Liria dhe kthimi i shpresës

Liria dhe kthimi i shpresës

8 Dhjetori, Dita e Rinisë përfaqëson edhe Ditën e Lirisë për të gjithë shqiptarët, ndoshta e ngjashme me 28 Nëntorin, ditën e madhe të lirisë kombëtare në raport me historinë tonë.
Studentët në dhjetorin e 1990-ës, ndërmjet Lirisë dhe Tiranisë, pa mëdyshje zgjodhën lirinë, si pasurinë më të madhe të Njerëzimit dhe shoqërisë moderne. Liria nuk implementohet në mënyrë mekanike, ajo ndërtohet. Studentët e dhjetorit 90-të ishin nismëtarët e saj të parë, duke gjeneruar heronjtë e e mëdhenj të Lëvizjes për Liri e Demokraci, si Arben Broci, Azem Hajdari, etj.
Mposhtja e frikës dhe sfida që studentët shqiptarë i bënë sistemit diktatorial komunist gati 50 vjeçar shënuan atë moment të madh të ndërgjegjësimit të kombit tonë për të shkuarën e vet, por mbi të gjitha për të ardhmen e tij.
Bijë e Lëvizjes së Dhjetorit 90-të u bë Partia Demokratike, Partia e Dhjetorit, e cila thirrjet e studentëve “E DUAM SHQIPERINE SI GJITHE EVROPA!” i bëri program për të ndërtuar marrëdhënien e re të vendit me të ardhmen evropiane.
Studentët në dhjetorin e 1990-ës zgjodhën lirinë. Tani, pas 25 prillit 2021, studentët e sotëm do të kenë mundësinë të zgjedhin rrugën e jetës mes ofertave më të mira për punë, që do t’ua mundësojë një qeverisje e përkushtuar dhe e fokusuar tek ata.
Gjithshka ka të bëjë me idealin qeverisës. Partia Demokratike është e përkushtuar të sigurojë një të ardhme të qartë për të rinjtë në vendin e tyre. Forca politike që anëtarësoi Shqipërinë në NATO, ka një program të plotë për krijimin e lehtësirave me politika fiskale nga shkolla tek tregu i punës për grupmoshat 18-20 vjeç, për vendosjen e sistemit të meritës.
Sa qindra mijëra prindër sot janë të etur për të parë dhe përqafuar fëmijët e tyre, të ndodhur larg në shtetet e tjera në Evropë dhe në botë?
Sa dhjetëra mijëra prindër të tjerë rrinë me zemër të dredhur, pse tetë ndër dhjetë fëmijët e tyre dëshirojnë vetëm të largohen një orë e më parë nga Shqipëria?
Jo pse nuk e duan vendin e tyre. Jo se nuk kanë menduar të ndërtojnë të ardhmen pranë shokëve, shoqeve, miqve dhe prindërve këtu. Jo se nuk kanë shpresuar, ndoshta dhe me muaj e vite të tëra, për një shans, një mundësi punësimi, që nuk e kanë gjetur në atdhe. Me rezultate të shkëlqyera në studime brenda dhe jashtë vendit, kanë aplikuar pafund, të ndodhur brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë, për një vend të ri pune në administratë në vendin e tyre. Kanë pësuar një zhgënjim të thellë, ndoshta më të hidhurin e jetës së tyre të re, kur u janë mbyllur brutalisht dyert, nga makutëria dhe nepotizmi i burokratëve shtetërorë, mes zhurmës dhe fanfarave butaforike të gjoja pritjes me krahë hapur në administratë të studentëve të ekselencës.
Mungesa, gati vrasja përfundimtare e shpresës ka bërë që emigracioni në Shqipëri të rritet 3-4 herë më shumë se mesatarja e vendeve të Ballkanit. Mungesa e perspektivës, mungesa e vendeve të punës janë shkaku kryesor i largimit të më shumë se 315 mijë të rinjve në tetë vitet e fundit. Është sikur qarqet e Vlorës dhe të Kukësit të boshatisen brenda një nate dhe të kenë zero banorë!
Të rinjtë përbëjnë 45 përqind e fuqisë punëtore të vendit, por sot tre në pesë prej tyre jetojnë të papunë. Edhe pse kanë arsimin e duhur dhe motivimin për të filluar sa më shpejt. Sot kemi realitetin më të hidhur dhe dështimin më të pagojë të investimit tek të rinjtë, me 74.8 përqind të grupmoshave 19-27 vjeç që duan të emigrojnë, duke mos parë asnjë mundësi për të realizuar aspiratat e tyre në atdhe.
Partia Demokratike ka vendosur në krye të prioriteteve të saj për qeverisjen e nesërme, kthimin e shpresës tek Shqipëria. Prioritet absolut është gjenerimi i vendeve të reja të punës, punësimi nëpërmjet investimeve të Shtetit në sektorët që e kthejnë menjëherë këtë investim, si në turizëm, agro-përpunim, agro-turizëm, energji të rinovueshme dhe teknologji e informacionit.
Programet dhe projektet e reja për investime nga Buxheti i Shtetit, në bashkëpunim me fondet e donatorëve, do të përparësojnë në mënyrë të veçantë punësimin e të rinjve. Detyra e qeverisë së ardhshme është që t’ua bëjë sa më të lehtë dhe sa më të pranueshëm rikthimin në vendin e tyre seicilit prej të 315 mijë të rinjve që u detyruan të braktisin atdheun nga mungesa e perspektivës dhe e shpresës në tetë vitet e fundit.
Partia Demokratike do të synojë me të gjithë forcën e vizionit dhe idealit të saj mbylljen e plagës së emigracionit, në rradhë të parë tek të rinjtë. Qeveria e ardhshme e saj do të sillet ndaj të rinjve me të njëjtin përkushtim e përgjegjësi, siç sillen prindërit ndaj fëmijëve të tyre.
Vetëm përkushtimi absolut çdo ditë, çdo orë, vetëm përqëndrimi i fondeve publike tek programet dhe projektet për hapjen e vendeve të reja të punës në sektorë konkurrues e prioritarë për ekonominë tonë, do të ngjallë dhe kthejë shpresën tek të rinjtë tanë, si dhe besim tek investitorët vendas dhe të huaj. Kriza, në rradhë të parë ajo e besimit, do të ndalojë dhe vendi do të kthehet në një cikël pozitiviteti për të gjithë. Të parët që do të përqafojnë shpresën dhe pozitivitetin do të jenë të rinjtë, duke rikthyer shikimin dhe planet e tyre në Shqipëri.
Programi ekonomik i Partisë Demokratike për katër vitet e ardhshme parashikon paketa konkrete fiskale për të nxitur qëndrimin e të rinjve nëpërmjet investimeve, mbështetjes së start-up-eve të tyre, një arsimi me formim profesional dhe të lidhur ngushtë me kërkesat e tregut të punës dhe të sektorëve lider të ekonomisë shqiptare. Partia Demokratike do të ketë lightmotiv të saj në çdo masë për ekonominë frenimin e emigracionit rinor dhe boshatisjes së vendit, nëpërmjet nxitjes me çdo masë e mjet të punësimit rinor. Ky punësim do të nxitet si me politika të qarta, ashtu dhe me fondet e duhura në agroturizëm, agro-përpunim, industri të lehtë me cikël të mbyllur “Made in Albania”, shërbime dhe projekte e sipërmarrje IT të të rinjve.
Studentët në dhjetorin e 1990, ndërmjet lirisë dhe tiranisë, pa mëdyshje zgjodhën lirinë sepse liria është pasuria më e madhe e shoqërisë moderne. Sot të rinjtë duhet të kenë shanset për të zgjedhur punësimin dhe të ardhmen e tyre në atdhe. Partia Demokratike ka vullnetin, energjitë, vizionin dhe programin e duhur për t’ia siguruar këtë të ardhme të rinjve tanë.
Bujar Leskaj

Nota jo kaluese e institucioneve ndërkombëtare për qeverinë

Nota jo kaluese e institucioneve ndërkombëtare për qeverinë

Për një vend si Shqipëria, që në 30 vjet liberalizim ekonomik, ende nuk ka konsoliduar një model të qartë ekonomik, roli i shtetit në politikat ekonomike dhe përmes tyre direkt në ekonomi, mbetet një dilemë e pazgjidhur dhe sfidë e rënduar nga koha. Trashëgimia që na la sistemi monist në kulturën dhe mentalitetin ekonomik, është ajo e një shteti paternalist, centralizues, dogmatik dhe anakronik në novacionet ekonomike, si në ide, ashtu edhe në teknologji.
Gjatë këtyre 30 viteve, kjo kulturë e trashëguar jo vetëm që nuk u zëvendësua nga ajo e tregut të lirë, por përkundrazi, u përçudnua, duke krijuar incentiva të çuditshme ekonomike, që zënë fill nga privatizimet e gabuara politike të së kaluarës e deri tek PPP-të e sotme, si forma të pastra të oligarkisë ekonomike që rëndom lulëzojnë në autokraci politike.
Në një mjedis të tillë, ku informacioni i brendshëm amplifikon interesat ekonomike të klasës ekonomiko-politike në pushtet, zë i besueshëm mbetet ai i partnerëve të huaj, që jo vetëm kanë kaluar eksperienca të tilla në historinë e tyre dhe kanë triumfuar mbi risqet, por njëkohësisht duan ta shohin Shqipërinë sa më shpejt të integruar apo në rrugën e drejtë të integrimit.
Kështu, sipas Raportit mbi klimën e investimeve në Shqipëri 2020 të Departamentit Amerikan të Shtetit , korrupsioni endemik(në sistem) vazhdon të minojë sundimin e ligjit dhe të rrezikojë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë. Raporti përmend që investuesit e huaj theksojnë korrupsionin veçanërisht të shtrirë në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa nga problemet më të mëdha tek ne.
Departamenti Amerikan i Shtetit(DASH) cilëson se perceptimi mbi korrupsionin vazhdon të përkeqësohet. Shqipëria ka rënë shtatë pozicione në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës Transparency International për vitin 2019, duke u renditur e 106-a nga 180 vende. Së bashku me Maqedoninë e Veriut, ajo regjistron treguesin më të ulët në Ballkan. Progresi në luftën ndaj korrupsionit ka qenë i ngadaltë dhe i paqëndrueshëm. DASH konkludon se Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Evropë, sipas Transparency International dhe vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë.
Në korrik 2020, Indeksi vjetor i Institutit të Bazelit për Qeverisjen e renditi Shqipërinë të dytën në Europë dhe të 44-tën në botë për rrezikun e pastrimit të parave . Indeksi mat cilësinë dhe zbatueshmërinë e e kuadrit ligjor të luftës ndaj pastrimit të parave, korrupsionit, transparencën e raportimit financiar, transparencën dhe llogaridhënien publike dhe rreziqet ligjore e financiare.
Një raport i datës 12 nëntor 2020 i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), konstatoi se në vitin 2020 mirëqeverisja është përkeqësuar në mënyrë domethënëse në Shqipëri, duke përfshirë mungesën e funksionimit normal dhe tëefektivitetittë gjykatave dhe rritjen e perceptimit të korrupsionit dhe paqëndrueshmërisë politike tek qytetarët.
Sipas BERZH, Shqipëria është sot më e keq-qeverisur sesa katër vite më parë. Pikëzimi i BERZH për mirëqeverisjen e Shqipërisë ra nga 5.16 në vitin 2019, në 4.5 në 2020. Jemi vendi i dytë me qeverisjen më të keqe në Europen Juglindore, pas Bosnjë Hercegovinës.
BERZH evidenton se masat mbështetëse të qeverisë shqiptare kundër Covid-19 kapin një vlerë prej vetëm 2.8% të PBB-së. Ky tregues është më i ulëti ndër vendet e Ballkanit Jugperëndimor dhe ndër më të ulëtit në botë.
Ndërkohë, në Indeksin “Lehtësia e të bërit Biznes 2020” të Bankës Botërore , humbim 19 vende nga klasifikimi i vitit 2019, duke u renditur në vendin e 82-të në botë. Në këtë Indeks, zëmë vendin e dytë në shtetet që kanë performuar më keq në Evropë. Nga 10 treguesit e Indeksit, në shtatë prej tyre jemi përkeqësuar, ndërsa në dy kemi ngelur në vend. Përkeqësimin më të madh e shënoi treguesi i mbrojtjes se investimeve. Vitin e kaluar, Shqipëria u rendit në vendin e 26-të për mbrojtjen e investimeve, ndërsa këtë vit u renditëm në vendin e 111-të. Ky është indikatori më i rëndësishëm për investuesit e huaj. Për një vit, kemi rënë me 85 vende. Përkeqësim të fortë ka pësuar edhe indikatori tjetër që ka të bëjë me investimet, i quajtur “mbrojtja e kontratave”. Vendi ynë humbi këtë vit 22 vende në renditje, në raport me vitin e kaluar. Indikatori prej të cilit jemi penalizuar prej vitesh, lejet e ndërtimit, ka pësuar edhe ai përkeqësim të mëtejshëm. Këtë vit, Shqipëria renditet në vendin e 166-të në botë, nga vendi i 151 që ishte një vit më parë.
Jemi ndër vendet me barrën fiskale më të lartë në rajon (Banka Botërore, Raporti Ekonomik i Regullt mbi Vendet e Ballkanit Perendimor, shtator 2020, faqe 23 (https://www.worldbank.org/en/region/eca/publication/western-balkans-regular-economic-report),. Bizneset shqiptare paguajnë 36.5% të fitimeve si taksa. Rritja e tatimit mbi fitimin nga 10% në 15% nga 1 janari 2014, rezulton të ketë shtuar barrën e taksave për sipërmarrjet. Goditja selektive dhe klienteliste ndaj biznesit është kthyer në aktivitet të përditshëm për administratën tatimore, në shërbim të interesave të një sekti komandues në qeveri. Sot më shumë se kurrë është i domosdoshëm Ligji për Përgjegjësinë Materiale të Nëpunësit Publik, në një vendim-marrje publike gjithnjë e më tepër e orientuar të kënaqë urdhërat dhe interesat e sektit.
Në vend që të punojë për përmirësimin e klimës së biznesit në mes të një pandemie, qeveria provon marrëzinë e Urdhërit Nr. 44 datë 09.11.2020, duke u përpjekur të transferojë abuzivisht detyrimin e pashlyer tatimor nga sipërmarrja me përgjegjësi të kufizuar (Shpk.) tek pronari(pronarët) e saj apo administratori. Një sprovë flagrante kundër frymës dhe parimeve bazë të Kushtetutes, e cila sanksionon të drejtat legjitime të biznesit për t’u përgjigjur brenda detyrimeve të përcaktuara në ligj për sipërmarrjen e tij. Edhe pse qeveria u tërhoq brenda 48 orëve, ngeli shija e hidhur e një sprove-aventurë krejtësisht e papërgjegjshme, në dëmtim të fortë të klimës së të bërit biznes në Shqipëri.
Më 21 shkurt 2020, Task Forca Financiare (FATF) e MONEYVAL e futi vendin tonë sërish në listën gri të pastrimit të parave . Ky mekanizëm i përhershëm i Këshillit të Europës, me detyrën që të vlerësojë zbatimin e standardeve në luftën kundër pastrimit të parave dhe krimit të organizuar, u shpreh se “korrupsioni paraqet rreziqe të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri. I lidhur shpesh me aktivitetet e krimit të organizuar, ai gjeneron sasi të konsiderueshme të të ardhurave kriminale dhe seriozisht dëmton funksionimin efektiv të sistemit të drejtësisë penale. Autoritetet janë të vetëdijshëm për rreziqet nga korrupsioni, por zbatimi i ligjit deri më tani ka pasur një vëmendje të kufizuar për të shënjestruar korrupsionin e lidhur me pastrimin e parave” . Që në fund të vitit 2018, MONEYVAL u tërhiqte vëmendjen autoriteteve shqiptare që ato nuk po merrnin masat e duhura për të luftuar këto fenomene. Situata nuk ndryshoi tek ne dhe kjo solli që, në shkurt 2020 Komisioni Europian të zgjerojë mekanizmin mbikëqyrës për dukurinë e pastrimit të parave në Shqipëri, duke e rifutur vendin tonë në listën gri të vendeve me rrezik të lartë të pastrimit të parave.
Të gjitha këta vlerësime objektive dhe profesionale të institucioneve dhe organizatave vëzhguese ndërkombëtare e rendisin tejet ulët vendin tonë, duke dëshmuar për rënie të fortë të nivelit të mirëqeverisjes tek ne. Institucionet ndërkombëtare evidentojnë ulje të dukshme të përgjegjshmërisë në performancën e nëpunësve të lartë publike. Risqet e menaxhimit të financave publike, të tilla si Risku i Inflacionit, Risku i Kërkesës, Risku i Normës së Interesit, Risku i Kursit të Këmbimit dhe Risku i Ndërtimit janë rritur kërcënueshëm, jo vetëm në 13 koncesionet dhe PPP-të aktive që do të paguajmë për vitin e ardhshëm, por po gjenerohen edhe në gjashtë PPP-të dhe koncesionet e reja që Buxheti i Shtetit do të financojë në vitin 2021.
Kredibiliteti i Buxhetit te Shtetit ndodhet në nivelin më të ulët të këtij 10 vjeçari të fundit dhe nuk ka shenja të përmirësimit të tij. Të gjitha vlerësimet serioze të institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare për vendin tonë tregojnë çfarë qeverisje kemi dhe papërgjegjshmërinë ekstreme të saj. Një sjellje e tillë qeveritare nuk është thjesht mungesë profesionalizmi, sepse konsulentët dhe bashkëpunëtorët e huaj kanë qenë gjithnjë pranë nesh, si me dije, ashtu edhe me fonde. Një sjellje e tillë, apo më saktë një shurdhëri e tillë, buron nga vënia e interesit të sektit të Kryeministrit në fuqi(i cili sillet si krye-oligark) mbi interesat publike të vendit, nga vjedhja e së ardhmes së një kombi për të pasuruar veten dhe oligarkinë që rrethon pushtetin, nga pengimi i proceseve integruese, për ta mbajtur Shqipërinë peng të kulturës moniste, të trashëguar nga e kaluara.
Bujar Leskaj

