Kuvendi krah Kosovës, por Rama krah Vuçiç!

U bë shumë mirë që, si deputetë të Kuvendit, miratojmë një Rezolutë të përbashkët të Parlamentit të Shqipërisë, për të dënuar sulmin terrorist të 24 shtatorit mbi Kosovën dhe për të mbështetur totalisht Rezolutën e Parlamentit të Kosovës, edhe pse me dy javë vonesë. Edhe pse të vonuar, po tregojmë pjekurinë që kërkohet prej nesh, si deputetë të Kuvendit, dhe po kryejmë detyrën tonë për çështjen kombëtare, të cilën nuk duhet kurrë ta anashkalojmë. Në të kundërt, atë duhet ta përfshijmë me bindje të plotë dhe përkushtim në axhendat tona politike, duke ju bërë krah Kosovës, dhe jo duke e larguar me qëndrime paternaliste që nuk i shërbejnë çështjes kombëtare. Sot më shumë se në çdo ditë tjetër, ia vlen të reflektojmë dhe të kuptojmë në thellësi se çfarë ishte ky akt i pashembullt terrorizmi shtetëror kundër Kosovës.
Më 24 shtator donte të fliste Beogradi, dhe, pas altoparlantit Vuçiç, Kremlini
Kjo ngjarje ishte në vijim të veprimeve të mëparshme të Republikës së Serbisë, për mosnjohjen e Kosovës si Republikë të e pavarur dhe sovrane në të gjithë territorin e saj. Qytetarët e Kosovës i njohin më mirë se ne provokimet e ndodhura në tokën kosovare. Bllokimet e rrugëve, grupet e armatosura, sulmet e dhunshme, krijimin e mjedisit të frikës edhe ndaj popullsisë civile serbe. Është kjo popullsi që e di më mirë nga të gjithë, se ajo që ka ndodhur në muajt e fundit ishte preludi i një agresioni të ardhshëm. Kjo popullsi e di se sa mijëra shqiptarë janë shpërngulur me dhunë nga Veriu i Kosovës, sidomos nga Mitrovica. Ajo është e vetëdijshme se politika e Beogradit nuk kërkon thjesht krijimin e një Asosacioni, por fillimisht autonomi për pakicat serbe, që pastaj të kalohet në boshnjakëzim të Veriut të Kosovës dhe në rrëmbimin e Trepçes dhe të Ujmanit, këto pasuri kyçe për ekonominë e sotme dhe të ardhme të Kosovës. Sulmi ndaj policisë së Kosovës u bë me një synim të qartë, për të zaptuar Veriun e Kosovës. Përfaqësonte nisjen e planit të forcave më të errta e destruktive në Serbi, në koordinim të plotë me Kremlinin, për të ndarë Kosovën dhe futur në krizë Ballkanin. Krye-objektivi ishte të realizohej lëvizja e parë konkrete dhe e rëndësishme kundër interesit të NATO-s në Ballkan, për një rajon të stabilizuar. Sulmi ishte pjesë e natyrshme dhe integrale e një strategjie dhe plani të hartuar prej shumë kohësh më parë nga Kremlini, zbatues i zellshëm i së cilës u bë drejtuesi aktual i Serbisë, ish-Ministri i Informacionit të Millosheviçit, Aleksandër Vuçiç. Dështimi i tanishëm i kësaj strategjie dhe i këtij plani ishte, së pari, meritë e policisë së Kosovës dhe së dyti, e ndikimit përcaktues të faktorit euroatlantik në rajon. Megjithëse dështoi me turp, sprova tregoi se Serbia e ngjyrave të theksuara shovene dhe drejtuesi i saj i sotëm Vuçiç, nuk heqin dorë nga strategjia e ashtuquajtur ‘bota serbe”. e marrjes nën kontroll “de facto” të vendeve të Ballkanit, siç është rasti i Veriut të Kosovës, apo ai i mëparshëm në kohë, i ndërhyrjeve destabilizuese në Mal të Zi, ndërhyrjeve permanente në Bosnje-Hercegovinë. Sikurse e kanë vërejtur me të drejtë analistë të njohur ndërkombëtarë dhe institucione evropiane prestigjoze të sigurisë, përmes bandave te paraushtarakeve, që mund të ktheheshin shumë shpejt në reparte të armatosura, sipas një