Projektbuxheti 2024 konfirmon mashtrimet e Ramës!

Projektbuxheti për vitin 2024, me paketën e tij fiskale, të miratuar dje në mënyrën më të paligjshme, të parregullt dhe anormale, me votim online, nga shumica parlamentare në Komisioni e Kuvendit për Financat dhe Ekonominë, injoron ekonominë reale të taksapaguesve shqiptarë dhe minon aktivitetin e sipërmarrësve dhe profesionistëve të lirë të vendit.
I. Për arsimin dhe shëndetësinë premton 5 përqind të Prodhimit Kombëtar dhe nuk jep as gjysmën!
Ky projektbuxhet dëmton ecurinë e arsimit publik dhe shëndetësisë publike të shqiptarëve. Me papërgjegjshmërinë maksimale, duke harruar premtimet-mashtrime të Rilindjes për fonde në nivelin 5 përqind të Prodhimit Kombëtar në vit për arsimin dhe shëndetësinë për këtë mandat, akordon vetëm 2.3 përqind të PBB-së për arsimin(ose dy herë më pak se premtimi) dhe vetëm 2.8 përqind të PBB-së për shëndetësinë(ose 1.6 herë më pak se premtimi).
II. Braktis bujqësinë!
Projektbuxheti për vitin 2024 e subvencionon bujqësinë me fonde krejtësisht të pamjaftueshme, me vetëm 31.7 milionë euro për të gjithë vitin!
Edhe sikur dy herë më shumë të ishin këto fonde, sërisht do të renditeshim të fundit në rajon, përsa i përket subvencioneve në këtë sektor shumë të rëndësishëm dhe vital për ekonominë tonë.
Sekti Rama i jep fondet me pikatore për fermerët shqiptarë, në një kohë kur pikërisht makutëria dhe babëzia e qeverisë së tij ka shkaktuar pezullimin e fondeve të Komisionit Evropian të Programeve IPARD II dhe IPARD III, për shkak të një hetimi për abuzime me fondet IPARD II, të ndërmarrë nga OLAF, struktura investiguese e Bashkimit Evropian, lidhur me fondet nga paratë e takspaguesve evropianë, të dhëna Shqipërisë. Ky hetim për abuzime dhe korrupsion me fondet e BE-së, jo vetëm është turp i madh për vendin tonë, por e dëmton jashtëzakonisht fort edhe bujqësinë shqiptare, pse janë pezulluar fonde në nivele dhjetëra milionë euro, që do të jepeshin për ndihmën ndaj fermerëve shqiptarë, në një kohë shumë të vështirë për prodhimin dhe eksportet bujqësore.III. Rëndon biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë
Paketa fiskale 2024 rëndon sipërmarrësit, biznesin e vogël shqiptar dhe qytetarët, me rreth 65 milionë euro. Janë 17.3 milionë euro më shumë rritje e akcizës, duke shtrenjtuar nga 1 janari 2024, akoma dhe më shumë çmimin fundor të litrit të karburanteve, të kafesë, duhanit dhe birrës. Janë 28 milionë euro tatim mbi të ardhurat, që do t’u vilen gjatë vitit të ardhshëm mbi 17 mijë profesionistëve të lirë, duke dëmtuar dhe gati paralizuar shtresën e mesme të shoqërisë sonë, atë që dikton konsumin, duke detyruar trurin dhe inteligjencën e vendit të shohë vetëm nga emigrimi akoma dhe më shumë.
Sekti Rama në qeverisje ka parashikuar që vitin e ardhshëm të marrë 2 miliardë lekë ose 18.7 milionë euro të ardhura nga ligjit i ri për lojrat e fatit, ndërkohë që vetëm katër vitë më parë, i ashtuquajturi “Lider Rajonal” e quante bixhozin haram dhe betohej e përbetohej, se i kishte zhdukur një herë e përgjithmonë lojrat e fatit, këtë plagë shoqërore që godiste sidomos të rinjtë.
IV. Tallet me afro 700 mijë pensionistë!
Ndërsa rëndon me paketën e vet fiskale shtresat më aktive të popullsisë, sipërmarrësit, biznesin e vogël dhe profesionistët e lirë, sekti Rama tallet me të 690 mijë pensionistët e vendit.
Qeveria nuk parashikon rritje reale pensionesh. Vetëm respektohet detyrimi ligjor për indeksimin e pensioneve, të cilin, për tetë vite rrjesht, 2013-2020, nuk e kishte përfillur. Dhe tani jep vetëm 38 milionë euro për indeksimin e pensioneve. Turp e faqe të zezë!
Në rast se qeveria do të ndërmerrte rritjen e pensioneve që nga data 1 janar 2014, me këtë fond që është planifikuar, pensionet do të rriteshin me rreth 2.4 përqind, më pak edhe se sa inflacioni 3 përqind që vetë ky projektbuxhet ka parashikuar!
