Shkruar nga Bujar Leskaj 4 Shtator 2023

Dje, në 3 shtator 2023, ishte 103 vjetori i Luftës së Vlorës, një ngjarje historike me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare, por edhe vendimtare për ekzistencën e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e identitetit tonë. Është për të ardhur keq që në këtë 103 vjetor të Epopesë së Vlorës, kjo ngjarje e lavdishme kaloi pa asnjë aktivitet nga pushteti vendor. Madje as nga pushteti qendror dhe Ministria e Mbrojtjes, nuk pati asnjë kujtesë, sepse Rama dhe të ngjashmit e tij e kujtojnë Luftën e Vlorës vetëm në kohë fushatash. Por Lufta e Vlorës shkon përtej interesave meskine të pushtetit. Lufta e Vlorës ishte një luftë, ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, të bazuar vetëm në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush. Ajo zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës dhe Shqipërinë nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë. Si dje, në 3 shtator 1920, të shoqëruara nga tingujt e bandës së Shoqatës “Vatra” në SHBA, e cila kishte kompozuar vargjet e poetit tonë të madh, Ali Asllani: “Vlora, Vlora, bjeri më të lumtë dora”, çetat që morën pjesë në Luftën e Vlorës parakaluan në rrugët e qytetit, të kryesuara nga çeta e Velçës, e cila kishte numrin më të madh të dëshmorëve! Lufta e Vlorës konsolidoi Pavarësinë e Shqipërisë, ideuar e zbatuar nga Ati ynë i Kombit në 28 nëntor 1912, Ismail Qemal Vlora. Katër janë kulmet e historisë së shtetit shqiptar, të cilat ngjyrosin krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar: Pavarësia (28 Nëntor 1912), shpallur nga Ati i Kombit Ismail Qemal Vlora, Epopeja e Skënderbeut (1443-1468), Lidhja e Prizrenit (1878) dhe Lufta e Vlorës (1920). Lufta e Vlorës zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës, por edhe Shqipërinë nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë. Lufta e Vlorës ishte një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, të bazuar vetëm në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush. Beteja për Vlorën (29 maj-3 shtator 1920) ishte një përballje krejt e pabarabartë e 4 mijë luftëtarëve shqiptarë të keqarmatosur, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por shumica lebër, të vetëorganizuar, pa mbështetje financiare dhe logjistike, me përjashtim të dashurisë dhe sakrificave të popullit të Vlorës, dhe mbi 22 mijë ushtarëve të rregullt, të armatosur deri në dhëmbë, të inkuadruar në dy divizione të një ushtrie ndër më modernet dhe të pajisurat e kohës, ushtrisë italiane. Lufta e Vlorës ngërthen një ngjarje historike të rëndësisë madhore kombëtare, e cila u tregua vendimtare për ekzistencën e mëtejshme dhe pavarësinë e plotë të shtetit të ri shqiptar, të formuar tetë vite më parë, por të gjymtuar nga pasojat e Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe vënë në pikëpyetje nga ushtritë që përshkuan territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, një pjesë e të cilave vijuan të qëndronin edhe pas përfundimit të kësaj Lufte. Fitorja e Luftës së Vlorës festohet dhe duhet të festohet nga vlonjatët gjithmonë me po atë rëndësi që i jepet edhe 28 nëntorit 1912, pasi 3 shtatori 1920 është rishpallja e Pavarësisë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore. Në 2 shtator 1920 u liruan nga ishulli i Sazanit 1760 vlonjatë të internuar. Në këmbim të tyre u liruan edhe robërit italianë (rreth 1400 ushtarë dhe oficerë që mbaheshin në fshatin Vajzë e Tepelenë.) Në 3 shtator 1920 u festua me madhështi fitorja e Luftës së Vlorës. Çeta e parë që hyri në Vlorë ishte Çeta e Velçës, çeta që kishte më shumë dëshmorë në këtë luftë. Flamuri i fitores u ngrit po atë ditë, në 3 gusht mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë, nga një mysliman nga Jugu, major Ahmet Lepenica dhe një katolik nga Veriu At Shtjefën Gjeçovi. Sot, në 103 vjetorin e Luftës së Vlorës, do të doja të kujtoja të gjithë ata trima të Labërisë, Vlorës e Shqipërisë, të cilët derdhën gjakun e nuk i rreshtën kurrë përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Do të doja të kujtoja të gjithë anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj. Do dëshiroja të kujtoja me nderim e respekt të veçantë kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare: Osmën Haxhiu, busti i të cilit, ndonëse me shumë vonesë u vendos vjet pranë bashkisë. Sot do të doja të kujtoja me veneracion dhe Mehmet Selim Mallkeqin, i cili i dorëzoi komandës italiane ultimatumin e Luftës së Vlorës 1920. Për aktin e fortë të këtij luftëtari ne ende nuk kemi një përmendore në Vlorë. Ndiej keqardhje që përmendorja e kapedan Sali Vranishtit, ende nuk po vendoset në Vlorë! Sepse drejtuesit politikë dhe kapedanët e Luftës së Vlorës 1920 duhet të vendosen në Panteonin e Lirisë! Kjo do/duhet të ndodhë, sepse gjaku i luftëtarëve vlonjatë dhe të gjithë Labërisë,dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim, sepse gjaku dhe mesazhi i patriotëve vlonjatë nuk harrohet, por nderohet e lartësohet.