plani të detajuar nga instituti i veçantë për Kosovën pranë Presidencës Serbe, objektivi ishte dështimi përfundimtar i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, pa prodhuar asnjë zgjidhje të mundshme dhe të qëndrueshme, testimi i reagimit të forcave dhe politikës ndërkombëtare në rajon ndaj dhunës së organizuar, dhe, së fundmi e gradualisht, krijimi i kushteve për shkëputje të dhunshme të Veriut të Kosovës. Për këtë, qeverisë në Beograd i duheshin incidentet e dhunshme, pasi kishte dhe ka nevojë, për alibinë e saj politike, qe të tregojë se qeveria në Prishtinë është strukturë e dhunshme dhe asaj nuk mund kurrsesi t’i besohet. Synimi madhor i Vuçiç dhe qeverisë serbe është që ta largojë Perëndimin nga Kosova dhe kosovarët. Që të tregojë se qeveria Kurti po ushtron terror mbi pakicën serbe dhe është e pamundur bashkëjetesa, edhe pse në realitet, pakica serbe në Kosovë ka të drejta kolektive më shumë nga çdo pakicë tjetër në Ballkan. Ne nuk mund dhe nuk duhet të merakosemi, sikurse bëri drejtuesi i sektit që sot qeveris vendin, se përse Serbia shpalli ditë zie për paraushtarakët e vrarë në sulmin terrorist në Kosovë, pasi me kete akt, qeveria e Beogradit dhe Vuçiç demaskuan veten e tyre si bashkëautorë. Ne duhet të analizojme thellë dhe të shohim me qartësi planin agresiv për terrorin që do të ushtrohej në Veri të Kosovës, si dhe kush qëndron realisht pas kësaj strategjie dhe plani veprimi. Qëllimi i qeverisë së Beogradit me provokimin në Banjskë, ku rruga u bllokua nga dy kamionë pa targa dhe ku u vra heroi i Kosovës dhe policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ishte që të tatonte reagimin e Shteteve të Bashkuara dhe të Bashkimit Evropian pas dhunës. Do ta ndihmonte faktori ndërkombëtar policinë e Kosovës, do të kishte më shumë vëmendje në luftën kundër krimit të organizuar që strehohet në bandat çetnike serbe? Në luftën e Kosovës në vitin 1999, ku rregjimi ushtarak i Millosheviçit kreu genocid, forcat ushtarake dhe policore serbe u mbështetën fuqimisht nga forcat paraushtarake dhe bandat çetnike serbe. Ndoshta një e treta e forcave që bënë kërdinë në Kosovë, ishin paraushtarakë dhe banda terroriste. Beogradi ka përvojë me këto banda. I ka nën kontroll dhe i ka përdorur shpesh, si i përdori më 24 shtator. Për më tepër që tani, ish-ministri i Millosheviçit është njeriu i pushtetshëm dhe President i Serbisë. Këto të gjitha janë fakte kokëfortë, që duhet ta bëjnë të qartë për të gjithë ne, se agresorët në Banjskë kishin mandatin nga qeveria serbe në Beograd, kishin frymëzuesin dhe liderin e tyre shpirtëror në personin e kreut të qeverisë në Beograd, në figurën e Aleksander Vuçiç. Se me kryerjen me sukses të provokimit dhe sulmit terrorist, me pështjellimin e gjendjes në Kosovë, pas altoparlantit shovinist serb Vuçiç, qëndronte Kremlini, me interesat e tij jetike të nisjes së konfliktit dhe plasjes së shkëndijës në Ballkan. Kremlini nuk e ka harruar kurrë se me një vrasje arqiduke në Ballkan në vitin e largët 1914, shpërtheu Lufta e Parë BotërorePaternalizmi i Ramës ndaj Kosovës: minë me sahat për çështjen kombëtare dhe interesin kombëtar
