, si dhe të shprehemi në një Rezolutë tjetër, të cilën duhet ta miratojmë urgjent, për rrezikun e rritur të provokimeve serbo-ruse në Ballkanin JugPerëndimor, në rajonin tonë, në veçanti ndaj Kosovës dhe Shqipërisë. Për këtë, si deputet i Vlorës, do të kërkoj me forcë dhe vendosmëri: 1. Dhënien fund të nismës “Ballkan i hapur” dhe largimin e menjëhershëm të Shqipërisë nga kjo nismë, e cila ka ngelur peng e dy vëllezërve autokratë Vuçiç-Rama. Serbia është i vetmi vend evropian(duke përjashtuar Bjellorusinë) që refuzon të vendosë sanksione ekonomike kundër Rusisë, si masa për të dënuar agresionin e Diktatorit rus në Ukrainë dhe për ta detyruar atë të pushojë luftën dhe të largohet. Në të kundërt, drejtuesit e këtij vendi vijojnë të evokuojnë teoritë dhe qëndrimet e vjetra shoviniste ndaj Kosovës dhe fitimit të lirisë dhe pavarësisë së saj. Nga nisma “Ballkan i hapur” duhet të distancohemi me forcë pikërisht tani, edhe për shkak të sulmeve të sotme pirateske që bëjnë udhëheqësit e Beogradit ndaj pavarësisë së shenjtë të shtetit të Kosovës. 2. Distancimin e Shqipërisë nga qëndrimi serb për luftën në Ukrainë. Edhe pse javën e kaluar, Serbia në Asamblenë e Përgjithëshme të Kombeve të Bashkuara iu bashkua votës së 140 vendeve të tjera për të kërkuar ndalimin e agresionit rus në Ukrainë, ky ishte një qëndrim thjesht simbolik. Serbia është aleati më i vendosur dhe besnik i Rusisë së Diktatorit Putin në Ballkan. Me luftën në Ukrainë, Serbia është larguar edhe më dramatikisht nga konsensusi evropian, i cili po përqafon gjithnjë e më shumë një linjë më të ashpër kundër Kremlinit. Votimi në OKB nuk ka asnjë ndikim mbi zhvillimet ushtarake e politike në Ukrainë dhe Edi Rama e di mirë se kjo votë nuk i prish aspak punët e Moskës me Beogradin. Megjithatë, ai është i vetmi që mendon se “Vota e Serbisë kundër Rusisë unifikon Ballkanin Perëndimor me Perëndimin”(?!). Ky qëndrim është një propogandë në dëm të interesave të Kosovës dhe Shqipërisë. Diplomati me përvojë Shaban Murati, në shkrimin e tij “Mbushja e kupës! Apologjia serbe ndaj Rusisë dhe Tirana që s’gjen dot një gjysëm fjale për akuzat e Vuçiç ndaj NATO-s në Kosovë” cilëson se” Si mundet një qeveri normale të mos jetë në gjendje të bëjë leximin e duhur diplomatik dhe vlerëson Vuçiçin për “integritetin territorial të Ukrainës” dhe nuk kupton se presidenti serb e ka fjalën për integritetin territorial të Serbisë, ku ai fut Kosovën si pjesë të saj?”. 3. Cilësimin e saktë të drejtuesve të sotëm të Serbisë për ata që janë në realitet në Ballkan, aleatë të vendosur të Putin. Udhëheqësit e Serbisë sot, disa prej të cilëve kanë qenë bashkëpunëtorë të Millosheviqit, përfshire edhe vetë Vuçiçin, nuk kanë sesi të dënojnë pushtimin e Ukrainës nga Rusia, sepse diktatori Putin në Ukrainë po kopjon, pothuaj me përpikmëri, veprimet barbare të Millosheviçit në Kosovë, siç u shpreh Kryeministri britanik, Boris Xhonson, javën që kaloi në parlamentin britanik duke folur rreth sulmit rus në Ukrainë. Udhëheqesi britanik krahasoi agresionin e Putinit në Ukrainë me atë të Millosheviçit në Kosovë në vitet 1998-1999. “Unë mendoj se njëra nga gjërat më impresionuese se çfarë Putin po bën është sa i përafërt është krahasimi midis veprimeve të tij dhe atyre të Sllobodan Millosheviçit. Ekzaktësisht i njëjti nonsens i përdorur mbi lidhjen mistike mes Kosovës dhe Beogradit dhe Kievit me Moskën. Ekzaktësisht i njëjti agresion dhe kujtoni se Sllobodan Millosheviç vdiq gjatë gjyqit”, tha Boris Johnson. 