Në vazhdën e goditjeve ndaj opozitës, për shkak të rimëkëmbjes dhe fillimit të bashkimit të saj, nën një aksion të vendosur dhe të mirëkoordinuar opozitar, Rama mendoi dhe nxitoi të godasë frymën dhe inspiruesin e opozitës reale të vendit, Kryetarin e Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berishën.
Për këtë, përdori dosjen e privatizimit të ish-terrenit të Klubit Sportiv Partizani, një procedurë e filluar që në vitin 1995. Kjo dosje, që për tre vitet e fundit qëndroi në sirtaret e qindra dosjeve të tjera të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion, u bë kali i betejës i sektit Rama, për të goditur penalisht liderin e opozitës.
Goditja ndaj tij(sikurse janë shprehur këto ditë profesionistë të jurisprudencës shqiptare, opinionistë, gazetarë dhe analistë) është goditje ndaj opozitës dhe demokracisë shqiptare, pasi ajo po realizohet përmes disa shkeljeve-marrëzi ligjore e proceduriale, lehtësisht të zbërthyeshme dhe të paqëndrueshme në llogjikën e një gjykate të pavarur, por jo të një shteti të kapur, si ky i joni sot.
- Kryetari i Partisë Demokratike kufizohet në lirinë e tij, në shkelje flagrante të Kushtetutës
Sali Berisha është deputet i Kuvendit të Shqipërisë. Të dyja masat e kufizimit të lirisë së tij, ndalimi i daljes jashtë shtetit dhe detyrimi i paraqitjes, duhet të kalonin për miratim në Kuvend, posaçërisht nëpërmjet Komisionit të Imuniteteve dhe Mandateve dhe më pas, me votim në seancë plenare. Asgjë e tillë, asnjë autorizim i Kuvendit nuk është marrë, në shkelje flagrante të Kushtetutës, Nenit 73, Pika 2 e tij, që cilëson se “Deputeti nuk mund të arrestohet ose t’i hiqet liria në çfarëdo lloj forme apo ndaj tij të ushtrohet kontroll personal ose i banesës, pa autorizimin e Kuvendit”.
Ky është një faj shumë i rëndë, i kryer vetëm për të sulmuar politikisht drejtuesin e opozitës së bashkuar dhe vrarë aksionin opozitar. Ai krijon precedentë shumë të rrezikshëm për subjekte të tjerë të mbrojtur me Kushtetutë, të cilët mund të goditen njëlloj në të ardhmen. - Qytetari Jamarbër Malltezi merret i pandehur në cilësinë e “zyrtarit të lartë” apo të të zgjedhurit vendor, duke mos qenë një ditë të vetme të jetës së tij në pozicione të tilla!
Qytetari Jamarbër Malltezi nuk ka qenë asnjëherë zyrtar i lartë, apo i zgjedhur vendor. Si i tillë, ai nuk është subjekt i Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Nga ana tjetër, Jamarbër Malltezi akuzohet per “pastrimin e produkteve të veprës penale”. Në të gjithë akuzën e ngritur nuk kuptohet se cila është vepra penale që ky qytetar dhe anëtar i Kryesisë së PD-së, ka kryer. Çfarë
trafiqesh të paligjshme ka realizuar ky qytetar, për t’i futur në kanalet e investimit të kryer në ish-terrenin e klubit sportiv Partizani?!
Si mund të jetë krim dhe korrupsion galopant, fakti që pesë familje të vjetra tiranase marrin pronat e trashëguara brez pas brezi?! - Në të gjithë tërësinë e dokumenteve dhe vendimeve të marra për privatizimin e ish-terrenit të klubit sportiv ”Partizani”, drejtuesi i Partisë Demokratike nuk e ka firmën e vet asgjëkundi!!
Procesi i privatizimit të ish-terrenit të klubit sportiv ”Partizani” ka nisur në vitin 1995. Dokumentacioni i privatizimit ka kaluar në disa qeveri, shumica socialiste, të cilat kanë firmosur praktikën. Ka një korrespodencë me dhjetëra e qindra faqe të ministrive dhe institucioneve te tjera qendrore, në lidhje me privatizimin e këtij ish-terreni. Ka vendime të Komisionit të Kthimit të Pronave për kthimin e kësaj prone, një vendim i vitit 1999 dhe tjetri i vitit 2002, të qeverisë së Fatos Nanos. Në të gjitha vendimet të pas vitit 2006, për këtë pronë, qofte dhe në një të vetëm nuk figuron firma e Sali Berishës.
