Mësuesit e artë të Vlorës

Çdo vit, në prag të pranverës në kalendarin tonë zyrtar vjen e mirëpritur dita e 7 Marsit, Festa jonë e Mësuesit e simbolit më madhështor të përparimit, të qytetërimit perëndimor shqiptar.
Mësuesit janë modeli dhe frymëzimi ynë, madje të kesh një mësues model është si të kesh një busull orientuese pranë, që të ndihmon sa herë ti je konfuz për drejtimin që do të marrësh apo për hapat që do të hedhësh.
Mirënjohje pafund çdo mësuesi që është kthyer në prind të dytë për breza të tërë nxënësish! Askush nga ne s’do ishim këta që jemi sot, pa përkushtimin dhe sakrificat e tyre. Shoqëria jonë u ka një borxh të madh brezave të tërë të mësuesve.
Unë e kuptoj dhimbjen, që shoqëron këto fjalë kur i krahason aktualisht me situatën e sotme të mësuesve.
Në fakt, mësues të tillë, me të cilët, kur hynin në klasë hynte figurativisht edhe dielli i kulturës, ka patur vazhdimisht në Shqipëri, që nga fillimet e arsimit shqiptar e deri sot.
Madje, po të zhbirosh, ata mund të jenë në një numër shumë të madh, me të cilin bëhet një enciklopedi. Por këtu do flas për disa prej atyre që i dhanë emër qytetit të Vlorës në historinë më të re të gjysmës së dytë të shekullit XX e më pas në dekadat e para të shekullit tonë, ndonëse sot janë në kohë të tjera.
Është fjala për intelektualë model të institucioneve më të mëdha të arsimit brenda rrethit të Vlorës, si gjimnazi “Ali Demi”, gjimnazi “Halim Xhelo”, etj, që ndoshta gëzonin atëherë një nderim moral më të lartë se autoritetet zyrtare në qytet.
Aq më tepër qenë ata mësues, që, qoftë me shkollime të mira e qoftë me aftësi të lindura si autodidaktë, ishin në pararojë të inteligjencës së qyteteve më me rëndësi të vendit.
Në mungesë të plotë të literaturës shkollore e librore, të radiove e bibliotekave të pakta, të televizoreve ende të pamasivizuar e, mbi gjithçka, me analfabetizmin që po zbriste ngadalë drejt 50%, këta mësues në ato vite të errëta u bënë fanarë kulture të qyteteve.
Në mes të mangësive ekonomike, që shoqëronin jetën e çdo njeriu, ata i dhanë shoqërisë shqiptare një ushqim intelektual me cilësi.
Edhe për kaq, këta “punëtorë elitarë të dijes” së shëndoshë, mësuesit e artë të Vlorës, Xhevdet Kofina, Harrilla Kuçuli, Konstandin Baltadori, Kristaq Suli, Nestor Nepravishta, Ibrahim Zejno, Abedin Elmazi,Vasil Mino, Shaban Demiraj meritojnë mirënjohjen tonë të përjetshme.
1. Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore në Vlorë do të emërohej si mësues matematike një burrë ende i ri në moshë, që pat punuar si i tillë në disa rrethe të Shqipërisë.
Ai quhej Xhevdet Kofina e shumë shpejt do të bëhej i famshëm me mësimdhënien e tij të shkëlqyer në të dy shkollat ku ai punoi, në gjimnazin “Ali Demi” e më pas në Shkollën e Mesme Pedagogjike.
Shpjegimi i tij fantastik, që i bënte nocionet e larta të matematikës të kuptueshme për çdo nxënës, tërhoqi vëmendjen, duke e bërë një mësues metodist që e ftonin kudo në Shqipëri.
Në gjithë seminaret metodike të përvishtme të Ministrisë së Arsimit ai do ishte përherë “violina” e parë e mësuesve të shpallur nga ajo si metodistët e dalluar të Shqipërisë.
Ky virtuoz i matematikës, nga i cili dolën në 20 vjet me mijëra nxënës, ka qenë dhe një humanist i madh, i cili i trajtoi nxënësit e nxënëset e tij si fëmijët biologjikë.
Ky gjeni i lëndës qe në gjendje që të zgjidhte dhe ushtrimet e rënda, duke qenë gjithashtu i aftë që të llogariste përmendësh veprime të matematikës nga më të vështirat.
