Mësuesit e artë të Vlorës, përhapësit e dritës!

Mësuesit e artë të Vlorës, përhapësit e dritës!

Çdo vit, në prag të pranverës në kalendarin tonë zyrtar vjen e mirëpritur dita e 7 Marsit, Festa jonë e Mësuesit e simbolit më madhështor të përparimit, të qytetërimit perëndimor shqiptar. Mësuesit janë modeli dhe frymëzimi ynë, madje të kesh një mësues model është si të kesh një busull orientuese pranë, që të ndihmon sa herë ti je konfuz për drejtimin që do të marrësh apo për hapat që do të hedhësh. Mirënjohje pafund çdo mësuesi që është kthyer në prind të dytë për breza të tërë nxënësish! Askush nga ne s’do ishim këta që jemi sot, pa përkushtimin dhe sakrificat e tyre. Shoqëria jonë u ka një borxh të madh brezave të tërë të mësuesve. Unë e kuptoj dhimbjen, që shoqëron këto fjalë kur i krahason aktualisht me situatën e sotme të mësuesve.
Në fakt, mësues të tillë, me të cilët, kur hynin në klasë hynte figurativisht edhe dielli i kulturës, ka patur vazhdimisht në Shqipëri, që nga fillimet e arsimit shqiptar e deri sot. Madje, po të zhbirosh, ata mund të jenë në një numër shumë të madh, me të cilin bëhet një enciklopedi. Por këtu do flas për disa prej atyre që i dhanë emër qytetit të Vlorës në historinë më të re të gjysmës së dytë të shekullit XX e më pas në dekadat e para të shekullit tonë, ndonëse sot janë në kohë të tjera. Është fjala për intelektualë model të institucioneve më të mëdha të arsimit brenda rrethit të Vlorës, si gjimnazi “Ali Demi”, gjimnazi “Halim Xhelo”, etj, që ndoshta gëzonin atëherë një nderim moral më të lartë se autoritetet zyrtare në qytet. Aq më tepër qenë ata mësues, që, qoftë me shkollime të mira e qoftë me aftësi të lindura si autodidaktë, ishin në pararojë të inteligjencës së qyteteve më me rëndësi të vendit.
Në mungesë të plotë të literaturës shkollore e librore, të radiove e bibliotekave të pakta, të televizorëve ende të pamasivizuar e, mbi gjithçka, me analfabetizmin që po zbriste ngadalë drejt 50%, këta mësues në ato vite të errëta u bënë fanarë kulture të qyteteve. Në mes të mangësive ekonomike, që shoqëronin jetën e çdo njeriu, ata i dhanë shoqërisë shqiptare një ushqim intelektual me cilësi. Edhe për kaq, këta “punëtorë elitarë të dijes” së shëndoshë, mësuesit e artë të Vlorës, Xhevdet Kofina, Harrilla Kuçuli, Konstandin Baltadori, Kristaq Suli, Nestor Nepravishta, Ibrahim Zejno, Abedin Elmazi,Vasil Mino, Shaban Demiraj meritojnë mirënjohjen tonë të përjetshme.
1- Në mbarim të Luftës së Dytë Botërore në Vlorë do të emërohej si mësues matematike një burrë ende i ri në moshë, që pati punuar si i tillë në disa rrethe të Shqipërisë. Ai quhej Xhevdet Kofina e shumë shpejt do të bëhej i famshëm me mësimdhënien e tij të shkëlqyer në të dy shkollat ku ai punoi, në gjimnazin “Ali Demi” e më pas në Shkollën e Mesme Pedagogjike. Shpjegimi i tij fantastik, që i bënte nocionet e larta të matematikës të kuptueshme për çdo nxënës, tërhoqi vëmendjen, duke e bërë një mësues metodist që e ftonin kudo në Shqipëri. Në gjithë seminaret metodike të përvitshme të Ministrisë së Arsimit ai do ishte përherë “violina” e parë e mësuesve të shpallur nga ajo si metodistët e dalluar të Shqipërisë. Ky virtuoz i matematikës, nga i cili dolën në 20 vjet me mijëra nxënës, ka qenë dhe një humanist i madh, i cili i trajtoi nxënësit e nxënëset e tij si fëmijët biologjikë. Ky gjeni i lëndës qe në gjendje që të zgjidhte dhe ushtrimet e rënda, duke qenë gjithashtu i aftë që të llogariste përmendësh veprime të matematikës nga më të vështirat. I lindur në Fterrë të Sarandës me një vëlla që ka qenë edhe ai një mësues shembullor i qytetit tonë, vdekja e tij do qe e ngjashme me misionin fisnik që i pati vënë vetes. Ai vdiq në detyrë pas një ore mësimi e varrimi i tij do qe një ceremoni e jashtëzakonshme në qytetin tonë. Një popull i tërë e përcolli atë si një emblemë e heronjve të arsimit.
2- Mësuesi i dytë, për të cilin do flas lindi në Dhërmi të Himarës e ai është mësuesi Harilla Kuçuli. Pas disa vitesh studimi në Itali në një institut pedagogjik, ai kthehet në vendlindje si mësues për t’u transferuar pas pak kohe në Vlorë në një shkollë unike e më pas që në disa shkolla të mesme. Ka punuar si mësues letërsie për disa dekada te gjimnazi “Ali Demi” e Shkolla e Mesme Pedagogjike. Ai është dhe drejtori i parë në vitin 1947 i tempullit të arsimit vlonjat, gjimnazit “Ali Demi”. Kur ai shpjegonte letërsi, fjalët e tij tingëllonin si muzikë e shkrimtarët bëheshin si të afërm për nxënësit. Rrallë ndonjë mësues si ai kishte dhuntinë për të zbërthyer edhe figurat më të vështira të letërsisë në imazhe të afërta për mendjet e atyre që dëgjonin për herë të parë për letërsinë botërore të çdo kohe. Edhe ky ka qenë model i mësuesit metodist, jo vetëm në Vlorë, por edhe në shumë qytete, ku atë e ftonin.
Por kontributi i tij do njihte kulmin kur ishte në Shkollën Pedagogjike. Është merita e tij e dorës së parë kur nxënësit e tij pedagogjikas u bënë model për mësimin cilësor. Te ai s’ndahej prestigji si mësues elitar nga ai që njihej si njeri me dinjitet moral të jashtëzakonshëm. Harilla Kuçuli ka qenë shembull i virtytshëm jo vetëm në profesion, po dhe si qytetar i rangut të lartë. Ai jo vetëm u dha gjithë bagazhin e vet metodologjik nxënësve të tij, po dhe u rrinte afër në hallet e tyre. Është mësuesi i parë i letërsisë në Vlorë që krijoi rrethet e letërsisë, nga të cilat nisën të dilnin edhe shkrimtarët e parë të qytetit tonë. Ndonëse i parë me dyshim politik, ai vdiq i nderuar nga mijëra njerëz që e deshën me gjithë shpirt.
3- Një mësues tjetër që la gjurmë të ndritura për disa dekada në Vlorë është dhe Konstandin Baltadori. Ai lindi në fillim të shekullit XX në Korçë në një familje patriotike me prejardhje nga qyteti i Manastirit. I formuar në Liceun e Korçës, pas diplomimit studion në Francë për shkencën e historisë universale. Fillimisht punoi në gjimnazin e Tiranës e më vonë pas vitit 1944 u emërua në gjimnazin “Ali Demi”. Gjatë dy dekadave që dha mësim shkëlqeu për dituri enciklopedike e për talentin origjinal pedagogjik. Historia e Shqipërisë në gojën e tij kthehej në një imazh të adhuruar kur ai ligjëronte në orën e mësimit. Njëherësh, dinte të komunikonte qetë me kolegët e gjithë nxënësit.
Me njohje brilante të disa gjuhëve, ai e pasuronte përherë mësimin me detaje të panumërta historike. Për një periudhe të shkurtër ai u aktivizua edhe me grupe pune, që në atë kohë po hidhnin bazat për ngritjen e pasurimin e muzeumeve të reja që po ndërtoheshin në Vlorë. Ishte ndoshta mësuesi më korrekt në kryerjen e detyrave shkollore, që bashkë me arsenalin e kulturës bënin tipin e një mësuesi të rrallë. U pa me ftohtësi nga regjimi qoftë si intelektual me edukim borgjez, qoftë edhe për indiferencën që shfaqte ndaj frymës ideologjike. Për ata nxënës, që mësuan prej tij, ai do mbetet i skalitur si edukatori i artë i disa brezave.
4- Po aq i gdhendur do të mbetet në historinë e inteligjencës së Vlorës dhe mësuesi Kristaq Suli. Ai lindi në vitin 1929 në familjen e një personi të njohur, si Spiro Suli. Pasi mbaroi studimet për gjuhë e letërsi ruse në Tiranë në vitin 1950, punoi në gjimnazin e Gjirokastrës, më pas në gjimnazin “Ali Demi” dhe e mbylli karrierën në gjimnazin “Halim Xhelo”. Kristaq Suli është një themelues i mësimdhënies së gjuhës ruse në shkollat e mesme të qytetit tonë. Ai ka qenë ndër mësuesit më të shquar të rusishtes në Shqipëri, i vlerësuar si i tillë qysh në vitet ’50, kur u bë autor i disa teksteve për shkollat e mesme të vendit. Në qytetin tonë ishte i njohur, sidomos për mësimin e shkëlqyer. Nxënësit e tij kujtojnë mjaft herë se ai e zhvillonte orën e mësimit tërësisht në gjuhën ruse, duke i nxitur edhe ata të vepronin po kështu. Ndërkohë pjesët e vështira gramatikore i alternonte me autorët viganë rusë, që shpesh i recitonte përmendësh. Në ambientin e kolektivave ku ai punoi, kujtohet si njeri i kulturuar, arsenali i dijeve të të cilit ishte me literaturë filologjike të shumëfishtë. Gjatë dy dekadave që atij iu dha mundësia për të kontribuar në arsimin e mesëm të qytetit, ai arriti të çmohet maksimalisht nga të gjithë ata që patën fatin ta kishin atë mësues.
5- Një tjetër emër unikal në arsimin vlonjat ka qenë edhe mësuesi i shkëlqyer, Nestor Nepravishta. I lindur në 1931 në Tiranë, si bir i kryetarit të bashkisë së saj në vitet ’30, Abedin Nepravishta, ndonëse në vitin 1949 u vlerësua nga specialistë rusë si njohës i shkëlqyer i 5 gjuhëve të huaja kur ende nuk i kishte mbushur 18 vjeç, pas mbarimit të gjimnazit, për shkak të burgosjes së babait të tij, nuk iu dha e drejta e universitetit. Pas gjimnazit filloi punë si mësues në Fier. Pas qëndrimit 10 vjeçar në Shkollën e Mesme Bujqësore e në gjimnazin “Janaq Kilica” në Fier, do të jetonte e punonte për 36 vjet në Vlorë, ku u bë bir në shpirt i saj. Në gjithë shkollat ku punoi në Vlorë, si mësues i gjuhëve angleze, frënge dhe ruse në gjimnazin “Ali Demi” për 12 vjet, si mësues i gjuhës frënge në shkollat “Lef Sallata”, Babicë e “8 Nëntori” për 16 vjet, si mësues i gjuhës së sapofutur italiane në gjimnazin “Ali Demi” për katër vjet pas daljes në pension (1986-1990) e qoftë gjatë qëndrimit 4 vjeçar si mësues i gjuhës së sapofutur gjermane në Shkollën Industriale përsëri pas pensionit (1990-1994) shkëlqeu si mësues themelues e i fuqishëm i gjuhëve ruse, angleze, gjermane, frënge e italiane në Fier e Vlorë.
Në vitet ’50- ’60 për një dekadë u vlerësua nga Ministria e Arsimit si mësuesi më i mirë i Shqipërisë për mësimin e gjuhëve të huaja. Nestor Nepravishta është autori i vetëm i Fjalorit të parë në historinë e Shqipërisë Anglisht-Shqip (1966) e i 2 teksteve të para në historinë e Shqipërisë me autorë shqiptarë të gjuhës frënge për gjimnazet, ndonëse në të dy rastet iu mohua e drejta për t’i botuar emrin për shkak të “biografisë së keqe”! Fjalori i vitit 1966 mbeti Fjalori i vetëm Anglisht-Shqip që për 40 vjet e me 40 ribotime u mësoi mbarë shqiptarëve këtu e jashtë gjuhën më të njohur sot në botë. Zotërimi i 15 gjuhëve të huaja e bëjnë Nestor Nepravishtën, ndoshta poliglotin më të madh të Shqipërisë.