Shtatorja e Ismail Qemal Vlorës do të vendoset edhe në Shkup

Shtatorja e Ismail Qemal Vlorës do të vendoset edhe në Shkup

Nga Vlora e flamurit, në ditën e 28 Nëntorit, Pavarësisë së Shqipërisë, ish-deputeti i PD-së Z.Bujar Leskaj, dha një lajm të shkëlqyer për të gjithë bashkëqytetarët vlonjatë dhe më gjerë. Në vitin 2021, në Bashkinë e Shkupit, Komuna Çairi Vjetër, që banohet tërësisht nga shqiptarë, do të vendoset përmendorja e Ismail Qemalit. Leskaj falënderon të gjitha ata që kontribuuan për marrjen e këtij vendimi të rëndësishëm, në veçanti politikanin e njohur të Maqedonisë, Ali Ahmeti dhe kryetarin e Komunës së Çahirit, Visar Ganiu, si dhe intelektualë e studiues.
z. Bujar Leskaj gjatë intervistës që pati me televizionet e ndryshme lokale dhe kombëtare, pas ceremonisë së zhvilluar në sheshin e flamurit dhe vendosjes së kurorës ne varin e Ismail Qemalit, në cilësinë e drejtuesit politik të fushatës elektorale të PD-se në qarkun e Vlorës, për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 25 prillit 2021, ndër të tjera u shpreh, se :
Kjo ditë dhe kjo datë, 28 Nëntori është dita dhe data më e shënuar në historinë e kombit shqiptar. Është dita e kombit, dita flamurit, dita që bashkon në një të vetëm Ismail Qemal Vlorën, Vlorën, Shqipërinë, Kosovën. Padyshim, kjo ditë festohet në Shqipëri, në Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë, pa dallim bindje politike dhe bindje të tjera. Unë kam vetëm një lajm të mirë për të dhënë për bashkëqytetarët e mi vlonjatë dhe më gjerë. Në bashkëpunim me Institutin e Studimeve Politike “Ismail Qemal Vlora”, me intelektualë vlonjatë dhe të tjerë nga Shqipëria dhe Kosova, për vitin 2021 ne do të vendosim përmendoren e Ismail Qemal Vlorës në Bashkinë e Shkupit, Komuna e Çairit (Shkupi i Vjetër) që banohet tërësisht nga shqiptarët. Ky është një projekt për të cilin ne kemi një vit që punojmë. Tashmë jemi në fazën finale. Janë përzgjedhur, kuptohet nga ekspertët, dy veprat, të skulptorit të popullit, “Nderi i Kombit” Muntaz Dhrami dhe të skulptorit të shquar Luan Mulliqi. Këtë muaj ne përcaktojmë përzgjedhjen. Kemi përcaktuar dhe vendin. Tashmë është vendimi përkatës i Komunës së Çairit të Vjetër në Shkup. Këtë projekt e realizojmë në bashkëpunim me politikanin e shquar të Maqedonisë, Ali Ahmeti, me kryetarin e Komunës së Çairit, Visar Ganiu, me profesor Bedri Islamin, profesor Bardhosh Gaçe, me shoqatën “Labëria”, kryetarin e saj dhe shumë intelektualë të tjerë vlonjatë.
Në linkun e mëposhtëm gjeni fjalën e plote të z.Bujar Leskaj.

Dr.Bujar Leskaj, Kryetari historik dhe themeluesi i KLSH-së moderne

Dr.Bujar Leskaj, Kryetari historik dhe themeluesi i KLSH-së moderne

Gazeta 55, 08 korrik 2020, nga Redi Ahmetllari. KLSH-ja më në fund arriti në linjën e finishit me zgjedhjen nga Kuvendi të Kryetarit të ri Arben Shehu. Për rreth 8 vite e gjysmë, Dr. Bujar Leskaj qëndroi në krye të KLSH-së duke u bërë kështu Kryetari me mandatin më të gjatë në historinë 100 vjeçare të KLSH-së. Natyrisht, qëndrimi rreth 1 vit e 6 muaj përtej mandatit 7 vjeçar nuk ishte një dëshirë apo ambicie për t’u kapur pas karriges, por ngërçi ishte i tillë saqë KLSH-ja s’bënte dot pa Dr.Leskajn. Natyrisht, u krijua kjo simbiozë mes institucionit të KLSH dhe personalitetit të Dr. Bujar Leskajt, e cila nuk duhet keqkuptuar me kultin e individit, por në thelb ajo duhet të shihet me atë fenomenin e shkrirjes së institucionit me një burrë-shteti, e cila përbën veçantinë e institucioneve demokratike europiane. Pikërisht, kjo lexohet edhe tek vlerësimi i Presidentit Ilir Meta gjatë takimit me 6 korrik me Dr. Bujar Leskaj,  me rastin e dorëzimit të detyrës së tij, ku Kreu i Shtetit e falënderoi zotin Leskaj për ushtrimin me përgjegjshmëri të kësaj detyre deri në fund dhe vlerësoi rolin e tij për modernizimin e KLSH-së, përdorimin e standardeve të auditimit suprem publik të pranuara ndërkombëtarisht (ISSAI-t), për forcimin e llogaridhënies, transparencës, luftës kundër korrupsionit dhe abuzimit me fondet publike në administratën shtetërore. Takimi kishte edhe një domethënie artistike dhe simbolike, në sfond me  pikturës shpalljes së pavarësisë nga Ismail Qemali ku trashëgimia politike dhe patriotike e të madhit Ismail Qemali spikat si rrjedhë vijuese  edhe tek përfundimi me sukses i detyrës nga Dr. Leskaj. Kontrolli i Lartë i Shtetit është një institucion unikal, një dhe i vetëm, në repertorin e institucioneve shqiptare dhe megjithatë, ai ka qenë i përhumbur në atë karvanin burokratik të administratës, të cilat kanë rendur mbi dërrasat e kalbura të tranzicionit shqiptar. Si ogur i mirë, 100 vjetori i shtetit shqiptar e gjeti KLSH-në me një Kryetar të ri, dr. Bujar Leskaj, personaliteti i të cilit ka qenë më i zëshëm se vet KLSH-ja e inspektimeve të zymta të 20 vjeçarit të tranzicionit. Mund të duket provinciale t’i kujtosh dikujt origjinën ku është rritur dhe mbrujtur, po përkatësia vlonjate është puqur më shumë me institucionin, më saktë në një konvergim historik, marrë parasysh faktin se themelimi i Këshillit Kontrollues në 1925 qe një propozim i deputetit të Vlorës, Mustafa Tragjasi, i cili mbi domosdoshmërinë për ngritjen e një institucioni auditimi do të shprehej se: “Populli po thotë se taksat jam tue i paguar, por nuk jam duke ditur se ku po prishen. Edhe për t’i dhënë një dritë popullit që nesër t’i paguajë taksat ma me gëzim është e nevojshme që ta ndriçojmë mbi të ardhurat dhe të prishurat”.

 

Shumëkush mund të flasë dhe të shkruaj gjithfarë qokash për dikë, por në rastin konkret, t’i thurësh artificialisht lavde është një mohim i punës reale të Dr. Bujar Leskajt në krye të KLSH-së. Si një institucion me mandat të gjerë 7 vjeçar drejtimi, Kryetarin Leskaj duhet ta shkëpusim nga e përgjithshmja, pra nga cikli i rotacioneve të kryetarëve sepse ai, ndryshe nga paraardhësit e tij, nuk do të bëjë pjesë tek grupi i ish-kryetarëve, por do të mbetet si kryetari i themelimit të KLSH-së moderne, ose një Kryetar emeritus i KLSH-së.

