Autori: Daniel Tilles, As. Prof. ne Histori, Universiteti i Krakov ne Poloni.
Gati dy muaj pas fitores së shumicës parlamentare në zgjedhjet e tetorit 2023, një koalicion i tre grupimeve politike: Koalicioni Qytetar Qendror (KO), qendra e djathte Vija e Tretë (Trzecia Droga) dhe E Majta (Lewica), ka formuar një qeveri të re, duke zëvendësuar partinë konservatore kombëtare Ligji dhe Drejtësia (PiS), që ka qeverisur Poloninë që nga viti 2015.
Më 13 dhjetor, kabineti i ri u betua zyrtarisht përpara Presidentit Andrzej Duda.
Ministrat e rinj përfaqësojnë disa parti nga tre blloqet kryesore: KO ka 14 ministra, të cilët vijnë nga Platforma Qytetare (PO), Moderne (Nowoczesna) dhe Iniciativa Polake (Inicjatywa Polska); Vija e Tretë ka shtatë ministra të ndarë midis Partisë Popullore Polake (PSL) dhe Polonia 2050 (Polska 2050) dhe E Majta e Re (Nowa Lewica), e cila është pjesë e së majtës në Poloni, ka katër ministra.
Donald Tusk, 66 vjeç, kryeministër (PO/KO)
Tusk është ish-President i Këshillit të Evropës. Rikthimi i tij si kryeministër do të mirëpritet në Bruksel dhe kryeqytetet e tjera të rëndësishme të Bashkimit Evropian, duke sjellë përfundimin e tetë viteve të marrëdhëniesh të ftohta me qeverinë e partisë konservatore kombëtare Ligji dhe Drejtësia (PiS).
Tusk pa dyshim do t’i përmirësojë këto marrëdhënie, duke kërkuar kompromis aty ku më më parë gjenerohej konfrontim. Tusk do të synojë të zhbëjë reformën gjyqësore, e cila solli shpesh përplasje ndërmjet Brukselit dhe Varshavës.
Megjithatë, ai nuk do të jetë lehtësisht i influencueshêm. Polonia sot është një vend tjetër në krahasim me atë që Tusk drejtoi më parë në vitet 2007-2014. Vjen më e fortë, më e pasur, më besimplotë. Roli i saj është bërë edhe më i rëndësishëm, që nga shpërthimi i luftës në Ukrainë.
Tusk mund të jetë një eurofil, por ai gjithashtu do të përfaqësojë skepticizmin polak, në çështje si integrimi më i thellë në BE, të cilin ai e quajti së fundmi “euro-entuziazëm naiv”.
Për më tepër, ai dhe koalicioni i partive që drejton do të ballafaqohen me tre fushata të tjera zgjedhore brenda 18 muajve të ardhshëm: zgjedhjet vendore dhe evropiane vitin e ardhshëm dhe zgjedhjet presidenciale në vitin 2025. Tusk vetë mund të kërkojë të kandidojë për t’u bërë President. Prandaj, do të jetë thelbësore për të që të shihet duke u ngritur në mbrojtje të interesave të Polonisë në arenën ndërkombëtare.
Ai nuk ka shumë gjasa të ketë një periudhë “muaj mjalti” me publikun polak. Sondazhet e opinionit publik kanë treguar herë pas here pak entuziazëm për të personalisht, duke përfshirë një sondazh të kësaj javë që zbuloi se vetëm 10% e polakëve mendojnë se ai do të jetë një kryeministër “i përkryer”, ndërsa 30% besojnë se ai do të jetë “tmerrësisht i keq”.
Tusk gjithashtu do të ballafaqohet me vështirësi në ruajtjen e unitetit, në një koalicion shumë të diversifikuar që ai drejton, duke përfshirë nga e majta shumë liberalë socialë, deri tek e djathta konservatore qendrore.
