Parimet dhe standardet e OECD-së dhe FMN-së mbi mirëqeverisjen financiare dhe formatimin e buxheteve të përgjegjshëm për qytetarin, sugjerojnë që qeveria duhet t’i strukturojë vendimet buxhetore, bazuar në nevojat dhe domosdoshmëritë e tanishme dhe të perspektivës së qytetarëve, për vitet e ardhshme.
Duke e injoruar kryekeput kete formule-aksiome ne qeverisjen publike, sekti Rama në qeverisje ka më shumë se një dekadë që i përgatit buxhetet vjetore, bazuar në të ardhurat dhe shpenzimet e viteve të kaluara, me papërgjegjshmërinë maksimale ndaj interesave të qytetarit.
I. Projektbuxhet pa bosht
Sipas qeverisë, projektbuxheti për vitin 2024 mbështet zhvillimin ekonomik, nxitjen e punësimit dhe mbrojtjen sociale. Ky është një mashtrim i paskrupullt! Nuk ka asnjë përqëndrim pune dhe bosht të tillë interesash për qytetarin, për pesëmbëdhjetë arësye si më poshtë:
- Projektbuxheti miratohet nga sekti Rama, në mungesë të plotë të një strategjie kombëtare të qartë të zhvillimit ekomonik të vendit, modelit ekonomik që po ndjekim dhe përcaktimit zyrtar dhe publik të avantazheve konkuruese të ekonomisë sonë.
- Ky sekt i sotëm në qeverisje, vijon të mos përcaktojë dhe të mos sjellë në Kuvend projektligjin për Minimumin Jetik Zyrtar, duke injoruar projektligjet përkatëse të opozitës dhe të shoqërisë civile, që janë depozituar në Parlament, në një kohë kur ka 3 mandate që premton përcaktimin e Minimumit Jetik në programet e tij zgjedhore.
- Projekt-Buxheti dhe Paketa Fiskale 2024 nuk përmbajnë asnjë element të një strategjie kombëtare, apo një plani masash të mirëpërcaktuara, për të evituar boshatisjen e mëtejshme të vendit, për të kufizuar ndjeshëm largimin e të rinjve, apo hemorragjinë e ikjes së profesionistëve nga vendi.
- Me këtë buxhet 2024, sekti Rama, ndryshe nga ç’hiqet, nuk realizon asnjë skud dhe mbrojtje sociale, edhe pse Shqipëria ka çmimet e shportës së konsumit më të lartat në rajon, me 8.4 përqind rritje vetëm në dhjetë muajt e parë janar-tetor 2023.
- Në mospërfillje jo humane ndaj shtresave në nevojë dhe pensionistëve, qeveria sjell një buxhet, pa asnjë paketë për mbështetjen e konsumit, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme nga opozita dhe palët e tjera të interesit dhe shembujt e vendeve të rajonit dhe të Bashkimit Evropian, duke mos rishikuar në ulje TVSH-në e produkteve ushqimore bazë.
Buxheti tregon fytyrën e tij anti-sociale, duke mos rritur pagesën mjerane të 61 mijë familjeve në asistencë sociale, si dhe duke mos shtuar asnjë lek në pagesat e papunësisë dhe të personave me
aftësi të kufizuar. Ai nuk ka të parashikuar asnjë fond për mbështetjen e familjeve dhe shtresave më të varfëra, nga rritja e mëtejshme e çmimeve ushqimore në vitin 2024. - Sekti Rama jep vetëm 38 milionë euro për pensionistët për vitin e ardhshëm dhe vetëm për indeksimin e pensioneve të tyre, në një kohë kur për vite me rradhe, pas vitit 2013, nuk ka respektuar detyrimin ligjor për indeksimin e pensioneve. Edhe ne rast se qeveria do të ndërmerrte indeksimin e pensioneve që nga data 1 janar 2014, me këtë fond mjeran shtesë të planifikuar, pensionet do të rriteshin vetem 2.4 përqind!
Pra, shumë më pak edhe se sa inflacioni 3 përqind që vetë sekti ka parashikuar per vitin e ardhshem. Mirëpo, indeksimi i pensioneve nuk do të fillojë më 1 janar 2024, jo!