Kronologjia e Luftës së Vlorës, “Termopileve shqiptare”:

  • 21 janar 1920: Kongresi i Lushnjës, në të cilin u vendos sovraniteti i shtetit shqiptar.
  • Në 10 mars 1920 përfaqësuesit e Vlorës, të entusiazmuar nga vendimet e Kongresit të Lushnjes, formuan Komitetin “Mbrojtjes Kombëtare” dhe vendosën që çështja e Vlorës të zgjidhej me armë.
  • Pushtuesi italian në 9 maj bëri arrestime midis organizatorëve të rezistencës dhe në 16 maj shpalli gjendjen e jashtëzakonshme në Vlorë.
  • Pushtuesi më 18 maj 1920 burgos patriotët Jani Minga, Muço Sharra, Dom Mark Vasa, etj.
  • Në 18 maj në Mesaplik zhvillohet një mbledhje e madhe, ku vendoset të luftojnë me Italinë.
  • Pas 3 – 4 ditëve mbahet një tjetër mbledhje në Dërras të Beunit, ku morën pjesë krahina e Mesaplikut dhe e Kudhësit. Edhe këtu u kërkua të luftohej me pushtuesin.
  • Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” i bëri thirrje parësisë së Vlorës të mblidheshin në një kuvend në Barçallla të Dukatit në 29 maj 1920.
  • Kuvendi i Barçallasë vendosi një zëri fillimin e luftës deri në shuarje të njerës palë. Për drejtimin e luftës kuvendi zgjodhi një këshill kombëtar prej 30 vetash nga i cili doli Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare” prej 12 vetash.
  • Për drejtimin e luftës u emërua edhe Shtabi i Luftës dhe Komandanti i Përgjithshëm i Luftës u emërua major Ahmet Lepenica, i cili në qershor kalon nënkomandant i përgjithshëm, pas emërimit të Qazim Koculit Komandant i Përgjithshëm.
  • Më 3 qershor 1920 nga Beuni, Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare”, i drejtoi komandës së trupave pushtuese në Vlorë një ultimatum ku kërkonin tërheqjen e trupave italiane deri në 4 qershor, të cilin e përcolli te komanda italiane Mehmet Selim Mallkeqi.
  • Pasi nuk erdhi asnjë përgjigje, mbrëmjen e 4 qershorit forcat shqiptare sulmuan dhe çarmatosën të gjitha postat e karabinerisë dhe karabinerët i mbajtën rob.
  • Më 5 qershor 1920 sulmohen njëkohësisht të gjitha garnizonet italiane jashtë Vlorës, të cilat u shpartalluan plotësisht. Italianët lanë 700 të vrarë dhe 1500 robër.
  • Më 9 qershor 1920 Komiteti “Mbrojtjes Kombëtare” i dërgon komandës italiane një promemorie të dytë ku kërkohej largimi i pushtuesve.
  • Komanda italiane nuk iu përgjigj promemories, prandaj Komiteti dhe Shtabi i Luftës vendosi të sulmojë Vlorën më 11 qershor.
  • Komiteti i “Mbrojtjes Kombëtare”, pas malit Barçalla në Dukat, malit të Beunit në Vajzë, në fazën e dytë të luftimeve, rreth datës 15 qershor e vendosi selinë e tij në Drashovicë. Drashovica shpallet prefekturë dhe Vlora nënprefekturë që varej nga Drashovica. Prefekt emërohet Qazim Kokoshi. Neki Xheneti u emërua kryetar i Gjykatës. Avdul Kuçi, emërohet Prokuror i Përgjithshëm.
