Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare

Veprimtaria e KLSH përmes “lenteve” të të drejtave të njeriut
(Fjala në Mbledhjen e Tetë të Shoqatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, mbajtur në Tiranë, më 26-27 Qershor 2014)
I nderuar z. Totozani,
Të nderuar pjesëmarrës,
Dëshiroj para së gjithash t’Ju falënderoj për ftesën tuaj për këtë takim të tetë të Shoqatës së Avokatëve të Popullit të Mesdheut dhe t’Ju uroj suksese në punimet e kësaj Konference, që e konsideroj shumë të rëndësishme për zhvillimin e kulturës së mbrojtjes së plotë të të drejtave të njeriut në viset tona mesdhetare dhe të dobishme edhe për institucionin që unë drejtoj.
Mendoj se partneriteti midisi dy institucioneve të pavarura kushtetuese, si ai i Avokatit të Popullit dhe i Kontrollit të Lartë të Shtetit, lind natyrshëm, mbi bazën e misionit kushtetues që këto institucione publike kanë. Me Kushtetute dhe ligj integral të veçantë, Avokati i Popullit mbron zbatimin e të drejtave të njeriut në aktivitetin publik të institucioneve shtetërore, ndërsa KLSH mbron interesat e taksapaguesve shqiptare në përdorimin e fondeve publike nga institucionet publike, duke u siguruar që ky përdorim fondesh të jetë ligjor, i rregullt dhe të përdoret me ekonomicitet, efektiv dhe efiçient. Institucioni i Avokatit të Popullit dhe ai i Kontrollit të Lartë të Shtetit janë dy institucione të cilat ekzistojnë dhe parashikohen në kushtetutën e çdo vendi demokratik në botë. Arma kryesore që çdo kushtetutë u ka dhënë institucioneve tona është pavarësia e tyre institucionale.
Me lejoni të theksoj se sot veprimtaria e Institucioneve Supreme të Auditimit (SAI-ve, ku bën pjesë dhe KLSH) po shtrihet gjithnjë e më tepër në fusha të reja dhe në terrene të paeksploruara më parë.
SAI duhet t’i kushtojë rëndësi të veçantë grupeve më vulnerabël të popullsisë, duke vënë theksin në temat e auditimit me natyrë social-ekonomike, në përfitim dhe në të mirë të anëtarëve më të dobët të shoqërisë. Në kohët e demokracisë moderne, Institucionet Supreme të Auditimit duhet të ndjehen përgjegjës edhe për mbrojtjen e demokracisë dhe të drejtave të njeriut. Në këtë kuadër, SAI duhet të promovojë dinjitetin njerëzor, liritë dhe të drejtat e njeriut, në përputhje me konventat ndërkombëtare ku janë përcaktuar ato. Ky nuk është vetëm një veprim që synon të realizojë një ideal të caktuar, por është një kauzë që synon të mbështesë të drejtat që burojnë nga Kushtetuta dhe marrëveshjet ndërkombëtare të ratifikuara, të cilat mbartin me vete një sërë detyrimesh ligjore. Ky është një realitet normativ dhe ka ndikimin e tij në mënyrën se si autoritetet shtetërore duhet të ushtrojnë veprimtarinë e tyre.
Për këto arsye, veprimtaria e një Institucioni Suprem Auditimi, pra dhe e KLSH, duhet të përfshijë ne vijimësi çështjet që lidhen me të drejtat e njeriut. Përgjatë rrugës së kryerjes së një auditimi, është e nevojshme të kryhet një ekzaminim i aktivitetit të pushtetit ekzekutiv nëpërmjet lenteve të të drejtave të njeriut, pasi ato sigurohen nga Kushtetuta e vendit dhe Konventat Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut. Ky ekzaminim duhet të plotësojë, por jo të zëvendësojë, auditimet e zakonshme mbi rregullshmërinë, ligjshmërinë dhe performancen e veprimtarisë shtetërore, dhe mendoj që duhet të zhvillohet në konsulencë pse jo edhe nën udhëheqjen e Avokatit të popullit
Ne si SAI kemi disa avantazhe unike përsa i takon ekzaminimit të programeve qeveritare që përfshijnë zbatimin e të drejtave të njeriut:
•Një Institucion Suprem Auditimi kryen një planifikim paraprak të planit të auditimit dhe është vetë ai që vendos mbi synimet dhe objektivat e auditimeve që do të zhvillohen;
•Në këtë kontekst, ne ndryshojmë nga pushteti gjyqësor, i cili është zakonisht pasiv dhe ndërmerr veprime, vetëm kur para tij paraqitet një apelim mbi çështje të caktuara;
•KLSH ka mundësinë dhe aftësinë për të patur një pamje më të qartë dhe të plotë në lidhje me përmbushjen e objektivave të Ekzekutivit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, siç mund të paraqitet për shembull në programet e rritjes së mirëqenies së popullsisë apo grupeve vulnerabël;
•Ne si SAI mund të përcaktojmë “a priori” se cilat fusha kanë nevojë për një vëmendje më të kujdesshme dhe më urgjente se të tjerat.