Ne duhet të kemi të njëjtin qëndrim me Parlamentin e Kosovës, pasi jo vetëm e tashmja është dëshmi e pakundërshtueshme e pozicionimit të drejtë të qeverise Kurti, e mbështetur dhe nga reagimi i faktorit ndërkombëtar që njëzëri dënoi aktin terrorist në Banjskë dhe kërkoi të kapeshin fajtorët, por edhe e ardhmja duhet të ketë të njëjtin emër për integritetin e Kosovës së Presidentit historik Rugova, komandantëve dhe heronjve të UÇK-së Adem Jashari dhe Fehmi Lladrovci, simbolit të rezistencës Adem Demaçi, si dhe drejtuesve të UÇK-së Hashim Thaçi, Ali Ahmeti, Ramush Haradinaj, Bedri Islami, Kadri Veseli, Ramiz Lladrovci, Fatmir Limaj, Xhavit Haliti, Presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, Kryeministrit Albin Kurti, Lutfi Hazirit të LDK-së, Dritan Goxhaj të Vetëvendosjes, etj., etj… Deri tani, për fat të keq, i ashtuquajturi Lider Rajonal dhe kreu i sektit qeverises tek ne, ka punuar në dëm të çështjes kombëtare, në tre momente shumë delikate për këtë çështje.
Së pari, Rama ka përkrahur idenë e vjetër titiste të Ballkanit të Hapur, të sjellë nga Vuçiç katër vite më parë. Kjo ide dhe ky plan arriti pjesërisht ta dëmtojë dhe izolojë Kosovën jo vetëm ekonomikisht për këta vite, por edhe deri diku politikisht, për t’u shkërmoqur dhe harruar tashmë, me protagonizmin e rigjetur të Procesit të Berlinit.
Së dyti, ka acaruar dhe ftohur marrëdhëniet me qeveritë e Kosovës në vijimësi, duke kulmuar me bojkotimin e mbledhjes së përbashkët të të dy qeverive në 24 qershor të këtij viti në Prizren. Bojkotimi i mbledhjes së përbashkët mes qeverisë së Kosovës dhe qeverisë së Shqipërisë përbën një njollë të zezë në historinë e shtetit shqiptar.
Së treti, Rama ka hezituar të dënojë hapur qeverinë serbe dhe Presidentin e Serbisë Vuçiç, për përgjegjësine dhe implikimin e drejtpërdrejtë të tyre në aktin terrorist të 24 shtatorit. Ky hezitim ka shkuar deri aty, sa në intervistën në gazetën “Financial Times” të datës 3 tetor, “Lideri Global” arrin të cilësojë Veriun e Kosovës si “tokë të askujt”(?!).
Veriu i Kosovës, kjo zonë që çuditërisht Rama ngulmon njëlloj si Vuçiç, për Asociacionin pa kushte në favor të pakicës serbe, përveç historisë dhe trimërisë, me kolosë të patriotizmit shqiptar, si Isa Boletini dhe Afrim Bunjaku, është edhe toka e pasurive të veçanta të Kosovës, Trepçës së famshme dhe liqenit të Ujmanit.
Pyesim: përse duhet të artikulojë kryeministri i Shqipërisë këtë tezë absurde? Ne duhet të vëmë gishtin me kthjelltësi dhe kurajo tek burimi i krimit dhe tek koka e terrorizmit në Kosovë, që është shovinizmi ekstrem serb brenda qeverisë së sotme në Beograd dhe brenda kokës së Vuçiç.
Sa për karshillëkun dhe paternalizmin e Ramës, atë e ka përshkruar me aq vërtetësi studjuesi Enver Bytyçi në veprën e tij studimore monografike “Gjeopolitika ruse në Evropën Lindore dhe Juglindore”, ku në faqet 578-579, cilëson se “E gjitha ndodhi, sepse afrimi në linjën Tiranë-Beograd u shoqërua me një lloj paternalizmi të qeverisë së Shqipërisë ndaj asaj të Kosovës…Detyra e liderëve politikë është fryma e solidaritetit, bashkëpunimit, marrëdhënies korrekte, transparencës midis të dyja vendeve dhe institucioneve të tyre.
Kësaj rradhe, paternalizmi erdhi në formë brutale dhe arrogante. Mesazhi që jepte kryeministri i Shqipërisë ishte se “Unë vendos për gjithshka dhe ju politikanët e Prishtinës duhet të pranoni zgjidhjen!”. Mungoi transparenca dhe bashkëbisedimet e bashkëpunimit midis të dyja kryeqyteteve… Këtë lloj paternalizmi Serbia e kishte kërkuar shumë kohë më parë.”

