Porti i Durrësit, port i mafias dhe i mbetjeve të paligjshme toksike

Porti i Durrësit, port i mafias dhe i mbetjeve të paligjshme toksike

Sipas Rrjetit të Veprimit të Bazelit (BAN), një organizatë botërore jo qeveritare e drejtësisë dhe shëndetit mjedisor, që lufton trafikun ndërkombëtar të paligjshëm të mbetjeve toksike, më 2 prill të këtij viti, Shqipëria dërgoi nga porti i Durrësit për në Kinë 115 kontenierë me mbetje toksike. Kjo ngarkesë, e deklaruar si koncentrat i ulët dhe mineral zinku, u bllokua nga autoritetet kineze dhe mbahet ende e bllokuar në Portin e Nanshas, në qytetin Guangzhu në Kinë. Analizat e bëra nga autoritetet kineze provuan se kontenierët ishin të ngarkuar me mbetje të dala nga rafinimi hidrometalurgjik i metaleve jo hekur, që përmbanin nivele të larta të plumbit dhe ndotësve të tjerë, ndryshe nga sa deklarohej në dokumentet shoqëruese të eksportit. Këto ditë, në Tajlandë janë drejtuar 100 kontenierë ( mbi 800 tonë)me mbetje toksike, të ardhura po nga Porti i Durrësit, të denoncuara po Rrjeti i Veprimit i Bazelit.

Këto fakte hedhin dyshime të forta se, tek ne, përmes Portit të Durrësit, është zhvilluar dhe po zhvillohet një aktivitet i mirëorganizuar dhe i mirëfilltë mafioz, me tregtinë e mbetjeve të rrezikshme, të paligjshme për t’u eksportuar. Sekti Rama në pushtet, ia ka dalë të ngadalësojë dhe zvogëlojë aktivitetin përpunues dhe tregtar të mirëfilltë të Portit 2700 vjeçar të Durrësit, si dhe po zeron gradualisht rëndësinë e tij ekonomike. Dhe nuk mjaftohet me kaq, por po e shndërron Portin kombëtar të e Durrësit në një njollë të zezë në transportin evropian detar, si port burimor, për të transportuar drogë dhe për trafiqet e paligjshme të mallrave, duke përfshirë mbetjet toksike. Me të drejtë, shumë qytetarë sot ngrejnë pyetjen: çfarë duhet të vazhdojë të bëjë akoma Porti i Durrësit, që të quhet port i mafias dhe i mbetjeve të paligjshme toksike?

Porti i Durrësit, port pa kontrollet e duhura

Sipas vrojtimeve të shumë ekspertëve dhe organizatave ndërkombëtare, kontrolli i mallrave në portin e Durrësit lë shumë për të dëshiruar. Sidomos ndaj mallrave për eksport, ai aplikohet formal dhe është shumë i pakët. Rastet e sipërcituara janë prova flagrante e moskontrollit portual të mallrave.

Porti i Durrësit, siguria shumë e dobët

Organizata prestigjoze ndërkombëtare “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar” ka publikuar një raport për rrugët ballkanike të trafikimit të lëndëve narkotike(https://globalinitiative.net/analysis/balkans-maritime-routes-ports-crime/ . Në raport flitet për trafikun ndërkombëtar të kokainës, i cili bëhet përmes rrugëve detare në Ballkan. Në kapitullin për Shqipërinë, përmendet Porti i Durrësit si port me risk të lartë në përdorimin e mundësive dhe rrugëve të trafikimit të kokainës. “Global Initiative” evidenton disa hallka të dobëta të sigurisë në Portin e Durrësit, që u japin mundësi trafikantëve për të transportuar kokainë, duke shfrytëzuar konteinerët që vijnë nga vende të ndryshme të botës, e specifikisht konteinerët me banane.

Sipas organizatës së njohur ndërkombëtare, siguria në port është larg së qenit garantuese. “Niveli i sigurisë është dukshëm më i ulët në rrugën prej 1 kilometër që ndan terminalin e konteinerëve me skanerin, ne krahasim me zonat e tjera portuale, megjithëse brenda perimetrit të portit. Kjo u jep mafiozeve kohë për të ndërhyrë në konteiner, përpara se ai të jetë kontrolluar”, cilësohet në raportin e “Global Initiative”. Porti i Durrësit është kthyer në një pikë strategjike për grupet kriminale, për të trafikuar sasi të mëdha të lëndës narkotike kokainë, nga Amerika Latine drejt vendit tonë, me destinacion kryesor tranzitimin e saj në vendet e Bashkimit Evropian.

Raporti i “Iniciativa Globale Kundër Krimit të Organizuar Ndërkombëtar”vijon me konstatimin se “Që nga viti 2018 ka pasur sasi të konsiderueshme kokaine të sekuestruar në Portin e Durrësit. Sasia e madhe e kapjes së kokainës në këtë port tregon qartë se ky port është një pikë e rëndësishme për trafikun ndërkombëtar të drogës”.

Porti i Durrësit ka rënë në volum dhe po humb përparësinë e tij strategjike

Me vendimin e zhvendosjes së Portit strategjik tregtar të Durrësit drejt Porto Romanos, për shkak të zbatimit të Projektit mafioz “Durrës Yachts & Marina” të një miliarderi arab, në dobi të oligarkëve të Ramës, aktiviteti i ngarkim-shkarkimit dhe në tërësi aktiviteti tregtar në port ka ardhur në rënie. Me këtë zhvendosje, u zeruan jo vetëm dhjetra e qindra miliona eurot e procesit të deritanishëm të modernizimit të Portit të Durrësit, por po zhvleftësohen ndjeshëm edhe financime të mëdha, të kryera në infrastrukturën rrugore, që kanë pasur Portin e Durrësit si shtyllë mbështetëse leverdisshmërie, të tilla si Rruga e Kombit në Shqipëri dhe autostrada Prishtinë-Morinë në Kosovë. Lajmi i spostimit gradual të portit tregtar të Durrësit ka bërë që kompani të njohura detare të transportit të mallrave me konteinerë, të nisin përpjekjet të largojnë aktivitetin e tyre nga Porti i Durrësit, në drejtim të porteve të Selanikut në Greqi dhe të Kotorrit në Malin e Zi.

BE anuloi grantet dhe kreditë për Portin e Durrësit

Menjëherë pasi doli vendimi për zhvendosjen e Portin të Durrësit, Bashkimi Evropian anulloi një grant prej 28 milionë euro, i cili ishte vënë në dispozicion nga Fondi i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, me qëllim rikonstruksionin e Kalatave 1 dhe 2, në Terminalin Perëndimor të Portit të Durrësit. Institucionet e BE-së kanë shprehur hapur shqetësimin dhe rezervat për modifikimin e projektit të zhvillimit të Portit të Durrësit, duke e zhvendosur atë në Porto Romano, si dhe mungesën e transparencës nga qeveria shqiptare.

Shkatërrimi i portit tregtar dhe ndërtimi i një marine dhe 12 mijë apartamenteve

Është e vështirë të kuptohet se si porti kryesor dhe strategjik i vendit do të zerohet brenda shtatë vitesh, duke e zhvendosur, në këmbim të ndërtimit të një marine, një hoteli dhe 12 mijë e 600 apartamenteve! Është vërtet e paimagjinueshme të mendosh se si Shteti shqiptar vë në dispozicion mbi 800 mijë metër katrorë të Portit aktual të Durrësit, ndërkohë që investitori miliarder arab po investon vetëm 86 milionë euro të tijat dhe pjesën tjetër do ta nxjerrë nga shitja e apartamenteve që do të ndërtojë mbi këta 800 mijë metra katrorë! Një projekt mafioz ky, që i ngjan gropave të pallateve të ndërtimit në Tiranë, Durrës e kudo në qytetet kryesore të vendit, ku investuesi hap gropën dhe nis ndërtimin, në fakt duhet shkruar pastrimin.

Projekti, në fakt, është pikërisht një gropë e stërmadhe, një lavatriçe e stërmadhe pastrimi parash! Një projekt i ndarë në dy faza, ku në fazën e parë nuk përmendet në asnjë rresht Marina, vetëm 4 mijë apartamente banimi dhe një hotel. Pastaj vijnë 280 vende ankorimi në Marinë, kundrejt mbi 8 mijë e 600 apartamenteve të tjera, të planifikuara në fazën e dytë. Për këtë ka nevojë Durrësi? Për këtë ka nevojë Shqipëria? A duhet shkatërruar nga themelet porti 2700 vjeçar, kjo nyje strategjike e ekonomisë së vendit, duke u zëvendësuar me 12,600 apartamente banimi? Po qindra milionë eurot e kontratave koncesionare të prishura në Porto Romano dhe që, me siguri, do të përfundojnë në gjykata ndërkombëtare arbitrazhi, kush do t’i paguajë? Sekti Rama në qeverisje?

Mashtrimi i pacipë me financimin e portit të ri

Deklaratat publike të Ramës dhe sektit të tij dy-tre vite më parë, për gjoja financimin e ndërtimit të portit të ri tregtar në Porto Romano nga fondet e investuesve të huaj strategjikë dhe asnjë lek nga Buxheti i shqiptarëve, që nga momenti kur nga “hiçi” doli në skenë projekti i shkatërrimit të portit më të madh në vend, tashmë i përkasin së kaluarës. Rama pastaj kaloi në premtimin se porti i ri do të ndërtohej si PPP (44% shteti dhe 56 % privati). Edhe ky variant-aventurë u la rrugës. Qeveria tani ka degraduar në variantin e ndërtimit të të gjithë portit të ri në Porto Romano, me paratë e taksapaguesve shqiptarë.