Mbi bazën e eksperiencës së indeksimit të pensioneve për vitin e kaluar dhe këtë vit, ai është kryer në tremujorin e fundit të vitit. Ngre pyetjen: si do t’i mbrojë sekti Rama pensionistët nga çmimet e larta të shportës (të parashikuara nga institucionet ndërkombëtare se do të vijojnë gjatë vitit të ardhshëm) për nëndëmujorin janar-shtator 2024, pa kryer as indeksimin e pensioneve gjatë kësaj kohe?
Fondi për rritjen e pensioneve për vitin 2024 parashikohet 4.1 miliard lekë (rreth 38 milionë euro), ose një rritje vetëm 2.1% e fondit total të sigurimeve shoqërore, nivel që nuk realizon as edhe indeksimin e plotë dhe për të gjithë vitin ndaj rritjes së inflacionit, të premtuar nga ky projektbuxhet!
Sekti Rama nuk jep asnjë plan konkret veprimi për rritjen e pensioneve në një nivel dinjitoz, i cili minimalisht të mbulojë nevojat bazë jetike të kësaj kategorie, që sot praktikisht përbën një të tretën e popullsisë së Shqipërisë dhe është në shumicën dërrmuese të saj, ndër shtresat më të pambrojtura dhe nevojtare të popullsisë. - Kjo qeveri jep vetëm 2.3 përqind të PBB-së për arsimin publik për vitin 2024, duke harruar dhe duke mos mbajtur premtimin e programit të vet qeverisës në këtë mandat, për financim 5 përqind të PBB-së për arsimin publik, këtë sektor jetik për të ardhmen e fëmijëve tanë dhe zhvillimin e vendit.
Financimi për arsimin publik është pothuajse i të njëjtit nivel me vitin 2023, në një kohë kur problemet në arsim janë agravuar së tepërmi dhe duhej të ndodhte e kundërta. Buxheti i Shtetit duhet të kishte një financim të konsiderueshëm, për të mos lejuar që të rinjtë të braktisin shkollat, nje dukuri masive tashme kjo, apo qe mijëra studentë të largohen për të studjuar jashtë vendit. - Me vetëm 2.8 përqind të PBB-së për vitin 2024, shëndetësia publike paraqitet dukshëm e nënfinancuar nga sekti Rama, duke patur parasysh premtimet e programit te vet qeverises në këtë mandat, për financim 5 përqind të PBB-së, dhe kur ndërkohë e kemi domosdoshmëri të realizojmë një rritje të konsiderueshme fondesh, edhe për shkak të pasojave afatgjata të shkaktuara nga pandemia mbi shëndetin e qytetarëve. Në vend që të rritet, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është ulur, nga 3.28% e PBB-së në vitin 2023, në 3.21 % te PBB-së në vitin 2024.
- Projektbuxheti për vitin 2024 e subvencionon bujqësinë me fonde krejtësisht të pamjaftueshme, me vetëm 31.7 milionë euro, ndërkohë që, edhe sikur dy herë më shumë të ishin këto fonde, sërisht
do të renditeshim të fundit në rajon, përsa i përket subvencioneve në këtë sektor shumë të rëndësishëm dhe vital për ekonominë tonë.,
Është skandaloz financimi i bujqësisë, i cili nga 0.7% e PBB-së bie ne 0.6% e PBB-së. Kjo ndodh në një kohë, kur financimet nga Bashkimi Evropian, nga programet IPARD II dhe IPARD III në ndihmë të bujqësisë dhe zhvillimit rural, në nivele disa dhjetra milionë euro, janë pezulluar, për shkak të një hetimi të zyrës së OLAF të Komisionit Evropian, strukturës që heton shpenzimin e parave të taksapaguesve evropianë, lidhur me abuzime dhe korrupsion në projektet e drejtuara nga AZHBR-ja e sektit Rama. - Projektbuxheti 2024 prezanton një Paketë Fiskale që synon të rrisë të ardhurat me 65 milionë euro, përmes ligjit për lojrat e fatit online, pra ligjërimit të vesit të bixhozit, përmes rritjes së akcizave të karburanteve, duhanit, birrës, etj., duke shkaktuar shtim të çmimit fundor të tyre për qytetarët, si dhe përmes taksimit të profesioneve të lira, duke goditur shtresën e mesme, e cila drejton konsumin dhe duke nxitur akoma më shumë largimin e profesionistëve nga vendi.