Władysław Kosiniak-Kamysz, 42 vjeç, zëvëndës kryeministër dhe Ministër i Mbrojtjes (PSL/Vija e Tretë)
Edhe pse është relativisht i ri, duket sikur Kosiniak-Kamysz ka qenë në qeverisje gjithmonë. Ai është veteran i qeverisë së mëparshme të Tusk, duke u bërë Ministër i Punës në vitin 2011, kur ishte vetëm 30 vjeç. Katër vite më vonë, u bë kryetar i Partisë Popullore Polake(PSL), një pozicion që e ka mbajtur që atëherë, edhe pse ka pasuar disa rezultate të pakënaqshme zgjedhore.
Kosiniak-Kamysz ka përparuar pjesërisht, duke pasur mirëkuptim me të gjithë. Në fakt, edhe kryeministri i mëparshëm i PiS, Mateusz Morawiecki, në një përpjekje të dëshpëruar për të mbajtur partinë në pushtet – sugjeroi muajin e kaluar se do ishte i gatshëm të shërbejë në një qeveri drejtuar nga kryetari i PSL.
Megjithatë, roli i tij i ri në Ministrinë e Mbrojtjes do të kërkojë disa vendime të vështira. PiS po bën shpenzime ushtarake të jashtëzakonshme, të cilat kanë nisur para invazionit të Rusisë në Ukrainë dhe janë
përshpejtuar më pas. Kjo ka rritur shpenzimet për mbrojtjen këtë vit në 4% të GDP, nivelin më të lartë në NATO.
Opozita shpesh ka shprehur shqetësim për mënyrën se si disa prej këtyre parave po shpenzohen, megjithëse ka qëndruar e kujdesshme për të mos e vënë në pikëpyetje idenë se Polonia duhet të forcojë mbrojtjen e saj. Kosiniak-Kamysz mund të përballet me presion nga pjesë të tjera të qeverisë së re, për të pakësuar disa nga këto shpenzime, megjithatë një lëvizje e tillë mund të jetë një avantazh politik për PiS.
Krzysztof Gawkowski, 42 vjeç, zëvëndës kryeministër dhe Ministër i Marrëdhënieve Digjitale (E Majta e Re/E Majta)
Roli i dytë i zëvendëskryeministrit i është dhënë së Majtës, për të shpërblyer një të tretën e tre grupeve që formojnë koalicionin. Gawkowski ka shërbyer si kryetar i grupit parlamentar të së Majtës që nga viti 2019, por nuk është një figurë veçanërisht e shquar. Nuk ka gjasa që Gawkowski do të jetë shumë i dallueshëm në qeverinë e re, duke pasur parasysh se do të drejtojë një nga ministritë më pak të rëndësishme.
Radosław Sikorski, 60 vjeç, Ministër i Jashtëm (PO/KO)
Në vitet e fundit, PiS ka emëruar figura me profil të ulët si ministra të punëve të jashtme, me politikën e jashtme shpesh të drejtuar efektivisht nga zyra e kryeministrit ose selia e partisë.
Por Sikorski është një figurë vërtet e rëndësishme, me përvojë dhe lidhje të mira, i cili ka përfunduar studimet në Oxford. Ai shërbeu në të njëjtën rol për shtatë vjet në qeverinë e fundit të Tusk dhe si ministër i mbrojtjes gjatë një qeverie të drejtuar nga PiS në vitet 2005-2007, edhe pse tani është një kundërshtar i zjarrtë i ish-partisë së tij. Si Tusk, edhe Sikorski pa dyshim do të rimarrë dhe zgjerojë marrëdhëniet me partnerët evropianë të Polonisë.
Sikorski do të ketë sfidë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara, pasi PiS zhvilloi lidhje të ngushta me Uashingtonin, nën udhëheqjen e Trump dhe Biden, ndërsa në vitin 2014, u bënë publike regjistrime sekrete të Sikorskit, atëherë ministër i punëve të jashtme, duke thënë se “aleanca polako-amerikane është e pavlerë” dhe në të vërtetë “e dëmshme, sepse i jep Polonisë një ndjenjë të rreme të sigurisë”.
Vitin e kaluar, ai u kritikua gjerësisht për një mesazh në Twitter, në të cilin sugjeroi se SHBA ishte përgjegjëse për shpërthimin e gazsjellësit Nord Stream. Një printim i postimit të tij përfundoi duke u paraqitur në Kombet e Bashkuara nga ambasadori i Rusisë.