Ajo ka frikë ta përmendë koston e tij të plotë, që mund të shkojë edhe në 1-1.5 miliardë euro. Kjo është trashëgimia nga aventura-projekt mafioz me një marinë, një hotel e 12 mijë e 600 apartamente në zemrën e Durrësit, që Rama ua ka lënë peshqesh shqiptarëve. Për këtë aventurë, shqiptarëve ju grabit një pronë publike, siç është porti aktual, bashkë me asetet tokë truall, me vlerë tregu rreth 3 miliardë euro. Në të njëjtën kohë, janë 231 milionë euro të falura, taksa të qytetit të Durrësit, që do të duhej të ishin kthyer në investime për banorët e qytetit, nëse projekti i miliarderit arab “Durrës Jahte dhe Marinë” do të taksohej sipas Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi( denoncimi i parë i kësaj shume është bërë nga z.Igli Cara). Në këmbim, Rama u ka lënë shqiptarëve “trashëgim” 1-1.5 miliardë euro port të ri, që do të ndërtohet nga taksat e tyre. Dhe nuk ka turp ta shesë si zhvillim të jashtëzakonshëm të vendit!

Përgjegjësi kryesor i abuzimeve në Portin e Durrësit gradohet…ministër!

Sikur të mos mjaftonte evidentimi i portit në të gjitha strukturat ligjzbatuese të vendeve të Bashkimit Evropian si port droge, shkeljet e shumta korruptive në prokurimet publike të denoncuara nga opozita dhe media kurajoze, shkelja e kontratave etj, drejtori i Portit të Durrësit deri pak javë si sot, përmes një emërimi të dyshimtë nga “Lideri Rajonal”, kryetari i sektit në qeverisje ,gradohet …Ministër i Mbrojtjes! Me sa duket, i duhet për të bërë me pronat e ushtrisë atë që bëri me administrimin e aseteve të portit më të rëndësishëm dhe strategjik të vendit, duke e rrënuar e degraduar atë.

Tregtia e mbetjeve toksike të paligjshme është e pamundur të realizohet, pa dijenine dhe korruptimin e institucioneve shtetërore që përgjigjen funksionalisht për sigurinë e kufijve, duke filluar nga autoriteti portual, doganat dhe policia kufitare. Tani që faktet po zbulohen nga OJF-të dhe mediat ndërkombëtare e ato të vendit,fakte që opozita i ka denoncuar dhe po i denoncon fort, organet e drejtësisë duhet të fillojnë menjëherë hetimet, për të parë se çfarë mbetjesh toksike kanë qarkulluar në Shqipëri, kush e organizon këtë tregti të paligjshme dhe deri në ç’masë është i zhytur shteti i sektit Rama në këtë aktivitet kriminal. Ndëshkimi ligjor është domosdoshmëri ulëritëse në shumë plane.

Botuar në Gazeta Sot më 22.08.2024

Aleancat parazgjedhore dhe listat e hapura 100% energjizojnë shpresën për ndryshim

Aleancat parazgjedhore dhe listat e hapura 100% energjizojnë shpresën për ndryshim

Në bisedimet e tanishme për kodin zgjedhor për zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2025, Partia Demokratike duhet të kërkojë me forcë, si kusht të panegociushëm, lejimin e aleancave parazgjedhore dhe të listave të hapura 100 përqind.

Ky është mendimi im personal. Në zgjedhjet e vitit 2021, Rama shkeli Marrëveshjen e 5 qershorit të vitit 2020, të lidhur në selinë e Ambasadës Amerikane në Tiranë, të negociuar për pesë muaj rradhazi me nismën e SHBA-ve dhe të Bashkimit Evropian. Marrëveshja me 12 pika e 5 qershorit 2020 përcaktonte se çdo çështje për reformën zgjedhore duhej të kalonte nga tryeza e Këshillit Politik.

I. Si Kodi Zgjedhor i Rames dëmtoi dhe ndrydhi energjinë e opozitës më 25 prill 2021

Më 21 korrik 2020, Rama kreu ndryshimet ne Kodin Zgjedhor, duke shkelur në mënyrë të pacipë Marrëveshjen e 5 qershorit. Me këto ndryshime, Rama shmangu Këshillin Politik të ngritur nga Marrëveshja dhe vendosi a priori që të pengoheshin koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura 100 përqind në zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit 2021.

Rama e realizoi këtë, në hundën e ndërkombëtarëve, pa pyetur opozitën dhe pa marrë dakordësinë e saj, sikurse kërkonte Pika 10 e Marrëveshjes. E grisi Marrëveshjen , duke mashtruar faktorin ndërkombëtar dhe të gjithë shqiptarët, të cilëve u përbetohej se ishte për koalicionet parazgjedhore dhe listat e hapura plotësisht.

Kjo situatë nuk duhet dhe nuk ka pse të përsëritet me zgjedhjet e vitit të ardhshëm. Koalicionet parazgjedhore zgjerojnë dhe energjizojnë bazën e opozitës, si dhe fuqizojnë tek qytetarët thirrjet e saj për ndryshim. Hyrja në garën zgjedhore me koalicione të tilla është një e drejtë e natyrshme e forcave politike pjesëmarrëse në garë në një vend demokratik.

Me ndryshimet e Kodit Zgjedhor më 21 korrik 2020, Rama jo vetëm që shkeli 10 nga 12 pikat e Marrëveshjes së 5 qershorit 2020, por i mohoi opozitës marrëveshjet politike përpara garës, koalicionet parazgjedhore. Pa ndryshimet e Kodit Zgjedhor, pa këtë mashtrim ndaj ndërkombëtarëve dhe qytetarëve të vendit nga ana e Ramës, opozita e bashkuar me siguri do t’i kishte fituar zgjedhjet e 25 prillit 2021.

II. Domosdoshmëria e listave 100 përqind të hapura për demokracinë zgjedhore në vend

Sistemi zgjedhor aktual proporcional rajonal me lista të mbyllura, në të cilat, shqiptarët zgjedhin një parti, ndërsa partia zgjedh deputetët që do të dërgohen në Kuvend, u vendos 16 vite më parë me ndryshimet kushtetuese të prillit 2008, me argumentet se sistemi krijon stabilitet në qeverisjen e vendit dhe heq mundësinë e përfshirjes në garat elektorale të personave që kanë probleme me drejtësinë.

Në të vërtetë, të dy këto argumente u rrëzuan nga historia e këtyre 16 viteve të qeverisjes së vendit nga sistemi i listave të mbyllura. Në vitin 2016, u detyruam të miratojmë ligjin Për Dekriminalizimin, pikërisht për shkak të numrit të stërmadh të personave me precedentë të penalë që hynë në Parlamentin e vitit 2013, përmes listave të mbyllura, kryesisht në ato të Partisë Socialiste.

Listat e mbyllura nuk krijuan as stabilitet në qeverisje. Ministrat u ndryshuan në vazhdimësi dhe qeveritë, sidomos ato socialiste, u përfshine nga skandale të njëpasnjëshme

Por problemi më i madh që kemi si qytetarë dhe që ka edhe Partia Demokratike me listat e mbyllura, është që Kuvendi i Shqipërisë, institucioni që në një sistem demokratik duhet të kontrollojë qeverisjen, u shndërrua në një institucion të dobët dhe noter i rëndomtë i kryetarit të partisë në qeveri.

Humbi roli dhe pesha e anëtarit të partisë apo e grupeve të interesit brenda bazës së partisë, në vendimmarrjen se kush do të dërgohet si përfaqësues në Parlament e kush jo.

Sigurisht që është vështirë që vendi të kalojë në një sistem demokratik zgjedhor, pas autokracisë së kryetarëve të partive në 16 vitet e fundit. Partia Demokratike duhet të marrë kurajon dhe përgjegjësinë që të kërkojë si kusht të panegociushëm hapjen 100 përqind të listave të kandidatëve për deputet.

Sigurisht që kjo ka kosto edhe për ne deputetët aktuale të saj, por është gjëja më e mirë për t’u bërë, për vetë Partinë Demokratike dhe vendin.

PD nuk duhet të bjerë në kurthin e teknikaliteteve të PS-së me herës dhe pa herës, apo të propozimeve të saj për lista të hapura pjesërisht.

III. PD nuk është kënetë, për të pranuar kode zgjedhore që ndrydhin opozitën!

Argumenti i PS-së për lista zgjedhore pjesërisht të hapura, gjoja për të pasur kuota gjinore dhe për të mbështetur praninë e deputeteve në Parlament nuk qëndron. Shembull per kete është Kosova, e cila ka një sistem zgjedhor me lista 100 perqind të hapura dhe gjithashtu me kuota gjinore.

Në bisedimet për Kodin Zgjedhor, Partia Demokratike nuk duhet të lejojë kurrsesi përsëritjen e operacionit të stilit mafioz të Ramës, si më 21 korrik 2020.

Listat e hapura 100 përqind nënkuptojnë zhvillimin e primareve në parti dhe lëvizja rigjeneruese e Rithemelimit na sjell një shembull të çmuar të forcës mobilizuese dhe besuese në ndryshim, që kanë primaret.

Përjashtimi i Prof. Dr. Sali Berishes ishte një goditje e pistë e katërshes Rama-McGonigal-Soros-Basha. Na u deshën tre vjet që ta kuptojmë plotësisht këtë realitet. Ne si demokratë nuk mundemi të pranojmë të mos çlirojmë plotësisht energjitë opozitare për ndryshim, të mos bashkojmë shumicën e shqiptarëve rreth kauzës për ndryshim, pas 12 vitesh qeverisjeje të papërgjegjshme dhe skandaloze të sektit Rama,

Partia opozitare nuk mund të jetë një kënetë, ku nuk lëviz gjë në garën për fitore. Pa koalicione parazgjedhore, për të energjizuar shpresën për ndryshim, si dhe pa listat hapura 100 përqind të kandidatëve, ku mbështetësit e opozitës së bashkuar të shikojnë me sytë e tyre dhe të binden për kandidatët e ndryshimit, do ta kemi shumë të vështirë, në mos edhe të pamundur, për të fituar dhe arritur ndryshimin.

Botuar në Gazeta më 24.07.2024

Procesi i Berlinit, për më shumë arritje dhe syçelje!

Procesi i Berlinit, për më shumë arritje dhe syçelje!

Procesi i Berlinit filloi më 28 gusht 2014, me Konferencën e Berlinit, të organizuar nga ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila ishte shumë e shqetësuar për mundësitë e larta të destabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor nga influenca ruse, pas aneksimit të Krimesë nga Putin në shkurt dhe mars 2014.

