Parlamenti dhe parlamentarizmi shqiptar kanë vetëm një armik: Edi Ramën!

Opozita e përgjegjshme nuk ka asnjë rrugë që të përballet me sektin Rama në pushtet, të keqen kryesore të vendit, përveç bllokimit të veprimtarisë normale të Parlamentit, deri në plotësimin e kërkesave të saj kushtetuese dhe legjitime, për ngritjen e komisioneve hetimore të Kuvendit. Ajo nuk ka sot asnjë mjet tjetër paqësor përveç bllokimit, pasi Kuvendi ka humbur funksionin e tij themelor në një republikë parlamentare, hartimin dhe miratimin e ligjeve dhe marrëveshjeve të shtetit tonë, si dhe kontrollin e qeverisë, duke nxitur transparencën dhe llogaridhënien e saj. Në dhjetë vitet e fundit të regjimit të sektit Rama në pushtet, mazhoranca ka miratuar vetëm një komision parlamentar, nga ngritja e tetë komisioneve të propozuara nga opozita. Kryeministri i sotëm i mohon opozitës të drejtën kushtetuese për ngritjen e komisioneve hetimore dhe bashkëpunimin për reformën zgjedhore, tejet të domosdoshëm për zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme të vitit 2025. Rama kërkon të zerojë misionin dhe rolin kryesor të Parlamentit të Shqipërisë, përmes kompleksimit të opozitës , përçarjes së saj dhe nënshtrimit të drejtuesve të Kuvendit. Duke përdorur dhunën e kartonit jeshil, ai synon të shmangë hetimin opozitar dhe dhënien e llogarisë në komisionet e Kuvendit dhe përpara qytetarëve. Kuvendi i Shqipërisë është vënë sot përballë dilemës ekzistenciale të tij: të jetë një tempull i demokracisë, ligjvënies dhe kontrollit të Ekzekutivit, i vlerësuar prej shqiptarëve, apo të kthehet në një noter të rëndomtë të qeverisë, i neveritur prej tyre. Parlamenti dhe parlamentarizmi shqiptar kanë sot vetëm një armik: Edi Ramën dhe sektin e tij, pasi sekti në qeverisje e ka kthyer Parlamentin në një institucion të dorës së dytë dhe shtojcë të qeverisë. I interesuari i vetëm për denigrimin, degradimin dhe shpërfytyrimin e Kuvendit është Rama dhe sekti i tij, një pjesë e vogël e politikanëve, pak deputetë dhe ministra, drejtues agjencish e kompanish sha, si dhe oligarkë. Vetëm duke e devijuar plotësisht Parlamentin nga shinat e misionit të tij, kjo arradhe abuzuesish me pronën publike dhe paratë e taksapaguesve shqiptarë, mund t’i shpëtojë llogaridhënies. Të vjen keq për drejtuesit e sotëm të Parlamentit, që po e lënë institucionin që dikur ishte tempull i demokracisë shqiptare, të shvlerësuar dhe të denigruar në nivelin më të ulët të historisë së tij pluraliste 33 vjeçare, si dhe veten të keqpërdoren dhe keqtrajtohen nga i ashtuquajturi “Lider Global”. Në lidhje me sjelljen e paprecedent të mazhorancës dhe drejtuesve të Kuvendit më 2 nëntor, ka reaguar fuqishëm Instituti i Studimeve Politike(ISP), i drejtuar nga politologu dhe publicisti Afrim Krasniqi. Ky institut është një think tank i rëndësishëm për shoqërinë tone. Ai mbikëqyr nga afër punën e Kuvendit dhe përgjatë viteve të fundit, ka kontribuar me shumë studime dhe vrojtime profesionale, për rritjen e cilësisë së jetës parlamentare dhe performancës së Kuvendit. Sipas ISP-së, vetëm për seancën e 2 nëntorit, drejtuesit e Kuvendit kaluan 22 akte për 30 minuta, me shkelje flagrante të Rregullores së Kuvendit dhe të Vendimit Nr. 61/2018 të Kodit të Sjelljes së Kuvendit, si shkelja e Nenit 44, pika 2 “Fillimi i seancës plenare”, Nenit 44, pika 3 “Njoftime në seancën plenare”, Nenit 46, pika 1 “Lista e diskutimeve”, Nenit 46, pika 2 “Hapja e diskutimeve”, Nenit 46, pika 3 “ Marrja e fjalës në seancë”, Nenit 46, pika 6 “Diskutimet sipas grupeve”, Nenit 48, pika 1, Koha e diskutimeve, Nenit 49, pika 1 “Çështje të procedurës”, Nenit 52, pika 1 “Ndërprerja e seancës plenare” e me radhë me dhjetra shkelje te tjera. Të gjitha këto shkelje të lejuara dhe kryera nga drejtuesit e Kuvendit, dëshmojnë nënshtrimin e tyre të plotë ndaj tentativës së Ramës për zerim dhe asgjësim të misionit, rolit dhe rëndësisë së Parlamentit dhe parlamentarizmit në Shqipëri. I ashtuquajturi “Lider Rajonal” synon të nënshtrojë opozitën dhe ta kthejë vendin në një republikë kryeministrore, por nuk do t’ia arrijë kurrë! Opozita është në të drejtën e saj të ligjshme dhe duhet të provojë fort me të gjitha mjetet paqësore, që të pengojë shndërrimin e Kuvendit në një paradhomë, noter dhe shtojcë të qeverisë së sektit Rama.

Botuar në Gazeta Sot më 4 Nëntor 2023

Postimet e lidhura