Marrëdhëniet me SHBA-të pritet të mbeten miqësore nën administratën Biden. Por një rikthim i mundshëm i Trump në Shtëpinë e Bardhë në vitin 2025, mund të shkaktojë tensione, duke marrë parasysh se qeveria e re polake, në kundërshtim me pararendësen e saj të djathtë populiste, nuk është në të njëjtën vijë ideologjike me Republikanët në SHBA.
Adam Bodnar, 46 vjeç, Ministër i Drejtësisë (Senator jopartisan, i zgjedhur si kandidat i KO)
Bodnar shërbeu si komisioner për të drejtat e njeriut të Polonisë nga viti 2015 deri në vitin 2021, një rol që e bëri të shquhej, sidomos për konfliktet e shpeshta me PiS gjatë kësaj kohe. Si një shkencëtar ligjor, Bodnar shpesh konfrontohej me qeverinë e mëparshme, në lidhje me sundimin e ligjit.
Megjithatë, si politikan, Bodnar është i ri. Kur u zgjodh me sukses për Senatin në tetor, ishte hera e parë që ai kishte qenë kandidat në zgjedhje. Ai do të ketë pak kohë për t’u përshtatur, pasi i është dhënë ndoshta detyra më e vështirë në qeverinë e re.
Qeveria e re ka premtuar të kthejë brapsht shumicën e aspekteve të reformës gjyqësore të ndërmarrë nga PiS. Por të shkulësh tetë vjetët e reformave komplekse, do të jetë e vështirë, jo vetëm teknikisht. Si, për shembull, të merret me mbi 2,000 gjyqtarët të emëruar nga Këshilli Kombëtar i Drejtësisë të reformuar ilegalisht dhe dhjetëra mijëra vendimet që ata kanë dhënë.
Do të jetë e vështirë edhe politikisht, pasi Presidenti Duda mund të vetojë çdo ligj të miratuar nga Parlamenti i ri, ndërsa shumica vazhdueshme (ligjërisht e emëruar) e gjyqtarëve të nominuar nga PiS në Gjykatën Kushtetuese, mundet gjithashtu t’i kthejë ligjet.
Vendimi për të vënë ministrinë e drejtësisë në duart e një figure relativisht jo-politike sugjeron një qëllim për depolitizimin e gjykatave. Megjithatë, PiS do të argumentojë se kjo thjesht do të thotë rivendosjen e pushtetit mbi sistemin gjyqësor, në duart e gjyqtarëve që janë thelbësisht të prirur në favor të koalicionit të ri të pushtetit dhe kundër PiS.
Për më tepër, Tusk e bëri të qartë në fjalimin e tij të fundit në Parlament, se një pjesë e rolit të Bodnar do të jetë të mbajë përgjegjëse qeverinë e mëparshme të PiS, duke siguruar që “korrupsioni, abuzimi i pushtetit dhe shkatërrimi i institucioneve polake të mos shkojnë pa ndëshkuar”. Ky proces pritet të jetë shumë politik.
Andrzej Domański, 42 vjeç, Ministër i Financës (PO/KO)
Ministri i ri i financës është një tjetër person i ri në politikë, i cili nuk ka qenë përfshirë më parë në politikë. Domański, një ekonomist, nuk është një emër apo fytyrë e njohur për shumicën e polakëve. Në të vërtetë, në momentin e këtij shkrimi, ai nuk ka asnjë shënim në Wikipedia.
Por ai është parë si një figurë kyçe në fushatën e zgjedhjeve të KO këtë vit, duke qenë autor i programit ekonomik të partisë. Vetë ai kandidoi në zgjedhje me sloganin: “Andrzej Domański – njeriu i ekonomisë”.
Domański do të ballafaqohet me një veprimtari balancimi të vështirë në rolin e tij të ri. Ndërsa PO ishte tradicionalisht një parti mjaft e lirë në treg, popullariteti dhe suksesi i politikave të shpenzimeve sociale të PiS i ka detyruar pothuajse të gjitha partitë e tjera të premtojnë qe do t’i mbajnë këto politika.