Në të kundërt, është Edi Rama ai, që, në cilësinë e Kryetarit të Këshillit të Rregullimit të Territorit, ka firmosur kthimin në truall ndërtimi të sheshit të Klubit “Partizani”!
Vendimet e marra në kohën kur Kryeministri Berisha ka qenë në detyrë, jo vetëm nuk sollën ndryshime lehtësuese apo liberalizuese në tjetërsimin e pronës përmes privatizimit, por përkundrazi, përcaktuan kritere më shtrënguese. U abroguan apo anuluan me qindra vendime të gjykatave, ku njerëzit vërtetonin pronësinë me tre dëshmitarë në gjykatë, duke vendosur filtra dhe kritere rreptësisht të përcaktuara, që pronarët e vërtetë të marrin dhe të zhvillojnë pronën e tyre.
Me llogjikën e akuzës, i vetmi faj i Jamarbër Malltezit, Drejtor Departamenti dhe anëtar i Kryesisë së Partisë Demokratike, i cili, në këto 10 vite opozite, ka kryer me dhjetra denoncime kundër korrupsionit qeveritar , veçanërisht në fushën e mjedisit dhe të infrastrukrurës, del se është dhëndërr i Sali Berishës, pasi, kur dhëndri i një kryeministri zhvillon investim në pronë të tij, ky quhet akt korruptiv?! - Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha dhe Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit në PD, Dr. Jamarbër Malltezi, ju nënshtrohen masave të sigurisë, pa trembur njeri, pa tentuar të largohen dhe pa prishur provat!
Rregjimi i sektit Rama në qeverisje, ka ushtruar presionin përcaktues për vendosjen e masave të sigurisë me arrest dhe me detyrim paraqitje, edhe pse çështja kishte tre vjet e hapur dhe në këta tre vjet, si Kryetari i Partisë Demokratike dhe qytetari Jamarbër Malltezi nuk kanë tentuar të
largohen, nuk kanë trembur njeri dhe nuk kanë prishur provat. Këto jane kritere dhe kushte strikte, të cilat i kërkon ligji, për të caktuar një masë sigurimi.
Vendosja e masës së sigurimit me arrest për qytetarin Jamarbër Malltezi dhe me deyrim paraqitjeje dhe ndalim të lëvizjeve jashtë vendit, për Kryetarin e Partisë Demokratike, janë veprime absurde, përtej çdo llogjike të drejtësisë ligjore dhe penale. Ato përcaktojnë saktë dhe qartë, përpara të gjithë shqiptarëve, se sekti Rama po persekuton gjyqësisht Kryetarin e Partisë Demokratike, për të asgjësuar aksionin opozitar, duke nisur kështu shndërrimin e vendit tonë në diktature! - Sali Berisha është Kryetari i Partisë Demokratike dhe simbol i rithemelimit të opozitës së vërtetë shqiptare. Duke goditur Sali Berishën, goditet per t’u asgjësuar, ringritja dhe konsolidimi i Partisë Demokratike
Edi Rama nuk do të ketë sukses në tentativën e tij të zezë, për të goditur në asgjësim opozitarizmin e vërtetë në Shqipëri, për të mbytur frymën dhe zeruar zërin e opozitës reale të vendit. Sekti Rama në pushtet po kërkon sot ta japë si shembull goditjen ndaj Sali Berishës, për të trembur opozitarët e tjerë nesër, në çdo nivel ku janë dhe ku me kurajo zhvillojnë aktivitet politik, në këtë kohë shumë të vështirë për të bërë opozitë në Shqipëri.
Qytetarët shpresojnë në ringritjen e fuqishme të opozitës dhe në mundjen dhe largimin e sektit Rama në qeverisje, pikërisht nga përkushtimi dhe angazhimi politik i Dr. Sali Berishës.
xxx
Në këto kushte, demokratët, në veçanti Grupi Parlamentar, kryesia e PD-së dhe drejtuesit e PD-së nëpër rrethe, në cilindo nivel, duhet të vazhdojnë të punojnë të kthjellët, pa harruar misionin e tyre. Opozita duhet të realizojë detyrimet dhe detyrat e saj opozitare, përballë qytetarëve që e kanë votuar dhe shpresojnë në të. Ajo duhet ta vijojë akoma dhe më e vendosur aksionin e saj, sepse vetëm me përmbysjen e rregjimit tashmë pothuajse diktatorial të sektit Rama, do të rivendoset demokracia e vërtetë dhe shteti i së drejtës tek ne.