Fjala e mbajtur në Komisionin e Ekonomisë dhe Financave

datë 17.03.2014
Të pranishëm: Erion Braçe, Ridvan Bode, Anastas Angjeli, Andrea Marto, Arben Çuko, Majlinda Bufi, Ervin Koçi, Evis Kushi, Dashamir Shehi, Florion Mima, Blerina Gjylameti, Sherefedin Shehu, Ilir Xhakolli, Igli Cara, Paulin Sterkaj, Pjerin Ndreu dhe Liljana Elmazi.
Qysh në fillim të prezantimit të këtij projektligji të përgatitur nga KLSH-ja, më lejoni, të nderuar deputetë, të shpreh falënderimin për dashamirësinë dhe mirësinë që keni treguar ndaj këtij ligji, i cili më së fundi futet në agjendën e Kuvendit. KLSH-ja, në vijim të përpjekjeve për të përputhur veprimtarinë e vet me standardet ndërkombëtare të auditimit INTOSAI dhe me legjislacionin bashkëkohor të 3 institucioneve homologe dhe të zhvilluara, si dhe në zbatim të kërkesave e rekomandimeve të progres-raporteve të fundit të Komisionit Europian ka përgatitur amendimet e ligjit të tij organik nr. 8270, datë 23.12.1997, i ndryshuar, me ndihmën teknike të Drejtorisë së Përgjithshme të DG Budget të buxhetit të Komisionit Europian dhe të projektit SIGMA të BE-së dhe të OSBE-së. Nga ana tjetër, brenda vendit, ky proces është konsultuar me institucione të ndryshme shtetërore, më përfaqësues të shoqërisë civile. Në rrugë informale është diskutuar dhe me deputetë të Komisionit të Ekonomisë, me grupe të ndryshme interesi, duke përfshirë në veçanti qarqet akademike të fushës juridike dhe ekonomike.
Përfitoj nga ky rast që nga ky Komision i nderuar të falënderoj të gjithë ata përfaqësues, vendas dhe të huaj, që kanë kontribuar në përgatitjen e këtij projektligji. Do të lejoni që në fillim të fjalës sime të citoj një vlerësim nga drejtori i Përgjithshëm i DG Budget, me 18 tetor 2012. Pasi siguron për mbështetjen maksimale teknike të Komisionit Europian për amendimet e ligjit të KLSH-së, shprehet se: “Amendimet e sjellin institucionin e KLSH-së tërësisht në linjë me standardet INTOSAI”. Kujtoj këtu se këto amendime janë sjellë në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë me 29 nëntor 2012 dhe janë risjellë në legjislaturën e re. Zoti Robert Gielisse, drejtor njësie në DG Budget, i cili ka ardhur personalisht dy herë për ligjin e ri të KLSH-së, në tetor të vitit 2012, ku mori pjesë në tryezat e punës të organizuara me këtë rast, si dhe në dhjetor të vitit 2013, kur u takua me Kryetarin e Parlamentit, zotin Ilir Meta, gjatë konsultimeve me palët e interesit në nëntor të vitit 2013 ka cilësuar se: “Projektligji i ri jep një strukturë të qartë dhe terminologji të standardeve ndërkombëtare. Ai ka referenca të qarta për auditimet e performancës dhe përkufizim më të fortë të rolit dhe të të drejtave të KLSH-së”.