Prandaj dhe Merkel, Zonja e Hekurt e Bashkimit Evropian, i ftoi qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor në Berlin. Në Konferencë merrnin pjesë edhe dhjetë vende të BE-së. Përveç Gjermanisë, ishin Austria, Franca, Italia, Polonia, Bullgaria, Greqia, Kroacia, Sllovenia dhe Britania e Madhe, e cila në atë kohë ishte pjesë e Bashkimit Evropian.

Shumë takime dhe pak arritje konkrete

Që nga viti 2014 e deri tani, janë mbajtur samite vjetore në qytete të ndryshme evropiane si Vjena, Londra, Parisi, Trieste, Poznani, Sofja, Berlini dhe Tirana. Çdo vit, vendet pritëse shtonin nga një prioritet të vetin, i cili shoqërohej me nga një ministerial. Ndërkohë numri i ministerialeve dhe i takimeve tematike është shumë i madh. Sot organizohen ministeriale vjetore për bashkëpunim ekonomik, shkëmbime rinore, siguri, digjitalizim, energji të gjelbër, bujqësi, ministerial për romët dhe ministerial për çështjet gjinore.

Takimi i dhjetë do të mbahet sërish në Berlin më 14 tetor 2024. Të duket se drejtuesit e vendeve të Ballkanit Perëndimor ngelën duke u takuar në paradhomën e Bashkimit Evropian, nga një tremujor në tjetrin. Edhe pse takimet e përvitshme të këtij proces kanë ndihmuar që perspektiva e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt BE-së të mbetet e gjallë, në mes të një Evrope të Bashkuar, të ndodhur në darën e populizmit kronik dhe të lëvizjeve ekstremiste për shpërbërjen e saj, rezultatet konkrete të Procesit të Berlinit janë shumë të pakta.

Në nëntor të vitit 2022, krerët e qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor nënshkruan tri marrëveshje të lëvizshmërisë së lirë, ku ranë dakord për lëvizje të lirë me karta identiteti, njohjen e diplomave universitare dhe disa kualifikime profesionale. Deri më sot, zbatimi i këtyre marrëveshjeve ka ngecur. Megjithatë, Procesi ka arritje, edhe pse të pakta.

Kështu, përveç heqjes graduale të tarifave të roaming-ut për internetin dhe thirrjet telefonike midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, RYCO, Zyra e Shkëmbimit dhe Bashkëpunimit Rinor, konsiderohet një nga projektet shembullore të Procesit të Berlinit, pasi deri tani ajo ka bashkuar 31 mijë të rinj nga rajoni.

Mosarritja madhore: dimensioni politik i bashkëpunimit

Ndërkohë, mosarritja më e madhe mbetet dimensioni politik i bashkëpunimit. Procesi i Berlinit, megjithë arradhën e madhe të samiteve dhe ministerialeve, nuk i ka stabilizuar marrëdhëniet politike rajonale në mënyrë të përhershme. Serbia vijon të mos e njohë pavarësinë e Kosovës, duke ndjekut ende një politikë agresive rajonale, e cila bazohet në konceptin e “botës serbe”. Ky këndvështrim i ngushtë nacionalist, që promovohet nga krahu nacionalist i udhëheqjes serbe me në krye Vuçiç, synon të bashkojë serbët në vende të ndryshme të Ballkanit, veçanërisht në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Shumë probleme në Procesin e Berlinit nuk diskutohen për të arritur kompromise. Në Serbi, strukturat demokratike vazhdojnë të degradohen dhe presidenti Vuçiç po përdor konfliktin me Kosovën, për të forcuar kontrollin e tij politik. Vuçiç nuk lejon që kritikët e regjimit nga vende të tjera të hyjnë në vend dhe ka dobësuar median dhe lirinë e shprehjes.

Në samite dhe ministeriale, duket sikur me rëndësi parësore për drejtuesit e BE-së dhe të vendeve të Ballkanit Perëndimor është të prodhojnë një tjetër “foto grupi”, që jep përshtypjen e të punuarit bashkë dhe të suksesit. Projekti kryesor i Procesit të Berlinit, Tregu i Përbashkët Rajonal, mbetet ende jo funksional, megjithë akordinimin e 30 miliardë eurove fonde në këto 10 vite nga ana e BE-së dhë përdorimin e gjysmës së tyre, kryesisht në projekte infrastrukturore rajonale. Shkak i dështimit të deritanishëm është konflikti i pazgjidhur midis Serbisë dhe Kosovës.

Sa shpresë ngjall CEFTA?

Në dhjetëvjetorin e tij, Procesi i Berlinit synon të arrijë një marrëveshje të re: CEFTA. Marrëveshja rajonale e tregtisë së lirë do të lidhë më ngushtë vendet e Ballkanit Perëndimor me tregun e përbashkët të BE-së. Në fakt, marrëveshja nuk është shumë e re, sepse të gjitha vendet e rajonit janë anëtare të saj, përfshirë edhe Kosovën, e cila deri tani përfaqësohej nga UNMIK-u. Rinënshkrimi i marrëveshjes i jep mundësi Kosovës të përfaqësohet në CEFTA nga qeveria e saj. Pak para samitit te 14 tetorit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti hapi pikën e Merdarës për të lejuar aty kalimin e mallrave serbe, në një lëvizje politike të qartë vullnetmirë.

Bllokada e importeve nga Serbia ekziston që nga qershori 2023, e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për të ndaluar kontrabandën e armëve nga Serbia në Kosovë. Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, në takimin përgatitor të ministrave të Jashtëm, e quajti këtë një “hap historik” për rajonin. Por a do të implementohet marrëveshja CEFTA në të gjitha vendet e rajonit? Ajo mund të nënshkruhet në letër, por zbatimi në praktikë është një sfidë e madhe. Mjafton të kujtojmë faktin se, duke u bërë promotorë të pseudonismës për integrim rajonal “Ballkani i Hapur” që në vitin 2018 me takimin në Nish të Serbisë, Rama dhe vëllai i tij siamez, Presidentit serb Aleksandër Vuçiç, u sollën që të dy si minues të Procesit të Berlinit. Ata e detyruar Procesin të ngadalësonte dukshëm dhe të hapte krahun për vite të tëra, për t’i lënë udhë surrogatit “Ballkani i Hapur” që e gatuan vetë

Gjermania dhe BE të shohin syhapur korrupsionin e qeverisë shqiptare!Megjithë denoncimet e shpeshta të vetë Departamentit Amerikan të Shtetit në raportet e tij për Shqipërinë, të Transparency International, të SELDI, Lidershipi i Europës Juglindore për Zhvillim dhe Integrim, të Grupit të Bazelit për Veprim dhe të shumë institucioneve dhe organizatave ndërkombëtare prestigjoze, mbyllja e deritanishme e syve nga Shtetet kryesore Anëtare të BE-së ndaj korrupsionit galopant të sektit Rama në pushtet në Shqipëri, e ka bërë Ramën më autokrat dhe agresiv.

Kjo symbyllje, në emër të mbajtjes së statukuosë dhe stabilitetit në Ballkanin Perëndimor, ka kontribuar bindshëm në kthimin mbrapsht të shtetit të së drejtës dhe të demokracisë në Shqipëri. Tashmë në vend nuk ka më votim të lirë dhe opozita ndodhet nën agresionin e parreshtur 11 vjeçar të sektit dhe një shteti të kapur në të gjitha qelizat e tij, duke filluar nga Kuvendi, institucionet qendrore, institucionet e pavarura dhe shumica derrmuese e medias, të blerë nga tenderat e Ramës. Vetëm një qëndrim i prerë kritik dhe denoncues i BE-së mund ta frenojë deri diku autokratin e Shqipërisë dhe ndër autokratët “më në zë” në Ballkan.

Botuar në Gazeta Sot më 14.10.2024

3 Shtator 1920 – 3 Shtator 2024, 104- vjet nga Lufta-epope e Vlorës!

3 Shtator 1920 – 3 Shtator 2024, 104- vjet nga Lufta-epope e Vlorës!

Këtë vit, më 3 shtator 2024, përkujtojmë 104 vjetorin e Luftës së Vlorës, e cila është skalitur si një ngjarje historike me rëndësi të jashtëzakonshme kombëtare dhe vendimtare për ekzistencën e shtetit shqiptar dhe mbrojtjen e identitetit tonë. Katër janë kulmet e historisë së shtetit shqiptar, të cilat ngjyrosin krenarinë dhe identitetin tonë kombëtar: Pavarësia (28 Nëntor 1912), shpallur nga Babai i Kombit Ismail Qemal Vlora, Epopeja e Skënderbeut (1443-1468), Lidhja e Prizrenit (1878) dhe Lufta e Vlorës (1920). Lufta e Vlorës zgjati tre muaj dhe ishte një lëvizje e madhe për të mbrojtur qytetin e Vlorës, por edhe Shqipërinë nga copëtimi total që do i bënin pushtuesit italianë. Lufta e Vlorës ishte një ngjarje ku shqiptarët u ngritën në këmbë kundër pushtuesit të huaj, të bazuar vetëm në forcat e tyre, pa u ndihmuar ushtarakisht nga askush. Beteja për Vlorën (29 maj-3 shtator 1920) ishte një përballje krejt e pabarabartë e 4 mijë luftëtarëve shqiptarë të keqarmatosur, të ardhur nga të gjitha trevat shqiptare, por shumica lebër, të vetëorganizuar, pa mbështetje financiare dhe logjistike, me përjashtim të dashurisë dhe sakrificave të popullit të Vlorës, dhe mbi 22 mijë ushtarëve të rregullt, të armatosur deri në dhëmbë, të inkuadruar në dy divizione të një ushtrie ndër më modernet dhe të pajisurat e kohës, ushtrisë italiane.