I lindur në Fterrë të Sarandës me një vëlla që ka qenë edhe ai një mësues shembullor i qytetit tonë, vdekja e tij do qe e ngjashme me misionin fisnik që i pati vënë vetes.
Ai vdiq në detyrë pas një ore mësimi e varrimi i tij do qe një ceremoni e jashtëzakonshme në qytetin tonë.
Një popull i tërë e përcolli atë si një emblemë e heronjve të arsimit.
2. Mësuesi i dytë, për të cilin do flas lindi në Dhërmi të Himarës e ai është mësuesi Harilla Kuçuli.
Pas disa vitesh studimi në Itali në një institut pedagogjik, ai kthehet në vendlindje si mësues për t’u transferuar pas pak kohe në Vlorë në një shkollë unike e më pas që në disa shkolla të mesme.
Ka punuar si mësues letërsie për disa dekada te gjimnazi “Ali Demi” e Shkolla e Mesme Pedagogjike.
Ai është dhe drejtori i parë në vitin 1947 i tempullit të arsimit vlonjat, gjimnazit “Ali Demi”. Kur ai shpjegonte letërsi, fjalët e tij tingëllonin si muzikë e shkrimtarët bëheshin si të afërm për nxënësit.
Rrallë ndonjë mësues si ai kishte dhuntinë për të zbërthyer edhe figurat më të vështira të letërsisë në imazhe të afërta për mendjet e atyre që dëgjonin për herë të parë për letërsinë botërore të çdo kohe.
Edhe ky ka qenë model i mësuesit metodist, jo vetëm në Vlorë, por edhe në shumë qytete, ku atë e ftonin.
Por kontributi i tij do njihte kulmin kur ishte në Shkollën Pedagogjike.
Është merita e tij e dorës së parë kur nxënësit e tij pedagogjikas u bënë model për mësimin cilësor. Te ai s’ndahej prestigji si mësues elitar nga ai që njihej si njeri me dinjitet moral të jashtëzakonshëm.
Harilla Kuçuli ka qenë shembull i virtytshëm jo vetëm në profesion, po dhe si qytetar i rangut të lartë. Ai jo vetëm u dha gjithë bagazhin e vet metodologjik nxënësve të tij, po dhe u rrinte afër në hallet e tyre.
Është mësuesi i parë i letërsisë në Vlorë që krijoi rrethet e letërsisë, nga të cilat nisen të dilnin edhe shkrimtarët e parë të qytetit tonë.
Ndonëse i parë me dyshim politik, ai vdiq i nderuar nga mijëra njerëz që e deshën me gjithë shpirt.
3.Një mësues tjetër që la gjurmë të ndritura për disa dekada në Vlorë është dhe Konstandin Baltadori.
Ai lindi në fillim të shekullit XX në Korçë në një familje patriotike me prejardhje nga qyteti i Manastirit. I formuar në Liceun e Korçës, pas diplomimit studion në Francë për shkencën e historisë universale.
Fillimisht punoi në gjimnazin e Tiranës e më vonë pas vitit 1944 u emërua në gjimnazin “Ali Demi”.
Gjatë dy dekadave që dha mësim shkëlqeu për dituri enciklopedike e për talentin origjinal pedagogjik. Historia e Shqipërisë në gojën e tij kthehej në një imazh të adhuruar kur ai ligjëronte në orën e mësimit.
Njëherësh, dinte të komunikonte qetë me kolegët e gjithë nxënësit.
Me njohje brilante të disa gjuhëve, ai e pasuronte përherë mësimin me detaje të panumërta historike.
Për një periudhe të shkurtër ai u aktivizua edhe me grupe pune, që në atë kohë po hidhnin bazat për ngritjen e pasurimin e muzeumeve të reja që po ndërtoheshin në Vlorë.
Ishte ndoshta mësuesi më korrekt në kryerjen e detyrave shkollore, që bashkë me arsenalin e kulturës bënin tipin e një mësuesi të rrallë.
U pa me ftohtësi nga regjimi qoftë si intelektual me edukim borgjez, qoftë edhe për indiferencën që shfaqte ndaj frymës ideologjike.
Për ata nxënës, që mësuan prej tij, ai do mbetet i skalitur si edukatori i artë i disa brezave.
4.Po aq i gdhendur do të mbetet në historinë e inteligjencës së Vlorës dhe mësuesi Kristaq Suli.
Ai lindi në vitin 1929 në familjen e një personi të njohur, si Spiro Suli.