Mirëpo, sikurse ka ndodhur edhe gjatë këtij viti, indeksimin e pensioneve sekti Rama nuk e ndërmerr gjatë muajve të parë të vitit, por gjatë tremujorit të fundit të tij. Pra, le të “piqen” mirë shtresa më e pambrojtur e shoqërisë sonë, pensionistët, nga zjarri i çmimeve të ushqimeve që parashikohen akoma dhe më të larta për vitin e ardhshëm, pse për nëndë muajt e parë nuk ka indeksim pensionesh!
V. Tallet me ish-të përndjekurit politikë dhe shtresat në nevojë
Qeveria Rama vijon të tallet edhe me dëmshpërblimin financiar për ish-të përndjekurit politikë, i cili vijon të jepet me fonde në vlera qesharake.
Për vitin 2024 do të jepen për ta vetëm 11 milionë euro, vlerë kjo shumë e ngjashme me financimin e vitit aktual 2023. Për kujtesë: në buxhetin e vitit 2013, qeveria e Prof. Dr. Sali Berishës dha 3 miliardë lekë për ish-të përndjekurit politikë, ose 28 milionë euro me këmbimin e sotëm, pra 2.5 herë më shumë. Me këto ritme, sektit Rama do t’i duhen 3 dekada për të ezauruar faturën financiare ndaj shtresës më të goditur dhe më të përvuajtur të shoqërisë sonë.
Ky sekt në qeverisje nuk parashikon të ndërmarrë asnjë paketë sociale vitin e ardhshëm, për t’ju ardhur në ndihmë qytetarëve në nevojë. Janë 64 mijë familje ose mbi 250 mijë qytetarë, si dhe 161 mijë përfitues të skemës së aftësisë së kufizuar, që nuk do të marrin një qindarkë më shumë nga sa marrin sot nga buxheti i Shtetit, edhe pse çmimet e ushqimeve u rritën në nëndëmujorin janar-shtator 2023 me 8.4 përqind!
VI. Shkel premtimin për zero lek Beketit dhe për portin e ri në Porto Romano
“Lideri Rajonal” premtoi zero lek për rastin Beketi dhe gjyqin ndërkombëtar të fituar prej tij dhe të humbur nga sekti në qeverisje. Në të vërtetë, thjesht mashtroi, pse projektbuxheti 2024 ka parashikuar të paktën 195 milionë euro, të cilat duhet të paguhen nga taksat tona, për zbatimin e vendimeve të gjykatave ndërkombëtare. Dhe në rradhë të parë, për të 110 milionë eurot e gjobës Beketi ndaj papërgjegjshmërisë dhe paudhësisë Rama.
Rama premtoi ngritjen e portit të ri tregtar në Porto Romano, pa goditur buxhetin e Shtetit. Gënjeu pa pikë turpi! Porti i ri tregtar në Porto Romano, në të cilin do të transferohen shërbimet e portit aktual të Durrësit, do të financohet me fonde buxhetore. Sipas tabelave që shoqërojnë projektbuxhetin e vitit 2024, ndërtimi i portit të ri në Porto Romano do të kushtojë 43 miliardë lekë, ose 410 milionë euro dhe financimi do të sigurohet nga buxheti i shtetit.
Për vitin 2024 do të jepen nga Buxheti 8,6 miliardë lekë, ose 82 milionë euro. Në vitin 2025 janë planifikuar edhe 13 miliardë lekë të tjerë dhe po 13 miliardë lekë edhe në vitin 2026, kohë kur pritet të përfundojë porti i ri.
VII. Ngop me para taksapaguesish oligarkët e PPP-ve
Lista e premtimeve të pambajtura dhe të kthyera në gënjeshtra e mashtrime për qytëtarët, është e gjatë. Por në ka gjë që qëndrimi i sektit Rama, përsa i perket financimit nga Buxheti i Shtetit, nuk ndryshon, është kontributi për PPP-të!
Rama nuk heq kurrë dorë nga “gostitja” e oligarkëve të vet me para taksapaguesish shqiptarë. Nuk ka rëndësi nëse janë hapur apo jo procese gjyqësore për koncesionet PPP të sterilizimit apo inceneratorëve. Buxheti i Shtetit vijon pagesat e majme për to.
Vetëm inceneratori i Tiranës, në proces hetimi nga SPAK, merr 12 milionë euro në vitin 2024, ose 20 përqind më shumë nga sa po merr këtë vit! Për vitin e ardhshëm 2024, qeveria parashikon të financojë nga paratë e taksapaguesve një fond prej pothuajse 134 milionë euro për 10 kontratat PPP. Këto 10 kontrata PPP do të marrin tre herë më shumë fonde nga sa sekti Rama u jep të 64 mijë familjeve në ndihmë ekonomike.
xxx
Si përfundim, ky projektbuxhet 2024 i sektit Rama dhe paketa e tij fiskale nuk sheh fare nga ekonomia reale dhe problemet e saj akute, nga biznesi i vogël dhe profesionistët e lirë, nga pensionistët, shtresat në nevojë, ish të përndjekurit, rinia dhe të përpiqet të kufizojë sa të mundë dukurinë vrastare te emigracionit masiv.
Jo! Ai sheh dhe kënaq vetëm oligarkët e Ramës. Nuk është fare për qytetarin, por është vetëm për të panginjurit puthadsoras, që i sillen rrotull Ramës dhe për vetë “Liderin Rajonal”

Botuar në Gazeta Sot më 07.11.2023

Postimet e lidhura