Prezantimi i Raportit të Buxhetit Faktik të vitit 2012

Të nderuar deputetë të Komisionit të Ekonomisë dhe Financave,
Objektivi ynë kryesor në Raportin e KLSH ‘Për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2012’, në respektim të detyrimit kushtetues, është dhënia e opinionit për raportin që Ministri i Financave dhe Këshilli i Ministrave paraqet në Kuvend ‘Për zbatimin e Buxhetit të Shtetit të vitit 2012’.
Opinioni ynë i Përgjithshëm: Në përputhje të plotë me Standardin ISSAI 1700 te auditimit suprem, për Zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2012, para miratimit të tij nga Kuvendi i Shqipërisë, është se përgatitja, shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2012, zbatimi, ndjekja dhe rishikimi i tij, të drejtat dhe kufizimet për huamarrjen, garancitë dhe format e tjera të rrjedhura prej tyre si dhe kontrolli, kontabiliteti, raportimi dhe auditimi i këtij buxheti, janë kryer në respektim të kërkesave të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”; të ligjit “Për buxhetin e Shtetit të vitit 2012”, të ndryshuar, si dhe të ligjit “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”.
Duke patur parasysh mjedisin tejet të pafavorshëm në të cilin u realizua Buxheti i vitit 2012, si pasojë e ndikimit në rritje të elementëve të krizës ekonomike dhe financiare botërore dhe sidomos në Eurozonë, vlerësojmë pozitivisht punën e bërë nga Qeveria, Ministria e Financave, Ministritë e tjera, Institucionet e tjera qendrore dhe vendore, si dhe entet e tjera publike të audituara, për përmbushjen e objektivave të Buxhetit të vitit 2012, si dhe për zbatimin e masave të programuara, në kuadër të Planit Kombëtar të Zbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit Shqipëri-BE.
Treguesit makroekonomikë
KLSH konstaton se treguesit fiskalë të konsoliduar të Buxhetit të Shtetit për vitin 2012, në tërësi janë realizuar. Të ardhurat e përgjithshme të Buxhetit të Shtetit janë 330,4 miliardë lekë. Shpenzimet e përgjithshme buxhetore janë 376,2 miliardë lekë. Defiçiti i Përgjithshëm i Buxhetit te Shtetit është 45,9 miliardë lekë, duke u mbajtur nën kontroll për vitin 2012. Borxhi publik arriti në 828,3 miliardë lekë (5.9 miliardë euro duke përfaqësuar 61.5 % të PBB-së).
Borxhi publik
Në bazë të standardit ISSAI 5440 për auditimin e Borxhit Publik ‘Udhëzim për planifikimin dhe kryerjen e nj auditimi mbi Borxhin Publik’, u përqëndruam në auditimin e ligjshmërisë së menaxhmit të borxhit publik për vitin 2012. Theksojmë se me ligjin nr. 114, datë 07/12/2012, te hyrë në fuqi me 3 Janar të vitit 2013, është hequr kufiri ligjor i borxhit prej 60% të PBB-së. Borxhi ngeli ngeli pa një tavan të përcaktuar, duke krijuar premisa për rritje të vazhdueshme të tij në periudhat në vijim.
Në vijim dhe të rekomandimit të lënë prej nesh në vitin 2012, i kemi rekomanduar Ministrise se Financave të ngrejë një grup pune me ekspertët më të mirë të fushës, për përgatitjen dhe paraqitjen e një nisme ligjore për vendosjen në Kushtetutë dhe në Ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” të treguesit të borxhit publik ndaj PBB-së. Në të të parashikohet që: “Përjashtim nga ky rregull të bëjnë rastet e katastrofave natyrore dhe krizave ekonomike”. Në momentin e kalimit të pragut të borxhit publik kundrejt PBB-së, Qeveria duhet të marrë masa për balancimin e Buxhetit.
Nga auditimi, konstatuam se ligji “Për menaxhimin e sistemit buxhetor” është i ndryshueshëm me vendimmarrje të thjeshtë në Kuvend. Me synim zvogëlimin e risqeve potenciale ndaj këtij ligji themeltar për menaxhimin e financave publike, kemi rekomanduar që ligji te ndryshohet vetëm me shumicë të cilësuar parlamentare.
Detyrimet ndaj sipërmarrjes private
Krahas rritjes së borxhit publik, shqetësim për ekonominë tonë përbëjnë dhe detyrimet që Buxheti i Shtetit ka kundrejt sipërmarrësve privatë. Në raportin “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2011”, kemi rekomanduar “saktësimin dhe shqyrtimin me realizëm të gjendjes së këtyre borxheve, si dhe përcaktimin e masave për të lehtësuar sa të jetë e mundur sipërmarrjen private nga kosto e kredive që ajo mund të ketë marrë për përmirësimin e situatës së saj financiare, nëpërmjet ndërhyrjes për ristrukturimin e kredive dhe ndërkohë mbledhjen e borxheve të këqija”. Nga auditimi konstatuam një përkeqësim të situatës dhe mos angazhim për të zbatuar rekomandimin tonë.
Kemi konstatuar praktika buxhetimi të çeljes së fondeve në mënyrë pjesore, apo realizim të investimeve të reja, pa mbuluar me fonde investimet në proces. Ministria e Financave nuk i ka të evidentuara detyrimet ndaj operatorëve ekonomikë për punë publike, mallra ose shërbime të kryera. Kemi rekomanduar që në Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2014” të parashikohet që të ardhurat nga privatizimet duhet të përdoren së pari dhe kryesisht për të ulur borxhin publik, ku 50% të jetë kufiri i poshtëm, dhe pjesa tjetër të shkojë për uljen e detyrimeve për faturat e papaguara ndaj sipërmarrësve privatë për punët publike të realizuara. Të parashikohet që institucionet buxhetore, gjatë detajimit të fondeve të investimeve publike të kenë detyrimin e përfshirjes në financimin e vitit “në rradhë të parë” të të gjitha investimeve të kontraktuara, apo punimeve të cilat rezultojnë të realizuara dhe nuk janë financuar për vitin ushtrimor. Këto procedura të përfshihen në udhëzimin specifik për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2014.
Për shkak të ndjeshmërisë së madhe që ka fenomeni i detyrimeve të Buxhetit të Shtetit ndaj kontraktorëve privatë, fokusuam auditimin edhe në mënyrën e rregjistrimit në sistemin e tij informatik. Nga auditimi i kryer në disa degë thesari, rezultoi se për kontratat shumëvjeçare, regjistrimi në sistem kryhet për vlerën totale dhe për vitin korrent. Për vitin buxhetor 2013 evidentohet vlera e mbetur e kontratës, duke mos marrë në konsideratë afatet e realizimit të këtyre kontratave në vite dhe nevojën për financime sipas këtyre afateve. Kemi rekomanduar që në Udhëzimin standard të zbatimit të Buxhetit të shtohet përcaktimi që: “Degët e thesarit në rrethe, në rastin e kontratave shumëvjeçare, të regjistrojnë në sistem kontratat në shtrirje sipas viteve të parashikuara”.
Korrektimi i buxhetit
Kemi rikonstatuar rishikimin e treguesve buxhetorë gjatë zbatimit të buxhetit, i shkaktuar, në gjykimin tonë, nga parashikimi optimist i performancës së të ardhurave buxhetore në fillim të vitit. Kjo situatë ka sjellë reduktimin e shpenzimeve buxhetore gjatë vitit, gjë që u shoqërua me efekte negative në ruajtjen dhe mbajtjen e një disipline fiskale efektive. Për vitin 2012, konstatuam se të ardhurat buxhetore u korrektuan me rreth 23 miliardë lekë dhe shpenzimet me rreth 14 miliardë lekë. Defiçiti buxhetor u korrektua me rritje me 8 miliardë lekë.
Duke e konsideruar një situatë të tillë të papranueshme, kemi rekomanduar që Ministria e Financave të marrë masa për realizimin e proceseve të planifikimit buxhetor mbi baza realiste, duke forcuar kapacitetet planifikuese, me synim që të ndërpriten praktikat e korrektimit të buxhetit gjatë zbatimit të tij.
Konsolidimi i pasqyrave financiare.
Në vijimësi, në raportet tona kemi evidentuar problematikën e mungesës së pasqyrave financiare të konsoliduara të Shtetit, situatë që është përsëritur edhe këtë vit. Kemi rekomanduar që Ministria e Financave të marrë masa të menjëhershme për përgatitjen e pasqyrave financiare të konsoliduara të shtetit për vitin 2012, dhe në vijim të realizohet rishikimi brënda një kohe të shkurtër i kuadrit të plotë rregullator të raportimit financiar në sektorin publik, duke mbajtur parasysh Standartet Ndërkombëtare të Kontabilitetit.
Hartimi i bilancit të shtetit, në përputhje me standardet ndërkombëtare të kontibilitetit publik është një objektiv për të cilin është parashikuar realizim gradual. Duke vlerësuar si të domosdoshme pasqyrat financiare të konsoliduara të Shtetit në marrjen e një pamje të qartë të situatës financiare të Shtetit, por edhe duke njohur rëndësinë e tyre për të siguruar një qeverisje më të mirë, kemi rekomanduar që Ministria e Fianncave (Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit) të marrë masa të menjëhershme për përgatitjen e pasqyrave financiare të konsoliduara të Shtetit për vitin 2012, dhe në vijim të realizohet rishikimi brenda një kohe të shkurtër i kuadrit të plotë rregullator të raportimit financiar në sektorin publik, duke mbajtur parasysh Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit të Sektorit Publik, si dhe duke i dhënë rëndësinë e duhur fuqizimit të sektorit të kontabilitetit dhe raportimit financiar në Drejtorinë e Përgjithshme të Thesarit.
Fondi rezervë i Këshillit të Ministrave dhe i kontigjencave
Nga auditimi i përdorimit të Fondit Rezervë të Këshillit të Ministrave për vitin 2012, në shumë nga projektet u konstatua përdorimi korrekt, ekonomik dhe ligjor i këtij fondi nga Këshilli i Ministrave.
Gjatë auditimit të përdorimit të Fondit të Kontigjencës, konstatuam përdorimin e tij me Vendim të Këshillit të Ministrave për qëllime të tjera. Kemi rekomanduar që në planifikim, në ligjin vjetor të buxhetit, Ministria e Financave të kërkojë që përdorimi i Fondit të Kontigjencës për ruajtjen e defiçitit buxhetor, të bëhet me miratim nga Kuvendi i Shqipërisë.
Garancitë shtetërore në dobi të palëve të treta
Gjatë auditimit të garancive shtetërore në dobi të palëve të treta, rishtas konstatuam shuma të konsiderueshme të papaguara nga huamarrësit dhe përfituesit e garancive shtetërore, kryesisht ndermarrjet e ujësjellësit. Detyrime e tyre u rritën në 5.6 miliardë lekë në fund të vitit 2012, nga 1.7 miliardë lekë qe ishin në vitin 2011. Edhe njëherë, kemi rekomanduar kryerjen e inspektimeve financiare për ndërmarrjet e ujësjellësve përfituese të nënhuave dhe garancive, ne lidhje me mënyrën e menaxhimit të fondeve publike dhe dokumentimin, inventarizimin dhe kontabilizimin e drejtë të përfitimeve të tyre nga projektet.
Financimi me përparësi për dëmshpërblimin e të përndjekurve politikë:
Me ndjeshmërinë e të gjithë shoqërisë për përparësinë që duhet të ketë trajtimi financiar i shtresës së ish të përndjekurve politikë, si dhe nga situata aktuale jo në përmirësim, kemi rekomanduar që të shqyrtohet mundësia që në Ligjin “Për buxhetin e shtetit të vitit 2014” të parashikohet financimi me përparësi nga të ardhurat e privatizimit të dëmshpërblimit ligjor të ish të përndjekurve politikë. Ndoshta 20 përqind e këtyre të ardhurave duhet të përdoret për këtë dëmshpërblim.
Auditimi i kryer në Bankën e Shqipërisë
Duke vlerësuar maksimalisht rolin e rëndësishëm që ka pasur Banka e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit monetar dhe krijimin e një klime sa më garantuese për biznesin ne vend, si dhe duke patur parasysh gjendjen e ekonomisë të prekur ndjeshëm nga pasojat e krizës globale, gjendje e cila nuk kish si të mos ndikonte në politikat monetare të Institucionit, theksojmë se konstatimet e auditimit nuk mund të zhvlerësojnë përpjekjet e mëdha që Banka e Shqipërisë ka bërë për të arritur objektivat e saj.
Vërejtëm se sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” të vitit 1997, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës ka të drejtën për të përcaktuar nivelin e pagave dhe të shpërblimeve të stafit të Bankës së Shqipërisë. Nga auditimi rezultoi rregullshmëria ligjore e pagesave të mbështetura në vendimet e këtij Këshilli, por konstatuam mosrespektim të ndjeshmërisë qytetare në lidhje me nivelet shumë të larta të pagesave për drejtuesit, si pagë dhe shpërblime të ndryshme, të trajtimeve dhe për udhëtime e dieta, krahasuar me nivelin e pagës dhe trajtimet e punonjësve të institucioneve të tjera kushtetuese. Kemi rekomanduar që të fillojë nisma ligjore për rishikimin e Ligjit për Bankën e Shqipërisë, në frymën e minimizimit të riskut potencial të abuzimit me pavarësinë dhe shmangies së konfliktit të interesit, që evidentohet në praktikat e përcaktimit të pagave dhe shpërblimeve për nivelet drejtuese. Kërkuam që te përcaktohet një kornizë e kujdesshme rregullatore në lidhje me nivelin e pagës së Guvernatorit, e cila duhet të ndjekë trendin e pagave të tregut bankar, por gjithmonë duhet të jetë në raporte të pranueshme, krahasuar me pagën e Presidentit të Republikës, bazuar kjo në përvojat dhe praktikat më të mira të vendeve të ngjashme, por pa harruar përshtatshmërinë me realitetin shqiptar. Kërkuam gjithashtu, të vendosen nivele të arsyeshme për shpërblimin e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës te Bankës, qe këto paga të mos jenë më shumë se sa paga e anëtarëve të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë.
Konstatuam edhe se, sipas ligjit “Për Bankën e Shqipërisë” të vitit 1997, Këshilli Mbikëqyrës i saj ka të drejtën të caktojë audituesin e jashtëm të Bankës nga institucionet audituese të njohura në arenën ndërkombëtare. Rekomanduam ndryshimin e mënyrës së përzgjedhjes së audituesit të pasqyrave financiare te Bankës, për të shmangur konfliktin e interesit në përzgjedhjen e tij, duke ia kaluar këtë kompetencë Kuvendit të Shqipërisë, referuar edhe praktikave më të mira botërore. Kërkuam që Kuvendi të përzgjedhë vetëm audituesin ndërkombëtar të pavarur, ndërsa pagesa e shërbimit të mbulohet nga Banka e Shqipërisë.
Ne, si Institucion Suprem Auditimi mendojmë që Komisioni i Ekonomisë, Komisioni i Ligjeve dhe Kuvendi duhet ta trajtojnë këtë problematikë në thellësi, në mënyrë që, duke mos cënuar pavarësinë e këtij Institucioni të rëndësishëm dhe në kujdes të ruajtjes së qëndrueshmërisë së burimeve njerëzore cilësore të tij, të bëhen ndryshimet e nevojshme ligjore, në bashkëpunim dhe në respekt të Bankës së Shqipërisë dhe drejtuesve të saj, por mbi të gjitha, në respekt të ndjeshmërisë qytetare.
Të ardhurat buxhetore nga tatimet
Për vitin 2012, strukturat e tatimeve mblodhën 3.2% më pak se viti 2011. Ne kushtet kur ekonomia rritet, edhe pse në mënyre modeste, kjo dëshmon punë të pamjaftueshme dhe jo efiçiente të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe njësive të saj vartëse. Konstatuam se Njësia e Tatimpaguesve të Mëdhenj krijon rreth 46% të të ardhurave tatimore, ndërkohë që ajo ka një strukturë me 140 punonjës. 1,279 punonjës të tjerë realizojnë 54% të të ardhurave tatimore, pa përmendur strukturën e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve me 187 punonjës. Këto zhbalancime kërkojnë një ristrukturim të kujdesshëm të tatimeve, për t’i bërë ato efiçiente.
Për vitin 2012, borxhi tatimor rezultoi në një nivel shumë të lartë, me rreth 70 miliardë lekë, me një rritje 8% nga viti 2011. Megjithë pakësimin e debitorëve si pasojë e zbatimit të ligjit “Për legalizimin e kapitalit dhe faljen e një pjese të Borxhit Tatimor dhe Doganor”, rritja e borxhit tatimor thekson paaftësinë e administratës tatimore në mbledhjen e borxhit tatimor.
Konflikti i kompetencave me DPT
Një problem tepër shqetësues dhe tejet pengues për KLSH-në në ushtrimin e detyrave të tij kushtetuese dhe ligjore, i cili vazhdon prej vitesh dhe kërkon zgjidhje të menjëhershme, është konflikti i kompetencave, i krijuar artificialisht, ndërmjet KLSH dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve. DPT, aktualisht është i vetmi institucion shtetëror që nuk i nënshtrohet procesit të auditimit të të ardhurave, siç përcaktohet në Deklaratën e Limës ose ndryshe Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditimit, në Kushtetutën e Shqipërisë, ne Ligjin Organik të KLSH dhe në standardet ndërkombëtare të auditimit. Kjo çështje po shkon drejt zgjidhjes, me vendimin e fundit të Gjykatës së Apelit, që i ka dhënë të drejtë KLSH.
Të ardhurat buxhetore nga organet doganore
Nga auditimi konstatuam një punë te vlerësueshme nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave në realizimin e të ardhurave tatimore nga sistemi doganor për vitin 2012. Këto të ardhura janë ne rritje në krahasim me një vit më parë.
Gjatë vitit 2012, borxhi doganor rezulton me rritje, duke u shtuar në subjekte dhe në vlerë. Konstatuam përpjekje të pafinalizuara të autoriteteve doganore kompetente dhe strukturave të specializuara të Administratës Doganore, për rikuperimin e borxhit doganor, qoftë dhe me forcë, ndërkohë që gjatë auditiveve në gjashtë degë doganore, kemi konstatuar dëm ekonomik.
Buxheti i pushtetit vendor
Për të mundësuar dhënien e një opinioni të bazuar për zbatimin e ligjshmërisë nga njësitë e pushtetit vendor, kemi audituar 40 subjekte, nga të cilat 22 bashki, 11 komuna, 2 këshilla qarqesh, 2 prefektura dhe 3 ndërmarrje në varësi të Bashkisë Tiranë.
Nga auditimi ka rezultuar se, të ardhurat në total në pushtetin vendor janë realizuar në masën 98.1%. Kundrejt të ardhurave të realizuara në vitin 2011, të ardhurat e realizuara në vitin 2012 janë ulur me 9.2 përqind. Shpenzimet faktike të vitit 2012 rezultuan në masën 101.1% kundrejt planit, dhe në ulje me 2.8% kundrejt një viti më parë.
Kemi rekomanduar marrjen e masave urgjente nga organet e pushtetit vendor, për përmirësimin e gjendjes dhe shpërblimin e dëmit ekonomik të konstatuar.
Buxheti i Sigurimeve Shoqërore
Sigurimet shoqërore sigurojnë 15% të të ardhurave të Buxhetit të Shtetit. Për vitin 2012, ato grumbulluan 49,3 miliardë lekë, duke mos realizuar me 2.8 % planin vjetor. Konstatuam mosrealizim të të ardhurave të programuara. Kemi rekomanduar marrjen e masave të menjëhershme nga ISSH, Ministria e Financave dhe DPT dhe hartimin e një udhëzimi të Ministrit të Financave, ku të përcaktohet mënyra e raportimit dhe evidentimit të kontributeve, mënyra e raportimit të të dhënave mujore dhe progresive për detyrimet e kontributeve të papaguara në afat dhe për kamatë-vonesat e tyre, si dhe sanksione më të ashpra për mosdorëzim të listepagesave brenda afateve.
Konstatuam se defiçiti i pensioneve është rritur ndjeshëm dhe vetëm për vitin 2012, krahasuar me PBB-në, zë rreth 1,5% të tij. Me qëllim uljen e deficitit, i kemi rekomanduar ISSH, në bashkëpunim me Ministrinë e Financave dhe DPT, që të studiojnë dhe propozojnë ndërmarrjen e një reforme të plotë për të gjithë sistemin e sigurimeve shoqërore për nivelin e personave të siguruar; sistemin e pensioneve; formulën aktuale të pensionit; evazionin fiskal; mënyrën dhe rregullat e indeksimit të pensioneve, si dhe skemat shtetërore të veçanta dhe suplementare të pensioneve, etj.
Investimet dhe projektet me financim të huaj dhe shoqëritë tregtare
Kemi audituar 7 projekte me financime të huaja, të cilat kanë pasur disbursime gjatë vitit 2012, ku kemi evidentuar mangësi dhe probleme të shoqëruara dhe me dëm ekonomik, kryesisht evazion fiskal si pasojë e mosderdhjes së detyrimeve të tatimit mbi të ardhurat.
Auditimi i kryer në 9 shoqëri aksionere ka identifikuar mjaft të meta dhe parregullsi në menaxhimin e tyre, madje dhe shkelje të ligjshmërisë në fushën e shpenzimeve në vlerën 524.1 milionë lekë. Kemi rekomanduar që për shoqëritë aksionere të audituara, Ministria e Ekonomisë dhe ministritë e tjera respektive të marrin masa të menjëhershme për mënjanimin e shkeljeve të disiplinës financiare.
Problem mjaft serioz vazhdon të mbetet gjendja e shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Fier. Edhe në auditimin e përfunduar në ditët e para të muajit shtator 2013, përsëri kemi evidentuar mjaft parregullsi dhe shkelje të legjislacionit me pasojë dëm ekonomik. Kemi kërkuar arkëtimin në rrugë ligjore të vlerës prej rreth 5,4 miliardë lekë që Shoqëria “Armo” sh.a. Fier, i detyrohet shoqërisë “Albpetrol” sh.a. Fier, detyrim ky që i përket vitit 2011. Për këtë detyrim, është bërë kërkesë padi në gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë në qershor të këtij viti, me paditës shoqëria “Albpetrol” sh.a. Fier dhe i paditur Shoqëria “Armo” sh.a. Fier.
Kërkuam gjithashtu arkëtimin e vlerës prej rreth 2,2 miliardë lekë për shlyerjen e detyrimit të furnizimit me naftë dhe gaz qe tre kompani private që operojnë në fushën e naftës dhe të gazit i kanë Albpetrol.
Auditimi i garancisë së ofertës në privatizimin e shoqërisë “Albpetrol”sha, Patos
Nga auditimi i ushtruar në Ministrinë e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, me objekt: “Auditim mbi ecurinë e arkëtimit të garancisë së ofertës së paraqitur nga shoqëria “Vetro Energy PTE Ltd” për privatizimin e shoqërisë “Albpetrol”sh.a, Patos”, konstatuam se garancia e ofertës që duhej të tërhiqej në rastin e një kandidati fitues, kur ai nuk arrin, që brenda afatit kohor të parashikuar në dokumentet standarte të tenderit të nënshkruajë marrëveshjen ose të dorëzojë garancinë e kontratës, të kërkuar nga marrëveshja, nuk është bërë e mundur të realizohej. Garancia e ofertës ishte 10% e çmimit total, që kandidati fitues ofroi për blerjen e aksioneve të shoqërisë “Albpetrol” sh.a, pra 85 milionë Euro.
Duke qenë se nuk u arrit, nga kandidati fitues, që brenda afatit kohor të parashikuar në dokumentat standarte të tenderit, të nënshkruhej marrëveshja, garancia e ofertës duhej të ishte arkëtuar në Buxhetin e Shtetit. Nga ana e Ministrisë janë bërë komunikime elektronike për procesin dhe garancinë e ofertës, por edhe pas mbylljes së procedurave të privatizimit e deri më tani, nuk është arkëtuar garancia bankare në shumën 85.000.000 euro, ose rreth 12 miliardë lekë, duke i shkaktuar dëm ekonomik Buxhetit të Shtetit në këtë shumë.
Arkëtimi i kësaj shume duhet të vazhdojë të ndiqet me përparësi nga të gjithë institucionet përgjegjëse shtetërore. Gjithashtu rekomandojmë që METE, në bashkëpunim me Avokatin e Shtetit, të kryejnë ndërhyrjet e duhura në aktet ligjore dhe nënligjore, për të përfshirë në formularët e garancive të ofertave dhe kontratave shtesë, që do ta bënin më të detyrueshëm zbatimin e garancisë së ofertës apo kontratës së nënshkruar nga kandidatët fitues, duke e detyruar subjektin përkatës të respektojë kushtet e tenderit dhe të gjitha detyrimet referuar kuadrit rregullator vendas e të huaj.
Koncesionet në fushën e bakrit, kromit dhe energjetikës
Auditimi i koncesioneve në fushën e bakrit, kromit dhe energjetikës nga ne ka filluar nga muaji qershor 2013. Ky auditim nuk është përfunduar, pasi për një periudhë prej një muaj e gjysme grupi i auditimit u pengua të realizojë misionin e tij nga ish Sekretari i Përgjithshëm Dardan Domi. Falë ndërhyrjes së ish ministrit, aktualisht Deputet i Kuvendit z. Florjon Mima, kjo situatë jo normale u kalua dhe puna audituese është ne proces.
Tregu informal i punës
Nga auditimi i Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore, rezulton nga të dhënat zyrtare, se niveli i informalitetit paraqitet shumë i ulët. Nëse kjo do të ishte gjendja reale, arritjet e Ministrisë Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta dhe Inspektoratit Shtetëror të Punës dhe Shërbimeve Shoqërore do të ishin madhore, duke na renditur ndër vendet me informalitet më të ulët në botë. Ne fakt, për gjendjen e informalitetit të përhapur tek ne kanë paraqitur shqetësim edhe organizmat ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore. Nga studimet e kryera prej tyre ose organizmave të tjerë, informaliteti paraqitet në nivele të larta. Konstatuam se inspektorët nuk e njohin situatën e subjekteve që zhvillojnë aktivitet në territorin që mbulojnë. Mungesa e të dhënave të dixhitalizuara në nivel kombëtar ka bërë që drejtoritë rajonale të kryejnë inspektime në një numër të vogël subjektesh. Për të ulur subjektivizmin e strukturave inspektuese, kemi rekomanduar inspektime me grupe të përbashkëta, ku të përfshihen Inspektoriati Shtetëror i Punës, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, Inspektoriati i Ndërtimit dhe veçanërisht Instituti i Sigurimeve Shoqërore, i cili është përfituesi direkt nga minimizimi i punës së zezë. Ky Institut me legjislacionin ekzistues është përjashtuar nga kjo e drejtë.
Menaxhimi financiar dhe kontrolli, performanca e auditimit të brendshëm në sektorin publik
Gjatë auditimit te kryer në njësitë shpenzuese të institucioneve buxhetore, konstatuam mjaft probleme të dokumentimit të veprimeve ekonomike; mbajtjes së kontabilitetit; caktimit të nëpunësit zbatues të njësive publike; përcaktimit të përgjegjësive materiale të punonjësve që shkaktojnë dëme ekonomike; si dhe të sanksioneve që duhen aplikuar për parregullsitë financiare, etj.
Ministria e Financave ka zbatuar rregullat e përcaktuara në Ligjin “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, por nga zbatimi në praktikë i këtij ligji konstatuam se ka mjaft probleme me menaxhimin financiar të fondeve publike. Kemi rekomanduar që Ministria e Financave të ndërmarrë procedurat e duhura ligjore për përmirësimin e ligjit “Për menaxhimin financiar dhe kontrollin”, duke kërkuar që të shtohen nene për dokumentet standarde vertetues të veprimeve ekonomike,që i japin dokumentit forcën e një prove ligjore ose administrative, të standardizohen programe kompjuterike të çertifikuara që duhet të përdorin të gjitha njësitë e qeverisjes për mbajtjen e kontabilitetit dhe plotësimin e pasqyrave financiare, si dhe të përcaktohet përgjegjësia financiare e punonjësve të njësive publike për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca gjatë ose në lidhje me procesin e ekzekutimit të detyrave zyrtare.
Lidhur me perfomancen e auditimit te brendshëm, konstatuam se, pavarësisht kritereve të përcaktuara në VKM “Për ngritjen e njësive të auditimit të brendshëm”, në këtë vendim nuk janë përcaktuar kritere të matshme për ngritjen e këtyre njësive në raport me rëndësinë dhe madhësinë sipas llojeve të institucionit dhe fondeve buxhetore që menaxhojnë këto institucione. Kemi rekomanduar qe Njësia Qendrore e Harmonizuar e Auditimit te Brendshëm ne Ministrinë e Financave të nisë procedurat ligjore për përmirësimin e VKM-së, me qëllim përcaktimin e kritereve të matshme për ngritjen e njësive të auditimit të brendshëm në institucionet buxhetore. Këto kritere të vendosen, duke mbajtur parasysh rëndësinë, madhësinë, strukturat vartëse, treguesit vjetorë buxhetorë, numrin e punonjësve të punësuar në këto njësi, si dhe tregues të tjerë.
Nga të dhënat e audituara, verifikohet një gjendje potenciale me rreth 1,100 auditues për t’u punësuar. Në këto kushte rekrutimi i punonjësve të pacertifkuar, nga titullarët e institucioneve, është në kundërshtim me nenin 19 pika 2, gërma’a’ e ligjit nr. 9720, datë 23.04.2007, ndryshuar me ligjin nr. 10318, datë 16.06.2010 ‘Për auditimin e brendshëm në sektorin publik’.
Nga auditimet e kryera nga KLSH, kanë rezultuar raste kur rekomandimet e dhëna nga Audituesi i Brendshëm nuk zbatohen. Në njësi të veçanta gjendja paraqitet tepër alarmante. P.sh. në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, nga 12 auditime të kryera janë lënë 69 rekomandime, nga të cilat nuk është zbatuar asnjë prej tyre, në Prefekturën Fier, nga 22 auditime të kryera janë lënë 339 rekomandime, nga të cilat nuk është zbatuar asnjë prej tyre.
Referuar dobisë ekonomike të auditimeve të KLSH, sjellim në vëmendjen Tuaj një tregues mjaft domethënës për shkallën e efektivitetit të veprimtarisë. Për vitin 2012, për çdo lek të Buxhetit të Shtetit të investuar në KLSH, janë kërkuar për tu zhdëmtuar 51,7 lekë, ose 87 përqind më shumë se një vit më parë.
Mbi bazën e të dhënave të mësipërme të realizimit të treguesve makroekonomike të vitit 2012 dhe nga analizimi i tyre, konkludojmë se ekonomia shqiptare mundi te rritej gjate këtij viti, ndonëse me ritme më të ngadalta. Ajo arriti te përballojë efektet e krizës ekonomike dhe financiare të Eurozonës, por pa ruajtur tërësisht ekuilibrat kryesorë makroekonomikë. Kështu, edhe pse niveli i defiçitit buxhetor vjetor u mbajt i ulur(3.4 perqind e PBB-së), Kuvendi, me propozim të Qeverisë, u shtrëngua të heqë tavanin e borxhit publik prej 60% të PBB-së. Ne gjendjen aktuale, Borxhi është veshtirësisht i menaxhueshëm, pse nuk ka kufi të sipërm limit.
Inflacioni u mbajt nën kontroll (sipas BSH, lëviz ne kufijtë 2.8-2.9 përqind) dhe për ketë duhen vlerësuar përpjekjet dhe politika monetare e ndjekur nga Banka e Shqipërisë.
Treguesit fiskalë shënuan ulje. Kështu, të ardhurat nga tatimet, në raport me PBB-në, ranë me një perqind, ndërsa të ardhurat doganore njohën vetëm një rritje të lehtë në vlerën monetare, por jo në raport me PBB-në, në krahasim me një vit më parë.
Shpenzimet buxhetore po ashtu shënuan ulje me rreth një perqind të PBB-së, në krahasim me një vit më parë, duke përfshirë dhe shpenzimet për investime kapitale. Ne përgjithësi, ato u mbajtën nën kontroll.
Krahas mendimeve dhe rekomandimeve të parashtruara më sipër, me synim miradministrimin e fondeve publike gjatë vitit të ardhshëm buxhetor 2014, duke patur parasysh porosinë e përmbajtur në Deklaratën e Pekinit të Kongresit të XXI-të të INTOSAI, se duhet ‘Të zhvillohet aftësia për të audituar fazat e planifikimit të financave publike, me qëllim që të nxitet ekzekutivi dhe legjislativi të vlerësojë projektet afatmesme dhe afatgjata, të cilët janë të lidhura me zhvillimet e mundshme të cikleve të ekonomisë, borxhit, programeve publike, si dhe angazhime të tjera si siguria sociale, pensionet, arsimi dhe kujdesi publik’ dhe nën këndvështrimin e rekomandimeve të Kongresit të V-të te EUROSAI-t për rritjen e rolit të Parlamentit në përgatitjen e Buxhetit të Shtetit, duke përdorur me efektivitet SAI-n, sugjerojmë:
 Përgatitjen e një Buxheti realist, duke shmangur praktikën e vërejtur vitet e fundit të korrigjimit të Buxhetit në gjysmën e vitit financiar;
 Vendosjen e një tavani kushtetues për borxhin publik në nivelin 60 perqind të PBB-së, me kusht që ai të tejkalohet vetëm në rastet e emergjencave, katastrofave natyrore, dhe krizave ekonomike. Ne rastet e tejkalimit të kufirit, Qeveria të marrë masa për balancimin e Buxhetit. Të vendoset në ligjin “Për Menaxhimin e Buxhetit një nen që të ardhurat nga privatizimi të përdoren në radhë të pare dhe jo më pak se 50 perqind, për uljen e Borxhit;
 Për borxhin e Qeverisë ndaj kontraktorëve privatë, vendosjen në Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2014” të nje neni që në të ardhurat nga privatizimet, pjesa e mbetur pas përdorimit të 50 përqind e lartë të fondeve për të ulur borxhin publik, të shkojë për uljen e detyrimeve për faturat e papaguara ndaj sipërmarrësve privatë për punët publike të realizuara. Kërkesën ndaj sistemit bankar që të mos bllokojë dhënien e kredive për kompanitë, të cilave Shteti u ka borxh;
 Vendosjen ne Ligjin “Për Buxhetin e Shtetit të vitit 2014” të një neni që përdorimi i Fondit të Kontigjencës për ruajtjen e defiçitit buxhetor, të bëhet me miratim nga Kuvendi i Shqipërisë;
 Zvogëlimin deri ne arkëtimin e plotë të vlerës së borxhit tatimor dhe doganor;
 Konsolidimin dhe mirëfunksionimin e strukturave të menaxhimit financiar, kontrollit dhe auditimit te brendshëm, në përputhje me kërkesat e legjislacionit të miratuar dhe me kërkesat e parashtruara nga BE për vendin tonë, në kuadër të Kontrollit të Brendshëm Financiar të Sektorit Publik.
Të nderuar deputetë,
Në deklaratën e Pekinit të Kongresit të XXI-të të INOTSAI-t të datës 31 tetor 2013, në kapitullin Ruajtja e Qëndrueshmërisë Afatgjatë të Financave Publike, theksohet se ‘Mësimet që rrodhën nga kriza ekonomike dhe globale e fillimit të shekullit të 21, kanë nënvizuar rëndësinë strategjike të qeverive në mbajtjen e financave publike të shëndosha, për të krijuar kushtet për rritje ekonomike, punësim dhe mirëqenie sociale. Nëpërmjet auditimeve të pavarura dhe të shëndosha, institucionet supreme të auditimit kontribuojnë në mbajtjen e qëndrueshmërisë afatmesme dhe afatgjatë të financave publike, në mbrojtje të interesit publik dhe forcimit të qeverisjes kombëtare në çdo vend’.
Kongresi i V-të i EUROSAI-t, komuniteti i institucioneve supreme të auditimit publik të Evropës, në Rezolutën e tij afirmon se ‘Eksperienca e gjerë e institucioneve supreme të auditimit (SAI-ve) dhe njohuritë e akumuluara ndërsa auditojnë zbatimin e Buxhetit të Shtetit, përbëjnë një potencial të rëndësishëm, i cili mund të përdoret përgjatë përgatitjes dhe zbatimit të Buxhetit’. Po kjo Rezolutë thekson se ‘Të specifikosh objektiva dhe rezultate në një Buxhet është një mjet shtesë i menaxhimit dhe kontrollit, për ta bërë atë një Buxhet final të orientuar nga rezultati dhe për të lejuar më shumë influencë të Parlamentit mbi Buxhetin’.
Bazuar në rekomandimet e Deklaratës së Pekinit dhe Rezolutën e Kongresit të V-të të EUROSAI-t për rolin e SAI-t ne përgatitjen e Buxhetit dhe të ndërgjegjshëm qe përgatitja e Projekt-Buxhetit te Shtetit për vitin 2014 është një sfidë e madhe, jemi të gatshëm që të kontribuojmë në përgatitjen e tij, pa cënuar pavarësinë tonë në auditimin e zbatimit te Buxhetit, në rast se Ju do ta gjykoni të arsyeshme.
II. B.2 Për prezantimin e Raportit të Buxhetit Faktik të vitit 2013
Raporti “Për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2013” është përgatitur në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, neni 164, pika 1, germat a-b; ligjit nr. 8270, datë 23/12/1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, ndryshuar me ligjin nr.8599, datë 1/6/2000, neni 18, pika 1, gërmat a-b dhe të ligjit nr. 9936, datë 26/6/2008 “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, nenet 62 e 63; si dhe të ligjit nr. 119/2012 , “Për Buxhetin e vitit 2013”, i ndryshuar. KLSH në funksion të përmbushjes së detyrimit kushtetues dhe ligjor ka orientuar veprimtarinë e tij audituese në konvergjencë dhe në zbatim të plotë të direktivës kryesore të shprehur në Kongresin e XXI të INTOSAI, “Auditimi kombëtar të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare, për përmirësimin e menaxhimit publik financiar të vendit”.
Opinioni ynë i përgjithshëm
Mbi bazën e 124 auditimeve të kryera nga KLSH për buxhetin faktik të vitit 2013, në institucione të qeverisjes qendrore (ministri, ente të tjera qendrore, shoqëri aksionere, projekte me financime të huaja, etj), si dhe në njësi të qeverisjes vendore, kombinuar me vlerësimin e sistemeve të menaxhimit financiar, kontrollit dhe auditimit të brendshëm, si dhe vlerësimin e nivelit të zbatimit të rekomandimeve tona gjatë auditimit te zbatimit të Buxhetit për vitin 2012, opinioni ynë i përgjithshëm, në përputhje të plotë me Standardin ISSAI 1700 të auditimit suprem, për Zbatimin e Buxhetit të Shtetit për vitin 2013, para miratimit të tij nga Kuvendi i Shqipërisë, është se përgatitja, shqyrtimi dhe miratimi i buxhetit të vitit 2013, zbatimi, ndjekja dhe rishikimi i tij, të drejtat dhe kufizimet për huamarrjen, garancitë dhe format e tjera të rrjedhura prej tyre si dhe kontrolli, kontabiliteti, raportimi dhe auditimi i këtij buxheti, janë kryer në respektim të kërkesave të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”; të ligjit “Për buxhetin e Shtetit të vitit 2013”, të ndryshuar, si dhe të ligjit “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin”.
Duke patur parasysh mjedisin e vështirë në të cilin u realizua Buxheti i vitit 2013, KLSH, vlerëson pozitivisht punën e bërë nga Qeveria, Ministria e Financave, Ministritë, Institucionet e tjera qendrore dhe vendore, si dhe entet publike të audituara, përgjatë vitit 2013 në drejtim të adresimit dhe konsolidimit te mëtejshëm të reformave drejt një menaxhimi sa më efektiv të financave publike si dhe përpjekjet për përmirësimin e kuadrit rregullator me synim orientimin drejt objektivit themelor të përafrimit të legjislacionit shqiptar me direktivat e BE, si një nga prioritetet kyçe të rrugës së nisur drejt integrimit europian.
Mbi bazën e të dhënave të realizimit të treguesve makroekonomikë të vitit 2013 dhe nga analizimi i tyre, konkludojmë se ekonomia shqiptare ka arritur të përballojë efektet e krizës ekonomike dhe financiare të Eurozonës, por pa ruajtur tërësisht ekuilibrat kryesorë makroekonomikë. KLSH nëpërmjet këtij raporti sjell në vëmendje të Kuvendit disa prej rekomandimeve kryesore, të cilat synojnë përmirësimin e kuadrit rregullator dhe reflektojnë praktikat më të mira të standarteve ndërkombëtare në menaxhimin e financave publike.
Buxheti i shtetit për vitin 2013, është bazuar në aktet e mëposhtme ligjore:
Ligji nr. 119/2012 “Për buxhetin e vitit 2013”.
Ligji nr. 166/2013 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 6, datë 4.10.2013 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 “Për buxhetin e shtetit të vitit 2013”.
Ligji nr.1/2014 “Për miratimin e aktit normativ me fuqinë e ligjit nr. 7, datë 14.12.2013, të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 119/2012 “Për buxhetin e shtetit të vitit 2013”, të ndryshuar.
Realizimi i treguesve të konsoliduar fiskalë të Buxhetit të Shtetit për vitin 2013 paraqitet si vijon:
Të ardhurat e përgjithshme të buxhetit të shtetit rezultuan në 24.1 % të PBB-së kundrejt 24. % të PBB-se të planifikuara, duke reflektuar një tejkalim të lehtë prej 0.1 % të PBB-së. Të ardhurat janë realizuar, rreth 327.18 miliardë lekë nga 325.92 miliardë lekë të planifikuara, me një tejkalim prej 1.26 miliardë lekë në të ardhurat e përgjithshme buxhetore.
Për vitin 2013, shpenzimet e përgjithshme të buxhetit të shtetit përfaqësonin 29 % të PBB-së dhe në terma nominalë shpenzimet e përgjithshme rezultuan 394 118 milionë lekë kundrejt 409 408 milionë lekë qe ishte niveli i planifikuar i shpenzimeve duke reflektuar një mos shpenzim të fondeve buxhetore në rreth 15.2 miliardë lekë.
Duke i analizuar nga pikëpamja strukturore sipas dy kategorive kryesore shpenzimet korrente dhe kapitale, konstatohet se shpenzimet korrente për vitin 2013 janë realizuar në vlerën 328,461 milionë lekëve, kundrejt nivelit të planifikuar prej 331,004 milionë lekë, me një mos shpenzim prej rreth 2.4 miliardë lekë.
Gjithashtu, konstatohet se shpenzimet korrente janë realizuar në një përqindje më të madhe se sa niveli i realizimit të shpenzimeve kapitale, respektivisht 99.3% dhe 83.7 %. Në krahasim me një vit më parë rezulton se fondet e shpenzuara në zërin “Shpenzime korrente” në vitin 2013, paraqiten me rritje në krahasim me një vit më pare, me 4.47 %, nga 314,585 milionë lekë në vitin 2012, në 328,641 milionë lekë në vitin 2013, ndërkohë që edhe fondet e përdorura për shpenzimet kapitale në vitin 2013 kundrejt vitit 2012, paraqiten me rritje, por në masën 6.2 %, nga 61,656 milionë lekë të shpenzuara në vitin 2012, në 65,479 milionë lekë në vitin 2013.
