Diskutimi i Kryetarit të KLSH-së, z. Bujar LESKAJ, mbajtur në Kuvendin e Shqipërisë, më 19.07.2018
Të nderuar deputetë,
Kontrolli i Lartë i Shtetit funksionon bazuar në Kushtetutën e vendit, në Ligjin organik të institucionit, në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI, në Rezolutat e OKB-së për SAI-et dhe në Rezolutat e Kuvendit për KLSH-në.
Filozofia e punës sonë në këto vite ka qenë modernizimi i institucionit në punën audituese, si edhe thellimi i transparencës dhe llogaridhënies për një qeverisje të mirë dhe në luftë kundër korrupsionit, për përmirësimin e qeverisjes, duke vepruar me moton “KLSH-shërbestar i qytetarit dhe agjent i Kuvendit”.
Mbi bazën e kësaj filozofie u ndërtua Strategjia institucionale 2013-2017, e cila kulmoi në realizimin me mbi 90% sukses në vitin e fundit të implementimit të saj, 2017-n. Strategjia e Zhvillimit të KLSH për periudhën 2013-2017 përcaktoi 6 Qëllime Strategjike të cilat mbuluan dimensionet më të rëndësishme të rritjes të institucionit, mbështetur në një analizë të thellë dhe profesionale të statusit tonë për vlerësimin e nevojave, por mbi të gjitha me një fokus të qartë se çfarë KLSH-ja kërkonte të arrinte në horizontin e pesë viteve më pas.
Objektivat Strategjikë të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t u integruan në koherencë të plotë në Planin Strategjik, duke u formalizuar në objektivat kryesore:
zhvillimi i kapacitetit institucional të KLSH,
rritja e kapaciteteve audituese dhe e cilësisë së auditimit,
përmirësimi i cilësisë dhe shtimi i numrit të auditimeve të performancës,
zhvillimi dhe konsolidimi i auditimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe përdorimi i TI në auditim,
rritja e kontributit të KLSH për qeverisjen e mirë, nëpërmjet luftës kundër korrupsionit,
si dhe rritja e ndikimit të rolit të KLSH-së përmes komunikimit dhe bashkëpunimit.
Kjo strategji u formulua në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë dhe ishte guri i themelit për ndryshimin që pasoi në të gjitha dimensionet e punës në KLSH, ku më kryesoret përmenden: mandatimi i KLSH-së përmes Ligjit 154/2014 në kryerjen e aktivitetit auditues në linjë me simotrat e veta të zhvilluara, konsolidimi profesional përmes manualeve të auditimit dhe trajnimit të stafit, hapja institucionale përmes botimeve (shkencore dhe në shtypin e përditshëm) dhe komunikimit me palët e interesit, sikurse bashkëpunimet me SAI-et e huaja në përputhje me moton tonë ndërkombëtare: “Eksperienca e përbashkët iu shërben të gjithëve”.
Në këtë vit të fundit të implementimit të Strategjisë, raportimi përpara Kuvendit në lidhje me aktivitetin auditues dhe performancën institucionale të Kontrollit të Lartë të Shtetit, mbështetet në Kornizën e Matjes së Performancës së institucioneve supreme të auditimit , dokument ky i miratuar si standard për t’u përdorur nga të gjitha SAI-t në Kongresin e INTOSAI-t, INCOSAI i XXII-të në Dhjetor 2016 në Abu D’habi të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Korniza e Matjes së Performancës është një metodologji moderne për të analizuar në thelb lidhjen shkak-pasojë të faktorëve që pëcaktojnë suksesin e aktivitetit auditues, një auditim performance i drejtuar kah vetja, një reflektim kritik, periodik, për t’u përmirësuar dhe udhëhequr përmes shembullit. Metodologjia mbështetet në sistemin e vetëvlerësimit dhe/ose vlerësimit nga institucionet e tjera supreme të auditimit “Peer Revieë (Rishikim mes Kolegëve)”. Për vitin 2017, KLSH e kreu matjen e performancës institucionale duke kombinuar të dyja format: për pavarësinë institucionale u vlerësua nga një grup kolegësh austriakë, ndërsa për fushat e tjera ngriti grup të përbashkët pune me kolegët polakë të projektit IPA. Fushat e matjes së performancës institucionale janë 6 dhe secila prej fushave përmban parametrat specifikë (25 në total), të integruar në një matricë. Çdo parametër përmban 2-4 dimensione, të cilat synojnë të ballafaqojnë kriteret e specifikuara nga referencat përkatëse sipas ISSAI-ve, apo dokumenteve bazë të INTOSAI-t, EUROSAI-t, e të tjera organizata ndërkombëtare të auditit suprem me performancën institucionale nën fokus.
6 fushat ku shtrihet matja e performancës janë:
“Pavarësia dhe korniza ligjore”
“Qeverisja e brendshme dhe etika”
“Cilësia e auditimit dhe raportimi”
“Menaxhimi financiar, asetet dhe strukturat mbështetëse”
“Burimet Njerëzore dhe Trajnimi”.
“Komunikimi dhe menaxhimi i palëve të interesit”.
Treguesit e agreguar dëshmojnë se KLSH, për vitin 2017 ka një perfomancë mbi nivelin mesatar. Konkretisht për tre nga 6 fusha vlerësimit, përkatësisht fushat 3,4 dhe 5 merr vlerësimin 4 (nga 4) dhe për 3 fushat e tjera vlerësimin 3 (nga 4) .
Më në detaje, kjo performancë zbërthehet si vijon:
“Pavarësia dhe korniza ligjore”
Performanca e kësaj fushe u bazua kryesisht në vlerësimin e realizuar nga Gjykata Austriake e Auditimit, përmes procesit “Peer Revieë (Rishikim mes kolegëve)”. Me ndryshimet e realizuara në Ligjin 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit”, KLSH ka një kornizë rregullatore që i garanton pavarësi të përshtatshme në realizimin e plotë të misionit dhe detyrimeve kushtetuese.
Kjo kornizë sanksionon pavarësinë organizative në planin e auditimeve, në strukturën dhe stafet e nevojshme për t’iu përgjigjur detyrimeve kushtetuese dhe aktivitetit të përditshëm auditues. Pavarësia e Kryetarit është një element që sanksionohet në mënyrë të kujdesshme në ligjin e ri, vlerësuar maksimalisht në dimensionin përkatës. Ndërkohë që dimensioni i lidhur me pavarësinë financiare, nisur nga kufizimet buxhetore për shkak të ligjeve të tjera organike, nuk plotëson kushtet për një vlerësim maksimal, duke u vlerësuar vetëm me 3 nga 4 pikë të mundshme.