•Në të njëjtën kohë, mund të ndërmarrim shqyrtime afat-gjata, sistematike dhe te zgjeruara të institucione që auditojmë;
•Për më tepër, si SAI kemi mundësinë të ndërmarrim një proces të gjatë dhe gjithëpërfshirës, për sa i takon ecurisë së rekomandimeve të auditimeve tona.
Kjo mundësi është veçanërisht e rëndësishme kur bëhet fjalë për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pasi proceset ku përfshihet realizimi i të drejtave të njeriut nëpërmjet programeve qeveritare, sidomos atyre me natyrë social-ekonomike, kërkojnë një kohë të gjatë për t’u realizuar dhe shtrojnë domosdoshmërinë për reforma të gjera. Në përgjithësi, aspektet normative të të drejtave të njeriut, tek ne, si ne të gjithë botën, mbrohen nga autoritetet qeveritare. Eksperienca e jona dhe e përbotshme e organizatave INTOSAI dhe EUROSAI, lidhur me auditimet ku është përfshirë dhe zbatimi i të drejtave të njeriut, studimi dhe ndjekja me vëmendje e punës së palodhur të institucionit të Avokatit të popullit ka treguar se ekzistojnë boshllëqe dhe mospërputhje midis normave qeveritare ose shtetërore të vendosura dhe zbatimit të tyre në realitetin e përditshëm. E gjithë shoqëria dhe në veçanti ne si KLSH, duhet të japim ndihmesën tonë në mbushjen e këtyre boshllëqeve dhe në reduktimin e diferencave që ekzistojnë ndërmjet asaj se çfarë është e shkruar në letër në programin qeveritar dhe asaj që rezulton të zbatohet realisht.
Fushat e përgjithshme që lidhen me të drejtat e njeriut, në të cilat mund të përfshihet KLSH si një Institucion Suprem Auditimi, gjithnjë në konsultim të plotë me Institucionin e Avokatit të Popullit janë të shumta. Ato kanë të bëjnë kryesisht me:
•E drejta për dinjitet njerëzor;
•E drejta e pronës;
•E drejta për barazi gjinore;
•E drejta e privatësisë;
•Të drejtat e barabarta për punësim;
•Të drejtat e fëmijëve;
•Të drejtat bazë jetësore;
•Të drejta të tjera civile;
•Të drejta të tjera me karakter social-ekonomik.
Zbatimi i të drejtave të njeriut duhet të interpretohet, duke përdorur qasje të orientuara drejt një qëllimi apo objektivi të caktuar. Kjo metodë interpretuese e të drejtave të njeriut, synon të lidhë tekstin përkatës ligjor të shkruar me objektivat sociale të nënkuptuara në të. Ky interpretim duhet të jetë pragmatist dhe duhet të reflektojë pikëpamjet, synimet apo objektivat afat-gjata të shoqërisë. Në këtë interpretim, mund të kryhet krahasimi midis legjislacionit vendas shqiptar dhe atij ndërkombëtar, për të shqyrtuar nëse ato shkojnë në të njëjtën linjë, ose jo. Kjo mund të kryhet, p.sh., nëpërmjet një auditimi performance të përbashkët të KLSH dhe Institucionit të Avokatit të Popullit lidhur me praninë e mjaftueshme dhe zbatueshmërinë e drejtave të njeriut në legjislacionin aktual të vendit.