Paketa Fiskale 2024 e sektit Rama do të ketë vetëm efekte negative për ekonominë, sepse rrit në vazhdimësi barrën fiskale për biznesin dhe konsumatorët, madje duke e çuar barrën fiskale për profesionet e lira, nga zero që është sot, deri në 23% pas 1 janarit 2024. - Projektbuxheti përforcon mungesën totale të një politike të drejtë fiskale, të përqëndruar mbi detyrimet e kapitalit, dhe jo të punës, sikurse e ka deformuar dhe denatyruar sistemin tonë fiskal sekti Rama, duke mos taksuar si duhet bizneset e mëdha me pozita mbizotëruese në tregje dhe oligarkët. Këta të fundit, me politika, ligje të qepura posaçërisht për ta, përjashtime nga taksat dhe përfitime nga tenderat publike, janë kategoria që gëzon përftimet më të larta dhe absolute nga ky sekt i sotëm në pushtet.
- Gjatë vitit 2024, qeveria do të vijojë avazin e vjeter të sektit Rama, duke marrë borxh për të shlyer borxhet e mëparshme, duke dale në treg për eurobondin e shtatë, i cili do të jetë të paktën 48.5 miliardë lekë ose 470 milionë euro.
Projektbuxheti 2024 nuk merr fare në konsideratë elementët e borxhit të fshehur, si detyrimet e prapambetura, vendimet e arbitrazhit ndërkombëtar dhe vendimet për Shqipërinë të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Vetëm detyrimet e arbitrazhit ndërkombëtar, sipas Raportit të Zbatimit të Buxhetit për vitin 2022, paraqiten në vlerën 174 milionë euro. Buxheti 2024 nuk jep asnje garanci që, në këtë nivel shpenzimesh dhe risqesh të larta fiskale, do të ofrojë qëndrueshmëri në ruajtjen e nivelit të borxhit publik, për të mos diskutuar më tej për ulje të tij, premtim ky i pambajtur nga sekti Rama që nga viti 2013, për ta zbritur nën nivelin 60 perqind të PBB-së.
Kosto mesatare e pritshme e borxhit publik(pagesa e interesave) për vitin 2024 vlerësohet në rritje në rreth 4.2% e PBB-së, nga 3.65% që parashikohet të jetë në fund të këtij viti. Vetëm për buxhetin e vitit 2024, qeveria ka parashikuar 60.9 miliardë lekë shpenzime për interesa të borxhit të brendshëm dhe të jashtëm, ose 591 milione euro. Praktikisht, i bie që çdo qytetar i këtij vendi të paguajë mbi 200 euro në vitin 2024, vetëm për interesat e borxhit publik të Shqipërisë!
Borxhi ynë Publik ndodhet në kushtet më të pavaforshme dhe ky është një alarm që duhet të shqetësojë çdo shqiptar!
Totali i kostos së shërbimit të borxhit në vitin 2024 do të arrijë një nivel shumë të lartë, në 118.2 miliardë lekë, ose rreth 1,1 miliardë euro. Nga këto, vetëm për të mbuluar koston e interesave të borxhit, shpenzimet do të rriten me 9%, pra nga 60.9 miliarde lekë (afërsisht 590 milionë euro) në vitin 2023, në 66.2 miliard lekë, ose afro 650 milionë euro, në vitin 2024.
Është kritike efiçienca shumë e ulët e borxhit publik, ku sekti Rama praktikisht merr borxh për të larë borxhe dhe jo borxh për të prodhuar zhvillim. Ndërkohë, kosto e borxhit publik për periudhën 2014-2024 është rritur në mënyrë eksponenciale, në krahasim me periudhën 2003-2013. Kosto e periudhës 2014-2024 është 910 miliardë lekë, ose rreth 8 miliardë euro, në një kohë kur në periudhën 2003-2013, kosto e borxhit publik ka qenë pothuajse gjysma, 462 miliardë lekë ose rreth 4 miliardë euro. - Projektbuxheti 2024 nuk thotë asgjë për betejën e vazhdueshme dhe luftën për uljen e informalitetit në ekonominë dhe shoqërinë tonë. Ky informalitet vlerësohet në mbi 33%, nga raportet e institucioneve nderkombetare. Raportet e FMN-së, Bankës Botërore dhe Komisionit Evropian e vlerësojnë sektorin informal në Shqipëri nga 30 deri në 35% të PBB-së, ndërsa Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), vlerëson se 56.7 % e totalit të të punësuarve janë informalë.
