Në seancën në Kuvend, ku u votua Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim, për projektin “Ndërtimi i urave të qëndrueshme, duke përdorur qasjen e programit me shumë faza””, votova kundër, pavarësisht qëllimeve të larta dhe të dobishme të ndihmës me kredi të butë nga BERZH-i, krahu financiar i Bankës Botërore. Edhe pse programi synon implementimin e studimeve të fizibilitetit dhe projekteve të detajuara për rikonstruksione të thella dhe të mesme të urave ekzistuese, urave të reja dhe veprave të artit në rrjetin rrugor kombëtar, të cila janë më të rrezikuarat nga faktorët madhorë, si tërmetet, përmbytjet apo ndryshimet klimaterike, kjo kredi e butë rrezikon shumë të keqmenaxhohet dhe ta rëndojë situatën e financave publike të Shqipërisë, për dy arësye themelore si më poshtë:
51.6 milionë euro të husasë së butë i besohen një enti publik tejet problematik në menaxhimin e parave të takspaguesve shqiptarë
Kemi shembuj shumë shqetësues të mosrespektimit të ligjit shqiptar të prokurimeve, nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar, entit publik të përzgjedhur nga projektligji për të administruar huan. Edhe gjatë tre viteve të fundit 2021-2023, janë të panumurta denoncimet në media të shkeljeve të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Mediat kanë denoncuar abuzimet e ARRSH-së në tenderat për ndërtimin e rrugëve, si ai i Tunelit të Llogarasë, të tenderuar tri herë, ku firma shqiptare dha një ofertë 30 milionë euro më të ulët dhe fitoi një konsorcium i huaj, i cili zgjodhi si partner nënkontraktor pikërisht firmën shqiptare me ofertën më të ulët. Janë abuzivë tenderi për Mbikalimin në TEG, ku firma fituese dha një ofertë 6 milionë euro më të shtrenjtë, tenderi për Rrugën Maliq-Strelcë, ku doli fituese oferta 1 milionë euro më e lartë, tenderi për Rindërtimin e Rrugës së Porto-Romanos, i cili refuzoi të tri ofertat më të ulta, pa respektuar kriteret përzgjedhëse, tenderi 12 milionë euro për mirambajtjen e rrugëve në Jug të vendit, etj. Në total, nëse, gjatë drejtimit të vendit nga Prof. Dr. Sali Berisha, rrugët kushtonin mesatarisht 950 mijë euro për kilometër (duke marrë në konsideratë të gjitha parametrat e vështirësive të rrugëve dhe numrit të veprave të artit në to), sekti Rama në qeverisje, përmes ARSH-së, sot e tashmë 10 vjet, po e kontrakton katër herë më shtrenjt 1 km rrugë të parametrave të ngjashme! Një ndër megaskandalet e fundit të ARSH, e përfaqëson ai i marsit të këtij viti, ku ky ent i jep kontratën për monitorimin me kamera të trafikut në rrugët nacionale nga Tirana deri ne Vlorë, si dhe akset Tiranë-Elbasan dhe Tiranë- Rinas, në vleren 19 milione euro, për ndërtimin e 200 km të parë të Qendrës së Monitorimit të Trafikut. një bashkimi operatorësh klientë-oligarkë të sektit Rama, në një kohë që kompanitë e tjera pjesëmarrëse në tendër, të cilat kishin ofruar 3 milionë euro më pak, përjashtohen me pretekste të pabazuara në ligj. Rrugët e ndërtuara nga Autoriteti Rrugor Shqiptar përfaqësojnë një “masterpiece”, “kryeveprën” e abuzimit dhe korrupsionit të sektit Rama. Pothuajse të gjithë tenderat e ARSH karakterizohen nga përqëndrim fondesh në pak biznese ndërtimi, kliente dhe favorite të qeverisë qendrore. Këto prokurime kanë skualifikime shumë të dyshimta të operatorëve që ofrojnë vlera më të ulëta, duke lënë fituese oferta të larta dhe shumë pranë fondit limit. Pothuajse çdo lot i ri i rrugëve dhe veprave të tjera të ndërtimit që prokuron ARSH, kontraktohet një herë, pastaj, gjoja për shkak të vështirësive dhe të të papriturave të hasura në realizimin e veprës, nënshkruhet një kontrate shtesë punimesh, në nivele gjithnjë disa milionë euro, mbi fondin limit të paracaktuar dhe pothuajse gjithnjë, të arritur në nivele 98-99% të fondit limit, që me kontratën e parë! Tenderat e ARSH “shkëlqejnë” mbi prokurimet e bashkive, për sa i takon mungesës së konkurrencës, anullimeve të përsëritura, negocimeve të drejtpërdrejta dhe mos-respektimit të afateve. Për fat të keq, ARSH si ent publik, është i njohur në Shqipëri për aplikimin e standardeve të dyfishta në përzgjedhjen e kompanive fituese, me një aureolë negative skandalesh, pothuajse ne te gjitha garat e zhvilluara prej tij. Me një fjalë, është enti shtetëror me kredencialet më të këqija për t’i besuar punë dhe fonde, ose, si i thotë populli, ujkut mëlçitë në qafë nuk i vihen!