KLSH si Institucion Suprem i Auditimit, në cilësinë e strukturës mbikëqyrëse dhe audituese, duhet të japë sigurinë se të drejtat kushtetuese të njeriut respektohen ashtu siç duhet. Në këtë aspekt, Ne si SAI kemi një tjetër avantazh: atë të dhënies së rekomandimeve për përmirësime ligjore për Parlamentin, në rast se konstatojmë mospërputhje të Kushtetutës apo legjislacionit dytësor, me normat ndërkombëtare ligjore në fushën e të drejtave të njeriut. Shkeljet e të drejtave kushtetuese të njeriut mund të jenë të shumta. Shteti duhet të ndërtoj një sistem që siguron se të drejtat e njeriut mbrohen nga shkelja e tyre prej autoriteteve shtetërore. Në këtë drejtim, ne si SAI mund të na vijë në ndihmë funksioni që kryejmë në shqyrtimin nëse veprimet e subjekteve të audituara janë kryer në përputhje me kuadrin rregullator përkatës. Ky funksion i yni na jep mundësinë të vlerësojmë nëse të drejtat e njeriut mbrohen ashtu siç duhet. Si SAI mund të shqyrtojmë veprimtarinë e subjekteve të audituara, nën dritën e kufizimeve të mundshme, për sa i takon të drejtave të njeriut. Këto kufizime mund të jenë pjesë e të drejtave “civile” kushtetuese, si e drejta e fjalës së lirë dhe e barazisë, ose e të drejtave “sociale” kushtetuese, si e drejta e pronësisë, e drejta për të pasur edukim dhe shërbim shëndetësor, etj…
Një nga politikat tona si SAI në të ardhmen do të jetë që në konsultim me Avokatin e Popullit të përfshijmë elementë që lidhen me të drejtat e njeriut në sa më shumë auditime që të jetë e mundur.
Konkretisht, mund të auditojmë zbatimin e së drejtës së barazisë gjinore – përfaqësimit të femrave në pozicione drejtuese në sektorin publik. Përpjekjet për barazi gjinore janë në qendër të lëvizjeve për mbrojtjen e të drejtave të njeriut kudo në botë. Kuadri rregullativ i hartuar nga Qeveria për të parandaluar diskriminimet gjinore është shumë i gjerë, por pak i zbatueshëm në praktikë. Ekzistojnë shumë pengesa, disa prej të cilave të padukshme, që pengojnë implementimin e plotë të konceptit të barazisë gjinore, sidomos në vendet e punës së administratës publike. Barriera të padukshme nxisin një sjellje të tillë paragjykuese dhe pengojnë femrat, të cilat zotërojnë kualifikimet e nevojshme, të arrijnë pozicione drejtuese. Megjithëse më shumë se gjysma e punonjësve të shërbimit civil janë femra, vetëm një numër shumë i vogël prej tyre mbajnë pozicione të larta drejtuese apo menaxhuese brenda administratës shtetërore.
Mund dhe duhet të auditojmë zbatimin e së drejtës për dinjitet njerëzor në Programet dhe aktivitetet qeveritare që promovojnë sigurinë ushqimore. Të drejtat e njeriut nuk janë konceptuar vetëm për ata që kanë një mirëqenie të caktuar, por edhe për shtresën më të varfër, e cila duhet të gëzojë të njëjtin dinjitet njerëzor. Ky auditim do të adresojë një nga të drejtat bazë më elementare të ekzistencës dhe do të synojë të mbrojë të drejtat e pjesës më vulnerabël të shoqërisë. Edhe pse tek ne ekziston një kuadër rregullativ në këtë fushë (Ligji mbi Ushqimin), duhet parë sa efektive është politika qeveritare për Sigurinë Ushqimore. Siguria ushqimore duhet të promovohet dhe forcohet më tej, jo vetëm për familjet në nevojë të cilat nuk kanë mundësi të blejnë produktet e shtrenjta cilësore, por edhe për shoqërinë në tërësi, pasi çdo njeri ka të drejtën të ketë një mirëqenie të caktuar, brenda kufijve të pranueshëm.
Si përfundim, do të shprehesha se si Avokati i Popullit, ashtu dhe ne si KLSH, kemi shume pika të përbashkëta dhe kemi nevojën të bashkërendojmë veprimet tona, duke parë një potencial evident bashkëpunimi. Duke vlerësuar dhe respektuar punën dhe veprimtarinë konkrete të Avokatit të Popullit të Shqipërisë, ndoshta do të ishte më mirë që ky potencial të institucionalizohej këtej e tutje, në formën e një Marrëveshjeje afatgjatë Bashkëpunimi mes të dy institucioneve tona.
Ju faleminderit!