 

 

Arkitektura e re menaxheriale dhe audituese e KLSH-së ka një dëshmitar kyç, verba volant, scripta manent thotë latini, pra ligjin e ri 154/2014 të funksionimit dhe organizimit të KLSH-së. Me të drejtë, ky ligj mund të pagëzohet si Ligji “Leskaj” i KLSH-së sepse është hartuar dhe miratuar falë përkushtimit dhe vendosmërisë personale të Dr. Bujar Leskajt. Sinqeriteti i kësaj vendosmërie lexohet qartë tek thirrja e tij se do jepte dorëheqjen si Kryetar i sapozgjedhur në rast të mosmiratimit nga maxhoranca e majtë të këtij ligji. Kësaj sipërmarrjeje të Kryetarit Leskaj iu bashkua një aleat i fuqishëm i shqiptarëve, Bashkimi Europian, i cili e “kërcënoi” qeverinë e majtë se nuk do ti lëvronte rreth 40 milion euro nëse nuk do të miratonte ligjin “Leskaj” të KLSH-së.

 

Nëse do të bëjmë një bilanc, në dy vitet e para, përmes këtij ligji të ri, Dr. Bujar Leskaj arriti t’i jepte KLSH-së ato atribute që s’mori përgjatë 20 viteve. Sot, KLSH-ja është i vetmi institucion shqiptar që ka një ligj identik me simotrat europiane. U zhbë termi kontroll dhe u gdhend fjala auditim dhe u vendos fjalori dhe metodologjia euro-atlantike e auditimit, përfshirë auditimin e performancës që Perëndimi filloi ta realizonte qysh në fund të viteve ’70. Miratimi i këtij ligji është një nga ato pak arritje që regjistrohen në progres-raportet e Bashkimit Europian, pra angazhimi i tij është përkthyer në një përfitim për të gjithë shqiptarët në kuadër të përafrimit me BE-në.

 

Shtatë vjet të Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë prodhuar shumë shifra, por tek puna e tij ka diçka më të çmuar për t’u qëmtuar se 6.2 miliardë euro dëm ekonomik të zbuluar në 8 vite apo një kallëzim penal në javë: Sjellja prej shtetari!- ajo çka sot duket edhe me e rrallë, për të mos thënë inekzistente. Në fakt, para se të ketë vepruar si Kryetar i KLSH-së, ai ka vepruar si patriot dhe shtetar. Janë këto dy veti që e kanë bërë KLSH-në një institucion pararojë ndër institucionet shqiptare, madje mund të themi se Kontrolli i Lartë i Shtetit duket si para kohe në krahasim me institucione e tjera, mbarëvajtja e të cilave është bjerrë nga llurba korruptive dhe ambicia për t’u kapur me kthetra pas pushtetit. Pështjellimet politike dhe veçanërisht korruptive i kanë ngecur në kapsulën e kohës së tranzicionit institucionet shqiptare ndërsa KLSH ka arritur spikamën e vet dhe është i pari që ka shkelur finishin e integrimit europian, duke u pozicionuar si një kalorës i vetëm në luftën kundër korrupsionit. Si kryetar i KLSH-së, Dr. Bujar Leskaj ka vepruar në njëfarë mënyre edhe si ministër i Jashtëm i Shqipërisë, si një përfaqësues dinjitoz i interesave kombëtare. Kujtojmë këtu se nënshkrimi i marrëveshjes së parë, si Kryetar i KLSH-së, ka qenë me Zyrën Kombëtare të Kosovës, dhe kjo përzgjedhje nuk është rastësore, por tërësore në patriotikën e vet. Po ashtu, vizitat e tij jashtë vendit kanë pasur në qendër lobimin për anëtarësimin e Kosovës në institucionet ndërkombëtare të auditimit. Me rëndësi për t’u theksuar është edhe auditimi mbi bashkimin doganor Kosovë-Shqipëri, i cili shërben si busull për atë sesi mund të bëhet ky bashkim.Në raport me Bashkimin Europian, KLSH-ja ka spikatur si aleati më i besueshëm për kontrollin dhe monitorimin e financave publike duke u shndërruar në një partner i Gjykatës Europiane të Audituesve dhe të Komisionit Europian, përmes direktoratit të përgjithshëm për buxhetin e BE-së, “DG Budged”.Marrëdhënia me SHBA është harlisur më tej përmes një bashkëpunimi origjinal dhe unikal me Zyrën e Auditimit të Qeverisë së SHBA-së, ku dr. Bujar Leskaj është i vetmi kryetar në vend dhe në rajon që ka realizuar një homologim të plotë dhe konkret me një institucion amerikan. Pritja që iu bë në fund të mandatit nga Kryekontrollori amerikan Gene.L.Dodaro  ose e thënë ndryshe i besuari më i ngushtë i Kongresit Amerikan për auditimin e Shtëpisë së Bardhë, vjen si një certifikim i suksesit dhe besimit të punës së Bujar Leskajt në krye të Kontrollit të Lartë të Shtetit.Kujtojmë këtu se brenda 5 viteve (2015-2020) numërohen rreth 5 vizita të Kryetarit Leskaj në GAO në SHBA. Madje, kjo marrëdhënie gëzon sot një mbrojtje bibliofilike përmes botimit të fundit të Dr. Leskaj “GAO, NIK dhe leksionet e Dodaros”  si dhe ka arritur një rekord të ri në nivel europian, ku Kryetari Leskaj është drejtuesi që ka vizatuar më shumë GAO-n se çdo kryetar tjetër i KLSH-ve europiane.

Në raportet me vendet e zhvilluara të Europës Lindore, veçanërisht ato vende si Polonia dhe Çekia, aktiviteti i Kontrollit të Lartë të Shtetit ka rezonuar, përpos bashkëpunimit për detyrat funksionale, edhe ato ndjesitë e momenteve kyçe historike si e famshmja Solidarnos nga ku kanë marrë spunto edhe ndryshimet demokratike në vendin tonë. Si kurorëzim i këtij bashkëpunimi të suksesshëm, në fakt sot është një Kryetar i KLSH-së,Dr. Bujar Leskaj, e jo një Ministër i Jashtëm apo ndonjë zyrtar tjetër, që është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Polonisë, z. Andrzej Duda me titullin “Kryqi kalorësiak i urdhrit për merita në dobi të Republikës së Polonisë”. Si kryetar i KLSH-së ai s’ka lënë pa shpalosur “reflekset” si njeri i kulturës dhe si një mik i librit, duke e kthyer Kontrollin e Lartë të Shtetit në një institucion të promovimit dhe mbrojtjes së vlerave kulturore, madje më shumë sesa vet ministria e Kulturës. Në njoftimet zyrtare apo rubrikën mjaft kërshërore “jeta sociale” të faqes së KLSH-së, Kontrolli i Lartë i Shtetit shfaq një tjetër dimension si një shtëpi e artistëve dhe intelektualëve. Po ashtu, shtresa e ish-përndjekurve ka gjetur në 7 vitet e Dr. Bujar Leskajt më shumë mbështetje tek KLSH-ja sesa përgjatë 25 viteve të marrë së bashku tek institucionet e ngritura për këtë qëllim. Madje, Kryetari Leskaj u dedikoi një auditim që nxori në pah se problematika e kësaj shtrese janë edhe më të mëdha se ato të publikuara përgjatë viteve. Duke iu rikthyer titullit, se dr. Bujar Leskaj është themeluesi i KLSH-së moderne, duhet të bëjmë një vlerësim në një optikë më të gjerë ngase mbrothësia e një institucioni matet jo nga propaganda, por tek sakrificat e drejtuesit. Në këtë rrafsh, dr. Bujar Leskaj arriti që të bënte reformë edhe me ikjen e tij, më saktë duke mos pranuar të kandidonte për një mandat të dytë. Thënë në mënyrë metaforike, ai mbrojti institucionin edhe nga “vetvetja” pasi të ushtrosh për 14 vite postin e Kryetarit, rrjedhimisht zvetënohet në njëfarë mënyre pavarësia e për pasojë KLSH kthehet si një institucion i dhënë me koncesion. Prandaj, transformimi i këtij vendimi personal të Bujar Leskajt në një parim të Kodit Etik Auditues ka dhënë një shembull të mirë, jo për KLSH-në, por në fakt për të gjithë drejtuesit, qofshin edhe ata politikë. Sepse vjen një moment kur zhvillimi i një institucioni kërkon që t’i hapet rrugë edhe nga vet iniciatorët. Kësisoj, si me emërimin e tij si kryetar ashtu edhe me largimin, Dr. Bujar Leskaj tregoi se ne shqiptarët, nëse drejtohemi nga vullneti i mirë dhe interesi i përgjithshëm, mund të arrijmë të “bëjmë shtet”. Thelbi apo kryekumti që na përcjell veprimtaria e Dr. Bujar Leskajt si Kryetar është se duhet t’i mbrojmë institucionet pikësëpari nga ambiciet personale për t’u kapur pas karriges së institucionit. Dhe ja vijmë pikërisht në realizimin e atij qëllimi që mëtojmë ta realizojmë duke u kacavjerrë pas karriges. Sot, Dr. Bujar Leskaj, përmes punës si kryetar dhe dorëzimit të mandatit si shtetar me dinjitet, ka ngadhënjyer në betejën me kohën përtej mandatit 7 vjeçar pasi e ka fituar titullin si themeluesi i KLSH-së europiane dhe moderne. Por, cilido që ka punuar, cilido mik, cilido bashkëpunëtor apo cilido që e ka takuar qoftë edhe njëherë kupton se për vlerat e mëdha multidimensionale, patriotike, kulturore dhe prej shtetari që bart Dr. Leskaj, karrigia e KLSH-së ishte e vogël për të dhe shteti shqiptar ka nevojë për punën, përkushtimin dhe kontributin e tij në instanca edhe më të larta.

Përurohet në KLSH pllaka përkujtimore në nder të ish Presidentit të Polonisë, z. Lech Kaczynski

Përurohet në KLSH pllaka përkujtimore në nder të ish Presidentit të Polonisë, z. Lech Kaczynski

Në datë 26 qershor 2020,  Kryetari i Kontrollit të Lartë të  Shtetit, z. Bujar Leskaj dhe  Ambasadori i Republikës së Polonisë në Shqipëri,  SHTZ. Karol Bachura përuruan në hyrjen e KLSH-së pllakën përkujtimore në nderim të ish Presidentit  të Polonisë në vitet 2005-2010 dhe ish Presidentit të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë në vitet 1992-1995, z. Lech Kaczynski.
Ai është një nga personalitetet më të shquara polake të periudhës pas rënies së komunizmit në Poloni. Në detyrën e tij si Presidenti Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë (NIK) ai ka luajtur një rol të qenësishëm në modernizimin e NIK-ut polak, baza e të cilit është miratimi i ligjit të ri  organik të institucionit.
Në fjalën e tij me këtë rast, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, z. Bujar Leskaj theksoi se z. Kaczynski si President i  NIK në periudhën 1992-1995 ka një kontribut të veçantë për vendosjen e aktivitetit në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe sigurimin e pavarësisë institucional. Ai ishte iniciator i hartimit të një ligji modern për NIK polak edhe me koston e ndërprerjes së mandatit të tij pas miratimit të ligjit nga parlamenti polak.
Në detyrën e Presidentit të Republikës së Polonisë në periudhën 2005-2010 z. Kaczynski ishte nxitës dhe përkrahës i reformave të thella social-ekonomike pas anëtarësimit të Polonisë në BE në vitin 2004. Figura e tij në historinë e Polonisë  renditet krahas figurës së Papa Gjon Palit të II dhe  udhëheqësit të Solidarnos, z. Lech Walesa. Në nderim për figurë së tij, si dhe të bashkëpunimit të ngushtë midis KLSH-së dhe NIK-ut, KLSH ka emërtuar në vitin 2018 një nga sallat e institucionit me emrin e z. Lech Kaczynski.
Kryetari i KLSH-së, z. Leskaj theksoi se NIK-u polak ka qenë një nga partnerët më të ngushtë të KLSH-së në tetë vitet e fundit duke kontribuar me ekspertizën e tij në modernizimin e KLSH.
Ambasadori Bachura në fjalën e tij të falënderimit theksoi se miqësia dhe bashkëpunimi midis Shqipërisë shtrihet ndër vite e shekuj. Të dy vendet tona kanë histori të ngjashme,  e cila në vitet e fundit është  shoqëruar me reforma të thella demokratike dhe ekonomike. Ai vlerësoi figurën e z. Kaczynski si një nga personalitetet më të rëndësishme të vendit pas viteve 1990  i cili synoi ta kthejë institucionin e Zyrës Kombëtare të Auditimit të Polonisë si  një institucion model në administratën publike për të rritur në këtë mënyrë llogaridhënien dhe transparencën.
Z. Bachura vlerësoi bashkëpunimin e KLSH me NIK-un polak gjatë viteve të fundit the theksoi se vendosja e pllakës përkujtimore në KLSH për vetë pozicionin që ka institucioni në Tiranë, do tu sjellë në vëmendje polakëve që vizitojnë Shqipërinë vlerësimin që ka KLSH për z. Kaczynski, miqësinë midis dy vendeve tona dhe ftesën për të vizituar sallën me emrin Lech Kaczynski në godinën e KLSH-së.
Z. Bachura theksoi se ai është në mbarim të mandatit të tij si ambasador në Tiranë por ai po largohet nga Shqipëria me bindjen se bashkëpunimi midis dy vendeve tona do të vijojë të thellohet në fusha të ndryshme dhe se si KLSH dhe NIK do të vazhdojnë të jenë promotore të mirëqeverisjes.
Pas ceremonisë, Kryetari i KLSH-së priti në zyrën e tij Ambasadorin Bachura  i cili vlerësoi  dhe uroi z. Leskaj për përfundimin e mandatit të tij si Kryetari i KLSH-së.

