INSTAT dhe Censi 2023 nën thundrën e sektit Rama

  • Institucioni ka nisur të humbasë keq emrin e tij të mirë!
    Instituti Kombëtar i Statistikave(INSTAT) është një hallkë themelore dhe e pazëvendësueshme e sistemit tonë kombëtar të statistikave, të përbëre nga vetë INSTAT, Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
    Vlerësoj kontributin e INSTAT ndër vite. Ky institucion ka njohur zhvillim të konsiderueshëm profesional dhe ka provuar të luajë një rol në rritje në vendim-marrjen ekonomikë të vendit, si në sektorin publik dhe atë privat, përmes produkteve periodike dhe serive të tij statistikore. INSTAT ka bërë përpjekje të gjenerojë informacion objektiv dhe të plotë sa të jetë e mundur më shumë, falë drejtuesve të tij ndër vite dhe deri tek drejtuesja aktuale.
    Institucioni ka punuar për hapjen dhe pastaj mbylljen sa më shpejt, të bisedimeve për Kapitullin 18 “Statistikat” të Marrëveshjes së Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Evropian, për të realizuar përafrimin maksimal dhe njehsimin e produktit tonë statistikor me standardet e statistikave të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian dhe me treguesit e EUROSTAT.
    Një nga detyrat themelore të INSTAT është numërimi i popullsisë aktuale, i quajtur teknikisht Censi, për të mirëorientuar politikat e përfaqësimit në politikëbërje në Kuvend, ato të mbështetjes sociale dhe të nxitjes së punësimit, të ndalimit të hemorragjisë së largimit nga vendi, etj..
    Më 18 shtator 2023, më në fund, pas tre vitesh vonesë, INSTAT nisi censin e popullsisë dhe banesave. Në 6 javë, deri në fund të tetorit 2023, 16.5 milionë euro të taksapaguesve shqiptarë u përdorën për të realizuar dhjetra mijëra intervista në shtëpitë e qytetarëve në mbarë vendin.
    Përgjigjet u morën nga 7 mijë e 500 intervistues të angazhuar nga INSTAT, të pajisur me tabletat dhe programin kompjuterik të duhur, për të rregjistruar në mënyrë elektronike të gjitha përgjigjet. Pyetësori me 100 pyetje synoi të ofronte të dhëna sa më të plota për popullsinë rezidente, për karakteristikat kryesore demografike dhe sociale, si dhe për strehimin, shëndetësinë, punësimin etj.
    Kaluan më shumë se tre muaj që ka përfunduar Censi dhe qytetarët shqiptarë nuk kanë asnjë informacion mbi të dhënat paraprake që duhej tashmë të ishin përpunuar nga INSTAT, për popullsinë rezidente të vendit.
    INSTAT nuk ka dhënë asnjë shpjegim mbi vonesën e publikimit të këtyre të dhënave paraprake të domosdoshme, duke u fshehur pas deklaratës se rezultatet e plota do t’i botojë në qershor 2024.
    Këmbëngulja e INSTAT se rezultatet e Censit 2023 nuk do të mund të shpallen përpara qershorit 2024 është e pakuptimtë. Ajo përbën një kambanë të fortë alarmi mbi besueshmërinë e shifrave që ky institucion do të na japë me 8 muaj vonesë dhe mbi praninë e presioneve politike që INSTAT ka marrë nga sekti Rama në qeverisje, që për tetë muaj të mbyllë gojën dhe të mos vërtetoje përmes Censit, braktisjen masive të vendit!
    Censi i fundit në Shqipëri u mbajt në tetor 2011. Ai u zhvillua pa praninë e teknologjisë digjitale dhe megjithatë, të dhënat paraprake të tij u shpallën zyrtarisht në dhjetor 2011. Pra, edhe pse ishte tërësisht jo digjital, INSTAT iu deshën vetëm tre muaj për mbledhjen e të dhënave dhe përpunimin paraprak të tyre.
    Lind pyetja, pse në Shqipërinë e epokës së internetit, ku të 7,500 intervistuesit e INSTAT u pajisën që të gjithë me tabletat elektronike për të administruar informacionin e mbledhur tërësisht në mënyrë digjitale, rezultatet do të shpallen në qershor 2024? Pse e paskemi kaq të vështirë të numërojmë shqiptarët e mbetur në vend, në një kohë kur Censi i fundit në Kinë, me popullsi 1,4 miliardë banorë, filloi në nëntor 2020 dhe, edhe pse ishin në kulmin e pandemisë nga Covid 19, rezultatet i shpallën pak muaj më vonë, në maj 2021? Pse ne duhet të presim tetë muaj?
    Vonesa krejtësisht e pajustifikuar në shpalljen e rezultateve paraprake të Censit 2023 në Shqipëri, kur përpara 12 vitesh, qeveria e drejtuar nga Prof. Dr. Sali Berisha këto rezultate i shpalli brenda 3 muajsh, hedh dyshime të forta mbi shifrat që INSTAT do japë tetë muaj më vonë, veçanërisht mbi numrin e sotëm të qytetarëve banues në Shqipëri, i cili do të dëshmonte braktisjen masive të vendit në dekadën e fundit. Thënë ndryshe, eksodin biblik të shqiptarëve në vitet 2014-2023 me mbi 900 mijë qytetarë të larguar!
    Të dhënat zyrtare të EUROSTAT me shtimin e konsiderueshëm të emigrantëve shqiptarë në të 28 vendet anetare të Bashkimit Evropian në dhjetë vitet e fundit, e konfirmojnë këtë dukuri, ndërsa sekti Rama dhe vetë i ashtuquajturi Lider Global, shkaktar i shbërjes së vendit, po ushtrojnë një presion politik të fortë mbi INSTAT, për të mos deklaruar të vërtetën e hidhur të braktisje masive të Shqipërisë nga qytetarët e saj.
    INSTAT, me heshtjen e tij të sotme, po kthehet në një institucion-rob të qeverisë Rama, i paaftë të ruajë integritetin dhe profesionalizmin, duke humbur keqazi emrin e tij të mirë, të fituar në dekada kontribute.

Postimet e lidhura