6- Një tjetër yll plejade i mësuesve të shkëlqyer të Vlorës që dhanë gjithçka, është dhe Ibrahim Zejno. I lindur në Delvinë në vitin 1934 në një nga familjet më me kulturë të gjithë zonës Sarandë-Delvinë, pasi kreu studimet me medalje të artë për matematikë në 1956, u emërua po atë vit si pedagog i Katedrës së Matematikës në Fakultetin e Shkencave në Tiranë. Gjatë qëndrimit të tij gjashtëvjeçar në vitet 1956-1962 si pedagog aty, Ibrahim Zejno bashkë me Kristian Bukuroshin, drejtorin e ardhshëm të Qendrës së Informatikës sonë, u bënë autorët e vetëm të tekstit të parë të matematikës me autorë shqiptarë për gjithë universitetin. Ndonëse i rënduar nga biografia e familjes së tij, dyfish e persekutuar, ai, me gjeninë e matematicienit u imponua si mësues i përhershëm legjendar i gjimnazit “Ali Demi”. Ky mjeshtër i mësimit të algjebrës, jo vetëm u aktivizua si hartues provimeve të Maturës, por ishte mësuesi që zgjidhte i pari në Vlorë çdo problem të Maturës Shtetërore, sapo ato mbërrinin. Nga mësimet e tij u përgatit për gati gjysmë shekulli shumica e inteligjencës teknike të qytetit tonë. Mënyra me të cilën ai përpiqej që t’u nguliste matematikën në klasë qe e përsosur deri në perfeksion. Ashtu si mbetet përherë në kujtesë rreptësia, por edhe drejtësia e tij në vlerësim. U largua nga jeta në vitin 2016 duke lënë emrin e tij në panteonin e arsimit vlonjat.
7- Pedagogu Abedin Elmazi i përket një brezi tjetër të mësuesve të matematikës, të cilët dolën në skenë e u afirmuan në vitet ’70-’80. Ai lindi në Filat të krahinës së Çamërisë në vitin e largët 1940. I ardhur në Vlorë qysh në moshën 5-vjeçare, ai u rrit mes dy trashëgimive. Qysh në bankat e gjimnazit ai do shfaqej me talent në matematikë, ç’ka do t’i mundësonte që ndryshe nga të tjerë të studionte për këtë lëndë. Në Fakultetin e Shkencave ai do tregonte këmbëngulje stoike, tipar i racës së tij luftarake, për të dalë me të gjitha notat 10. Pasi u emërua në Vlorë, ai arriti kulmin e veprimtarisë si mësues kur punoi si pedagog në Filialin e Universitetit të Tiranës në Vlorë, ku i dha një impuls mjaft dinamik përgatitjes së një mase shumë të madhe studentësh. Edhe në shkollat e mesme ku punoi më pas ai u afirmua si një mësues me elokuence i lëndës që jepte. Si deputet i Vlorës (1991- 1992), kontribuoi thellësisht në krijimin e Universitetit të Vlorës, “Ismail Qemali”. Është ndoshta mësuesi i parë i Vlorës në matematikë që mori gradën “Doktor i Shkencave”. Ikja e tij në vitin 2019 qe si fikja e një ylli, që ende rrezaton e lëshon dritë te ne.
8- Ndoshta u zgjata me mësuesit e matematikës së qytetit tonë, por nuk mund të lë pa përmendur mësuesin tim, pedagogun Vasil Mino. Një tjetër mësues,”magjistar” i matematikës deri në sofistikim, profesor virtuoz, pedagog themelues i matematikës në Universitetin e Vlorës, ku punoi për mbi 10 vjet, ndërkohë më parë ushtroi misionin e mësuesit në shkollën Industriale të qytetit tonë. Profesor Vasil Mino lindi në 1/03/1947 në Vlorë në një familje me origjinë që i përket atij mozaiku të gjerë të familjeve nga treva të ndryshme Shqipërisë së Jugut, të cilat u vendosën në Vlorë në dekadat e para pas Pavarësisë e kontribuuan në përsosjen e qytetit. I diplomuar shkëlqyer në degën e matematikës speciale, profesor Vasili bëri një emër dinjitoz me shpjegimin e tij impresionues magnetizonte nxënësit në Shkollën Industriale. Rigoroz në vlerësim në një hark të shkurtër kohor fitoi një respekt të pakontestueshëm për dijet e tij. Kujtimi që kanë sot për të të gjithë ata që patën fatin të lumturoheshin nga shpjegimi i tij i të gjithë atyre që kaluan nga ajo shkollë është një admirim gati mistik. Edhe tani kur flas jam i bindur që shpirti i tij endet nëpër ato klasa. Por meritë edhe më madhështore ai ka si një pedagog themelues i universitetit të ri të qytetit tonë.
Profesor Vasil Mino vuri potencial intelekti si mësues i një lënde primare aty, në rritjen e këtij institucioni të lartë që ishte një tjetër stad zhvillimi për arsimin e Vlorës. Janë të panumërt edhe ata studentë, të cilët patë fatin të merrnin dije nga dija e tij, kulturë nga kultura e tij. Patjetër auditoret ku ai qëndisi formulat e bukura të matematikës e ndjejnë mungesën e mjeshtrit. Por fati jo përherë është me njeriun e në vitin 2014 ai ndërroi jetë duke na lënë një boshllëk që nuk mbushet kurrë e një dashuri që nuk shteron kurrë. Në këtë portretizim kronologjik të disa prej mësuesve të shkëlqyer të historisë së re të qytetit tonë, nuk mund të rri pa skicuar edhe një mësues të lindur e rritur në Vlorë, por që karrierën e zhvilloi në Tiranë, duke zënë një vend të ndritur në panteonin e shkencës dhe arsimit shqiptar. Ia vlen t’i shprehim konsideratën më të thellë, sepse edhe pse nuk punoi në Vlorë ai mbetet një yll për arsimin tonë dhe padiskutim ishte një udhërrëfyes për mënyrën se si duhet të jenë të formuar arsimtarët tanë.
9- Është fjala për Akademik, Profesor Doktor Shaban Demiraj, gjuhëtari më i famshëm shqiptar pas Eqrem Çabej, Kryetar i Akademisë së Shkencave e për 50 vjet një nga pedagogët brilantë të Universitetit të Tiranës. Nisi studimet për Gjuhësi në kryeqytetin e Italisë, por për shkak të Luftës së Dytë Botërore i përfundoi në Tiranë. Fillimisht punoi në disa gjimnaze (Gjirokastër, Tiranë). Në vitin 1954 filloi punën si pedagog në Institutin e Lartë Pedagogjik dhe më pas në Katedrën e Gjuhës Shqipe në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë të Universitetit të Tiranës, ku shërbeu deri më 1990, kur doli në pension. Kështu, ai punon si mësues, profesor e shkencëtar mbi 60 vite, çka përbën në vetvete rekord të jashtëzakonshëm Kushdo që ishte student i tij e dha provimet me të, drithërohet kur kujton pasionin e leksionet e tij të mbushura me dije enciklopedike për gjuhën shqipe e historinë e saj.
Erudicioni i tij figurativisht ishte një simfoni informacioni, ku në rol të veglave të muzikës së gjuhës qenë historia, arkeologjia, folklori e shumë shkenca për të përfunduar me finalen e simfonisë: lashtësinë e gjuhës sonë. I përgatitur shkencërisht, me karakter të rreptë e kërkues në radhë të parë ndaj vetes e mandej edhe ndaj të tjerëve, studentë e kolegë, me ndershmëri të panjollë, gjithherë i njerëzishëm. Profesor Shaban Demiraj ka qenë dhe mbetet shembull për ish-studentët dhe kolegët e tij: i drejtë, kërkues, nxitës i përhershëm, duke dhënë vetë shembullin personal, duke u bërë për ne shëmbëlltyra e pedagogut dhe shkencëtarit të pasionuar. Edhe takti i tij pedagogjik njihte një durim deri në përkryerje kur u përgjigjej pyetjeve të studentëve. Profesor Shaban Demiraj i përket yllnajës më të lartë të albanistëve dhe albanologëve të të gjitha kohërave.
Jeta dhe vepra e vet flet për dashuri ndaj gjuhës shqipe, ndaj gjuhëve, madje ndaj gjuhës vetë, për pasion, durim e këmbëngulje shembullore në rrugën e kërkuesit, të shkencëtarit të palodhur. Për 50 vjet profesor Shaban Demiraj u dha me dhjetëra mijëra studentëve në lëndët bazë të gramatikës shqipe, shkroi tekste kyçe të gjuhës sonë e botoi kryevepra të gjuhësisë, si libri “Gramatika historike e shqipes”, duke u bërë për Vlorën një nga bijtë më të njohur në botë. Për qytetin tonë ai duhet të jetë monument i përjetshëm krenarie. Në historinë tonë të re mësuesit që lanë gjurmë të pashlyeshme janë me qindra dhe qindra të tillë.
Për arsye kohe u përqendrova te portretet e mësuesve që nuk janë më. Ky masiv njerëzor që arsimoi një qytet të tërë për gjysmë shekulli, që nga fundi i Luftës II Botërore, është një himn i mrekullueshëm i mirënjohjes së pakufishme, sepse edukoi gjenerata të tëra të Vlorës, e cila në vetvete simbolizonte dhe simbolizon një nga qytetet me të ndritura të Shqipërisë moderne. Me dhjetëra e dhjetëra nxënës të tyre më pas u bënë personalitete të politikës, kulturës e shkencës, me mijëra e mijëra prej atyre më pas u transferuan në Tiranë e kudo në detyra, poste dhe në çdo punë, por në themelin e këtij uragani njerëzor vlonjat që zotëroi vendin është edhe mundi i mësuesve që u dhanë pasaportat e shkollimit. Por mësuesit, të cilët përmenda më sipër janë shumë pak në krahasim me atë plejadë mësuesish model të qytetit tonë.
Me dhjetëra mësues, model frymëzimi, të cilët i vlerësoj e do t’i vlerësoj, jo vetëm unë, por një qytet i tërë, breza të tërë vlonjatësh. Nuk mund të le pa përmendur mësuesit e mi, përpara të cilëve fjalët humbasin e varfërohen: Balil Resuli, Piro Mone, Luan Duka, Zhaneta Nova, Beirie Lulaj, Tefta Hajno, Aneta Bollano, Kushulla Karalliu, Fejzie Osmani, Njazi Azizi, Petrit Meminaj, Fatmir Gjebrea, Frosina Papa, Arshi Sula, Vllasi Guberaj. Duke e mbyllur, dua t’iu kujtoj të gjithëve se dhjetëra mësues vlonjatë trupëzuan një zinxhir brezash, që sollën edhe kontribute të posaçme në arsimin vlonjat.
Mirënjohje për mësuesit: Ibrahim Vasjari, Gëzim Zilja, Tahsim Likaj, Besnik Deromemaj, Harallamb Papakroni, Halo Sinani, Teuta Resuli, Bedri Shaska, Tefta Agalliu, Petrit Osmani, Dashamir Ramosaço, Ebeet Xhyheri, Muhamet Haxhiu, Astrit Isaraj, Masar Sinoimeri, Milto Shuka, Engjëll Saliu, Hatika Luçi, Konstanca Sinoimeri, Zhaneta Dodi, Petraq Dodi, Ali Belshi, Tefta Mërkuri, Aqif Sulo, Lubjana Pema, Diana Pavli, Evanthi Adhami, Teuta Zilja, Xhorxhi Skrame, Eli Skrame, Ruzhdi Zoto, Lefteri Zilja, Violeta Rusha, Spiro Billa, Shyqyri Kasemi, Zenel Zeneli, Nasip Xhelili, Pranvera Xhelili, Zili Azizaj, Niko Dumani, Spiro Caushi, Piro Stefa, Miliano Stefa, Marie Pici, Jolanda Panajoti, Dafina Brokaj, Luljeta Braka, Hixhlal Xhyheri, Shpëtim Xhyheri, Dajlan Luzaj, Shyqyri Zeneli, Myrvete Zeneli, Resul Mahmuti, Engjëll Hasimi, Abdurrahman Meçe, Vaso Pata, e dhjetëra e dhjetëra mësues të tjerë.
Këta mësues që patën një mision të nderuar në iluminimin e qytetit tonë heroik dhe inteligjent kishin origjinë e përkatësi të ndryshme, nga Labëria, Gjirokastra, Libohova, Çamëria, etj. Por që të gjithë kishin një ëndërr, që vinte nga historia e lashtë e Vlorës: “T’i shtojmë këtij qyteti me bukuri natyrore magjepsëse edhe njerëz të pajisur me kulturë po aq magjepsëse”. Ata e nisën me sukses realizimin e ëndrrës dhe dhanë sa mundën nga shpirti, dija, kultura e tyre! Qoftë dhe për këtë do mbeten të pavdekshëm në kujtesën e Vlorës! Uroj që arsimi ynë të mishërojë atë vokacion, të mishërojë ato vlera dhe të përmbushë atë ëndërr e përkushtim të mësuesve tanë të shkëlqyer. Një arsim që nuk është thjesht një shkollë, por, siç mëson mësuesit tanë të nderuar, duhet të jetë një shkollë e shkollave, që formon intelektualë, por që në të njëjtën kohë edukon qytetarë të mirë. Gëzuar 7 Marsin!