Buxheti 2024, pavarësisht nga shifrat absolute gjoja në rritje, në të vërtetë, në raport me prodhimin kombëtar, paraqet të ardhurat publike në ulje! Ato ulen nga 28.1% e PBB-së në vitin 2023, në 27.7% të PBB-së në vitin 2024.
Pavarsisht përpjekjeve të qeverisë për të konsideruar të sukseseshme reformën fiskale, plani i të ardhurave i Buxhetit 2024, tregon pamundësinë e rritjes së kapacitetit të mbledhjes së tyre, për shkak të informalitetit të përhapur gjerësisht, të diferencimit të taksimit dhe të evazionit të lartë.
Planifikimi i rritjes së të ardhurave tatimore do të duhej të ishte bërë, i bazuar në mirëadministrimin e taksave dhe taksave, në minimizimin e shpenzimeve të taksave dhe në uljen e evazionit dhe të informalitetit në ekonomi.
Planifikimi i të ardhurave duhej të shoqërohej me një plan masash për të rritur të ardhurat, si rezultat i (i) uljes së informalitetit në ekonomi), (ii) uljes së informalitetit në kontributet e sigurimeve shoqërore dhe (iii) uljes së evazionit fiskal.
Shqipëria ka performancën më të ulët të mbledhjes të të ardhurave publike, krahasuar me vendet e rajonit. Shqipëria mbledh vetëm 28.1% të PBB-së, ndërsa mesatarja e rajonit është 38.1% e PBB-së dhe mesatarja e vendeve të Bashkimit Evropian është 44 përqind e PBB-së. Për vitin 2024, ekspertët e institucioneve ndërkombëtare parashikojnë se kjo performancë tepër e ulët të Shqipërisë në mbledhjen e të ardhurave do të përkeqësohet akoma dhe më shumë, përkundrejt mesatares së rajonit. - Projektbuxheti 2024 ul investimet kapitale në ekonomi, në një kohë që vendi ka shumë nevojë për to. Një rënie të konsiderueshme e tregon buxheti i Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë. Buxheti i vitit 2024 për këtë ministri është ulur nga 61.9 miliardë lekë (rreth 580 milionë euro) në vitin 2023, në 52.8 miliard lekë, ose rreth 500 milionë euro, në vitin 2024. Ose nga 2.7 % e PBB-
së në vitin 2023, në 2.2% të PBB-së në vitin 2024. Në këtë mënyrë, zëri Investimet Publike, përfshirë Fondin e Rindërtimit, ulet me 76 milionë euro.
Në nivel të investimeve publike kapitale, buxheti 2024 paraqet një risk të lartë, që nisja e projekteve të reja të pezullojë fondet për projektet në vijim, për mungesë fondesh, duke krijuar në këtë mënyrë detyrime të prapambetura. - Buxheti 2024 nuk jep asgjë më shumë se vetëm 1 përqind të PBB-së, aq sa është detyrimi minimal ligjor, në formën e transfertave për pushtetin vendor. Në fondet e buxhetit qendror për të 61 bashkitë për vitin 2024, parashikohet të shpenzohen rreth 71 miliardë lekë për rrugë, ujësjellës, menaxhim mbetjesh, etj, ku gati gjysma e këtyre shpenzimeve do të jenë nga Buxheti i Shtetit, në formën e transfertave të pakushtëzuara, në vlerën totale të 36.5 miliardë lekëve.
Buxheti 2024 nuk ofron asnjë analizë, mbi bazën e së cilës të jetë parashikuar mbulimi i rritjes së shpenzimeve buxhetore, kur, nëse i referohemi të dhënave të vitit 2022 dhe të dhënave të deritanishme, buxheti i pushtetit vendor është përkeqësuar ndjeshëm, të ardhurat kanë pësuar rënie dhe shpenzimet janë rritur.