Mandati i KLSH-së është vlerësuar duke analizuar dimensionin e mjaftueshmërisë së mandatit, lidhur me të drejtën për të audituar dhe kufizimet mbi këtë të drejtë. Vlerësimi tregoi se KLSH ka një mandat të mjaftueshëm për të përmbushur misionin e saj, mandat që në tërësi nuk ka kufizime që cënojnë punën tonë. Ky dimension është vlerësuar maksimalisht. Ligji 154/2014 “Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” ka qenë një hap i rëndësishëm për të sanksionuar si aksesin në informacion, ashtu dhe të drejtën dhe detyrimin për raportim, dimensione që kanë përmirësuar ndjeshëm performancën institucionale. Nisur nga aspekti i të drejtës, dimensionet që përcaktojnë mandatin e KLSH vlerësohen me 4 pikë.
Gjykata Austriake e Auditimit konkludoi se aktiviteti i KLSH-së është në përputhje me: Deklaratën e Limës (ISSAI 1), Deklaratën e Meksikës (ISSAI 10), si dhe ISSAI-n 11.
Ky vlerësim për Pavarësinë dhe Kornizën Ligjore të KLSH u prezantua nga Sekretari i Përgjithshëm i INTOSAI-t, në Konferencën e organizuar me rastin e 40-vjetorit të Deklaratës së Limës mbi Pavarësinë e SAI-ve, në Lima, Peru më 5 Dhjetor 2017, duke konfirmuar se “…. pavarësia, mandati dhe organizimi i KLSH janë ligjërisht de facto të vendosura dhe të mbrojtura nga Kushtetuta dhe nga Ligji i KLSH-së. Me hyrjen në fuqi të Ligjit në vitin 2015, KLSH pati përmirësime të rëndësishme në pavarësinë e tij, krahasuar me dispozitat e ligjit të mëparshëm. …. korniza ligjore e vendosur është e përshtatshme dhe efektive dhe qëndron në pajtueshmëri me Deklaratën e Meksikos”.
Përveç vlerësimit pozitiv, kolegët e Gjykatës Austriake të Auditimit cilësuan si aspekt për përmirësim që ndikon në forcimin e pavarësisë reale, pavarësinë financiare. Pavarësisht faktit që buxheti i KLSH-së dhe numri maksimal i punonjësve janë pjesë e Buxhetit të Shtetit të miratuar nga Kuvendi, fakti që Kryetari nuk ka akses të drejtpërdrejtë në Kuvend apo në Komisionet Parlamentare për çështje që lidhen me buxhetin e KLSH-së, është aspekt që cënon pavarësinë reale financiare të KLSH.
Liria e plotë në shpërndarjen e buxhetit, si për shembull dhënia e buxhetit si shumë totale dhe dhënia e të drejtës KLSH-së për akordimin e saj në mënyrë autonome, do të nënkuptonte përmbushjen e Deklaratës së Meksikës në një shkallë më të lartë.
Sipas kornizës ligjore, KLSH ka mandat të mjaftueshëm dhe akses të plotë në informacion, pasi korniza ligjore është plotësuar sipas standardeve ndërkombëtare të lidhura me të drejtën dhe mandatin për të audituar. Megjithatë gjatë vitit 2017, përsëri kemi ndeshur raste që aktiviteti auditues është penguar dhe refuzuar (respektivisht rasti “Albpetrol” SHA, i cili u zgjidh me kontributin e Ministrit te Infrastrukturës dhe Energjisë, si dhe ai i Entit Rregullator të Energjisë, rast ende i pazgjidhur). Ky fakt tregon se mandati de jure i sanksionuar në ligj nuk është arritur plotësisht në praktikë.
“Qeverisja e brendshme dhe etika”.
Qeverisja e brendshme, si fushë e rëndësishme që ndikon në performancën institucionale të çdo Institucioni Suprem Auditimi, është vlerësuar në përputhje me kërkesat e ISSAI-ve 10, 12, 20, 30 dhe 100. Sistemi i vetëvlerësimit konkludon se KLSH është drejtuar duke dhënë shembullin e mirë, duke synuar të jetë organizatë model, si dhe ka promovuar transparencën dhe llogaridhënien përmes mirëqeverisjes dhe sjelljes etike.
Në aspektin e Qeverisjes së Brendshme dhe Etikës, vlerësimi bazohet në matjen e Ciklit të Planifikimit Strategjik, ku përfshihen Plani Strategjik, Plani Vjetor, Planifikimi Organizativ dhe Monitorimi, si dhe Raportimi i Performancës Institucionale
Mjedisi i Kontrollit Organizativ është vlerësuar përmes dimensioneve të lidhura me Mjedisin e Kontrollit të Brendshëm, Etika dhe Integriteti, Sistemit të Kontrollit të Brendshëm, Sistemi i Kontrollit të Cilësisë dhe Sistemi i Sigurimit të Cilësisë. Të gjitha këto dimensione vlerësohen në përputhje me kërkesat e udhërrëfyesve metodologjikë, modelit COSO, Modelit INTOSAINT, etj.
Nga pikëpamja metodologjike, këta tregues vlerësohen me 4 pikë kundrejt 4, përveç sistemit të kontrollit të cilësisë, ku duhet të përmirësojmë instrumentet metodologjikë për matjen e risqeve që lidhen me cilësinë. Për të arritur këtë, duhet të konsolidojmë një sistem për të përcaktuar përparësitë e punës, duke marrë parasysh nevojën për të ruajtur cilësinë, në zbatim të kërkesave të ISSAI-t 40.
Mjedisi i Kontrollit të Brendshëm, Etikës dhe Integritetit. Duhet të theksojmë se veprimtaria menaxheriale institucionale këto gjashtë vitet e fundit është fokusuar në sigurimin e sistemit të etikës dhe integritetit institucional, nëpërmjet zbatimit të kornizës rregullative të KLSH-së dhe praktikave më të mira të komunitetit të INTOSAI-t, specifikisht të INTOSAINT (instrumenti i vetëvlerësimit të integritetit). Strategjia për implementimin e një sistemi efektiv te etikës dhe integritetit është fokusuar në tre shtylla kryesore,
Hartimi dhe konsolidimi i kuadrit rregullator mbi etikën dhe integritetin ku KLSH është radhitur ndër të parat Institucione Supreme të Auditimit, që në mënyrë vullnetare, që prej vitit 2014, ka adoptuar metodologjinë e vetëvlerësimit të integritetit (INTOSAINT), konsideruar si një nga metodat inovative dhe të efektshme, me impakt në zhvillimin e politikave të integritetit.