Botuar në Gazeta Sot më 07.03.2025

Për projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Për projektligjin “Për disa ndryshime në Ligjin nr.133/2015, “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”.

Ky projektligj që po na prezantohet, është dëshmi e qartë e dështimit të sektit Rama në qeverisje, për të bërë drejtësi dhe për të kthyer pronat legjitime në mënyrë të drejtë, të shpejtë dhe dinjitoze pronarëve të vjetër, të cilët kanë parë në këto vite të drejtat e tyre të shenjta të pronës private, të mohuara, të shkelura dhe të abuzuara rëndë.
Unë e ftoj Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike të votoj kundër këtij projektligji, me bindjen e plotë se ai përbën një mashtrim dhe tallje mjerane me të drejtat e këtyre pronarëve të ligjshëm tëmohuar të vendit, në mendimin tim për shumë arsye.
Neni 1, te objektivat e Ligjit nr.133/2015 përcakton qartë edhe objektin e ligjit, objekt i cili është rregullimi dhe shpërblimin e drejtë të cështjeve të së drejtës të pronësisë që kanë lindur nga shpronësimet, shtetëzimet apo konfiskimet në përputhje me nenin 41 të Kushtetutës dhe nenit 1 të Protokollit 1 të Konventës Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut e Lirive Themelore.
Pra, me kthimin dhe kompensimin e pronës e deklaruar qysh mbas vitit 1992, ne plotësojmë detyrimet kushtetuese të nenit 41 dhe detyrimet e konventave europiane.
-65 mijë dosje kthim-kompensimi ishin në vitin 2015, po aq janë edhe sot!
Ligji nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave”, i ndryshuar, kërkonte nga Agjencia e Trajtimit të Pronës përmbylljen brenda datës 31.12.2024 të procesit të shqyrtimit të kërkesave dhe kompensimit të qytetarëve shqiptarë përfitues nga ky ligj. Ai konfirmonte që brenda 10 vitesh, pra në këtë vit 2025, të mbyllte gjithë procesin e kompensimit dhe kthimit të pronës.
Neni 16 pika 6 për të cilën pyetja dhe ministrin, që kush duhet të mbaj përgjegjësi për këtë mos përmbushje të ligjit?
Praktikisht nuk është bërë asgjë! Qytetarët/pronarët shqiptarë deri tani kanë patur fare pak, ose pothuajse aspak kompensim financiar. Kemi pasur 65 mijë dosje për kthim-kompensim para 10 vitesh. Sot kemi po kaq dosje që nuk kanë marrë zgjidhjedhe të tjera që janë në gjykata. Pse në fondin e kompensimit, ju nuk shtoni tokat që po i falni përmes formulës korruptive “Shqipëria 1 euro”, për investitorët strategjik, që në pjesën më të madhe të tyre janë grabitësit tuaj strategjik?
Gjithçka ka shkuar keq, me paaftësinë, grykësinë dhe papërgjegjshmërine e sektit në fuqi. Qeveria vendosi që pronat e qytetarëve shqiptarë, pronarë të përpara vitit 1945, t’ua kompensonte me zërin kadastral që këto pasuri kanë pasur në vitin 1945! Pra, nëse prona 80 vite më parë ishte kullotë, ta kompensonte si kullotë, pavarësisht se sot në atë pronë mund të jenë ndërtuar kulla; kulla nga klientela qeveritare. Si dhe aty ku prona ishte truall, ta kompensonte për truall.
Qeverisë së paskrupullt të sotme, nuk i leverdiste që këto prona, që dikur ishintoka bujqësore, t’i kompensonte si truall, prandaj krijoi këtë artificë ligjore, duke shkaktuar pakënaqësi mes pronarëve legjitimë, të trajtuar padrejtësisht si ish-pronarë, të cilët kishin pritur me dekada për drejtësi dhe kthimin e pronës së tyre të ligjshme, ose, në pamundësi, për kompensimin financiar të drejtë dhe dinjitoz të saj.
I. Kthimi i tokës si vlerësim ngeli në terma qesharakë, edhe pas Vendimit të Gjykatës së Strasburgut
Kësaj artifice ligjore të qeverisë iu vu përballë një vëndim i Gjykatës së Strasburgut i datës 7 maj 2020, i cili i kërkoi qeverisë që t’ua kthejë tokën ish-pronarëve në ato zona ku nuk është me ndërtime shtetërore, si dhe me ndërtime private subjekt legalizimi. Dhe nëse bëhet fjalë për kullota dhë toka bujqësore, qeveria nuk do duhet t’i kompensojë më pak se 10 përqind të vlerës reale të tregut sot.
Vendimi i Strasburgut e detyroi Gjykatën Kushtetuese që të rrëzonte dy nene të ligjit të vitit 2015, nenin që bllokonte kthimin fizik aty ku prona ishte bosh, si dhe që vendoste tavanin jo më pak se 10% të vlerës reale të pronës.
Mirëpo vija e verdhë e ndërtimeve është zgjeruar me dhjetra dhe qindra herë, pas viteve 1990-të.
Mund ta konkretizojmë këtë situatë me një pyetje të thjeshtë: Si mund të qëndrojë situata, që një tokë te “21 Dhjetori”, “Ali Demi” apo “Kinostudio” në kryeqytet, të kompensohet me vlerën e një toke bujqësore?
Formula e ligjit të vitit 2015, parashikonte që të merrej çmimi më i afërt i tokësbujqësore. Në këtë mënyrë, pronarët legjitimë do të kompensoheshin me vlera qesharake.
Me miratimin e ligjit në vitin 2015, sekti Rama në mënyrë pompoze u mburr se qeveria ishte zotuar që do të kompensonte 26 mijë pronarët që ishin në pritje brenda dhjetë viteve. Këto 10 vite kaluan dhe sot këta 26 mijë pronarë janë sërisht në pritje, të pritur e përcjellë me fjalë të bukura këto 10 vjet nga kjo qeveri dhe ju sërish doni t’i gënjeni.
III. “Momenti” i sotëm për qeverinë e rrenave të Ramës është 3-4 vite!
Që nga viti 2015, deri tani janë dhënë vetëm rreth 80 milionë euro kompensime financiare për pronarët. Praktikisht kjo është një shumë qesharake.Kjo shumë përfaqëson më pak se një të gjashtën e shumës së premtuar 10 vite më parë nga sekti në qeverisje, sipas të cilit, deri në vitin
2025, qeveria do të kishte dhënë për pronarët rreth 500 milionë euro.Në të vërtetë, as edhe këtë fond të vogël, qeveria nuk e ka dhënë konkretisht, por ka bërë kompensim financiar me kusht. Pra, pronari legjitim ka qenë i detyruar të mohojë pronën e tij për katër të pestat e saj, në mënyrë që të marrë një mini-kompensim financiar me vetëm një të pestën e vlerës së pronës dhe shumë artifica të tjera të cilat ju i vendosët në ligj dhe nuk i zbatuat, artifica ligjore që vetëm dëmtonin pronarët.
Pra, një pjesë e vogël e 26 mijë pronarëve, vetëm 328 prej tyre u detyruan të nënshkruajnë këtë deklaratë, duke pranuar menjëherë kompensimin dhe hequr dorë nga 80% e vlerës financiare të tokës së tyre, për të mos pritur më. Por, për fat të keq, u duhet të presin akoma.
Pse e sollët ju këtë projektligj? Qeveria me këtë projektligj synoni ta përdorni për qëllime elektorale, të gënjeni pronarët dhe të shtyjë edhe tre vite të tjerë ligjin, me pretendimin se do i kompensojë financiarisht pronarët legjitimë. Kjo është një gënjeshtër me bisht dhe mashtrimi i rradhës, pasi ligji sërisht do të shtyhet, nëse do të jetë në dorën e sektit Rama.
Në nenin 31, kur flitet për kundravajtjet administrative parashikohet në 31a shkelja e dispozitave ligjore dhe nën ligjore për administrimin e fondit të kompensimit dënohet me gjobë 200-300 mije lekë të reja apo 31 b shkelja e dispozitave ligjore për vlerësimin financiar të vendimeve dënohet me gjobë nga 50-300 mijë lekë dhe në rast përsëritje (neni 31, pika 2) kjo kundravajtje dënohet me dyfishin e gjobës.
Ju këto nuk i keni përdorur asnjëherë për të dënuar, për të penalizuar zyrtarët tuaj dhe në fakt kjo ka qene politika juaj, politika e kryeministrit.
Për ta mbyllur do theksojë një gjë të vecantë: Neni 31, pika 2 thekson se masa e gjobës është në përpjestim të drejtë me normën e kundravajtjes së konstatuar, me përgjegjësi dhe pjesëmarrje në vendimarrjen e zyrtarit.
Këtu bëhet fjalë për një mashtrim legjitim që kjo qeveri ju ka bërë për 12 vjet dhe cila duhet të jetë masa e gjobës për këtë qeveri?
Masa e gjobës është që ta flakni, mos ta votoni për zgjedhjet e 11 Majit 2025 dhe le të krijojmë në Shqipëri kulturën e ndëshkueshmërisë kur mazhoranca, qeveria nuk përmban premtimet.
Edhe ne, kur të vijmë në pushtet, në rast se nuk do mbajmë ato premtime që themi, në rast se nuk do e realizojmë programin e emergjencës së 100 ditëve, është e drejta e qytetarëve për të larguar mazhorancën, për të reflektuar, për të mbajtur qëndrim.Nuk është në plan të parë koha, por janë qytetarët në rastin e këtij projektligji. Koha, në vecanti në këtë projektligj por edhe në projektligje të tjerë është e lidhur me qytetarët. Koha është flori dhe në këtë rast vendimarrja e shpejtë, kthimi i shpejtë i pronës është vlerë monetare për të gjithë këta pronarë që ju i keni bllokuar, i keni denigruar, i keni mashtruar në këto 12 vite.

