90 Vjet Kontrolli i Lartë i Shtetit

Kujtesa institucionale e një organi kushtetues është e një rëndësie parësore për të lexuar drejt vlerat dhe kontributin e tij përgjatë viteve. Ky botim sjell tek lexuesi përmbledhje të kumtesave, përshëndetjeve dhe aktiviteteve kryesore për kremtimin e Jubileut të 90-Vjetorit të krijimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Historiku i Kontrollit të Lartë të Shtetit lidhet ngushtë me shpalljen nga deputetët e Kuvendit Kushtetues më datë 21 janar 1925 të krijimit të Republikës Parlamentare Shqiptare. Pas miratimit të Statutit Themeltar të Republikës Shqiptare, Presidenti i Republikës, Ahmet Zogu më datë 20 maj 1925 firmosi Dekret- Ligjin “ Mbi formimin e Këshillit Kontrollues”, dekret që hyri në fuqi më datë 26 maj 1925. Ky këshill krijohej si organ kushtetues dhe nuk varej nga asnjë ministri. Me ligj të veçantë përcaktohej mënyra e organizimit dhe ushtrimit të veprimtarisë së institucionit të Kontrollit Shtetëror, mënyra e raportimit në Parlament dhe marrëdhëniet e tij me qeverinë e mbretin. Në Gusht të vitit 1946 bëhet riorganizimi tërësor i organeve të kontrollit, si në formë edhe në përmbajtje. Me ligj të veçantë të Kuvendit Popullor krijohet Komisioni i Kontrollit të Shtetit, i cili ishte në përbërje të Qeverisë dhe në varësi të plotë prej saj (strukturë nën varёsinё e ekzekutivit dhe të partisë-shtet), duke humbur pavarësinë dhe duke qenë në shërbim të politikës së shtetit totalitar. Me vendosjen e pluralizmit në Shqipëri, me asistencën e BE u hartua projektligji “Për Shërbimin e Kontrollit të Shtetit”, i cili u miratua nga Kuvendi i Shqipërisë në 31 gusht 1992. Libri është një mirënjohje të thellë , konsideratë, respekt dhe vlerësim maksimal për të gjithë trupën e audituesve dhe stafin mbështetës, të cilët me integritet, korrektesë dhe profesionalizëm kanë kontribuar dhe shërbyer në KLSH gjatë periudhë 90- vjeçare 1925-2015, duke pasur dëshirën e madhe dhe bindjen se 100-Vjetori i krijimit të KLSH-së do ta gjejë këtë institucion mes Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve) të vendeve anëtare të BE-së.

_____________________

Shtypur në Shtypshkronjën “Classic Print” Tiranë, 2015. Tirazhi: 200 kopje. Seria: botime KLSH – 16/2015/51 ISBN: 978-9928-159-41-0