Pasi mbaroi studimet për Gjuhë e letërsi ruse në Tiranë në vitin 1950, punoi në gjimnazin e Gjirokastrës, më pas në gjimnazin “Ali Demi” dhe e mbylli karrierën në gjimnazin “Halim Xhelo”.
Kristaq Suli është një themelues i mësimdhënies së gjuhës ruse në shkollat e mesme të qytetit tonë.
Ai ka qenë ndër mësuesit më të shquar të rusishtes në Shqipëri, i vlerësuar si i tillë qysh në vitet ’50, kur u bë autor i disa teksteve për shkollat e mesme të vendit.
Në qytetin tonë ishte i njohur, sidomos për mësimin e shkëlqyer.
Nxënësit e tij kujtojnë mjaft herë se ai e zhvillonte orën e mësimit tërësisht në gjuhën ruse, duke i nxitur edhe ata të vepronin po kështu. Ndërkohë pjesët e vështira gramatikore i alternonte me autoret viganë rusë, që shpesh i recitonte përmendësh.
Në ambientin e kolektivave ku ai punoi, kujtohet si njeri i kulturuar, arsenali i dijeve të të cilit ishte me literaturë filologjike të shumëfishtë.
Gjatë dy dekadave që atij iu dha mundësia për të kontribuar në arsimin e mesëm të qytetit, ai arriti të çmohet maksimalisht nga të gjithë ata që patën fatin ta kishin atë mësues.
5.Një tjetër emër unikal në arsimin vlonjat ka qenë edhe mësuesi i shkëlqyer, Nestor Nepravishta.
I lindur në 1931 në Tiranë, si bir i Kryetarit të Bashkisë së saj në vitet ’30, Abedin Nepravishta, ndonëse në vitin 1949 u vlerësua nga specialistë ruse si njohës i shkëlqyer i 5 gjuhëve të huaja kur ende nuk i kishte mbushur 18 vjeç, pas mbarimit të gjimnazit, për shkak të burgosjes së babait të tij, nuk iu dha e drejta e universitetit. Pas gjimnazit filloi punë si mësues në Fier.
Pas qëndrimit 10 vjeçar në Shkollën e Mesme Bujqësore e në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier, do të jetonte e punonte për 36 vjet në Vlorë, ku u bë bir në shpirt i saj.
Në gjithë shkollat ku punoi në Vlorë, si mësues i gjuhëve angleze, frënge dhe ruse në gjimnazin “Ali Demi” për 12 vjet, si mësues i gjuhës frënge në shkollat “Lef Sallata”, Babicë e “8 Nentori” për 16 vjet, si mësues i gjuhës së sapofutur italiane në gjimnazin “Ali Demi” për katër vjet pas daljes në pension (1986-1990) e qoftë gjatë qëndrimit 4 vjeçar si mësues i gjuhës së sapofutur gjermane në Shkollën Industriale përsëri pas pensionit (1990-1994) shkëlqeu si mësues themelues e i fuqishëm i gjuhëve ruse, angleze, gjermane, frënge e italiane në Fier e Vlorë.
Në vitet ’50-’60 për një dekadë u vlerësua nga Ministria e Arsimit si mësuesi më i mirë i Shqipërisë për mësimin e gjuhëve të huaja.
Nestor Nepravishta është autori i vetëm i Fjalorit të parë në historinë e Shqipërisë Anglisht- Shqip (1966) e i 2 teksteve të para në historinë e Shqipërisë me autorë shqiptarë të gjuhës frënge për gjimnazet, ndonëse në të dy rastet iu mohua e drejta për t’i botuar emrin për shkak të “biografisë së keqe”!
Fjalori i vitit 1966 mbeti Fjalori i vetëm Anglisht- Shqip që për 40 vjet e me 40 ribotime u mësoi mbarë shqiptarëve këtu e jashtë gjuhën më të njohur sot në botë.
Zotërimi i 15 gjuhëve të huaja e bëjnë Nestor Nepravishtën, ndoshta poliglotin më të madh të Shqipërisë.
6.Një tjetër yll plejade i mësuesve të shkëlqyer të Vlorës që dhanë gjithçka, është dhe Ibrahim Zejno.
I lindur në Delvinë në vitin 1934 në një nga familjet më me kulturë të gjithë zonës Sarandë- Delvinë, pasi kreu studimet me medalje të artë për matematikë në 1956,
u emërua po atë vit si pedagog i Katedrës së Matematikës në Fakultetin e Shkencave në Tiranë.