Fjala në Kuvend, dt.17.02.2025

Për Tragjasin…

Për Tragjasin…

Unë e ndiej detyrim qytetar, detyrim krahinor, që në këtë sallë të nderuar, në prezencë të Kryetares, të një ministri të qeverisë, në prezencë të deputetëve dhe drejtuesve të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, të denoncoj tentativën më të fundit, që sekti Rama po bën në Vlorë, në një fshat historik, siç është fshati Tragjas, për të grabitur pasurinë e fshatit, për të grabitur ujin e pijshëm.
Ujin e fshatit Tragjas, me papërgjegjshmërinë më të madhe, arrogancë, duan t’a përcjellin në rezortet e oligarkëve në Dhërmi dhe Himarë, mbasi nuk arritën t’a merrnin nga Orikumi apo Lumi Vlorës.
Mbasi e keni lënë Tragjasin, këtë fshat me histori në hije të plotë, pa asnjë investim
infrastrukturor, në këto 10 vite të qeverisjes socialiste, ku ende mungon energjia elektrike; rrugët të shtruara qysh përpara 12 viteve, kur Kryetari I Bashkisë së Orikumit ishte nga Partia Demokratike, mungon ndriçimi, mungojnë shërbimet publike. Karshillëku I sektit Rama bën që me arrogancë t’I marrin ujin, I cili është jetik për ekonominë, jetën e kësaj zone, për turizmin që duan të ndërtojnë ata banorë të mençur dhe punëtorë të Tragjasit. Ky projekt është jo vetëm një krim mjedisor e social por është një goditje me regji ndaj ekonomisë së banorëve të Tragjasit, Radhimës, Orikumit, Dukatit. Projektet e marrjes së ujit nga burimet e ujit të krahinës së Labërisë me qëllim furnizimin e ndërtimeve të oligarkëve të Edi Ramës, të cilët janë të lidhur me këtë të fundit me fije të dukshme e të padukshme përbën një akt të rëndë që cënon interesat e banorëve të kësaj krahine. Ky projekt cënon jo vetëm interesat e banorëve të Tragjasit, por edhe interesat e banorëve të Orikumit, këtij qyteti mijëra vjeçarë dhe Radhimës, këto zona me potenciale të larta turistike. Këto nuk janë projekte, këto janë abuzime të mirëfillta, janë politika antikombëtare, me të cilat Edi Rama kërkon t’i bëj karshillëk interesit qytetar, duke shkelur çdo të drejtë të ligjshme të banorëve të ndershëm, trima dhe të mençur të këtyre zonave. Pse e theksoj këtë “banorëve trima dhe të mençur të këtyre zonave”?! Tragjasi, ashtu si dhe Dukati, janë fshatra me shumë histori. Por nëse Dukati është një fshat që gjatë Luftës së Dytë Botërore, një fshat nacionalist, I pozicionuar qartazi në krahun e nacionalizmit, në Tragjas krahas bazës nacionaliste ka qenë fortë dhe një bazë e fortë e lëvizjes së majtë (lëvizjes komuniste të asaj kohe). Dhe qysh në vitin 1942 dhe deri sa Enver Hoxha dha shpirtin si Djalli I Zi që ishte, Enver Hoxha e urrente Tragjasin por ama kishte frikë nga Tragjasi. Edi Rama e urren Tragjasin njësoj si Enver Hoxha, por Rama ngaqë nuk e njeh mirë historinë nuk ka frikë nga Tragjasi. Çfarë I ka bërë Enver Hoxha Tragjasit, se Tragjasi është fshati I heronjve dhe I dëshmorëve? Tragjasi ka 36 dëshmorë dhe 4 heronjë të Luftës së DytëBotërore që ishin të rreshtuar me forcat e majta. Ka eksponentë të nacionalizmit në qytetin e Vlorës dhe në Labëri. Të famshmin fraksion në ’43, Enver Hoxha e fitoi mbasi morri me vete Vehbi Hoxhën(nga Tërbaçi) dhe gjithë Tragjasin, trimat e Tragjasit, por ama nuk ua harrojë kurrë këtë dhe qysh gjatë luftës filloi me intriga, duke vrarë djemtë trima të majtë të Tragjasit nga fiset Çakërri dhe Muço. Nga këto fise ka dëshmorë, që dhanë jetën për liri, por Enver Hoxha i vrau me makinacionet e tija.
Vrau ne ’47 Sinan Gjonin, I cili ne ’41 ishte Sekretar Politik I Komitetit Qarkor të Vlorës.
Sinan Gjonin e spiunuan ne ’42 komunistët dhe e internuan ne Ventotene në Itali. Kur u kthye në ‘44-’45 nga aleatët në Shqipëri, komunistët e quajtën agjent të anglo-amerikanëve dhe në ’47-’48 e vranë.
Është histori tragjike e këtij personaliteti të Tragjasit.
Mbasi e vranë, Enver Hoxha lëshoi një letër: ”Faleni Sinan Gjonin” dhe e faturoi sikur e vrau Koçi Xoxe. I ati i Sinan Gjonit, një burrë fisnik dhe i mençur i zonës Islam Gjoni gjithmonë ka qenëI vetdijshëm për
këtë, dhe e mbajti peng gjithë jetën, por për të mbrojtur fisin e gjithë Tragjasin ai nuk doli kundër diktaturës. Labët janë trima, të zgjuar, por janë edhe të urtë, fisnikë.
Nga ana tjetër, Enver Hoxha, Mehmet Shehu dhe Kadri Azbiu kanë vrarë Sali Ormënin (Komandant Taborin) i cili është plagosur tre herë gjatë Luftës, komandant batalioni partizan, ish-Zëvëndës Ministër I Brendshëm, DrejtoriI Policisë, e vranë me një sërë makinacionesh.
Enver Hoxha I vriste dhe I qante tragjasiotët, se kishte frikë.
Unë ju them juve socialistë të sektit Rama, se duhet të keni frikë nga Tragjasi, duhet të keni super frikë nga Dukati, kjo zonë nacionaliste, nga gjithë banorët e Orikumit, Tragjasit, Radhimës, Dukatit dhe të Lumit të Vlorës, kur ju doni t’I grabisni pasurinë nëntokësore, t’I grabisni ujin.
Nuk ua fal Labi këtë, pavarësisht sa të politizuar mund të jenë!
Nga Tragjasi, nga kjo zonë, kanë pasur frikë të parët tuaj, duhet të keni frikë dhe ju!
Larg duart nga pasuritë e Tragjasit se Tragjasi nuk të fal, Tragjasi do ju djegi politikisht!

Fjala e mbajtur dje në Kuvend, dt.17.02.2025

Domosdoshmëria e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Të mundësojmë votimin e emigrantëve!

Domosdoshmëria e ndryshimeve në Kodin Zgjedhor. Të mundësojmë votimin e emigrantëve!

Projektligji i Partisë Demokratike ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në Ligjin nr. 10 019, datë 29.12.2008, “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, për mundësimin e votimit të emigrantëve me karta identiteti shqiptare të skaduara, si dhe me pasaportë ose letërnjoftim apo kartë identiteti biometrik, brenda afatit të vlefshmërisë, të lëshuar nga vendet e Bashkimit Europian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës si dhe çdo vend tjetër, si dispozitë kalimtare, është ligjor dhe efektiv.
Ai synon të ofrojë lehtësitë maksimale ndaj të gjithë shtetasve shqiptarë, kudo që ata ndodhen brenda dhe jashtë vendit, për të ushtruar të drejtën e tyre kushtetuese dhe legjitime për të votuar në zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025.
I. Karta e skaduar e identitetit nuk duhet të shbëjë të drejtën për votim!
Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë parashikon rregullin, sipas të cilit, e drejta e votës i njihet çdo shtetasi shqiptar që ka mbushur moshën 18 vjeç. Neni 19 i Kushtetutës përcakton se “Kushdo që lind duke pasur qoftë edhe njerin prej prindërve me shtetësi shqiptare, e fiton vetiu shtetësinë shqiptare. Shtetësia shqiptare fitohet edhe për shkaqe të tjera të parashikuara me ligj.” dhe se “Shtetasi shqiptar nuk mund ta humbasë shtetësinë, veçse kur ai heq dorë prej saj.”.
Neni 18 i Kushtetutës parashikon barazinë para ligjit për shtetasit dhe ndalon diskriminimin. Kushtetuta nuk parashikon si kusht pasjen e një dokumenti identifikimi të vlefshëm, mungesa e të cilit të bëjë nul të drejtën universale të votës.
Për sa kohë një shtetas shqiptar provon identitetin e tij në një formë të besueshme, ai/ajo ka të drejtë të ushtrojë të drejtën e votës. Kodi Zgjedhor madje lejon një zgjedhës të votojë edhe pa qenë në listën e zgjedhësve, sa kohë që një gjykatë vendos ta lejojë të votojë. Pra, lista e zgjedhësve apo dokumenti i identifikimit janë instrumenta që shërbejnë për të siguruar të drejtën e votës, dhe jo për ta zhbërë atë!
Nga ana tjetër, nëse analizojmë me kujdes Raportin Përfundimtar të OSBE-ODIHR për monitorimin e zgjedhjeve të fundit vendore të 14 Majit 2023, nga ky raport i OSBE konstatohet se në 2023 ishin të paktën 271,000 zgjedhës me karta identiteti të skaduara.
Por nga viti 2023 e deri tani, situata është përkeqësuar ndjeshëm. Raporti paraprak i NAM (Needs Assessment Mission) i OSBE-ODIHR, për zgjedhjet e përgjithshme të 11 Majit 2025, raport i cili mban datat 3 dhe 6 dhjetor 2024, evidenton rreth 600.000 mijë zgjedhës me karta identiteti të skaduara, e dhënë kjo e konfirmar publikisht edhe nga Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve.
Ky shqetësim përfshin shtetasit shqiptarë me banim brenda dhe jashtë vendit, por sidomos ata jashtë vendit, të cilët mund ta kenë më të vështirë sesa shtetasit brenda vendit, për të rinovuar dokumentat e identifikimit. Rrjedhimisht, e gjithë kjo kategori zgjedhësish rrezikon seriozisht të mos jetë në gjendje të votojë në 11 maj 2025, nëse nuk amendohet Kodi Zgjedhor.
II. Dokumenti biometrik i vendit ku votojnë duhet të mundësojë votimin e emigrantëve.
Gjithashtu, numri i zgjedhësve që nuk kanë asnjë dokument biometrik/elektronik (pasaportë apo kartë identiteti/letërnjoftim), sepse janë larguar nga Shqipëria para fillimit të pajisjes me to, duke nisur nga janari i vitit 2009, apo që kanë lindur jashtë territorit të Republikës, por që kanë fituar të drejtën e votës, është i lartë.
Që nga fillimi i regjistrimeve më 11 janar 2025 në platformën e KQZ-së për shtetasit që votojnë nga jashtë, numri i këtyre shtetasve që ankohen për pamundësi regjistrimi është shumë i lartë.
Këta shtetas kanë një dokument biometrik të vendit ku jetojnë, me të cilin mund të kalojnë kufirin shtetëror, duke u identifikuar nëpërmjet pajisjesh elektronike biometrike.
Dispozita aktuale e Kodit Zgjedhor që amendamenti i partisë Demokratike ndryshon, është miratuar në vitin 2008. Si e tillë, ajo nuk reflekton reformën e madhe të nisur në vitin 2020 dhe të përfunduar në vitin 2024 që lejoi që të votojë nga jashtë Republikës së Shqipërisë çdo shtetas që në ditën e votimit gjendet jashtë vendit dhe që regjistrohet rregullisht (pozicion ligjor i njohur botërisht me termin “Out of country voting-në shqip, votimi jashtë vendit”).
Si e tillë, kjo dispozitë nuk reflekton realitetin demografik të përshkruar më sipër, atë zgjedhor dhe ligjor në fuqi. Ajo përbën një pengesë diskriminuese që bën efektivisht nul të drejtën e fituar me ligj.
Në këtë kuptim, nëse nuk merren masat e duhura në kohë, për të lehtësuar regjistrimin dhe votimin e të gjithë shqiptarëve me banim jashtë vendit, sikurse mundëson amendamenti i propozuar nga PD, rrezikojmë të kemi një pjesëmarrje të ulët në votime, çka do të cënonte ndjeshëm jo vetëm besueshmërinë, por edhe legjitimitetin dhe kushtetutshmërinë e procesit të ardhshëm zgjedhor.
Ndaj, ky qëllim mund të arrihet vetëm duke hequr çdo pengesë ligjore për ushtrimin e të drejtës së votës edhe të atyre kategorive të zgjedhësve, të cilëve, (i) u ka skaduar leternjoftimi elektronik dhe pasaporta shqiptare, apo (ii) asaj kategorie të shqiptarëve në emigracion, që kanë shtetësinë dhe/ose rezidencën e përhershme në një vend të huaj, po që aktualisht rezultojnë se nuk disponojnë asnjë pasaportë apo letënjoftim elektronik të lëshuar nga Republika e Shqipërisë.
Me miratimin e këtij Projekligji të Partisë Demokratike dhe përfshirjen e dispozitës së tij në Kodin Zgjedhor, si dispozitë tranzitore, nuk do të ketë me pasiguri juridike lidhur me eventualitetin, nëse do të merret apo jo vendim nga Këshilli i Ministrave për zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumenteve të identifikimit, për efekt të zgjedhjeve.
Kjo praktikë tashmë ka ndodhur në disa palë zgjedhje, mirëpo nuk u përtëri në disa zgjedhje të pjesshme, si në rastin e Bashkisë Himarë (zgjedhjet e Gushtit 2024), ku nga listat e zgjedhësve figuruan rreth 6 mijë zgjedhës pa dokument ID të vlefshëm.
Duke kryer rregullimet ligjore drejtpërdrejt në Kodin Zgjedhor, garantohet parashikueshmëria dhe sigurohet jo vetëm transparenca, por edhe siguria juridike për zgjedhësit, që e drejta e tyre e votës nuk do të varet nga diskrecioni politik i Këshillit të Ministrave.
Në këtë kontekst, ndryshimet ligjore të propozuara nga Partia Demokratike janë të domosdoshme për gjithpërfshirjen dhe garantimin e të drejtës së votës për të gjithë shtetasit shqiptarë, kudo ku ata ndodhen, dhe pavarësisht dokumentit të tyre të identifikimit që ata posedojnë, për zgjedhjet e vitit 2025, deri në parashikimin në mënyrë të përhershrne të rregullave përkatëse.
Një dispozitë e ngjashme është miratuar në Kodin Zgjedhor në vitin 2007, me kerkesë të opozitës, në atë kohë të Partisë Socialiste, pikërisht me qëllim garantimin e të drejtës së votës, në mungesë të dokumentave të identifikimit të Republikës së Shqipërisë, situatë kjo sot e vlefshme për qindra mijëra zgjedhës.