Megjithatë, ka shqetësime se në kushte ekonomike më pak të favorshme, këto dhurata mund të jenë më të vështira për t’u përballuar, ndërsa qeveria e re ka edhe premtimet e veta për shpenzime shtesë. Kështu që Domański mund të përballet me presion nga pjesë të KO dhe gjithashtu nga partia Polonia 2050, e cila është ekonomikisht liberale, për të frenuar shpenzimet sociale.
Barbara Nowacka, 48 vjeç, Ministre e Edukimit (Iniciativa Polake/KO)
Në vitin 2020, PiS kombinoi detyrat për shkollat dhe universitetet në një ministri të vetme – e udhëhequr nga figura ultrakonservatore e Przemysław Czarnek. Mirëpo qeveria e re tani i ka ndarë përsëri.
Nën udhëheqjen e Nowacka, një luftëtare e drejtpërdrejtë për të drejtat e grave që më parë, e cila ishte e lidhur me të majtën, mund të pritet një ndryshim radikal në shumë aspekte të politikave arsimore.
Ndërsa PiS kufizoi edukatën seksuale dhe përpjekjet për të mbrojtur fëmijët nga e ashtuquajtura “ideologji LGBT”, Nowacka, e cila është një mbështetëse e njohur e të drejtave LGBT, do të kthejë këto politika dhe do të ndjekë një axhendë progresive.
Ministrja e re do të përballet me shumë nga sfidat e njëjta si PiS, në veçanti, me gjetjen e të ardhurave për të përmirësuar financimin e dobët të sistemit arsimor. Sidomos, për të paguar rritjen 30% të pagave të mësuesve, që Tusk ka premtuar ta realizoje në 100 ditët e para.
Izabela Leszczyna, 61 vjeç, Ministre e Shëndetsisë (PO/KO)
Leszczyna është një tjetër veterane e qeverisë së mëparshme të Tuskut, duke shërbyer si zëvendësministre e financës nga viti 2013-15.
Ajo është një zgjedhje e pazakontë për ministre të shëndetësisë, duke marrë parasysh se nga viti 2000 çdo person që ka mbajtur këtë rol në Poloni në bazë të qëndrueshme, ka qenë mjek i kualifikuar (ose në një rast ish-kreu i fondit shtetëror të shëndetësisë). Si para-ardhësit e saj, Leszczyna do të përballet me sfidat e vazhdueshme të drejtimit të një sistemi shëndetësor të varfër, me numër të pakët të personelit dhe shpesh të vjetrëuar, që polakët e shpallin vazhdimisht në sondazhe si një nga shqetësimet më të mëdha të tyre, por të cilin qeveritë e radhës nuk kanë arritur ta përmirësojnë në mënyrë të konsiderueshme.
Paulina Hennig-Kloska, 46 vjeç, Ministre e Klimës dhe Mjedisit (Poloni 2050/Vija e Tretë)
Ish-anëtare e parlamentit për partinë Modern, Hennig-Kloska ishte një nga anëtarët e parë të parlamentit që kaloi në vitin 2021 tek partia e re e formuar, Polonia 2050.
Ministria e saj tani pritet të ketë një rol shumë më të rëndësishëm, se sa në periudhën e PiS, një parti miqësore ndaj qymyrit, kur shpesh akuzohej se dëmton mjedisin, për shembull duke miratuar prerjen e drurëve në Pyllin e Białowieżës dhe duke dështuar në parandalimin e ndotjes së lumenjve.
Marrëveshja e koalicionit të qeverisë së re përmban zbatim të qartë të politikës kundër ndryshimeve të bëra nga njeriu në klimën dhe mjedisin, duke përfshirë nxitjen e burimeve të energjisë së rinovueshme. Ajo gjithashtu premton të përmirësojë mbrojtjen e mjedisit natyror të Polonisë, si lumenj dhe pyje.
Roli i Hennig-Kloska në këto plitika ka filluar keq, pasi koalicioni u detyrua javën e kaluar të tërhiqte ligjin që lehtësonte rregullat për ndërtimin e parqeve të erës, pas shqetësimeve se do të lejohej konfiskimi i tokave private, për të ndërtuar turbina. Koalicioni theksoi se kjo nuk ishte rasti, por deklaroi se do të rishihte projektligjin, para se ta risjellë në Parlament.