Financat e shtetit. Si u zbuluan abuzimet, sot 95 vjet nga krijimi i KLSH-së

Financat e shtetit. Si u zbuluan abuzimet, sot 95 vjet nga krijimi i KLSH-së

Gazeta panorama date 25 maj 2020. Sot, Kontrolli i Lartë i Shtetit kremton 95 vjetorin e themelimit të tij, duke qenë një institucion që ka përshkuar jetën e shtetit shqiptar në disa regjime të ndryshime qeverisëse. Që nga shteti i brishtë shqiptar i viteve të para pas pavarësisë te periudha e mbretërisë, në regjimin komunist e për të vijuar në 30 vitet e fundit në sistemin demokratik, KLSH-ja ka kaluar përmes disa sfidash. Në një letër urimi të shpërndarë për mediat dhe gjithë ata që kanë kontribuuar ndër vite për këtë institucion, KLSH-ja vlerëson disa nga personazhet më të spikatura. Në datën 25 maj 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të kremtojë datëlindjen e tij të 95-të. Në respekt të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e institucionit, në parathënien e librit, Historiku i KLSH 1925-2012, theksova: Sjellim sot në kujtesë me vlerësim maksimal figurat që kanë drejtuar këtë institucion, vecanërisht në vitet 1925-1944, si Fejzi Alizoti, Kol Thaci, Lac Gera, Llambi Aleksi, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhafer Ypi, Rrok Gera, Izedin Beshiri dhe të tjerë më tej. Vlerësojmë po ashtu punën reformuese të kryer nga z. Blerim Cela, ish-Kryetari i KLSH-së në vitet 1992-1997 dhe Mustafa Kërcuku, ishKryetar i KLSH-së në vitet 1997-2004, si dhe kontributin e ish-kryetarëve Zyhdi Pepa, Ylli Memisha, Alfred Karamuco e Robert Ceku, ishkryetar deri në vitin 2011, thuhet në letrën e urimit të KLSH-së. ARRITJET Por në këtë letër urimi, kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, është ndalur edhe tek arritjet që ka bërë institucioni që ai drejton prej 7 vitesh. Duke vlerësuar misionin e KLSH-së si agjent i publikut dhe i Kuvendit, për përdorimin me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet të burimeve dhe fondeve publike, KLSH-ja, në tetë vitet e fundit, ka synuar forcimin e besimit të qytetarit dhe publikut në tërësi, nëpërmjet njohjes më nga afër të veprimtarisë së tij, auditimeve dhe rezultateve të tyre, si dhe partneritetet që ka krijuar brenda dhe jashtë vendit për të përmirësuar qeverisjen publike, duke u përpjekur të luftojë në thellësi korrupsionin. Për herë të parë në KLSH, në tetor të vitit 2012, është krijuar Departamenti i Auditimit të Performancës. Ligji i ri specifikoi dhe mundësoi realizimin e këtij lloj auditimi nga KLSH. Auditimet e performancës gjatë 2012-2019 theksuan shumëllojshmërinë dhe ndjeshmërinë e cështjeve që mbuluan reformat ekonomike, sociale dhe kulturore, cështjet energjetike dhe mjedisore, aspektet makro dhe mikro të realitetit shqiptar etj. KLSH ka bërë hapa të konsiderueshëm në zhvillimin e auditimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe për herë të parë, në KLSH kemi një Departament të Auditimit IT. Në Strategjinë e Zhvillimit të KLSH-së, për vitet 2018-2022, i është dhënë një rëndësi e vecantë auditimit të IT dhe është punuar në drejtim të rritjes së kapaciteteve, zbatimin e standardeve profesionale dhe shkëmbimin e eksperiencave. Përmes auditimeve të zhvilluara, ne kemi dokumentuar abuzimet me pronën publike, duke synuar përmirësimin e qeverisjes publike, duke thelluar luftën pa kompromis ndaj zyrtarëve të korruptuar, kryesisht me adresim e kallëzimeve penale, me akuzat Shpërdorim detyre, Shkelje e barazisë në tenderë, etj. Në vitet 2012-2019, KLSH ka përcjellë 328 kallëzime penale për 985 persona, ose thënë ndryshe, ka adresuar cdo javë një kallëzim penal për zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm, konstatuar me shkelje të rënda nga auditimet e KLSH-së. Indikatori i dobisë së auditimit, si një nga treguesit më domethënës të performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, për 8 vitet 2012-2019, rezulton se për cdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSHsë, është kërkuar për tu zhdëmtuar 82,2 lekë, ose 4 herë më shumë, se sa është kërkuar në periudhën 10-vjecare 2002-2011 (21.1 lekë). Duke filluar nga viti 2012, KLSH publikoi për herë të parë një revistë kërkimore-shkencore, Auditimi Publik. Revista ka një bord shkencor me akademikë dhe profesorë të shquar, shqiptarë dhe të huaj, në fushën e ekonomisë, ligjit, inxhinierisë etj. Revista Shkencore Auditimi Publik ka arritur në numrin 25 të saj. Transparenca e aktivitetit të KLSH-së është një nga treguesit kryesorë të modernizmit të tij si institucion dhe komunikimit shumëdimensional. KLSH-ja ka pasur një komunikim të pandërprerë me qytetarët gjatë këtyre viteve, kryesisht përmes bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe mediat, si dhe përmes përgjigjeve ndaj letrave të qytetarëve. Bazuar në praktikat më të mira Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit mbi transparencën dhe impaktin social, KLSH ka organizuar për të tretin vit radhazi Muajin e Hapur për Qytetarët. Në tetë vite, KLSH ka organizuar shtatë konferenca vjetore shkencore, në të cilat janë trajtuar tematika të ndryshme dhe kanë marrë pjesë personalitete të fushës së auditimit dhe më gjerë nga vendi e bota. Konferenca e fundit e zhvilluar në nëntor të vitit 2019, iu dedikua audituesve të rinj të KLSH-së dhe kishte si temë kryesore Sfidat e Auditimit Publik në kontekstin e anëtarësimit të vendit në BE. Në vitet e fundit 2012-2019, KLSH ka nënshkruar 60 marrëveshje bashkëpunimi me OJF, institucione homologe dhe Universitete publike dhe private, thuhet ndër të tjera në këtë letër urimi për 95-vjetorin e themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. SFIDAT Gjithashtu, në letër theksohen edhe sfidat që paraqiten në të ardhmen, ku ndër më të mëdhatë parashikohet të jetë në fushën e teknologjisë. Misioni ynë, në dritën e orientimit themelor të Kongreseve të INTOSAI-t, sipas përcaktimeve kushtetuese në nenet 162-164, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por edhe në nenin 1, të Deklaratës së Limës, e konsideruar si Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditmit është rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e fondeve publike, në një shkallë më të gjerë, për të gjithë komunitetin të cilit një SAI i shërben Taksapaguesve, Publikut, Parlamentit dhe Organeve Ekzekutive, duke kufizuar ne maksimum abuzimet dhe duke siguruar përdorimin me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë të këtyre fondeve. Ecuria në këto vite e treguesve moshorë ka njohur trendin e uljes së moshës mesatare te punonjësve, nga 50 vjec në vitin 2011 në 42 vjec aktualisht, si rezultat i politikave të rekrutimit të punonjësve me aftësi profesionale që i përgjigjen zhvillimit dinamik të teknologjive të reja, fushave të reja me të cilat përballet sektori publik, vecohet në letrën e urimit.

Suksesi i rimëkëmbjes varet nga të gjithë ne.

Suksesi i rimëkëmbjes varet nga të gjithë ne.