4. Shkëputjen e Shqipërisë nga nisma “Ballkan i Hapur”, si një nismë e dështuar nga të gjitha aspektet. Bota Perendimore, SHBA, BE, NATO, institucionet financiare ndërkombëtare po i thellojnë sanksionet ekonomike ndaj Rusisë dhe ne duhet t’i bashkohemi këtij veprimi. Kjo është edhe një arësye më tepër për t’iu larguar nismës së Ballkanit të Hapur. Në rast se ne nuk abortojmë dhe dënojmë nismën “Ballkan i Hapur”, duke u shprehur qarte zyrtarisht kundër saj, ne do të quhemi në këtë histori si shërbëtorë të shërbëtorit! Shërbëtorë të Vuçiçit, i cili nga ana e vet është shërbëtor i Diktatorit Putin! Me zgjedhjet e përgjithshme në muajin prill 2022 dhe Vuçiç që kërkon votën e shumë elementëve filorusë në vendin e tij, Serbia po shndërrohet gradualisht jo vetëm në një hapësirë të vendosur kundër integrimit euroatlantik të Ballkanit, por edhe në një pararojë të rrezikshme të provokimit dhe kërcënimeve të ardhshme ruse ndaj gjithë vendeve të NATO-s dhe të BE-se në rajon. Raporti i vitit 2019 i Departamentit Amerikan të Mbrojtjes vlerëson se “Serbia ofron mjedisin më të favorshëm për ndikimin rus në Ballkan”. (https://www.forbes.com/sites/zakdoffman/2019/07/01/pentagon-report-u-s-failing-to-combat-russias-dangerous-global-influence/?sh=169a083d36b2 ) Në fund, dua të sjell përkufizimin e publicistit dhe shkrimtarit kombëtar Bedri Islami në shkrimin e tij të disa ditëve më parë me titull “Ukraina, krismat në Tiranë! Shqipëria duhet të deklarojë sa më shpejt largimin nga i ashtuquajturi “Ballkan i Hapur”. “Është e pakuptimtë që, nga njëra anë je nënshkruese e përbashkët e dokumenteve, mbajtëse e firmës me Shtetet e Bashkuara, dënon agresionin, dhe, nga ana tjetër mendon se mund të bësh politikë të hapur me presidentin serb që mbështet agresionin, duke ëndërruar çastin kur falangat e tij të vërshojnë në Kosovë”. Botuar në Gazeta Sot më 12 Mars 2022​

Viti 2021 ose Atdheu lakuriq!

Viti 2021 ose Atdheu lakuriq!

Botuar në gazetën Panorama më datë 29.12.2021.
Viti 2021 do të mbahet mend në historinë e shqiptarëve si viti i konsolidimit të sektit Rama në kurriz të shqiptarëve, përmes vjedhjes shumëplanëshe të zgjedhjeve, kapjes së Shtetit, kapjes së institucioneve të pavarura, si dhe blerjes së medias dhe të shoqërisë civile. Shënon vitin ku korrupsioni u bë legjitim, ku koncesionet e formës Partneritet Publik-Privat(PPP) u vunë në piedestal të buxhetit dhe politikave qeveritare, ku rinia dhe profesionistët shqiptarë vijuan masivisht të emigrojnë dhe ku borxhi i stërmadh publik u barazua me Prodhimin e Brendshëm Bruto (PBB). Dhe “qershia” mbi tortë, 2021-i është edhe viti i rrjedhjes famëkeqe publike të të dhënave për rrogat e 650 mijë qytetarëve të këtij vendi, që punojnë në në sektorin publik dhe privat, si dhe të të dhënave të tjera personale.