Episodi – i cili përfaqësonte krizën e parë të qeverisë para se të kishte marrë detyrën zyrtarisht – ishte një mësim paralajmërues se sa e vështirë do të jetë për një koalicion të ndryshuar, që përfshin shumë politikanë të rinj, që të qeverisë. Ai tregoi gjithashtu se si PiS do të luajë një rol si një opozitë e fortë ndaj qeverisë së re.
Bartłomiej Sienkiewicz, 62 vjeç, Ministër i Kulturës dhe Trashëgimisë Kombëtare (PO/KO)
Sienkiewicz çshtë një tjetër veteran i Tusk, që shërbeu si ministër i brendshëm në vitet 2013-14, kur ai ishte, si Sikorski, një tjetër “yll” i regjistrimeve sekrete që u bënë publike në vitin 2014.
Sienkiewicz nuk ka qenë i angazhuar më parë në fushën e kulturës, megjithëse është stër-stërnipi i një prej shkrimtarëve më të mëdhenj të Polonisë, Henryk Sienkiewicz. Një raport i ri në media sugjeroi se Sienkiewicz është thjesht një emërim afat-shkurtër nga Tusk, për të caktuar një aleat të besuar për të pastruar shpejt çështjet e lëna nga PiS, para se të kandidojë në zgjedhjet evropiane të vitit të ardhshëm.
Kjo do të përfshijë në veçanti mbikëqyrjen e “depolitizimit” të mediave publike, të cilat u bënë një zëdhënës i PiS gjatë tetë viteve të fundit. Megjithatë, duke pasur parasysh se transmetuesit shtetërorë të Polonisë gjithmonë në një farë mase kanë qenë në ndikim të partive që janë në pushtet, shumë do ta shohin këtë proces jo si depolitizim, por thjesht si një formë të re politizimi.
Borys Budka, 45 vjeç, Ministër i Aseteve Shtetërore (PO/KO)
Budka ishte një ndër figurat që drejtoi pa sukses PO gjatë viteve të mbingarkuara nga ndryshimet, në një moment kur Tusk u largua për në Bruksel, në vitin 2014, deri në kthimin triumfal të tij në vitin 2021. Pasi u tërhoq për t’i bërë vend Tusk-ut, Budka shërbeu si kryetar i grupit parlamentar të KO.
Pozita që ai po merr tani është e rëndësishme, duke marrë parasysh madhësinë dhe ndikimin e firmave shtetërore polake, duke qene se shumica prej tyre janë ndër kompanitë më të mëdha në vend. Gjithashtu, gjatë tetë viteve të fundit, pozitat menaxheriale në shumicën e këtyre firmave janë mbushur me emërime politike të lidhura me PiS dhe vetë firmat shpesh janë përdorur për të mbështetur axhendën e partisë në pushtet.
Në krye të listës së Budkës, do të jetë gjigandi i energjisë së shtetit, Orlen. Kompania është zhvilluar shpejt në vitet e fundit si pjesë e përpjekjeve të PiS për ta bërë atë një lojtar ndërkombëtar. Këtë vit, ajo u bë një nga 50 kompanitë më të mëdha në Evropë.
Por nën udhëheqjen e Drejtorit Ekzekutiv Daniel Obajtek, një ish-kryetar komune i një qyteti të vogël i lidhur me PiS, ajo ka qenë gjithashtu shumë pranë dhe e mbështetur nga partia në pushtet – duke përfshirë blerjen e dhjetëra gazetave lokale, që janë përdorur për të promovuar axhendën e qeverisë.
Përveç politikës, Budka do të përballet edhe me sfidën e mbikëqyrjes së sektorit të energjisë së shtetit, për të realizuar largimin e vështirë nga burimet e karburanteve fosile, veçanërisht qymyrit, dhe për të drejtuar vendit drejt një të ardhme më të gjelbër, një proces që ka nisur nën qeverinë e PiS.