Analizuar sipas zërave të shpenzimeve korrente, rezulton se:
Shpenzimet për personelin për vitin 2013 zënë rreth 5.2% të PBB-së, pra janë në një nivel me vitin 2012, 5.2 % PBB-së. Shpenzimet për personelin përfaqësojnë 21.52 % të shpenzimeve korrente dhe janë realizuar në vlerën 70,716 milionë lekë kundrejt 71,538 milionë lekë të planifikuar.
Shpenzimet operative mirëmbajtje për vitin 2013, përfaqësojnë 2.4 % të PBB-së dhe përfaqësojnë të njëjtin nivel ndaj PBB-së si dhe për vitin 2012. Shpenzimet operative dhe mirëmbajtjes zënë 9.9 % të shpenzimeve korrente dhe janë realizuar në vlerën 32,424 milionë lekë kundrejt 34,035 milionë lekë të planifikuar.
Shpenzimet për interesat për vitin 2013, përfaqësojnë 3.2 % të PBB-së dhe paraqiten me një rritje të lehtë kundrejt nivelit 3.1% të PBB-së të vitit 2012. Shpenzimet për interesa zënë 13.2 % të shpenzimeve korrente dhe janë realizuar në vlerën 43,336 milionë lekë kundrejt 43,900 milionë lekë të planifikuar.
Shpenzimet për subvencione, zënë rreth 0.48% të totalit të shpenzimeve korrente të realizuara në vitin 2013, nga 0.6 % që zinin një vit më parë. Kundrejt kuotës së planifikuar, ato janë realizuar në masën 100.3 % ose nga 1,569 milionë lekë në 1,574 milionë lekë. Shpenzimet për subvencion qëndrojnë në të njëjtin nivel kundrejt PBB (rreth 0.1% ) si për vitin 2013 ashtu dhe për vitin 2012.
Shpenzimet për fonde speciale (sigurimet shoqërore, shëndetësore, politika të reja pensionesh dhe fondi i kompensimit në vlerë të pronarëve), paraqiten me një rritje prej rreth 0.4 % kundrejt vitit 2012. Shpenzimet për fondet speciale zënë 38.8 % të shpenzimeve korrente dhe janë realizuar në vlerën 127,643 milionë lekë kundrejt 128,120 milionë lekë të planifikuar.
Shpenzimet për buxhetin vendor përfaqësojnë 2.2 % të PBB-së për vitin 2013 dhe paraqiten me një rritje kundrejt vitit 2012, që përfaqësonin 2.1% të PBB-së. Shpenzimet për Buxhetin vendor zënë 9.1 % të shpenzimeve korrente dhe janë realizuar në vlerën 29,787 milionë lekë kundrejt 28,580 milionë lekë të planifikuar, ose 104.2 %.
Shpenzime të tjera sociale (pagesa e papunësisë, ndihma ekonomike dhe fondi i kompensimit për ish të përndjekurit politikë) zënë 7.1 % të shpenzimeve korrente dhe janë realizuar në vlerën 23,161 milionë lekë kundrejt 223,262 milionë lekë të planifikuar, ose 99.6 %.
Në strukturë, shpenzimet për pagesën e papunësisë, ndihmën ekonomike dhe fondin e kompensimit për ish të përndjekurit politikë janë realizuar respektivisht 93 %, 99.8% dhe 99.7%, dhe në vlerë përkatësisht 800 milionë lekë, 19,370 milionë lekë dhe 2,991 milionë lekë.
Shpenzimet kapitale (me financim të brendshëm dhe të huaj), zënë rreth 16.61% të totalit të përgjithshëm të shpenzimeve të realizuara në vitin 2013, nga 16.39 % që zinin në vitin 2012. Në strukturë, shpenzimet kapitale me financim të brendshëm janë realizuar në masën 97.9 %, ndërsa ato me financim të huaj janë realizuar në masën 72.1%.
Krahasuar me vitin 2012, ka një rritje të fondeve të shpenzimeve kapitale me financim të brendshëm, konkretisht me 9,303 milionë lekë më shumë, nga 27,398 milionë lekë të shpenzuara në vitin 2012, në 36,701milionë lekë, të shpenzuara gjatë vitit 2013. Për financimin e huaj konstatohet një ulje e shpenzimeve kapitale nga 34,257 milionë lekë të shpenzuara në vitin 2012, në 28,776 milionë lekë të shpenzuar në vitin 2013, pra me një rënie në vlerë prej 5,481 milionë lekë.
Kundrejt PBB-së të vitit 2013, shpenzimet kapitale me financim të brendshëm dhe të huaj zënë përkatësisht 2.7% dhe 2.1%, nga 2.1% dhe 2.6% të PBB-së të rezultuar në vitin 2012.
Deficiti i përgjithshëm i buxhetit për vitin 2013 përfaqëson 4.9% të PBB-së kundrejt 3.5% të PBB-së që përfaqësonte në vitin 2012. Deficiti në fund të vitit 2013 rezultoi në vlerën 70,413 milionë lekë nga 83,490 milionë lekë të programuara me ndryshime.
Borxhit Publik për vitin 2013, rezultoi në vlerën 885,083 milionë lekë ose 65.18% të PBB-së kundrejt 828,275 milionë lekë në vitin 2012 dhe që përfaqësonte 61.53 % të PBB-së. Borxhi Publik përbëhet nga:
A. Borxhi publik i qeverisjes qendrore, rezultoi në vlerën 884,692 milionë lekë, nga 827,981 milionë lekë që rezultoi në fund të vitit 2012, ose e shprehur në përqindje kundrejt PBB-së rezultoi përkatësisht 65.15 % nga 62.44 % që rezultoi në fund të vitit 2012, pra me një rritje prej 2.71 % të PBB-së. Ky borxh i rezultuar në vitin 2013, përbëhet nga:
 Borxhi i brendshëm, i cili rezulton në vlerën 520,786 milionë lekë ose 38,35 % të PBB-së, nga 470,359 milionë lekë ose 35.47 % të PBB-së që rezultoi në vitin 2012 ose me një rritje prej 2.88 % te PBB-së.
 Borxhi i jashtëm, i cili rezulton 363,906 milionë lekë ose 26,8 % të PBB-së nga 357,622 milionë lekë ose 26.97% të PBB-së, duke reflektuar një ulje të lehtë ndaj vitit të kaluar prej 0.17 % të PBB-së.
B. Borxhi i qeverisjes vendore në vitin 2013, rezultoi 390,9 milionë lekë ose 0.028 % e GDP, nga 288 milionë lekë ose 0.021% të PBB-së që rezultoi në vitin 2012.
Prodhimi i Brendshëm Bruto (PBB), si një nga treguesit kryesorë (me çmimet korrente) bazuar në evidencat e Ministrisë së Financave ka arritur në kuotën e 1,358,000 milionë lekë.
KLSH nëpërmjet këtij raporti sjell në vëmëndje të Kuvendit disa prej rekomandimeve kryesore, të cilat synojnë përmirësimin e kuadrit rregullator dhe reflektojnë praktikat më të mira të standarteve ndërkombëtare në menaxhimin e financave publike.
Në drejtim të marrjes së masave për sigurimin e qëndrueshmërisë, kredibilitetit të financave publike dhe konsolidimin e një kuadri, rregulli fiskal si dhe me synim:
Promovimin e një qëndrueshmërie dhe kredibiliteti të financave publike;
Vlerësimin e planifikimit dhe performancës fiskale, të projeksioneve makroekonomike dhe parashikimeve buxhetore,
Kemi rekomanduar:
Ministria e Financave të ndërmarrë nismën ligjore për ngritjen e një Këshilli Fiskal, pasi në gjykimin tonë, vende si i yni kanë nevojë për oponenca të politikave fiskale, që të jenë thellësisht teknike dhe të pavarura.
Ministria e Financave të ndërmarrë të gjitha masat për hartimin e një kuadri rregullator fiskal, i cili të synojë reduktimin e nivelit të borxhit publik në një periudhë të përcaktuar kohore dhe sigurimin e një qëndrueshmërie afatgjatë të borxhit publik si dhe
Përgatitjen dhe paraqitjen e një iniciative ligjore për vendosjen në Kushtetutë dhe në Ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të indikatorit të borxhit publik ndaj PBB-së, në nivelin tavan 60 % dhe arritjen e këtij niveli në terma afat afatgjatë.
Në drejtim të fuqizimit të ligjit “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, nisur nga konstatimi që ligji bazë themeltar për menaxhimin e financave publike në vend “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, rezulton me një rezistencë të ulët, pra është lehtësisht i thyeshëm nga pikëpamja e vendimmarrjes parlamentare, Kemi rekomanduar:
Shqyrtimi i ndryshimeve të parashikuara në Strategjinë për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020 të ligjit “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe miratimi i tij në Kuvend të bëhet me një shumicë të cilësuar parlamentare.
Në funksion të hartimit të një strategjie efektive të menaxhimit të financave publike si dhe me synim arritjen e pritshmërive të projektuara, bazuar në shtyllat kryesore që kanë të bëjnë me:
Hartimin e një kuadri fiskal të qëndrueshëm e realist,
Planifikimin e buxhetimin e integruar dhe eficent të shpenzimeve publike,
Rritjen e përgjegjshmërisë në nivel menaxherial,
Përmirësimin dhe rritjen e transparencës së raportimit financiar të qeverisë,
Forcimin e kontrollit të brendshëm në sektorin publik,
Mbikëqyrjen efektive parlamentare,
Kemi rekomanduar:
Gjetjet, konkluzionet dhe rekomandimet e KLSH-së, të jenë pjesë përbërëse dhe të skedulohen në Planin e Veprimit dhe në aktivitet kyçe që do të ndërmerren në kuadrin e implementimit të strategjisë së Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020. Grupi i punës i ngritur ne kuadrin e bashkërendimit, hartimit dhe ndjekjes se zbatimit të strategjisë me synim përmbushjen e objektivit për rishikimin e kuadrit rregullator ligjor të Menaxhimit të Financave Publike të shqyrtojë, analizojë, adresojë dhe integrojë rekomandimet e KLSH në Strategjinë e Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020.
Në funksion të një menaxhimi efektiv të borxhit publik i kemi adresuar një sërë rekomandimesh Ministrisë së Financave. Kështu:
a. Me synim një menaxhim efektiv të borxhit publik, kemi rekomanduar që:
Të punohet për të patur një manaxhim të borxhit publik në koordinim të plotë me Politikat Makroekonomike. Politikat fiskale deri vjet kishin për qëllim që të mbanin kufirin e borxhit nën kontroll, por për sa kohë ky kufi nuk është më një detyrim ligjor i fiksuar, risku i mungesës së koordinimit midis menaxhimit të borxhit publik me politikat fiskale do të jetë në rritje.
Kemi kërkuar po ashtu një koordinim më të mirë me politikën monetare, ose saktësime ligjore në Marrëveshjen midis Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, të cilat lidhen me kreditimin afatshkurtër.
Në kuadër të mirëorganizimit të proceseve që lidhen me menaxhimin e borxhit publik, cilësojmë nevojën për një Manual të Borxhit Publik, ku në referencë të standardeve dhe praktikave më të mira, të përcaktohet metodologjia për parashikimin, zhvillimin e aktivitetit të huamarrjes, të shërbimit, monitorimit dhe raportimit të borxhit, procedurat dhe teknikat për vlerësimin e risqeve si dhe treguesit e matjes së performacës së veprimtarisë së huamarrjes publike.
Referuar faktit që Banka e Shqipërisë dhe Ministria e Financave, analizojnë në mënyrë të ndryshme borxhin e jashtëm (megjithëse të dhënat janë ato të Ministrisë së Financave) e gjykojmë të nevojshme që të ketë një Marrëveshje për mënyrën e raportimit të borxhit të jashtëm, në mënyrë që të ketë të paktën krahasueshmëri të pjesshme në analizat e dy institucioneve.
Nisur nga konstatimi se Drejtorisë së Menaxhimit të Borxhit Publik i është pakësuar ndjeshëm numri i punonjësve të saj, e pa shoqëruar kjo ulje me ndonjë përmirësim të infrastrukturës së informacionit, gjë që e ka ekspozuar këtë funksion ndaj një risku të lartë, lidhur me sigurinë dhe saktësinë e deklarimit të të dhënave mbi borxhin, kemi rekomanduar që të kthehen strukturat në gjendjen e mëparshme. Të merren masa për të siguruar përpunimin e informatizuar të të gjithë të dhënave të borxhit publik. Të punohet për ngritjen e kapaciteteve të kësaj strukture me rëndësi në menaxhimin e financave publike, me trajnime e kualifikime të vazhdueshme.
b. Mbi përcaktimin ligjor për dhënien e garancive shtetërore mbi stokun e përcaktuar me ligj:
Kemi kërkuar që në ligjet vjetore të buxhetit të mos vendosen përcaktime të cilat i adresojnë Këshillit të Ministrave të drejtën për rritjen e stokut të borxhit përtej limiteve të përcaktuara me ligj.
c. Në drejtim të saktësisë së evidentimit të shpenzimeve kapitale me financim të huaj, kemi rekomanduar:
Ministria e Financave t’u tërheqë vëmendjen njësive të zbatimit të projekteve dhe të procedojë me masat përkatëse administrative në përputhje me ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, jo vetëm për vonesat në raportime, po edhe për rregullshmërinë e tyre.
Me synim përdorimin efektiv të fondit rezervë të Këshillit të Ministrave dhe të fondit kontigjencë dhe mos përsëritjes së problematikave lidhur me mungesa në dokumentacion, në relacionet shpjeguese dhe në preventiva shpenzimesh, apo në trajtimin e tij si shtesë buxheti për institucionet përfituese,
Kemi rekomanduar
Në Ligjin Organik të Buxhetit që do të rishikohet, të përcaktohet që Vendimet e Këshillit të Ministrave për përdorimin e fondit rezervë të Buxhetit të Shtetit, të merren pas miratimit paraprak me shkrim të Ministrit të Financave, duke shmangur në këtë mënyrë përdorimin e këtyre fondeve nga institucionet përfituese pa relacion shpjegues, pa preventiv shpenzimesh, apo përdorimin e këtyre fondeve si “shtesë buxheti”.
Të përcaktohen në ligjin vjetor të buxhetit drejtimet e përdorimit të Fondit të Kontigjencës, i cili është fond i pashpërndarë, që krijohet për të mbuluar risqet e mundshme për të ardhurat dhe shpenzimet gjatë zbatimit të buxhetit. Në këtë ligj duhet të përcaktohet sasia e fondit përkatës sipas tre drejtimeve: për të përballuar efektet e mosrealizimit të ardhurave, për financime të reja dhe për shtimin e financimeve mbi fondet e miratuara të programeve ekzistuese.
Në drejtim të përdorimit të të ardhurave nga privatizimi për uljen e borxhit publik, për investime kapitale dhe dëmshpërblimin e ish të përndjekurve politikë,
Kemi rekomanduar:
Në ligjin nr. 9936, datë 26.06.2008 “Për Menaxhimin e Sistemit Buxhetor në Republikën e Shqipërisë”, të përcaktohet që të ardhurat nga privatizimet duhet të përdoren së pari dhe kryesisht për të ulur borxhin publik, ku 50% të jetë kufiri i poshtëm, dhe pjesa tjetër prej 30 % të përdoret për financimin e investimeve kapitale si dhe 20% për dëmshperblimin ligjor të ish të përndjekurve politikë.
Në drejtim të përgatitjes së pasqyrave të konsoliduara financiare të shtetit, referuar faktit që problematika e mungesës së pasqyrave financiare të konsoliduara të shtetit, vazhdon edhe në këtë vit, pra Ministria e Financës nuk arritur të nxjerrë përmbledhësen e llogarive të konsoliduara vjetore, por vetëm mbylljen e llogarive vjetore të buxhetit të vitit 2013, kemi theksuar:
Domosdoshmërinë e ndërhyrjeve të menjëhershme për hartimin e pasqyrave financiare të konsoliduara të shtetit, si dhe ndërmarrjen e veprime konkrete për hartimin e një kuadri të plotë rregullator të kontabilitetit dhe raportimit financiar në sektorin publik.
Në drejtim të hartimit dhe forcimit të një kuadri rregullator “Për përgjegjësinë materiale” nisur nga faktet se:
KLSH ka konstatuar mjaft probleme dhe shkelje të dispozitave ligjore në fonde të konsiderueshme publike, që kanë sjellë harxhimin e tyre pa kriter dhe efiçiencë, ose edhe më keq, shkuarjen dëm të një pjese të tyre, nga keqmenaxhimi financiar.
Keqpërdorimi i fondeve publike dhe përgjegjësitë materiale të nëpunësve publikë që kanë kontribuar në këto, dënohen kryesisht me sanksione administrative
Vendimmarrjet e gabuara në administrimin e pronës shtetërore, me pasoja ekonomike të konsiderueshme po kthehen në një fenomen normal të aktivitetit të administratës publike.
Pamundësisë sonë për të adresuar qartësisht shpërblimin e këtyre dëmeve nga personat përgjegjës,
Kemi rekomanduar
Ministria e Financave të ngrejë një grup pune për hartimin e një ligjit “Mbi përgjegjësinë materiale”, në të cilin të trajtohet përgjegjësia financiare e punonjësve të njësive publike (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve) për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me procesin e ekzekutimit të detyrave zyrtare.
Në drejtim të vlerësimit të funksionimit të menaxhimit financiar e kontrollit dhe performancën e auditimit të brendshëm.
« Auditimi i brendshem dhe ai i jashtëm publik luajnë një rol kyç në mekanizmin e mbrojtjes së financave publike. Ata kanë objektiv të përgjithshëm të njëjtë-Menaxhimin e shëndoshë të financave publike, por ndryshojnë në qëllimet e auditimit, në mënyrën e funksionimit dhe të raportimit » (marrë nga fjala e z. Robert Gielisse, këshilltar kryesor i Drejtorit të Përgjithshëm të Drejtorisë së Buxhetit në BE).
Duke qenë të bindur se auditimi i brendshëm publik ka një rol të rëndësishëm për një sistem të shëndetshëm në menaxhimin e financave publike, vlerësimi i veprimtarisë së strukturave të auditimit të brendshëm në sektorin publik ka qenë një nga objektivat kryesore të veprimtarisë së KLSH.
Kemi konstatuar se sipas Urdhrit të Kryeministrit nr. 179, datë 18.10.2013 “Për miratimin e Strukturës dhe organikës së Ministrisë së Financave”, është ndryshuar varësia dhe struktura e Njësisë, duke u organizuar në nivel Drejtorie në vartësi të Drejtorisë së Përgjithshme Rregullatore dhe Kontrolluese.
Është pakësuar me mbi 3 herë numri i punonjësve, dhe kjo, pa ndonjë analizë të thelluar për veprimtarinë e kësaj njësie dhe pa marrë parasysh detyrimet që rrjedhin nga ligji, duke rrezikuar realizimin e funksioneve në mënyrë efektive.
Kemi konstatuar proces planifikimi me elementë të theksuar formaliteti, i cili miratohet në procedura formale nga një strukturë jo e përshtatshme lidhur me funksionin dhe detyrimet që i jep ligji, përfshirjen e audituesve në auditime tematike jashtë planeve vjetore, si dhe problematika të planifikimit të burimeve njerëzore dhe kostove për auditues.
Në kuadrin e përmirësimeve ligjore që aktualisht po ndërmerr Ministria e Financave, mendojmë se duhet të synohet në radhë të parë konsolidimi i pavarësisë së auditimit të brendshëm në sektorin publik.
Kemi rekomanduar:
Një Komitet Auditimi (jo më shumë se 5 vetë me kohë të plotë), në varësi të dyfishtë nga Kryeministri dhe Ministri i Financave, i cili do të siguronte një nivel pavarësie që do të plotësonte objektivat e këtij funksioni. Me këto ndryshime të synohet pavarësia e Njësisë Qendrore të Harmonizimit të Auditimit të Brendshëm, duke përcaktuar me kujdes varësinë, strukturën dhe përzgjedhjen e stafit në mënyrë të tillë që të jenë në funksion të realizimit sa më të efektshëm të funksioneve harmonizuese, monitoruese, vlerësuese të cilësisë dhe asistencës teknike për të gjitha strukturat e auditit të brendshëm. Edhe në këtë rast, sugjerojmë varësi dyfishe nga Komiteti i Auditimit dhe Ministri i Financave.
Duke vlerësuar se përmirësimet ligjore duhet të jenë procese të cilat paraprihen nga një skanim i plotë i situatës dhe zonave me risk real, diskutime të gjëra me ekspertë të brendshëm dhe të huaj, kemi rekomanduar që ndërhyrjet të ndërmerren të menduara, në drejtim të saktësimit të funksioneve të çdo pjesëmarrësi (Ministri i Financave, Komiteti i Auditimit, Njësia Qendrore e Harmonizimit të Auditit të Brendshëm) dhe rolit të tyre në forcimin e auditimit të brendshëm në sektorin publik.
Duke ju referuar faktit që bordet dhe komisionet part-time nuk kanë rezultuar funksionale në kontekstin e vendit, gjykojmë që Komiteti i Auditimit, si një instrument i rëndësishëm në monitorimin dhe mbikëqyrjen e auditimit të brendshëm në sektorin publik të jetë një komitet me kohë të plotë, duke sanksionuar kështu edhe predispozicionin për të rritur rolin e strukturave të auditimit të brendshëm në mirëqeverisjen e fondeve publike.
Theksojmë se bazuar në formalitetin e konstatuar në rolin e komiteteve të deritanishme, gjykojmë se në kontekstin shqiptar duhet të hiqet dorë nga struktura që shpenzojnë paratë e taksapaguesve me nivel të ulët përgjegjshmërie dhe përgjegjësie.
Kemi konstatuar se Manuali i Auditimit nuk ka përcaktim për auditimet e plota, duke sjellë problematikën e mos përcaktimit të saktë mbi llojet e auditimeve që do të planifikohen dhe raportohen si auditime të plota. Raportet e Veprimtarisë të NJAB dhe Raporti Përmbledhës i Konsoliduar, nuk evidentojnë se sa nga vlera e gjetjeve me ndikim financiar është ngarkuar për çdëmtim.
Kemi rekomanduar:
Të punohet për rishikimin e plotë të Manualit të Auditimit, për t’i dhënë plotësinë si në parime dhe në metodologjitë e planifikimit dhe vlerësimit të riskut, në formate raportimi që do të mundësonin lexim të njëjtë të gjetjeve dhe konstatimeve pavarësisht në cilën strukturë raportohen.
Manuali duhet të plotësohet me elementët bazë të parandalimit dhe zbulimit të skemave të mashtrimit nga audituesit e brendshëm.
Duke u nisur nga problematika e konstatuar lidhur me nivelet e kualifikimit të audituesve të brendshëm që punojnë në këto struktura si dhe kompetencave të Njësisë QH/AB, lidhur me procesin e kualifikimit, çertifikimit dhe trajnimit të vijueshëm të detyrueshëm, si strukturë përgjegjëse për administrimin e këtyre proceseve,
Kemi rekomanduar:
Ministria e Financave të ndërmarrë nismën ligjore për përmirësimin e ligjit “Për Auditimin e brendshëm në Sektorin Publik”, duke patur në fokus edhe kriteret për ngritjen e njësive të auditimit të brendshëm në sektorin publik, autoritetin që do të përcaktojë nivelin e këtyre strukturave dhe monitorimin e tyre. Sanksionimi i këtyre kritereve në ligj do të mundësojë përgjegjshmëri më të lartë në plotësimin e kritereve dhe do të rrisë përgjegjësinë për shkelësit e ligjit.
Nga Ministria e Financave t’u kërkohet njësive të qeverisjes së përgjithshme ndërprerja e menjëhershme e marrëdhënieve të punësimit për të gjithë punonjësit (drejtorë njësie auditimi dhe auditues), të cilët rezultojnë të paçertifikuar, apo që arsimimi i tyre nuk përputhet me veprimtarinë e institucionit që auditojnë.
Me synim implementimin e një sistemi modern të menaxhimit financiar dhe kontrollit, KLSH ka mbikëqyrur dhe vlerësuar kryesisht kontrollin e brendshëm dhe menaxhimin financiar në administratën e institucioneve më të larta shtetërore, në ministri dhe institucione të pavarura, në organet e pushtetit vendor dhe në organet doganore. Mjedisi i kontrollit, menaxhimi i riskut, aktivitetet e kontrollit, informimi, komunikimi dhe monitorimi janë vlerësuar nga KLSH dhe në opinion të përgjithshëm, Administrata jonë publike, me gjithë përpjekjet, është ende larg standardeve dhe praktikave më të mira të fushës, në drejtim të menaxhimit financiar dhe kontrollit.
Kemi rekomanduar:
Me ndarjen e re administrative, e cila do të mundësojë eliminimin e një sërë komunave, Ministria e Financave në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike duhet të marrin masa në lidhje me zbatimin e kërkesave Ligjit Nr.10296, datë 08.07.2010 “Për Menaxhimin Financiar dhe Kontrollin” në drejtim të përmbushjes së kriterit të arsimimit dhe të linjës së raportimit.
Nga Ministria e Financave të mos aprovohet në asnjë rast konfirmimi i kryerjes së veprimeve në thesar për Nëpunësit Zbatues të Njësisë Qendrore të Prokurimit, të cilët rezultojnë në kundërshtim me kriteret e kuadrit rregullator.
Nga auditimi për zbatimin e buxhetit vjetor 2013, në disa nga institucionet më të rëndësishme kemi konstatuar:
Vlerësimi i të ardhurave nga organet tatimore dhe doganore
Të ardhurat nga tatimet dhe doganat, referuar treguesve të planifikuar dhe të rezultuar në fund të vitit janë realizuar 102.2 %, me një realizim prej 4.9 miliardë lekë më shumë kundrejt planit të korrektuar, ndërsa kundrejt planit fillestar rezultojnë me nje mosrealizim prej 26.1 miliardë lekë. Ky tregues kundrejt PBB-së, gjatë këtij viti shënoi nivelin prej 16.9 %. Në grupin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat peshën më të madhe e kanë të ardhurat nga TVSH, të cilat përfaqësojnë 48.8 % të totalit të këtij grupi dhe që në raport me PBB-në rezultojnë me një nivel prej 8.2 %.Ato paraqiten me një realizim 102.6 % dhe me një tejkalim prej 2.8 miliardë lekë.
Mbi administrimin e të ardhurave buxhetore nga organet tatimore
Për vitin 2013 konstatohet një realizim i planit të të ardhurave të administratës tatimore ne nivelin 105.7 %. Ndërsa kundrejt të ardhurave faktike të vitit 2012 konstatohet një rënie në totalin e të ardhurave me 9 miliard lekë. Për vitin 2013 konstatohet se buxhetit fillestar është korrektuar dy herë gjatë vitit dhe me aktin normativ të Tetorit 2013, plani i të ardhurave u ul me 14.8 miliardë lekë, ndërsa rishikimi në fund të vitit i të ardhurave nga tatimet rezulton me një rritje të planit prej 2.1 miliardë lekë. Realizimi faktik i të ardhurave kundrejt planit fillestar rezulton me rreth 8 miliardë lekë më pak.
Mbi realizimin e të ardhurave tatimore sipas strukturës
Kontribut më të madh në realizimin e planit në të ardhurat e mbledhura nga administrata tatimore kanë treguesit e tatimeve me 105 % dhe me mosrealizim në treguesit e sigurimeve me 99.5%. Në këtë realizim të treguesve të tatimeve ndikim më të madh kanë patur treguesit e taksave nacionale. Nëse analizojmë strukturën e të ardhurave tatimore për vitin 2013 kemi përsëri një peshë të lartë të tatimit mbi të ardhurat personale, ndërkohë që TVSH, vazhdon të mbetet me peshën më të lartë në të ardhura.
Borxhi Tatimor
Borxhi tatimor është rritur nga 69.9 miliardë në fillim të vitit 2013 në 79.2 miliardë në fund të vitit 2013. Përveç faktit se ka një rritje të nivelit të borxhit ka dhe një rritje të ritmit të rritjes së tij. Në vitin 2012 borxhi është rritur me 5,201 milion lekë, në krahasim me rritjen e borxhit për vitin 2013 prej 9,298 milion lekë. Gjithashtu, vihet re një rënie e numrit të subjekteve me borxh, gjë që nënkupton një rritje të mesatares së borxhit për secilin tatimpagues.
Në zbatim të Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit: ISSAI 4100 (149.b), mbështetur në rezultatet e auditimit për arsye të kufizimit në shkallë të gjerë të qëllimit dhe evidencave të auditimit, si dhe në mungesë të dhënies së informacionit, Kontrolli i Lartë i Shtetit e kishte të pamundur të jepte një opinion të kualifikuar mbi përputhshmërinë e veprimtarisë së Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për vitin 2013, me kërkesat dhe kriteret e ligjit nr. 9920, datë 19.05.2008 “Për Procedurat Tatimore në Republikën e Shqipërisë” i ndryshuar, kryesisht, si dhe legjislacionit tjetër në fuqi.
Me qëllim që të mos bllokojmë miratimin e buxhetit faktik 2013, KLSH në përmbushje të detyrimeve kushtetuese, e paraqet raportin për zbatimin e buxhetit faktik të vitit 2013, duke theksuar mosdhënien e opinionit të kualifikuar në lidhje me Administratën Tatimore për vitin 2013, por duke njohur dhe vlerësuar rezultatet e Auditimit të Brendshëm të Ministrisë së Financave në DPT të ushtruar në Tetor-Nëntor të vitit 2013, bazuar në standardin ISSAI 1610 “Auditimi i jashtëm përdor punën e auditimit të brendshëm” dhe në Marrëveshjen e bashkëpunimit me Ministrinë e Financave, nënshkruar më 08.05.2012.
KLSH, me synim vazhdimin e procesit të miratimit të buxhetit faktik nga Kuvendi, shpreh bindjen se vitin e ardhshëm nga ana e Ministrisë së Financave dhe Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, do të mundësohet lejimi i KLSH-së të kryejë auditim të plotë dhe pa kufizim konform Standardeve Ndërkombëtare të Auditimit, duke mundësuar në këtë mënyrë një mbikëqyrje efektive parlamentare në menaxhimin e financave publike. Theksojmë se qëllimi ynë nuk është të auditojmë subjektet private, pra të kontrollojmë vetëvlerësimin tatimor të tyre por të auditojmë punën e administratës tatimore për vetëvlerësimin tatimor, gjithmonë duke mos kryer vizita fiskale në subjektet private.
Mbi administrimin e të ardhurave buxhetore nga organet doganore
KLSH për vitin 2013 në bazë të programeve të miratuara të auditimit ka ushtruar auditime ligjshmërie/rregullshmërie, në 10 degë doganore, si dhe një auditim ligjshmërie-rregullshmërie në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave. KLSH ka gjetur mirëkuptimin dhe gatishmërinë e plotë të Drejtuesve të DP të Doganave për vënien në dispozicion të të dhënave dhe aksesit të nevojshëm në sistem duke kontribuar në rritjen e eficencës dhe efektivitetit jo vetëm të auditimeve, por dhe të cilësisë së rekomandimeve duke vlerësuar maksimalisht dobishmërinë e sistemit doganor në vend, nga përmirësimet e vazhdueshme.
Realizimi i planit të të ardhurave doganore në vitin 2013, paraqitet me tre nivele:
në krahasim me planin fillestar ai është realizuar në masën 89.4 %, me një diferencë (-) në vlerën 16,481 milionë lekë,
në krahasim me planin e korrigjuar në muajin tetor, është realizuar në masën 102,7 %, me një diferencë (+) në vlerë 3,751 milionë lekë,
në krahasim me planin e korrigjuar në dhjetor 2013 është realizuar në masën 101.5 % ose 2,053 milionë lekë më shumë,
ndërsa në krahasim me faktin e vitit 2012, ai është realizuar në masën 107.5 %.
Mbi realizimin e të ardhurave doganore sipas strukturës
Duke patur parasysh ndryshimet vjetore të planit sipas strukturës rezulton se të ardhurat nga taksat doganore janë realizuar në masën 103.8 %, me një tejkalim prej 6,118 milionë lekë, të ardhurat nga akciza janë realizuar në masën 101.2 %, me një tejkalim prej 24,553 milionë lekë dhe të ardhurat nga TVSH-ja në doganë janë realizuar në masën 102.1 %, me një tejkalim prej 91,772 milionë lekë.
Nga auditimi rezulton se të ardhurat dytësore të realizuara në vitin 2013 janë në vlerë 412,662 mijë lekë dhe janë derdhur në buxhetin e shtetit në masën 100 % të tyre.
Detyrimet doganore (borxhi doganor)
Gjatë vitit 2013, borxhi doganor është shtuar me 1813 subjekte në vlerë 5,657 milionë lekë, është pakësuar me 1219 subjekte në vlerë 881 milionë lekë dhe në total paraqitet me 504 subjekte më shumë dhe në vlerë 4,776 milionë lekë më tepër, krahasuar me fundin e vitit 2012. Raporti i borxhit të shtuar me atë të pakësuar është rreth 6 herë më i lartë (5,657 milionë lekë/881 milionë lekë), i cili tregon se edhe për periudhën analizuese 2013 nga administrata doganore, veçanërisht nga strukturat e specializuara të saj, nuk është punuar me përgjegjshmëri në drejtim të zbatimit të legjislacionit për rikuperimin e borxhit doganor dhe minimizimin e krijimit të borxhit të ri.
Vlera e debitorëve në fund të vitit 2013 krahasuar me fillimin e vitit është në masën 216 % dhe numri i subjekteve debitore në masën 150 %. Në zbatim të Ligjit nr. 10418, datë 21.04.2011 “Për Legalizimin e Kapitalit dhe Faljen e një pjese të Borxhit Tatimor dhe Doganor” me ndryshime, rezulton që sipas nenit 26 të jenë falur shuma 12,970 milionë lekë për 3752 raste.
Nga auditimi i dhjetë degëve doganore për vitin 2013, rezultuan shkelje të legjislacionit doganor me pasojë mungesë të ardhurash në buxhetin e shtetit në shumën prej 818.9 milionë lekë, të cilat përbëhen nga: detyrime doganore të pallogaritura dhe të papaguara për mos zbatim të procedurave të zhdoganimeve të kryera në importimin e disa artikujve të ndryshëm, detyrime dhe penalitete të pavendosura për subjekte që operojnë me Regjim Përpunimi Aktiv, detyrime doganore të papaguara për diferencë në peshë me atë të deklaratës doganore, detyrime dhe penalitete të pavendosura për mospagim të TVSH, detyrime të pallogaritura dhe të papaguara për rentën minerare, detyrime doganore të papaguara në zhdoganimin e automjeteve, etj.
Mbi auditimin e zbatimit të buxhetit të pushtetit vendor
Gjatë vitit 2013, krahas auditimit të fondeve të pushtetit qendror, jemi përqendruar edhe në vlerësimin e punës të njësive të qeverisjes vendore, në mbledhjen e të ardhurave dhe përdorimin e fondeve në dispozicion të tyre. Për aktivitetin financiar, administrimin e pronës shtetërore dhe procesin e legalizimeve, kemi audituar njësi të pushtetit vendor, nga të cilat 10 bashki, 18 komuna, 2 këshilla qarqesh dhe 1 prefekturë.
Nga auditimi ka rezultuar se, të ardhurat në total në pushtetin vendor janë realizuar në masën 98.1%. Kundrejt të ardhurave të realizuara në vitin 2012, të ardhurat e realizuara në vitin 2013 janë ulur me 9.2 përqind.
Kemi konstatuar mangësi dhe rezerva në administrimin e të ardhurave. Ndër arsyet kryesore që kanë ndikuar në mosrealizimin e të ardhurave në njësitë e qeverisjes vendore, përmendim:
Megjithëse janë hartuar udhëzime të përbashkëta ndërmjet Ministrisë së Financave me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, në disa raste ato nuk kanë gjetur zbatim të plotë. Për pasojë, janë pakësuar ndjeshëm të ardhurat e njësive të qeverisjes vendore.
Mangësi në rakordimin dhe bashkëpunimin ndërmjet Zyrave të Taksave në Bashki dhe Drejtorive Rajonale të Tatim-Taksave në rreth, Zyrave të Gjendjes Civile, si dhe Zyrave të Regjistrimit të Pasurive, Zyrat e kadastrës, zyrës urbanistikës, duke reflektuar planifikim jo të saktë dhe në nivele të ulëta të taksave dhe tarifave vendore.
Edhe pse në vitin 2011, u amnistuan detyrimet e papaguara, nga puna e pamjaftueshme e administratave tatimore të pushtetit vendor, ende ka subjekte të parregullta, të cilët ushtrojnë aktivitet pa leje dhe nuk paguajnë detyrimet për taksat vendore. Ndërkohë nga zyrat e taksave vendore në bashki apo komuna, nuk kërkohet në të gjitha rastet ndëshkimi i tyre sipas legjislacionit në fuqi, si, vendosje gjobe, mbyllje e veprimtarisë, masë e konfiskimit, apo deri në kallëzim penal në prokurori, për subjekte të cilat fshehin apo nuk paguajnë detyrimet tatimore.
Ende nuk ka një menaxhim dhe miradministrim të të ardhurave nga taksat dhe tarifat vendore, pasi në disa bashki edhe komuna nuk janë pasqyruar në kontabilitet detyrimet tatimore vendore, në kundërshtim me ligjin, duke mos ndjekur në vazhdimësi arkëtimin e debitorëve dhe lënë shteg për abuzime.
Edhe pse subjekteve të pushtetit vendor (biznesi i vogël) u është rimbursuar vlera e kasave fiskale, ato nuk përdoren, duke mos i shërbyer qëllimit të vendosur për pasqyrimin e xhiros dhe ritjen e pagesës së detyrimeve fiskale, ndërkohë ndaj subjekteve nuk zbatohen sanksionet e parashikuara në legjislacionin në fuqi.
Nga mungesa e strukturave dhe pamundësia praktike e mbledhjes nga popullata të taksës së ndërtesave, tarifës së pastrimit, gjelbërimit, ndriçimit, për çdo familje, rezulton se në mjaft prej tyre (në mbi 80% të bashkive dhe komunave), qytetarët nuk paguajnë taksat dhe tarifat vendore.
Theksojmë se dukuria e mospagesës së taksave të pastrimit dhe të ndërtesave nga popullata, konstatohet pothuajse në të gjitha bashkitë. Nga KLSH në përfundim të auditimeve me synim derdhjen në buxhet të të gjitha detyrimeve për këtë kategori taksash vendore, kemi rekomanduar lidhjen e kontratave në cilësinë e agjentit tatimor me Ndërmarrjet e Ujësjellsave Sh.a., apo me Operatorët e Shpërndarjes së Energjisë Elektrike.
Në fushën e shpenzimeve, auditimet u përqendruan në zbatimin e ligjshmërisë dhe rregullshmërisë financiare të administrimit dhe përdorimit të fondeve buxhetore, në përfundim të të cilave, krahas punë së bërë, janë konstatuar dhe mjaft parregullsi dhe shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, si në fushën e pagave dhe shpërblimeve, në shpenzimet operative, në fushën e prokurimeve publike, zbatimit të punimeve, etj. Vlera e dëmit ekonomik të rezultuar si rrjedhojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në fuqi, në 42 subjektet e audituara, llogaritet në shumën 685 milionë lekë ose 4.9 milionë euro.
Në legalizimet e ndërtimeve informale, janë evidentuar parregullsi dhe shkelje ligjore që kanë sjellë si pasojë të ardhura të munguara në buxhetin e shtetit, të destinuara për fondin e kompensimit të ish-pronarëve në vlerën totale prej 1,15 miliardë lekë, ose rreth 8.2 milionë euro. Gjithashtu janë evidentuar dhe 512 raste, ku legalizimi i ndërtimeve informale është bërë në zona, të cilat nuk duhej të bëhej legalizimi, në kundërshtim me ligjin.
Mbi auditimin e kryer në Bankën e Shqipërisë
KLSH vlerëson politikat monetare të Bankës së Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit financiar, në kushtet e një krize të gjerë globale, me pasoja edhe për vendin tonë. Nga ana tjetër Kontrolli i Lartë i Shtetit e gjykon të rëndësishëm, ruajtjen e pacënuar të pavarësisë organizative dhe vepruese të Bankës Qendrore në përmbushjen e misionit të saj kushtetues, duke vijuar me konsolidimin e arritjeve në fushën e politikës monetare, krahas shikimit me një sy tejet kritik të mangësive në mbikëqyrje dhe administrimin e fondeve në dispozicion. Kemi nënvizuar gjithashtu se përmirësimet ligjore të synuara duhet të zhvillohen në konsultim të ngushtë me institucionet e rëndësishme financiare ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore si edhe Bankës Qendrore Europiane.
Nisur nga funksionet që Ligji nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar, i ka atribuuar Këshillit Mbikëqyrës në politikbërje, mbikëqyrje dhe administrimin e këtij institucioni por dhe raporteve të përfaqësimit të administrimit në Këshill sipas përcaktimeve në këtë ligj, duke vlerësuar si të rrezikuar vendimmarrjen sidomos në rastet kur Inspektori i Përgjithshëm vlerëson negativisht performancën e Bankës, tërësore ose pjesore, atëherë ka mundësi në masë të konsiderueshme që të mos realizohet kuorumi i nevojshëm brenda këtij Këshilli për përmirësime të situatës,
Kemi rekomanduar
Përfaqësimi i administrimit në Këshillin Mbikëqyrës të bëhet vetëm nga Guvernatori, për t’i dhënë hapësirën e nevojshme Këshillit Mbikëqyrës për të kryer saktësisht funksionet mbikëqyrëse që atij i atribuohen me ligj dhe shmangur pozitën e sotme “dominuese” të administrimit në Këshillin Mbikëqyrës (3 anëtarë të Këshillit Mbikëqyrës janë ligjërisht në nivelin më të lartë të administrimit). Eksperienca e bankave qendrore të vendeve të zhvilluara ka dëshmuar se prania vetëm e Guvernatorit në nivele të tilla vendimmarrëse është mëse e mjaftueshme dhe ndarja e funksioneve të administrimit nga politikëbërja dhe mbikëqyrja sjellin efekte pozitive në nivelin e transparencës dhe llogaridhënies.
Saktësimin e detyrave funksionale të Këshillit Mbikëqyrës dhe administratorëve të Bankës, për të shmangur dualizmin e funksioneve, konfliktin e kompetencave dhe për të siguruar një nivel të dëshirueshëm llogaridhënie, transparence dhe mbikëqyrjeje.
Në përgjigjen për qëndrimin e saj ndaj Raportit Përfundimtar të Auditimit, Banka nuk shprehet për këtë rekomandim.
Nisur nga fakti se Këshilli i Mbikëqyrjes së Bankës së Shqipërisë është një bord specifik me detyra të rëndësishme dhe komplekse të lidhura me drejtimin dhe monitorimin e një tregu të rëndësishëm si ai monetar, me reflektime të qarta dhe të mprehta në gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë, faktit që bazuar në rregullat e brendshme të Bankës, konfliktit të interesit për anëtarët e Këshillit Mbikëqyrës nuk mund ti jepet një kuptim më i gjerë se në ligjin nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, kemi sugjeruar:
Vendosjen e kufizimit të plotë të pjesëmarrjes së tyre në këshilla dhe borde të tjerë përveç atyre të fushës akademike dhe shkencore.
Të kërkohet mospërdorimi i figurës në aktivitete apo promovime që cenojnë integritetin e figurës së anëtarit të një bordi kaq të rëndësishëm.