Shqiptarët panë Atdheun e tyre më lakuriq dhe më të pambrojtur se kurrë më parë. Sot tingëllojnë kaq aktuale vargjet e shkruara 58 vite më parë, në vitin e largët 1963, nga poeti-martir dhe pa varr, Trifon Gjagjika, i pushkatuar nga Diktatura:” E pashë Atdheun lakuriq/(vetëm pa miq e shokë)/mundohej të këpusë një degë dafine/nga lavdia e shekujve…”.
Kur bien sistemet e sigurisë të një shteti, degradohet i gjithë shteti!
Qeverisë së Ramës i ka mbetur një sistem i vetëm në këmbë, ai i papërgjegjshmërisë absolute. Në sajë të papërgjegjshmërisë dhe të kërkimit zero të llogarisë, të ngritur në sistem, sot gjithkush mund të futet e të na marrë të dhënat e kartës së identitetit dhe çdo të dhënë tjetër financiare e personale.
Ndërsa ne si qytetarë, nuk kemi të drejtë dhe akses real të dimë si shpenzohen paratë tona, si zhvillohen tenderat, kush janë kompanitë që marrin miliona euro nga taksat tona. Ne sot, për shkak të menaxhimit skandaloz qeveritar, mund të na dinë gjithshka: numrin e kartës së identitetit, rrogën, kreditë në banka, automjetin dhe targën, por ne si qytetarë që me taksat tona e mbajmë këtë shtet, nuk kemi mundësi të dimë se kush i merr paratë tona me sigla kompanish ekzotike apo guackë nëpër tendera publikë, në kufirin limit të fondeve, apo me vlerë më të lartë se pjesëmarrësit e tjerë. Madje edhe deputetët e Kuvendit nuk e kanë këtë akses. Në rrugë zyrtare, këtë muaj i kërkova Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, në fillim të dhjetorit të këtij viti, në cilësinë e anëtarit të Kuvendit, informacion mbi studimin e fizibilitetit, vlerën e ofertave financiare dhe të planeve të biznesit të kompanive pjesëmarrëse në tenderin publik për Projektin e Portit Turistik “Marina Vlore”, Aeroportit të Vlorës dhe Tunelit të Llogarasë. Ministria më ktheu përgjigje se pjesën më të rëndësishme të këtyre informacioneve nuk mund t’i japë, pasi janë konfidenciale, sepse kështu kanë vendosur t’i vlerësojnë autoritet përgjegjëse për shkak të kërkesës për t’i konsideruar konfidenciale nga ana e kompanive pjesëmarrëse (?!). Cfarë ironie!
Ky është Shteti ynë sot, shteti-parti i patronazhistëve të Rilindjes. Zotëron të gjithë informacionin personal kyç të qytetarëve (të dhëna për kartat e tyre të identitetit, për të ardhurat, për automjetet që kanë, për pronat në hipoteka, për marrëdheniet e tyre me bankat, etj.), të mbrojtur nga ligji nr. 9887, datë 10.03.2008 “Për Mbrojtjen e të Dhënave Personale”, dhe e bën pronë të kujtdo nëpërmjet rrjedhjes më skandaloze të informacionit në botë!