Amendimet e ligjit të KLSH-së janë një përparim i madh. Ato e sjellin auditimin e jashtëm publik në Shqipëri në një linjë me standardet ndërkombëtare. Domosdoshmëria e kryerjes së ndryshimeve në ligjin organik të mëparshëm të KLSH-së ka ardhur si rezultat i një sërë faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm, ku më kryesorët, më lejoni të citoj, kërkesat dhe angazhimet e Shqipërisë të përcaktuara në MSA. Sipas nenit 90 të MSA-së, bashkëpunimi mes palëve do të përqendrohet në fushat prioritare që lidhen me të drejtën e komunitetit, në fushën financiare, në fushat e kontrollit financiar të brendshëm publik e të auditimit të jashtëm. Palët bashkëpunojnë në mënyrë të veçantë për të zhvilluar një sistem efikas të kontrollit financiar të brendshëm publik dhe sistemet e auditimit të jashtëm në Shqipëri në përputhje me standardet dhe metodologjitë e pranuara botërisht, si dhe me praktikat më të mira të BE-së. Bazuar në këto përcaktime të MSA-së dhe në këto kërkesa të saj, progres-raportet e viteve 2010, 2011, 2012 dhe 2013 të Komisionit Europian për Shqipërinë kanë theksuar vazhdimisht kërkesat për kryerjen e llojeve të reja të auditimit, auditim performance dhe certifikimi, për forcimin e kapaciteteve të performancës së KLSH-së, për ndjekjen sistematike parlamentare të raporteve të KLSHsë, për mbrojtjen e interesave financiare të BE-së dhe së fundi miratimin e projektligjit të ri “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”. Më konkretisht, po citoj pjesë të shkëputura në progres-raportin e vitit 2011 për Shqipërinë. Komisioni Europian shprehet se: “Progres i limituar është bërë në llojet e reja të auditimit, të tilla si certifikimi dhe auditimi i performancës”. Amendimet në ligjin për institucionin suprem shtetëror të auditimit SAI, për ta sjellë atë plotësisht në linjë me standardet e tij INTOSAI, janë duke u përgatitur. Amendimet duhet të adoptohen në mënyrë që kuadri ligjor të sillet plotësisht në linjë me standardet INTOSAI. Ka akoma pak progres në fushat që lidhen me mbrojtjen e interesave financiare të BE-së. Në progres-raportin e vitit 2012 për Shqipërinë, Komisioni Europian, ndër të tjera, shprehet: “Pas vitesh nevojiten përpjekje të konsiderueshme për të forcuar kapacitetet e performancës së KLSH-së”. Pas disa vitesh në pezullim janë përgatitur dhe janë dërguar për miratim ndryshimet e ligjit të SAI-t për ta sjellë në përputhje të plotë me standardet e INTOSAI-t. Në progres-raportin e vitit 2013 për Shqipërinë, Komisioni Europian shprehet: “Ndryshimet në ligjin e KLSH-së janë në pritje dhe nevojitet përfshirja e një performance të qëndrueshme auditimi”. Janë ndërmarrë ndryshime organizative dhe procedura të reja për të rritur eficencën e KLSHsë. Megjithatë, ndryshimet në ligjin për KLSH-së janë duke u shqyrtuar në parlament që në vitin 2012 dhe mbetet të miratohen me një shumicë prej 3/5. Aktualisht, nuk ka ndjekje sistematike parlamentare të raporteve të KLSH-së.
Në standardet ndërkombëtare INTOSAI, dy prej tyre konsiderohen si më kryesoret: ISSAI 1, Deklarata e Limës, e quajtur ndryshe Kushtetuta e Komuniteteve Supreme të Auditimit dhe ISSAI 10, Deklarata e Meksikës, e cila flet për pavarësinë e SAI-ve. Projektligji i ri mbështetet plotësisht në këto standarde si dhe në standarde të tjera ndërkombëtare si ato të IFAC-ut dhe në rezolutat e kongreseve të INTOSAI-t dhe EUROSAI-it. Në këtë këndvështrim, miratimi i një ligji të ri për KLSH-në është i domosdoshëm në funksion të përqasjes së plotë me standardet ndërkombëtare të auditimit, gjë që ka ndodhur me shumicën e legjislacioneve të institucioneve homologe të auditimit.
Së dyti, përshtatja e legjislacionit të KLSH-së si institucion i auditimit të jashtëm me ndryshimet e bëra në legjislacionin për auditimin e brendshëm në sektorin publik. Ligji nr. 9720, datë 23.04.2007. “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik” në përmbajtjen dhe terminologjinë juridike mbetet një ligj bashkëkohor në krahasim me ligjin organik ekzistues të KLSH-së. Miratimi i një projektligji të ri për KLSH-në, në vazhdim të punës së bërë për ligjin “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik” si dhe asimilimin në ligj të standardeve ndërkombëtare të auditimit plotëson në tërësi kuadrin e nevojshëm ligjor për sa i përket auditimit të brendshëm dhe të jashtëm në sektorin publik.