Botuar ne gazeten Mapo, nga Bujar Leskaj
Rritja e rolit të sektorit publik Pandemia e COVID-19 na gjeti të gjithëve të papërgatitur. Patriarku Henri Kissinger, në një editorial të tij më datë 6 prill 2020, në gazetën “The Wall Street Journal”, me titull “Koronavirusi do të ndryshojë përgjithmonë rendin botëror”, shprehet se “Koronavirusi ka goditur me një forcë dhe egërsi të paprecedentë”.Pandemia i ngjan një lufte dhe në shumë përmasa të saj është e tillë. Njerëzit po humbasin jetën dhe mjetet e jetesës. Mjekët dhe infermierët janë në vijën e parë të frontit. Punonjësit që ofrojnë shërbimet thelbësore, si shpërndarjen e ushqimeve, ilaçeve dhe shërbimeve publike, punojnë jashtë orarit për të mbështetur përpjekjen. Dhe janë ushtarët e fshehur, ata që luftojnë pandeminë të mbyllur në shtëpitë e tyre. Janë me miliarda qytetarë, të paaftë për të kontribuar plotësisht në prodhim.Në një luftë, shpenzimet masive për armatime stimulojnë aktivitetin ekonomik dhe dispozitat e posaçme, që shpesh shkojnë ndesh me Kushtetutën dhe kufizojnë të drejta themelore të njeriut, sigurojnë shërbime thelbësore. Në këtë pandemi, gjërat janë më të ndërlikuara, por një tipar i përbashkët është roli i rritur për sektorin publik, për kontributin dhe vendim-marrjen e qeverisë dhe të bankës qendrore.Lufta ndaj koronavirusit e gjeti Shqipërinë shumë të brishtë ekonomisht. Dëmi nga tërmeti i 26 nëntorit, sipas metodologjisë PDNA (Post Disaster Needs Assessment) të Bankës Botërore u llogarit 7,5% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit, ose mbi 1 miliard euro. Sipas raportit të Bankës Botërore “Të luftosh Covid-19, Përditësimi Ekonomik i Europës dhe Azisë Qendrore”1, botuar me 9 prill 2020, i cili parashikon një recesion (rënie) të ekonomisë sonë prej 1,4% “Nëse epidemia e COVID-19 do të zgjasë gjatë gjithë 3-mujorit të dytë të vitit 2020 ose të kthehet në vitin 2021, efektet negative në kërkesë pritet të jenë shumë më të mëdha dhe të vazhdueshme. Një skenar në rënie të aktivitetit ekonomik që parashikon pasojat e koronavirusit vetëm për një vit (2020), si dhe rënie më të theksuar e të gjatë të çmimeve të naftës, do të sillte një ulje me 0,5 % të rritjes së PBB-së në vitin 2020, duke rritur më tej borxhin publik ndaj PBB-së, si dhe/ose duke e detyruar qeverinë të vonojë investimet pë rindërtimin nga tërmeti. Shqipëria është e prekshme ndaj riskut të largimit të investitorëve të huaj për shkak të situatës në tregjet ku eksportohet dhe mund ta ketë të vështirë të marrë financim të jashtëm”.Nga ana tjetër, ndryshenga kriza e vitit 2008, që preku vendet e zhvilluara për shkak se atje ishin aktive tregjet financiare dhe ndërlidhja e tyre ishte në nivel të lartë, kjo situatëprek direkt ekonominë reale, pra punëzënien në sektorët realë të prodhimit dhe shërbimeve, metendencën drejt krizës së qartë në të ardhmen. Duke qenë se vendi ynë nuk ofron shumë produkte virtuale, të mbështetura në teknologjinë e informacionit, por produkte dhe shërbime që kërkojnë praninë në vendin e punës të gjithësecilit, që nga fermeri, peshkatari e blegtori në prodhim, tek muratori e inxhinjieri në ndërtim, apo farmacisti e bukëpjekësi në tregti, ringritja do të jetë e vështirë. Shkalla e automatizimit dhe informatizimit të ekonomisë sonë është ende në nivele të ulëta dhe shumë pak shqiptarëkanë mundur të punojnë nga shtëpia në degët e shërbimeve dhe akoma më pak në degët e prodhimit. Në këtë këndvështrim, për qeverinë, bankën qendrore, institucionet e tjera dhe vetë qytetarët është i domosdoshëm dallimi i qartë i dy fazave:Faza 1: Lufta-Epidemia është në veprim të plotë. Për të shpëtuar jetët e njerëzve, masat kufizuese të përhapjes së virusit janë duke e tkurrur rëndë aktivitetin ekonomik. Mbetet të shpresojmë se kjo gjendje nuk do të zgjasë më shumë se deri në fund të 3-mujorit të dytë të këtij viti. Në këtë periudhë duhet ndihmuar fort dhe thellësisht ekonomia, me vetëm një prioritet mbi të, shëndetin e e popullates. Faza 2: Rimëkëmbja -paralelisht me epideminë dhe pas saj. Epidemia do të vihet nën kontroll në këtë periudhë, përmes të ashtuquajturit “imunitet të popullatës”, që do të kenë fituar shumica e qytetarëve dhe me masat e vazhdueshme të kujdesit profilaktik, por që janë më pak dëmtuese për ekonominë, nga sa është izolimi në shtëpi. Ndërsa gradualisht hiqen kufizimet, ekonomia rikthehet –ndonëse jo plotësisht -në funksionimin e saj normal.Suksesi i ritmit të rimëkëmbjes do të varet nga politikat e ndërmarra gjatë kësaj periudhe. Këto politika duhet të sigurojnë që (1) punonjësit të mos humbasin punën e tyre, apo kur e humbasin, të marrin te ardhura normale për ta; (2) kompanitë, si ato të mesme, ashtu dhe ato të mëdha, sidomos në fushat kryesore të prodhimit dhe shërbimeve themelore, të shmangin falimentimin dhe rifillojnë punën, edhe pse në një nivel modest, (3) rrjetete biznesit dhe tregtisë të ruhen; (4) të sigurohetqëgarantohet parimi i sigurisëpër qytetarët e vendit. Këto janëkushte themelore, të cilat duhet të plotësohen nënjëshkallësa mëtëlartëtëmundshme qëgjatëfazës sëparëtë kësaj situate(fazës sëluftës-e cila, për tëqenëmëtësaktë, duhet tëquhet faza e luftës dhe e punës). Nëse ndihmesa të tilla realizohen me transparencë dhe masivisht, rimëkëmbja e ekonomisë ndodh më shpejt dhe më mirë. Kryefjala e politikave të rimëkëmbjes duhet të jetë “likuiditeti”.Sipas ekspertëve tëFMN-sëGiovanni Dell’Ariccia,Paolo Mauro,Antonio SpilimbergodheJeromin Zettelmeyer nëstudimin e tyre“Politikat ekonomike për luftën ndaj Covid 19” tëdatës 1 prill 2020 2, “Ndërhyrja më e madhe e qeverisë justifikohet nga urgjenca për ndihmë, për sa kohë që rrethanat e jashtëzakonshme vazhdojnë. Ndërkohë, shërbimet e ofruara nga paketatqeveritare dhe ndërhyrjet nga bankat qendrore duhet të jepen mbi kushte praktike dhe të kenë aksesueshmëri të plotë nga qytetarët që përfitojnë, duke garantuar klauzola të qarta dhe transparente për ta”.Politikat në mbështetje të familjeve, bizneseve dhe sektorit financiar kanë nisur të ofrohen në pothuajse të gjitha vendet e botës, si një kombinim i masave të likuiditetit (sigurimin e kredisë, shtyrjen e detyrimeve financiare) dhe masave për sigurimin e aftësisë paguese (transferimet e burimeve reale).
Në editorialin e tij për gazetën “The New York Times”3tëdatës 16 mars 2020 , studiuesi dhe publicisti me famë botërore për çështjet ekonomike Ruchir Sharma, autor i librave bestseller “Kombet shpërthyese” (2012), “Ngritja dhe Rënia e Kombeve” (2016)dhe “DhjetëRregulla tëKombeve tëSuksesshëm” (2020-Libër promovimi i të cilit do tëkryhej më26 mars 2020 nëFiladelfia, por që u anullua për shkak tëpandemisë), thekson se “Koronavirusi kërcënon të nisë kontaminimin financiar në një ekonomi botërore me cenueshmëri shumë më të ndryshme sesa në prag të krizës financiare globale 12 vjet më parë. Bota është tani më thellë në borxhe nga ç’ishte kur u godit nga kriza e fundit e madhe. Por vatrat më të mëdha dhe më të rrezikuara të borxheve janë zhvendosur nga familjet dhe bankat në Shtetet e Bashkuara, të cilat u kufizuan nga rregullatorët pas krizës, në kompanitë dhe koorporatat në të gjithë botën.Ndërsa bizneset merren me perspektivën e një ndalese të papritur të fluksit të tyre të parave, më të ekspozuarit janë një brez relativisht i ri i kompanive që tashmë luftojnë të paguajnë kreditë e tyre. Kjo klasë përfshin “zombies” -kompani që fitojnë shumë pak, aq sa për të paguar interesat për borxhin e tyre dhe mbijetojnë vetëm duke emetuar një borxh të ri.Në pjesë të tjera të botës, përfshirë edhe Shtetet e Bashkuara, thirrjet po rriten për politikë-bërësit që të ofrojnë mbështetje të fortë shtetërore për sektorin e brishtë të koorporatave. Sa më gjatë që koronavirusi të vazhdojë të përhapet me ritmin e tij aktual, aq më shumë ka të ngjarë që kompanitë “zombies” të fillojnë të falimentojnë, duke depresionuar më tej tregjet dhe duke rritur rrezikun e shkatërrimit më të gjerë financiar”.Është parësore që përpjekjet për ringritjen ekonomike të nisin gjatë pandemisë. Gjatë kësaj koheduhet të ruhet aftësia paguese e sipërmarrjeve që punësojnë një numër të konsiderueshëm punonjësish, si dhe atyre duhet t’u mundësohen mjete financiare të mjaftueshme, në rastet kur i kanë ezauruar, që të rinisin aktivitetin ekonomik me heqjen graduale tëkufizimeve të prodhimit dhe shërbimeve. Rrjedhimisht, roli i shtetit në ekonomi, nga një aktor më së shumti social dhe rregullues, duhet të shndërrohet gjatë kësaj periudhe në një rol mirëfilli sipërmarrës. Shteti duhet të japë garanci afatshkurtra dhe afatgjata, sinjale pozitive dhe transparente, të rialokojë fonde dhe të orientojë si duhet ekonominë.Nga mbyllja në shtëpi tek ringritjaNë mënyrë të ngjashme me qasjen që propozon Sharma, edhe Patriarku Henri Kissinger në editorialin në “The Wall Street Journal”, nënvizon se “Kombet bashkojnë dhe lulëzojnë, bazuar në besimin se institucionet e tyre mund të parashikojnë fatkeqësi, të ndalin impaktin e tyre dhe të rivendosin stabilitetin”. Promovimi i rimëkëmbjes do të ketë sfidat dhe sakrificat e veta, duke përfshirë nivele më të larta të borxhit publik dhe ndoshta pjesë të sektorëve të ekonomisë do të vihen nën kontrollin e përkohshëm të qeverisë. Por suksesi relativ në fazën 1 do të sigurojë që ekonomia të mund të kthehet në funksionimin e saj normal. Ja përse, mbi bazën e postulateve të Kissinger dhe Sharma, theksoj se ringritja ekonomike lind në këtë kohë pandemie.Sipas ekspertëve tëFMN-setëcituar mësipër4, “Masat fiskale për të rritur kërkesën do të bëhen gjithnjë e më efektive, pasi më shumë njerëzve u lejohet të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të kthehen në punë. Gjatë epidemisë, parandalimi i ndërprerjeve të mëdha në zinxhirët e furnizimit duhet të shmangë inflacionin e pakontrolluar gjatë fazave të urgjencës dhe rikuperimit. Nëse masat për të kufizuar përhapjen e virusit janë të suksesshme, rritja e domosdoshme e borxhit publik në raport me PBB-në do të jetë e konsiderueshme, por normat e interesit dhe kërkesa agregate ka të ngjarë të qëndrojnë të ulëta në fazën e rikuperimit.Para pandemisë, në shumicën e ekonomive në botë, normat e interesit dhe inflacioni ishin parashikuar të ishin të ulëta për një kohë të gjatë. Në këto rrethana, stimuli fiskal do të jetë i përshtatshëm dhe shumë efektiv në shumicën e ekonomive dhe kjo do të lehtësojë daljen nga masat e jashtëzakonshme të paraqitura gjatë krizës”.Tek ne në Shqipëri, paketa e parë e ndihmës e rriti deficitin buxhetor nga 2,2% në 3,9% të PBB-së(Ministria e Financave dhe e Ekonomisë, Akti Normativ Nr. 6, dt. 21.03.2020. Fletorja Zyrtare Nr. 45/2020). U krye ripërmasimi i buxhetit, duke synuar një rritje minimale ekonomike 2% të PBB-së.Në kushtet kur parashikimet e fundit për Eurozonën tregojnëpër recesion në nivele 4-6% të ekonomive kryesore të saj, nuk mund të flitet për sigurimin e një rritjeje minimale ekonomike tek ne. Ekonomia jonë është shumë e ndërlidhur me ekonomitë italiane dhe greke në Eurozonë dhe ulja e kërkesës për eksportet shqiptare në këto vende do të jetë evidente. Në këtë këndvështrim, për të nxitur rimëkëmbjen e ekonomisë, ndërhyrjet e Planit të dytë të ndihmës së qeverisë, i anoncuar të bëhet publik në këto ditë nga Kryeministri dhe Ministri i Rindërtimit, duhet të përfshijnë(dhe besoj qe qeveria i ka parashikuar)edhe modalitetet për të mbështetur ato sipërmarrje nga kompanitë e mesme dhe të mëdha të vendit, të cilat po përballen me mungesë të theksuar likuiditeti dhe e kanë shumë të vështirë për të përballuar pagesat e punonjësve të tyre, të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, megjithë garancinë sovrane të ofruar nga qeveria prej 100 milionë dollarë në Planin e Parë.Vlerësoj emetimin përpara disa ditëve të obligacionit qeveritar 2-vjeçar me vlerë 100 milionë euro në tregun e brendshëm, si një mjet efektiv për sigurim fondesh.
Transparenca
Henri Kissinger, në editorialin e tij, thekson se “Ruajtja e besimit të publikut është thelbësore për solidaritetin shoqëror, marrëdheniet e shoqërive me njëra-tjetrën dhe paqen e stabilitetin ndërkombëtar”.Transparenca dhe llogaridhënia, si parimet bazë të OECD-së për sigurimin e mirëqeverisjes, duhet të shoqërojnë programet e ndihmës së Shtetit në situatën kritikedhe pas saj. Qeveritënuk kanë pse t’ibëjnë tëvetme ndërhyrjetpër ringritjen e ekonomisë, edhe pse përgjegjësia kryesore utakon atyre.Qeveritëduhet të bashkojnë forcatdhe të bashkëpunojnë me opozitën. Në shumë vende, qeveritë po rrisin transparencën e ndërhyrjeve të tyre, duke mirëpritur dhe vlerësuar mendimin e ekspertëve ekonomikë të opozitës, botës akademike, shoqërise civile dhe shoqatave të biznesit. Më datën 8 prill 2020, Përfaqësuesi i OECD-së në Shqipëri,Bagrat Tunyan i përcolli zyrtarëve të lartë të Qeverisë dhe partnerëve të SIGMA-s në Shqipëri një përmbledhje të përgatitur nga SIGMA mbi pervojat se si e kanë menaxhuar situatën e Covid 19 vendet anëtare të BE dhe disa vende të përzgjedhura të OECD-së.Qeveria shqiptare, duke mësuar nga përvojat mëtëmira,duhet të përfshijë dhe këshillohetnë vendim-marrje nga palët e tjera të interesit, opozita, organizatat profesionale tëpunës dhe shoqëria civile. Ajo nuk e ka luksin të stigmatizojë dhe ironizojëpropozimet alternative të opozitës. Për hir të së vërtetës, shumica e propozimeve si të drejtuesit të opozitës z. Lulzim Basha dhe të liderit historik të saj Prof. Dr. Sali Berisha kanë qenë koherente me nevojat konkrete të shoqësisë sonë sot, sidomos të shtresave në nevojë, biznesit të vogël, por edhe atij të konsoliduar. Nërast se do tëmungojëky mirëkuptim dhe bashkëpunim, duhet të theksoj se konfuzioni në periudha pandemish shton më tepër panikun, mosbesimin e për rrjedhojë zgjat dhe thellon situatënkritike.Plani i ri i qeverisë për paketën e dytë të ndihmës duhet të jetë transparent, i diskutuar me sektorin e prodhimit, tregtisë dhe atë bankar, i dakordësuar politikisht për prioritetet, dhe, më e rëndësishmja, i detajuar për nga mënyra e funksionimit.Në mënyrë të përmbledhur, përndërhyrjen e ardhshme të qeverisë, të anoncuar në formën e një pakete të dytë të ndihmës, e cila ështëbërëe ditur se do të bëhet efektive në ditët e ardhshme, modestisht do të sugjeroja qëtëpërqëndrohej vëmendja edhe nëkëto masatëmëposhtme, nëformën e njëdekalogu modest:1.Rishikimi dhe tkurrja e buxhetit, shkurtimi drastik i shpenzimeve operative, si të qeverisë qendrore, ashtu dhe asaj vendore. Ne në KLSH shkurtuam 40% të investimeve për këtë vit dhe 10% të shpenzimeve operative, dhe mendojmë se ka ende hapësira për shkurtimeve të tjera. Ky rishikim buxheti duhet kryer me përparësi në të gjitha njësitë buxhetore dhe ndërmarrjet shtetërore. Është domosdoshmëri planifikimi i buxheteve edhe sipas metodës së stress testit, për të krijuar buxhete fleksibël, sipas skenarëve të mundshëm të ekonomisë.Ne nuk kemi luksin per rehabilitime sheshesh dhe fasadash për këtëvit dhe ndoshta edhe për vitin tjetër. Si KLSH sot i dërguam njëshkresëAgjencisësëProkurimit Publik, nëmbështetje tëpropozimit tëtyre për bllokimin dyjavor tëtenderave publikë, duke kërkuar që ky afat tështyhet edhe mëtej (duke përjashtuar tenderat për shërbimet thelbësore)Plani i qeverisë për paketat e ndihmës duhet bërë duke rialokuar shpenzimet e parashikuara qeveritare në afat të shkurtër (për këtë vit) dhe afat të mesëm. Prioriteti kryesor i rialokimeve duhet të jetë ruajtja e shpenzimeve që injektojnë likuiditet tek masa e popullatës, jo vetëm tek një grup i vogël kompanish, si dhe vazhdimi vetëm i investimeve vërtet të domosdoshme në këtë situatë.
2.Hartimi i një plani emergjence për të gjitha ato ndërmarrje që do të jenë të detyruara të pezullojnë aktivitetin dhe për të punësuarit e tyre që do të humbasin përkohësisht vendin e punës, pavarësisht nga madhësia e sipërmarrjes (pra jo vetëm për biznesin e vogël të fashës 20-140 milionë lekë xhiro në vit).3.Me të drejtë dhe në kohë qeveria lëshoi garancinë sovrane. Në një garanci sovrane, qëllimi i shtetit është të ndihmojë bizneset në vështirësi që të mos falimentojnë, por t’i rikthehen prodhimit dhe shërbimeve. Ndihmesa e njëanshme vetëm për të përballuar pagat e punonjësve që nuk punojnë nuk mjafton. Bankat tregtare duhet të marrin pjesë të riskut në kreditë, si për përballimin e pagave, ashtu dhe për sigurimin e lëndëve të para për prodhim dhe për eksport. Lëndët e para për prodhim dhe eksport janë bazat për rifillimin e qëndrueshëm të prodhimit në shkallë vendi. Plani i dytë qeveritar i mbështetjes duhet të kërkojë më tepër bashkëpunim me sistemin bankar, në nivel të pezullimit të përkohshëm më të shtrirë në kohë (përtej tre muajve të tanishëm) të kredive të bizneseve të mesme dhe të mëdha, në kushte të vërtetuaratë vështirësive ekstreme për të rifilluar aktivitetin (sektori fason, ai i turizmit, etj.). Ky bashkëpunim mund të marrë edhe formën e financimit si emetim likuiditeti nga ana e bankës qendrore, e cila duhet thënëqënëkëtëperiudhëpo punon shumëmirënëdrejtim tëvendim-marrjesdhe sigurimit të likuiditetit. Sigurisht që norma e interesit duhet të qëndrojë e ulët gjatë situates kritike dhe rimëkëmbjes, por nuk duhet toleruar më situata, kur bankat e nivelit të dytë, ndonëse kanë ulur normat e depozitave, duke filluar nga mesi i Marsit 2020, nuk kanë vepruar njëlloj me normat e interesit të kredive. Sektori bankar nuk mundet të vijojë të sigurojë fitime pa risk, si të ishte një gjendje normale. E rendesishme eshte qe garancia sovrane e qeverise u perjashton riskun e humbjes. Bankat duhet të ndajnë riskun me bizneset dhe Shtetin, përsa i përket masave për mbështetjen e biznesit të mesëm dhe të madh në vështirësi serioze për të rifilluar prodhimin dhe shërbimet.4.Pezullimi afatmesëm (2-3 vjet), për shkak të rikonfigurimit të buxhetit afatmesëm,i kontratave koncesionare PPP që nuk kanë filluar nga zbatimi, pse jo dhe anullimi i atyre që për nga problematika e gjetur nëauditimet e zhvilluara, KLSH i ka përcjellë Kuvendit dhe Qeverisëpropozimin për anullim. Duhen parëmundësitë për të biseduar dhe rënë dakord me kompanitë vendase përfituese të kontratave koncesionare, të cilat ende nuk kanë hyrë në zbatim.5.Më tepër përkujdesje për evidentimin dhe ndihmesën ndaj të punësuarve në të zezë, duke mos e lënë identifikimin e tyre vetëm në nivel të denoncimit spontan për largimin nga puna. Qëndrimi në të zezë i mijëra të punësuarve nuk eshte pergjegjesia e tyre, por është përgjegjësia e institucioneve përkatëse shtetërore që mbikëqyrin tregun e punës. Shteti nuk mund dhe nuk duhet të qëndrojë indiferent ndaj tyre. Ka mënyra indirekte për t’i identifikuar dhe kontaktuar ata dhe këto mënyra duhet të shfrytëzohen, për t’i përfshirë në paketën e ndihmësdhe, në të ardhmen, për tëvazhduar njëjetënormale, me siguracione kontribuese nëskemën e sigurimeve sot dhe për veten e tyre nesër.6.Pezullimi për 1 vit i çdo pagese buxhetore për kontratat koncesionare të llojit PPPqë janë në proces për shkak të emergjencës nga fatkeqësia natyrore. Është e domosdoshme që qeveria të bisedojë me kompanitë vendase përfituese të këtyre kontratave, duke gjetur mirëkuptimin e tyre për këtë pezullim të detyruar(kuptohet, duke përjashtuar pagesën e pagave për punonjësit). Në një kohë të dytë, duhettë rishikohen kontratat, natyrisht duke mos cënuar në mënyrë arbitrarekushtet kontraktuale, por duke u bazuar nëgjetjet e KLSH,tëcilat vlerësohen si nga Shteti dhe kontraktorët se qëndrojnë(për mendimin tim, gjetjet dhe rekomandimet tona qëndrojnë të gjitha, por është binomi qeveri-koncesionar qe duhet te vendose, ne
respekt te ketyre gjetjeve dhe ndjeshmerise popullore, me qellim qe te mos shperdorohet leku i takspaguesve shqiptare sot dhene te ardhmen).7.Riskedulimi i pagesës së tatim-fitimit për 6-mujorin e dytë të këtij viti, edhe për biznesin e mesëm dhe të madh në vështirësi serioze, për t’i dhënë mundësi edhe kësaj fashe thelbësore të biznesit tek ne të marrë veten dhe të rifillojë aktivitetin. Përdorimi i defiçitit dhe borxhit publik për të ndihmuar këto sipërmarrje për 3-4 javët në vijim dhe ndoshta edhe më shumë, do të japë efekte tejet pozitive, sidomos në lehtësimin e situatës së atyre bizneseve të mëdha dhe koorporatave që punësojnë një numër të ndjeshëm punonjësish.8.Qeveria ka edhe një instrument tjetër për të siguruar fonde, duke e rritur nivelin e borxhit të brendshëm, duke shitur direkt tek popullata (jo tek bankat), në mënyrë që të aktivizohen paratë që flejnë në depozitat bankare dhe që janë në nivele disa dhjetëra qindra milionë euro dhe dollarë. Këtë duhet ta bëjë, edhe sepse emetimi tek popullata ul interesin qeveritar që paguhet për to. Të njëjtën gjë bënë edhe SHBA-të gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore për të financuar me normë të ulët shpenzimet e luftës dhe mbajtur nën kontroll inflacionin. Të mos harrojmë që blerësit kryesore të letrave qeveritare në Shqipëri janë bankat, të cilat shfrytëzojnë për këtë qëllim depozitat e familjeve kursimtare. Normat e interesit me të cilat bankat i blejnë këto emetime, përfshijnë edhe marzhin e fitimit që ato synojnë, marzh i cili në këtë periudhë lufte duhet të jetë tejet minimal, në mos zero, në respekt të interesave të biznesit dhe qytetarëve, pra gjithë shoqërisë.9.Kthjellimi dhe konkretizimi i politikave të sigurisë kombëtare për të ardhmen, duke i plotësuar ato ekzistuese dhe krijuar politika të reja, në përputhje me realitetin e ri të krijuar nga pandemia. Për t’I dhënë një ngjyrim letrar kësaj analize, citoj fundin eromanit “Murtaja”të shkrimtarit nobelist Albert Camys, përkthyer mjeshtërisht nga përkthyesi Bashkim Shehu, në lidhje me meditimin final tëheroit kryesor, doktoritRië, simbolii shërbestarit tëqytetarëve gjatë murtajës dhe njëherazi dëshmitari dhe kronikani kryesori kësaj periudhe, kur shikonte qytetarët e tij që të gëzonin me hare në fund të murtajës afro njëvjeçare“Kjo hare ishte gjithmonë e rrezikuar, se bacili i murtajës nuk vdes dhe as zhduket ndonjëherë, se mund të rrijë me dhjetëra vite i fjetur…, se pret me durim qëtë vijë dita kur, për fatin e keq të njerëzve dhe që t’u bëhet mësim, murtaja do t’i zgjojë minjtë e saj dhe do t’i dërgojë për të ngordhur në ndonjë qytet të lumtur”(faqe 303e librit).10.Patriarku Kissinger shprehet në editorialin e tij se “Asnjë vend, madje as SHBA-të, nuk mund të kapërcejnë këtë situatë të shkaktuar prej virusit thjesht me përpjekje kombëtare. Adresimi i nevojave të momentit duhet të shoqërohet përfundimisht me një vizion dhe program global bashkëpunues”. Për kapërcimin e pasojave ekonomike të Covid 19, krahas ndihmës së madhe që po marrim nga SHBA dhe BE( ndihmë e cila do të vijohet pa diskutim si një bashkëpunim permanent me aleatët tanë strategjikë) Qeveria jonë ka nevojë të bashkëveprojë dhe të shtrijë edhe me tej bashkëpunimin rajonal me Kosovën, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi. Sot, më shumë se kurrë, diplomacia publike duhet të jetë në shërbim të asaj ekonomike.Në zbatim të misionit tonë kushtetues për auditimin e përdorimit të fondeve publike me efiçience, efektivitet dhe ekonomicitet, ne si KLSH do të auditojmë zbatimin e politikave qeveritare në paketat e ndihmës gjatë dhe pas situates kritike të shkaktuar nga Covid 19, duke ndihmuar në mbajtjen të përgjegjshme të strukturave publike që realizojnë ndihmesat ndaj popullsisë dhe biznesitdhe duke u përpjekur përtë vijuar punënme auditime online, për të plotësuar në vjeshtë, në rradhë të parë krye detyrimin tonë kushtetues, Raportin e Zbatimit të Buxhetit të Konsoliduar të Shtetit për vitin 2019, si dhe për të rritur transparencën e përdorimin të fondeve publike, gjë të cilën gjatë kësaj periudhe e kërkon me plot të drejtë opozita dhe shoqëria civile. Ne në KLSH kemi ngritur një grup pune që mbledh denoncimet në media dhe do të marrim parasysh këto denoncime kur të auditojmë institucionet e përfshira në to, por për këtë do zgjerohem në një shkrim tjetër.