Mendime mbi Reformën Zgjedhore

Mendime mbi Reformën Zgjedhore

I- Pro koalicioneve parazgjedhore, sepse: Koalicionet janë të rëndësishme jo vetëm për Partinë Demokratike (Rithemelimin), por në radhë të parë për vetë demokracinë! Sepse nëpërmjet koalicioneve parazgjedhore të gjitha partitë opozitare të djathta dhe qendrës kanë mundësinë e asocimit politik maksimalist. Është mënyra se si shqiptarëve u garantohet liria e votës, ndershmëria e barazia e procesit, numërimi korrekt i votës, përkthimi drejt i vullneteve të tyre në qeverisjen qendrore. Në këtë mënyrë asnjë votë e opozitës nuk shkon dëm, si nga partitë e vogla të djathta ashtu edhe nga ato parti opozitare, të cilat mund të krijohen pak muaj përpara zgjedhjeve (të nxitura ose jo nga loja e pistë e Ramës). Le të mos harrojmë që në rast se do të ishin lejuar koalicionet në zgjedhjet e 25 prillit 2021, ashtu siç i kërkoi PD, opozita sot do të ishte në pushtet! Ndaj zhbërja e ndryshimeve kushtetuese që hoqën koalicionet dhe që u kaluan me ndihmën e opozitës “kërpëratë” duhet të jetë kërkesë e vazhdueshme dhe e panegociueshme e opozitës sot. Më hollësisht këtë çështje e kam theksuar në diskutimin tim në Parlament në 5 maj 2023 (Pse deputetët e Kuvendit, veçanërisht ne të opozitës, duhet të votojmë kundër paketës për rritjen e pagave.), paragrafi I.2: “Thika pas shpine në garat zgjedhore. … Ne si opozitë nuk duhet të votojmë pro asnjë ligj, për sa kohë nuk kryhet e plotë reforma zgjedhore në vend. Rama u tall më 2020 dhe 2021 me interesin madhor të shqiptarëve për të votuar të lirë dhe me transparencë. Po me deputetët e kërpëratave, shkeli në prill 2021 marrëveshjen politike të qershorit 2020 për reformën zgjedhore, e cila dukej se kishte edhe mbështetjen e ndërkombëtarëve. Pengimi i koalicioneve parazgjedhore ishte një thikë pas shpine ndaj përpjekjeve që bëri opozita, për të garantuar një garë të drejtë zgjedhore. Kjo thikë pas shpine solli deformimin e garës, dhe për rrjedhojë, edhe të rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021… …Rama na goditi sërish më 2023 në zgjedhjet vendore të 14 majit, ku, përmes makinacioneve, pengoi koalicionet parazgjedhore dhe i kushtëzoi ato, deri në përcaktimin e vulës apo siglës, apo, sikurse na ndodhi ne, deri në mosvendosjen e emrit të kryetarit të koalicionit në fletën e votimit…”

II- Pro listave të hapura, sepse:

Vetëm në këtë mënyrë sigurohet transparenca në zgjedhjet politike të kandidatëve për në Kuvendin e Shqipërisë. Shmanget në maksimum kryetarokracia dhe kandidatët e preferuar të kryetarit. Gjithashtu listat e hapura nënkuptojnë që duhet të zgjidhen për në Kuvendin e Shqipërisë ata kandidatë, të cilët gëzojnë mbështetjen, besimin dhe marrin përgjegjësinë përpara votuesve. Votimi i kandidatëve me lista të hapura do të rriste cilësinë e të zgjedhurve të Parlamentit, pasi deputetët që do të hyjnë në atë institucion do të duhet të kalojnë disa filtra jo vetëm të zgjidhen nga lidershipi i një partie. Deputetët e zgjedhur duhet të kalojnë “provën” reale te qytetarëve. Lista e hapur bën të mundur që kandidatët në listë të jenë në garë të ndershme edhe mes njëri- tjetrit. Listat e hapura rrisin cilësinë e sistemit, sepse në përzgjedhjen e atyre që do të shkojnë në Parlament, përveç vendimmarrjes së ardhur nga lidershipet e partive, efekt vendimmarrës ka edhe vetë qytetari me përzgjedhjen që vetë do të bëjë. Zhvillimi i Primareve, proces i cili në PD duhet të vazhdojë e të përmirësohet, do të ishte një lloj filtri pozitiv e me impakt të gjerë për kandidatët për deputetë të PD, pasi të korrigjohen dhe pak mangësi nga procesi i mëparshëm.
III- Zvogëlimi i numrit të deputetëve, sepse: Tkurrja e popullsisë ( përflitet në shifrat 1.700.000 banorë)duhet të na bëjë të reflektojmë që edhe numri i deputetëve në Parlamentin e Shqipërisë të reduktohet, në maksimumi 100, në mënyrë që të rritet përfaqësimi cilësor në pushtetin ligjvënës dhe ky përfaqësim të jetë në raport të drejtë e të pranueshëm me popullsinë e vendit. Besoj se ulja e numrit të deputetëve do të kontribuojë në kthimin e dinjitetit të institucionit ligjvënës, pasi çdo parti do të synojë të zgjedhë paraprakisht kandidatë të spikatur. Njëherazi ky reduktim i numrit të deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë duhet të reflektohet edhe në administratën publike, e cila është rritur ndjeshëm në këto 11 vite të pushtetit të sektit Rama me pak specialiste e shumë patronazhistë dhe është e provuar tashmë që patronazhistët punojnë vetëm për partinë e sektin në pushtet duke keqpërdorur taksat e popullit.

IV- Vota e emigrantëve e domosdoshme, sepse: Partia Demokratike duhet të përpiqet për të garantuar dhe të këmbëngulën për votën e diasporës shqiptare, për të cilën ka dhe një vendim të Gjykatës Kushtetuese, i cili e cilëson mohimin e të drejtës së votës së shqiptarëve që jetojnë jashtë kufijve si antikushtetuese dhe shkelje të të drejtave themelore të tyre. Vota e emigrantëve nuk duhet të frikësojë politikën shqiptare. Askush nuk duhet ti frikësohet adresës politike të kësaj vote. Ajo është votë e njerëzve që duan vetëm Shqipërinë, prosperitetin dhe të mirën e saj…Natyrisht duhet të përcaktohen mirë modalitetet e regjistrimit të diasporës për pjesëmarrje në votime, sepse mund të ekzistojë rreziku që nëse regjistrohen nëpërmjet portalit e- Albania, të dhënat e tyre mund të keqpërdoren nga qeveria dhe vota e tyre të manipulohet. Mënyra se si do të llogaritet vota e tyre, në cilat qarqe, sa deputetë i korrespondojnë, etj është tjetër gjë, e cila diskutohet në një fazë të dytë.