Marzena Czarnecka, mosha e paditur, Ministre e Industrisë (jopartizane)
Një emër i befasishëm për të drejtuar një ministri krejt të re, Czarnecka ka një profil publik kaq të ulët, saqë as mosha e saj nuk e dihet. Një shkencëtare ligjore, që ka drejtuar departamentin e transformimit të energjisë në Universitetin e Katowicës – kryeqyteti i Silesias, zonës së qymyrit të Polonisë, ajo do të drejtojë një ministri të krijuar në të njëjtin qytet. Do të jetë i vetmi departament qeveritar jashtë kryeqytetit.
Së bashku me Hennig-Kloska dhe Budka, Czarnecka do të luajë një rol kyç në mbikëqyrjen e tranzicionit të Polonisë nga burimi fosil, qymyri, tek energjitë e gjelbra. Teksa vendosja e ministrit në një zonë gërmimi duket si një lëvizje simbolike e mençur, mbetet të shihet nëse një akademike – edhe pse nga vetë rajoni- është personi i duhur për të trajtuar sindikatat e fuqishme të minierave në Poloni.
Marcin Kierwiński, 47 vjeç, Ministër i Brendshëm (PO/KO)
Një militant i palëkundur i PO, Kierwiński ka shërbyer si sekretar i përgjithshëm i partisë që nga viti 2020. Një figurë publike jo shumë e shquar, ai do të shihet si një dorë e sigurt në ministrinë e brendshme.
Sikurse në fusha të tjera të qeverisjes, një nga detyrat e tij të para do të jetë të eliminojë ndikimin e PiS në uniformat polake, veçanërisht në polici, e cila u ka shërbyer interesave të partisë PiS në pushtet. Shefi kombëtar i policisë, Jarosław Szymczyk, i cili e kishte mbajtur këtë pozicion që nga viti 2016, vendosi të shkojë në pension, para ardhjes së qeverisë së re.
Tomasz Siemoniak, 56 vjeç, Koordinator i Sherbimeve të Mbrojtjes (PO/KO)
Një veteran i qeverisë së mëparshme të Tusk, në të cilën shërbeu si Ministër i Mbrojtjes nga viti 2011-2015, Siemoniak do të ngarkohet me mbikqyrjen e një fushe tjetër të qeverisë, e vlerësuar si e politizuar nga PiS.
Në veçanti, qeveria e mëparshme u akuzua për përdorimin e softuerit spiun Pegasus, për të vëzhguar figura opozitare, duke përfshirë menaxherin e fushatës së zgjedhjeve të vitit 2019 të KO. Koalicioni i ardhshëm ka premtuar se hetimi i këtyre pretendimeve do të jetë një nga prioritetet e tij.
Agnieszka Dziemianowicz-Bąk, 39 vjeçe, Ministër për Familjen, Punën dhe Politikat Sociale (E Majta e Re/E Majta)
Dziemianowicz-Bąk është një yll në rritje i së majtës polake, duke e afirmuar veten si një performuese mediatike e zellshme dhe efektive. Eksperte në fushën e arsimit – teza e saj e doktoratës kishte titullin Përgjithësim – Rezistencë – Përcaktim: një kritikë radikale e arsimit në mendimin shoqëror perëndimor bashkëkohor – dikur ishte parashikuar si kandidate për të drejtuar ministrinë e arsimit.
Sikurse me ministrat e tjerë të së Majtës, Dziemianowicz-Bąk, një mbështetëse e zëshme e të drejtave të grave dhe të LGBT, do të ndjekë një axhendë sociale progresive në rolin e saj të ri, të paktën në masën që elementët më konservatorë të koalicionit i lejojnë këto ndryshime.
Czesław Siekierski, 71 vjeç, Ministër i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural (PSL/Vija e Tretë)
Anëtari më i vjetër i qeverisë së re, Siekierski është një politikan veteran, i cili u zgjodh për herë të parë në parlament në vitin 1997. Megjithatë, përveç një periudhe si zv.ministër i bujqësisë në periudhën 2001-2003, ai nuk ka përvojë në qeveri.
Aktiv për një kohë të gjatë në bujqësi, ai do të ketë detyrën të rikthejë marrëdhëniet me fermerët, një grup që tradicionalisht ka qenë i mbështetur në PiS, por që ka konflikte me qeverinë në vitet e fundit, sidomos në lidhje me importet e grurit ukrainas.