Lufta e Vlorës ngërthen një ngjarje historike të rëndësisë madhore kombëtare, e cila u tregua vendimtare për ekzistencën e metejshme dhe pavarësinë e plotë të shtetit të ri shqiptar, të formuar tetë vite më parë, por të gjymtuar nga pasojat e Traktatit të fshehtë të Londrës të 26 prillit 1915 dhe vënë në pikëpyetje nga ushtritë që përshkuan territorin shqiptar gjatë Luftës së Parë Botërore 1914-1918, një pjesë e të cilave vijuan të qëndronin edhe pas përfundimit të kësaj Lufte. Fitorja e Luftës së Vlorës festohet nga vlonjatët gjithmonë me po atë rëndësi që i jepet edhe 28 nëntorit 1912, pasi 3 shtatori 1920 është rishpallja e Pavarësisë Kombëtare të përmbysur nga Lufta e Parë Botërore.

Në 2 shtator 1920 u liruan nga ishulli i Sazanit 1760 vlonjatë të internuar. Në këmbim të tyre u liruan edhe robërit italianë (rreth 1400 ushtarë dhe oficerë që mbaheshin në fshatin Vajzë e Tepelenë.) Në 3 shtator 1920 u festua me madhështi fitorja e Luftës së Vlorës. Çeta e parë që hyri në Vlorë ishte Çeta e Velçës, çeta që kishte më shumë dëshmorë në këtë luftë. Flamuri i fitores u ngrit po atë ditë, në 3 gusht mbi varrin e Ismail Qemalit, në Kaninë, nga një mysliman nga Jugu, major Ahmet Lepenica dhe një katolik nga Veriu At Shtjefën Gjeçovi. Sot, në 104 vjetorin e Luftës së Vlorës, do të doja të kujtoja të gjithë ata trima të Labërisë, Vlorës e Shqipërisë, të cilët derdhën gjakun e nuk i rreshtën kurrë përpjekjet për lirinë dhe pavarësinë e Shqipërisë. Do të doja të kujtoja të gjithë anëtarët e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare, Sali Bedini, Hamit Selmani, Duro Shaska, Hazbi Cano, Beqir Sulo, Ali Beqiri, Alem Mehmeti, Hysni Shehu, Qazim Kokoshi, Murat Miftari dhe Myqerem Hamzaraj.

Do dëshiroja të kujtoja me nderim e respekt të veçantë kryetarin e Komitetit të Mbrojtjes Kombëtare: Osmën Haxhiu, busti i të cilit, ndonëse me shumë vonesë u vendos vjet pranë bashkisë. Sot dua të kujtoj me veneracion dhe Mehmet Selim Mallkeqin, i cili i dorëzoi komandës italiane ultimatumin e Luftës së Vlorës 1920. Për aktin e fortë të këtij luftëtari ne ende nuk kemi një përmendore në Vlorë. Përmendorja e kapedan Sali Vranishtit, punuar mjeshtërisht nga skulptori i shquar Mumtaz Dhrami , financuar nga nipërit e tij, ende nuk po vendoset në Vlorë!

Drejtuesit politikë dhe kapedanët e Luftës së Vlorës 1920 duhet të vendosen në Panteonin e Lirisë ! Kjo do/ duhet të ndodhë, sepse gjaku i luftëtarëve vlonjatë dhe të gjithë Labërisë ,dhënë për liri e pavarësi nuk harrohet, nuk zhbëhet, e nuk zëvendësohet me pllaka e ngrehina betoni pa kuptim, sepse gjaku dhe mesazhi i patriotëve vlonjatë nuk harrohet, por nderohet e lartësohet. Data 3 shtator ende nuk është festë kombëtare, megjithëse në ndërgjegjen e popullit është nga datat kulmore të historisë së Shqipërisë, është Lufta e heronjve që ranë për liri e na lanë Shqipëri! Në 50 vjetorin e Luftës së Vlorës, luftëtarët e saj u vlerësuan nga regjimi i kohës, por me shumë kufizime e mënjanime për arsye politike.

Do të ishte demokracia dhe veçanërisht presidentët e nderuar të Republikës Bamir Topi, Bujar Nishani dhe Ilir Meta në 100 vjetorin e saj, që do të vendosnin në piedestalin më të lartë të vlerësimeve kombëtare heronjtë, drejtuesit, komandantet, dëshmorët dhe figurat politike dhe shoqërore të kohës që mundësuan këtë Luftë – Epope. Lavdi dëshmorëve, heronjve dhe kapedanëve të Luftës së Vlorës 1920! Gjithmonë jemi dhe mbetemi borxh të Luftës së Vlorës 1920 dhe heronjve të saj! V.O. Ky shkrim shoqërohet me tablonë e piktorit të ri të talentuar vlonjat David Meçani.

Botuar në Gazeta Sot më 03.09.2024

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të mbrojë qytetarët

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të mbrojë qytetarët

Gjatë vitit të kaluar, megjithë përpjekjet e bëra, sikurse rezulton edhe nga Raporti Vjetor 2023 i institucionit, gjykoj se, për fat të keq, Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të përmbushë misionin e tij në mbrojtjen e qytetarëve nga abuzimet në treg dhe me tenderat publikë, kryesisht për katër arësyet e mëposhtme.

Autoriteti i Konkurrences ka dështuar të kufizojë marrëveshjet e ndaluara në ofertat për tenderat publikë, duke mos parandaluar dhjetra miliona euro dëm

Autoriteti i Konkurrencës ka marrë edhe gjatë vitit 2023 denoncime të shumta, për rastet kur kompanitë private pjesëmarrëse në tendera shtetërorë, bashkëpunojnë me vetëdije përpara tenderit në ofertat që japin, duke kufizuar, deformuar ose shtrembëruar konkurrencën në treg. Ka bërë deri tani të dy sytë qorr dhe veshët shurdh! Autoriteti i Konkurrencës nuk mund të fshihet pas mungesave të sotme të përkufizimeve në ligjin e konkurrencës, të marrëveshjeve paraprake në oferta. Rastet janë të shumta dhe po bëhen dominuese në tenderat shtetërorë me vlera të mëdha, ku kompanitë private, gjatë procedurave të prokurimit publik, nuk konkurrojnë midis tyre, por bien dakord fshehurazi për të caktuar çmimet ose për të ulur cilësinë e mallrave, punëve ose shërbimeve për entet shtetërore, pasi situata kartel në këto raste është e qartë.

Autoriteti i Konkurrencës (AK) i njeh mirë format e marrëveshjes në oferta në tenderat shtetërorë, të cilat mund të jenë: ofertat e mbuluara, kur konkurrentët pranojnë të paraqesin ofertë më të lartë, sesa oferta e fituesit të përcaktuar, kur njëri nga konkurrentët pranon të ofertojë me një shumë, e cila është shumë e madhe për t’u pranuar si ofertë, si edhe kur njëri nga konkurrentët paraqet një ofertë, e cila përmban terma specifike të cilat janë të papranueshme nga Autoriteti Kontraktor. AK i njeh mirë edhe rastet e ofertave të përmbajtura, kur konkurrentët bien dakord që të mos ofertojnë, apo të tërhiqen nga një ofertë e paraqitur, në mënyrë që oferta e paracaktuar fituese në marrëveshje, të pranohet si e tillë.

AK njeh edhe ofertat në rotacion, kur konkurrentët merren vesh të ofertojnë, duke rënë dakord paraprakisht që fituesi të jetë njëri prej tyre, sipas një radhe të caktuar. Po ashtu, njeh edhe ndarjen e tregut në tenderat publikë, fenomen i cili ndodh kur konkurrentët ndajnë një pjesë të tregut dhe bien dakord që të mos konkurrojnë për një pjesë të caktuar konsumatorësh, ose një pjesë të caktuar gjeografike të vendit. Edhe pse i njeh mirë parregullsitë e mësipërme të vërtetuara në pjesën dërrmuese të tenderave shteterorë me fond limit mbi 100 milionë lekë, Autoriteti i Konkurrencës ka zgjedhur të lërë të qetë me dhjetra e qindra tendera të tillë, duke kontribuar në dëmin ekonomik në Buxhetin e Shtetit, në nivel me dhjetra miliona euro në oferta të rritura artifiacialisht dhe shmangjen e konkurrencës, me frikën se hetimet e tij në marrëveshjet paraprake në oferta, do të shqetësojnë shumë drejtues publikë të lartë, deri kupolën e sektit Rama.

Autoriteti i Konkurrences ka dështuar të rregullojë tregun duopol të telefonisë celulare

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar në rregullimin e situatës duopol në tregun e shërbimeve telefonike dhe celulare përgjatë vitit 2023 dhe këtij viti, megjithë denoncimet, shqetësimet dhe ankesat e parreshtura të qytetarëve, një pjesë të përcjella nga mediat e vendit. Situata duopol verifikohet kur në një treg të caktuar operojnë vetëm 2 operatorë, të cilët e shtrembërojnë tregun, si në rastin e Shqipërisë me dy kompanitë celulare.

Në tregun duopol, kompanitë i vendosin çmimet e tyre në marrëveshje me njëra tjetrën, duke shmangur konkurrencën e lirë dhe rënduar konsumatorin final, që janë mbi një milionë e tetëqind mijë qytetarë që banojnë në Shqipëri. Ankesat e qytetarëve dëshmojnë se si në një treg të tillë, dy operatorët ofrojnë shërbime nën kosto, fillimisht duke e bërë tepër të vështirë hyrjen në treg të operatorëve të tjerë. Më pas, për të rikuperuar humbjet e shitjeve nën kosto, këto kompani rrisin artificialisht çmimet e paketave të tyre në shifra të larta, njëherë që kanë siguruar klientelën. Qytetarët konsumatorë, duke mos patur alternativa të tjera, detyrohen të paguajnë çmimet e vendosura me marrëveshje nga duopoli.

Asnjë marrëveshje të tillë AK nuk ka qenë i aftë të zbulojë dhe hetojë, edhe pse denoncimet e qytetarëve ishin të qarta. Rritja artificiale e çmimeve sjell në këtë treg edhe mungesën e inovacionit dhe ofrimit të shërbimeve të reja e më të mira për abonentët, pasi duke mos patur konkurrencë, firmat në duopol nuk kanë asnjë interes të zhvillojnë më tej shërbimin. Duopoli është rast thuajse unik për tregjet celulare, jo vetëm në Europën e Bashkuar, por edhe në rajonin tonë. Nëse analizojmë vendet e Ballkanit, shohim se Rumania dhe Sllovenia kanë 4 operatorë të telefonisë së lëvizshme. Bosnja dhe Hercegovina, Bullgaria, Kroacia, Greqia, Kosova, Mali i Zi , Serbia dhe së fundmi edhe Maqedonia e Veriut kanë secila nga 3 operatorë. Vetëm Shqipëria ka 2 operatorë!