Botuar në Gazeta Sot më 03.02.2024

Abuzimet flagrante me shtyrjen e dy ligjeve të qepura për oligarkët e Ramës

Abuzimet flagrante me shtyrjen e dy ligjeve të qepura për oligarkët e Ramës

Dy ditë më parë, Komisioni për Ekonominë dhe Financën miratoi shtyrjen e afatit të ligjit Nr. 55/2015 “Për Investimet Strategjike” deri më 31 dhjetor 2026. Ky ligj u miratua në maj të vitit 2025, si një masë e përkohshme trevjeçare për nxitjen e investimeve strategjike në ekonomi. Që nga ajo kohë, është shtyrë gjashtë herë.
Në bazë të këtij ligji, shteti është i detyruar t’i ofrojë investitorëve strategjikë infrastrukturë ndihmëse, si furnizim dhe përshtatje të rrjetit elektrik, furnizim me ujë të pijshëm, kanalizime dhe trajtim të ujërave të ndotura, si dhe infrastrukturë rrugore. Shumë oligarkë të Ramës janë gjetur komod me këtë ligj, kanë përfituar pa cak dhe, edhe tani kur janë bërë nëntë vite që kanë vjelur favore, kërkojnë që ai të vazhdojë në pafundësi.
Raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit për klimën e investimeve në Shqipëri, i vitit 2021, ka theksuar se ligji i investimeve strategjike “korrupton logjikën investuese dhe nuk është aspak miqësor me investitorët e huaj”.
Lind pyetja: pse qeveria nuk e ka sjellë që të gjashta herët vetë kërkësën për shtyrjen e ligjit të përgatitur prej saj, por ngarkon e mbingarkon deputetë të veçantë të shumicës parlamentare? Çfarë kërkon të fshehë, duke i nxjerrë gështenjat nga zjarri, përmes deputetëve të veçantë?
Është shumë e qartë pse qeveria nuk e paraqit vetë kërkesën. Rreket të shmangë llogaridhënien dhe transparencën për ecurinë dështake deri tani, të 55 projekteve që kanë marrë statusin e investimit strategjik dhe kanë shkelur me të dyja këmbët kërkesat dhe kushtet e miratimit të statusit, në nivel të investimit të kryer, punësimit të realizuar dhe dobive për komunitetet ku është investuar me këtë status.
Me këtë ligj, investitorit strategjik i jepet një ndihmë e padrejtë në raport me pronarin e tokës, duke cënuar një nga bazat e tregut të lirë dhe kapitalizmit, respektimin e kapitalit të tokës. Ai ka krijuar një problematikë serioze në raport me të drejtat e pronësisë, duke ligjëruar shtetëzimin e pronës private për interesa të investitorëve privatë të afërt me Ramën dhe sektin e tij .
Ligji ka përbërë një injorim të plotë të master-planeve të zhvillimit të zonave të ndryshme me potencial të madh në vend. Ai ka dështuar të thithë investime të huaja, por është përdorur për përfitime nga njerëz të afërt me qeverine, duke gjeneruar një parajsë të miratimit të ofertave të pakërkuara të oligarkëve.
Këto oferta-projekte nuk kanë qenë investime strategjike, por një maskim gjoja ligjor, për atë që realisht po ndodh për nëntë vite rradhazi tek ne, përmes këtij ligji: megavjedhje me ligje dhe procedura, në kurriz të qytetarëve pronarë në Bregdet dhe në zonat me atraksion turistik. Ligji ka ngjallur konflikte të forta sociale dhe ka rritur kostot e shoqërisë për kompensimin e ish-pronarëve. Kontratat janë dhënë pa asnjë garë, pa transparencë dhe pa asnjë mekanizëm monitorues të këtyre projekteve.
Shtyrja e ligjit gjashtë herë dhe mosardhja e qeverisë në Kuvend, për të mbrojtur shtyrjen, vërteton mungesën e favorizimit real të projekteve në sektorë strategjikë të ekonomisë, por thjesht ndërtimin nga njerëz afër qeverisë të objekteve në zona të ndryshme të vendit, në bregdet për tetë vitet e para dhe tani, ndërtime në zonat malore, ku toka do të jepet me 1 euro, përmes Paketës së Maleve.
Abuzimet me këtë ligj kanë qenë evidente në zonat bregdetare, ku ligji është përdorur për të mbështetur projekte ndërtimesh vilash private dhe jo kompleksesh turistike, sikurse ka ndodhur në Mal të Zi dhe Turqi.
Partia Demokratike që do të vijë në pushtet pas zgjedhjeve të 11 majit 2025, jo vetëm që do të abrogojë zgjatjet pa fund të këtij ligji abuziv, por do të kërkojë dhe nxisë realizimin e një auditimi të plotë dhe të pavarur të pasojave që ka prodhuar ligji, si dhe të mënyrës se si është zbatuar. Ajo, për rastet e abuzuara të vërtetuara, do të kërkojë vënien para përgjegjësisë ligjore të abuzuesve.
Ndërkohë, abuzimet me këtë ligj po zgjerohen edhe më shumë, me propozimin e fundit të një deputeti të shumicës, që deri në fund të vitit 2026, të gjitha resortet me 4-5 yje që kanë një kontratë me një ‘brand name’ ndërkombëtar, të vijojnë të bëjnë biznes pa taksa. Edhe kjo nismë ligjore për të zgjatur me 2 vite afatin për përjashtimin e këtyre bizneseve nga tatimi mbi të ardhurat, u miratua nga Komisioni i Ekonomisë dy ditë më parë. Ajo zgjeron abuzimin me Ligjin Nr. 55/2015 dhe përbën qokën e radhës për oligarkët e Rames, në prag të zgjedhjeve.
Përjashtimi nga taksat i investimeve me 4-5 yje, me kontratë me ‘brandet’ ndërkombëtare, u bë në vitin 2019 dhe janë 11 struktura turistike që deri tani e kanë përfituar këtë status. Me sa duhet, oreksi ka ardhur duke ngrënë dhe të gjithë oligarkët e Ramës kanë rendur pas gjetjes(blerjes) së një emri përfaqësues marke ndërkombëtare, për t’u pasuruar akoma dhe më shumë me një trajtim të padrejtë favorizues dhe parajse fiskale.
Praktikisht, përmes zgjatjes së këtij përjashtimi, favorizohen pa asnjë përfitim real të ekonomisë sonë, një pakicë hotelesh dhe resortesh, ndërsa shumica dërrmuese e strukturave të tjera turistike të vendit paguajnë rregullisht taksat. Edhe ky ligj hyn në armatën e madhe të ligjeve të qepura me porosi nga Rama dhe sekti i tij, ligje të cilat Partia Demokratike do t’i shfuqizojë të parat, sapo të vijë në pushtet, për t’ia kaluar pushtetin real interesave të qytetarëve, dhe jo oligarkëve.

Ndryshimet ligjore në fundvit, prioritet të drejtat e njeriut apo punësimet politike?

Ndryshimet ligjore në fundvit, prioritet të drejtat e njeriut apo punësimet politike?

Përse u cënua statusi i nënpunësve të sistemit te burgjeve?
Ndryshimet ligjore në fundvit, prioritet të drejtat e njeriut apo punësimet politike?
Në rendin e ditës së fundit të Kuvendit për këte vit, ishte përfshirë për t’u diskutuar Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”.
Në lexim të parë, nga vetë emërtesa ligjore, pritshmëritë për mua si deputet ishin se kishim të bënim me një ndryshim për të përmirësuar kushtet dhe të drejtat e njeriut të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Ndërsa, në brendësi projekligji i sjellë nuk përmban asnjë dispozitë në këtë drejtim, përkundrazi synon thjesht saktësimin e rregullimit të marrëdhënies së punës së nëpunësve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve (DPB) dhe institucioneve të ekzekutimit të vendimeve penale duke kaluar në rregullimin e tyre sipas Kodit të Punës, si dhe krijimin e kushteve për plotësimin e vendeve vakante në pozicionet e punës në këto institucion.

Ne si deputet kemi përgjegjësi që kur propozojmë ndryshime në një ligj të kësaj natyre dhe para se të investohet Kuvendi në një proces legjislativ, të analizojmë mbi ecurinë dhe rezultatet e deritanishme të këtij ligji dhe nevojat për rregullim, në optikën e avancimit të të drejtave të njeriut. Kjo nuk do të thotë të përjashtojmë teknalite te tjera, por thelbi i ndërhyrjes të ketë si prioritet të drejtat e njeriut.

REKOMANDIMET E AVOKATIT TË POPULLIT

Nuk pashë asnjë dispozitë apo përmirësim ligjor që të reflektojë edhe rekomandimet e Avokatit të Popullit në këtë fushë. Janë një mori çështjesh dhe rekomandimesh nga Avokati i Popullit si:

Për trajtimin me shumëllojshmëri ushqimore;

Për marrjen e masave të nevojshme për përmirësimin e procedurës që duhet të ndiqet nga stafi mjekësor i Institucioneve të Ekzekutimit të Vendimeve Penale për përcaktimin e kohëzgjatjes së përdorimit të medikamenteve si dhe rekomandimeve të nevojshme për kontrolle apo veprime të mëtejshme në kartelën klinike të të burgosurit;

Marrjen e masave të nevojshme dhe të menjëhershme nga strukturat e Ministrisë së Drejtësisë në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, për përllogaritjen e një buxheti të dedikuar për të garantuar efektivisht të drejtën e të burgosurve për zhvillimin e arsimit të mesëm dhe të lartë në institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale.

Madje, janë rekomanduar edhe përmirësime ligjore, që mazhoranca as nuk i ka marrë në konsideratë, si:

Marrja e masave të nevojshme që të rishikohet neni 3 “Përkufizime”, i ligjit nr. 81/2020, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe paraburgosurve”, përkatësisht në pikën 1 të tij ku përkufizohen “Anëtarët e familjes”, në funksion të zgjerimit të këtij rrethi.

Marrjen e masave të nevojshme për garantimin e të drejtës të të burgosurve për të kryer biseda telefonike me anëtarët e familjes, të afërmit dhe në raste të veçanta me të tretët, sipas akteve ligjore në fuqi.

Problematika të tjera që kërkojnë vëmendjen e Kuvendit kanë të bëjnë me tenderat në raport çështjet e sigurisë dhe blerjen e medikamenteve

Rreth 85% e tenderave bëhen pa garë, me procedurën negocim pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës. Rasti i burgut të Peqinit është ulëritës, ku ndonëse janë bërë tendera me qindra milionë lekë për kamera dhe përforcimin e infrastrukturës së sigurisë, u arrit të futej armë e të bëhej vrasje brenda burgut;

Në mënyrë të vazhdueshme është raportuar nga mediat se të dënuarve u mungojnë barnat mjeket, energji elektrike, pagesat e orëve të punë, ndonëse bëhen tendera për prokurimin e këtyre mallrave dhe shërbimeve;

Po zbatimi i kontratave. A ka kapacitete Drejtoria e Burgjeve për të monitoruar këto prokurime për të siguruar mallra dhe shërbime me cilësi.

KUSHTET E BURGJEVE

Pse nuk merren në konsideratë gjetjet dhe sugjerimet e monitoruesve ndërkombëtarë për kushtet e burgjeve.

Komiteti Evropian për Parandalimin e Torturës dhe Trajtimit ose Ndëshkimit Çnjerëzor ose Poshtërues (KPT) ka publikuar raportin e tij për vizitën e majit 2023 në Shqipëri. Objektivi kryesor i vizitës së KPT-së në Shqipëri në vitin 2023 ishte rishikimi i trajtimit dhe kushteve të paraburgimit të personave të mbajtur në paraburgim policor dhe në burgje. Në fokusin e vizitës ishte gjithashtu edhe situata e pacientëve psikiatrikë dhe e të burgosurve me çrregullime mendore. Delegacioni i KPT-së shqyrtoi gjithashtu, për herë të parë në Shqipëri që nga viti 2000, trajtimin e të strehuarve me aftësi të kufizuara intelektuale në institucionet e kujdesit social.

Gjetjet e vizitës së vitit 2023 theksojnë se sa i përket trajtimit të personave të ndaluar nga policia duket se ruhet, kërkohet ende veprime të tjera plotësuese për të çrrënjosur keqtrajtimin nga ana e policisë.

KPT-ja ka shprehur shqetësime të mëdha në lidhje me kushtet në paraburgim dhe trajtimin e të paraburgosurve ndaj të cilëve është vendosur ose një masë trajtimi i detyrueshëm i urdhëruar nga gjykata, sipas nenit 46 të Kodit Penal, ose vendosja e përkohshme në një institucion psikiatrik (neni 239 i Kodit të Procedurës Penale);

Për sa i përket ofrimit të kujdesit shëndetësor për të dënuarit, bëhen rekomandime, ndër të tjera për të përforcuar burimet e personelit shëndetësor në IEVP-të e Fierit dhe të Peqinit, për të mundësuar vizita të rregullta nga një psikiatër në shumicën e IEVP-vë të vizituara dhe për të përforcuar ofrimin e kujdesit psikologjik për të dënuarit. Në veçanti, nga këto vizita u zbulua se në këto IEVP rezultoi se nuk qe realizuar asnjë aktivitet terapeutik apo profesional për pacientët.

Pavarësisht përmirësimeve të dukshme të bëra në Spitalin e Burgut të Tiranës që nga vizita e mëparshme e KPT-së në vitin 2021, për shkak të strukturës së saj penitenciare, KPT-ja vazhdon të konsiderojë se kushtet e jetesës që u ofrohen pacientëve mbeten të papërshtatshme.

III. PËR TË MITURIT DHE GRATË

Çfarë informacioni kemi ne si deputet për kushtet e të miturve dhe grave në burgje. Sipas paragrafit 3 dhe 4 të nenit 5 të ligjit në fuqi parashikohet se:

Të miturit e burgosur trajtohen duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore të tyre. Trajtimi mbështetet në interesin më të lartë të të miturit, të riintegrimit shoqëror, edukimit dhe parandalimit të përsëritjes së veprave penale nga i mituri, në përputhje me kushtet dhe rregullat e parashikuara në Kodin e Drejtësisë Penale për të Mitur;

Gratë e burgosura trajtohen duke respektuar të drejtat dhe liritë themelore dhe pa diskriminim për çdo shkak të parashikuar nga legjislacioni në fuqi për mbrojtjen nga diskriminimi, duke parandaluar çdo akt dhune me bazë gjinore, që sjell dëmtim fizik, seksual ose psikologjik, vuajtje ose çdo formë tjetër abuzimi e keqtrajtimi, që dënohet sipas legjislacionit në fuqi.