Gjatë qëndrimit të tij gjashtëvjeçar në vitet 1956-1962 si pedagog aty, Ibrahim Zejno bashkë me Kristian Bukuroshin, drejtorin e ardhshëm të Qendrës së Informatikës sonë,
u bënë autorët e vetëm të tekstit të parë të matematikës me autorë shqiptarë për gjithë universitetin.
Ndonëse i rënduar nga biografia e familjes së tij, dyfish e persekutuar, ai, me gjeninë e matematicienit u imponua si mësues i përhershëm legjendar i gjimnazit ” Ali Demi “.
Ky mjeshtër i mësimit të algjebrës, jo vetëm u aktivizua si hartues provimeve të Maturës, por ishte mësuesi që zgjidhte i pari në Vlorë çdo problem të Maturës Shtetërore, sapo ato mbërrinin.
Nga mësimet e tij u përgatit për gati gjysmë shekulli shumica e inteligjencës teknike të qytetit tonë.
Mënyra me të cilën ai përpiqej që t’u nguliste matematikën në klasë qe e përsosur deri në perfeksion.
Ashtu si mbetet përherë në kujtesë rreptësia, por edhe drejtësia e tij në vlerësim.
U largua nga jeta në vitin 2016 duke lënë emrin e tij në panteonin e arsimit vlonjat.
7. Pedagogu Abedin Elmazi i përket një brezi tjetër të mësuesve të matematikës, të cilët dolën në skenë e u afirmuan në vitet ’70-’80.
Ai lindi në Filat të krahinës së Çamërisë në vitin e largët 1940.
I ardhur në Vlorë qysh në moshën 5 vjeçare, ai u rrit mes dy trashëgimive. Qysh në bankat e gjimnazit ai do shfaqej me talent në matematikë, ç’ka do t’i mundësonte që ndryshe nga të tjerë të studionte për këtë lëndë.
Në Fakultetin e Shkencave ai do tregonte këmbëngulje stoike, tipar i racës së tij luftarake, për të dalë me të gjitha notat 10.
Pasi u emërua në Vlorë, ai arriti kulmin e veprimtarisë si mësues kur punoi si pedagog në Filialin e Universitetit të Tiranës në Vlorë, ku i dha një impuls mjaft dinamik përgatitjes së një mase shumë të madhe studentësh.
Edhe në shkollat e mesme ku punoi më pas ai u afirmua si një mësues me elokuence i lëndës që jepte.
Si deputet i Vlorës (1991- 1992), kontribuoi thellësisht në krijimin e Universitetit të Vlorës, “Ismail Qemali”.
Është ndoshta mësuesi i parë i Vlorës në matematikë që mori gradën “Doktor i Shkencave”.
Ikja e tij në vitin 2019 qe si fikja e një ylli, që ende rrezaton e lëshon dritë te ne.
8. Ndoshta u zgjata me mësuesit e matematikës së qytetit tonë, por nuk mund të le pa përmendur mësuesin tim, pedagogun Vasil Mino.
Një tjetër mësues, “magjistar” i matematikës deri në sofistikim, profesor virtuoz, pedagog themelues i matematikës në Universitetin e Vlorës, ku punoi për mbi 10 vjet, ndërkohë më parë ushtroi misionin e mësuesit në shkollën Industriale të qytetit tonë.
Profesor Vasil Mino lindi në 1/03/1947 në Vlorë në një familje me origjine që i përket atij mozaiku të gjerë të familjeve nga treva të ndryshme Shqipërisë së Jugut, të cilat u vendosën në Vlorë në dekadat e para pas Pavarësisë e kontribuuan në përsosjen e qytetit.
I diplomuar shkëlqyer në degën e matematikës speciale, profesor Vasili bëri një emër dinjitoz me shpjegimin e tij impresionues magnetizonte nxënësit në shkollën Industriale.
Rigoroz në vlerësim në një hark të shkurtër kohor fitoi një respekt të pakontestueshëm për dijet e tij.
Kujtimi që kanë sot për të të gjithë ata që patën fatin të lumturoheshin nga shpjegimi i tij i të gjithë atyre që kaluan nga ajo shkollë është një admirim gati mistik.
Edhe tani kur flas jam i bindur që shpirti i tij endet nëpër ato klasa.