Bujar Leskaj: Në 2 vite dëmi në buxhetin e shtetit, 645 miliardë lekë

Bujar Leskaj: Në 2 vite dëmi në buxhetin e shtetit, 645 miliardë lekë

Abuzime me tendera, shpenzime të pa-argumentuara e të ardhura të munguara, abuzime me pronat publike e zyrtarë të korruptuar. Keqmenaxhimi i financave publike, abuzimet me prokurimet dhe shkeljet gjatë procedurave të shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një dëm prej 645 miliardë lekësh në dy vite, 2018-2019. Përkatësisht, në sektorin publik në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë në menaxhimin e financave publike, dëmi total për dy vitet e fundit arrin në shumën 363 miliardë lekë. Problematikat e shumta në procedurat e prokurimit në periudhën 2018-2019 kanë regjistruar dëm ekonomik në vlerën 2.8 miliardë lekë. Ndërsa në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit i kalon 280 miliardë lekë. Të dhënat janë bërë të ditura nga kreu i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Bujar Leskaj, në një intervistë për gazetën “Fjala”. Leskaj vë theksin në faktin se korrupsioni në radhët e administratës është rritur dhe është cenuar drejtpërdrejt mirëqenia e qytetarëve. Intervistoi: Bardhi Quku

Z. Leskaj, Transparency International e ka renditur Shqipërinë në vendin e 106-të për luftën kundër korrupsionit, duke shënuar një përkeqësim të ndjeshëm. Si mendoni, përse Shqipëria nga viti në vit është përkeqësuar në luftën ndaj korrupsionit?

Duhet theksuar që në fillim se përkeqësimi i ndjeshëm në luftën ndaj korrupsionit mbetet një nga problemet më serioze në zhvillimet demokratike të vendit, i cili gërryen besimin publik dhe cenon drejtpërdrejt mirëqenien dhe prosperitetin e qytetarëve shqiptarë. Prirja negative në këtë rast është edhe më shqetësuese, pasi fatkeqësisht një fenomen i tillë po perceptohet me të drejtë në rritje këto vitet e fundit.

Veç kësaj, ky tregues shpreh nevojën dhe domosdoshmërinë e implementimit sa më parë të reformës në drejtësi, përfshirë institucionet e reja kundër korrupsionit. Ashtu siç vëren dhe Transparency International, një nga shkaqet e mundshme të këtij përkeqësimi është ngërçi politik në vend prej afër dy vite, i cili gjykoj se ka çuar në dobësimin e luftës kundër korrupsionit. Meqenëse, përgjithësisht perceptimi i korrupsionit, i cili shërben edhe në klasifikimin për luftën ndaj tij, është kontakti i qytetarëve në marrjen e shërbimeve në kohë dhe cilësore dhe në radhë të parë atyre që kanë të bëjnë me drejtësinë, përkeqësimit të këtij treguesi mendoj se i ka shërbyer edhe vonesa në krijimin e strukturave kyçë të reformës në drejtësi, si SPAK-u dhe Byroja e Hetimit.