Duke pasur parasysh qëndrimin më pro-BE të koalicionit të ri, balancimi i interesave të fermerëve polakë me kërkesat e partnerëve evropianë mund të jetë edhe më i vështirë për qeverinë e ardhshme, në krahasim me PiS, e cila ishte e kënaqur, për shembull, për të ndaluar në mënyrë të njëanshme importin e grurit ukrainas, në kundërshtim me rregullat e tregtisë së BE.
Adam Szłapka, 39 vjeç, Ministër i Marrëdhenieve me BE (Modern/KO)
Marrëdhëniet me BE-në do t’i besohen pjesërisht Szłapka-s, kryetarit të Partisë Moderne. Megjithatë, si një figurë e re dhe me profil relativisht të ulët, Szłapka nuk pritet të ketë një rol të madh në përcaktimin e politikës së jashtme, e cila do të jetë fusha e Tusk dhe Sikorski.
Dariusz Klimczak, 43 vjeç, Ministër i Infrastrukturës (PSL/Vija e Tretë)
Megjithëse është një tjetër njeri i partisë me një profil mjaft të ulët, Klimczak do të ketë shumë punë në dorë. PiS ka lançuar disa projekte të infrastrukturës në shkallë të gjerë, në veçanti një “mega aeroport” dhe qendër transporti në Poloninë qendrore, si dhe një port kontenjerësh në Shchecin.
Koalicioni i ardhshëm ka premtuar të rishikojë të gjitha këto plane investimesh dhe ka shprehur gjithashtu skepticizëm të gjatë, në veçanti për planet e mega aeroportit. Megjithatë, tërheqja nga projekte që janë në një fazë të avancuar – aeroporti ka tashmë projektin gati dhe nvestitorë ndërkombëtarë të përcaktuar-, mund të jetë e vështirë dhe gjithashtu do të shfrytëzohej politikisht nga PiS.
PiS ka argumentuar me kohë se opozita përfaqëson interesat gjermane, duke përfshirë dhe dëshirën e Berlin-it për të penguar zhvillimin ekonomik të Polonisë. Çdo vendim i qeverisë së re për të shbërë projekte të mëdha të infrastrukturës, do të prezantohet nga PiS si dëshmi e këtyre pretendimeve.
Sławomir Nitras, 50 vjeç, Ministër i Sportit dhe Turizmit (PO/KO)
Si një ushtar i besueshëm i PO, Nitras është një deputet me një shërbim të gjatë, por nuk ka përvojë ekzekutive. I është caktuar një nga ministritë e vogla, megjithatë mund të luajë një rol të shquar, nëse qeveria e re ndjek ofertën e nisur nga PiS këtë vit, për të organizuar Lojërat Olimpike Verore të vitit 2036 në Poloni. I njohur për qëndrimin e tij të luftarak dhe deklaratat kontroversiale, Nitras gjithashtu pritet të mbajë një profil relativisht të lartë.
Krzysztof Hetman, 49 vjeç, Ministër i Zhvillimit dhe Teknologjisë (PSL/Vija e Tretë)
Hetman ka shërbyer më parë si zv.ministër i zhvillimi rajonal nga viti 2007-2010, në qeverinë e mëparshme të Tusk. Një emër i vogël, ai pritet të ketë detyrën të implementojë politikat, në vend të krijimit të tyre.
Katarzyna Pełczyńska-Nałęcz, 53 vjeçe, Ministër i Fondeve dhe Politikave Rajonale (Poloni 2050/Vija e Tretë)
Një akademike dhe ish-kërkuese shkencore, Pełczyńska-Nałęcz shërbeu për një kohë të shkurtër si zv.ministre e jashtme në periudhën 2012-2014 dhe më pas si ambasadore e Polonisë në Rusi, nga viti 2014-2016. Ajo ishte një figurë e hershme që iu bashkua Szymon Hołownia, themelues dhe udhëheqës i partisë Polonia 2050, duke punuar në fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale në vitin 2020.