Së treti, zëvendësimi i terminologjisë së vjetër juridike të ligjit ekzistues me terminologjinë bashkëkohore. Ligji organik i KLSH-së nr. 8270, datë 23.12.1997, vazhdon të mishërojë terminologji të vjetër juridike dhe financiare të një periudhe kur ky institucion konsiderohej si një institucion i kontroll-revizionit të pasqyrave financiare. Kjo terminologji aktualisht nuk përdoret më në legjislacionet e institucioneve homologe. Madje, as në legjislacionin tonë mbi auditin e brendshëm në sektorin publik. Kështu, për shembull, termi “kontroll” nuk i përshtatet kërkesave të standardeve ndërkombëtare dhe nuk përputhet plotësisht me konceptin dhe përmbajtjen e termit “auditim”, i cili ka fituar qytetari edhe në vendin tonë.
Risitë e projektligjit të paraqitur:
1.Zgjerimi i objektit të veprimtarisë audituese
Në projektligjin e ri janë përcaktuar dhe përkufizuar, krahas auditimit të përputhshmërisë dhe rregullshmërisë financiare edhe kryerja e auditimit të performancës, auditimit të IT-së dhe certifikimit të llogarive financiare. Përcaktimi në ligj i të gjitha llojeve të auditimit është i domosdoshëm dhe e vendos KLSH-në në një nivel zhvillimi dhe performance me institucione moderne. Më lejoni të citoj këtu një personalitet të INTOSAI-t, dr. Moser, president i Gjykatës së Auditimit të Austrisë: “Auditimi dhe këshillimi janë dy fytyra të së njëjtës monedhë”. Nga njëra anë, problemet dhe mundësitë për përmirësim janë analizuar dhe identifikuar gjatë retrospektivës, pra auditimeve të bazuara në fakte dhe, nga ana tjetër, ato plotësojnë me qasjen e këshillimit largpamës me rekomandime për të përmirësuar dhe rritur ekonominë, si dhe efektivitetin e qeverisjes publike. Ligji i ri jep këtë mandat të zgjeruar auditimi, duke futur konceptin dhe veprimin e auditimit të performancës. Një risi është që auditimi në KLSH, në mbrojtje të kërkesave financiare të BE-së dhe zbatim të MSA-së duhet të zhvillohet ndaj përdoruesve të fondeve të ofruara nga BE ose organizatave të tjera ndërkombëtare. BE-ja, gjatë periudhës 2014- 2020, ka vendosur rregulla të forta të kontrollit financiar. Ato bazohen në direktivat e Komisionit Europian për sistemet e kontrollit efektiv dhe auditimit të fondeve të BE-së si një nga çështjet kyçe. Administratat në nivel kombëtar, rajonal dhe lokal kanë më shumë përgjegjësi për të ndërtuar një sistem efektiv të kontrollit. Politika e kohezionit, e zbatuar kohët e fundit nga BE, u kërkon organizmave kombëtarë të vendeve përfituese të fondeve të BE-së një rol më të madh në monitorimin dhe kontrollin financiar të projekteve. Zgjerimi i mandatit auditues të KLSH-së nëpërmjet përfshirjes në ligjin e ri të së drejtës për të audituar fondet e BE-së, përkon me praktikat e mira në menaxhimin, kontrollin financiar dhe procedurat e fondeve strukturore të shteteve të ndryshme të BE-së. Ai përfshin menaxhimin e buxhetit të fondit, raportimin si dhe kërkesat e kontrollit financiar dhe të auditimit.