Viti 2021: viti i varfërisë, pabarazisë maksimale dhe borxhit të tejfryrë publik
Ky vit që po mbaron dëshmoi rrogat shumëmilionëshe të disa individëve, gjoja “të elitës”, të punësuar në borde ose institucione shteterore, ose në kompani private ku shteti ka ndikim, përballë rrogave mjerane të shumicës së punonjësve të shtypit dhe televizioneve, të ardhurave të ulëta të qytetarëve shqiptarë. Dëshmoi kapjen e plotë të të ashtuquajturave shoqata të pavarura të shoqërisë civile nga sekti Rama, nëpërmjet fondeve të dhëna në mënyrë klienteliste nga ministritë, drejtoritë e tjera qendrore, sha-të shtetërore apo kompanitë private të lidhura me qeverinë. Mund të konsiderohet viti i mbylljes së gojës së shoqërisë civile, me shumë, shumë pak përjashtime.
1.Është viti ku, sipas raporteve të Bankës Botërore, si dhe treguesve nga Eurostat dhe nga FMN, varfëria në Shqipëri ka kapur 930,457 persona që jetojnë me të ardhura nën 5.5 USD, ose 30.8 përqind të popullsisë, përkundrejt 17.1% në Serbi, 16.9% në Maqedoninë e Veriut dhe 20.9% në Kosovë. Ndërkohë që raportet e INSTAT tregojnë për 671 mijë të varfër. Ndoshta për qeverinë, 260 mijë vetë që përbëjnë diferencën me raportet e institucioneve ndërkombëtare, janë emigrantë të varfër, të larguar vitet e fundit!
Jemi me vite dritë larg nga detyrat që kemi marrë përsipër të realizojmë, si shtet anëtar i OKB-së, në kuadër të Axhendës së saj të zhvillimit 2030 dhe objektivave të zhvillimit të qëndrueshëm, si eliminimi i varfërisë në të gjitha format, sigurimi i jetës së shëndetshme dhe nxitja e mirëqenies për të gjithë njerëzit , nxitja e rritjes ekonomike të vazhdueshme, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme, punësim të plotë dhe produktiv dhe punë të denjë për të gjithë, etj..
Viti 2021 është viti ku, për shkak të politikave ekonomike të papërshtatshme dhe skandaloze të sektit Rama, renditemi vendi më i varfër në rajon dhe i dyti më i varfër në Evropë, me gjysmën e popullsisë, sipas Eurostat, në rrezik që të bjerë në varfëri.
Është viti ku 7.6 përqind të rritjes ekonomike e gëzon vetëm një përqind e popullsisë, që janë pronarë të kompanive të favorizuara nga sekti Rama në pushtet, ose zyrtarë të fryrë nga paratë e korrupsionit dhe abuzimeve me taksat e shqiptarëve.
2.Është viti ku sekti Rama na ka lënë trashëgim një borxh të tejfryrë publik, i cili në shifrat zyrtare përfaqëson 80 përqind të prodhimit kombëtar dhe në shifrat faktike 100 përqind të tij.
Është viti i lojës qeveritare me FMN-në, ndryshe nga premtimi i dhënë këtij institucioni, duke ndryshuar treguesit e buxhetit 2021, përmes gjashtë akteve normative, si dhe duke miratuar një buxhet dhe paketë fiskale 2022, pa u konsultuar me biznesin dhe duke kryer ndryshime të shumta në ligjet fiskale.
3.Viti 2021 është viti i minimit rëndë të klimës së biznesit, ku Departamenti Amerikan i Shtetit, në një raport për klimën e të bërit biznes në Shqipëri për vitin 2021 shprehet se investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik, konkurrencën e pandershme, informalitetin, ndryshimet e shpeshta të legjislacionit fiskal dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme madhore në Shqipëri.
Është viti ku u ekzekutuan ligje të qepura me dorë në dobi të klientëve të qeverisë.
4.Është viti ku shpenzimet jo-produktive për investime fasadë, për rikonturime qendrash qytetesh, shpenzime rimobilimi zyrash, etj. njohën rritje, jo tkurrje, njëlloj si në vitin 2020. Fasada dhe vetëm fasada, kjo është filozofia e sektit Rama.