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të rregullojë tregun bankar dhe jo bankar të kredive dhe mikrokredive

AK duhej të ishte treguar aktiv në luftën ndaj kostove të fshehta dhe të rritura të transaksioneve në industrinë financiare dhe bankare të vendit. Institucioni duhet të kishte rrokur inisiativën të hetonte, bazuar në denoncimet e shumta të qytetarëve ndaj nivelit, të perceptuar prej tyre si abuziv, të përqindjeve të interesit të ngarkuara nga institucionet dhe shoqatat e kursim-kreditit në mikrokreditë e dhëna, elementë që të çonin në dyshime të arësyeshme për praninë e një karteli në këtë sektor.

Autoriteti i Konkurrencës duhej të kishte mbikqyrur më me kujdes dhe fokus tregun e kreditit bankar dhe tregun e ndërmjetësve financiarë, të cilët mobilizojnë kursimet e shqiptarëve për një zhvillim më të qendrueshëm të vendit, pasi kontratat midis kredidhënësve dhe kredimarrësve duhet të jenë më të thjeshta dhe më të qarta. AK duhej të kishte punuar që të reduktohet ngarkimi mbi kredimarrësin i çdo risku potencial dhe ngarkimi në kostot e kredisë i pjesës së kredive të këqija që nuk janë thjesht dështim i bizneseve shqiptare, por edhe një cilësi jo e mirë e kredidhënësve.

Në këto tregje shumë të rëndësishme për zhvillimin e ekonomisë, Autoriteti i Konkurrencës ka një përgjegjësi dhe mision të qartë, në mbrojtje të qytetarit-konsumator dhe klient. AK në asnjë rast nuk zbatoi praktikën e njohur, të ndjekur rëndom nga shumë struktura simotra perëndimore të tij, të njoftimeve dhe të paralajmërimeve, të bera publike, ndaj operatorëve abuzues në treg, për të rritur presionin dhe për t’i frenuar ata në vijimin e abuzimit.

Autoriteti i Konkurrencës ka dështuar të parandalojë dhe të luftojë situatat kartel në shumë tregje kryesore

Pavarësisht se Autoriteti i Konkurrences e ka të vështirë të realizojë misionin e tij tek ne, ku funksionimi i shtetit ligjor është i dobët, shkalla e korrupsionit është e lartë dhe kapja e shtetit paraqitet në përmasa tejet shqetësuese, gjatë vitit 2023, institucioni duhej të kishte provuar më fort dhe me efektivitet të luftonte rastet e shumta të situatave kartel në sektorë të ndryshëm të ekonomisë sonë, bazuar edhe në denoncimet e shpeshta të qytetareve për abuzimet me çmimet, të përcjella nga mediat tradicionale dhe mediat sociale të vendit. Këto situata, të tipit monopol dhe oligopol, janë lënë të zhvillohen nga Autoriteti i Konkurrencës si metastaza kanceri, duke kapur të gjithë ekonominë tonë.

AK dështoi në këtë mision dhe për rrjedhojë, për fat të keq, marrëveshjet horizontale apo vertikale, krijimi i pozitave dominuese në tregje të caktuara, monopolet apo oligopolet, vijuan me të njëjtin ritëm edhe gjatë vitit 2023, në mos edhe me një ritëm më të shtuar. Këto marrëveshje, kanë arritur që të dëmtojnë mirëfunksionimin e tregjeve, zhvillimin e biznesit të papërkrahur nga qeveria dhe rëndë konsumatorët shqiptare, përmes çmimeve fundore abuzuese në treg, për shkak të situatës kartel. Hetimet e thelluara nga Autoriteti i Konkurrencës në disa tregje prodhimi dhe tregtimi duhej të kishin dalë me sanksione konkrete ndaj shkelësve të ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, të parimeve dhe rregullave të konkurrencës së lirë. Mungesa e gjobave shembullore në këto hetime të thelluara është shenjë e dobësisë së punës së AK.

Autoriteti i Konkurrencës nuk ka arritur të luftojë me efektivitet praninë dhe veprimin e karteleve në shumë sektorë të rëndësishëm të ekonomisë sonë. Ai nuk ka arritur të shmangë situatat ku një grusht kompanish, të quajtura rëndom nga populli oligarkë, fitojnë, të suportuar nga qeveria, shumicën dërrmuese të tenderave të Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe të Fondit Shqiptar të Zhvillimit. Përmend sërisht situatën kartel të provuar plotësisht në qarkun e Vlorës, ku kompani të konsoliduara dhe serioze të ndërtimit në këtë qark, në 5-7 vitet e fundit nuk arrijnë të fitojnë asnjë tender nga ARSH apo FSHZH, edhe pse konkurrojnë rregullisht.

Në tërësi, Autoriteti i Konkurrencës nuk ia doli të vërtetojë se përfitimet e nje grushti kompanish te perkrahura nga qeveria, nuk erdhën nga cilësia apo çmimet konkurruese të mallrave dhe shërbimeve të tyre, por nga deformimet e konkurrencës, duke dëshmuar dobësinë e tij në kontrollin efektiv të tregjeve dhe në garantimin e konkurrencës së lirë. Këto përbëjnë arësyet themelore, pse sot kemi një imazh publik shumë të dobësuar të institucionit të Autoritetit të Konkurrencës dhe mungesë të theksuar besimi në aftësitë e tij për të garantuar mbrojtjen efektive te interesave të konsumatorëve. Gati të gjitha shtresat e konsumatorëve shqiptarë dhe pjesa dërrmuese e kompanive të biznesit, që nuk “kanë fatin” të përkrahen nga sekti qeverisës në pushtet, ndihen të pambrojtur nga deformimet e mëdha të konkurrencës në Shqipëri.

Botuar në Gazeta Sot më 23.07.2024

Për një politikë dinjitoze të sigurimeve shoqërore

Për një politikë dinjitoze të sigurimeve shoqërore

Sikurse kam bërë edhe më parë, dhe kështu ka vepruar e gjithë opozita shqiptare, përshëndes marrëveshjen e 6 shkurtit 2024 me qeverinë italiane, për njohjen e së drejtës së pensionit dhe dhënien e tij për qytetarët shqiptarë që kanë kontribuar me punën e tyre në sigurimet shoqërore italiane, si dhe votoj Projektligjin për Ratifikimin e kësaj marrëveshje. Uroj që një marrëveshje e tille të shtrihet edhe me Greqinë dhe me shtete të tjera, ku kemi një komunitet të madh të emigrantëve tanë. Por krahas kësaj, nuk mund të mos tërheq vëmendjen dhe theksoj disa probleme të mprehta që po kalon sot politika jonë e sigurimeve shoqërore në vend, si dhe përpjekjet për t’i siguruar qytetarëve shqiptarë një pension dinjitoz në vendin e tyre.

Reforma e pensioneve: në vendnumëro dhe në një cektinë të rrezikshme

Skema e pensioneve në Shqipëri u reformua për herë të fundit në janar të vitit 2015, me rritje të moshës së pensionit dhe ulje të masës së përfitimit. Kjo skemë ka prodhuar pensione të pjesshme në 48 përqind, në gati gjysmën e numrit të përgjithshëm të pensionistëve, që sot është mbi 710 mijë vetë. Reforma aktuale përfundon në vitin 2025. Sipas të dhënave të EUROSTAT, Shqipëria është vendi i katërt në Evropë që po plaket më me shpejtësi, pas Maltës, Italisë dhe Spanjës. Numri i pensionistëve pritet të rritet më tej përgjatë viteve të ardhshme, për shkak të strukturës moshore të popullsisë, nivelit të lartë të emigrimit të popullsisë së aftë për punë, ndërsa numri i kontribuesve në skemën shtetërore të pensioneve parashikohet të mos pësojë rritje, madje edhe mund të ulet, në varësi të tregut të punës dhe të nivelit të emigrimit. Financimi nga buxheti i shtetit për të balancuar buxhetin e përgjithshëm të sigurimeve shoqërore mbetet ende shumë i lartë, duke reflektuar një nivel mbulimi jashtëzakonisht të ulët të skemës, nga të ardhurat nga kontributet. Skema e pensioneve vijon të ketë një defiçit vjetor shumë shqetësues, duke e detyruar Buxhetin e Shtetit të heqë një pjesë të mirë të taksave të taksapaguesve shqiptarë, për të financuar dhe mbajtur në këmbë Skemën.

Qeveria i gëzohet uljes së defiçitit të përgjithshëm të Skemës në dy vitet e fundit, për shkak të rritjes së pagës minimale. Ndërkohë, ajo që ka më shumë rëndësi, masa e pensionit nuk është rritur! Në vitin 2022, pensionisti i qytetit në Shqipëri mori një përfitim mesatar prej 18,615 lekësh në vitin 2022, me një rritje të papërfillshme prej vetëm 1%, në krahasim me përfitimin mesatar të vitit 2021, kur ishte 18,485 lekë, sipas statistikave zyrtare të Institutit të Sigurimeve Shoqërore, të publikuara së fundmi. Inflacioni mesatar ishte 6.7% për vitin 2022, periudhë kur përfitimet mesatare të pensionistëve urbanë u rritën me vetëm 1%. Vërtet këtë vit pensionet e zonave rurale patën një rritje me 7%, por të ardhurat mujore për të 91 mijë pensionistë ruralë të Shqipërisë janë vetëm 10,888 lekë! Në nivel të pensionit mesatar, vitin e kaluar na e ka kaluar edhe Kosova. Jemi në vendin e fundit në rajon, për masën e pensionit. Pensioni mesatar tek ne është 187 mijë lekë në muaj, ose vetëm 187 euro. Kjo e ardhur për një familje me dy pensionistë si kryefamiljarë përfaqëson vështirësi të jashtëzakonshme dhe afër mjerimit! Për këtë vit dhe në vitet e ardhshme, defiçiti i përgjithshëm i skemës së pensioneve pritet vetëm të përkeqësohet, pasi paga minimale nuk mund të rritet më dhe me dhjetra mijëra kontribuues në skemë priten t’i largohen vendit çdo vit, në emigracion. Në këtë situatë, reforma dhjetëvjeçare e deritanishme e pensioneve ndodhet në vendnumëro dhe po i afrohet një cektinë shumë të rrezikshme. Vendi ka nevojë parësore tani për një reformë radikale në fushën e pensioneve, pa pritur fundin e vitit 2025.