  • Kufizimi i daljeve publike dhe mbajtjes së qëndrimeve individuale mbi aspekte të politikës monetare në një kohë që paraqitet një qëndrim i Këshillit Mbikëqyrës në deklaratën për shtyp të Guvernatorit, pasi kjo mund të nxisë refleksione dhe reagime jokorrekte të operatorëve në treg.
  • Ndërkohë, duke vlerësuar maksimalisht kontributin e tyre në jetën publike dhe ekonomike të vendit, dhe vetë sfidat që ka përpara ky Institucion i rëndësisë së veçantë, për t’u përballuar me realitete të mbartura nga e kaluara, i kërkojmë anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës të japin dorëheqje nga bordet dhe pjesëmarrjet e tjera publike dhe politike dhe aq më tepër përdorimit të figurës së tyre, në dobi të bizneseve private, përfshirë dhe ato të reklamimit të sistemit universitar privat në vend.
    Në përgjigjen e saj, Banka thekson se këto rekomandime nuk pranohen. Sipas saj ky rekomandim mund të adresohet pranë Kuvendit të Shqipërisë si institucion ligjvënës i ngarkuar nga Kushtetuta për të realizuar veprimtarinë legjislative në Republikën e Shqipërisë, pasi në kuadrin ligjor ekzistues nuk ka asnjë kufizim ligjor për pjesëmarrje në borde të ndryshme profesionale apo të shoqërisë civile. I vetmi kufizim ligjor për anëtarët e Këshillit është pjesëmarrja në aktivitete politike, sipas nenit 47 të ligjit nr.8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë”, i ndryshuar.
  1. Banka e Shqipërisë është përpjekur për një politikë monetare lehtësuese të ndjekur edhe gjatë vitit 2013, duke reduktuar normën bazë të interesit me 1 pikë përqindje në krahasim me vitin 2012, nëpërmjet katër vendimeve të Këshillit Mbikëqyrës. Kemi konstatuar se kjo politikë është shoqëruar me rënien e ndjeshme të normave të interesit për depozitat e kursimit dhe uljen e kostos së bankave. Nga ana tjetër, konstatimet mbi gjendjen aktuale të tregut, trendin e kanalizimit të fondeve dhe ndikimi në kreditim, kanë treguar se tregu financiar shqiptar ka patur një ndjeshmëri të ulët ndaj normave të interesit. Duke dashur të jemi të kujdesshëm dhe të mos ndërhyjmë dhe cënojmë sado pak pavarësinë e saj në zbatimin e politikës monetare sugjerojmë që Banka e Shqipërisë të vlerësojë me kujdes instrumentet që do të përdorë në të ardhmen për plotësimin me efektivitet të objektivave kryesorë të saj.
    Nga ana e Bankës, ky rekomandim quhet i papranueshëm, për faktin se e drejta dhe detyrimi i Bankës së Shqipërisë për zbatimin në mënyrë të pavaruar të politikës monetare është një e drejtë e njohur në Kushtetutë.
    Theksojmë se Institucionet Supreme të Auditimit nuk mund të gjykojnë dhe auditojnë politikat, por vlerësimi i efektivitetit dhe rezultatet e politikave janë funksionet e tyre kryesore në ditët e sotme. Vlerësimi i performacës është misioni që kërkohet të përmbushet nga një institucion i auditimit të jashtëm i standardeve europiane dhe drejt të cilit ne po mundohemi të zhvendosemi me shpejtësi. Gjithsesi, duke vlerësuar maksimalisht kapacitetet profesionale të Bankës së Shqipërisë në këtë fushë, rekomandimet tona kanë qenë të kujdesshme dhe modeste.
  2. Nga auditimi i rregullshmërisë së zhvillimit të ankandeve të bonove të thesarit dhe obligacioneve të organizuara nga Banka e Shqipërisë, në zbatim të marrëveshjeve të lidhura midis Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë, kemi konstatuar se Banka e Shqipërisë është pjesëmarrëse në ankandet që zhvillohen për bono thesari, me të drejtën e rezervimit të shumës së kërkuar prej saj, pavarësisht nëse kërkesat jokonkuruese nga ana e individëve mund të jenë të larta. Niveli i pjesëmarrjes së individëve nëpërmjet kërkesave jokonkurruese në ankandet e obligacioneve është mjaft i ulët, vetëm 1 % të shumës totale të emetuar gjatë vitit 2013.
    Kemi rekomanduar:
    Banka e Shqipërisë, në rolin e saj këshillimor për qeverinë, të ndikojë në marrjen në konsideratë të mekanizmave më të efektshëm, më qëllim që jo vetëm të mos ulet, por të nxitet pjesëmarrja më e gjerë e individëve në tregun e instrumentave të emetuar nga qeveria, gjithashtu të ndikojë për rritjen e shkallës së informimit të publikut mbi këtë treg.
    Ky rekomandim nga ana e Bankës quhet i papranueshëm, pasi sipas saj marketingu për një letër borxhi bëhet vetëm nga emetuesi. Instrumentet e politikës monetare kanë si objektiv të drejtpërdrejtë dhe të vetëm zbatimin e politikës monetare. Theksojmë si KLSH se rekomandimi nuk i kërkon Bankës të bëjë marketingun e letrave të qeverisë, por i kemi kërkuar të këshillojë qeverinë për një marketing më të mirë të instrumentave afatshkurtër, apo mekanizmave që do të sillnin që niveli i pjesëmarrjes së individëve në këto instrumenta të rritet.
  3. Ligji nr. 8269, datë 23.12.1997 “Për Bankën e Shqipërisë” përcakton se Banka e Shqipërisë është e pavarur në përcaktimin e shpërblimeve të stafit të saj, pavarësi që sipas nenit 45 i njeh të drejtën Këshillit Mbikëqyrës që të vendosë për llojin, nivelin e pagave dhe shpërblimeve.Shpenzimet e personelit kanë patur një rritje të lehtë për vitin 2013 dhe kjo tregon një trend të konsoliduar rritës të këtij zëri që zë 35% të totalit të shpenzimeve të Bankës. Nga Banka mbrohet me fanatizëm fakti që pagat janë të larta për të mundësuar mbajtjen e stafit të kualifikuar por pamundësia për të patur akses në të dhënat mbi kapacitet profesionale të këtij stafi (dosjet e personelit nuk na u vunë në dispozicion nga ana e bankës nën arsyetimin e konfidencialitetit) nuk na lejon të gjykojmë mbi këtë pretendim të ngritur nga Banka.
    Kemi rekomanduar: – Rishikimin e ligjit, në frymën e minimizimit të riskut potencial të abuzimit me pavarësinë dhe shmangies së konfliktit të interesit që evidentohet në praktikat e përcaktimit të pagave dhe shpërblimeve për nivelet drejtuese.
  • Përcaktimi i një kornize të kujdesshme rregullatore në lidhje me nivelin e pagës së Guvernatorit, e cila duhet të ndjekë trendin e pagave të tregut bankar, por gjithmonë duhet të jetë në raporte të pranueshme, krahasuar me pagën e Presidentit të Republikës, bazuar kjo jo vetëm në përvojat dhe praktikat më të mira të vendeve të ngjashme, por edhe në përshtatshmërinë me realitetin shqiptar (rekomandim i mëparshëm).
  • Kërkesën për një transparencë të detyrueshme ligjore për çdo vendim të lidhur me pagat dhe shpërblimet e stafit dhe jo vetëm, çka presupozon informimin e vazhdueshëm të opinionit të gjerë publik në lidhje me çdo përfitim financiar dhe monetar.
    Banka, në përgjigjen e saj nuk pranon rekomandimin, pasi sipas tyre rekomandimi del jashtë objektit të veprimtarisë së KLSH, por gjykohet edhe i pabazuar, pasi në bazë të dispozitave në fuqi këto janë kompetenca të Këshillit Mbikëqyrës. Çdo ndryshim i tyre realizohet nga Kuvendi i Shqipërisë.
  1. Auditimi konstatoi se pasqyrat financiare janë përgatitur në përputhje me politikat kontabël të përshtatura në Manualin e Kontabilitetit të Bankës, miratuar nga Këshilli i Ministrave me Vendimin Nr. 50, datë 26 janar 2001 por dhe politika të tjera të miratuara nga Këshilli Mbikëqyrës i Bankës duke tentuar një pajtueshmëri të përgjithshme me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (SNRF) të aprovuara nga Bordi i Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit. Pavarësisht këtij përafrimi të synuar, theksojmë se baza e pasqyrave janë ato të Manualit të Kontabilitetit të vetë Bankës. Bazuar në këtë konstatim por edhe në funksion të rritjes së cilësisë së informacionit të publikueshëm nga ana e Bankës për të gjithë përdoruesit e brendshëm dhe të jashtëm,
    Kemi rekomanduar:
  • Banka të kalojë në përgatitjen e pasqyrave në përputhje të plotë me standardet e raportimit financiar (SNRF), të bëjë rishikimin e Manualit të Kontabilitetit të Bankës në të cilin të jenë të shpjeguara gjerësisht deviacionet që mund të ketë implementimi i plotë i SNRF në kushtet reale të vendit dhe duke zvogëluar ndërhyrjet e Këshillit Mbikëqyrës në këtë drejtim.
  • Në funksion të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies, të jepet një nivel i tillë shënimesh shpjeguese që lejon lexuesin të krijojë bindje objektive për politikën kontabël të përdorur për zëra të veçantë dhe impaktin e kësaj politike kontabël në pasqyrat e paraqitura nga Banka.
  • Banka të stimulojë me një politikë të kujdesshme ngritjen e kapaciteteve njerëzore të përfshira në këtë proces sa kompleks dhe të rëndësishëm për rritjen e besueshmërisë së informacionit për pozicionin financiar të bankës.
    Banka në përgjigjen e saj shpreh dakordësinë për këtë rekomandim dhe thekson se po merren masa për zbatimin e tij.
  1. Nga auditimi i funksionit të Departamentit të Kontrollit, nisur nga raporti vjetor i aktivitetit të këtij funksioni për vitin 2013, intervistimi i inspektorit të përgjithshëm si dhe pyetësori i plotësuar mbi aktivitetin e auditit të brendshëm në Bankën e Shqipërisë arritëm në konkluzionin se pavarësia e funksionimit të auditimit të brendshëm të Bankës së Shqipërisë, nuk mund të inkurajohet nga ana e administratorëve nëse ata përcaktojnë strukturën dhe buxhetin e këtij funksioni. Gjithashtu e kemi konsideruar si cënim të pavarësisë, mënyrën e planifikimit të misioneve të auditimit por dhe moszbatueshmërinë e rekomandimeve të lëna nga këto misione audituese.
  • Bazuar në gjetjet e këtij auditimi, në funksion të rritjes së pavarësisë, efikasitetit dhe përgjegjshmërisë së strukturës së auditimit kemi rekomanduar që të bëhen përmirësime ligjore duke transformuar funksionin e Inspektorit të Përgjithshëm në një Komitet Auditimi të përbërë nga tre anëtarë, të zgjedhur nga Kuvendi.
  • Ndërkohë, Bankës i kemi kërkuar të rishikohet baza e brendshme rregullative lidhur me këtë funksion kryesisht lidhur me forcimin e pavarësisë së kësaj njësie në planifikim dhe në mënyrën e raportimit. Të shikohet mundësia e ndryshimit të mënyrës së rekrutimit dhe shpërblimit të stafit në përbërje të Drejtorisë së Kontrollit të Bankës së Shqipërisë, të punohet për ngritje të mëtejshme të kapaciteteve brenda tij. Kemi cilësuar nevojën për përmirësim në drejtim të monitorimit të kuadrit të centralizuar të riskut si edhe në aspektet e vlerësimit të brendshëm të cilësisë së punës së audituesve dhe funksionit në përgjithësi. Vendosja e mekanizmave që do të përshpejtojnë zbatimin e rekomandimeve të lëna nga departamenti i kontrollit.
    Buxheti i Sigurimeve Shoqërore
    Kemi konstatuar sërish se skema aktuale e sigurimeve shoqërore shfaq problematika si në procesin e realizimit të të ardhurave dhe në realizimin e shpenzimeve, të shoqëruara me rritje nga viti në vit të subvencionimeve buxhetore.
    Konstatohet një nivel kontributiv më i ulët, fakt që ka sjellë që plani vjetor fillestar i të ardhurave prej 48,918 milion lekë të realizohet vetëm 98.73 % duke krijuar një difiçit në të ardhura me 622 milion lekë.
    Ndër faktorët kryesor të këtij mosrealizimi janë mosrealizimi i numrit të kontribuesve, numri i ulët i kontribuesve për një subjekt si dhe rritje e numrit të punonjësve me pagë minimale. Mjafton të përmendim një fakt të thjeshtë nga konstatimet tona, subjektet e pajisura me leje për shfrytëzim mineral rezultojnë të kenë prodhuar sasi të konsiderueshme në mijëra tonë mineral, por numri i punëtorëve në këto subjekte varion nga 2-4 punonjës.
    Gjithashtu, konstatohet rritje e detyrimeve të papaguara ndaj skemës së sigurimeve vetëm për vitin 2013, me rreth 1,9 miliardë lekë, kjo ka sjellë që stoku i detyrimeve kontributive të papaguara nga subjektet juridikë dhe fizikë në fund të vitit 2013 të arrijë në 10 miliardë lekë, detyrimeve që përfaqësojnë, kontribute, interesat dhe gjobat e papaguara, të pa mbledhura nga organet tatimore.
    Plani i të ardhurave të planifikuara për t’u mbledhur nga vetë ISSH është realizuar 100.1%, pavarësisht tendencës në rënie të numrit fizik të kontribuesve si të vetëpunësuar në bujqësi. Skemës së sigurimeve shoqërore në fshat i mungon një numër relativisht i lartë personash, që vlerësohet të jetë 113,377 kontribues.
    Nga auditimi i shpenzimeve për buxhetin e Sigurimeve Shoqërore, rezultoi se programi përfundimtar i shpenzimeve, i miratuar me ligjin për buxhetin e vitit 2013, nga 95,395 milionë lekë të programuara, është realizuar në shumën 95,596.6 milionë lekë, pra konstatohet një tejkalim prej + 201.6 milionë lekësh.
    Konstatohet se defiçiti i degës së pensioneve po thellohet nga viti në vit dhe, bazuar në treguesit e buxhetit afatmesëm, parashikohet të thellohet edhe në tre vitet e ardhshme, duke bërë të domosdoshme marrjen e masave konkrete dhe reformimin e thellë të Sistemit të Sigurimeve Shoqërore.
    Kemi rekomanduar një sërë masash për përmirësimin e gjendjes, por theksojmë se është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm miratimi i ndryshimeve ligjore për skemën e sigurimeve shoqërore (nismë tashmë realizuar pjesërisht), si dhe marrja e masave shtrënguese në detyrimin e subjekteve publike dhe private, për derdhjen e detyrimeve për sigurimet shoqërore dhe shëndetësore, të cilat së bashku do të përmirësojnë situatën për defiçitin e krijuar.
    Rekomandimet e KLSH, të lëna si në drejtim të përmirësimeve ligjore të akteve në fuqi, ashtu dhe për hartimin e marrëveshjeve ndërinstitucionale dhe masat organizative brenda ISSH, nëse zbatohen, mund të përmirësojnë skemën e Sigurimeve Shoqërore dhe ndalojnë “hemorragjinë” e defiçitit të pensioneve.