Është viti i pagesave me rreth një të tretat më shumë (29%) të PPP-ve, në krahasim me një vit më parë. PPP-ve ka filluar t’u dalë tymi i zi i papastërtive që po “djegin”.
5.Është viti i korrupsionit galopant në të gjithë administratën publike. Sipas Transparency International, kemi zbritur me 20 pozicione në klasifikimin e saj, në krahasim me vetëm katër vite më parë, në 2017. Pozicionohemi ndër vendet më të korruptuara në Evropë, në vendin e 104-t, duke u kaluar nga vende si Tanzania, Etiopia, Kazakistani dhe Gambia.
Viti 2021: viti i Mbretit Lakuriq
Viti 2021 duket sikur konsolidoi dhe ngriti në piedestal pozitat e sektit Rama. Miëpo, në fakt, ai shënjon edhe vitin e nisjes së kalbëzimit dhe dekompozimit të sektit të Liderit Global.
Po përse, mund të pyesë shumëkush, kur Rama ndodhet në apogje të fuqisë dhe ndikimit të vet? Sepse, duke trullosur shoqërinë me një propogandë 3D të përditshme e të përminutshme të stilit gëbelsian, sekti i tij i ka shteruar të gjitha butaforitë, truket, magjistricat dhe driadat në duart e tij, për të ri-trullosur shqiptarët, gjoja në emër të transparencës dhe të ardhmes. Po shfaqet mbreti lakuriq, pasi ka lënë Atdheun lakuriq.
Politika ekonomike, e bazuar tek thellimi i borxhit dhe mosrespektimi i raportit të ardhura buxhetore-shpenzime, po fundos gjasat për një zhvillim të qëndrueshëm të vendit. Viti 2021 shënoi edhe vitin ku Rama evidentoi qartë talljen jo vetëm me ata që i shërbejnë, por edhe me ndërkombëtarët.
Korrupsioni galopant dhe pabarazia e thellë janë kanceri i shtetit dhe i shoqërisë. Ky është parim klasik. Sot ne jemi ne kulmin e tij. Ky vit simbolizon Pikën e Vdekur të Sipërme (PVS) së zullumeve të sektit në pushtet, mbas së cilës ata do të rrokullisen me shpejtësi drejt Pikës së Vdekur të Poshtme (PVP).
2022: viti i ngritjes reale të shpresës
Opozita, në veçanti Partia Demokratike, që sot duket më e dobët dhe më e përçarë se kurrë, ka për detyrë dhe do të ringrihet me shpejtësi, të bashkohet dhe të luftojë me tolerancë zero korrupsionin e sektit Rama dhe atij vetë. Protestat duhet të shoqërojnë mendimin politik të opozitës dhe të të gjithë deputeteve të saj në Parlament, pavarësisht problemeve që mund të kenë sot mes tyre. Kryeproblemi për shqiptarët është korrupsioni dhe keq-qeverisja e sektit Rama. Nëse opozita del me një projekt të përbashkët politik për të mposhtur kapjen e shtetit dhe luftuar në rrënjë korrupsionin galopant që prodhon çdo orë e minutë kjo qeveri, shpresa e qytetarëve do të ringrihet fuqishëm dhe vendi do të futet në shinat normale të zhvillimit që prodhon qeverisja e përgjegjshme me transparencë dhe llogaridhënie maksimale.
Bujar Leskaj

Progres-Raporti 2021 konfirmon 15 parakushtet e paplotësuara.

Progres-Raporti 2021 konfirmon 15 parakushtet e paplotësuara.

Botuar ne gazeten panorama, date 21.10.2021.