Veç sa më sipër, gjykoj se te përkeqësimi i indeksit të korrupsionit kanë ndikuar edhe faktorë të tjerë, të perceptuar në rritje nga qytetarët, si përqendrimi i pushtetit dhe mungesa e transparencës dhe llogaridhënies; krijimi i barrierave oligopolistike në ekonomi; ngathtësia dhe paaftësia burokratike; niveli i lartë i papunësisë dhe përpjekje fiktive për ta zvogëluar atë nëpërmjet hapjes së vendeve të reja të punës; niveli i përgjithshëm i çmimeve i krahasueshëm me vendet e zhvilluara evropiane, ndërsa niveli i pagave i krahasueshëm me vendet e pazhvilluara aziatike; potenciali ende i papërmbushur i shoqërisë civile etj.

Të gjitha këtyre shkaqeve u duhet shtuar edhe fakti i krijimit të klimës së pandëshkueshmërisë së zyrtarëve të inkriminuar në praktika mashtruese dhe korruptive. Dënimet penale të parashikuara në legjislacionin tonë për korrupsionin nga zyrtarët publikë janë të përgjithshme dhe krijojnë hapësira për shmangie. Pikërisht për të eliminuar këto hapësira, ne si KLSH prej më se 7 vitesh i kemi propozuar qeverisë dhe Kuvendit të kalojnë ligjin “Mbi përgjegjësinë materiale të zyrtarëve të lartë dhe të mesëm publikë”, i cili do të intensifikonte më tej luftën ndaj korrupsionit. Thënë ndryshe “do të vendoste pikat mbi ‘i’”.

Duhet theksuar se sfidat për realizimin e proceseve integruese dhe angazhimeve të Agjendës së vitit 2030 për Zhvillim të Qëndrueshëm të OKB-së (në këtë proces ne si Shqipëri jemi shumë mbrapa), kërkojnë bashkëpunim efektiv të të gjithë aktorëve dhe faktorëve kryesore në vend, me objektiv zhvillimin e qëndrueshëm të vendit përmes mirëqeverisjes, llogaridhënies dhe sinergjizimit të politikave dhe aksioneve kombëtare.

Si mendoni, përse kanë dështuar strategjitë e qeverisë në luftën ndaj korrupsionit dhe nuk janë implementuar as këshillat e organizmave ndërkombëtarë?

Në këndvështrimin tim, shkaku kryesor është cektësia dhe sipërfaqshmëria e institucioneve tona në trajtimin e luftës kundër korrupsionit. Kultura jonë në marrëdhënie me ligjin është një kulturë sloganesh, ku ligjet janë të mira në letër, por zbatimi i tyre reduktohet eksponencialisht, sa më lart të ngjitesh në piramidën shtetërore.

Aleatet tanë strategjikë, SHBA dhe Komisioni Evropian, për Shqipërinë, pothuajse në mënyrë të vazhdueshme kanë theksuar se korrupsioni është i përhapur dhe nevojiten më shumë përpjekje për të bërë përparim, me qëllim krijimin e një rekordi të qëndrueshëm të hetimeve, ndjekjeve penale dhe dënimeve në të gjitha nivelet.

KLSH, gjatë punës së vet, ka pasur dhe ka gjithnjë në vëmendje thellimin e transparencës, llogaridhënies dhe luftës ndaj korrupsionit, duke adresuar specifikisht dimensione të këtyre çështjeve, siç ishte rasti i auditimit të performancës mbi zbatimin e “Strategjisë ndërsektoriale kundër korrupsionit”. Auditimi ka arritur në konkluzionin se kjo strategji dhe plani i saj i veprimit janë krijuar për të qenë në linjë me një nga 5 rekomandimet e BE-së dhe rezultati final i tyre duhet të reduktonte ndjeshëm korrupsionin në vend, me anë të përfshirjes së të gjitha palëve të interesit. Auditimi gjeti se institucionet e përfshira në hartimin, implementimin dhe monitorimin e Strategjise ndërsektoriale kundër korrupsionit dhe të planit të saj të veprimit nuk kanë zotëruar asnjë hallkë të detyrave dhe përgjegjësive të veta, duke rezultuar në një strategji të pazbatuar, të pa-monitoruar dhe rrjedhimisht të pa-raportuar për arritjet dhe mosarritjet.

Nga ana tjetër, edhe pse shoqërisë civile i janë lëvruar fonde nga buxheti i shtetit lidhur me çështjen antikorrupsion dhe specifikisht për këtë Strategji, roli i saj është pothuaj inekzistent. Ajo rezulton të mos jetë e përfshirë në procesin e hartimit të SNKK-së dhe atë të luftimit të këtij fenomeni dhe për rrjedhojë, nuk ka kontribuar si vlerë e shtuar e kësaj Strategjie. KLSH ka rekomanduar krijimin e një Agjencie Kombëtare Antikorrupsion, e cila të jetë nën varësinë e Kryeministrit dhe përgjegjëse për ri-hartimin, ri-zbatimin dhe monitorimin e mëtejshëm të Strategjisë dhe Planit të Veprimit, duke marrë fillimisht dakordësinë e Kuvendit për dokumentet strategjikë në formën e një ligji të posaçëm.

Cilët janë sektorët më të prekur nga korrupsioni në vendin tonë?

Meqenëse korrupsioni nga pjesa më e madhe e qytetarëve perceptohet si devijim nga detyra, ligji, rregulli ose normat etike të zyrtarit apo institucionit publik në favor të përfituesit të kësaj sjelljeje, i cili është ndikuar nga një shpërblim, premtim, trajtim preferencial, i ofruar, i dhënë, i kërkuar apo i pranuar, me pasojë dëmtimin e interesave publike në kurriz të interesave të individëve apo trajtimin preferencial të një grupi individësh të caktuar, është më se e kuptueshme që në radhë të parë të jetë sektori i administratës publike. Në këtë kuadër, KLSH në përmbushje të misionit të saj është përpjekur vazhdimisht që t’i shërbejë qytetarit shqiptar, të jetë “agjent” i Kuvendit dhe palëve të interesit, duke i informuar në mënyrë të vazhdueshme, të paanshme dhe të plotë mbi përgjegjshmërinë që qeveria dhe entet publike tregojnë në përdorimin e kontributit të taksapaguesve shqiptarë e duke kontribuar në përmirësimin e qeverisjes nëpërmjet luftës kundër korrupsionit. Kështu, në periudhën 2018-2019, KLSH ka depozituar pranë prokurorive 70 kallëzime dhe indicie penale. Në këto kallëzime dhe indicie penale të hartuara nga KLSH-ja, janë ngarkuar me përgjegjësi penale 147 persona titullarë institucionesh, nëpunës të nivelit drejtues të tjerë, 4 subjekte private dhe nëpunës të tjerë. Veprat kryesore penale për të cilat akuzohen këta persona janë “Shpërdorimi i detyrës”, “Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, por nuk mungojnë edhe akuza për “Falsifikim dokumentesh”. Veç këtyre, janë rekomanduar 861 masa disiplinore prej “Largim nga puna” dhe deri në “Vërejtje”, si për drejtues ashtu edhe për zyrtarë ekzekutiv.

Ambienti dhe niveli i zhvillimit në sektorin publik në përgjithësi dhe në mënyrë të veçantë në menaxhimin e financave publike vijon të shfaqë në mënyrë të dukshme riskun e mashtrimit dhe korrupsionit. Referuar aktivitetit auditues në periudhën 2018-2019, niveli i dëmeve dhe shpenzimeve joefektive apo me efekte negative në buxhetin e shtetit, vazhdon të mbetet i lartë. Në total, për këtë periudhë të 2 viteve të fundit janë konstatuar parregullsi financiare dhe dëm ekonomik në shumën 363 miliardë lekë ose afërsisht 2,9 miliardë euro:

– Parregullsi dhe shkelje financiare, në të ardhurat dhe në shpenzimet e kryera, me dëm ekonomik në shumën totale prej 51.4 miliardë lekë;

– Shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në perfomancën e subjekteve të audituara, në shumën totale prej 311.6 miliardë lekë, nga të cilat mbi 60% në fushën e të ardhurave dhe pjesa e tjetër në atë të shpenzimeve jo me eficiencë, efektivitet dhe ekonomicitet të fondeve.

KLSH ka evidentuar problematika të shumta në procedurat e prokurimit, që nga llojet e procedurave me tendencë drejt atyre me negocim të drejtpërdrejtë, përcaktimin e kritereve të veçanta për kualifikim dhe specifikimeve teknike të ekzagjeruara jo në raport me objektin e kontratës, të vepruarit e zyrtarëve të prokurimit me dy standarde etj., duke sjellë për pasojë mungesën e konkurrencës së nevojshme për të arritur rezultate të dëshirueshme në menaxhimin me eficiencë të përdorimit të fondeve publike. Mjafton të cilësojmë se në periudhën 2018-2019, nga auditimet ka rezultuar dëm ekonomik në fushën e prokurimeve 2.8 miliardë lekë dhe mungesë efektiviteti të këtij fondi për vlerën prej 55.1 miliardë lekësh (Kujtojmë këtu se për një pjesë të konsiderueshme të prokurimeve me prokurim direkt ose me një ofertues, nuk është metodologjikisht dhe praktikisht e mundur të përcaktohet dëmi ekonomik.). Për shkeljet e konstatuara në zbatim të nenit 13 të ligjit nr. 9643, datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar, vetëm në vitin 2018 dhe vetëm nga Departamenti i Auditimit të Njësive të Vetëqeverisjes Vendore, KLSH i ka rekomanduar Agjencisë së Prokurimit Publik vlerësimin e tyre dhe kjo e fundit në 21 bashki ka vendosur vendime me gjobë për 210 persona në vlerën prej 31 milionë lekë.

Edhe në fushën e shitjes, blerjes dhe dhënies me qira të pasurisë shtetërore, KLSH ka evidentuar problematika të konsiderueshme, të cilat për periudhën 2018-2019 i kanë shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm financiar prej 27.5 miliard lekë, si dhe mungesë efektiviteti, eficiencë dhe ekonomiciteti në administrimin dhe menaxhimin e saj, duke sjellë një humbje prej mbi 280 miliardë lekë.

Gjithashtu, KLSH ka evidentuar regjistrime në bashkëpronësi të paligjshme të pasurive bujqësore në Kartelat e Pasurive të Paluajtshme veprime këto që kanë sjellë si pasojë lindjen e bashkëpronësisë së paligjshme, pengesa e regjistrimit të pasurive nga pamundësia e lëshimit të certifikatave të pronësisë qytetarëve kërkues me cenim të së drejtës së pronësisë, në mënyrë të panevojshme, çuarjen e zgjidhjes së problemit në gjykata, në vend të zgjidhjes në rrugë administrative nga institucionet shtetërore; pra humbje e kohës dhe shpenzime për qytetarët pa shkak ligjor, rritjen e praktikave në proces, shteg për veprime të paligjshme korruptive mbi pasuritë e patundshme.

Dëshiroj të theksoj se një fushë me risk në rritje këto vitet e fundit janë edhe kontratat koncensionare/PPP në të tria dimensionet e zhvillimit të tyre. Autoritetet kontraktore duhet të jenë shumë të kujdesshme në planifikimin, studimin e fizibilitetit, vlerësimin financiar si edhe implementimin e tyre. Por, për këto kontrata mund të shprehemi më gjatë në një kohë të dytë. Faleminderit dhe suksese për gazetën tuaj “Fjala”, me urimin “të shërbejë për qytetarët dhe shoqërinë shqiptare si tribunë e fjalës se lirë!”

Medalja “Bene Merito”

Medalja “Bene Merito”

Në datën 10 tetor 2019, në një ceremoni në mjediset e Ambasadës së Polonisë në Shqipëri, Ambasadori polak z. Karol Bachura i dorëzoi z. Bujar Leskaj medaljen “Bene Merito”, me nr. Vendimi 69, dt. 12.08.2019 (Fletorja Zyrtare nr.189, pozicioni 1469), akorduar nga Ministri i Jashtëm i Polonisë Jacek Czaputowicz.Duke lexuar vendimin përkatës të Ministrit të Jashtëm Polak, për motivimin e vlerësimit të lartë, Ambasadori Bachura theksoi se “Zoti Bujar Leskaj është një mik i shquar i Polonisë, promotor i dijes për vendin tonë në Republikën e Shqipërisë dhe mbajtës i Medaljes “Kalores i Urdhërit të Meritës të Republikës së Polonisë”(2017)”.

Ambasadori polak nënvizoi se “Me iniciativën e z. Leskaj doli Albumi me titull “100 simbolet polake – 100 vende, figura dhe ngjarje të rëndësishme për Poloninë, Evropën dhe botën”Versioni dy gjuhësh shqip-anglisht është botimi i parë kompleks në Republikën e Shqipërisë, që afron dhe ilustron historinë dhe simboliken polake. Botimi paraqet 100 vendet, ngjarjet, figurat dhe arritjet më të rëndësishme nga protagonistë polakë, që kanë ndryshuar Poloninë, Evropën dhe botën”.