2. Auditimi dhe certifikimi i pasqyrave financiare vjetore për njësitë e qeverisjes së përgjithshme dhe dhënia e opinionit për to
Kjo ka qenë edhe një kërkesë e vetë ligjit organik, të neneve 62 dhe 63, të buxhetit. Në projektligjin e ri ato trajtohen respektivisht në nenet 9 dhe 10. Në nenin 9 parashikohet kompetenca e KLSH-së për auditimin e llogarive vjetore të institucioneve. Konkretisht: KLSH-ja ka kompetencë të auditojë zbatimin e buxhetit nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme, si dhe nga personat e tjerë juridikë, duke përfshirë llogaritë vjetore. KLSH-ja çdo vit jep opinionin për raportin e konsoliduar vjetor të zbatimit të buxhetit, i cili përfshin dhe vlerësimin e bërë bazuar në nenin 15, paragrafi 1. Terminologjia është përshtatur me atë të përdorur në ligjin organik të buxhetit. Paragrafi i fundit i këtij neni është shtuar me sugjerimin e SIGMA-s, në mënyrë që të harmonizohet me ligjin organik të buxhetit, nenet 62 dhe 63. Referuar nenit 62 të ligjit organik të buxhetit të shtetit përcaktohet që: një kopje e raportit vjetor të konsoliduar të buxhetit të shtetit, të cilin ministri i Financave e paraqet brenda muajit maj në Këshillin e Ministrave i dërgohet edhe KLSH-së, që auditon llogaritë vjetore të buxhetit.
Gjithashtu, në nenin 10 të projektligjit të ri përcaktohet qëllimi i kryerjes së këtij lloj auditimi, sipas të cilit nga auditimet financiare KLSH-ja duhet të përcaktojë nëse rezultatet dhe gjendja financiare e raportuar e subjektit që auditohet si dhe përdorimi i burimeve janë paraqitur saktë dhe në përputhje me rregullat e raportimit financiar. Vendosja e këtyre përcaktimeve garanton kryerjen e auditimeve financiare, pra dhënien e opinionit mbi pasqyrat financiare, të njësive të qeverisjes së përgjithshme. Në standardin ndërkombëtar të auditimit të SAI-ve, ISSAI 2/200, në standardet e IFAC-ut, objektivi dhe parimet e përgjithshme që drejtojnë auditimin e pasqyrave financiare, paragrafi i tretë, përcaktohet se qëllimi i një auditimi është rritja e shkallës së besimit për përdoruesit e caktuar të pasqyrave financiare. Kredibiliteti i pasqyrave financiare të përgatitura nga njësitë e qeverisjes së përgjithshme do të rritet nëse opinionet e auditimit janë paraqitur në mënyrë të saktë dhe në përputhje të plotë me kërkesat e standardeve ndërkombëtare.
Deklarata e Limës gjithashtu përcakton se koncepti i realizimit të auditimit është i qenësishëm në administrimin publik financiar, pasi menaxhimi i fondeve publike nënkupton besim. Këto i kemi parashikuar edhe në planin strategjik të zhvillimit institucional nën objektivin 2/2 “Zhvillimi i kompetencave të auditimit financiar dhe të kapaciteteve, për periudhën 2013-2017. KLSH-ja duhet të përgatisë veten për lëshimin e një opinioni mbi raportin e ekzekutimit të buxhetit të konsoliduar dhe dhënien e opinioneve mbi pasqyrat financiare të subjekteve të audituara. Kjo nënkupton një rishikim të një manuali të auditimit financiar, duke përfshirë edhe udhëzime mbi opinione të auditimit dhe të raportimit. KLSH do të angazhohet në ndërtimin e kapaciteteve audituese për kryerjen e këtij auditimi.
Jeni në dijeni, që ne kemi fituar nga fondet e projektit IPA 2013. Në këtë aspekt kemi parashikuar një kuadër të plotë skemash operacionale, të cilat synojnë zhvillimin e metodologjive apo të kuadrit rregullator, manuale, udhëzime etj., për implementimin e amendimeve ligjore për sa i përket kryerjes së certifikimit të llogarive vjetore.