Komisioni Europian pub likoi ditën e djeshme Progres-Raportin për Shqipërinë. Të 136 faqet e këtij raporti përbëjnë provën e shkruar se qeverisja e sotme e sektit Rama nuk i ka plotësuar të 15 parakushtet e vëna për integrimin, nga ana e Bashkimit Europian. Sikurse e kanë theksuar edhe eurodeputetë, përfaqësues të lartë të vendimmarrjes në komisionet e Parlamentit Europian, besueshmëria e vetë BE-së varet nga përmbushja e 15 parakushteve të BE-së nga Shqipëria, para se të vazhdohet me procesin e pranimit në BE. Rruga drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian është një nga kërkesat që synojnë garantimin e demokratizimit, modernizimit, sundimit të ligjit dhe garantimit të stabilitetit. Nëse anëtarët e rinj bashkohen pa respektuar plotësisht vlerat thelbësore të BE-së, do të minonin besueshmërinë e Bashkimit Europian në tërësi. ProgresRaporti 2021 për Shqipërinë i Komisionit Europian përfaqëson një aktakuzë serioze dhe të mirargumentuar të dështimit të sektit në organizimin e zgjedhjeve të 25 prillit, në Reformën në Drejtësi, në luftën kundër korrupsionit, në integrimin e vendit në BE, në ekonomi dhe në reformën e decentralizimit të pushtetit vendor.
BE DHE ZGJEDHJET E 25 PRILLIT
Në lidhje me zgjedhjet e 25 prillit, ProgresRaporti i Komisionit Europian cilëson se “Shqetësimet mbeten në lidhje me keqpërdorimin e burimeve publike ose funksioneve zyrtare, me pretendimet për blerjen e votës dhe rrjedhjen e të dhënave personale të ndjeshme që mbulojnë preferencat politike të qytetarëve” (Progres-Raporti 2021, fq.4, paragrafi i parë).
Ai vijon në faqen 29, paragrafi i parë, duke theksuar se “Rrjedhja e të dhënave të ndjeshme personale, duke përfshirë preferencat politike u shfaq gjatë fushatës për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit”
Në faqen 26, paragrafi i katërt, Raporti paraqet indiferencën e plotë të qeverisjes së sotme ndaj rekomandimeve zgjedhore të Bashkimit Europian. Ai nënvizon se “Rekomandimet e jashtëzakonshme të BE -së për përmirësimin e financimit të partive politike dhe reformën zgjedhore, të cilat nuk janë pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, ende duhet të adresohen. Incidentet, të cilat ndodhën gjatë fushatës zgjedhore, veçanërisht në lidhje me blerjen e votës, kanë treguar se ka nevojë për financa transparente të partive politike”
INTEGRIMI EUROPIAN
Sekti i liderit global dështoi thekshëm dhe me procesin e integrimit europian, jetësor për shqiptarët. Në faqen 11, paragrafi i fundit, Progres-Raporti shprehet se “Sidoqoftë, integrimi në BE shfaqet me profil të ulët në prioritetet e përcaktuara në programin e qeverisë së re të paraqitur në shtator 2021”. Në programin qeverisës të shpalosur me bujë pak javë më parë, strategjia e integrimit 2021-2025 dhe plani i veprimit për zbatimin e saj nuk shfaqet asgjëkund. Çfarë, papritmas e harruam integrimin, për megalomaninë e liderit global që preferon të kritikojë si dritëshkurtër BE-në?
Më tej, Progres-Raporti vazhdon: “Konsultimi mbi politikat dhe legjislacionin duhet të jetë më thelbësor në mënyrë që të rrisë më tej përfshirjen dhe transparencën e procesit të reformës, veçanërisht në çështjet që lidhen me reformat e orientuara drejt BE–së”. (Progres-Raporti 2021, fq.12, paragrafi i parë.