KLSH ishte një ndër kontribuesit e hartimit te draftin të ri të ISSAI 30 “Kodi i Etikës”, i cili u miratua në Kongresin e XXII-të të INTOSAI-t, në Dhjetor 2016.
Në Korrik të vitit 2017, KLSH u bë anëtare e Grupit të Projektit të EUROSAI-t “Mbi rolin e Institucioneve Supreme te Auditimit ne përhapjen e kulturës etike ne sektorin publik”, i cili udhëhiqet nga SAI i Hungarisë. KLSH, nëpërmjet pjesëmarrjes aktive në këtë Grup Pune, synon ushtrimin e auditimit të etikes dhe integritetit ne subjektet e auditimit te sektorit publik.
Menaxhimi i etikes dhe integritetit, duke vijuar me imponimin dhe implementimin e rregullave, procedurave dhe udhëzimeve. Në këtë aspekt janë kryer trajnime intensive që kanë synuar edukimin e punonjësve me frymën e standardeve etike dhe vlerave morale.
Ushtrimi i funksioneve mbikëqyrëse dhe kontrolluese, investiguese dhe ndëshkuese ndaj sjelljeve dhe shkeljeve të etikës dhe integritetit. KLSH, si rezultat i aplikimit të këtij instrumenti, ka marrë masa ndaj punonjësve të tij, të cilët kanë rezultuar me shkelje të rregullave të etikës dhe integritetit. Për periudhën 2012-2017, Komisioni i Etikës i institucionit ka vendosur për 10 largime nga detyra për shkelje të etikës dhe integritetit.
Me shkresën nr. 1182 datë 18.11.2016 te Kryetarit të KLSH-së, i kemi kërkuar Inspektorit të Përgjithshëm të Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive e Konfliktit të Interesave (ILDKPKI), kryerjen e verifikimit të plotë dhe të thelluar mbi deklarimet e të gjithë punonjësve/drejtuesve të KLSH-së, që mbartin detyrimin ligjor për deklarim të interesave private (niveli Drejtor dhe Kryeauditues). Nga ILDKPKI u kryen verifikimet bazuar në kërkesat e ligjit përkatës për 28 punonjës dhe në përfundim të këtij procesi nuk rezultuan shkelje të kuadrit rregullator.
Sistemi i Kontrollit të Brendshëm, është vlerësuar mbi bazë të modelit COSO. KLSH përgjatë vitit 2017 ka vijuar me veprimtarinë menaxheriale institucionale suportuar nga një qeverisje e brendshme efektive dhe mirëfunksionimi i sistemeve të kontrollit të brendshëm .
Në zbatim të ISSAI-t 20, KLSH vepron mbi themelet e transparencës dhe llogaridhënies. Gjithashtu, në zbatim të ISSAI 12 që thekson parimin e udhëheqjes nëpërmjet shembullit, Kryetari dhe menaxhimi i lartë janë përgjegjës për dhënien e shembullit të mirë, për të promovuar integritetin, por gjithashtu për të mundësuar përmbushjen efektive të mandatit të organizatës duke zhvilluar një kulturë organizative e cila promovon efiçiencë, transparencë dhe përgjegjshmëri. Në këtë kontekst, në vitin 2018 u rishikua Kodi i Etikës, duke cilësuar se Kryetari pranon pa asnjë kushtëzim Kodin e Etikës së Deputetit të Kuvendit.
KLSH ka ndërtuar sistemin për të përcaktuar përparësitë e punës në ruajtjen e cilësisë, duke zbatuar metodologjinë bazuar në risk për përcaktimin e auditimeve që do të kryejë. Megjithatë, kriteri i vlerësimit sistematik të riskut përgjatë gjithë fazave të planifikimit, është aspekti që duhet përmirësuar më tej. Për këtë arsye ky dimension është vlerësuar me 3, kundrejt 4 pikëve.
Në lidhje me përmbushjen e kritereve të vlerësimit të dimensionit “Përmbajtja e Planifikimit të Përgjithshëm të Auditimit”, u konstatua se KLSH duhet të përmirësojë sistemin e vlerësimit të pengesave dhe të riskut për përcaktimin e prioriteteve të auditimeve, buxhetin dhe burimet njerëzore në dispozicion.
“Cilësia e auditimit dhe raportimi”
Përmes këtij dimensioni synohet vlerësimi i cilësisë së punës audituese, si dhe rezultatet e auditimit, aspekt që përbën aktivitetin kryesor të KLSH-së për të tre llojet e auditimit, përkatësisht: auditimet financiare, të performancës dhe të përputhshmërisë (duke qënë një periudhë tranzitore aktiviteti auditues përfshin edhe auditimet e rregullshmërisë sipas modelit të vjetër të auditimit).
Kontrolli i Lartë i Shtetit, për periudhën Janar – Dhjetor 2017, ka kryer 156 auditime nga 154 auditime të planifikuara, nga të cilat:
92 auditime rregullshmërie;
25 auditime përputhshmërie;
14 auditime financiare;
15 auditime performance;
5 auditime tematike;
5 auditime të T.I.
Institucioni ka arritur të konsolidojë një nivel “dysheme” auditimesh, për të siguruar mbulueshmërinë e duhur me auditim në fushat kryesore të shpenzimeve publike dhe të gjenerimit të të ardhurave, prag nën të cilin nuk ka rënë asnjëherë në këto 6 vitet e fundit.
Nga auditimet e kryera në vitin 2017, KLSH ka identifikuar mungesë përgjegjshmërie nga titullarët e institucioneve të çdo niveli, mosnjohje të kërkesave të ligjit të menaxhimit financiar, nivele të ulta dhe inefiçiencë të sistemeve të kontrollit të brendshëm, duke krijuar risqe për shpenzime jo në përputhje me kërkesat ligjore dhe efektivitet të ulët në shpenzimin e fondeve buxhetore. Vijojnë praktikat dhe vendim-marrjet institucionale me efekte negative në fondet publike, ku niveli i dëmeve dhe shpenzimeve joefektive të konstatuara është:
Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 11.5 miliardë lekë ose 85.8 milionë euro.
Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e fondeve publike të shpenzuara nga subjektet e audituara, në shumën totale prej 99.05 miliardë lekë ose afërsisht 739.7 milionë euro nga e cila: 92.7 miliardë lekë në fushën e të ardhurave ose afërsisht 692.1 milionë euro dhe 6.3 miliardë lekë ose afërsisht 47.8 milionë euro, në fushën e shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve. Në total janë konstatuar shkelje në shumën 110.5 miliard lekë ose afërsisht 825,6 milionë euro.
Dëmi i konstatuar është në një trend rritës në vitet e fundit.
Për 6 vitet 2012-2017 rezulton se për çdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSH-së është kërkuar për t’u zhdëmtuar 108.7 lekë, ose 5 herë më shumë, nga 21.1 lekë që është kërkuar në periudhën 10-vjeçare 2002-2011.
Edhe përgjatë vitit 2017, KLSH ka adresuar rekomandime për institucionet publike të audituara, struktura e të cilave ka ruajtur të njëtën tipologji sikurse vitet e tjera. Masa për përmirësime ligjore, masa organizative, masa administrative dhe masa disiplinore për periudhën Janar-Dhjetor 2017 janë 3.521 masa, nga të cilat janë pranuar 1.937 ose 55% e masave të rekomanduara. Ky numër vijon të plotësohet.
Puna audituese është përqëndruar kryesisht në fushat për të cilat Kontrolli i Lartë i Shtetit ka vlerësuar një nivel të lartë risku dhe ku sistemet e kontrollit janë të niveleve që nuk mund të garantojnë dhe japin siguri për një aktivitet në përputhje me kërkesat e kuadrit të menaxhimit financiar dhe kontrollit. Edhe në këtë vit, shkeljet më të mëdha me efekte të qënësishme në shpenzimin e fondeve në kundërshtim me kërkesat ligjore, mbeten në fushën e keqmenaxhimit të të ardhurave dhe shpenzimeve të fondeve buxhetore, keqadministrimit të pronës shtetërore, pasuar nga parregullsitë dhe inefiçiencat e fushës së prokurimit publik.
Standardet e Auditimit dhe Menaxhimit të Cilësisë
Auditimi financiar përbën një nga aktivitet audituese më tradicionale, por për shkak të niveleve të deformuara të raportimit financiar në sektorin publik (pas viteve 90-të), për praktikën e KLSH mbetet një lloj i ri auditimi. Për vitin 2017, nga KLSH është dhënë opinion për pasqyrat financiare të 14 njësive publike. Numri mbetet akoma i vogël, por në kushtet e realitetit shqiptar, kur kemi mungesë të një kornize të plotë të raportimit financiar në sektorin publik, mungesë të Pasqyrave Financiare të Konsoliduara të Shtetit, mungesë të pasqyrave të konsoliduara në nivel qëndror, ku raportimi financiar nga institucionet e qeverisjes së përgjithshme në Shqipëri realizohet mbi bazën e mjeteve monetare, por me elementë të administrimit të aktiveve, të angazhimeve, debitorëve dhe kreditorëve, niveli i mbulimit nuk është tregues që mund të reflektojë kriteret e kërkuara sipas standardeve të auditimit.
Korniza e Matjes së Performancës kërkon adoptimin e Manualit të Auditimit Financiar dhe Përputhshmërisë, në përputhje me ISSAI 200 dhe ISSAI 400. Në lidhje me këtë dimension, KLSH është vlerësuar se i përmbush pjesërisht (2-3 pikë nga 4) kërkesat e përcaktuara sipas praktikave më të mira ndërkombëtare.
Për auditimet financiare, KLSH përmbush plotësisht 20 nga 21 kërkesat e këtij dimensioni vlerësimi. Është vlerësuar si e përmbushur pjesërisht, kërkesa për përcaktimin e materialitetit për pasqyrat financiare në tërësi, nivelin e materialitetit ose nivelet që do të zbatohen për lloje të veçanta të transaksioneve, gjendjet e llogarive apo dhënien e informacioneve shpjeguese.
Për auditimet e përputshmërisë, KLSH i përmbush plotësisht plotësisht 11 nga 18 kërkesat e këtij dimensioni vlerësimi. Janë vlerësuar si të përmbushura pjesërisht, kërkesat në lidhje me identifikimin dhe vlerësimin e risqeve të auditimit, të kuptuarit të mjedisit të kontrollit dhe kontrollet e brendshme përkatëse, si dhe ndërtimi i procedurave të përshtatshme të auditimit, që adresojnë nivelin e risqeve të identifikuara. KLSH ka vlerësuar si të pamjaftueshme procedurat e kryera gjatë auditimeve të përputhshmërisë, në lidhje me identifikimin e risqeve të mashtrimit financiar, si dhe hartimit të strategjisë dhe planit të auditimit.
Lidhur me auditimet e performancës, KLSH e ka strukturuar aktivitetin auditues në 5 fusha të konsideruar me risk të lartë dhe me peshën më të madhë në buxhetin e shtetit, konkretisht në: 1. Projektet Infrastrukturore, 2. Projektet Mjedisore dhe Energjetike, 3. Projektet Socio-Ekonomike, 4. Projektet Social-Kulturore dhe 5. Reformat Qeveritare. Ky auditim është rritur ngadalë, por bindshëm brenda KLSH-së dhe përfaqëson të ardhmen e natyrshme të këtij institucioni, jo vetëm në linjë me ekesperiencën e vendeve të zhvilluara, por sepse ky auditim i përgjigjet direkt nevojave të qytetarëve dhe është lehtësisht i aksesueshëm nga palët e interesit dhe media.
Për auditimet e performancës, KLSH përmbush plotësisht plotësisht 6 nga 21 kërkesat e këtij dimensioni vlerësimi. Ndërsa për pjesën tjetër të kërkesave, konstatohet se përmbushen në nivel pjesor, por në përputhje me Strategjinbë institucionale 2013-2017.