Por çfarë ndodh në realitet?

Përdorimi në mënyrë arbitrare i arrestit në burg ndaj të miturve ose në mënyrë të tejzgjatur vjen jo vetëm në kundërshtim me Standardet Ndërkombëtare, por gjithashtu dëmton zhvillimin psiko-social të të miturit, e privon atë nga e drejta për t’u rritur pranë familjes së tij, për t’u shkolluar njësoj si fëmijët e tjerë dhe gjithashtu e bën vulnerabël ndaj rrezikut të influencës së krimit. Rregullat Minimum Standard të Kombeve të Bashkuara për Administrimin e Drejtësisë për të Mitur (rregullat e Pekinit) parashikojnë se arresti në burg duhet të aplikohet si një masë e fundit për një afat kohor sa më të shkurtër të mundur. Këto rregulla inkurajojnë aplikimin e alternativave të ‘arrestit në burg’.

A funksionojnë shërbimet e specializuara në shërbim të grave shtatzëna dhe atyre me fëmijë në gji. Nëse po çfarë mund të bëhet për ta përmirësuar më tej. Këto duhet të jenë objekt i propozimeve ligjore.

PËR SISTEMIN BIS-24

Tashmë u bë disa kohë që ë shtë miratuar regjimi i posaçëm i njohur si 41-bis sipas modelit italian ose i etiketuar edhe mediatikisht si burg brenda burgut. Natyrisht, me përmasat monstruoze që ka marrë krimi në Shqipëri bëhet edhe e nevojshme edhe vendosja e disa rregullave strikte.

Por, vendosja e rregullave duhet të analizohen edhe në raport me infrastrukturën e burgjeve për të garantuar që një regjim i tillë i rreptë të mos cenojë thelbin e të drejtave të njeriut. Janë një sërë vendimesh të Gjykatës Europiane të Drejtësisë, lidhur me këtë regjim, të cilat kanë vendosur disa standarde për të balancuar dhe vendosur kriterin e proporcionalitetit për aplikimin e regjimit të posaçëm të sigurisë.

Prandaj, diskutimi dhe analiza që duhet bërë është nëse ecuria e deritanishme është në përputhje me standardet e përcaktuara në Konventën Europiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore , Rregullat Europiane të Burgjeve të miratuara nga Komiteti i Ministrave të Këshillit të Europës në 11 Janar 2006, Standardet minimale të Rregullave për Trajtimin e të Burgosurve (Nelson Mandela Rules) të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara në 17 Dhjetor 2015. Veçanërisht duhen vlerësuar rekomandimet e KPT për sistemin 41 -bis në Itali, gjatë vizitës së kryer në vendin fqini.

Është e lehtë për të kopjuar modele, por a kemi ne infraskturë të përshtatshme për të garantuar që ky model të jetë në proporcion me kufizimet e të drejtave të njeriut, në një kohë kur edhe ne regjimet e zakonshme vihen re kufizime të të drejtave.

DISKUTIMI PËR PUNËSIME PËR ZGJEDHJE

Por çfarë solli mazhoranca në ditën e fundit të vitit për ndryshime në ligjin nr. 81/2020 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim dhe të paraburgosurve”?

Në ambalazhin e një intepretimi të nenit 2 të ligjit nr. 152/2013 “Për nëpunësin civil”, ju si mazhorancë, ju si sekt në pushtet në institucionet e sigurisë po krijoni pasiguri për punonjësit e burgjeve, duke i “internuar” në dispozitat e kontratave afatshkurtra të Kodit të Punës. Në një kohë kur ne duhet të synojmë të promovojmë përfshirjen në garancitë dhe mbrojtjen e ligjit të shërbimit civil të sa më shumë institucioneve, Qeveria Rama bën të kundërtën.

Ju me këto ndryshimë, po i shndërroni në të “burgosur politikë” punonjësit për t’i indimiduar e vendosur zinxhirët kontrollit në prag zgjedhjesh.

Jo vetëm kaq, por intriga që fshihet këtu lidhet drejtpërdrejte me punësimet për zgjedhjet e 14 majit që kuptohet nga vetë relacioni e Komisionit të Sigurisë, ku propozuezja thekson (citoj) se “Përmes ndryshimit të regjimit të marrëdhënies së punës së këtyre nëpunësve do të arrihet një plotësim më i shpejtë i vakancave, duke ndikuar direkt në rritjen e nëpunësve, normalizimin e ngarkesës së punës, si dhe në rritjen e cilësisë së shërbimit të ofruar dhe respektimit të të drejtave të të dënuarve dhe të paraburgosurve….(vijon)Nga ana tjetër, edhe procedura e rekrutimit të një nëpunësi civil kërkon një kohë mjaft të gjatë dhe nuk garanton shpejtësi në zëvendësimin e nëpunësve të larguar në një periudhë të shkurtër.

Çfarë është ky nxitim? Përgjigjen e thoni vet ju. Momentalisht janë 406 vende vakante. Pyetja që shtroj unë, a po na sillni këtu një ligj për të sjellë ortekun e patronazhistëve në administratën e burgjeve. A po cenohet siguria e burgjeve, duke shmangur garancitë e pastërtisë së figurës që ofronte ligji për shërbimin civil, për të nisur punësime pa kritere e pa filtra në institucione e sigurisë së lartë.

Shikoni institucionin e kadastrës, drejtoritë vendore. Edhe ato me Kod Pune janë dhe batërtia e ndryshimeve të punonjësve është e tillë saqe ka cenuar drejpëdrejt profesionalizmin dhe sigurinë juridike të pronësisë.

Prandaj, mazhoranca solli këtë ligj. Halli i saj janë zgjedhjet dhe ky propozim është shëmbëlltyra e sistemit të kapjes së shtetit, aq sa paranoja dhe frika e ka çuar deri te burgjet, ku tani pervecse jane mbushur nga krimi, po e mbushet edhe me krimin tuaj elektoral.

V.O. Me forcën e kartonit ndryshimet në ligjin e sipërcituar (në diskutimin që unë mbajta në Kuvend) kaluan duke u hapur rrugë punësimeve për ortekun e patronazhistëve dhe cënimin e statusit të nënpunësve aktualë.

Botuar në Gazeta Sot më 26.12.2024

Një Akt Normativ i stërvonuar!

Një Akt Normativ i stërvonuar!

Akti Normativ Nr. 4 datë 27.11.2024 “Për një shtesë në ligjin nr.29/2023 “Për Tatimin mbi të Ardhurat”, të ndryshuar”, vërteton edhe njëherë qëndrimin e padrejtë, grotesk dhe imponues të sektit Rama ndaj biznesit në tërësi, por sidomos ndaj profesioneve të lira. Kjo administratë, e frymëzuar nga sekti Rama në qeverisje, në aventurizmin dhe diktatin e saj ndaj pjesës më krijuese të shoqërisë sonë, profesionistëve të lirë, nuk dëgjon të pranojë fajin me trajtimin diskriminues ndaj tyre, të nxjerrë lakuriq përpara shqiptarëve nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese i datës 27 qershor 2024.

1. Akti Normativ Nr. 4 kërkon të shpëtojë diçka që nuk shpëtohet!

Akti Normativ Nr. 4 përpiqet tani të shpëtojë çka nuk mund të shpëtohet: shkeljen flagrante të Kushtetutës ndaj 6541 profesionistëve të lirë, të cilët u detyruan t’i paguajnë shtetit 5 milionë euro, për shkak të miratimit dhe zbatimit të një ligji krejtësisht abuziv dhe antikushtetues. Sekti në fuqi duhet të mbahen përgjegjës juridikisht dhe materialisht për keqtrajtimin fiskal të mbi 29 mijë profesionistëve të lirë që nga janari i këtij viti, si dhe për humbjet e shkaktuara këtyre 6541 profesionistëve të lirë, nga ngrirja e fondeve të tyre në vlerën e përgjithshme 5 milionë euro për muaj me radhë.

Asnjëherë nuk duhet të harrojmë atë gjë të rëndë që ndodhi me aventurën e sektit në fuqi dhe administratës së tij tatimore në periudhën janar-qershor 2024. Ndryshimet ligjore në Ligjin “Për Tatimin mbi të Ardhurat” shkelën parimet e barazisë kushtetuese, të drejtën themelore të veprimtarisë ekonomike, si dhe cenuan parimin e shtetit të së drejtës dhe të sigurisë juridike. Zbatimi i këtyre ndryshimeve për muaj me radhë krijoi pasiguri juridike për bizneset e reja, ofrues të shërbimeve profesionale. Nuk duhet të harrojmë që gjatë muajit prill të këtij viti, referuar të dhënave të QKB-së, për shkak të parapagimit të tatimit, depozituan kërkesë për pezullim aktiviteti 10,470 biznese të profesioneve të lira.

2. Skandal kolektivizimi i një gjoja “zgjidhjeje”-penalizim për të gjithë profesionistët e lirë!

Trajtimi i diferencuar tatimor i profesioneve të lira, kundrejt bizneseve të tjera, që, deri me vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ju jepej kohë deri më 30 dhjetor 2029 të përshtaten me sistemin e ri fiskal, cenoi rëndë lirinë e veprimtarisë ekonomike. Gjykoj se dikush duhet mbajtur përgjegjës ligjërisht dhe administrativisht për këtë akt dhe ky dikush është sekti Rama në fuqi.

Ishte vërtet paradoksale dhe grotekse, në një kohë që zbatimi i ligjit për tatimin mbi të ardhurat shkeli Kushtetutën, pasi diskriminoi qartazi tatimpaguesit, propozuesit e ligjit dhe ligjvënësit socialistë e kanalizuan diskutimin në mënyrë hipokrite tek shmangia e detyrimeve nga profesionet e lira, që është nxitur nga hapësirat ligjore. Kjo paraqitej tërësisht e padrejtë dhe jo profesionale, pasi organet tatimore i kanë të gjitha mjetet, për të luftuar abuzuesit, dhe nuk kishte pse të kolektivizohej një zgjidhje-penalizim për të gjithë profesionistët e lirë të ndershëm!

III. U rrezikua kolapsi i sistemit të taksapaguesve

Për rrjedhojë të kësaj politike fiskale diskriminuese, te 29 mije profesionistet e lire u vunë përpara vështirësish financiare për të parapaguar brenda 30 qershorit 2024 këstet e tatimit, duke rrezikuar kolapsin e sistemit të tatimpaguesve. Tani, ky Akt Normativ Nr. 4, grotesk dhe i pafytyrë, kërkon t’u vërë kapak abuzimeve të nisura që nga janari 2024, po nga një akt tjetër normativ! Në janar të këtij viti, pasi nuk u arrit të bëhej gati formulari i ri i deklarimit të të ardhurave, qeveria miratoi një akt normativ në ligjin e ri “Për tatimin mbi të ardhurat”, i cili përcakton se deklarimi i të ardhurave do të bëhet sipas modelit të formularëve të vjetër, pra atyre ekzistues, por sipas normave të reja tatimore që nisin zbatimin nga 1 janari 2024 me të vetëpunësuarit e profesioneve të lira.

Që në janar 2024, në muajin e parë të zbatimit të ligjit kontrovers, kishte vakuum ligjor, paqartësi ligjore dhe mangësi për zbatimin e tij, të cilat dëmtuan të vetëpunësuarit e profesioneve të lira. Ekonomistët, kontabilistët dhe ekspertët kontabël të mbarë vendit mbetën të befasuar që ky parashikim ligjor nuk u zbatua nga administrata tatimore dhe u vendos parapagimi i tatimit, ndryshe nga çfarë parashikohej në ligj dhe orientimeve nëpërmjet trajnimeve të zhvilluara.