Reforma në Drejtësi
Për Reformën në Drejtësi, për të cilën qeverisja e sotme shfaqet si kampione e mbështetjes, Progres-Raporti i BE-së e thotë troç se “Efikasiteti i sistemit gjyqësor është ndikuar nga kohëzgjatja e procedurave, shkalla e ulët e pastrimit dhe ngarkesa e madhe. Gjykatat e Apelit kanë një numër të madh të çështjeve të trashëguara dhe vende të lira gjyqësore, me vetëm 40 nga 78 gjyqtarët e Apelit në detyrë. Një hartë e re gjyqësore duhet miratuar dhe zbatuar urgjentisht, për të rishpërndarë gjyqtarët dhe burimet brenda sistemit gjyqësor. Kohëzgjatja mesatare për një çështje në nivelin e Apelit është 998 ditë (rreth 3 vjet) për çështjet penale dhe 1742 ditë (rreth 5 vjet) për çështjet civile dhe tregtare”. (Progres-Raporti 2021, faqja 22, paragrafi i katërt.
ANTIKORRUPSIONI
Është në luftën ndaj korrupsionit që qeverisja Rama “shkëlqen” me ngjyrën më të zezë të saj. “Dënimet në rastet që përfshijnë zyrtarë të nivelit të lartë mbeten ende të kufizuara, duke nxitur një kulturë mosndëshkimi brenda niveleve më të larta të Shtetit… Në përgjithësi, korrupsioni është mbizotërues në shumë fusha të jetës publike dhe të biznesit dhe mbetet një çështje shqetësuese serioze”, cilëson Progres Raporti i BE-së në fq. 5, paragrafi i tretë.
Me tej, ai vazhdon: “Ndikimi i masave kundër korrupsionit në zonat veçanërisht të cenueshme (doganat, administrata tatimore, arsimi, shëndetësia, prokurimi publik, kontratat PPP etj.) mbetet i kufizuar. Kontrollet e brendshme dhe mekanizmat e inspektimit brenda administratës publike mbeten të dobëta dhe joefektive”. Komentet ndaj këtyre konsideratave të BE-së janë të tepërta.
EKONOMIA
Komisioni Europian, në Progres-Raportin 2021, në Klasterin e Tretë të raportit, me titull “Konkurreshmëria dhe rritja gjithëpërfshirëse”, cilëson:.1“Humbjet e larta të të ardhurave dhe shpenzimet e jashtëzakonshme, të cilat çuan në rritjen e deficitit fiskal dhe borxhit publik në vitin 2020, duke fshirë përpjekjet disavjeçare të konsolidimit fiskal”. (Progres-Raporti 2021, faqja 53, paragrafi i dytë).
1.“Borxhi dhe deficiti publik i Shqipërisë u rritën ndjeshëm për shkak të pandemisë COVID-19 në vitin 2020 dhe do të mbeten në nivele të larta në vitin 2021”. (Progres-Raporti 2021, faqja 51, paragrafi i dytë”).
2.“Reformat social-ekonomike duhet të ndiqen me përparësi, për të ndihmuar në adresimin e dobësive ekzistuese strukturore, konkurrencën e ulët, papunësinë e lartë dhe ndikimin e pandemisë”. (Progres Raporti 2021, faqja 8, paragrafi i parë).
3.“Boshllëqe të konsiderueshme mbeten, në krahasim me vendet partnere rajonale dhe europiane. Konkurrueshmëria e Shqipërisë pengohet nga mungesa e njohurive sipërmarrëse dhe teknologjike, nivele të konsiderueshme të informalitetit, nevoja të paplotësuara për investime në kapital njerëzor dhe fizik dhe shpenzime të ulëta për kërkim dhe zhvillim. Boshllëqet paraekzistuese dhe të rëndësishme në aftësitë dhe arsimin ndoshta janë zgjeruar, për shkak të bllokimeve të lidhura me COVID-19 dhe mësimit në distancë, i cili nuk është i arritshëm për të gjithë. Integrimi rajonal dhe eksportet u rritën, por mbetën nën potencialin. Mungesa e produktit dhe diversifikimi gjeografik në eksportet e Shqipërisë e shtojnë cenueshmërinë e tyre ndaj goditjeve të jashtme”(Progres Raporti 2021, faqja 7, paragrafi i tretë).