Kontrolli i Cilësisë
Po t’ i refererohemi kërkesave të lidhura me Kontrollin e Cilësisë në auditimin financiar dhe të përputhshmërisë, KLSH përmbush plotësisht kriteret e vlerësimit. ISSAI 40 kërkon që e gjithë puna e kryer duhet të jetë subjekt i rishqyrtimit, si një mjet për të kontribuar në cilësinë dhe nxitjen e të mësuarit dhe zhvillimit të personelit. Në këtë proces, përfshihet rishikimi i planit të auditimit, letrave të punës dhe punës së grupit, si dhe monitorimi i rregullt i ecurisë së auditimit nga nivelet e përshtatshme të menaxhimit. Shqyrtimi ndihmon KLSH-në për të siguruar që auditimi është kryer në përputhje me standardet profesionale dhe kërkesat ligjore dhe rregullatore të zbatueshme, si dhe se raporti i audituesit me mjedisin është i përshtatshëm.
Në funksion të sigurimit mbi cilësinë e dosjeve, për auditimet e evaduara gjatë vitit 2017, me Urdhrin nr. 12 të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, datë 30.01.2018 “Për Kontrollin e Sigurimit të Cilësisë”, të ndryshuar, është realizuar vlerësimi i sigurimit të cilësisë për 46 dosje, të cilat përbëjnë 30% të dosjeve të evaduara gjatë vitit 2017. Përzgjedhja u bë në mënyrë të rastësishme, duke prekur si auditimet financiare edhe ato të performancës, nga subjekte të institucioneve qëndrore deri tek njësitë e vetëqeverisjes vendore dhe shoqëritë aksionere.
Procesi i vlerësimit ka përfshirë gjithë ciklin e procesit auditues:
Planifikimi i auditimit/hartimi i programeve të auditimit
Kryerja e auditimit dhe
Raportimi dhe evadimi i materialeve të auditimit.
Në përfundim të veprimtarisë së kontrollit të zbatimit të cilësisë, rezulton se puna audituese reflekton përmirësim të dukshëm, referuar kornizës rregullative të procesit auditues, mbi 60% e dosjeve të auditimit vlerësohen të mira dhe vetëm 13 % janë vlerësuar “mjaftueshëm”.
“Menaxhimi financiar, asetet dhe strukturat mbështetëse”.
Vlerësimi i kësaj fushe tregoi se KLSH ka një menaxhim organizativ të përshtatshëm dhe struktura mbështetëse që sigurojnë një qeverisje të mirë, dhe që mbështesin kontrollin e brendshëm dhe praktikat e menaxhimit (në përputhje me kërkesat e ISSAI-t 12, Parimi 9). Kjo gjetje është gjithëpërfshirëse si për menaxhimin e aseteve dhe të shërbimeve mbështetëse të institucionit. KLSH, në zbatim të ISSAI-t 20, ka menaxhuar transaksionet e tij me ekonomicitet, efiçiencë, dhe efektivitet dhe në përputhje me ligjet dhe rregulloret. Sistemi i vlerësimit të performancës në lidhje me dimensionin e planifikimit dhe përdorimit të aseteve dhe infrastrukturës, tregoi se duhet përmirësuar planifikimi afatgjatë për nevojat e infrastrukturës, në përputhje të objektivave strategjikë të zhvillimit institucional.
Gjatë vitit 2017, u realizua ngritja e infrastrukturës së T.I. në ambientin e godinës së re si dhe investimi në krijimin e një sistemi informacioni, për menaxhimin dhe mbështetjen e proceseve të auditimit në KLSH. Ky investim realizoi një sistem elektronik për administrimin në KLSH, nëpërmjet menaxhimit të aktivitetit, çështjeve, proceseve, raportimeve, në një platformë software të integruar dhe me proces pune (workflow) të automatizuar, në përputhje me manualet dhe rregulloren në fuqi, në lidhje me disponueshmërinë, integritetin dhe konfidencialitetin e sistemit. Nëpërmjet këtij investimi, është synuar: Optimizimi i procesit të auditimit, duke respektuar parimet mbi të cilat ai mbështetet; Rritja e efiçiencës me anë të sigurimit të kontekstit të plotë të rastit për audituesin; Përmirësimi i performancës, produktivitetit dhe efiçiencës operacionale të brendshme; Përmirësimi i monitorimit dhe rritjes së efiçencës së administrimit të çështjeve; Përmirësimi dhe garantimi i transparencës dhe monitorimit të aktivitetit të organizatës, në zbatim të objektivave.
“Burimet Njerëzore dhe Trajnimi”
Ky aspekt i aktivitetit është vlerësuar bazuar në ISSAI-n 40, si dhe në Udhëzuesin e Komitetit të Ndërtimit të Kapaciteteve të INTOSAI-t mbi Menaxhimin e Burimeve Njerëzore, Kuadrin Institucional të Ndërtimit të Kapaciteteve. Kjo fushë tregon performancën e KLSH-së në menaxhimin dhe zhvillimin e burimeve njerëzore. Aspektet dimensionale të vlerësuara lidhen me: Funksioni i Burimeve Njerëzore, Strategjia e Burimeve Njerëzore, Rekrutimi i Burimeve Njerëzore dhe Shpërblimi, Promovimi dhe Mirëqënia e Stafit.
Menaxhimi i burimeve njerëzore në KLSH është konsideruar si parakusht dhe jetik për funksionimin e institucionit në mënyrë efikase dhe të efektshme. KLSH, në kuadrin e reformimit dhe modernizimit institucional ka zbatuar në vijimësi politikën e menaxhimit të burimeve njerëzore, e cila është në një linjë me standardet ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit dhe me parimet e praktikave më të mira të administratës publike, të rekomanduara nga Bashkimi Evropian. Në bashkëpunim me ekspertët e NIK-ut polak, në kuadër të projektit IPA 2013, gjatë vitit 2017 u hartua dokumenti i Politikave të Menaxhimit të Burimeve Njerëzore të institucionit, dokument i cili u miratua me Vendimin e Kryetarit nr. 228 dt. 31.12.2017. Aspekti i hartimit të një plani konkret masash për zhvillimin profesional të përshtatshëm të personelit, duhet përmirësuar më tej.