Buxheti i Sigurimeve Shëndetësore
Nga auditimi i ushtruar në Fondin e Kujdesit Shëndetësor, konstatuam të ardhurat gjithsej, janë realizuar në masën 7,3 miliardë lekë nga kontributet ndërsa pjesa tjetër janë transferta të buxhetit të shtetit 23,2 miliardë lekë. Përsa u përket të ardhurave nga kontributet shëndetësore të fermerëve, janë realizuar në masën 66%.
Shpenzimet faktike gjatë vitit 2013 në krahasim me faktin e vitit 2012 janë rritur në vlerën 864 milionë lekë, ose niveli i realizimit është 105.6 %, pasi nga 15,446 milionë lekë të shpenzuara gjatë vitit 2012, evidentohet se në vitin 2013 janë shpenzuar 16,310 milionë lekë.
Kemi konstatuar se ka patur mangësi në mënyrën e planifikimit të shërbimit shëndetësor, referuar mënyrës së llogaritjes dhe vlerësimit të kostos së shërbimeve spitalore, problem i cili nuk ka gjetur zgjidhje duke sjellë si pasojë që buxheti i vitit 2014, por edhe projektbuxheti i vitit 2015 për shërbimin spitalor të hartohet bazuar vetëm në të dhëna historike. Kemi rekomanduar të intensifikohet puna e nisur gjatë vitit 2014 nga Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në lidhje me hartimin dhe miratimin e kostos së shërbimeve kryesore spitalore me efekte financiare për buxhetin e kujdesit shëndetësor.
Të sigurohet që pacientët të marrin paketa të përcaktuara dhe të kontraktuara midis blerësit të shërbimit dhe qendrës shëndetësore, apo ofruesit tjetër të shërbimit që mund të jetë spitali publik, ose spitali privat. Transparencën e konsiderojmë të rëndësishme në këtë proces.
Kemi rekomanduar po ashtu, që të përcaktohet një mënyrë më efektive për të saktësuar ngarkesën e mjekut të familjes, kjo pasi rezulton se ngarkesa faktike banorë/për mjek familje është duke arritur kufijtë maksimalë, krahasuar me normën dhe maksimumin e normës, të miratuara nga Ministria e Shëndetësisë. Kemi kërkuar pastrimin në vazhdimësi të regjistrit elektronik të banorëve nga dublimet dhe bashkëpunimin me Drejtorinë e Përgjithshme të Gjendjes Civile për përcaktimin e saktë të banorëve, kjo pasi kemi konstatuar se institucioni administron një regjistër elektronik të banorëve, me mbi 4 milion banorë në total në rang vendi.
Për të siguruar zbulimin dhe dënimin e fenomeneve abuzuese me skemën e sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor, duke u përqendruar të veprimtaria e mjekut të familjes, mjekut specialist, farmacistët dhe të siguruarit nga skema, kemi rekomanduar të ushtrohet kontroll më i hollësishëm në QSUT dhe KMCAP, në lidhje me rekomandimet e dhënies së barnave për trajtimin e të siguruarve, të harmonizohen kontrollet e plota me kontrollet tematike për rajonet që kanë tejkalim të planit të rimbursimit gjatë vitit.
Bazuar në evidencat e FSDKSH-së, konstatohet se për vitin 2013, vazhdon të mbetet i palikuiduar detyrimi i prapambetur i vitit 2012, i ISSH ndaj FSDKSH në shumën 215.4 milionë lekë, ku për arkëtimin e kësaj vlere duhet të negociohet midis Ministrisë së Financave dhe ISSH (që nga prilli i vitit 2013 nuk ka më marrëdhënie midis ISSH e FSDKSH për shumën e transfertës së kontributeve nga TSA).
Mbi auditimin e kryer për manaxhimin e burimeve natyrore
Kontrolli i Lartë i Shtetit auditoi Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (e cila auditohet për herë të parë që nga krijimi në vitin 2006) në drejtim të transaksioneve financiare dhe në zbatimin e procedurave ligjore si dhe përmbushjen e detyrave funksionale të kësaj Agjencie për periudhën e aktivitetit të vitit 2013, ku duhet theksuar fakti që audituesit e KLSH patën qasje të kufizuar në dokumentacionin e marrëveshjeve hidrokarbure, duke e shtyrë auditimin e plotë të këtij sektori për periudhën në vijim.
Nga auditimi i AKBN, rezultoi si vijon:

  1. Kjo Agjenci në veprimtarinë e saj administrativo-ligjore është vetëpërjashtuar nga rregullat për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore duke funksionar me një status “hibrid”, pa përcaktime të sakta ligjore të cilat rregullojnë veprimtarinë e saj. Kjo ka sjellë dhe shpenzime të pajustifikuara apo dëme në mënyrën e administrimit të fondeve në dispozicion, ku vetëm për vitin 2013 ky keqpërdorim arrin në vlerën prej rreth 34,5 milionë lekë.
  2. Në funksionimin e AKBN është konstatuar mungesë rakordimi të veprimeve me Autoritetin Kontraktor (Ministria e Energjetikes dhe Industrisë-MEI) për monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të kontratave. Veçanërisht mbi dokumentacionin ekonomiko-financiar që duhet të paraqesin koncesionarët për zbatimin e kontratës në faza të ndryshme të ndërtimit (bilance, fatura, etj), të cilat në shumë raste mungojnë, ose nuk janë të firmosura sipas bazës ligjore, mungesa e dokumentacionit ka bërë të pamundur vlerësimin real të investimeve të kryera, duke sjellë edhe pamundësinë e llogaritjes së penaliteteve nga Autoriteti Kontraktor. Një shkak për gjendjen e krijuar në fushën e dokumentacionit për monitorimin është nënshkrimi i kontratave ndërmjet ish METE dhe koncesionarëve, pa përfshirë AKBN, si institucioni monitorues.
  3. Nga auditimi konstatohet se, për HEC-et që kanë filluar prodhimin e energjisë elektrike, nuk ndiqen detyrimet e koncesionarit për kryerjen e testimit të veprës energjetike, vlerësimin e investimit, detyrimet e koncesionarit për derdhjen në vlerë në arkën e MEI të tarifës koncesionare sipas kontratës, dhe rakordimet vjetore, për të përcaktuar përmbushjen e detyrimit për prodhimin e energjisë elektrike vjetore sipas kontratës.
  4. Nga auditimi i dokumentacionit (që nuk është i plotë), ka rezultuar se KESH sh.a., që në bazë të një kontrate me koncesionarin, merr në dorëzim për llogari të MEI sasinë e energjisë elektrike të prodhuar, me fatura mujore, ka mbajtur tarifën koncesionare sipas energjisë elektrike të prodhuar dhe sipas tarifës në përqindje. KESH sh.a. detyrohet që vlerën e tarifës koncesionare, ta derdhë në arkën e Ministrisë të Energjisë dhe Industrisë, por që me argumentin e vështirësive financiare, nuk e ka derdhur. Përveç tarifës koncesionare, koncesionari për mosrealizimin e prodhimit vjetor të energjisë elektrike për faj të tij, penalizohet me 5 % të vlerës të energjisë elektrike të parealizuar, duke llogaritur të plotë edhe tarifën koncesionare, dhe jo sipas prodhimit faktik të realizuar. Këto llogaritje nuk janë bërë nga Autoriteti Kontraktor.
  5. Nga auditimi i dokumentacionit rezulton se për vitin 2013, nuk është kryer testimi i HEC-eve që janë vënë në punë, duke mos zbatuar procedurat e përcaktuara në Kontratës Koncesionare. Moskryerja e këtyre procedurave në prani të përfaqësuesve të Autoritetit Kontraktor dhe Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore, nuk ka dhënë mundësi të përcaktohet nëse janë plotësuar kushtet e përcaktuara për fuqinë e vendosur, makineritë e vëna në HEC, llojet, origjina e tyre, etj.
    Në lidhje me auditimin për monitorimin e lejeve e liçensave të shfrytëzimit të burimeve natyrore minerare rezultoi se:
  6. Agjencia kombëtare e burimeve natyrore (AKBN) nuk ka hartuar asnjë raport monitorimi për të dy gjashtëmujorët e vitit 2012 bazuar mbi mbikëqyrjen që duhet të kryenin gjatë kësaj periudhe në subjektet që ushtrojnë veprimtari të shfrytëzimit minerar, duke mospërmbushur detyrimin ligjor të saj, megjithëse ka kryer shpenzime dhe përdorur fonde për hartimin e raporteve të monitorimit.
  7. Në raportin e vitit 2013, shumë nga treguesit e monitorimit të lejeve minerare nuk janë koherentë duke humbur besueshmërinë e gjendjes reale të treguesve të aktivitetit të lejeve minerare, pasi bazohen në raportet dhe akt konstatimet e viteve të mëparshme apo vetëdeklarimet e vetë subjekteve. Mënyra e trajtimit nga ana e specialistëve dhe masat e propozuara nga drejtuesit e AKBN gjatë vitit 2013 nuk kanë qenë në mbrojtje të interesave të shtetit. Mos aplikimi i masave administrativo-ligjore nga ky institucion, ka lejuar abuzimin nga ana e shoqërive koncesionare, të cilat gëzojnë leje shfrytëzimi të bëjnë një shfrytëzim gati barbar të burimeve nëntokësore, duke shkatërruar në shumicën e rasteve zonat mjedisore në të cilat ata operojnë.
  8. Nga auditimi u konstatua se në shumë rrethe të vendit zhvillohet aktivitet minerar nga ana e subjekteve të palicencuara, të cilat jo vetëm zhvillojnë veprimtari të paligjshme, por sjellin edhe një dëm mjedisor si nga pikëpamja vizive, por edhe nga emetimet në atmosferën përreth të gazrave të dëmshëm. Nga strukturat përgjegjëse nuk merren masa që në bashkëpunim me pushtetin lokal të kërkohet dhe ndihma e Policisë së Shtetit, duke bërë evidentimin dhe ndalimin e subjekteve të palicensuar, që zhvillojnë aktivitet privat minerar të paligjshëm. Në zona të ndryshme konstatohen raste të tjetërsimit të lejes minerare të shfrytëzimit te persona të tjerë në mënyrë të paligjshme dhe deri në ushtrimin e aktivitetit prodhues minerar në zona të paliçensuara.
  9. Nga të dhënat e vëna në dispozicion nga sektori i Garancive dhe Rehabilitimit Mjedisor rezulton se nga 741 subjekte të regjistruara me leje minerare rreth 393 subjekte nuk kanë depozituar asnjë vlerë monetare, si garanci për rehabilitimin e zonës, në shkelje të ligjit minerar. AKBN ka lejuar që këto subjekte të mos e zbatojnë këtë detyrim ligjor, mungesa e kësaj garancie rrezikon dhe shuan mundësinë e rikthimit të këtyre zonave në gjendjen mjedisore të mëparshme, duke i shkatërruar përfundimisht ato. Rreth 121 subjekteve për të cilat është propozuar revokimi i lejes minerare, rezulton të kenë garanci financiare të padepozituara për vitin 2011 dhe vitin 2012 në vlerë të përllogaritur në shumën 88.6 milionë lekë, të cilat duhet të kalonin në favor të buxhetit të shtetit dhe të përdoreshin për rehabilitimin e zonave ku është kryer veprimtaria minerare.
    Pavarësisht se gjendja paraqitet tejet e rëndë dhe jashtë çdo autoriteti të shtetit mbi pasuritë kombëtare, të cilat vazhdojnë të përdoren në mënyrë të jashtëligjshme,shkatërrohet mjedisi në mënyrën më barbare dhe shfrytëzohen njerëz si në mesjetë, autoritet shtetërore përgjegjëse për të marë masa dhe ndëshkuar cilindo që dhunon e cënon pasurinë kombëtare mjaftohen me raporte të vazhdueshme të cilat në shumicën e rasteve mbeten në sirtarët apo arkivat e institucioneve si dëshmi e shkatërrimit, përballë apatisë së instancave shtetërore, kryesisht për mungesë vullneti dhe bashkëpunimi.
    KLSH vlerëson nismën për ndryshime ligjore në ligjin Minerar, ndryshime të miratuara nga Kuvendi me datë 8 tetor 2014, të cilat ndihmojnë në përmirësimin e situatës së rënde në aktivitetin minerar të vendit.
    Mbi auditimin e saktësisë se detyrimeve të prapambetura të deklaruara si borxh deri në datën 31.12.2013 ne ARSH dhe QSUT.
    Në respekt të kërkesës së Fondit Monetar Ndërkombëtar, është ndërmarrë një auditim tematik lidhur me saktësinë e detyrimeve të prapambetura të deklaruara si borxh deri në datën 31.12.2013, bazuar në materialin e përgatitur nga eksperti ndërkombëtar i kontraktuar nga qeveria. Ky mision u realizua në respekt të kërkesës së misionit të FMN dhe në kushtet kur nuk u arrit të nënshkruhej memorandumi i bashkëpunimit me Ministrinë e Financave, pavarësisht mirëkuptimit dhe dakordësisë së MoF me KLSH, për shkak të problematikës së auditimit të detyrimeve për TVSH. Auditimi u realizua mbi listën e detyrimeve për investimet në infrastrukturën rrugore deklaruar nga ARrSH dhe në detyrimet e mallrave dhe shërbimeve të QSUT.
    Mbi auditimin e borxhit në ARrSH
    Nga auditimi i kësaj liste në Autoritetin Rrugor Shqiptar rezultoi se raportimi zyrtar i detyrimeve të prapambetura, të njohura, por të papaguara nga ARrSH datë 31.12.2013, me vlerë 14,419 milionë lekë, nuk është i saktë dhe duhet të saktësohet duke zbritur vlerën 880 milionë lekë.

Nr.
EMËRTIMI Vlera e papaguar dhe paraqitur si borxh deri 31.12.2013 Vlera e papaguar dhe paraqitur si borxh pas konstatimeve KLSH Devijimi
(në ulje)
000/lekë
1 Zhvillimi i projekteve të brendshme 11,415,349 11,054,949 360,400
2 Studime projektime (brendshme, huaja) 451,666 408,101 43,565
3 Shpronësime 1,105,971 752,360 353,611
4 Vendime gjyqësore 426,217 426,217 –
5 Kosto lokale dhe TVSH 1,020,635 897,980 122,655
6 Shuma 14,419,838 13,539,607 880,231
1/a. Zhvillimi i projekteve të brendshme, është paraqitur me 360 milionë lekë më tepër, për shkak të rritjes së padrejtë të vlerës së detyrimit të prapambetur në projektet ose veprimet e pasakta financiare të konstatuara nga auditimi i KLSH.
1/b. Shpronësimet, janë paraqitur me 353,6 milionë lekë më tepër, si rezultat i gabimeve në klasifikimin e bërë nga personat përgjegjës.
1/c. Studim projektim, është paraqitur më tepër 43,6 milionë lekë, si rezultat i mos rakordimit në vazhdimësi të likuidimeve midis Sektorit të Projekteve dhe Sektorit të Financës.
1/d. TVSH dhe kosto lokale paraqitur më tepër 122,7 milionë lekë si rezultat i interpretimit të gabuar për garanci punimesh.
I kemi kërkuar ARrSH, të njoftojë Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, si dhe Ministrinë e Financave, për ndryshimin në zbritje të vlerës reale të detyrimeve të prapambetura datë 31.12.2013, me 880 milion lekë, me qëllim reflektimin e tij për detyrimet në vijim.
Gjithashtu kemi lënë rekomandime të cilat i shërbejnë mirëadministrimit të këtyre kontratave në të ardhmen, në mënyrë që të sigurohet saktësia e të dhënave dhe detyrimeve, që të ndiqen me përgjegjshmëri më të madhe.
Mbi auditimin e borxhit në QSUT
Nga auditimi në QSUT ka rezultuar se sipas bilancit të datës 31.12.2013, vlera totale e detyrimeve të krijuara gjatë viteve për barnat farmaceutike është 2 miliardë lekë, ndërsa për ato jo farmaceutike, investime, shpenzime për ujë, shpenzime për vendime gjyqi, blerje gazi dhe karburanti, etj., janë 1,5 miliardë lekë. Pra detyrimi i prapambetur për t’u likuiduar është në vlerën totale prej 3,56 miliardë lekë. Auditimi konstatoi parregullsi në rastin e detyrimeve të paguara për konsum të medikamentit “Cerezyne”. Kjo parregullsi i referohet mos dokumentimit të sasisë së medikamentit të përfituar si donacion dhe atij që duhej të përballohej nga fonde buxhetore. Konstatuam që në total me praktika të gabuara, dhe të padokumentuara plotësisht, janë njohur si detyrim buxhetor dhe likuiduar 111 milionë lekë. Kemi rekomanduar që të investigohet nga auditi i brendshëm i MSH, praktika e plotë (duke filluar nga viti 2012 deri qershor 2014), për barnat e përfituara me donacion, lidhur me evidentimin e saktë të pacientëve të trajtuar dhe sasisë së konsumuar nga ata sipas protokolleve mjekësore. Nisur nga ky konstatim kemi kërkuar të njëjtën procedurë auditimi për të gjitha barnat që QSUT, ka përfituar me donacione të ndryshme. Kërkohet të hartohet një rregullore e plotë e evidentimit, kontabilizimit dhe përdorimit të tyre në këtë institucion.
Në praktikat e likuidimeve të barnave, u konstatua marrja e mallrave me metodën e “borxhit”, madje kryerjet e këtij veprimi ishin në metodën e punës (praktikë që vepron akoma), veprime që kishin miratimin e titullarit të institucionit duke caktuar edhe një komision të veçantë për marrjen e mallrave (barnave) si borxh. Për këtë kemi rekomanduar të pritet menjëherë praktika e marrjes së mallrave “borxh”, para se të lidhet kontrata ose marrja e mallrave pjesore nga furnizuesi me argumentimin se nuk e disponon të gjithë sasinë e barnave të caktuar në kontratë.
Për të parandaluar krijimin e detyrimeve të reja i rekomandojmë institucionit që të ndiqet praktika e pagesave të mallrave bazuar me datën e hyrjes së tyre në magazinë, gjithashtu asnjë likuidim nuk duhet të bëhet pa praktikën e plotë dokumentare dhe kontratën përkatëse.
Mbi zbatimin e ligjshmërisë në administrimin e të ardhurave dhe shpenzimeve në shoqëritë aksionere
Rezulton se KLSH gjatë veprimtarisë audituese të ushtruar në Shoqëritë aksionere, ka evidentuar shkelje dhe mangësi si rrjedhoje e moszbatimit të ligjshmërisë me pasojë dëm ekonomik prej 8,1 miliardë lekë. Rezultatet e disa nga auditimeve kryesore janë:
Mbi auditimin e ushtruar në Albpetrol Sh.a
Nga auditimi i radhës në shoqërinë Albpetrol sha, u konstatua që kjo shoqëri ka funksionuar si një kompani shtetërore tërësisht në dobi të interesave të kompanive koncensionare private dhe interesave të drejtuesve më të lartë të saj, duke shmangur në mënyrë flagrante vendimmarrjen e Këshillit të Ministrave, Këshillit Mbikëqyrës, Drejtorisë së Auditit të Brendshëm dhe drejtorive të tjera të Albpetrol, si dhe duke krijuar e konsoliduar struktura paralele drejtuese në brendësi të shoqërisë. Më konkretisht, shkeljet kryesore që kanë rezultuar nga auditimi i Albpetrol janë:

  1. Nënshkrimi me të njëjtën kompani koncensionare i dy akt-marrëveshje hidrokarbure, tërësisht në kundërshtim me procedurat e parashikuara ligjore dhe në tejkalim të plotë të kompetencave të Administratorit të Albpetrol Sh.a.;
  2. Shlyerja e detyrimit të Albpetrol ndaj shoqërive koncesionare, me dhënien e naftës direkt nga vendburimi, dhe jo nëpërmjet Qendrës së Administrimit dhe Shitjes së Naftës dhe Gazit në Patos;
  3. Zbritja nga nafta e prodhuar, e sasisë së holluesit të përdorur, veprime të cilat kanë shkaktuar uljen e padrejtë të detyrimeve që shoqëri koncesionare i kanë Albpetrol. Dëmi i shkaktuar rreth 7.2 milionë euro;
  4. Pasaktësi në llogaritje të bilancit të naftës së prodhuar, me efekte të mëdha financiare në rezultatin e shoqërisë;
  5. Krijimi i strukturave paralele për të dubluar veprimtarinë e Albpetrol sh.a, si në rastin e organizimit të Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve. Nga 150 punonjës që është personeli i administratës së Albpetrol, 63 prej tyre i përkasin Drejtorisë së Marrëveshjeve dhe Hidrokarbureve;
  6. Probleme të mprehta sociale, të mbartura në vite, në trajtimin e ish-punonjësve dhe punonjësve aktualë të Albpertrol Sh.a., të ngritura nga Sindikata e Nxjerrjes së Naftës.
    Çështjet dhe problematikat e mësipërme të trajtuara më hollësisht edhe në raportin e auditimit të Albpetrol sha, kërkojnë angazhimin dhe bashkëveprimin e një sërë institucioneve shtetërore, kryesisht Ministrisë së Energjisë dhe Industrisë, Këshillit Mbikëqyrës të Albpetrol si dhe AKBN, por pavarësisht punës së këtyre institucioneve, mendojmë që për problematikat disavjeçare të ngritura nga Sindikata e Nxjerrjes së Naftës, Patos dhe për të cilat kjo shoqatë i është drejtuar vazhdimisht institucioneve më të larta në vend, Kuvendi duhet të ndërmarrë nismën për të ngritur një komision të posaçëm parlamentar për shqyrtimin e tyre.
    Ne si KLSH kemi rekomanduar auditimin jo vetëm aktivitetin e shoqërisë por edhe kompanitë koncensionare, pa cënuar në asnjë rast në rrugë joligjore, të drejtat e këtyre kompanive. Vetëm pas kësaj, mendojmë se Kuvendi dhe opinioni i gjerë publik do të informohet me saktësi në lidhje me realitetin dhe përmasat e vërteta të këtij dëmi të konsiderueshëm, jo vetëm ekonomik, i cili është disa fish më tepër.
    Dëmi ekonomik i zbuluar nga KLSH gjatë vitit 2013 është në vlerën 12,673.6 milionë lekë ose mbi 90.5 milionë euro dhe detyrimet debitore në fund të vitit 2013 janë në total në vlerën 98,064 milionë lekë ose mbi 70 milionë dollarë. Më konkretisht:

I. Vlera e shkeljeve me dëm ekonomik në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të shtetit, në shumën 12,548 milionë lekë e detajuar paraqitet :

  • Vlera e dëmit ekonomik në të ardhurat e buxhetit të shtetit në vlerën 3,901.2 milionë lekë;
  • Vlera e dëmit ekonomik në shpenzimet e buxhetit të shtetit në vlerën 665.9 milionë lekë;
  • Vlera e demit ekonomik te shkaktuar në shoqëritë anonime në total 8106.5 milionë lekë;
    nga e cila :
  1. Vlera prej 5,566.8 milionë lekë e Albpetrol sh.a. Fier për mosarkëtim të ardhurash si pasojë e mosbatimit të detyrimeve kontraktore.
  2. Vlera prej 2,242.8 milionë lekë e Autoritetit Portual Durrës.
  3. Vlera prej 296.9 milionë lekë e demit ekonomik të evidentuar në shoqëritë anonime në fushën e shpenzimeve.