4.“Rënia e eksporteve të shërbimeve dhe remitancave zgjeroi deficitin tashmë të lartë të llogarisë rrjedhëse në mënyrë të konsiderueshme në vitin 2020” (Progres Raporti 2021, faqja 52, paragrafi i dytë).
5.“Planet për konsolidimin fiskal dhe zgjerimin e rekomanduar të bazës tatimore janë shtyrë” (Progres-Raporti 2021, faqja 53, paragrafi i tretë; si dhe
6.“Rreziqet fiskale vazhdojnë, ndërsa reformat në menaxhimin e investimeve publike kanë ngecur” (Progres Raporti 2021, faqja 53, paragrafi i katërt).
PUSHTETI VENDOR DHE REFORMA ADMINISTRATIVE
Bashkimi Europian në Progres-Raport vë theksin edhe në dështimin e qëndrueshmërisë financiare të reformës së decentralizimit të pushtetit vendor. Ai cilëson se “Ndërsa bashkive u janë dhënë kompetenca më të mëdha për bërjen e politikave, njësive të qeverisjes vendore u mungojnë ende burimet e mjaftueshme financiare dhe kapaciteti administrativ për t’i ushtruar ato në mënyrë efektive … Situata e tyre financiare është bërë gjithnjë e më e komplikuar nga pandemia, me burimet në dispozicion të NJQV-ve duke u zvogëluar gjithnjë e më shumë… Reforma administrative territoriale duhet të konsolidohet si pjesë e agjendës më të gjerë të decentralizimit. Nevojitet një monitorim dhe vlerësim sistematik i zbatimit të strategjisë kombëtare të decentralizimit dhe qeverisjes vendore 2015- 2022″ (Progres Raporti 2021, faqja 12, paragrafi i tretë dhe i katërt).
Progres-Raporti 2021 i Komisionit Europian për Shqipërinë rrëzon një herë e përgjithmonë përrallat që kërkon të shesë sekti Rama, se gjoja është vetë Bashkimi Europian me problemet e tij të brendshme, që po e bllokon ose ngadalëson integrimin e Shqipërisë (problemet e Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë, qëndrimi refraktar i disa vendeve të tjera anëtare etj., etj.).
Shpreh besimin se, pavarësisht ndonjë simpatie personale që kthehet lehtë në favorizim klientelist, përfaqësuesit e Bashkimit Europian në Tiranë do të dinë të ngrihen në lartësinë e detyrës dhe të kërkojnë plotësimin e të 15 parakushteve të BE-së për anëtarësim, pasi kështu ndihmojnë realisht qytetarët shqiptarë dhe forcojnë kulturën e përgjegjshmërisë dhe llogaridhënies në vend. Ata nuk duhet ta anashkalojnë këtë devijim të shëmtuar të problemeve reale të qeverisjes së sotme të Shqipërisë në rrugën e saj drejt integrimit në familjen e madhe të përbashkët europiane, duke shitur mosplotësimin e 15 parakushteve të BE-së për problematikë zgjerimi të BE-së.
Ndryshe nga sa pretendon qeverisja e sotme, se detyrat e shtëpisë për integrimin europian i ka bërë më së miri, sipas gjetjeve dhe rekomandimeve të Progres-Raportit 2021 për Shqipërinë të Komisionit Europian, sekti Rama jo vetëm nuk i ka bërë detyrat e shtëpisë si duhet, por edhe ka ngelur në klasë.
Opozita e vendit ka për detyrë madhore, përpara të gjithë qytetarëve shqiptarë, që të çmontojë të plotë mekanizmin 3D të gënjeshtrës virtuale që qeverisja Rama ka perfeksionuar gjatë këtyre 8 viteve, për ta nxjerrë liderin global, Kryeministrin tonë, lakuriq në mashtrimet e tij të përsëritura.
Bujar Leskaj