Situata e sotme e borxhit real publik të Shqipërisë e bën shumë të vështirë marrjen e huave të reja, qoftë edhe të buta
Projektligji që u diskutua dhe u miratua në Kuvend, përfaqëson një hua të re prej 51.6 milionë eurosh, që shteti ynë po merr dhe që duhet ta shlyejë deri në vitin 2042. Krahas arësyes që paraqita më lart, një arësye tjeter madhore për të qenë skeptik ndaj marrjes së kësaj huaje të re, është situata tejet shqetësuese e borxhit publik të Shqipërisë. Sipas raporti të fundit të Komisionit Europian për vendet kandidate, për këtë vit 2023, vendi pritet të ketë një nivel të borxhit publik prej 73.9% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), që vlerësohet si më i larti në rajon. Shqipëria po ecën me ritme më të ulëta sesa fqinjët, në drejtim të konsolidimit fiskal, që nënkupton uljen e ngadaltë të borxhit publik, në një të ardhme afatmesme. Në rajon, në vitin 2020, nivelin më të lartë të borxhit e kishte Mali i Zi, në 105.3% të PBB-së, e ndjekur nga Shqipëria, në rreth 76% të PBB-së. Pas kalimit të fazës emergjente të shkaktuar nga Covid-19, të gjitha vendet rendën drejt konsolidimit fiskal, që nënkupton frenimin e shpenzimeve jo të domosdoshme dhe përmirësimin e rendimentit të të ardhurave buxhetore. Por kjo nuk ndodhi me ne, për fat të keq. FMN e ka këshilluar vazhdimisht qeverinë shqiptare që të jetë e kujdesshme me shpenzimet dhe të përshpejtojë procesin e konsolidimit fiskal, por sekti Rama në qeverisje nuk e ka dëgjuar këtë këshillë të vyer. Sipas Fondit, do të ishte e këshillueshme që të moderoheshin investimet publike tepër ambicioze, të financuara me burime të brendshme për të mbrojtur shpenzimet prioritare për mbrojtjen sociale, kujdesin shëndetësor dhe rindërtimin nga tërmeti, si dhe për të rritur kontingjencën. Fondi Monetar Ndërkombëtar, përvese e ka konsideruar borxhin e ri të Shqipërisë të ekzagjeruar, i ka kërkuar qeverisë shqiptare të zbatojë sa më shpejt një strategji të shëndoshë afatmesme për të ardhurat buxhetore. Shqetësimi i institucioneve financiare ndërkombëtare ka qenë dhe borxhi i fshehur, që rrjedh si nga partneritetet publike private (PPP), detyrimet e të cilave regjistrohen vetëm për vitin korent, ashtu dhe nga detyrimet e prapambetura dhe faturat e arbirtrazhit (humbjeve gjyqësore ndaj kompanive me të cilat qeveria ka pasur konflikte). Në vitin 2021, borxhi publik i vendit tonë theu sërisht rekordin historik të vitit 2020, duke arritur nivelin më të lartë të shënuar ndonjëherë, në 78.1 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave. Stoku në vlerë i borxhit arriti në 1,38 triliardë lekë, me një rritje 1,5 miliardë lekë (1.3 miliardë euro), në raport me vitin e kaluar. Ky është zgjerimi vjetor më i lartë i ndërmarrë nga qeveritë shqiptare ndër vite. Në fund të vitit 2021, çdo shqiptar kishte 3,850 euro borxh. Sipas platformës “Open Data Albania” (https://ndiqparate.al/?p=19031), një burim serioz informacioni dhe analizash, stoku i borxhit publik pritet të arrijë vlerën 1 470 miliardë lekëve ose 13.9 miliardë eurove, deri në fund të këtij viti, pa marrë në konsideratë efektet e kursit të këmbimit. Edhe pse, në fund të vitit 2022, stoku total zyrtari borxhit publik, duke mos përfshirë detyrimet e fshehura të permendura dhe nga FMN, vetëm për shkak të nënçmimit të euros në tregun tonë të brendshëm, ishte në nivelin 67% të PBB-së, pra më poshtë se piku prej 74.5% në vitin 2020 dhe rekordit të vitit 2021, ky tregues është ende shumë larg parimit fiskal të nivelit të borxhit, që sipas Strategjisë Afatmesme e Menaxhimit të Borxhit 2022 – 2026, duhet të jetë në nivelin 45% të PBB-së.