Theksojmë se në dëmin ekonomik të evidentuar për Albpetrol Sh.a prej 5,566.8 milionë lekë nuk është përfshirë:
-Vlera e detyrimit prej 314.93 milionë lekë që përfaqëson dëmin ekonomik të shkaktuar nga kompania koncesionare B….(PPE&PPA) i përket vitit 2014.
-Vlera e detyrimit prej 5,374 milionë lekë që Shoqëria “Armo” sh.a. Fier, i ka shoqërisë “Albpetrol” sh.a Fier, që i përket detyrimit të vitit 2011. Për këtë vlerë KLSH ka kërkuar arkëtimin në rrugë ligjore duke ndjekur të gjitha procedurat e nevojshme administrative të vlerës prej 5 374 .4 milionë që shoqëria “Armo”sh.a Fier, i ka shoqërisë “Albpetrol” sh.a Fier. Nga Alb Petrol Sha kërkesë padia ishte bërë për vlerën 1,949,693 mijë lekë por pas mbajtjes nga KLSH të procesverbalit datë 07.08.2014, Albpetrol bëri kërkesë padi në datë 08.08.2014 në vlerën prej 3,424,756 mijë lekë.
II. Vlera e detyrimeve debitore në shumën 98, 064 milionë lekë
Gjithsej (I+II) =110 737.6 milionë lekë.
Vlerat e mësipërme sipas fushave dhe sektorëve ku janë konstatuar paraqiten në aneksin nr. 2 bashkëlidhur këtij raporti.

Mbi auditimet e performancës
Gjatë periudhës, KLSH ka realizuar dhe evaduar 6 auditime performance, ka realizuar dhe dërguar në subjekte 5 projekt-raporte në pritje të observacioneve, si edhe ka iniciuar 4 auditime të reja. Ecuria e auditimeve të performancës ka ardhur në rritje, si në terma të cilësisë, ashtu edhe të sasisë. Rezultatet e disa auditimeve të rëndësishme të realizuara gjatë vitit 2013, përmendim:
Ndarja administrative-territoriale në Republikën e Shqipërisë
Auditimi tregoi se ndarja aktuale administrative-territoriale ka sjellë ngadalësim në zhvillimin vendor dhe vartësi të NJQV ndaj të ardhurave nga buxheti i shtetit. Shqipërisë i nevojitet ndarje e re administrative-territoriale duke u bazuar në kritere të qarta, me synim rritjen e efiçencës dhe efektivitetit të NJQV në realizimin e objektivave për rritjen e shërbimeve në mënyrë sa më cilësore ndaj komunitetit. Bazuar në konstatimet tona kemi rekomanduar që realizimi i ndarjes së re territoriale administrative-tokësore të bazohet në ekonomicitetin, efiçiencën dhe efektivitetin e programeve qeveritare. Rekomandohet procesi i “bashkimit vullnetar”, por ndërkohë theksojmë se është shumë e nevojshme një marrëveshjeje ndërmjet forcave kryesore politike për të realizuar ribashkimin e NjQV me një kufi minimal prej 10.000 banorësh për Komuna dhe 15.000 banorësh për Bashki, duke negociuar dhe vendosur edhe kufijtë e rinj ndërmjet njësive të reja lokale.
Realizimi i ndarjes së re territoriale administrative-tokësore të bazohet në një studim të plotë nga Ministria e Çështjeve Vendore, Ministria e Brendshme, Ministria e Financave dhe ekspertë të fushës për ndarjen e re administrativo-territoriale, që të vazhdojë më pas me procedurat për hartimin dhe propozimin e projekt-ligjit të nevojshëm, duke respektuar Kushtetutën, dispozitat e ligjit për Organizimin dhe Funksionimin e Qeverisjes Vendore dhe Kartën e Autonomisë Vendore.
Censusi 2011
Auditimi tregoi pavarësisht punës së mirë në realizimin e objektivave kryesore dhe vështirësive të hasura nisur nga kompleksiteti i procesit të Census 2011, regjistrimi i popullsisë dhe i banesave nuk ka mbuluar të gjithë zonën e regjistrimit të RSH, si dhe nuk ka qenë i orientuar në përqasjen kosto-efektivitet. Nga auditimi ka rezultuar:
 Mungesa e një analize paraprake të detajuar për të gjitha aktivitetet e procesit të Census, që në fazën e planifikimit për përcaktimin e kostos dhe burimet e financimit, ka çuar në rritjen e kostos totale të këtij procesi.
 Censusi nuk e ka përmbushur misionin e tij për pasqyrimin e nivelit të punësimit në vend, duke e bërë jo efektiv modulin përkatës të përfshirë në pyetësor.
 Për çështje me ndjeshmëri publike, sikurse është feja, regjistrimi i informacionit të bëhet rigorozisht. Kjo duke marrë shkas edhe nga pakënaqësitë apo kontestimet që mund të bëjnë me të drejtë komunitetet fetare.
 Ndryshe nga marzhi i gabimit të publikuar nga INSTAT në intervalin 3-5% popullsi e paregjistruar, KLSH vlerëson se mosregjistrimi shkon deri në nivelin 30% të popullsisë totale.
 Shërbimi ushqimor spitalor
 Auditimi tregoi se ofrimi i shërbimit të ushqimit në spitalet e qytetit të Tiranës lë të për dëshiruar në drejtim të planifikimit, zbatimit dhe monitorimit të tij.
 Kemi konstatuar se performanca e shërbimit të ushqimit, pra kontrolli cilësisë së ushqimit të servirur tek pacienti, nuk është bërë në asnjë nga spitalet publike të Tiranës, pasi nuk ekzistojnë mjetet e duhura për të realizuar kontrollin e cilësisë së ushqimit dhe as vullneti i spitaleve për të realizuar këtë kontroll.
 Në të gjitha spitalet, nuk ekzistonin kritere apo udhëzime formale për monitorimin e cilësisë, dhe megjithëse në kontratë, nuk ka klauzola për këto procedura, vihet re se ka pasur raportime për performancë jo të mirë nga kontraktori.
 Edhe pse QSUT-së, nuk i ka munguar eksperienca e mëparshme për planifikimin e fondeve për ushqimin, ajo kishte planifikuar dhe llogaritur vlerën e kontratës vetëm për një vit dhe jo në shumën e plotë të pagueshme pa TVSH, për gjithë periudhën e zgjatjes së saj prej 7 vjetësh.
Në fund të këtij misioni kemi arritur në konkluzionin se zgjidhja e problematikës së hasur në spitalet tona në lidhje me planifikimin, çmimet e ndryshme të ushqimit të ofruar dhe zgjatja pafund e procedurave të prokurimit, do ishte Marrëveshja kuadër qëllimi i së cilës është të vendosë kushtet e kontratave, që do të prokurohen gjatë një periudhe të caktuar kohore, veçanërisht ato që kanë lidhje me çmimin dhe aty ku është e përshtatshme, me sasitë e parashikuara.
Performanca e KESH sh.a, liberalizimi i tregut të energjisë elektrike (fazë projekt raporti)
Auditimi tregoi se ngarkimi me funksionin e prodhuesit publik të energjisë, garantimi i blerjes së energjisë së prodhuar nga HEC-et e dhëna me koncesion, si dhe ndërtimi i marrëdhënieve kontraktuale me çmime të rregulluara (të diktuara ose nga ERE, ose nga qeveria në marrëveshjet koncesionare), sigurimi i importit (blerjes) të energjisë elektrike për llogari të CEZ Shpërndarje (aktualisht OSHEE), jo vetëm që e kanë denatyruar funksionin themelor të një shoqërie publike (sigurimin e fitimit dhe rritjen e efektivitetit), por e kanë zhytur atë në detyrime financiare ndaj klientëve, duke e bërë domosdoshmëri ndryshimin e mënyrës se funksionimit, administrimit dhe menaxhimit, nëpërmjet ndarjes së përgjegjësive (prodhimi nga blerja: importi dhe/ose blerja e energjisë nga HEC-et e dhëna me koncesion), si dhe hapjen e tregut të energjisë elektrike, të cilat do të reflektohen në fund të fundit në cilësinë dhe koston e furnizimit me energji elektrike të konsumatorëve.
Kemi rekomanduar ndryshimin e modelit të tregut të energjisë elektrike në funksion të kalimit gradual në një treg të liberalizuar, me synim rritjen e konkurrencës; zhvillimin e një reforme tarifore me interes për mbrojtjen e konsumatoreve; mundësimin për ndërhyrje me strategji dhe politika afatgjata; integrimin e këtij tregu në Tregun Rajonal dhe atë Evropian të Energjisë Elektrike, duke siguruar qëndrueshmëri dhe shërbim cilësor në furnizimin me energji elektrike.
Ndarjen e Divizionit të Furnizimit Publik me Shumicë nga KESH sh.a, si strukturë më vete, duke e vendosur shoqërinë (KESH) si operator në treg në cilësinë e prodhuesit dhe tregtuesit të energjisë elektrike, duke bërë të mundur fuqizimin ekonomik dhe financiar të KESH ShA në funksion të rritjes së efektivitetit të përdorimit të burimeve hidrike në kaskadën e Drinit (e vetmja publike aktualisht); përmirësimi i teknologjisë ekzistuese dhe për pasojë uljen e kostos, si dhe mundësimin e burimeve të tjera për rritjen e prodhimit dhe diversifikimin e burimeve elektrike;
Në kushtet aktuale të modelit ekzistues të tregut dhe pozicionimit të operatorëve në këtë sistem, si edhe në perspektivën e ndryshimeve të mundshme, rekomandojmë ruajtjen e çmimeve aktuale të energjisë elektrike për konsumatorët familjarë. Arsyet e mungesës së efiçiensës në këtë sektor nuk kanë lidhje me çmimin, por mosarkëtimin dhe rregullat e tregut në përgjithësi. Po kështu, rritja e çmimit të energjisë penalizon konsumatorët korrektë dhe favorizon vjedhësit e energjisë, duke sjellë komplikime sociale. Rritja e çmimit rrit gjithashtu presionin inflacionist për ekonominë si të tërë, gërryen fuqinë blerëse dhe madje mund të shpjerë në rënie të ritmit të rritjes. Përfundimisht, rritja e çmimit të energjisë duhet të konsiderohet nga MEI si alternativë e fundit e përmirësimeve në këtë sektor dhe shoqërinë në përgjithësi; kjo pasi humbjet të jenë reduktuar në nivele të pranueshme, pasi tregu të jetë liberalizuar dhe konkurrenca të veprojë normalisht dhe pasi të jetë bërë një studim i plotë dhe i kujdesshëm i efekteve e risqeve në ekonomi dhe harmonizimit me politikat monetare, fiskale e sociale.
Sikurse është theksuar dhe në Deklaratën e Pekinit të Kongresit të XXI-të të INTOSAI-t në tetor 2013, : “Institucionet e auditimit te jashtëm publik, nëpërmjet auditimit të pavarur profesional të Buxhetit të Shtetit, mund të ndihmojnë ligjvënësit dhe vendimmarrësit e Qeverisë, për të ruajtur qëndrueshmërinë afatgjatë të politikave financiare, duke rritur transparencën, raportimin mbi performancën e financave publike, si dhe duke theksuar rreziqet sistematike” (Deklarata e Pekinit, paragrafi 4).
Ne frymën e masave për të zbutur pasojat e krizës botërore ekonomike dhe financiare, Deklarata e Pekinit kërkon nga institucionet e auditimit te jashtëm publik që të rrisin qëndrueshmërinë e financave publike të vendeve të tyre, duke:
o Vlerësuar supozimet e planifikimit qeverisës, në lidhje me ekonominë, financat publike dhe borxhin publik, duke identifikuar rreziqet potenciale dhe dhënë rekomandime konstruktive;
o Rritur auditimin e përputhshmërisë me rregullat fiskale, me rregullimin financiar dhe standardet e pranuara të mbikëqyrjes, si dhe duke mbikëqyrur të gjithë procesin buxhetor të qeverisë. Objektivi është sigurimi i llogaridhënies gjatë gjithë fazave të planifikimit, ekzekutimit dhe vlerësimit të performancës dhe rezultateve të arritura nga Buxheti. (Deklarata e Pekinit, paragrafi 1 dhe 2).
Në zbatim të këtyre orientimeve thelbësore të INTOSAI-t, Organizatës ndërkombëtare të institucioneve të auditimit të jashtëm publik, ne si KLSH jemi gati të ndihmojmë në përgatitjen dhe zbatimin e Projekt-Buxhetit të vitit 2015, të ndërgjegjshëm se mund të japim kontributin tonë modest në stabilitetin e politikave financiare publike dhe në zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

II. B.3 Për prezantimin e Raportit të Buxhetit Faktik të vitit 2014

Të nderuar deputetë,
Po paraqes shumë shkurt karakteristikat dhe treguesit kryesorë të zbatimit të Buxhetit të Shtetit 2014, sipas tre kolonave baze të një buxheti modern dhe koherent: besueshmërisë, transparencës dhe përgjegjshmërisë.
Transparenca dhe përgjegjësia e lartë në zbatimin e një buxheti Shteti përbejnë shtyllat kryesore për ruajtjen e besueshmërisë së qeverisë në sytë e qytetarëve. Në këto drejtime kemi nevojë të përmirësohemi të gjithë: ekzekutivi, legjislativi dhe institucionet e pavarura kushtetuese.
Me synim rritjen e kredibilitetit të buxhetit, paraqesim përpara Jush opinionin, gjetjet dhe rekomandimet tona në lidhje me zbatimin e Buxhetit të vitit 2014, në përputhje me mandatin tonë kushtetues, ligjin organik të KLSH-së miratuar nga Kuvendi vitin e kaluar, standardet e auditimit publik suprem ISSAI, me kërkesat e Manualit të Fondit Monetar Ndërkombëtar “Për Menaxhimin e Shpenzimeve Publike” , me Kodin e Transparencës Fiskale të FMN dhe me të Dhjete Parimet e Buxhetimit Publik të OECD .
Opinioni i përgjithshëm (Shih Përmbledhjen faqe 4, Raportin faqe 277)
Kontrolli i Lartë i Shtetit, për zbatimin e buxhetit të shtetit të vitit 2014, para miratimit të tij nga Kuvendi i Shqipërisë, shpreh opinionin e përgjithshëm se përgatitja, shqyrtimi dhe miratimi i Buxhetit, zbatimi, ndjekja dhe rishikimi i tij, të drejtat dhe kufizimet për huamarrjen, garancitë dhe format e tjera të rrjedhura prej tyre si dhe kontrolli, kontabiliteti, raportimi, përgjithësisht janë kryer në respektim të kërkesave të Kushtetutës dhe ligjeve.
Përgjatë këtij Raporti, kemi shprehur vlerësim për përpjekjet e qeverisë, shoqëruar me kërkesën për ndërhyrje dhe ndjekje të rekomandimeve të KLSH-së, të cilat synojnë ngritjen dhe konsolidimin e një sistemi modern dhe të integruar të menaxhimit financiar, rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike në përputhje me direktivat e integrimit të Bashkimit Evropian.
Raporti u përgatit, duke u bazuar në orientimet e Strategjisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, sipas të cilës “Ndërsa përgjegjësia e përgjithshme për mbikëqyrjen e zbatimit të reformave i takon Ministrisë së Financave, Strategjia e MFP-së përfshin të gjithë sektorin qeveritar, Kontrollin e Lartë të Shtetit dhe Parlamentin. Kështu, përgjegjësia e përgjithshme për zbatimin e suksesshëm të Strategjisë ndahet midis të gjithë aktorëve të sektorit publik” .
Për zbatimin e buxhetit 2014, janë audituar 129 institucione shtetërore dhe ndërmarrje me pronësi shtetërore si dhe është audituar performanca e 38 institucioneve shtetërore. Si rezultat i këtyre auditimeve, kemi konstatuar një dëm ekonomik në shumën prej 108,8 miliardë lek ose 777 milionë euro, ndërsa të dhënat për detyrimet debitore në fund të vitit 2014 arrijnë në vlerën 110,6 miliardë lek ose 790 milionë euro. Kemi evidentuar shkelje të ligjshmërisë jo në përputhje me parimet e 3 E (ekonomicitetit, efiçiencës dhe efektivitetit), të cila kanë sjellë efekt negativ financiar në të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit në vlerën 27,4 miliardë lekë ose 195 milionë euro (të gjitha shifrat e mësipërme do të kërkonin shumë me tepër se 20 minuta kohë për t‟u analizuar). (Shih Raportin faqe 273-274, Aneks 2 dhe Aneks 3).

1 – Besueshmëria
A – Mbi ndërhyrjet gjatë zbatimit të Buxhetit
Buxheti është një kontratë midis qytetarëve dhe qeverisë, besueshmëria e të cilit bazohet mbi qëndrueshmërinë e tij. Gjykojmë, se referuar parimeve të FMN dhe OECD, ndryshimet që reflektohen nga miratimi i Akteve Normative e cënojnë kredibilitetin e buxhetit. Shkak i këtyre ndërhyrjeve është praktika e programimit me tregues tejet optimistë, pa një proces të kujdesshëm dhe pa monitorimin e duhur nga strukturat në qendër dhe në bazë. Ndryshimi në zërat buxhetorë, niveli i lartë i detyrimeve si dhe mundësia e qeverisë për të shkurtuar zëra të caktuar janë tregues të kredibilitetit të ulët. Kemi kërkuar përmirësimin e procesit të programimit të buxhetit në drejtim të garantimit të kredibilitetit të tij, nëpërmjet edhe një politikë fiskale të qëndrueshme, në respekt të plotë të objektivave fiskalë afat mesëm. Duhet të përcaktohen objektiva fiskalë të qartë, që u lehtësojnë njerëzve të kuptuarit e kursit të qeverisë për politikat fiskale në të gjithë ciklin ekonomik. Vetëm kështu buxhetimi shndërrohet në gur themeli në arkitekturën e besimit mes Shtetit dhe qytetarëve të tij. Konsultimi me shoqërinë civile e ndihmon procesin dhe e përshpejton arritjen e një buxheti kredibël.

B – Mbi defiçitin buxhetor
Sinjal alarmi për Qeverinë por dhe për këtë Komision të nderuar, duhet të jetë niveli i lartë i Defiçitit Buxhetor. Për vitin 2014, defiçiti buxhetor rezultoi 72,1 miliardë lek, kundrejt 66,9 miliardë lek të një viti më parë, pra me rritje 5,2 miliardë lek. Ky nivel defiçiti rezultoi më i lartë se shpenzimet kapitale për 13,6 miliardë lek, duke shkelur rregullin e artë të buxhetit, sipas të cilit masa e defiçitit buxhetor nuk mund të kalojë masën e shpenzimeve kapitale të parashikuara në Ligjin e Buxhetit Vjetor. Duke pasur parasysh ndikimin negativ që ka një nivel në rritje i defiçitit buxhetor në ecurinë ekonomike, veçanërisht në rritjen e borxhit në periudhën afatgjatë, kemi kërkuar nga Ministria e Financave një përqasje të kujdesshme dhe vëmendje maksimale, për të gjetur vazhdimisht në këto vite mënyrën për mbajtjen e defiçitit në nivele të kontrollueshme. Si qasje propozojmë tkurrjen e kujdesshme të shpenzimeve buxhetore, duke synuar eliminimin e shpenzimeve që nuk përbëjnë vlerë të shtuar për financat publike, shoqëruar me masa për përmirësim të ndjeshëm të administrimit tatimor dhe doganor.

C – Mbi menaxhimin e borxhit publik
Auditimi i treguesve të borxhit publik dhe menaxhimit të tij është një nga drejtimet kryesore të auditimit për zbatimin e buxhetit faktik. Për vitin 2014 konstatojmë se borxhi publik në fund të vitit 2014 rezultoi në 69.16 % të PBB-së dhe, duke shtuar edhe mbështetjen buxhetore me kredi nga Banka Botërore dhe FMN, ky borxh arrin në 71.76% të PBB-së.
Si KLSH, në përputhje me kërkesat e Strategjisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”, i kemi rekomanduar në mënyrë të përsëritur Ministrisë së Financave dhe Kuvendit marrjen e masave për hartimin e një kuadri rregullator fiskal, i cili të synojë reduktimin e nivelit të borxhit publik në nivele të përcaktuara qartë, në mënyrë që brenda një periudhë 3 vjeçare të sigurohet që treguesi i borxhit publik të arrijë në nivelin 60% të PBB-së. Kjo kërkon paraqitjen e një nisme ligjore për vendosjen në Kushtetutë dhe në Ligjin “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” të niveleve të pranueshëm të borxhit publik ndaj PBB-së, bazuar në kushtet makroekonomike të vendit.
Për një menaxhim efektiv të borxhit, kemi rekomanduar që:
a) Ministri i Financave në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë, të kryejë një analizë të thelluar të situatës, me synim evitimin e humbjes së besueshmërisë së vendit ndër kreditorët e huaj.
b) vendimmarrjet për marrjen përsipër të detyrimeve financiare nga Republika e Shqipërisë, të jenë vendimmarrje politike që sigurohen nëpërmjet ratifikimit të tyre në Kuvendin e Shqipërisë.
Kemi kërkuar po ashtu orientimin në drejtim të titujve qeveritarë me afat të gjatë maturimi, të cilët përmirësojnë strukturën e borxhit të brendshëm dhe reduktojnë riskun e rifinancimit.
Me synim kontrollin e risqeve të portofolit dhe mirëmenaxhimin e riskut të kursit të këmbimit, kemi rekomanduar që prioritet të jetë mbajtja nën kontroll e borxhit të jashtëm duke vendosur një tavan vjetor për totalin e borxhit të jashtëm brenda borxhit publik, në përputhje me strategjinë afatmesme të menaxhimit të borxhit publik.