Politikë skandaloze pensionesh dhe sociale, me mungesën e përcaktimit zyrtar të Minimumit Jetik

Kam dy vite radhazi, që në Kuvend paraqes propozimin për amendimin e Ligjit Nr. 7703, datë 11.05.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar dhe Ligjeve të Buxhetit të Shtetit për vitet 2023 dhe 2024, në pjesën e Sigurimeve Shoqërore, duke shtuar përcaktimin zyrtar të Minimumit Jetik, si më poshtë: “Brenda gjashtëmujorit të parë të vitit në vijim, qeveria të përcaktojë Minimumin Jetik Zyrtar, në bazë të studimeve dhe anketave të deritanishme, të kryera nga Instituti i Statistikave. Duke filluar nga korriku i vitit në vijim, gjatë gjithë gjashtëmujorit të dytë dhe për buxhetet e viteve të tjera, pagesat për personat me aftësi të kufizuar dhe për familjet në skemën e asistencës sociale, të indeksohen (plotësohen), deri në respektimin e Minimumit Jetik Zyrtar”. Vakuumi normativ i përcaktimit të minimumit jetik zyrtar duhet të përfundojë sa më parë, në mënyrë që të vendoset një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat e sigurimeve shoqërore, ato sociale dhe ekonomike te vendit, si dhe t’u ofrohen garancitë qytetarëve, në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të domosdoshme dhe dinjitoze të jetesës. Është e pafalshme për një vend si Shqipëria, i cili ka filluar bisedimet e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, që të mos e përafrojë legjislacionin e vet në fushën e mbrojtjes ekonomike dhe sociale të qytetarëve, me standardin e Minimumit Jetik të Bashkimit Evropian, pasi secili Shtet Anëtar i BE-së e ka në ligj përcaktimin e Minimumit Jetik Zyrtar të vendit.

Për ne, integrimi evropian, si paradigmë e vetmja dhe e patjetërsueshme zhvillimi, duhet të jetë një koncept i kristalizuar në politikën tonë dhe në korpusin tonë legjislativ. Minimumi Jetik Zyrtar duhet të përbëjë një shtyllë dhe pjesë thelbësore të zhvillimit ekonomik, social e shoqëror në tërësi. Ngre pyetjen: ku janë planet tona për garantimin qytetarëve tanë, në radhë parë pensionistëve tanë dhe atyre nën asistencë sociale, të një jetese dinjitoze, në respekt të parimeve të zhvillimit shoqëror të Bashkimit Evropian, me të cilin po bisedojmë që të anëtarësohemi? Përcaktimi i Minimumit Jetik Zyrtar është një detyrë kushtetuese! Nga analiza e legjislacionit shqiptar në tërësi, rezulton se minimumi jetik është një normë ligjore, e cila buron nga të drejtat kushtetuese të qytetarëve tanë. Vakumi ligjor i përcaktimit të Minimumit Jetik duhet të përfundojë sa më parë, në mënyrë që të vendoset një standard normativ, me efekte të drejtpërdrejta në politikat sociale dhe ekonomike, si dhe të sigurohen garancitë e qytetarëve në drejtim të sigurimit të mjeteve të tyre të jetesës. Mungesa e përkufizimit të minimumit jetik zyrtar në legjislacionin për mbrojtjen sociale, ndikon negativisht në hartimin e politikave të përshtatshme dhe të mjaftueshme për mbrojtjen sociale, si dhe në masën e duhur të pensioneve në fshat dhe qytet.

Varësia e ISSH duhet të vijojë të ngelet nga Ministria e Financave

Skemat e sigurimeve shoqërore janë skema tipike financiare-mbledhje të ardhurash, investime dhe pagesa. Ato, gjatë ushtrimit të aktivitetit realizojnë mbrojtje shoqërore. Megjithëse në praktikë konsiderohen si skema të mbrojtjes shoqërore, në funksionim janë institucione financiare që japin përfitime, vetëm bazuar në pjesëmarrje. Ato nuk ofrojnë mbrojtje shoqërore sipas nevojës siç janë skemat sociale që mbrojnë të varfrit, personat me aftësi të kufizuar apo grupe të tjera vulnerabël. Skemat e pensioneve në veçanti dhe skemat e sigurimeve shoqërore janë shumë të rëndësishme në shtetin e të drejtës pasi ofrojnë mbulim për gjithë popullatën në stade të ndryshme të ciklit jetësor. Konkretisht, skema shqiptare e pensioneve është defiçitare dhe gjithë defiçiti mbulohet nga të ardhurat e taksimit të përgjithshëm, që mblidhen nga buxheti i shtetit, i cili menaxhohet nga Ministria e Financave. Financimet e Buxhetit të Shtetit nuk janë të lidhur me punën dhe punësimin, por janë transferta të pastra financiare. Tavanet e shpenzimeve vjetore dhe afatmesme të ISSH përcaktohen nga Ministria e Financave, nëpërmjet një bashkëpunimi dhe diskutimi të përhershëm dhe intensiv, duke e theksuar më tepër statusin financiar që ka ISSH. Krahas financimit dhe buxhetimit, e gjithë arkitektura pagesave e ISSH është e lidhur ngushtësisht me sistemin e pagesave të Ministrisë së Financave dhe Thesarit të Shtetit.

Çdo ditë ISSH financohet nga Ministria dhe Thesari në mënyrë të drejtpërdrejtë, si institucion varësie duke shmangur vonesat në pagesa, por duke realizuar edhe një menaxhim të mirë të cash-it të Thesarit. Kalimi në varësi të një ministrie tjetër do të krijonte vështirësi në financim të pagesave ditore dhe rakordimeve të fondeve, që janë shumë të mëdha. Varësia nga MoF mundëson buxhetimi më të mirë, financim më të sigurtë dhe të shpejtë për ISSH-në, adresim më të mirë të politikave sociale jo kontributive, raportim korrekt në qeveri dhe Kuvend, auditim të saktë dhe në kohë të pasqyrave financiare, si dhe menaxhim të mirë të cash floë-t. Në vazhdën e eksperimentit të rrezikshëm që u ndërmor disa vite më parë nga sekti Rama në pushtet, me krijimin e superministrisë së Financave dhe Ekonomise, një krijesë e panatyrshme qeveritare, pse mblidhte bashkë dy ministri në konflikt të hapur interesi me njëra-tjetrën, edhe kalimi i Institutit të Sigurimeve Shoqërorë në vartësinë e Ministrisë së Ekonomisë, është sa i rrezikshëm, aq edhe aventurë. Ne duhet ta ruajmë pavarësinë aktuale të ISSH-së, si vepruese dhe në drejtim të gjenerimit të politikave të institucionit.

Botuar në Gazeta Sot më 18.05.2024

Autokrati Rama emëron qehajajt e rinj të çifligut

Autokrati Rama emëron qehajajt e rinj të çifligut

Me atë që ndodhi sot në Kongresin e PS-se, u pa qartë se nuk ka më një parti socialiste. Ka vetëm një sulltan në krye të sektit në qeverisje.
Sekti ka autokratin Rama, i cili emëron qehajaj të rinj në çifligun e vet kur dhe si i do qejfi.
Një Kongres ku nuk u dëgjua një kritikë e vetme. Ku nuk u bë një bilanc i vetëm i ministrive të cilave po u ndërrohen drejtuesit.

Ku nuk u mbajt një raport i vetëm për punën e drejtuesve të porsahequr nga ministria e Financave, e Brendshme dhe e Mbrojtjes. Janë tre ministri shtylla të një qeverisjeje dhe nuk u përmend një arësye, një e vetme, pse drejtuesit e deritanishëm po largohen.

Opinioni publik dhe qytetarët nuk e morën vesh nëse këta ministra të hequr kanë punuar mirë apo keq. Thjesht ministrat-ushtarë u ndërruan si në një lojë shahu.
Vetëm sulltani i partisë ia lejoi vetes sërisht, si në shtator të një viti më parë, kënaqësinë perverse që të larguarit ministra nga detyra ta merrnin vesh shkarkimin e tyre “live”, drejtpërsëdrejti nga salla e kongresit të partisë së tyre.
Ngelet që herës tjetër Rama të bëjë ministër kalin e tij, si perandori romak Kaligula, ndërkohë që vijon të mbajë ministra dhe ministre me dosje korrupsioni. Një ministër duket si të jetë nipi i Kiço Mustaqit, akuzuar si agjent grek nga të vetët në vitet 90-të të shekullit të kaluar.

Rama prezantoi në të aushtuquajturin kongres një program qeverie me premtime-mashtrime të parealizuara. Premtoi uljen e borxhit publik nën 60 përqind, kur në fakt e dyfishoi borxhin për frymë. Njëlloj si premtimet e Enver Hoxhës në kongreset e Partisë së Punës.

Ky i sotmi nuk ishte kongresi i një partie që drejton vendin, por monologu i sulltanit të sektit në qeverisje. Qytetarët panë sot zero kongres të PS-së, por vetëm përçartjet e zgjatura të një mbreti lakuriq.

Tre eurobonde në katër vjet!

Tre eurobonde në katër vjet!