Kush mban përgjegjësi sot për këtë situatë groteske të krijuar nga mos-profesionalizmi dhe arroganca e administratës sonë tatimore, si dhe për rrezikimin e çuarjes në kolaps të sistemit të taksapaguesve? Jo vetëm përmbajtja juridike e njoftimeve të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për llogaritjen e parapagimit ishte e gabuar, por edhe nuk u zbatua korrekt ligji i ri, që njihte zbritjen e shpenzimeve me 30% te te ardhurave. Kush do të paguajë për këto shkelje ligjore dhe etike të administratës ndaj profesionistëve të lirë?

xxx

Aventurizmi dhe papërgjegjshmëria ekstreme e sektit Rama në trajtimin ndaj biznesit të ndershëm, sidomos pjesës më krijuese dhe intektualë të tij, profesionistëve të lirë, nxjerr zbuluar gjendjen e mjeruar dhe absurde ku e ka katandisur Rama sistemin tonë tatimor. Partia Demokratike u paraqet shqiptareve nje alternative fiskale ndryshe, nje administrate fiskale dhe politike fiskale te ndershme dhe te orientuar nga ndihma për qytetarin taksapagues

Krahas taksës se sheshte 10 përqind, qe do te vendose drejtësinë tatimore dhe do te nxisë biznesin te investoje fitimin e tij dhe te hape me mijëra vende te reja pune,PD propozon krijimin e një karte të konsumatorit, që do të mundësojë rimbursimin e 100% të TVSH-së për produktet bazë të shportës për çdo pensionist dhe për çdo familje që është në vështirësi ekonomike.

Botuar në Gazeta Sot më 21.12.2024

Për kë bien këmbanat e FMN-së?

Për kë bien këmbanat e FMN-së?

Fondi Monetar Ndërkombëtar(FMN) përfaqëson një nga tre institucionet e dala nga Konferenca e Bretton Woods-it 80 vite më parë. Ai u themelua më 27 dhjetor 1945. Qëllimi primar i themelimit të tij ishte që të realizonte një bashkëpunim monetar mes vendeve të porsadala nga Lufta e Dytë Botërore, si dhe një stabilitet monetar e financiar të tyre, për të shpejtuar rritjen ekonomike dhe për të ngritur nivelin e punësimit në botë.
Profili historik dhe aktual i FMN-së
Roli i Fondit Monetar Ndërkombëtar është unik dhe i pazëvendësueshëm në mbikqyrjen e sistemit monetar ndërkombëtar dhe në monitorimin e politikave ekonomike dhe financiare të 185 vendeve anëtare të tij.
Mbikqyrja e FMN-së ofron vlerësim të specializuar të zhvillimeve ekonomike dhe financiare globale dhe rajonale. Fondi jep po ashtu këshilla rreth rreziqeve që i kanosen stabilitetit dhe rritjes ekonomike të seicilit vend anëtar.
Fondi jep kontributin e tij në tre qasje të ndryshme. Së pari, ai mbikqyr dhe monitoron zhvillimet financiare dhe ekonomike globale, rajonale dhe të seicilit vend anëtar, duke dhënë këshilla profesionale mbi politikat e ndjekura nga shtetet e ndryshme, që synojnë të shmangin krizat ekonomike.
Së dyti, FMN u huazon para vendeve në vështirësi në bilancin e pagesave, për t’u dhënë financim të përkohshëm dhe suport në korrigjimin e problemeve akute që kanë.
Së treti, Fondi u jep vendeve asistencë teknike dhe trajnim në fushat e tij të ekspertizës.
FMN ka aplikuar mbikqyrjen dhe asistencën teknike në zhvillimin e standarteve dhe kodeve të praktikës së mirë, në fushat e saj të përgjegjësisë, duke kontribuar në forcimin e financave publike te shume vendeve ne bote. Fondi luan gjithashtu një rol të rëndësishëm në luftën kundër pastrimit të parave dhe terrorizmit.

11 vite këshilla të injoruara të FMN-së në Shqipëri!
FMN ka kontribuar ndjeshëm në periudhën e vështirë të tranzicionit 34 vjeçar të vendit tonë. Shqipëria u bë vend anëtar i FMN-së në vitin 1991. Në vitin 2014, pavarësisht se Fondit i mori hua 330 milionë euro për mbështetje buxhetore, sekti në qeverisje në Shqipëri e rrudhi dhe e pakësoi shumë rolin aktiv dhe gati përcaktues që ka patur FMN në vitet e mëparshme, duke e kufizuar bashkëpunimin me FMN-në në vetëm rolin e këshilluesit, sipas Nenit 4 të Marrëveshjes me FMN.
Gjatë këtyre 11 viteve të misioneve të tij faktmbledhëse, FMN ka kërkuar në vijimësi transparencë të plotë për menaxhimin e kontratave koncesionare dhe PPP, si dhe përfshirjen e pagesave të tyre në bilancin e Buxhetit të Shtetit të çdo viti buxhetor. Duke parë se, po ta bënte këtë, borxhi publik do të rritej ndjeshëm me gati 20 përqind të GDP-së, sekti në qeverisje e ka injoruar plotësisht këtë rekomandim të bazuar në praktikat më të mira dhe parimet e mirëqeverisjes së OECD-së.
FMN ka kërkuar transparencë edhe për fondet e rindërtimit, duke ripërsëritur kërkesën për të qenë pjesë e kontrollit të menaxhimit të financave publike, njëlloj si dhe për fondet për Pandeminë nga Covid-19.
Fondi ka tërhequr vëmendjen për risqet fiskale të shtuara në skemat e garancisë për sektorin privat dhe në mbështetjen pa kriter për sipërmarrjet shtetërore, si OSHEE, ujësjellësit, etj., duke theksuar se nevojitet reformë urgjente në sektorin e energjisë dhe ujit.
FMN ka kërkuar që vëmendja duhet të përqendrohet të dobësitë e sektorit të pasurive të paluajtshme, si dhe te risqet që paraqesin asetet virtuale të këtij sektori, duke i hapur rrugë pastrimit të parave.
Ka rekomanduar rishikimim e skemës së mbrojtjes sociale, e cila është më e ulëta në Ballkanin Perëndimor, për të ofruar një mbulim më të mirë, duke ndihmuar ata që kanë më shumë nevojë.
Asnjë nga këto rekomandime dhe këshilla shumë të vlefshme dhe aktuale të specialistëve të FMN-së nuk janë marrë në konsideratë nga qeveria e Sektit Rama.
Asnjë rrugëzgjidhje e dhënë nga FMN për sistemin fiskal nuk është pranuar nga Rama
Për Fondin Monetar Ndërkombëtar, sistemi ynë aktual i taksave është kompleks dhe i fragmentuar. Ndryshimet e shpeshta në të kanë minuar stabilitetin dhe transparencën e sistemit.
Fondi këshillon për një sistem tatimor më transparent, më të drejtë, më efikas dhe më të thjeshtë, i cili do ta bënte Shqipërinë më tërheqëse për investimet e huaja. Edhe kjo qasje e ofruar nga FMN është injoruar totalisht.
Ekspertët e institucionit ndërkombëtar kanë propozuar që të hiqen përjashtimet e ndryshme të bëra me taksat, si tek arsimi privat, tek shëndetësia, etj.
FMN ka hedhur me të drejtë dyshime edhe mbi menaxhimin e vendimit për përjashtimin nga TVSH të bizneseve që kanë xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë. Sipas Fondit, synimi për uljen e pragut ishte adresimi i informalitetit, por administrata tatimore nuk ka kapacitete për të monitoruar në mënyrë efektive këtë segment të madh të taksapaguesve. Për më tepër, ekzistojnë pragje të shumëfishta për sektorë të ndryshëm, te cilat minojnë thjeshtësinë e sistemit.
Institucioni ndërkombëtar që ka 34 vite që na këshillon, ka propozuar që përjashtimet e bëra për bizneset në sektorin e turizmit të rishikohen, pasi TVSH-ja për akomodimin në hotel është taksë që u takon të huajve, jo qytetarëve, dhe këta të fundit mund të jenë më pak të ndjeshëm ndaj një çmimi, nëse shërbimi i biznesit është unik.
FMN ka terhequr vemendjen qe te mos menaxhohet Buxheti i Shtetit permes akteve normative, si një rrugë që shmang shqyrtimin parlamentar të ndryshimeve në Buxhet dhe shton paqartësitë për objektivat, politikat dhe synimet e planit kryesor ekonomik të qeverisë dhe vendit.
xxx
Asnjë nga këto propozime të vlefshme dhe profesionale, nga këto këmbana alarmi për rrugën pa krye që ka marre disiplina buxhetore, financiare dhe fiskale e Shqipërisë nuk është marrë parasysh nga Rama.
Qeveria vijon me kokëfortësi të injorojë çdo konstatim dhe vërejtje të Fondit Monetar Ndërkombëtar, e vendosur në rrugën e saj të aventurave fiskale dhe minimit të qendrueshmërisë së financave publike të vendit.

Botuar në Gazeta Sot më 13.12.2024

Edi Rama si Bashar al-Assad

Edi Rama si Bashar al-Assad

Në 9 dhjetor të vitit 2003, në OKB, 100 shtete, mes tyre edhe Shqipëria nënshkruan Konventën Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit.
Sot, bilanci i vendit tonë në luftën kundër korrupsionit është sa i trishtë, aq edhe mjeran.
Renditemi ndër vendet më të korruptuara të Evropës!Cilësohemi sinarkoshtet .
Sekti Rama përfaqëson shtetin më të kapur në historinë e Shqipërisë, duke u mbështetur në tre shtylla:
a- në një rrjet marrëdhëniesh klienteliste,
b- në korrupsion endemik ,
c- në ligjet e bëra me porosi dhe gjyqësor të varur nga qeveria.
Në Shqipëri korrupsionin e gjejmë:
Korrupsion nëpërmjet Shtetit të kapur.
Ligjet e bëra me porosi legalizojnë kapjen e Shtetit, vendosja e rregullave që favorizojnë interesat private të beniaminëve të sektit, në dëm të interesit publik.

Grabitje e pasurive dhe fondeve publike, nëpërmjet alternimit të korrupsionit tradicional me hipotekimin e parasë së ardhshme të takspaguesve, në shërbim të detyrimeve nga PPP-të e nënshkruara me oligarkët.
Mungesa totale e transparencës, përgjegjësisë dhe llogaridhënies.
Pandëshkueshmëria!
Drejtësia e kapur!
Goditja e pronës dhe e fjalës së lirë!

Rrënjosja e korrupsionit në jetën e përditshmërinë shqiptare si pasojë e nxitjes së grupeve dhe individëve të caktuar për t’u pasuruar vazhdimisht përmes shpërdorimit të detyrës dhe posteve publike.
9 dhjetori i Ditës Botërore Kundër Korrupsionit është një moment i trishtë për shtetin shqiptar dhe qytetarët e tij sot, ngaqë sekti që i qeveris po shuan dhe godet zërat kritikë dhe kundër, sipas porosive të Liderit Global, që vazhdon prej 12 vitesh të shmangë llogaridhënien, përgjegjshmërinë dhe transparencën dhe që do të vazhdojë të grabisë pa mëshirë shqiptarët, duke mbajtur në këmbë një sistem korruptiv, që na mban vite larg Europës.
Sot ky shtet i korruptuar po denoncohet edhe nga partnerët ndërkombëtarë , jo vetëm nga opozita e Partisë Demokratike dhe segmente të tjera të shoqërisë shqiptare.
Për Ramën ka nisur numërimi mbrapsht ! Korrupsioni i sektit Rama po afron me fundin e turpshëm të tij, i njëjtë me të gjithë diktatorët nga E.Hoxha e R.Alia tek Sadam Hyseini e Bashar Al-Assadi !
Dhe Soros & Son nuk e shpëton dot!
Botuar në Gazeta Sot më 09.12.2024