Buxheti i qeverise nuk ka identifikuar sektorët më në nevojë dhe nuk ka aktualisht një qasje strategjike dhe transparencë mbi performancën e pushtetit vendor. Ai nuk paraqet asnjë studim mbi nevojat reale që kanë sot të gjitha bashkitë, sidomos bashkitë e vogla, kryesisht ato rurale dhe me potenciale të ulëta të të ardhurave të tyre. - Projektbuxheti 2024 ul pagesat për ish-pronarët dhe do të japë për ish-të përndjekurit politikë vetëm 11 milionë euro, vlerë kjo qesharake, për detyrimin që mbarë shoqëria jonë ka ndaj ish-të përndjekurve politikë. Me këtë ritëm, do të duheshin 30 vjet që të arrijmë të ezaurojmë faturën e plotë financiare ndaj shtresës më të goditur dhe më të përvuajtur të shoqërisë sonë!
Konkluzion i Pikës I: Projekt-Buxheti 2024 nuk i përgjigjet nevojave aktuale të qytetarëve shqiptarë, nuk krijon siguri, mirëqenie sociale dhe nuk mbështet fokusin e gjoja boshtin zhvillimor, mbi të cilin po paraqitet dhe trumbetohet nëpër takime në rrethe nga Rama dhe pasuesit e tij.
II. Projektbuxhet PPP-sh dhe inceneratorësh!
Të gjithë sektorët që janë sektorët më të rëndësishëm për nivelin ekonomiko-social të vendit, buxheti 2024 parashikohet në ulje. Pra, e vërteta është se sekti Rama nuk shton fondet për arsimin, për të mbështetur bujqësinë shqiptare, apo për të rritur investimet në infrastrukturë, por financon me paratë e taksapaguesve koncesionet korruptive, thellon borxhin publik dhe shton punësimin e patronazhistëve, duke fryrë administratën shtetërore.
Rama vërtet është i fiksuar pas inceneratorëve! Nuk kuptohet arsyeja përse në buxhetin për vitin 2024, janë parashikuar 1.2 miliardë lekë pagesa për inceneratorin e Tiranës, një incenerator ky i
sekuestruar tashmë nga SPAK, përveç lidhjeve të pazgjidhshme të sektit Rama me elementët e inkriminuar dhe në ndjekje nga drejtësia.
Shpenzimet për financimin e koncesioneve PPP me mbështetje financiare nga buxheti i shtetit nga viti 2018-2024 kanë qenë 800 milionë euro dhe edhe për vitin 2024 do të vazhdojnë në rritje. Shpenzimet për koncesionet/PPP me financim buxhetor rriten me 9.2%, nga 13.08 miliard lekë në vitin 2023 (rreth 124 milionë euro), në 14.29 miliard lekë (rreth 136 milionë euro) në vitin 2024.
Cilat janë arsyet e kësaj rritjeje, në një kohë kur ky shtim përbën një risk të lartë fiskal për buxhetin dhe një borxh të fshehur për vitet në vijim? A ka lidhje kjo rritje me mungesën e publikimit të “Raportit të Performancës së Kontratave të Koncesionit dhe të Partneritetit Publik-Privat për vitin 2022”, raport që duhet të ishte publikuar me Raportin e konsoliduar të Zbatimit të Buxhetit për vitin 2022?
Ministria e Financave dhe Ekonomisë dhe në tërësi i gjithë sekti Rama, mbajnë përgjegjësi për këtë mungesë transparence dhe për mospërmbushjen e detyrimeve të ligjit nr. 125/2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar.
xxx
Sekti Rama në qeverisje nuk i jep përgjigje asnjë prej çështjeve dhe pyetjeve të përmbajtura në pikat më sipër, që mund të ndihmonin të formatohej një buxhet social, për qytetarin dhe sfidat e zhvillimit të vendit për vitet që vijnë. Ky sekt shikon thjesht dhe vetëm t’u shërbejë oligarkëve, të korruptuarve të vet dhe të grabisë qytetarët, duke i zhytur ata akoma më shumë në mjerim, dëshpërim dhe mungesë perspektive.