[Faqe 578]

.
“Përçarja e faktorit politik shqiptar në rajon e ka dobësuar rolin e tij dhe ka forcuar pozitën gjeopolitike të kundërshtarëve pro-rusë në Ballkan”

[Faqe 579]

.
Ndërsa politikani, studjuesi dhe publicisti i njohur Bedri Islami, themelues dhe kryetar i Lëvizjes Popullore të Kosovës, që krijoi UÇK-në, në librin e tij “Përjetësi e dyfishtë”, përshkruan takimin e heroit legjendar të UÇK-së, Fehmi Lladrovci me një ministër të jashtëm të qeverisë Nano dhe një ambasador në janar të vitit 1998, ku, hezitimit të ministrit për të mbështetur luftën e UÇK-së dhe për ta zbutur atë, në emër të gjoja stabilitetit në rajon, komandant Lladrovci i jep mesazhin e prerë: “Lufta është më afër nga sa mund ta mendoni ju… Ne presim që qeveria e shtetit shqiptar të bëjë detyrën e saj. Ne e duam Shqipërinë dhe nuk duam asnjë e keqe t’i vijë asaj, por kjo është në të mirën e krejt kombit.
Nëse ju nuk bëni detyrën tuaj dhe e pengoni luftën çlirimtare të vëllezërve tuaj në Kosovë, atëhere ju do të bëni tradhti kombëtare”

[faqe 405]

. Duke votur sot këtë Rezulutë, ne shkojmë në një zë me Kosovën dhe qëndrimin dhe Rezolutën e Parlamentit të Kosovës, por ky është një hap, që duhet të shoqërohet me veprime më intensive, që kontribuojnë drejtpërsëdrejti për Kosovën, si shtimi i njohjeve për Kosovën si shtet, lobimi për anëtarësimin sa më shpejt të Kosovës në NATO, lobimi për të hequr kufizimet e BE ndaj Kosovës dhe për t’u vendosur ato ndaj Serbisë agresore. Ne duhet të kërkojmë që të ecet sipas formulave të SHBA-ve për Kosovën. SHBA-të janë aleati më i madh strategjik i kombit shqiptar. Ne duhet të punojmë që të realizohen ato kërkesa të drejta të komunitetit ndërkombëtar, që për Asociacionin, në rradhë të parë duhet të kushtëzohet Serbia, dhe pastaj Kosova. Dhe mbi të gjitha, që Kosova, de facto e pavarur nga qershori i vitit 1999, në formulën rugoviane të Presidentit historik të Kosovës, Dr. Ibrahim Rugova, “Një Kosovë e pavarur, demokratike, e integruar në Bashkimin Evropian e në NATO, në miqësi të përhershme me SHBA-të, do ta qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës”. Kjo formulë ka qenë, është dhe do të mbetet një program politik dhe kombëtar i Ibrahim Rugovës, i drejtuesve aktualë të Kosovës, i atyre që janë në Prishtinë në pushtet dhe në opozitë, i politikanëve të Kosovës, përfshirë dhe ata që janë në Hagë, me besimin dhe urimin që janë dhe do të dalin të pafajshëm, si dhe i Shqipërisë. Miratimi sot i Rezolutës nga të gjithë ne është kuptimplotë dhe le të shërbejë për të na bërë më të përgjegjshëm ndaj çështjes kombëtare, përmes një strategjie të përbashkët të të dyja vendeve. Kjo fillon nga detyra e parë e qeverisë së Shqipërisë, që t’i rikthehet mbledhjes së përbashkët të të dyja qeverive, e cila u anullua padrejtësisht më 24 qershor.
xxx
Adem Demaçi ishte simboli i rezistencës së shqiptarëve të Kosovës, flamurtari i lirisë dhe i çështjes sonë kombëtare. Dua ta mbyll, duke sjellë një pjesë nga fjala e tij dhjetë vite më parë, më 12 tetor 2013:” Mua më dhemb zemra kur kujtohem që ende ka të atillë që mundohen të pengojnë procesin e një bashkimi shpirtëror e kulturor të shqiptarëve në të gjitha viset, që endemi, shtyhemi kush, kujt e si, ende jemi të varur , të prekur e të penguar herë nga grekët, herë nga serbët, herë nga agjenturat e tyre që të mos faktorizohen e bashkohen shqiptarët,, sepse të gjithë ata na kanë borxh, të gjithë ata që na kanë marrë copat e tokave tona, copat e trupit tonë, shpirtin tonë, dhe nuk janë të interesuar që shqiptarët të përparojnë, nuk janë të interesuar që shqiptarët të faktorizohen, që shqiptarët të bashkohen e të kenë një zë”.

Botuar në Gazeta Sot më 13 Tetor 2023

Postimet e lidhura