Në qershor 2023, vetëm 18 muaj pas marrjes së eurobondit të pestë në nëndor 2021, pa ndonjë emergjencë të dukshme, qeveria shqiptare bleu një borxh të ri prej 600 milionë eurosh, eurobondin e gjashtë.
Në vend që të merrte hua të lirë në tregun e brendshëm dhe të përdorte fondet e shumta të lira në këtë treg në duar të bankave dhe qytetarëve, qeveria zgjodhi të merrte hua në tregun e jashtëm. Huaja e re e jashtme u sigurua me një kosto 60 përqind më të lartë se huaja e nëndorit 2021(interesi 6.1 përqind, ne krahasim me interesin 3.75%), për t’u shlyer për gjysmën e kohës së eurobondit të pestë. Ajo përfaqëson huanë e dyte më të shtrenjtë në historinë e eurobondeve të Shqipërisë, pas asaj të marrë në kulmin e krizës financiare botërore, në vitin 2012.
Me eurobondin e gjashtë, qeveria e sektit Rama dëshmoi papërgjegjshmërinë e saj kriminale në menaxhimin e borxhit publik, pasi Shqipëria deri tani ka shlyer vetëm dy eurobondet e parë, ndërkohë që ka katër të tjerë për të shlyer, duke akumuluar një borxh prej 3.4 miliardë eurosh.
Katër eurobondet për t’u shlyer janë:
I. Eurobond-i i tretë, i emetuar në tetor të vitit 2018, në vlerë prej 500 milionë euro, me maturim 7-vjeçar dhe normë interesi 3.55 %.
II. Eurobond-i i katërt, i emetuar në qershor te vitit 2020, në vlerë prej 650 milionë euro, me maturim po 7-vjeçar dhe normë interesi 3.75 %.
III. Eurobond-i i pestë, i emetuar në nëndor të vitit 2021, po në vlerë prej 650 milionë euro, me maturim 10-vjeçar dhe normë interesi 3.75 %.
IV. Eurobond-i i gjashte, i emetuar në qershor 2023, në vlere 600 milione euro, me maturim 5-vjeçar dhe normë interesi 6.125 %.
Edhe eurobondin e gjashtë, këtë borxh të ri të marrë, qeveria nuk po e investon në aktivitete që sjellin një kthim të shpejtë nga investimi, prej të cilave mund të shlyhet borxhi. Ky është borxh i siguruar për të shlyer këstet e borxheve të vjetër që po maturohen dhe për mbështetjen e përgjithshme buxhetore (p.sh. për financimin e defiçiteve).
Shlyerja e tij, pothuajse pa dyshim, do të financohet nga rritja e borxhit të ri, në një mjedis normash interesi ne tregjet ndërkombëtare, që mund të jetë dukshëm më i rënduar se i sotmi.
Morëm tre eurobonde në katër vitet e fundit! Kjo duhet të na shqetësojë seriozisht. Në harkun e 5-6 viteve të fundit, interesat e borxhit të jashtëm të qeverisë shqiptare janë më shumë se dyfishuar!. Nga diçka më pak se 100 milionë euro në vitin 2017, në rreth 200 milionë euro për këtë vit, si pasojë e marrjes së njëpasnjëshme të huave në tregjet e huaja.

Botuar në Tirana Diplomat më 11.07.2023

Vizita e Presidentit Duda forcon NATO-n në Ballkan

Vizita e Presidentit Duda forcon NATO-n në Ballkan

Nga Bujar Leskaj
Sot dhe nesër, Presidenti polak Andrzej Duda zhvillon një vizitë dy-ditore në Shqipëri, i ftuar nga Presidenti i Republikës Bajram Begaj. Një ftesë mëse e goditur, pasi kjo vizitë shënon një moment të rëndësishëm, jo vetëm për marrëdhëniet miqësore mes Shqipërise dhe Polonisë, por edhe në rajon.
Polonia është vend aleat i fuqishëm i NATO-s në Evropë dhe fuqia e katërt ushtarake e Evropës. Ajo përfaqëson edhe ekonominë e katërt më të madhe në Bashkimin Evropian. Që nga anëtarësimi i Polonisë në NATO në vitin 1999, vendi ka modernizuar ushtrinë e tij, ka rritur kapacitetet dhe mjetet luftarake të fjalës së fundit, me trupa të mirëtrajnuara nga specialistët e NATO-s.
Janë pesë arësye kryesore, pse kjo vizitë i shërben fort vendit tonë. Le t’i rendisim ato.
I. Duda, pasardhës i denjë i Presidentëve Walesa dhe Kaczynski
Presidenti polak Lech Walesa, drejtuesi i lëvizjes historike Solidarnost që shpejtoi rrëzimin e komunizmit në Evropë, përfaqësonte një barrierë të fortë ndaj ideologjisë dhe influencës së Rusisë sovjetike, ndërsa Lech Kaczynski, Presidenti i vrarë i Polonisë në një aksident ajror në vitin 2010, në rrethana të dyshimta, si dhe arkitekti i Polonisë në NATO dhe në Bashkimin Evropian, ka thënë se vendi i tij duhet të bëhet “më i vetë-mjaftueshëm ushtarakisht, për të kundërshtuar revanshizmin rus”.
Presidenti Kaczynski ishte përfaqësuesi më i fuqishëm i linjës kundër ndikimit të revanshist rus në Poloni dhe në tërësi në Evropën Lindore. Sot kjo linjë është mbizotëruese në shtetin dhe qeverinë polake, sidomos përmes personalitetit të Presidentit Duda, duke parë dhe kërcënimin e shtuar që vjen nga agresioni i Putin në Ukrainë.
Presidenti Andrzej Duda është pasardhës i denjë i dy Presidentëve Walesa dhe Kaczynski, si dhe mik i madh i Shqipërisë. Polonia është aleate e Shqipërisë në NATO dhe një provomuese e vendosur e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Presidenti polak profilizon veten dhe vendin e tij, Poloninë si përkrahës të zellshëm të zgjerimit të Bashkimit Evropian, ose si një “vend i fortë dhe i fuqishëm në zemër të Evropës së Bashkuar”, sikurse shprehet Duda. Për të, politika është një shërbim për njerëzit. Jo vetëm përkrahësit, por edhe shumë qytetarë të pa-angazhuar politikisht në vendin e tij, e shohin Dudën si konfirmin të vlerave të familjes polake.
II. Polonia- shtyllë e NATO-s në Evropë
Qeveria polake ka deklaruar se shpenzimet ushtarake për këtë vit po të rriten në 4 përqind të Prodhimit Bruto të Vendit (PBB). Kjo shifër përbën nivelin më të lartë të shpenzimeve ushtarake vjetore, krahasuar me prodhimin kombëtar, mes të gjitha vendeve anëtare të NATO-s.
Presidenti dhe qeveria polake synojnë të blejnë sistemet raketore HIMARS nga SHBA-të. Polakët kanë nënshkruar me Shtetet e Bashkuara kontrata për furnizimin me 32 avionë luftarakë F-35, 366 tanke Abrams dhe sisteme antiraketë Patriot. Varshava gjithashtu ka nënshkruar një kontratë me Turqinë për furnizimin e dronëve Bayraktar.
Ne kemi shumë për të përfituar nga përvoja ushtarake polake, sidomos me perpjekjet e fundit të qeverisë polake për të forcuar kapacitetet mbrojtëse të vendit.
Presidenti Duda dhe polakët në tërësi janë shumë të qartë për revanshizmin perandorak rus. Kjo qartësi mund dhe duhet t’u shërbejë politikanëve tanë të mos ushqejnë iluzione ndaj rolit të Serbisë në rajonin tonë. Rusia është dhe mbetet aleati më i madh politik dhe ushtarak i Serbisë. Rusia e Putin ushqen aspirata te thella hegjemoniste dhe revanshiste karshi vendeve te Ballkanit. Asnjë nismë që i shërben politikës ekspansioniste të Rusisë në rajon, qoftë edhe e mbuluar me petkat e liberalizimit tregtar, si ajo e Ballkanit të Hapur, nuk duhet të përkrahet nga partitë tona politike dhe politikanët tanë.
III. Polonia, aleati numër një i Ukrainës në Evropë
Që nga fillimi i agresionit të Putin në Ukrainë më 24 shkurt 2022, Polonia ka treguar solidaritet të fortë me Ukrainën. Mbi 6 milionë refugjatë ukrainas kanë kaluar kufirin polak në kërkim të sigurisë dhe mbi 1,5 milionë prej tyre kanë marrë statusin e azilit në Poloni, ku janë mikpritur nga shteti, qeveria dhe qytetarët polakë.
Qeveria e ketij vendi dhe mbare shoqeria polake mbështet kursin politik të Ukrainës për në NATO dhe BE. Qytetarët polakë janë të angazhuar në mënyrë aktive për të ndihmuar Ukrainën. Iniciativat vullnetare, të tilla si fushata popullore për mbledhjen e fondeve për të blerë dronët luftarakë Bayraktar për Ukrainën, kanë frymëzuar dhe motivuar si ushtrinë ukrainase, ashtu edhe civilët.
Duke qenë një aleate e vendosur e Ukrainës, Polonia po bën histori, pasi Ukraina po mbron lirinë dhe demokracinë botërore, ndërsa Rusia e Putin lufton për ambicie dhe diktaturë neo-perandorake. Parlamenti polak miratoi një ligj për statusin special të ukrainasve në Poloni në qershor 2022, duke vendosur garanci ligjore dhe sociale për qytetarët ukrainas që banojnë në Poloni.
Në kuadër të pajisjes së Ukrainës me armë moderne mbrojtjeje, qeveria polake është angazhuar dhe shumë shpejt do të furnizojë Ukrainën me 14 tanke luftarake Leopard 2.
IV. Duda dhe Polonia, mbështetës të vendosur të anëtarësimit të Shqipërisë në BE
Presidenca polake e procesit të Berlinit e ndihmoi Shqipërinë për të forcuar pozicionin e saj në paketën e mbështetjes së axhendës së Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, sidomos pas Sesionit Plenar të Poznanit, në korrik 2019, duke ruajtur interesin e BE-së për të përgatitur Ballkanin Perëndimor që t’i bashkohet familjes së madhe.
Presidenti polak Andrzej Duda është një përkrahës i palëkundur i procesit të integrimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian. Në Tiranë, gjatë samitit të Brdo-Brijunit në maj 2019, Duda konfirmoi fuqishëm vizionin e tij për Evropën e Bashkuar dhe i shërbeu interesave integruese të vendit tonë, kur deklaroi se “Parlamenti i ri Evropian, Komisioni i ri Evropian që do të ngrihet së shpejti, nuk do të shqetësohen vetëm nga fakti që britanikët i thanë jo BE-së. Zgjerimi i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor dhe vendet e tjera që po aplikojnë duhet të jetë pjesë e rendit të ditës dhe qëllim i Komisionit të ri Evropian”.
V. Zhvillimi ekonomik Shqipëri-Poloni
Bashkëpunimi ekonomik luan një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet tona dypalëshe. Edhe pse vëllimi i shkëmbimeve tregtare mes të dyja vendeve është modest, diçka më shumë se 108 milionë euro për vitin 2022, potencialet janë të mëdha dhe në fushën e investimeve ka shumë mundësi për rritje. Presidenti Duda sjell sot dhe nesër në Tiranë një grup investuesish të fuqishëm polakë. Sot, në pjesën e dytë të ditës, Presidenti Duda dhe Presidenti Begaj do të marrin pjesë dhe do t’i drejtohen me mesazhe, forumit të përbashkët ekonomik që do të zhvillohet me pjesëmarrjen e sipërmarrjeve nga të dy vendet. Presidenti Dudaj shoqërohet në këtë vizitë nga një përfaqësi biznesesh kryesore polake, të organizuar nga Agjencia Polake e Investimeve dhe Tregtisë (PAIH).Me përparimin e Shqipërisë në rrugën e anëtarësimit europian, sipërmarrësit polakë do të jenë gjithnje e më të interesuar për të bërë biznes me partnerët e tyre shqiptarë.
Nga ana tjetër, Shqipëria është një destinacion turistik popullor për polakët. Në kater vitet e fundit, rreth 320 mijë turistë polakë vizituan Shqipërinë, duke përbërë grupin më të madh të turistëve të huaj që vizitojnë Shqipërinë, pas diasporës shqiptare. Sipas operatorëve turistikë, pronotimet e turistëve polakë për këtë vit kanë përqindjen më të madhe të rritjes, nga shtetet që kemi turizëm të organizuar në sezonin e verës.
xx
Të pesë këto arësye janë të plota, për të kuptuar dobitë e vizitës së Presidentit polak sot dhe nesër në vendin tonë, si dhe për t’u ndjerë optimist për të ardhmen e forcimit të NATO-s në rajonin tonë, por edhe të bashkëpunimit të frytshëm politik, ushtarak dhe ekonomik mes Shqipërisë dhe Polonisë.