  • Në 22 korrik 1920 forcat shqiptare sulmojnë për herë të dytë Vlorën.
  • Sulmi i forcave shqiptare që shpërtheu i furishëm më 22 – 23 korrik 1920 e detyroi ushtrinë italiane të kapitullonte.
  • Më 17 gusht 1920 repartet e xhandarmërisë shqiptare hynë në Vlorë dhe morën në dorëzim administratën.
  • Më 2 shtator 1920 u liruan nga ishulli i Sazanit 1760 vlonjatë të internuar. Në këmbim të tyre u liruan edhe robërit italianë (rreth 1400 ushtarë dhe oficerë që mbaheshin në fshatin Vajzë e Tepelenë.)
  • Më 3 shtator u festua me madhështi fitorja e Luftës së Vlorës. Vlonjatët e festuan gjithmonë me po atë rëndësi që i jepej edhe 28 nëntorit 1912 dhe kishin te drejtë.3 shtatori 1920 është rishpallja e Pavarësisë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.
  • Flamuri i fitores u vendos të ngrihet po atë ditë, mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë, nga një mysliman nga Jugu, major Ahmet Lepenica dhe një katolik nga Veriu At Shtjefën Gjeçovi. Sot 103 vjet më pas, ne përulemi me nderimet më të thella përpara dëshmorëve të Luftës së Vlorës, çetave nga çdo fshat i Lumit të Vlorës, nga Labëria dhe të gjitha krahinat e Shaipërisë, 12 anëtarëve te Komitetit Mbrojtja Kombëtare, me në krye Osman Haxhiun ose Osman Nurin siç i thoshte populli dhe komandantëve të përgjithshëm të Trupave Kombëtare, Major Ahmet Lepenica dhe Qazim Koculi, kapedanit Sali Vranishti, heronjve, Zigur Lelo, Selam Musa Salaria, Kanan Maze, Sado Koshena, Mehmet Mallkeqi dhe dhjetëra komandantëve te tjerë, që dhanë jetën për Shqipërinë! Data 3 shtator ende nuk është festë kombëtare, megjithëse në ndërgjegjen e popullit është nga datat kulmore të historisë së Shqipërisë, është Lufta e heronjve që ranë për liri e na lanë Shqipëri! Në 50 vjetorin e Luftës së Vlorës, luftëtarët e saj u vlerësuan nga regjimi i kohës, por me shumë kufizime e mënjanime të qëllimshme për arsye politike. Do të duhej të vinte demokracia dhe veçanërisht presidentët e nderuar të Republikës Bamir Topi, Bujar Nishani dhe Ilir Meta në 100 vjetorin e saj, që do të vendosnin në piedestalin më të lartë të vlerësimeve kombëtare heronjtë, drejtuesit, komandantet, dëshmorët dhe figurat politike dhe shoqërore të kohës që mundësuan këtë Luftë – Epope. Gjithashtu gjej rast të vlerësoj studiuesit e historianët, Ago Agaj, që me librin e tij himn për Luftën e Vlorës paraqet një histori të gjallë e të vërtetë të asaj epoke si pjesëmarës e dëshmitar i gjallë;Profesor Bardhosh Gaçe, studiuesit Enver Memishaj (Lepenica), Prof. Dr. Muhin Çami, Viron Koka, Albert Habazaj e shumë historianë e publicistë të tjerë, të cilët kanë vlerësuar këtë ngjarje kaq të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Lufta e Vlorës duhet të përkujtohet gjithmonë, çdo vit, si ngjarja më e dytë më e rëndësishme pas Shpalljes së Pavarësisë në harkun kohor të viteve 1912 -1944. Lufta e Vlorës është skalitur në ndërgjegjen kombëtare e në Historinë tonë, si një ngjarje historike dhe me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe vendimtare për konsolidimin e Pavarësisë, ekzistencën e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e identitetit tonë. Lavdi dëshmorëve, heronjve dhe kapedanëve të Luftës së Vlorës 1920! Gjithmonë jemi dhe u mbetemi borxh Luftës së Vlorës 1920 dhe Heronjve të saj!

Botuar në Gazeta Sot më 4 Shtator 2023

Postimet e lidhura