Në 2 tetor filloi viti i ri akademik. 2 tetori është dita kur studentët janë ulur në auditoret e universiteteve në vendin tonë. Por, studentët e mjekësisë, e bojkotuan totalisht fillimin e vitit akademik. Po ashtu edhe studentët e universiteteve në Shqipëri në heshtje e kanë bojkotuar mësimin. Si për koincidencë në 2 tetor në Kuvend diskutojmë për problemet e elektoratit. Natyrisht që arsimi dhe ai i lartë janë një problem shqetësues për cilindo nga ne deputetët e Kuvendit të Shqipërisë. Në krye të herës dua të ritheksoj se votimi në fund të korrikut i ligjit antikushtetues, që i detyronte studentët e mjekësisë që mbas përfundimit të studimeve të qëndronin për të punuar me detyrim për pesë vite në Shqipëri duhet të na bëjë të gjithëve me turp. Dhe, jo vetëm deputetët e mazhorancës që e votuan, por edhe ne deputetët e opozitës që nuk patëm mundësi ta frenonim me argumentet tona, por edhe që nuk po e vazhdojmë si kauzë. Unë përfitoj që t’u bëj thirrje të gjithë deputetëve të opozitës që këtë ligj antikushtetues, në kundërshtim të plotë me frymën e të drejtave të njeriut dhe, veçanërisht frymën e të drejtave të qytetarëve, të studentëve për t’u arsimuar në mënyrë të lirë dhe të pakushtëzuar, duhet ta përcjellim në Gjykatën Kushtetuese. Sot më tërhoqi vëmendjen pohimi i një studenti protestues: “Ne nuk kemi ende një kontratë dhe ende nuk ka dalë kostoja. Nuk po e gjykojmë të drejtë të nënshkruajmë këtë kontratë. Ne kërkojmë që të shfuqizohet ligji për detyrimin e studentëve të mjekësisë për kontratën e punës dhe ne këtë çështje do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese!”. Siç e theksova edhe më sipër ne si deputetë duhet t’u bashkohemi, pse jo, edhe t’i paraprijmë. Por po kthehem tek një fakt i dhimbshëm për mua si qytetar vlonjat. Universiteti i Vlorës këto vite po zvogëlohet e po zvogëlohet nga dita në ditë, pasi nuk ma lejon ndërgjegjja të them fjalën tjetër se ku mund të shkojë universiteti i Vlorës pas disa vitesh, pavarësisht punës dhe përpjekjeve të stafit pedagogjik e studentëve. Në këtë universitet këtë vit akademik kemi degë të tilla si kimia, fizika dhe gjuha italiane, të cilat përfundimisht nuk do të hapen. Dega e matematikës është me katër studentë. Janë të pakët edhe studentët e regjistruar në degët e mësuesisë dhe sociologjisë. Ka vetëm një zhvillim pozitiv që janë të shumtë studentët në degën e Infermierisë dhe të Mamisë, por shumica e tyre arsimimin në këto degë e shikojnë si pasaportë për t’u larguar jashtë shtetit pas përfundimit të studimeve. Sot, me këto politika që sekti Rama po ndjek, arsimi është zhvlerësuar, dhe nuk po trajtohet si prioritet kombëtar. Në universitetet tona këtë vit janë regjistruar 50% më pak studentë se në vitin 2012 dhe janë 15% më pak studentë se në vitin e kaluar. E ripashë programin që trumbetoi Rama me të madhe në 2013, në programin e Rilindjes, që vetëm rilindje nuk është për arsimin dhe për gjithë ekonominë. Por po i kthehem arsimit: Theksonit që do kalonit shpenzimet për arsimin në 5% të GDP. Ende sot pas 10 viteve në pushtet ju jeni në 2.2% të GDP. Në Shqipëri ne duhet të pranojmë që arsimi është në krizë. Qeveria në vend që të bëjë ndryshime thelbësore në ligjin për arsimin bën vetëm retushime, si ai ligji famëkeq për studentët e mjekësisë në fund të korrikut, një ligj tërësisht regresist. Ligje, të