Struktura organizative, për vitin 2017 është miratuar me 181 auditues dhe punonjës mbështetës. Nga viti 2011 dhe 2012, vite në të cilat struktura ka pasur një numër total prej 156 auditues dhe punonjës mbështetës, dinamika e shtimit të numrit të tyre ka rezultuar 5 auditues çdo vit, duke kulmuar me 181 auditues dhe punonjës mbështetës për vitin 2017. Kjo rritje reflekton shtimin e kërkesat në volum dhe cilësi, si dhe kompleksitetin e aktiviteteve subjekte të auditimit të KLSH-së. Rritja në numër e audituesve ka sjellë reduktim të numrit të ekspertëve të jashtëm të kontraktuar nga KLSH, të cilët përfaqësonin personalitete me kontribute të njohura në fushat dhe disiplinat përkatëse apo dhe ish-auditues me përvojë. Profesionet kryesore të stafit auditues janë Financier dhe Jurist. Për vetë natyrën dhe kompleksitetin në rritje të aktiviteteve nën auditim, të cilat kërkojnë interpretim financiar dhe ligjor, kërkesa për këto dy profesione do të vijojë të mbetet prioritare. Barazia Gjinore dhe ulja e moshës mesatare të punonjësve janë drejtime të politikës së burimeve njerëzore, treguesit e të cilave janë përmirësuar. Për vitin 2017, raporti femra/meshkuj është 40 % me 60%, nga 33 % me 67% që ishte në vitin 2011, duke patur si objektiv që për dy vjet të arrihet në raportin 50% me 50%. Ndërsa mosha mesatare në KLSH në fund të vitit 2017 është 42.9 vjeç, nga 50 vjeç në vitin 2011. Objektivi për dy vitet e ardhëshme është të realizohet barazia gjinore 50% me 50%, si dhe mosha mesatare 40 vjeç.
KLSH ka zbatuar politika efektive të menaxhimit dhe rekrutimit të burimeve njerëzore, bazuar në tre parimet bazë: i)vlerësimi i profesionalizmit, ii) i transparencës dhe iii) konkurimi i hapur dhe mundësia e pjesëmarrjes për të gjithë të interesuarit.
Politikat e rekrutimit të punonjësve janë aplikuar në një linjë me strategjinë e zhvillimit dhe menaxhimit të burimeve njerëzore, me qëllim që KLSH të sigurojë stafin e duhur me kualifikimet, aftësitë dhe përvojën e nevojshme për të plotësuar kërkesat e tanishme dhe të perspektivës. Si një proces shumë i rëndësishëm për performancën e institucionit, rekrutimi është realizuar sipas të gjitha procedurave, rregullave dhe dispozitave ligjore në fuqi mbi nëpunësit civilë. Gjatë vitit 2017, janë rekrutuar 22 punonjës, nga të cilët 1 drejtues me titullin “Profesor Doktor”, 2 drejtues me Diplomë Ndërkombëtare në Kontabilitet dhe Auditim dhe një auditues me titullin Doktor i Shkencave”.
8 Drejtues kanë titullin “Profesor” dhe “Profesor i Asocuar” dhe “Doktor i shkencave”,
19 Drejtues dhe auditues kanë një diplomë të dytë, nga të cilët 14 në Drejtësi dhe 5 në Financë, – 5 Drejtues dhe auditues kanë Diplomë/Çertifikatë Ndërkombëtare në Kontabilitet dhe Auditim (CIPFA) dhe Çertifikatë Ndërkombëtare në Auditim (CPA). Sistemi i Zhvillimit Profesional reflekton efektivitetin e politikave të rritjes së kapaciteteve profesionale të KLSH në vite, për të cilat treguesit e performancës përfaqësohen në nivele rreth 14 herë më të larta, krahasuar me vitin 2011, kur ky nivel ishte vetëm 2,1 ditë mesatare trajnimi për auditues, ndërsa në fund të vitit 2017 stafi auditues ka ndjekur mesatarisht 28.5 ditë trajnimi për çdo auditues. Kjo qasje mundëson që stafi të ketë akses në praktikat më të mira të fushës së auditimit në sektorin publik dhe të kontribuojë në zhvillimin institucional të qëndrueshëm, të pavarur dhe shembull i profesionalizmit, integritetit dhe etikës. Është synuar sinergjizimi i punës ndërmjet audituesve, mbi moton “Të bashkuar në ambicie dhe vendosmëri”.
Përmbajtja dhe formati i trajnimeve ka konsideruar nevojën e audituesve për trajnime të një niveli të lartë, që të harmonizojnë më së miri dijet teorike me njohuritë praktike, si dhe qasje efektive interaktive. Për të maksimizuar cilësinë dhe diversitetin e njohurive në procesin e trajnimit, KLSH ka synuar diversifikimin e burimeve të trajnimit, duke gërshetuar kapacitetet e brendshme me ato të huaja të ekspertizës, si dhe qasjen në disa komponentë të tematikës së trajnimit. Si objekt parësor është trajnimi i njëkohshëm, në drejtim të zhvillimit metodologjik dhe të përditësimit të njohurive në fushën e ligjeve dhe kuadrit rregullator të subjekteve që auditohen.
10 Auditues të KLSH-së kanë përftuar trajnime, nëpërmjet intershipeve me afat 5 mujor nga Gjykata Europiane e Audituesve (ECA) dhe 5 drejtues e auditues, përmes felloëship-eve me afat 4-mujor nga Zyra e Auditimit Qeveritar të SHBA-së, GAO.
Politika e ndërthurjes së auditimeve me strukturimin e trajnimeve është vlerësuar edhe nga Drejtoresha e Qendrës për Ekselencë në Auditim të GAO-s, znj. St.Laurent e cila cilëson se: “Vlerësoj fleksibilitetin e KLSH-së në përcaktimin e numrit dhe llojeve të auditimeve që do të realizohen, e cila është esenciale për veprimtarinë e një Institucioni Suprem Auditimi. Një indikator i rëndësishëm për rritjen e kapaciteteve audituese është programi i trajnimeve. Në këtë fushë, KLSH ka krijuar një traditë solide, për të cilën GAO jep kontributin e saj përmes felloëship-eve për audituesit shqiptarë” (nga fjala gjatë vizitës së saj në KLSH, më 23-24 mars 2017).