Z. Bachura u shpreh se në cilësinë e Kryetarit të KLSH, z. Leskaj ka intensifikuar bashkëpunimin me Zyrën Shtetërore të Auditimit të Polonisë (NIK). Dëshmi e bashkëveprimit ka qene projekti dyvjeçar i binjakëzimit IPA 2013 me fonde të Bashkimit Evropian, realizuar nga NIK dhe institucioni i auditimit suprem të Kroacisë, për zhvillimin e kapaciteteve audituese të KLSH, duke realizuar më shumë se 100 misione ekspertësh në Shqipëri dhe vizita studimore në vendet e BE-së, duke përfshirë Poloninë.

PËR PËRJASHTIMIN NGA TENDERIMI PUBLIK I KOMPANIVE NGA PARAJSAT FISKALE

PËR PËRJASHTIMIN NGA TENDERIMI PUBLIK I KOMPANIVE NGA PARAJSAT FISKALE

Botuar në gazetën “Panorama”, më 08 janar 2019.
Vendi ynë ka një listë kompanish të rregjistruara në parajsat fiskale off-shore, të cilat kanë kontrata të rëndësishme me Shtetin shqiptar, kryesisht të natyrës koncesionare dhe PPP. Në botë, sot, janë rreth 80 streha(parajsa) fiskale—kryesisht vende me popullsi të vogël dhe ekonomi të papërfillshme, një pjesë vende të vogla ishullore. Belizeja, Panamaja, Ishujt Virgjin Britanikë, Ishujt Cayman, Seyschelles, Bermuda, Barbados, Anguilla, Ishulli i Manit, Jersey, Gjibraltari janë disa nga vendet më të preferuara.
Parajsat fiskale ofrojnë disa apo të gjitha lehtësitë e mëposhtme:
• Lejojnë regjistrimin e kompanive nga jo rezidentë—kompani “offshore”;
• Kanë nivel shumë të ulët taksash, shpesh taksim zero;
• Kanë sistem bankar shumë pak të rregulluar;
• Ofrojnë sekret bankar, duke mos kërkuar raportim të transaksioneve financiare që bëhen nga territori i tyre;
• Nuk japin apo shkëmbejnë informacione financiare me vende të tjera;
• Lejojnë kompanitë të zhvillojnë gjithë aktivitetin e tyre me kompani apo persona jo rezidentë, pra, bizneset ku të gjitha palët në transaksione janë jo rezidentë të vendit;
• Lejojnë kompani guackë (“shell”), kompani që nuk zhvillojnë aktivitet në vend por vetëm regjistrojnë transaksione në letër;
• Lejojnë mbajtjen sekret të strukturës organizative të enteve ligjore: shoqërive tregtare, fondeve, fondacioneve, etj., si dhe anonimatin e pronësisë dhe të drejtave në këto ente.
Natyrisht, këto lehtësira kanë mundësuar jo vetëm veprime legjitime për zvogëlimin apo minimizimin e taksave nga koorporata, por edhe mbështetjen e aktiviteteve kriminale, si pastrimin e parave apo fshehjen e pasurive të vënë me korrupsion.
45 përqind e kompanive që kanë marrë koncesione nafte në Shqipëri janë me origjinë nga parajsat fiskale. Prania në vendin tonë e kompanive me vend të regjistrimit parajsat fiskale, transferimi i aksioneve nga njëra kompani në tjetrën, me profil jo transparent, gati të dyshimtë, ka qenë një dukuri e shpeshtë me përmasa të mëdha. Të qenit të regjistruar në zona me taksa zero ose minimale për zhvillimin e aktivitetit të biznesit si parajsat fiskale, e bën të vështirë njohjen e pronarëve të vërtetë të kompanisë.
Për rrjedhojë, risku është i lartë që, ose, sikurse e përmend raporti i fundit i strukturës monitoruese “Moneyval” të Këshillit të Evropës të dhjetorit 2018 , të pastrohen para me origjinë të dyshimtë, ose të fshihen pronarët e vërtetë të kompanive, disa prej të cilëve mund të jenë edhe ish-zyrtarë apo zyrtarë abuzues të Shtetit tonë.
KLSH, në raportin për Zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2016, gjatë auditimit të Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, ka konstatuar “nevojën për përmirësime të kuadrit ligjor dhe rregullator, me qëllim jo vetëm përdorimin efektiv, efiçient dhe ekonomik të pasurisë shtetërore, por edhe ngritjen dhe implementimin e kontrolleve të brendshme, të nevojshme për mbrojtjen e saj ”
Institucioni i auditimit të jashtëm publik ka evidentuar se për të siguruar mallrat/shërbimet e lidhura me proceset teknologjike, kompanitë koncesionare kanë lidhur kontrata kryesisht me kompanitë e huaja të rregjistruara jashtë vendit me statusin e kompanive off-shore. Rregjistrimi i këtyre kompanive në këtë status, e bën të pamundur identifikimin e pronarëve(aksionerëve) dhe, për pasojë e bën të pamundur identifikimin e transaksioneve midis palëve të lidhura, ndërmjet koncesionarit dhe nënkontraktorëve të tij. Në bazë të kontratave-liçenca koncesionare, lejohet mbajtja e llogarive nga kompanitë koncesionare dhe nënkontraktorë të tyre jashtë territorit të Shqipërisë dhe realizimi i transaksioneve financiare përmes këtyre llogarive. Për rrjedhojë, auditimi nga ana e strukturave shtetërore(si nga AKBN dhe nga KLSH) është i pamundur. Për më tepër, ne si KLSH nuk mund të auditojmë kompanitë private, apo ato ku Shteti zotëron më pak se gjysmën e aksioneve.
KLSH po ashtu ka konstatuar raste të sigurimit të shërbimeve dhe mallrave nga persona fizikë dhe juridikë(kompani) vendas me të njëjtin aksioner(sipas të dhënave të QKR), duke hapur 3-4 kompani me emra tregtarë të ndryshëm. Kjo u ka mundësuar kompanive kontraktuese off-shore të rrisin artificialisht kostot e produkteve ose shërbimeve të nënkontraktuara, duke bërë, për shembull që koefiçienti i famshëm R në sektorin e naftës (raporti i shpenzimeve prodhuese me të ardhurat nga shitja e naftës) të jetë gjithnjë më i madh se 1, duke shkaktuar një evazion të jashtëzakonshëm fiskal dhe humbje të rëndë për Buxhetin e Shtetit.
Me skandalin e kompanisë off-shore DH Albania, e cila falsifikoi dokumentet për përkatësinë e saj nga një kompani amerikane e njohur për veprimtarinë në ndërtim, besimi i publikut dhe qytetarit shqiptar në integritetin e procesit të tenderimit publik ka marrë një goditje të rëndë. Përjashtimi nga tenderimi publik i kompanive nga parajsat fiskale do të forconte besimin e qytetarit në veprimtarinë shtetërore.
Lind pyetja: çfarë duhet bërë që pasojat negative që vijnë nga prania e kompanive off-shore të minimizohen? Më e mira do të ishte që ato të ndalohen të marrin pjesë në tenderat publikë, sikurse kanë vepruar disa vende anëtare të BE-së. Sigurisht që qeveria jonë nuk mund të pengojë dhe as të krijojë barriera në lëvizjen e lirë të kapitalit, por në ushtrimin e të drejtës së ligjshme për transparencë në pjesëmarrjen në tenderimin publik, duke forcuar kriteret e pranimit të kompanive garuese, qeveria në këtë mënyrë do të garantojë pjesëmarrjen në tenderat e Buxhetit të Shtetit të kompanive me profil të lartë, mundësisht të investuesve nga vende aleate strategjike të Shqipërisë, si Gjermania, SHBA, etj.
Ne i kemi të gjitha mundësitë, duke përparësuar praktikat, rregullat dhe direktivat e reja të Komisionit Evropian që synojnë eliminimin e shmangjes së taksave nga kompanitë off-shore pjesëmarrëse në tenderat e BE-së, që të mënjanojmë dhe të imunizojmë Buxhetin tonë të Shtetit dhe kontratat e ardhshme koncesionare apo PPP, nga pjesëmarrja e këtyre kompanive në tenderat tanë publikë.
KLSH ka kërkuar që miratimi i kontratave koncesionare dhe PPP-ve, në rastet kur detyrimet buxhetore kapin një periudhë më të madhe se sa katër vjet, duhet të vijë jo me vendim qeverie (VKM), por me ligj nga Parlamenti.
Po ashtu, gjykoj se duhet krijuar mekanizmi i ndërhyrjes shtetërore, kur transaksionet e kapitalit në koncesionet apo PPP-të e dhëna janë të dyshimta. Ky mekanizëm mund të krijohet edhe me VKM dhe të parashikojë sanksione të rënda, deri në heqjen e lejes koncesionare, për rastet e verifikuara të evazionit fiskal nëpërmjet transferimit të kapitalit. Kështu mbrojmë Buxhetin e Shtetit nga shmangja e taksave prej aktivitetit të kompanive off-shore tashmë të pranishme në investimet dhe ekonominë tonë. Kjo shmangje deri tani ka qenë e nivele tejet të larta, duke rezultuar në humbje me dhjetëra miliona euro për Buxhetin e Shtetit.
Po ashtu, duhen gjetur mënyrat për të kufizuar daljen nga vendi të parave të destinuara për parajsat fiskale. Një mënyrë mund të jetë lehtësimi fiskal(për shembull përjashtimi nga tatimi mbi fitimin për pesë vitet e para), në rast ri-investimi të tyre në Shqipëri.
Në vijim të shkresës se KLSH me Nr. 505 të prot. dt. 24 prill 2018 për problematikën e partneriteteve publik-privat (PPP) tek ne, problematikë e theksuar edhe nga Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore, si dhe të faktit shqetësues të pranisë në disa koncesione të rëndësishme të Shtetit tonë të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale (off-shore), me të dhëna të paqarta për pronësinë e tyre, të permendur nga Raporti i fundit i strukturës “Moneyval” të Komisionit Evropian të dhjetorit 2018, përforcuar nga skandali me falsifikimin e të dhënave nga kompania off-shore DH Albania, pjesëmarrëse dhe fituese në dy tendera publikë tek ne, institucioni i auditimit të jashtëm publik ka kërkuar ndërgjegjësimin dhe ndihmesën e Kryeministrit dhe të Kuvendit për një nismë ligjore për amendimin e Ligjit Nr.125/2013 “Për Koncesionet dhe Partneritetin Publik-Privat”.
Gjykoj se ky amendim duhet të synojë ndërhyrjet e mëposhtme:
1.Ndalimin e pjesëmarrjes në tenderimet publike të kompanive të regjistruara në parajsat fiskale off-shore, si dhe në çdo liçencë që jepet për shfrytëzimin e pasurive kombëtare, si nafta, kromi, bakri, etj.
2.Forcimin e rolit të Avokatit të Shtetit, të mandatuar me ligj për të analizuar raportet mes kompanive koncesionare dhe kompanive nënkontraktore të tyre, për të parandaluar rritjen artificiale të kostove të investimit në dëm të Buxhetit të Shtetit.
3.Kërkesën për investigim të plotë të strukturave tona fiskale ndaj të gjitha koncesioneve të dhëna në vend, sidomos atyre me pronarë kompani të regjistruara në parajsat fiskale, të cilat rezultojnë me shpenzime prodhuese të fryra artificialisht, trukim të bilanceve dhe mospagim të detyrimeve ndaj Buxhetit të Shtetit, pasi Ne si KLSH nuk kemi tagrin ligjor për të audituar kompani private, por vetëm ndërmarrje me kapital të përbashkët ku Shteti zotëron më shumë se 50% të kapitalit.
Në kushtet kur programi afatmesëm qeveritar parashikon rritjen e peshës së koncesioneve dhe kontratave PPP në investimet tona publike dhe realisht kontratat e lidhura gjate vitit 2018 jane ne nivele disa miliarde euro, amendimi i ligjit të sipërcituar do të sillte jo vetëm një transparencë të shtuar të koncesioneve dhe PPP-ve të dhëna deri tani, por do të rriste besimin e publikut në vendim-marrjen shtetërore për koncesionet dhe PPP-të e ardhshme.
Në mbyllje të këtij shkrimi, duhet të theksoj faktin që, për fat të mirë nga ekspertët e njohur të ekonomisë sonë janë evidentuar risqet dhe problematikat e qarta të implikimit të kompanive off-shore në ekonominë tonë kombëtare dhe nuk ka përse qeveria të hezitojë, të mos veprojë për sa më sipër. Avokatë në mbrojtje të të drejtave të Shtetit shqiptar dhe Buxhetit të tij ka shumë, duke përfshire edhe shoqërine civile dhe emisione të shumtë në mediat tona, ndërsa në mbrojtje të interesave të kompanive off-shore nuk ka asnjë të dukshëm, por vetëm të padukshëm dhe të gjithë këta, në dëm të interesave të qytetarit dhe ekonomisë.