Por meritë edhe më madhështore ai ka si një pedagog themelues i Universitetit të ri të qytetit tonë.
Profesor Vasil Mino vuri potencial intelekti si mësues i një lënde primare aty, në rritjen e këtij institucioni të lartë që ishte një tjetër stad zhvillimi për arsimin e Vlorës.
Janë të panumërt edhe ata studentë, të cilët patë fatin të merrnin dije nga dija e tij, kulturë nga kultura e tij.
Patjetër auditoret ku ai qëndisi formulat e bukura te matematikës e ndjejnë mungesën e mjeshtrit.
Por fati jo përherë është me njeriun e në vitin 2014 ai ndërroi jetë duke na lënë një boshllëk që nuk mbushet kurrë e një dashuri që nuk shterron kurrë.
Në këtë portretizim kronologjik të disa prej mësuesve të shkëlqyer të historisë së re të qytetit tonë, nuk mund të rri pa skicuar edhe një mësues të lindur e rritur në Vlorë, por që karrierën e zhvilloi në Tiranë, duke zënë një vend të ndritur në panteonin e shkencës dhe arsimit shqiptar.
Ia vlen t’i shprehim konsideratën më të thellë, sepse edhe pse nuk punoi në Vlorë ai mbetet një yll për arsimin tonë dhe padiskutim ishte një udhërrëfyes për mënyrën se si duhet të jenë të formuar arsimtarët tanë.
9. Është fjala për Akademik, Profesor Doktor Shaban Demiraj, gjuhëtari më i famshëm shqiptar pas Eqerem Cabej, Kryetar i Akademisë së Shkencave e për 50 vjet një nga pedagogët brilantë të Universitetit të Tiranës.
Nisi studimet për Gjuhësi në kryeqytetin e Italisë, por për shkak të Luftës së Dytë Botërore i përfundoi në Tiranë.
Fillimisht punoi në disa gjimnaze (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension. Kështu, ai punon si mësues, profesor e shkencëtar mbi 60 vite, çka përbën në vetvete rekord të jashtëzakonshëm
Kushdo që ishte student i tij e dha provimet me të, drithërohet kur kujton pasionin e leksionet e tij të mbushura me dije enciklopedike për gjuhën shqipe e historinë e saj.
Erudicioni i tij figurativisht ishte një simfoni informacioni, ku në rol të veglave të muzikës së gjuhës qenë historia, arkeologjia, folklori e shumë shkenca për të përfunduar me finalen e simfonisë: lashtësinë e gjuhës sonë.
I përgatitur shkencërisht, me karakter të rreptë e kërkues në radhë të parë ndaj vetes e mandej edhe ndaj të tjerëve, studentë e kolegë, me ndershmëri të panjollë, gjithherë i njerëzishëm.
Profesor Shaban Demiraj ka qenë dhe mbetet shembull për ish-studentët dhe kolegët e tij: i drejtë, kërkues, nxitës i përhershëm, duke dhënë vetë shembullin personal, duke u bërë për ne shëmbëlltyra e pedagogut dhe shkencëtarit të pasionuar.
Edhe takti i tij pedagogjik njihte një durim deri në përkryerje kur u përgjigjej pyetjeve të studentëve.
Profesor Shaban Demiraj i përket yllnajës më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjitha kohërave. Jeta dhe vepra e vet flet për dashuri ndaj gjuhës shqipe, ndaj gjuhëve, madje ndaj Gjuhës vetë, për pasion, durim e këmbëngulje shembullore në rrugën e kërkuesit, të shkencëtarit të palodhur.
Për 50 vjet profesor Shaban Demiraj u dha me dhjetëra mijëra studentëve në lëndët bazë të gramatikës shqipe, shkroi tekste kyçe të gjuhës sonë e botoi kryevepra të gjuhësisë, si libri “Gramatika historike e shqipes”, duke u bërë për Vlorën një nga bijtë më të njohur në botë.
Për qytetin tonë ai duhet të jetë monument i përjetshëm krenarie.
Në historinë tonë të re mësuesit që lanë gjurmë të pashlyeshme janë me qindra dhe qindra te tille.
Për arsye kohe u përqendrova te portretet e mësuesve që nuk janë më.