D – Investimet kapitale dhe përdorimi i Letër Kredisë (LC) në realizimin e tyre
Investimet kapitale janë realizuar në shumën 60,7 miliardë lek, ose 92% të planit, duke regjistruar 4,7 miliardë lek investime më pak se një vit më parë. Si investimet e brendshme dhe ato me financim të huaj janë realizuar më pak se plani.
Në çeljen e fondeve për investime kapitale në fillim të vitit (me shkresën nr.2112, datë 18.02.2014) ka ndodhur një ngurtësim nga Ministria e Financave, shkak për të cilin investimet me financim të brendshëm u zhvendosën në 3 muajt e fundit të vitit, duke arritur nivelin më të lartë në muajin dhjetor.
Kjo situatë është shoqëruar edhe me përdorimin e Letër Kredisë, si një formë e realizimit të investimeve publike. Letër Kredia ka sjellë ngurtësimin e fondeve në llogarinë e institucioneve shtetërore, në një bankë të nivelit të dytë, për llogari të operatorëve ekonomikë. Ky ngurtësim që kap vlerën e 3,4 miliardë lekëve, në masën e plotë të shpenzimit/investimit dhe në kushtet kur punimet/shërbimet dhe mallrat nuk janë realizuar, është jo vetëm përdorim i një instrumenti të parregulluar në praktikat buxhetore, por dhe në shkelje të parimeve të anualitetit, transparencës dhe besueshmërisë, pasi janë referuar në treguesit fiskalë. Arsyetimi i këtij parapagimi me “mos-djegien” e fondeve, në favorizim të operatorëve privatë, duke krijuar hapësira për zbehje të kontrollit buxhetor dhe rregullave të menaxhimit dhe kontrollit financiar, është një përpjekje për të ndryshuar realitetin.
Në lidhje me ketë dhe instrumentet e tjerë financiarë/bankarë që përdoren nga sektori publik, kemi rekomanduar që Ministria e Financave të bëjë rregullimet e tyre, duke përcaktuar qartë përdorimin dhe duke mos lënë hapësira interpretimi. Deri në një rregullim të plotë ligjor të tyre, përdorimi i këtyre instrumenteve bankare në zbatimin e buxhetit(duke patur parasysh edhe koston e 3 përqind te interesit) duhet të minimizohet.
Konstatuam se shpenzimet kapitale si fonde të kushtëzuara, nëpërmjet Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, për vitin 2014, janë realizuar në shumën e 8.4 miliardë lek me një rritje prej 6.4 miliardë lek krahasuar me vitin 2013. Nëse do të vijohet me një rritje të fondeve të programuara nën këtë zë, duke pasur parasysh përdorimin e tyre me një shtrirje më të gjatë se viti buxhetor, si dhe faktin e një monitorimi të vështirë për shkak të natyrës dhe ndarjes së përgjegjësive në disa institucioneve të përfshira në këtë proces, kjo kategori duhet të trajtohet konform kritereve të alokimit dhe ndjekjes së shpenzimeve kapitale. Sjell në vëmendje shqetësimin edhe të Ambasadorit të SHBA-ve Donald Lu, i cili pak ditë më parë u shpreh: “I kemi kërkuar qeverisë qendrore të investojë drejtpërdrejtë tek qeveritë vendore, në vend të fondeve rajonale të zhvillimit, të cilat ndeshen me rrezikun e përdorimit për financimin e kryetarëve të bashkive të PS-së dhe LSI-së dhe mohimin e fondeve për kryetarët e bashkive të opozitës”.

E – Mbi pasqyrat financiare të konsoliduara të shtetit
Nga auditimi në Ministrinë e Financës konstatohet mungesë e një baze të unifikuar të mbajtjes së kontabilitetit, adresime të ndryshme të përgjegjësisë, si dhe pasqyra financiare që nuk pasqyrojnë gjendjen reale të pasurisë së shtetit. Mungesa e pasqyrave të konsoliduara të shtetit, ndikon jo vetëm në nivelin e transparencën, por është e lidhur ngushtësisht me ndjekjen e kujdesshme të financave publike dhe analizën e treguesve makroekonomikë.
Në “Strategjinë për Menaxhimin e Financave publike 2014-2020” theksohet se: “Një parakusht për raportim të mirë është kontabilizimi i saktë. Gjatë periudhës së planifikuar 7-vjeçare, standardet e kontabilitetit do të rishikohen

[..]

drejt IPSAS, pasi këto të jenë miratuar përfundimisht,çka mund të ndodhë vetëm në periudhën e ardhshme të planifikimit”, ndërkohë që në vijim të po kësaj strategjie flitet për EPSAS jo për IPSAS .
Nisur nga situata reale, ku regjistrimet kontabël bazohen mbi gjykime individuale të pakontrolluara dhe të pa orientuara nga specifika të lidhura me sektorin publik, kur nuk ka programe të njëjta kontabël në përpunimin e të dhënave dhe përpunimin e informacionit kontabël, kur niveli i kapaciteteve që regjistrojnë transaksionet financiare është larg kërkesave të një administrate të zhvilluar, strategjia për të kaluar në EPSAS, standarde të patestuara akoma në vende ku kontabiliteti publik është i konsoliduar, mund të cilësohet pa frikë një sipërmarrje jo realiste, për të mos thënë futuriste. Kemi kërkuar disa ndërhyrje në këtë drejtim, që të publikohen menjëherë nga Këshilli Kombëtar i Kontabilitetit, Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit Publik IPSAS, si baza kryesore metodologjike mbi të cilën do të hartohen pasqyrat financiare të shtetit. Kemi rekomanduar të ngrihet një drejtori e veçantë, brenda Drejtorisë së Thesarit, që të mundësojë përshtatjen e pasqyrave të nxjerra nga sistemi i integruar në formën e Pasqyrave të Konsoliduara të Shtetit. Kjo drejtori duhet të ketë si funksion edhe kontrollin e saktësisë së pasqyrave të përgatitura nga institucionet publike, për të vënë nën monitorim këtë proces të rëndësishëm.
Ministria e Financave të hedhë për diskutim në nivele teknike draft-ligin “Për Kontabilitetin Publik”, duke plotësuar kuadrin rregullator të nevojshëm për të arritur në një cilësi të caktuar të raportimit financiar në sektorin publik. Duke vlerësuar faktin se përqendrimi i reformave vetëm në sistemet kontabël rrit riskun e limitimit të përfitimeve që këto reforma ofrojnë, kërkohet që paralelisht të ndërmerren edhe reforma në procesin e buxhetimit.

F – Mbi auditimin e detyrimeve të prapambetura
Kemi vlerësuar dhe mbështetur vendimmarrjen e qeverisë, në fillim të vitit 2014 “Për miratimin e strategjisë për parandalimin dhe shlyerjen e detyrimeve të prapambetura e të planit të veprimit” , vendimmarrje që i është përgjigjur shqetësimit në rritje që ky nivel detyrimesh impaktonte frenimin e zhvillimit ekonomik si dhe reflektonte rekomandimet e KLSH në dy vitet e fundit. Nga auditimi i realizuar për ekzekutimin e kësaj strategjie, kemi konstatuar shifra të ndryshme në raportime të ndryshme duke vënë ndonjëherë, në diskutim vetë vlerën e deklaruar si borxh i fshehur ndaj biznesit dhe duke na çuar në opinionin se për hartimin e Strategjisë Qeveria Shqiptare ka marrë në konsideratë një shifër jo reale, e cila nuk është saktësuar dhe vazhdon të jetë akoma e paqartë.
Konstatuam se mungon një bazë e plotë të dhënash dhe mënyra e mbajtjes ka ekspozuar këtë database nga risku operacional, gjithashtu mungon gjurma e monitorimit të këtij procesi si dhe nuk janë ruajtur prioritetet e pagesave sipas përcaktimeve të strategjisë, kurse përllogaritja e stokut të detyrimeve të prapambetura mbeti pa një shifër të konfirmuar. Për vitin 2014 FMN ka disbursuar vlerën totale prej 7.4 miliard lek, për të ulur detyrimet e prapambetura, ndërkohë që shlyerja e detyrimeve është realizuar në fund të vitit 2014 në vlerën 33 miliardë lek. Vetëm 29% e totalit të fondeve është alokuar për shlyerje të detyrimeve të prapambetura lidhur me kontrata investimesh, 38% ka lidhje me uljen e borxhit tatimor (TVSH dhe Tatim Fitimi), ndërsa 33% janë detyrime të lidhura me mallra dhe shërbime apo vendime gjyqësore, detyrime për personat me aftësi të kufizuar. Përfshirja e detyrimeve për vendime gjyqësore për largime nga puna në strategjinë e detyrimeve të prapambetura nuk i shërben objektivit për të cilin kjo strategji u hartua. Procesi i shlyerjes së detyrimeve të prapambetura ka ndjekur një linjë të shpërndarjes së përgjegjësisë deri në nivelin më të ulët manaxherial ndërsa kontrolli dhe monitorimi ka qenë përgjithësisht një formalitet pa gjurmë auditimi. Nuk është zbatuar parimi FIFO , pasi likuidimet e detyrimeve janë kryer në renditje rastësore.
Kemi rekomanduar që Ministria e Financave të nisë një mision verifikimi, për saktësimin e detyrimeve të klasifikuara dhe të raportuara si detyrime të prapambetura, shoqëruar me masa konkrete për të përcaktuar shumën e detyrimeve që do të përfitojnë nga strategjia e hartuar nga Qeveria Shqiptare në mënyrë të saktë, transparente, të besueshme dhe të përcaktohet gjurma e auditimit. Nga ana e Komitetit të Detyrimeve të Prapambetura duhet të rritet niveli i mbikëqyrjes, duke marrë përsipër përgjegjësitë për kontrollin dhe monitorimin e procesit të shlyerjes së detyrimeve të prapambetura.
H. Mbi krijimin e një administrate qendrore fiskale
Nisur nga konstatimet por dhe pamundësia e ndjekjes së detyrimeve të subjekteve për shkak të mos bashkëpunimit ndërinstitucional midis Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave, por edhe për shkak të pamundësisë së vlerësimit të drejtë të vetë deklarimeve për nivelin e aktivitetit të realizuar nga ana e subjekteve private, për shkak të ndjekjes dhe kontrollit të veçuar nga dy administrata të ndryshme, rekomandojmë që Qeveria, t’i kthehet idesë që debatohet si në praktikat botërore por edhe në ekspertizën brenda vendit, për krijimin e një Administrate Qendrore Fiskale (shkrirjen nën një administrim të tatimeve dhe doganave), duke synuar edhe një kontroll të përqendruar lidhur me sigurimin e të ardhurave tatimore të shtetit. Një administrim i përbashkët gjykojmë se do të ketë edhe efekte kursimi në kostot operacionale, sidomos në Drejtoritë Rajonale, kontributi i të cilave nuk është i lartë, krahasuar me kostot e aktivitetit të tyre. Ne si KLSH, do të synojmë që brenda 6 mujorit të parë të vitit 2016 të kryejmë një auditim performance në këtë drejtim.

I. Mbi performancën e Auditimit të Brendshëm
Standardi i auditimit publik suprem te jashtëm INTOSAI GOV 9150 “Koordinimi dhe bashkëpunimi mes institucioneve supreme të auditimit dhe audituesve të Brendshëm në sektorin publik” e kërkon në mënyrë eksplicite forcimin e marrëdhënieve dhe bashkëpunimit mes auditimit të brendshëm dhe atij të jashtëm publik, si “dy kahje të të njëjtit skud mbrojtës të financave publike ”.
Miratimi i Ligjit të ri “Për auditimin e brendshëm në sektorin publik” dhe kuadrit sekondar rregullativ do të ketë një efekt rivitalizues në funksionet e auditimit të brendshëm. Theksojmë se modernizimi i funksioneve të auditimit të brendshëm është një nevojë imediate, kjo për faktin se sa më efektive të jenë strukturat e auditimit të brendshëm aq më shumë i jepet mundësia Kontrollit të Lartë të Shtetit të orientoje dhe fokusojë veprimtarinë audituese drejt auditimeve të performancës. Përmirësimet ligjore të realizuara i konsiderojmë të rëndësishme por kërkojmë që ato të jenë të qëndrueshme, në mënyrë që kjo bazë të mos preket sa herë kërkohet nga politika.
Konstatojmë, në opinion të përgjithshëm, se pavarësisht përpjekjeve të bëra për reformimin në drejtim të forcimit dhe aftësimit profesional të burimeve audituese, njësitë e Auditimit të Brendshëm, janë ende larg pozicionimit të tyre si partnerë të besueshëm. Auditimi i brendshëm kryen auditim “bazuar në transaksione” dhe i duhet shumë punë për t’u orientuar drejt metodave dhe teknikave moderne të auditimit, sikurse është qasja e auditimit “bazuar në sisteme”. Rekomandojmë si domosdoshmëri, kalimin e punës së Auditimit të Brendshëm drejt qasjes “bazuar në sisteme”, duke e shoqëruar me Programin e zhvillimit të vazhdueshëm profesional, me synim forcimin e kapaciteteve dhe rritjen e cilësisë së veprimtarisë.

2 – Përgjegjshmëria
A – Mbi auditimin e sektorit energjetik
Sektori energjetik, si një prej sektorëve strategjikë në vend ka qenë në fokus të veprimtarisë dhe angazhimit të burimeve të auditimit nga KLSH, në funksion të dhënies së opinionit për menaxhimin e këtij sektori nga qeveria dhe adresimit njëherazi të rekomandimeve dhe masave për përmirësimin e situatës. Opinioni ynë është bazuar në auditimet në Ministrinë e Industrisë dhe Energjetikës, në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN), në Korporatën Energjetike Shqiptare (KESH) sh.a, në Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë (OSHEE) sh.a, dhe në Albpetrol sh.a.

  1. Për auditimin e ushtruar nga KLSH mbi procedurën e ndjekur në dakordësimin e kushteve të marrëveshjes “Për zgjidhjen e mosmarrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe shoqërisë CEZ a.s”. Grupi i punës i kryesuar nga Z.Ministër, më datë 23.6.2014, arriti të nënshkruajë marrëveshjen e zgjidhjes me mirëkuptim duke u dakordësuar për marrëveshjen, angazhimet dhe premtimet e Palëve në këtë Marrëveshje:
    • Transferimin e aksioneve të CEZ a.s, Republikës së Shqipërisë të përfaqësuar nga MZHETS, për 1/euro;
    • CEZ Shpërndarje sh.a, do t’i paguajë CEZ a.s, shumën totale prej 94,999,999 euro, shumë që do të përdoret për të shlyer Huat e Arkëtueshme të BERZH/KFN dhe Kërkesat e Arkëtueshme që anëtarët e Grupit CEZ, pretendojnë.
    Kemi audituar vetëm procedurat e ndjekura dhe negociatat që sollën në përgatitjen e marrëveshjes së nënshkruar më datë 23.06.2014, nga Grupi i Punës i ngritur në bazë të VKM nr.969 dt. 25.10.2013 “Për ngritje e grupit të punës për zgjidhjen me mirëkuptim të mosmarrëveshjes ndërmjet Shtetit Shqiptar dhe CEZ a.s”, përcjelljen për miratim në Këshillin e Ministrave dhe Kuvendin e Shqipërisë. Përfundimet tona janë bazuar në vlerësime dhe referenca në dokumente të institucioneve të ndryshme të Shtetit Shqiptar, korrespondenca ndërmjet institucioneve shtetërore, raporte të audituesit të pavarur ndërkombëtar apo të konsulentit ligjor të kontraktuar nga Shteti Shqiptar, kjo bazuar në Standardet Ndërkombëtare të Auditimit ISSAI 400, ISSAI 300, ISSAI 1500, ISSAI 200, ISSAI 1610, ISSAI 1620. Auditimi mbi të dhëna dytësore (pra jo burimi primar i informacionit), vjen si rezultat i pamundësisë që kishte KLSH për të audituar dokumentacion financiar dhe ligjor të kompanive me kapital aksioner private (76% e aksioneve të CEZ Shpërndarje sh.a, kishin pronësi private) apo kompanive private të cilat u krijuan gjatë aktivitetit të CEZ a.s, në Shqipëri (CEZ Trade dhe CEZ Albania), pasi në referencë të Kushtetutës të nenit 163/germa c “Kontrolli i Lartë i Shtetit kontrollon veprimtarinë ekonomike të personave juridikë, në të cilët shteti ka më shumë se gjysmën e pjesëve ose të aksioneve, ose kur huat, kreditë dhe detyrimet e tyre garantohen nga shteti”.
    Kemi konstatuar se nuk ka asnjë dokumentacion financiar apo dhe juridik (kontrata), provë shkresore që do të na krijonte bindje të arsyeshme që nga grupi negociator është vepruar në mbrojtje të interesave të Shtetit, dhe përmbushja e pretendimeve të mësipërme është bazuar në fakte dhe dokumente. Mënyra se si u arrit në këtë vendimmarrje, mbledhjet e zhvilluara prej tij në Shqipëri, diskutimet në to si dhe arsyetimet e kundërshtimet në lidhje me pretendimet apo kundër pretendimet e palës shqiptare përballë asaj të CEZ a.s, nuk evidentohen në asnjë dokumentacion si procesverbal mbledhjeje të këtij grupi pune, apo ndonjë formë tjetër të përcaktuar nga grupi i punës. Për rrjedhojë, në kushtet kur ky grup negocimi, nuk ka dokumentuar asgjë në lidhje me punën dhe negociatat e zhvilluara prej tij me përfaqësuesit e CEZ a.s, vihen në diskutim negociatat që ky grup ka bërë (për rreth 6 muaj) në mbrojtje të interesave dhe pretendimeve të Shtetit Shqiptar. Në këto kushte Detyrimi i marrë përsipër nga shteti, në kushtet kur nuk ka evidenca dhe mungon dokumentimi i plotë i shpenzimit për llogari të CEZ Shpërndarjes sh.a, si dhe në kushtet kur konstatohet se në marrëveshje është theksuar fakti se “Blerësi pranon dhe bie dakord që Shitësi nuk jep asnjë siguri ose garanci, të shprehur ose të nënkuptuar, në lidhje me ndonjë çështje që lind në lidhje me Shoqërinë dhe/ose Aksionet dhe/ose transaksionet e referuara këtu, duke përfshirë vlerën e Shoqërisë, gjendjen e saj financiare, lejet, përbën dëm ekonomik, vlerësuar në shumën 479 milionë euro i përbërë:
  2. Në vlerën 95 milionë euro për pagesë e dakordësuar në marrëveshje, të pabazuar në dokumentacion financiar për përdorimin e kredive dhe huave dytësore, apo njohje të drejtash nga CEZ Shpërndarje sh.a.
  3. Në vlerën 352 milionë euro, si marrje përsipër të mbulimit të diferencës midis detyrimeve afat-shkurtra të njohura dhe të drejtave afat-shkurtra të pranuara (mungesa në kapitalin qarkullues) të shoqërisë CEZ Shpërndarje sh.a, bazuar në raportin financiar të ekspertit ndërkombëtar të kontraktuar nga shteti.
  4. Në vlerën 32 milionë euro, për zerimin në vlerë të 24% të aksioneve shtet në CEZ Shpërndarje sh.a. Ky pretendim do të ishte për diferencën ndërmjet vlerës së aksioneve të Qeverisë Shqiptare gjatë privatizimit (CEZ A.S ka paguar 102 milionë euro për të kontrolluar 76% të paketës së operatorit të shpërndarjes, moment kur vlera e 24% të aksioneve të shteti shqiptar ishte 32 milionë euro) dhe vlerës zero të aksioneve të saj më 21 janar 2013.
    Në këtë vlerësim dëmi, janë marrë parasysh shumat saktësisht të përcaktuara dhe është abstraguar nga kosto shtesë e nevojshme për të rivitalizuar dhe kthyer në parametra normalë aktivitetin dhe rrjetin e keqadmninistruar nga CEZ a.s.
    Në Marrëveshjen për Zgjidhjen me Mirëkuptim, të propozuar për miratim, janë parashikuan dhe dakordësuar edhe çështje të tjera, nëpërmjet të cilave evidentohet qartazi pabarazia dhe favorizimi i interesave të CEZ a.s. në shpërfillje të plotë të interesave dhe pretendimeve të ligjshme të Shtetit Shqiptar, por për këtë, bazuar në kërkesën dërguar Kuvendit me shkresën Nr. 118/14 Prot, datë 17.10.2015, presim të flasim në Kuvendin e Shqipërisë.
    Mbas kallëzimit penal për shpërdorim detyre ndaj Ministrit të MEI dhe Avokatit te Shtetit, rekomandimi ynë është ngritja e një komisioni ad-hoc të pavarur, me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, të cilët do të vlerësojnë me saktësi dëmin nga aktiviteti nën administrimin e CEZ a.s dhe do të përcaktonin rrugët për rimëkëmbjen e OSHEE-s.
    Ne i kemi rekomanduar Kuvendit të Shqipërisë:
    Ngritjen e një komisioni ad-hoc të pavarur, me ekspertë teknikë dhe ekonomikë, të cilët do të vlerësonin realisht dhe me saktësi dëmin nga aktiviteti nën administrimin e CEZ a.s, si dhe do të përcaktonin mundësinë më të mirë për një rimëkëmbje të Operatorit të Shpërndarjes mbi baza të monitorimit të kujdesshëm të të gjithë treguesve për periudhën e tanishme, duke përcaktuar në çdo rast përgjegjësitë individuale dhe institucionale për të gjithë aktorët që lejuan këtë situatë me të cilën financave publike u shtohet një dëm me efekte në periudhë afatshkurtër dhe afatgjatë. Të kërkohet një disiplinë e fortë financiare dhe një kontroll i vazhdueshëm nga Kuvendi, për çdo investim dhe vendimmarrje strategjike lidhur me Operatorin e Shpërndarjes, për të mundësuar me hapa konkretë përmirësimin e gjendjes së verifikuar.
    Rekomandojmë që auditimi i shoqërisë në vijimësi të bëhet nga një auditues i përcaktuar nga Kuvendi, duke shtuar edhe detyrimin që të raportojë në një seancë publike për gjetjet dhe konkluzionet e misioneve të përfunduara.
  5. Nga auditimi në Agjencinë Kombëtare të Burimeve Natyrore (AKBN) dhe në Albpetrol, kemi konstatuar dështimin e misionit mbikëqyrës të MEI, AKBN dhe AlbPetrol në miradministrimin e burimeve të naftës, një prej pasurive kryesore natyrore që kemi. Evidentuam faktin që gjendja paraqitet e rëndë dhe jashtë kontrollit shtetëror, ndërkohë që burimet e naftës përdoren pa kriter dhe pasojat në ekonomi dhe në jetën e banorëve të zonave në shfrytëzim, janë të rënda dhe të pamatshme.
    Kemi vërejtur se kompanitë koncesionare që zbatojnë marrëveshjet hidrokarbure (MH) dhe lejet e marrëveshjeve hidrokarbure (LMH), kanë mbajtur Faktorin “R” (raportin midis të ardhurave dhe shpenzimeve) gjithnjë në tejkalim të shpenzimeve(pra “R” më e vogël se 1), ndonëse sasia e naftës së nxjerrë ka qenë në rritje dhe rrjedhimisht të ardhurat duhet të tejkalojnë shpenzimet. Kjo ka ndikuar drejtpërsëdrejti në uljen drastike të detyrimeve financiare që këto kompani koncensionare kanë ndaj Shtetit Shqiptar.
    Nga auditimi i MH dhe LMH për vendburimin Patos – Marinëz, (i cili jep rreth 97% të prodhimit të naftës në vendin tonë, dhe për rrjedhojë ka ndikim në ekonominë dhe financat e Shtetit), nga fillimi i aktivitetit të kompanisë koncesionare deri më sot (gati 8 vjet), Faktori R është mbajtur gjithnjë në nivelet R<1. Kemi evidentuar se për shkak të operacioneve të caktuara hidrokarbure , si rezultat i mosdeklarimit të të ardhurave, janë krijuar hapësira për evazion fiskal, pa llogaritur ndikimin e këtij evazioni në tregun brenda vendit dhe në deformimin e tij. Nga ana tjetër, janë konstatuar shpenzime të pajustifikuara, të cilat kanë rënduar në mënyrë fiktive kostot e operacioneve hidrokarbure. Pas rillogaritjeve të kryera, referuar raportit të ardhura-shpenzime, rezulton se të ardhurat tejkalojnë shpenzimet, pra R>1, me efekt dëmin ekonomik në rreth 15 miliardë lek (ose 120 milionë USD), shumë për të cilën KLSH ka kërkuar marrjen e masave për të derdhur detyrimet në favor të financave të Shtetit.
    Duke pasur parasysh rëndësinë e sektorit te hidrokarbureve për ekonominë e vendit dhe sigurinë kombëtare, i kemi paraqitur strukturave më të larta shtetërore një platformë me rekomandime për reformimin dhe forcimin e kontrollit shtetëror në këtë sektor. Kemi kërkuar që, në rast të riaktivizimit të procedurave të privatizimit të AlbPetrol apo dhe në procedura të tilla të ngjashme në sektorin e hidrokarbureve, autoritetet shtetërore përgjegjëse të sigurohen të përfshijnë në këto procese, me përparësi të lartë, kompani me potenciale dhe kredenciale të larta profesionale nga aleatët strategjikë të vendit tonë (veçanërisht kompani me traditë të konsoliduar në këtë sektor, si nga SHBA, Mbretëria e Bashkuar apo Gjermania), si dhe të mundësojnë arritjen e transparencës reale të kompanive ofertuese pjesëmarrëse në garë. Në këtë mënyrë, vendi ynë do të siguronte jo vetëm përfitime ekonomike dhe financiare, por edhe politike.
    Kemi rekomanduar dëmshpërblimin e banorëve të fshatit Marinzë për dëmet nga shpërthimi i fontanës, si dhe ringritjen e Institutit Shkencor të Naftës, si një institut i mirëfilltë shkencor, i cili të mbështesë të gjitha vendimmarrjet e lidhura me zhvillimin e sektorit të hidrokarbureve në vendin tonë si dhe të bashkëpunojë me Kuvendin dhe qeverinë lidhur me hartimin e strategjive afatmesme dhe afatgjata të zhvillimeve në këtë sektor, duke bërë dhe rolin e oponentit teknik gjatë negocimit të marrëveshjeve, shqyrtimit të propozimeve dhe zhvillimit të operacioneve hidrokarbure.
    • Ndërsa nga auditimet e kryera në KESH sh.a, KLSH ka evidentuar shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore me një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën rreth 139.8 milionë lek dhe një të ardhur të munguar për shoqërinë në vlerën 5,7 miliardë lek. Gjithashtu, kemi konstatuar se gjatë vitit 2014, kompania KESH sha. nuk ka shlyer asnjë detyrim për marrëveshjet e nënhuasë. Theksohet se problematika e shlyerjes së detyrimeve vazhdon të jetë për shkak të situatës së rënduar financiare dhe mungesës së likuiditeteve (nuk shlyen detyrimet ndaj Ministrisë së Financave duke filluar nga 6/mujori i dytë i vitit 2011 e në vijim). Vetëm për kompaninë KESH sh.a. gjatë vitit 2014 janë paguar nga buxheti i shtetit 23.5 milionë euro dhe janë rimbursuar rreth 5.7 milionë euro, duke bërë që detyrimet neto të kompanisë të jenë 17.7 milionë euro. KESH-sh.a ka të çelura rreth 190.5 milionë euro linja overdrafti me garanci shtetërore në bankat e nivelit të dytë dhe 73 milionë euro linja kredie pa garanci shtetërore. Në vlerësimin tonë, kemi rekomanduar që mbulimi i nevojave financiare të KESH sh.a. për blerje energjie nuk duhet të vazhdojë të jetë huamarrja, ashtu siç është vepruar deri tani, por të synohet rregullimi i marrëdhënieve financiare brenda sektorit të energjisë dhe shlyerja e detyrimeve ndërmjet tyre. Ministria e Financave mund të nisë dhe ndihmojë në një proces negocimi me kreditorët për rishikimin e termave dhe kushteve të portofolit të overdrafteve.
    • Nga auditimi në Shoqërinë “Operatori i shpërndarjes së energjisë elektrike (OSHEE) sh.a, Tiranë, për periudhën nën administrimin e përkohshëm, u konstatuan shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore me një dëm ekonomik në vlerën 4.5 miliardë lek, ose 32 milionë euro, si dhe të ardhura të munguara për shoqërinë OSHEE, në vlerën 124 milionë lek, ose 891 mijë euro.
    Dëmi i konstatuar ka rezultuar nga blerja e energjisë elektrike me çmime më të larta se ato të tregut, në vlerën 1,357 milionë lek ose 9,7 milionë euro. Kemi konstatuar mbifaturim të konsumatorëve me pasojë uljen artificiale të humbjeve teknike. Nëpërmjet uljes artificiale të humbjeve teknike, është shkaktuar një dëmtim i interesave të ligjshme të shoqërisë “KESH” sh.a dhe Buxhetit të Shtetit për 2014, në vlerën 1,547 milionë lek, ose 11 milionë euro. Konkretisht, për vitin 2014 u konstatua se në mënyrë artificiale janë ulur humbjet teknike, veprim i cili është kryer me fatura të dyshimta (mbifaturim, keqfaturim, faturim të abonentëve pa adresë si dhe abonentë që nuk kanë arkëtuar asnjëherë, etj).
    Nga auditimi i blerjes së materialeve dhe pajisjeve elektrike nga shoqëria ÇEZ Shpërndarje, përgjatë vitit 2014, rezultoi që është shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 609 milionë lek ose 4,4 milionë euro, si rrjedhojë e shkeljeve të procedurave të tenderimit të vendosura nga ERE në “Rregullore e Prokurimeve të CEZ Shpërndarje sh.a”, lidhur me trajtimin e procedurave si raste emergjente, realizimit të tyre me një fazë negocimi, kryerjes së shtesave të kontratave në vlera të konsiderueshme që arrinin deri në 50% apo 70 % të vlerës së kontratës bazë, si dhe blerjes në disa raste të materialeve dhe pajisjeve elektrike pa zhvilluar procedura tenderimi.
    Nga auditimi i pjesshëm për shkak të dokumentacionit të mangët ekonomiko-financiar, i disa prej kompanive të mbledhjes së borxhit tё energjisë elektrike, rezultoi që këto kompani kanë përfituar padrejtësisht nga CEZ Shpërndarje Sh.a, së paku në vlerën 848 milionë lek ose 6 milionë euro.
  6. Megjithëse kanë kaluar rreth dy vjet, konstatohet se nga ana e METE, sot MZHETS, ende nuk është ndërmarrë asnjë hap konkret për zbatimin e rekomandimit të KLSH për arkëtimin e garancisë së ofertës së paraqitur nga shoqëria “Vetro Energy PTE Ltd” në procedurat e privatizimit të shoqërisë “Albpetrol”sha, Patos” në vlerën 85 milionë Euro. Efekti në këtë rast është se rrezikohet seriozisht dhe në mënyrë të pajustifikueshme tejkalimi i afateve përkatëse procedurale të kërkimit dhe arkëtimit të garancisë prej 85 milionë Euro.