Sekti Rama në pushtet e ka shtuar borxhin më shumë se rritja ekonomike!
E vërteta është se gjatë tre viteve të fundit 2021-2023, qeveria e ka rritur borxhin publik me ritme më të shpejta se sa rritja ekonomike e vendit. Shtesa në borxh është autorizuar nga sekti Rama në qeverisje, për të financuar disa projekte afatgjata, të tilla si ndërtimi i Unazës së Re, Teatrit Kombëtar dhe Tunelit të Llogorasë, etj., ende pa sheshuar efektet direkte të tre krizave të fundit, tërmetit të 26 nëndorit 2019, Pandemisë nga Covid-19 dhe inflacionit shumë të lartë, të shkaktuar nga invazioni i Putin në Ukrainë. Zgjerimi i borxhit u bë kryesisht me akte normative, duke thyer rregullin fiskal që është përcaktuar në ligjin organik të buxhetit, i cili nuk lejon masa fiskale që rrisin borxhin publik. Kredia e fundit masive që qeveria ka marrë është Eurobondi i gjashtë, me vlerë 600 milionë euro, i emetuar në qershor 2023. Mund të kishte zgjedhur të merrte hua në tregun e brendshëm, përmes emetimit të bonove të thesarit dhe obligacioneve, pasi ky treg është mjaft likuid dhe përmban fonde të lira të paangazhuara, me herë më të larta nga shuma 600 milionë euro që qeveria mori në tregun e jashtëm të kapitaleve dhe me një përqindje të lartë interesi. Marrja e kësaj kredie të re në valutë e rëndon pozicionin e borxhit tonë publik, i cili ka arritur në nivelin e pothuajse 14 miliardë eurove dhe, në vlere relative, renditet tashmë i pari ndër borxhet më të lartë publikë të vendeve të rajonit, duke ia kaluar dhe atij të Malit të Zi. Pavarësisht nga deklaratat e qeverisë, që rreken të provojnë se borxhi është ulur, bazuar në nënçmimin e euros në tregun tonë të brendshëm, në fakt, stoku i borxhit është i gjithi aty. Ka lëvizur në ulje vetëm vlera kontabël e tij, për shkak se borxhi publik i Shqipërisë mbahet në monedhën kombëtare, lekun. Në realitet, të ardhurat për frymë të shqiptarëve janë rritur me ritme më të ulëta se sa borxhi për frymë, duke përbërë një minë të vërtetë me sahat për qëndrueshmërinë e financave tona publike. Nga ana tjetër, në shifrat zyrtare të borxhit nuk përfshihen detyrimet ndaj rimbursimit të TVSH dhe detyrimet e tjera të prapambetura të qeverisë qendrore dhe pushtetit vendor, të akumuluara në vitet e fundit, në nivele shumë shqetësuese, pagesat ndaj humbjes së gjyqeve ndërkombëtare dhe pagesat ndaj PPP-ve, të cilat, në total, e rrisin borxhin publik deri në nivelet pranë 100 përqind të Prodhimit Kombëtar!
xxx
Këto janë aresyet që më shtynë ta votoja kundër Projektligjin. Ne duhet të tregohemi shumë të kujdesshëm me çdo hua të re që marrim, pasi ato, edhe kur janë kredi të buta, vetëm e thellojnë edhe më tej borxhin publik, të cilin do të ishte papërgjegjshmëri fatale t’ua linim fëmijëvë tanë, në përmasa kaq të rrezikshme për qëndrueshmërinë e financave tona publike.
Botuar në Gazeta Sot më 11 Tetor 2023