Drejt BE, një hap para, dy hapa mbrapa!

Drejt BE, një hap para, dy hapa mbrapa!

Një shtet që aspiron anëtarësimin e shpejte në BE, duhet të përmbushë ne kohe dhe plotësisht kërkesat e Shteteve Anëtare të BE-së, si dhe të ndërmarrë reforma konkrete për ndërtimin e shtetit ligjor. Vlerësoj Raportin Vjetor 2022 të Këshillit Kombëtar për Integrimin Evropian, ne nivel te informacionit qe ka dhënë dhe përpjekjeve për zbatimin e detyrimeve te Shqipërisë ne procesin e anëtarësimit ne Bashkimin Evropian, sidomos pas çeljes se bisedimeve te anëtarësimit ne korrik 2022. Ndërkohë, e gjykoj shume problematik udhëtimin e Shqipërisë drejt BE-se, edhe përgjatë vitit 2022, për arsyet si me poshte:
I. Kemi dështuar në ndërtimin e një demokracie funksionale dhe reale për familjet shqiptare dhe sipërmarrjet tona
Mungesa e shtetit ligjor përbën burimin që ushqen disa prej plagëve kryesore prej të cilave tashmë po vuan për me shume se nje dekade demokracia jone e brishtë dhe shoqëria shqiptare, si (i) emigrimi masiv qe po sjell boshatisjen e vendit; (ii) niveli me i ulet i pagave, pensioneve dhe ndihmës sociale ne Ballkan, si dhe ndër më të ultit ne Evrope; (iii) kapja e shtetit nga grupe te caktuara te biznesit, e denoncuar nga Transparency International; etj. Një përfundim i tillë i dështimit total të vendosjes se nje demokracie funksionale konfirmohet nga studimet e ndërmarra nga fondacione te shumta të huaja në vendin tonë. Një konsiderate te tille ndan edhe pjesa më e madhe e opinioni publik shqiptar. Në stadin aktual të zhvillimit të demokracisë shqiptare, mungesa e shtetit ligjor është kthyer në sfidën më madhore me të cilën përballet shoqëria. Një sfidë nga e cila varet në një masë a një tjetër, edhe vetë zgjidhja e problemeve të mprehta të tjera që ka vendi. Mungesa e shtetit ligjor përbën po ashtu, një ndër pengesat kryesore që vendi do duhet të kapërcejë, në rrugën drejt përmbushjes së standardeve për integrimin e plotë europian.
II. Kemi dështuar të garantojmë pavarësinë e institucioneve të pavarura
Gjatë vitit 2022, rastet e zhvlerësimit konstant, nëpërkëmbjes dhe keqpërdorimit të institucioneve te pavarura te vendit kane qene te shumta. Rasti ndër më flagrantët ishte ai i keqpërdorimit të Autoritetit të Dosjeve në sulmin e paprecedent dhe të turpshëm ndaj ish-Presidentit të Republikës Ilir Meta. Minimin e pavarësisë dhe nëpërkëmbjes së dinjitetit dhe imazhit të institucionit e kanë pësuar rregullisht edhe Enti Rregullator i Energjisë(ERE), sidomos në fund të shtatorit 2022, për vendimin e rritjes së çmimit të kilovat-orës, si dhe AMA, Autoriteti i Konkurrencës, etj.
III. Kemi dështuar të garantojmë krijimin e një tregu konkurrues dhe realizimin e politikave të duhura fiskale për sipërmarrjen vendase dhe të huaj që vepron ne Shqipëri
Më 14 shkurt 2023, ECOFIN, Këshilli i Çështjeve Ekonomike dhe Financiare, i përberë nga ministrat e Financave dhe Ekonomisë së Vendeve Anëtare të Bashkimit Evropian(strukture përgjegjëse për politikën e BE-së në tre fusha : politika ekonomike, politika të taksave dhe rregullimi i shërbimeve financiare), e futi Shqipërinë në listën e vendeve, legjislacionet e të cilave nuk janë bashkëpunuese për politikat fiskale, duke e mbajtur në monitorim të rreptë për çështjet fiskale. Kjo është shumë keq për imazhin e financave tona publike. Ndryshimet e shpeshta në legjislacionin tatimor, të dyshuara për favorizime grupesh të caktuara biznesi dhe krijim pabarazie të theksuar tatimore, si rasti i uljes së dividentit për aksionerët nga 15 përqind në 8 përqind në dhjetor 2018, apo projektligji për amnistinë fiskale dhe penale, i paraqitur dy herë në Kuvend në qershor 2020 dhe në qershor-korrik 2022, po na vonojnë dukshëm në rrugën e integrimit. Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, në një material të përgatitur nga eksperte të tij, posaçërisht për projektligjin qeveritar mbi faljen fiskale dhe penale, thekson, ndër të tjera, se (i) objekti i amnistisë shkon përtej asaj të legjislacionit të ngjashëm të zbatuar në vende të tjera; (ii) projektligji rrezikon të sigurojë mosndëshkim të panevojshëm për subjektet që posedojnë pasuri të paligjshme; (iii) ekziston rreziku që projektligji të krijojë një “dritare mundësie” për evazionin fiskal dhe pastrimin e parave të pista dhe se(iv) draftit i mungon një vlerësim i nevojshëm i aseteve të pritshme që do të formalizohen dhe të ardhurat e pritshme që do të gjenerohen.
IV. Kemi dështuar në përthithjen e fondeve IPA
Projektet e Instrumentit të Para-Aderimit (IPA) janë konceptuar nga Bashkimi Evropian si një instrument orientues, lehtësues e mbështetës drejt anëtarësimit në BE. Dua të theksoj, në vëmendje të agjencive tona zbatuese të projekteve IPA, disa probleme dhe mangësi te mprehta të vërejtura në zbatimin e programeve IPA, mbi bazën e efektivitetit, efiçiencës dhe ekonomicitetit(3 E-ve), nga ana e palës sonë. Këto mangësi kanë sjellë situatën, ku renditemi shumë ulët në shkallën e gjenerimit të ideve për projektet IPA nga vendi përfitues(sipas të dhënave të Barometrit të Ballkanit 2022, si dhe në shkallën e përthithjes së projekteve IPA mes vendeve në Ballkanin Perendimor, sidomos në krahasim me vende si Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi. Ndonëse në Shqipëri projektet IPA po zbatohen prej më shumë se 11 vitesh, në shuma të konsiderueshme financiare, në nivele qindra milionë euro, efektiviteti i shumë prej këtyre projekteve lë për të dëshiruar dhe progresi real i vendit tonë drejt anëtarësimit në BE, permes realizimit te këtyre projekteve, vijon të jetë i dobët. Dobësitë dhe mangësitë kryesore konsistojnë në (i) një bashkëpunim institucional i pakët dhe mungesë e theksuar e kapaciteteve të duhura absorbuese, (ii) shtyrje të gjata të afateve të disbursimeve dhe mbikëqyrje e dobët e kontratave të punimeve dhe e shërbimeve të konsulencës dhe ne (iii) Asnjë nxjerrje përgjegjësie ndaj njësive zbatuese të projekteve, për mungesë penalitetesh ndaj kontraktorëve që nuk kanë plotësuar detyrimet kontraktuale.
Xx
Adresimi i duhur dhe sa më parë i këtyre problematikave, do të sillte një rritje të efektivitetit të procesit te integrimit te plote te vendit ne Bashkimin Evropian.

Botuar në Gazeta Sot më 24 Shkurt 2023