“Komunikimi dhe menaxhimi i palëve të interesit”
Komunikimi dhe menaxhimi i palëve të tjera
Komunikimi dhe menaxhimi i palëve të interesit, është vlerësuar në përputhje me kërkesat e ISSAI-t 12. KLSH ka përdorur të gjitha instrumentet e rekomanduara nga praktikat më të mira, me qëllim që të rriten njohuritë e palëve të interesit dhe që ata të kuptojnë rolin dhe përgjegjësinë e audituesit të pavarur të sektorit publik. KLSH, jo vetëm ka identifikuar palët e interesit, por ka zhvilluar strategji komunikimi me ta, duke përsosur kanalet e komunikimit dhe menaxhimit për të përfshirë të gjithë këto palë interesi. Duke marrë mësime nga homologët tanë, komunikimi është konsideruar një instrument i rëndësishëm për të rritur besimin e qytetarëve, sepse ne do të njihemi për punën tonë vetëm nëse arrijmë të komunikojmë tek qytetarët në mënyrë të qartë atë se çfarë ne bëjmë dhe po ashtu, vlerën e shtuar të gjeneruar nga auditimet tona për Shtetin dhe shoqërinë, në mënyrë që të përceptohemi si institucione strategjike të domosdoshme për interesat e qytetarëve.
Strategjia e Komunikimit
Politika e komunikimit është jetike për rolin dhe përmbushjen e misionit të KLSH-së, po ashtu dhe dobishmëria e saj në funksion të maksimizimit të vlerës së raporteve të auditimit, si dhe zbatimit të rekomandimeve. Më 31 korrik të vitit 2017, me Vendim të Kryetarit të KLSH, institucioni ka hartuar dhe miratuar “Strategjinë e Komunikimit të KLSH-së për periudhën 2017-2019”, duke plotësuar në këtë mënyrë edhe objektin që ka pasur si institucion, në kuadër të Planit Kombëtar të Integrimit Europian. Strategjia e Komunikimit është vlerësuar me 3 nga 4 pikë të mundshme.
Moto e INTOSAI-t “Nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë” (Experentia mutua omnibus prodest), përbën thelbin mbi të cilin KLSH ka ndërtuar dhe implementuar Strategjinë për Zhvillim gjatë viteve 2012-2017, por dhe filozofinë e këtij dokumenti strategjik për periudhën 2018-2022. Përdorimi i instrumenteve të përshtatshme në realizimin e një mjedisi bashkëpunues me të gjitha palët dhe ruajtja e pavarësisë së auditimit, janë parakushtet për krijimin e marrëdhënieve të bashkëpunimit korrekte dhe profesionale.
Komunikimi me Parlamentin
Praktika e mirë në komunikimin me Parlamentin, është vlerësuar me 3 pikë nga 4 të mundshme. Aspekti që ka nevojë për përmirësim është në përputhje me rekomandimet e dala nga dokumente vlerësuese të SIGMA-s dhe Bankës Botërore/PEFA-s, ku kërkohet që KLSH të theksojë edhe më tej kërkesën për organizimin e dëgjesave publike, në mënyrë të veçantë atyre të Komisioneve Parlamentare me njësitë e audituara. Kjo, me qëllim ndjekjen e zbatimit të rekomandimeve dhe rritjen e impaktit të raporteve të KLSH. Ndërgjegjësimi i anëtarëve të Kuvendit për përfitimet që i sjell Shtetit dhe shoqërisë një auditim efektiv publik dhe rolin e ndërsjelltë të legjislativit në rritjen e impaktit për shtimin e vlerës së auditimeve të KLSH-së, duhet të qëndrojë në themel të përpjekjeve për të siguruar një ambient të jashtëm mbështetës dhe të dobishëm.
Vullneti për thellimin e bashkëpunimit ka qenë reciprok, pasi edhe Kuvendi ka treguar një vëmendje të veçantë ndaj Kontrollit të Lartë të Shtetit. Në Tetor të vitit 2016, Kuvendi përmes Rezolutës mbi performancën e KLSH-së, rekomandoi 14 përmirësime, për të cilat KLSH ndërtoi Planin e Implementimit që ia përcolli Komistionit të Ekonomisë dhe Financës. Kontributi i këtij Komisioni, Kryetarit të saj, Sekretarit dhe Kryetarit të Kuvendit ka qenë thelbësor në shtimin e komunikimit. Nga një praktikë e trashëguar raportimi vetëm me dy herë në Kuvend, raport buxheti dhe raportim performance, është intensifikuar komunikimi përmes dërgimit të raporteve të ndryshme të auditimit, apo përmbledhjeve dhe shkresave informuese. Kështu, Kontrolli i Lartë i Shtetit i ka dërguar Kuvendit raporte me ndjeshmëri të lartë publike.
Komisioni Europian ka adresuar, gjithashtu, në shtator 2017 rekomandimin “Shqipëria duhet të përmirësojë implementimin e rekomandimeve të Auditimit të Jashtëm. KLSH duhet të informojë Komisionin e Ekonomisë brenda tremujorit të dytë të vitit 2018 mbi marrjen e masave për monitorimin e pranimit dhe implementimit të rekomandimeve adresuar nga KLSH për vitin 2017”. Në zbatim të këtij rekomandimi, KLSH ka hartuar planin e aktivitetit auditues për zbatimin e rekomandimeve për periudhën vijuese të gjashtëmujorit të parë të vitit 2017.
Praktika e mirë në komunikimin me Ekzekutivin, është vlerësuar me 3 pikë nga 4 të mundshme. Në zbatim të praktikave më të mira të INTOSAI-t, KLSH do të ftojë në mënyrë periodike anëtarët e nivelit të lartë të Ekzekutivit në takime për të diskutuar çështje shqetësuese në lidhje me të dyja institucionet, duke përfshirë gjetjet e përbashkëta, trendet dhe origjinën e shkakut që ka identifikuar, nëpërmjet analizës së raporteve të auditimit
Mbi vlerësimin e dimensionit të marrëdhënieve të KLSH-së më median vlerësimi është 3 nga 4, duke identifikuar se duhet të organizohen konferenca për shtyp për raportin e tij vjetor dhe duke përfshirë, sipas rastit, raporte të tjera të rëndësishme dhe raporte të auditimit të performancës, në përmbushje të kërkesave të Udhëzimit të INTOSAI-t “Komunikimi dhe Promovimi i Vlerave dhe Përfitimeve të SAI-ve”.
Në fund të vitit 2017, institucioni ka qenë i pranishëm me rreth 100 kronika më shumë se viti 2016, si dhe disa herë më shumë me informacione dhe mesazhe në median e shkruar duke gjashtëfishuar praninë e tij në mediat audiovizive, krahasuar me vitin 2010. Ai është prezantuar në median e shkruar me 840 artikuj, njoftime, editoriale dhe komente analitike, kundrejt pothuajse zero gjatë viteve 2010-2011.
