Dje, në fjalën në Asamblenë e Partisë Socialiste, Rama, kryetari i sektit qeverisës dhe i ashtuquajturi “Lider Global”,ia kaloi edhe diktatorit Enver Hoxha në plenumet e KQ të Partisë së Punës, nënës së PS.
Rama, njëlloj si Pons Pilati, lau duart me korrupsionin qeveritar në këto 10 vite dhe mohoi përgjegjësinë individuale të vetën.
“Harroi” që motoja që përgjegjësia është individuale për zyrtarët e lartë të qeverise si për çdo nëpunës publik, nuk përjashton përgjegjësinë politike, administrative dhe morale të kreut të qeverisë. Dhe përgjegjësia politike, administrative dhe morale e kryetarit të sektit Rama në qeverisje është e rëndë në çdo këndvështrim.Për përgjegjësi shumë më pak të rënda, kryeministra të një numri vendesh të qytetëruara dhe të zhvilluara kanë dhënë dorëheqjen në situata të ngjashme.
Më 8 prill 1977, Kryeministri i Izraelit Yitzhak Rabin jep dorëheqjen, pas akuzave për korrupsion në kabinetin e tij. Më 9 prill 2005, jep dorëheqjen Stanislav Gross, Kryeministër i Republikës së Çekisë, pas akuzave të përfshirjes së anëtarëve të kabinetit të tij në korrupsion, lidhur me privatizimin e kompanisë Unipetrol. Më 7 prill 2016, Kryeministri i Islandës Sigmundur Davíd Gunnlaugsson jep dorëheqjen, pas shpërthimit të skandalit “Panama Papers” dhe publikimit të llogarive bankare në Panama të një anëtari të kabinetit të vet. Më 15 mars 2018, jep doreheqjen Robert Fico, Kryeministër i Sllovakisë, për shkak të skandalit të lidhjeve të mundshme midis zyrtarëve të qeverisë së tij me një sindikatë italiane të krimit të organizuar. Më 9 tetor 2021, jep dorëheqjen Kancelari i Austrisë Sebastian Kurz, pas fillimit të hetimit për korrupsion të ministrit të Financave të kabinetit të tij. Më 7 maj 2023 jep dorëheqjen Kryeministri i Sllovakisë Ewduard Heger, pas akuzave për korrupsion të një anëtari të kabinetit.
Korrupsioni që tek ne në Shqipëri është sa kapilar, aq edhe endemik, sipas përcaktimeve të Departamentit Amerikan të Shtetit, përfaqëson në rradhë të parë përgjegjësi në politika dhe aksione veprimi të kreut të ekzekutivit.
Kryeministri , njëherazi dhe padrinoja i sektit arrogant dhe gllabërues Rama në qeverisje, përfaqëson arkitektin e korrupsionit galopant dhe shkatërrimit të shtetit të së drejtës në Shqipëri.
Do të ishte për t’u përshëndetur, nëse qeveria, me strukturat e veta antikorrupsion, të dërgonte dosje apo denoncime në SPAK. Kjo nuk ka ndodhur as edhe për një rast të vetëm! Vetëm ky fakt hedh dritë të plotë në situatën ku strumbullari i të gjithë korrupsionit elitar, endemik dhe kapilar në Shqipëri, është vetë “Lideri Global” Rama. Kryetari i sektit qeverises nuk e njeh dhe kurrë nuk do ta njohë institucionin e llogaridhënies dhe dorëheqjes, për shkak të përgjegjësive të rënda në motivimin, gjenerimin dhe fshehjen e korrupsionit në administratën publike, gangrenën dhe kancerin e shoqërisë shqiptare.
Fjalimi i djeshëm i Ramës dhe gjithë propaganda gëbelsiane e prodhuar në këto vite nuk e mbulon dot Ramën si arkitekt të korrupsionit qeveritar.
Botuar në Gazeta Sot më 6 Shtator 2023