3.Përmirësimi i marrëdhënieve me subjektet e audituara
Projektligji i ri fuqizon të drejtën e KLSH-së për sigurimin prej subjekteve të audituara të të gjithë informacionit dhe dokumentacionit shkresor dhe elektronik që ajo i konsideron të nevojshme për realizimin e detyrave audituese. Parashikohet që këto subjekte jo vetëm që do të sigurojnë të gjithë informacionin dhe dokumentacionin e kërkuar brenda një afati, qoftë edhe kur ai përbën një sekret shtetëror apo konsiderohet si konfidencial, por këto subjekte duhet që brenda një afati të caktuar kohor të raportojnë edhe në lidhje me marrjen e masave dhe ecurinë e zbatimit të rekomandimeve të bëra nga KLSH-ja pas përfundimit të auditimit. Neni 25 synon të ezaurojë të gjithë problematikën e deritashme në lidhje me mosdhënien e informacionit apo dokumentacionit nga subjektet apo pengimi i detyrës. Sipas komenteve të SIGMA-s mundësia për të shfrytëzuar të gjithë bartësit e informacioneve dhe autoriteti i KLSH-së për të vendosur vetë për çka i nevojitet, është një përmirësim i rëndësishëm krahasuar me ligjin në fuqi, ku jepet një përshkrim i ngushtë i asaj çka KLSH-ja mund të kërkojë. Për këtë shprehet qartë edhe Parimi 4 i Deklaratës së Meksikos, ku thuhet se: “SAI duhet të ketë kompetenca të mjaftueshme për të marrë në kohë dhe në mënyrë të drejtpërdrejtë të gjitha dokumentet e nevojshme dhe informacionet për ushtrimin e përgjegjësive. Gjithashtu, në projektligj shprehet qartazi një qasje akoma dhe më miqësore kundrejt subjekteve të audituara, si në lidhje me të drejtën e këtyre subjekteve për t’u njohur me planin e auditimit, ashtu edhe me të drejtën për t’u informuar dhe dhënë shpjegimet në lidhje me gjetjet e pasqyruara në procesverbalet dhe projektraportet e auditimit, të cilat bazuar në projektligjin e ri, janë të detyrueshme për t’u evidentuar në raportin përfundimtar.
4.Transparenca e rritur e veprimtarisë së KLSH-së ndaj publikut
Është parashikuar një dispozitë e veçantë në lidhje me informimin e publikut, neni 32, e dalë kjo nga tryezat me organizatat e shoqërisë civile, sipas të cilës KLSH-ja siguron natyrën publike të veprimtarisë së vet nëpërmjet raporteve të paraqitura në Kuvend, publikimit të raporteve të auditimit në mënyrë elektronike, zhvillimit të konferencave për shtyp dhe metodave të tjera të informimit në media, sigurisht në respekt me dispozitat ligjore përkatëse në lidhje me sekretin shtetëror, tregtar apo konfidencial. Ligji i ri siguron transparencë të plotë të institucionit me publikun, në bazë të direktivave të drejtimit të katërt strategjik të EUROSAI për vitet 2011-2017, i cili është qeverisja dhe komunikimi. Nga ana tjetër, sjell në vëmendjen tuaj që Deklarata e Pekinit në Kongresin XXI të INTOSAI-t, ka theksuar se: “SAI ndihmoi në ndërtimin e komunikimit dhe besimit midis sektorit publik dhe qytetarëve, duke promovuar qeverisje të hapur dhe duke mundësuar që qytetarët të marrin pjesë aktive në proceset e vendimmarrjes publike.
5.Certifikimi i audituesve të KLSH-së
Projektligji realizon përcaktimin e qartë dhe të plotë të statusit të nëpunësve të KLSH-së, duke parashikuar një sërë dispozitash ku evidentohen të drejtat, detyrimet dhe kushtet që duhet të plotësojnë punonjësit e KLSH-së, sidomos ata me detyra audituese. Më lejoni të citoj përsëri Robert Gielisse, drejtor njësie në DG Budget, cili thekson se: “Certifikimi i audituesit është dëshmi e kompetencës mbi standardet e auditimit dhe lejon komunikim të standardizuar profesional”. Gjithmonë, kjo është në vlerësim të projektligjit tonë. Në dispozitat e fundit të këtij projektligji është parashikuar procedura ligjore për marrjen e statusit si auditues i jashtëm publik i certifikuar, status ky që do të siguronte një qëndrueshmëri dhe siguri të stafit të KLSH-së në ushtrimin e detyrës dhe kompetencave të tij ligjore.