Ky masiv njerëzor që arsimoi një qytet të tërë për gjysmë shekulli, që nga fundi i Luftës II Botërore, është nje himn i mrekullueshëm i mirënjohjes së pakufishme, sepse edukoi gjenerata të tëra të Vlorës, e cila në vetvete simbolizonte dhe simbolizon një nga qytetet me të ndritura të Shqipërisë moderne.
Me dhjetëra e dhjetëra nxënës të tyre më pas u bënë personalitete të politikës, kulturës e shkencës, me mijëra e mijëra prej atyre më pas u transferuan në Tiranë e kudo në detyra, poste dhe në çdo punë, por në themelin e këtij uragani njerëzor vlonjat që zotëroi vendin është edhe mundi i mësuesve që u dhanë pasaportat e shkollimit.
Por mësuesit, të cilët përmenda më sipër janë shumë pak në krahasim me atë plejadë mësuesish model të qytetit tonë. Me dhjetëra mësues, model frymëzimi, të cilët i vlerësoj e do t’i vlerësoj, jo vetëm unë, por një qytet i tërë, breza të tërë vlonjatësh.
Nuk mund të le pa përmendur mësuesit e mi, përpara të cilëve fjalët humbasin e varfërohen:
Balil Resuli, Piro Mone, Luan Duka, Zhaneta Nova, Beirie Lulaj, Tefta Hajno, Aneta Bollano, Kushulla Karalliu, Fejzie Osmani, Njazi Azizi, Petrit Meminaj, Fatmir Gjebrea, Frosina Papa, Arshi Sula, Vllasi Guberaj.
Duke e mbyllur, dua t’ju kujtoj të gjithëve se dhjetëra mësues vlonjatë trupëzuan një zinxhir brezash, që sollën edhe kontribute të posaçme në arsimin vlonjat.
Mirënjohje për mësuesit:
Ibrahim Vasjari, Gëzim Zilja, Tahsim Likaj, Besnik Deromemaj, Harallamb Papakroni, Halo Sinani, Teuta Resuli, Bedri Shaska, Tefta Agalliu, Petrit Osmani, Dashamir Ramosaço, Ebeet Xhyheri, Muhamet Haxhiu, Astrit Isaraj, Masar Sinoimeri, Milto Shuka, Engjëll Saliu, Hatika Luçi, Konstanca Sinoimeri, Zhaneta Dodi, Petraq Dodi, Ali Belshi, Tefta Mërkuri, Aqif Sulo, Lubjana Pema, Diana Pavli, Evanthi Adhami, Teuta Zilja, Xhorxhi Skrame, Eli Skrame, Ruzhdi Zoto, Lefteri Zilja, Violeta Rusha, Spiro Billa, Shyqyri Kasemi, Zenel Zeneli, Nasip Xhelili, Pranvera Xhelili, Zili Azizaj, Niko Dumani, Spiro Caushi, Piro Stefa, Miliano Stefa, Marie Pici, Jolanda Panajoti, Dafina Brokaj, Luljeta Braka, Hixhlal Xhyheri, Shpëtim Xhyheri, Dajlan Luzaj, Shyqyri Zeneli, Myrvete Zeneli, Resul Mahmuti, Engjëll Hasimi, Abdurrahman Meçe, Vaso Pata, e dhjetëra e dhjetëra mësues të tjerë.
Këta mësues që patën një mision të nderuar në iluminimin e qytetit tonë heroik dhe inteligjent kishin origjinë e përkatësi të ndryshme, nga Laberia, Gjirokastra, Libohova, Çamëria, etj.
Por që të gjithë kishin një ëndërr, që vinte nga historia e lashtë e Vlorës: “T’i shtojmë këtij qyteti me bukuri natyrore magjepsëse edhe njerëz të pajisur me kulturë po aq magjepsëse.”
Ata e nisën me sukses realizimin e ëndrrës dhe dhanë sa mundën nga shpirti, dija, kultura e tyre!
Qoftë dhe për këtë do mbeten të pavdekshëm në kujtesën e Vlorës!
Uroj që arsimi ynë të mishërojë atë vokacion, të mishërojë ato vlera dhe të përmbushë atë ëndërr e përkushtim të mësuesve tanë të shkëlqyer. Një arsim që nuk është thjesht një shkollë, por, siç mëson mësuesit tanë të nderuar, duhet të jetë një shkollë e shkollave, që formon intelektualë, por që në të njëjtën kohë edukon qytetarë të mirë.
Gëzuar 7 Marsin!
Bujar Leskaj

Postimet e lidhura