cilat nuk prekin thelbin e problemeve dhe nuk janë politika afatgjata, por janë politika dritëshkurtra. Nuk e lidhin problemin e madh me rrjedhjen në arsim që ne kemi me problemim madhor të shpopullimit të vendit. Mijëra të rinj nën moshën 18 vjeç, zgjedhin emigrimin në të shumtën e rasteve me familjet e tyre, por ata që nuk kanë mundësi financiare e zgjedhin edhe vetëm. Mijëra të rinj të moshës 18-27 vjeç po kështu bëjnë të njëjtën gjë. Varfëria, mungesa e shpresës, papunësia, pamundësia për të përballuar “arsimin falas” në Shqipëri, burokracia, arsimi jo cilësor janë disa nga arsyet që mund të listoj… Mësuesit janë lënë vetëm në gjithçka, shtypen, depersonalizohen duke u ngarkuar me burokraci të panevojshme, e cila ndikon edhe në cilësinë e mësimdhënies. Nëse ju riktheni TVSH në arsim, prindërit do të detyrohen së shpejti të paguajnë 20% më tepër për shkollimin e fëmijëve të tyre. Nga ana tjetër, dhe këtë dua ta theksoj, diskriminimin e mësuesve në arsimin privat e shikoj edhe tek fakti që këta mësues paguhen si punëtorë të pakualifikuar me sigurime minimale dhe paguhen jo 12, por 10 muaj, duke mos përfituar periudhën korrik- gusht që është periudha e pushimeve të shkollës. Sekti Rama ka dështuar me politikat arsimore. Unë kam disa shifra të maturës shtetërore, kam disa shifra të tjera që tregojnë të se çfarë sollën politikat e sektit Rama. Në Maturën Shtetërore 2013, morën pjesë rreth 46.000 maturantë, ndërsa në maturën 2023, afërsisht 28.000 maturantë, ose 18.000 maturantë më pak. Ose në vitin 2022- 2023 në shkollat shqiptare kishte 58.000 nxënës më pak krahasuar me 5 vite më parë! Më pak nxënës në bankat e shkollës, arsim më pak cilësor, shpopullim masiv, pasoja afatgjata në ekonomi e shoqëri. Këto ndoshta do të ishin katër pika, në të cilat qeveria, por edhe gjithë politika shqitare duhet të ulet me seriozitetin më të madh e të gjejë një zgjidhje afatgjatë, të qëndrueshme e të zbatueshme.
Si ishte gjendja këtë vit mësimor që sapo u mbyll në Vlorë?
1662 më pak nxënës se vitin e kaluar arsimor! Në vitin shkollor 2022-2023 për arsimin parauniversitar në shkollat e qarkut Vlorë numri i nxënësve ishte 12.300. Sipas Zyrës Arsimore Vlorë, vitin e kaluar, shifra ishte 13.962, pra, këtë vit të ketë 1662 nxënës më pak. Në këtë vit arsimor në shkollë shifrat e nxënësve janë përsëri në rënie. Në vitin arsimor 2023-2024 në Vlorë janë regjistruar në klasën e parë të arsimit fillor 1004 nxënës. Ndërkohë që sivjet në klasën e 10-të janë regjistruar 948 nxënës. Shifrat në krahasim me vitin e kaluar tregojnë një rënie drastike të numrit të nxënësve, me pasojë edhe mbylljen e shkollave apo klasave. Vjet në Vlorë u hapën 800 klasa të para dhe 617 klasa të dhjeta. Imagjinoni që pas dy vitesh nga 617 klasa të dhjeta sa do të jenë klasat e maturës. Natyrisht e logjikisht më pak. Por situata është akoma edhe më alarmante. Shumë shkolla nëpër fshatra janë mbyllur totalisht ose gjysmëfunksionojnë. Këtë problem e kam ngritur edhe më parë në Kuvend. Në Vlorë, shkolla e Muzikës dhe shkolla “Mustafa Qemal Ataturk” po shkojnë drejt mbylljes për shkak të numrit të ulët të nxënësve të regjistruar. Prandaj urgjentisht për arsimin duhet të punojmë të gjithë. Arsimi duhet të kthehet patjetër në prioritet kombëtar. Sot, pasi nesër do të jetë vonë!
Botuar në Gazeta Sot më 4 Tetor 2023