6.Pavarësia financiare e KLSH –së
Pavarësia financiare u garanton SAI-ve pavarësinë e funksionimit normal ligjor, duke u dhënë mundësinë për të realizuar detyrat e tyre kushtetuese dhe ligjore, bazuar në deklaratën e Limës, neni 7 i saj, si dhe në deklaratën e Meksikos të vitit 2007, që i përkushtohej tërësisht pavarësisë së institucioneve supreme të auditimit.
Sigurimi i pavarësisë financiare dhe vepruese është ndër objektivat kryesore të përfshira në drejtimin e parë strategjik të strategjisë EUROSAI 2011-2016 për ndërtimin e kapaciteteve, si dhe në drejtimin e katërt të strategjisë INTOSAI 2011-2016 për një SAI të fortë dhe model.
Neni 5 i projektligjit të ri për KLSH-në e forcon pavarësinë financiare të institucionit, në vijim të ligjit të mëparshëm, pasi kjo pavarësi, në një farë forme, ka ekzistuar deri më sot. Mjetet financiare të KLSH-së përballohen nga buxheti i shtetit, me një kapitull të veçantë. Në ligjin e ri parashikojmë që KLSH-ja të propozojë çdo vit projektbuxhetin e saj në Komisionin për Ekonominë dhe Financat, i cili e paraqet për miratim në Kuvend. KLSH-ja zbaton në mënyrë të pavarur buxhetin e saj të aprovuar nga Kuvendi. KLSH-ja përgatit çdo vit llogaritë e saj financiare në përputhje me legjislacionin për buxhetin. Llogaritë auditohen nëpërmjet një komisioni të posaçëm dhe të pavarur, i caktuar nga Kuvendi dhe që raporton te ky i fundit ose te Komisioni i Ekonomisë.
Këto ishin në mënyrë të përmbledhur risitë e këtij projektligj.
Të nderuar deputetë,
Për të qenë të ndërgjegjshëm dhe koherentë me profilin që duam të ndërtojmë si institucion suprem auditimi (SAI), kemi lënë edhe disa çështje për të cilat ne mendojmë se është, natyrisht, e drejta juaj, pa dyshim, për t’i vënë pikat mbi I. Më konkretisht, si “mangësi” të këtij projektligji mund të përmendim: mospërfshirjen sa duhet dhe në një mënyrë shumë eksplicite të rritjes së nivelit të zbatueshmërisë së rekomandimeve të KLSH-së, detyrimin e njësive të qeverisjes së përgjithshme dhe vendore për këtë gjë, pavarësisht se ne tani kemi një nivel të zbatimit të rekomandimeve tona në masën 75%. Më duhet t’ju rikujtoj se për masën disiplinore “Largim nga detyra” për drejtuesit e lartë asnjëherë nuk kemi shkuar mbi 50%.
Trajtimin e veçantë të së drejtës që ka KLSH-ja në drejtim të auditimit të koncesioneve. Ne do t’ju sjellim edhe praktikat më të mira të institucioneve homologe të rajonit apo edhe më gjerë.
Trajtimin e të drejtës që KLSH-ja ka në administrimin e të ardhurave dytësore, që institucioni mund të krijojë nga bashkëpunimi dhe angazhimi në auditime të ndryshme, nga botime të ndryshme, etj. Përmirësimin e trajtimit financiar të punonjësve të KLSH-së si garanci e pavarësisë së tyre audituese.
Trajtimin juridik të statusit të kryetarit të KLSH-së, pas mbarimit të mandatit, si dhe rastet e mbarimit të këtij mandati, duke pasur parasysh se pavarësisht sugjerimeve të SIGMA-s dhe të BE-së, që kërkojnë një përcaktim të fortë dhe strikt se kur përfundon mandati, kemi një vendim të Gjykatës Kushtetuese dhe jemi përpjekur në projektligjin tonë t’i referohemi dhe ta respektojmë këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese.
Edhe një herë, unë ju falënderoj jo thjesht për vëmendjen që treguat gjatë prezantimit të këtij projektligji, por edhe për dëshirën dhe vullnetin e mirë politik, qytetar që po tregoni si ligjvënës dhe keni treguar në vijimësi ndaj KLSH-së.
Ju faleminderit!