Dimensioni mbi Praktika e mirë në lidhje me Komunikimin me Qytetarët dhe Organizatat e Shoqërisë Civile, dëshmon se KLSH synon dhe përpiqet ta konsiderojë veten si zëri përfaqësues i interesave të qytetarit dhe i publikut. Statistikat tregojnë se nga një numër i papërfillshëm i letrave (ankesa, kërkesa, informacione, etj) të qytetarëve që institucioni merrte dhe trajtonte në vitin 2011, gjatë viteve 2012-2017, letrat dhe kërkesat nga qytetarët janë rritur jo vetëm në numër, por ajo që është më e rëndësishmja dhe që përbën dallimin cilësor, konsiston në faktin se në çdo rast, qytetarët kanë marrë përgjigje për problemet dhe shqetësimet e ngritura. Vetëm për vitin 2017, KLSH ka trajtuar 623 letra dhe ankesa të qytetarëve, nga të cilat 377 janë konstatuar në kompetencë, ku 204 prej tyre janë verifikuar dhe kanë marrë përgjigje, ndërsa 173 janë në proces verifikimi. Për këtë arsye, vlerësimi i këtij dimensioni rezultoi maksimal, 4 pikë.
Procesi i zhvillimit dhe modernizimit të institucionit nuk mund të realizohej me efiçiencën e duhur, nëse nuk do të mundësohej nga bashkëpunimi i ngushte me partneret tanë ndërkombëtarë, dhe sidomos, pa kontributin e NIK-ut Polak, nëpërmjet projektit të binjakëzimit të financuar nga projekti i BE-së IPA 2013. Projekti i binjakëzimit “Forcimi i kapaciteteve të auditimit te jashtëm”, i cili nisi të implementohej në KLSH në mars të vitit 2016, ka vijuar të zbatohet në mënyrë të suksesshme edhe gjate vitit 2017. Projekti është i ndarë në tre komponentë:
Përmirësimi i kornizës ligjore për auditimin;
Zhvillimi i metodologjive të auditimit dhe kapaciteteve të raportimit, dhe
Forcimi i kapaciteteve institucionale dhe përmirësimi i impaktit të rezultateve të auditimit.
Në përfundim, edhe dy fjalë për strategjinë 2018-2022, timonin e zhvillimit institucional:
Në mënyrë që të identifikonim qartë objektivat tona strategjike përpara hartimit të strategjisë, aplikuam analizën SËOT për të listuar faktorët pro dhe kundra aktivitetit tonë auditues. Faktorët që përfaqësojnë sfida apo risqe kyçe në performancën institucionale janë:
Rritja e kapaciteteve njerëzore, si në numër, ashtu edhe në cilësi. Në numër për të mbuluar me auditim problematikat që ofron realiteti shqiptar dhe në cilësi për të aplikuar siç duhet standartet dhe manualet, audituar me bazë riskun, rritur ndikimin e raporteve audituese, të garantuara cilësisht, tek palët e interesit dhe forcuar implementimin e rekomandimeve tek subjektet.
Organizim më i mirë i punës, për të harmonizuar planifikimin dhe ekzekutimin e auditimeve me detyrat e tjera funksionale (trajnime, botime, pjesëmarrje në konferenca, seminare, ëorkshop-e)
Në reflektim të këtyre risqeve kyç, objektivat tona prioritare për 2018-2022 u formuluan si:
Rritja e impaktit të punës audituese me fokus në 6E-të (ekonomicitet, eficiensë, efektivitet, energji, etikë dhe environment);
Optimizimi i kapaciteteve profesionale, aftësive audituese, procedurave të punës, logjistikës dhe funksioneve të tjera mbështetëse.
Vazhdim i përmirësimit të kanaleve të komunikimit dhe bashkëpunimit me partnerët dhe palët e interesit.
Sigurisht, brumi i aktivitetit tonë duhet të vijë nga objektivi 1 dhe nëse do të donim të përcaktonim objektivin tonë madhor do të ishte pikërisht ky. Por sikurse brumi nuk mund të bëhet bukë e mirë nëse mielli është jocilësor apo furra nuk funksionon, dy objektivat e tjerë janë po aq të rëndësishëm për të rezultuar të suksesshëm.
Vetë objektivi 1 zbërthehet në një sërë objektivash, secili i rëndësishëm dhe bashkarisht shterrues. Në to adresohen të gjitha problematikat e konstatuara dhe të pakorrektuara plotësisht në planin strategjik 2013-2017, sikurse edhe sfidat e reja që ofron e ardhmja, duke dëshmuar kështu se plani i ri është në fakt një vazhdimësi e natyrshme, e përditësuar e planit të mëparshëm.
E njëjta gjë ndodh edhe me objektivat e tjerë, secili i zbërthyer dhe i detajuar në disa fusha, me dimensionet dhe parametrat përkatës të arritjes dhe kontrollit.
Në formulimin e këtyre objektivave, motoja apo qëllimi parësor, është: “Rritja e KLSH-së në dobi të qytetarit”, duke qenë të bashkuar në ambicie dhe vendosmëri me të gjithë bashkëpunëtorët tanë strategjikë.
Në këtë Strategji, KLSH është e angazhuar maksimalisht edhe për plotësimin e objektivave të OKB-së në Axhendën e saj 2030 të Zhvillimit të Qëndrueshëm.
Të nderuar deputetë,
Në tërësi, zbatimi i kornizës së matjes së performancës së institucionit, nga pikëpamja metodike, e krahasueshme me atë të partnerëve tanë të komunitetit të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, na inkurajon për t’u ballafaquar me sfidat e së ardhmes, si dhe përcakton aspektet që kërkojnë përmirësim të mëtejshëm, sipas standardeve të INTOSAI-t dhe praktikave më të mira ndërkombëtare.
Puna për rritjen e impaktit të veprimtarisë audituese për një qeverisje më të mirë dhe efiçiente të pasurisë publike, kërkon zhvillimin shumë dimensional të institucionit. Vetëm nëpërmjet një partneriteti aktiv me Ju, të zgjedhurit e popullit, me Ekzekutivin, me shoqërinë civile, me partnerët ndërkombëtarë dhe me median, do të arrijmë të jemi rezultativë dhe të suksesshëm, ndaj sfidave të zhvillimit të qëndrueshëm dhe proceseve të integrimit evropian.
Ju faleminderit!