Përse Vlora duhet ta kujtojë Holokaustin

Fjala Holokaust përdoret për të emërtuar gjenocidin e Gjermanisë naziste ndaj hebrejve në Europë nëpërmjet një aparati shtetëror, mbi të gjitha ushtarak, që nuk ka precedentë në histori për nga përmasat dhe vecoritë organizative. Hebrejtë përdorin termin Shoah, që do të thotë katastrofë. Zhdukja e dy të tretave të hebrejve të Europës në kampet famëkeqe naziste të shfarrojes në Dakau, Mathausen dhe Aushvic, është një tragjedi, e cila duhet ndricuar dhe përkujtuar për të mos harruar dhe për të mos u përsëritur më e kaluara. Ne vlonjatët duhet që mbi të gjithë të tjerët ta kujtojmë këtë pjesë të errët të historisë së Europës sepse Holokausti ndaj hebrenjve nga nazistët hitlerianë ka ndodhur paralelisht masakrat dhe krimet e paprecedenta, që ata kanë kryer edhe ndaj
kombeve jo hebrenj, duke përfshirë këtu ne shqiptarët, aq më tepër ne vlonjatët, që lamë pothuajse 400 djem e burra në ato kampe të tmerrëshme të shfarrosjes në masë. Dhe për ta bërë më konkret këtë fakt, po kujtoj baballarët e dy piktorëve tane të shquar si Nestor Jonuzi dhe Hilmi Bani që nuk u kthyen të gjallë nga kampet e përqëndrimit dhe mbetën dhimbje dhe për shpirtin dhe telajot e bijve të tyre. Jo vetëm kaq. Por Vlora jonë, është qyteti , i cili që prej vitit 1492 e deri në vitin 1992, ka pasur brenda vetes këtë komunitet, me të cilin ka bashkëjetuar dhe bashkëndarë hallet dhe gëzimet e tij. Këtu në zemër të Vlorës ndodhet Rruga e Hebrenjve, si një kujtesë për një bashkëjetesë dhe nderim reciprok, gjë të cilën shpreh më së miri dhe D. Anna Kohen te libri saj “Lulja e Vlorës”, ku shpreh jo vetëm mirënjohjen për vlonjatët dhe shqiptarët si mbrojtësit
më të mëdhenj të hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore me anë të kodit të besës, por dhe për dashurinë e saj për Vlorën dhe vlonjatët.
Para tre ditësh, në këtë mjedis të Muzeut Kosova, ne përkujtuam 180 vjetorin e lindjes dhe 105 vjetorin e ikjes në amshim të Ismail Bej Vlorës, i cili jo vetëm ne shqiptarëve, por dhe gjithë Europës u ka lënë si testament ngritjen e zërit kundër padrejtësive sepse e ka parandjerë me largpamësinë dhe humanizmin e tij, atë se cfarë do të ndodhte më vonë. Ja se çfarë shkruan Ismail Qemal Vlora te “Memorie”, faqe 72 :“Në Rumani hebrenjtë ishin dënuar për të njëjtat gjëra si ata në Rusi… Duke filluar që nga viti 1866, këto persekutime u bënë kaq të shpeshta dhe kaq mizore, sa më në fund u trondit ndërgjegjja e botës së qytetëruar. Ne, që ishin dëshmitarët më të afërt të këtyre
tmerreve, nuk mund të qëndronim indiferentë ndaj vuajtjeve të këtyre krijesave fatkeqe dhe ndjemë detyrën njerëzore për t’i ndihmuar. Është poshtërsi dhe krim që të nëpërkëmbësh dhe përndjekësh një popullatë të tërë vetëm për shkak të prejardhjes dhe racës së saj.” Për këtë nderim, jo më kot personaliteti hebre Joseph Louis Baron (1894-1960), do të përfshinte në antologjinë prestigjoze “Stars and Sand” krahas njerëzve vullnetmirë, sidomos shkrimtarë si Honore De Balazak, Viktor Hygo, por dhe shtetarë si De Gol, Bismark, Gandi, Ataturk, Wilson, Tomas Xheferson, Xheorxh Uashinton, etj, edhe emrin e ndritur të Ismail Qemalit, sepse këta personalitete pavarësisht nga raca besimi dhe prejardhja, kanë ngritur zërin e tyre kundër padrejtësive që u janë bërë hebrenjve.
Ne, e kujtojmë Holokaustin dhe për të mos
harruar spastrimit etnik të bërë në trojet tona, Kosovë e Camëri, por dhe kampet dhe burgjet e komunizmit. Dhuna, vrasja , krimi, pavarësisht se kanë emra të ndryshëm, kanë një substancë: vrasjen për shkak të urrejtjes.
Në nuk duhet të harrojmë !
Kjo është arsyeja që për dy vjet rresht Shoqata e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko, në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qema-Vlora” , po e kujtojmë Holokaustin, për të mos harruar të shkuarën dhe për të treguar se nuk është urrejtja, por dashuria dhe nderimi që na bën njerëz dhe ndricues të së ardhmes.

Botuar në Gazeta Sot më 27 Janar 2024

Postimet e lidhura