Një nga rolet kryesore të saj do të jetë ndihma në zhbllokimin dhe pastaj shpenzimin e fondeve të BE për Poloninë, të cilat ishin të ngurtësuara nën qeverinë e PiS, për shkak të shqetësimeve të Brukselit për sundimin e ligjit.
Dariusz Wieczorek, 58 vjeç, Ministër i Shkencave (E Majta e Re/E Majta)
Wieczorek, i cili ka shërbyer si deputet që nga viti 2019, është një figurë jo fort e njohur. Në fakt, që prej kohës kur doli lajmi se mund të bëhej ministër, shumica e raporteve në mediat polake janë përqendruar në faktin se ai ka qenë baterist në një grupin e rrokut heavy metal Vinders, që ishte aktiv në vitet 1980 dhe pastaj u riformua në vitin 2009.
Wieczorek nuk ka pjesëmarrje të mëparshme në shkencë ose arsim të lartë. Sikurse me Nowacka dhe sistemin shkollor, ai do të ketë detyrën të zhbëjë atë që qeveria e re e sheh si politizimin e universiteteve, nën qeverinë e PiS.
Katarzyna Kotula, 46 vjeçe, Ministre e Barazisë (E Majta e Re/E Majta)
Në këtë rol të sapo krijuar, Kotula – më parë talent tenisi ne fëmijëri si dhe mësuese anglishteje, e cila ka shërbyer në Parlament që nga viti 2019 – mund të pritet që, si ministra të tjerë nga E Majta, të ndjekë një axhendë sociale progresive.
Marzena Okła-Drewnowicz, 51 vjeçe, Ministre e Moshës së Tretë (PO/KO)
Një tjetër pozicion i ri i krijuar, që reflekton sfidat e rritura me të cilat Polonia përballet si një nga shoqëritë më të plakura në Europë. Okła-Drewnowicz është zëvendëskryetare e PO dhe ka shërbyer në Parlament që nga viti 2007, e përfshirë më së fundmi si zëvendëskryetare e Komitetit të Çështjeve të Pleqërisë, por që deri më tani nuk ka qenë një figurë e shquar.
Agnieszka Buczyńska, 37 vjeçe, Ministre per Shoqërinë Civile (Poloni 2050/Vija e Tretë)
Një tjetër ish-anëtare e stafit të fushatës presidenciale 2020 të Hołownia, karriera profesionale e mëparshme e Buczyńska ishte e përqendruar në sektorin e OJQ-ve. Ajo bëhet ministre, edhe pse është zgjedhur në Parlament për herë të parë në tetor 2023. Pozicioni i saj është një tjetër ministri e krijuar së fundmi dhe reflekton premtimin e qeverisë së re, për të përfshirë më tepër shoqërinë civile në procesin e vendimmarrjes.
Buczyńska ishte ndër ata që qëndronin në skenë me kryetarin e Gdańskut, Paweł Adamowicz, në vitin 2019 kur ai u sulmua për vdekje gjatë një koncerti bamirësie. Ajo më vonë i tha Gazeta Wyborcza-s se ky “makth” ishte një nga motivimet e saj për të hyrë në politikë dhe “kundërshtuar gjuhën e urrejtjes”.
Maciej Berek, 50 vjeç, Ministër pa portofol, me përgjegjësi per Mbikëqyrje Legjislative (jopartizan)
Berek ishte kryetar i Qendrës për Ligjin Qeveritar dhe sekretar i kabinetit gjatë gjithë kohës kur Tusk ishte kryeministër, para se të punonte si studjues ligjor, gjatë viteve të pasuara të sundimit të PiS. Roli i Berekut do të jetë të sigurojë “pastërti dhe transparencë në procesin legjislativ”, thotë Tusk.
Jan Grabiec, 51 vjeç, Ministër pa portofol dhe kryetar i Kancelarisë se Kryeministrit (PO/KO)
Një tjetër njeri i besueshëm i partisë, Grabiec ka qenë zëdhënësi i PO që nga viti 2016. Si një anë të veçantë e politikës polake, kreu i kabinetit të kryeministrit gjithashtu mbart rang ministri.
Burimi: https://notesfrompoland.com/2023/12/13/whos-who-in-polands-new-government/