C – Mbi prokurimet publike
Prokurimet publike janë aspekti me vulnerabël dhe një nga fushat me risk të lartë të menaxhimit, dhe ku shkeljet e ligjshmërisë rezultojnë në nivele mjaft të larta. Për këtë arsye, si KLSH kemi investuar në ngritjen dhe forcimin e kapaciteteve dhe çertifikimin e audituesve tanë në Auditimin e Teknologjive të Informacionit dhe në përdorimin e Teknikave kompjuterike në Auditim. Në këtë kontekst, në kuadër të bashkëpunimit me organizatën INTOSAI dhe Nismën për Zhvillim (IDI), KLSH u përfshi gjatë viteve 2014 dhe 2015 në programin “Auditimet Speciale”, duke aplikuar njohuritë në auditimin e kryer në APP dhe përdorur për herë të parë teknikat inovative të analizimit dhe vizualizimit të të dhënave.
Nga auditimi pilot i teknologjisë se informacionit, kryer pranë Agjencisë së Prokurimit Publik, por edhe nga gjetjet e konstatuara gjatë auditimeve në zbatim të buxhetit të vitit 2014, konstatuam problematika që kanë cenuar jo vetëm parimet e prokurimit publik, bazuar në rregullat e tregut dhe konkurrencën e lirë dhe të drejtë, por edhe efektivitetin e synuar nga aplikimi i këtij sistemi on-line. Kemi konstatuar se gjatë vitit 2014, janë zhvilluar 4,605 procedura prokurimi për blerjet e mëdha për vlerën e fondit limit prej 43,3 miliardë lek dhe janë shpallur fitues e kanë lidhur kontrata 1,081 operatorë ekonomikë vendas dhe të huaj me vlerën totale të ofertës prej 39,5 miliardë lek. Panorama e prokurimeve për vitin 2014 e analizuar me teknikat CAAT, nga shtresëzimi i të dhënave sipas kriterit 50% të fondit limit, rezulton se vetëm 3% e prokurimeve zënë 50% të fondit limit (52% të fondit të prokuruar) e sjellin një efektivitet me pak se gjysma e diferencës prej 97% të numrit të prokurimeve me fond limit të njëjtë. Ky indikator tregon se ka përdorim jo efektiv të konkurrencës e jo në çdo rast është arritur vlera më e mirë e parasë, duke ruajtur standardet e ndershmërisë, integritetit, paanshmërisë dhe objektivitetit. Ky fakt dhe analiza e zhvilluar më pas për identifikimin e zonave me risk të lartë, tregon se procedurat e prokurimit publik dhe sistemi i prokurimit elektronik si mjet për realizimin e tyre kanë shumë mangësi dhe zhvillohen nën presionin e interesave për përfitime abuzive. Nga të 481 tenderat e audituar, në 399 prej tyre janë konstatuar 1,254 shkelje të procedurave të prokurimit, duke shkaktuar një dëm ekonomik për Buxhetin e Shtetit në shumën 939 milionë lek ose 6.7 milionë Euro. Nga auditimi i procedurave të prokurimit evidentuam se efektiviteti nga procedurat e prokurimit është i ulët dhe kjo edhe për faktin e mungesës së konkurrencës, ndërkohë që konstatohen raste të marrëveshjeve të fshehta, ku procedura e tenderave të hapur realizohet vetëm me një operator ekonomik.
Nga auditimi i kryer në Drejtorinë e Prokurimeve të Përqendruara pranë Ministrisë së Brendshme, janë evidentuar një sërë parregullsish dhe shkeljesh në procedurat e prokurimeve publike të realizuara, të cilat kanë sjellë një dëm ekonomik për buxhetin e shtetit në vlerën 85 milionë lek. Konstatuam që në procesin e vlerësimit dhe kualifikimit të dokumentacionit të operatorëve ekonomikë (OE) është përdorur standard i dyfishtë në vlerësimin e pjesëmarrësve në tender. Për të njëjtat parregullsi në dokumentacion, KVO ka kualifikuar dhe shpallur fitues OE me ofertë më të lartë ekonomike dhe ka skualifikuar OE me ofertë më të ulët, ndërkohë që bazuar në kërkesat ligjore duhet të anulonte dhe të përsëriste procedurën e tenderit. Gjithashtu në disa prej procedurave të tenderimit të audituara, Njësia e Prokurimit, në formulimin e kritereve për cilësinë dhe origjinën e mallrave, ka lënë vend për interpretime të gabuara nga KVO. Në procedura të caktuara prokurimi ishin vendosur kritere diskriminuese, duke paracaktuar kështu dhe OE fituese në tender. Në këtë kontekst kemi konstatuar se kjo Drejtori nuk ka arritur të përmbushë objektivat në lidhje me efektivitetin dhe efiçiencën në prokurimin e mallrave dhe shërbimeve.
Nga auditimi në Ministrinë e Arsimit dhe të Sporteve, rezultoi se vetëm për një procedurë prokurimi me objekt “Ndërtimi i objektit, Tirana Olimpik Park” Sekretari i Përgjithshëm i MAS ka ndikuar në vendosjen e kritereve diskriminuese, në kundërshtim me Ligjin e Prokurimit, duke paracaktuar fituesin e garës, duke i shkaktuar shtetit një kosto shtesë në vlerën prej 79 milionë lek, vetëm nga një procedurë.
Në Ministrinë e Mbrojtjes, si rezultat i moszbatimit të kritereve ligjore gjatë zhvillimit të procedurave u konstatua një dëm ekonomik prej rreth 130 milionë lek.

D- Mbi auditimin në organet e pushtetit vendor
Fushat kryesore të auditimit kanë qenë regjistrimi i pasurive të paluajtshme, legalizimi i ndërtimeve informale dhe dhënia me koncesion e menaxhimi i hapësirave për parkim. Kemi konstatuar një sërë shkeljesh me potencial të lartë korruptiv në trajtimin ligjor të regjistrimit të titujve të pronësisë. Vlera e dëmit ekonomik të rezultuar si rrjedhojë e shkeljeve të dispozitave ligjore në fuqi, në 64 subjektet e audituara të pushtetit vendor, llogaritet në shumën 446 milionë lek ose 3,2 milionë euro, nga të cilat vlera 255 milionë lek ose 1,8 milionë euro përfaqëson mungesë në të ardhura nga qiratë, taksa e ndikimit në infrastrukturë, dhe 191 milionë lek, ose 1.4 milionë euro, në fushën e shpenzimeve buxhetore për investimet.

E- Mbi antikulturën e papërgjegjshmërisë
Efektshmëria dhe dobishmëria e auditimeve të KLSH-së, qëndron pikërisht në zbatimin korrekt dhe në kohë të rekomandimeve të auditimit nga ana e institucioneve përkatëse shtetërore. Për këtë arsye, jo vetëm Ligji nr. 154/2014 „Për organizimin dhe funksionimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit” por edhe Progres Raportet e Komisionit Europian për Shqipërinë, i japin një rëndësi të veçantë rolit të mëpasshëm të Parlamentit, në drejtim të ndjekjes sistematike të auditimeve të KLSH dhe shkallës së zbatimit të rekomandimeve nga ana e institucioneve shtetërore. Paralelisht me këtë opinion, kemi theksuar nevojën imediate të ndërhyrjes dhe ndjekjes së rekomandimeve të KLSH-së, të cilat synojnë ngritjen dhe konsolidimin e një sistemi modern dhe të integruar të menaxhimit financiar, rritjen e përgjegjshmërisë, transparencës dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të financave publike në përputhje me direktivat e integrimit të Bashkimit Evropian. Për këtë çështje është shprehur shqetësim dhe në Progres Raportin 2014 të BE-së për Shqipërinë, në të cilin cilësohet se: “Shqyrtimi i raporteve të KLSH mbetet i kufizuar; nuk ka ndjekje sistematike të raporteve të KLSH” .
Në dhënien e rekomandimeve tona pas auditimit, ne marrim në analizë jo vetëm proporcionalitetin e tyre me gjetjet dhe konstatimet por edhe mundësinë reale të realizimit të këtyre rekomandimeve nga ana e institucioneve.
Konstatojmë se sot po i vihet theks përpjekjeve qeveritare për të kufizuar informalitetin, por kemi gjithnjë e më pak referime të luftës kundër korrupsionit, e cila e përfshin betejën anti-informalitet dhe është kushti “sine qua non” për një ndërtimin e një shoqërie tërësisht demokratike dhe të një shteti ligjor.
Angazhimi ynë institucional në luftën kundër korrupsionit, i kërkuar dhe i vlerësuar vazhdimisht gjatë këtyre viteve, sidomos nga faktori ndërkombëtar, ka hasur në një rezistencë të paarsyeshme të vetë institucioneve shtetërore, përsa i përket moslargimit nga detyra të nëpunësve të nivelit të lartë në administratën shtetërore, për të cilët ne si KLSH kemi konstatuar dhe evidentuar shkelje tepër të rënda në drejtim të kryerjes së detyrës së tyre funksionale, duke depozituar për ta edhe kallëzim penal në Prokurori. Lista e tyre është:

  1. Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
  2. Drejtor i Agjencisë së Shërbimit të Sporteve në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
  3. Drejtor i Shërbimeve Juridike në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit.
  4. Drejtor i Drejtorisë Arsimore Rajonale, Qarku Fier.
  5. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
  6. Zv. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
  7. Zv. Drejtor Ekzekutiv i Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore.
  8. Drejtor i Drejtorisë së Prokurimeve Publike në Ministrinë e Punëve të Brendshme.
  9. Drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
  10. Administrator i Albpetrol sha.
  11. Drejtor i Drejtorisë së Marrëveshjeve në Albpetrol sh.a.
  12. Drejtor i Qendrës së Administrimit Shitjes së Naftës dhe Gazit, Patos.
  13. Drejtor i Drejtorisë Rajonale Tatimore, Berat.
  14. Drejtor i Drejtorisë Rajonale, ALUIZNI, Fier.
  15. Administrator i Shtypshkronjës së Letrave me Vlerë sh.a.
  16. Drejtore e IT në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
  17. Drejtor i Portit Detar, Sarandë.
  18. Ish-Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, Tiranë, etj.
  19. Sekretar i Përgjithshëm Prefektura Vlorë.
    Në këto raste nuk bëhet më fjalë për paaftësi dhe pamundësi institucionale, por për mungesë vullneti kundrejt luftës kundër korrupsionit dhe ndërtimit të një shteti ligjor. Ne shprehim keqardhje për papërgjegjshmërinë institucionale edhe në referencë të moszbatimit me dashje të rekomandimet tona në lidhje me largimin e zyrtarëve të cilët janë kapur me shkelje, duke u shndërruar në kontribues dhe garantët kryesor të antikulturës së pandëshkueshmërisë. Këtë zhgënjim e kemi shprehur edhe në komunikimin tonë me Kryeministrin, në shkresën nr. 739 datë 31.07.2015.

F- Mbi domosdoshmërinë e hartimit të ligjit “Për përgjegjësinë materiale”
Nga auditimet e kryera, KLSH ka konstatuar mjaft probleme dhe shkelje të dispozitave ligjore në fonde të konsiderueshme publike, që kanë sjellë shpenzimin e tyre pa kriter dhe efiçiencë, ose edhe më keq, shkuarjen dëm të një pjese të tyre, nga keq menaxhimi financiar.
Jemi përpjekur të përcaktojmë përgjegjësitë materiale të nëpunësve publikë që kanë kontribuar në këto keqpërdorime të fondeve publike, duke propozuar masa në formën e sanksioneve, kundrejt parregullsive financiare të shkaktuara prej tyre dhe të konstatuara. Theksojmë se vlerësimi dhe matja e dëmit dhe adresimi i përgjegjësisë materiale kërkon procedura më konkrete, të detajuara.
Kemi rekomanduar ngritjen e një grupi pune me specialistë dhe përfaqësues të legjislativit, që do të vlerësojë dhe punojë për hartimin e Ligjit “Mbi përgjegjësinë materiale”, në të cilën të trajtohet përgjegjësia financiare e punonjësve të njësive publike (zyrtarët e lartë dhe punonjësit e të gjithë niveleve) për dëmet ekonomike të shkaktuara qëllimisht apo nga neglizhenca, gjatë ose në lidhje me procesin e ekzekutimit të detyrave zyrtare.
Gjykojmë se një ligj i tillë do të jetë një mjet efektiv dhe efiçient në përmirësimin e qeverisjes publike, rritjen e përgjegjshmërisë dhe kufizimin e korrupsionit.

3 – Transparenca
Sipas Manualit të FMN-së “Për Menaxhimin e Shpenzimeve Publike” saktësohet se çështjet kyçe në zbatimin e një buxheti publik janë transparenca, niveli i ndarjes së linjave të përgjegjësisë; sa koherent është informacioni mbi ekzekutimin e buxhetit; sa i saktë dhe i besueshëm është ky informacion; dhe a zbatohet buxheti në përputhje me parimet e qeverisjes së mirë?
Përgjegjësia në zbatimin e Buxhetit të Shtetit, po sipas këtij Manuali, realizohet e plotë, nëse
“…(i) çdo veprim është transparent, (ii) çdo pjesëmarrës është përgjegjës; (iii) çdo veprim është i dokumentuar si duhet dhe i raportuar; dhe (iv) çdo veprim duhet të jetë subjekt i auditimit të pavarur, profesional dhe të paanshëm” .
Një tjetër institucion i besueshëm ndërkombëtar, OECD, ndër parimet kryesore që rendit në procesin e zbatimit të Buxhetit, veçon: qartësinë e treguesve dhe objektivave të Buxhetit, integriteti i parashikimeve dhe planeve fiskale, lidhja e ngushte me përparësitë strategjike afatmesme të zhvillimit të vendit, efektiviteti, sigurimi i vlerës për paranë publike të harxhuar, ekonomiciteti, si dhe qëndrueshmëria financiare afatgjatë.
Sot, shoqëria civile në botë, por edhe grupe të tjera interesi, si dhe shumë qeveri të vendeve të zhvilluara, janë të bindur se sa më transparent dhe me pjesëmarrje të qytetarëve të jetë një buxhet shteti, aq më pranë tyre ndodhet ai dhe aq më shumë përgjegjësi ndjen qeveria në zbatimin e buxhetit.
Sipas organizatës jo qeveritare me qendër në Uashington “Partneriteti Ndërkombëtar për Buxhetin” , në vrojtimin e saj “Treguesi i Buxhetit të Hapur 2015”, në shtator 2015, të kryer në 102 vende të botës ku përfshihet dhe vendi ynë, Shqipëria renditet ndër vendet e fundit ne Ballkan. Ne duhet të ndihmojmë të gjithë Ministrinë e Financës. Kemi të gjithë shumë punë për të bërë, si qeveria, ashtu dhe Kuvendi dhe ne si KLSH, për të rritur transparencën e buxhetit.

4 – Opinion përmbyllës
Bazuar në auditimin e buxhetit faktik të vitit 2014, problemeve dhe fenomeneve që janë ndeshur gjatë këtij procesi, situatës ekonomike dhe risqeve ndaj të cilave ekspozohen financat publike dhe ekonomia shqiptare, do të listoja disa opinione të institucionit të KLSH.
Së pari, e gjykoj të rëndësishëm zbatimin e parimeve të anualitetit, transparencës dhe besueshmërisë. Zbatimi i këtyre parimeve jo vetëm ndikon në mirëmenaximin e fondeve publike por në të njëjtën kohë ndihmon të rritet besimi publik. Krijimi i një klime besimi shtet-tatimpagues ndihmon jo vetëm punën kundër informalitetit por dhe në krijimin e një besimi të ndërsjelltë dhe produktiv mes subjekteve tatimpagues institucionale dhe individuale nga njëra anë, dhe institucioneve publike të cilave u janë besuar fondet e tyre, nga ana tjetër.
Së dyti, duhet shtuar vëmendja ndaj parametrave të borxhit. Bazuar në të dhënat e konstatuara gjatë proceseve audituese që lidhen me buxhetin faktik të vitit 2014 si dhe tendencave të të dhënave buxhetore dhe ekonomike gjatë viteve të fundit, do të tërhiqja vëmendjen për një kujdes të shtuar për nivelin e deficitit dhe të borxhit publik. Pa dashur të heq paralele me ndonjë vend në krizë borxhi, do të sugjeroja të nxirrnim mësime nga vende që janë gjendur përballë situatave të pamundësisë së menaxhimit të borxhit publik, siç është Greqia. Thellimi i borxhit publik dhe rritja e peshës së borxhit të jashtëm e pa shoqëruar me një rritje të investimeve publike, ul potencialin e shtetit për të shlyer huatë. Situata të tilla janë të rrezikshme, pasi i shtyjnë qeveritë të gjejnë si zgjidhje shlyerjen e borxhit me borxh më të madh, duke e rënduar akoma më shumë këtë parametër.
Së treti, institucioni i KLSH ndjek vit pas viti nivelin e riskut financiar ndaj të cilit janë ekspozuar financat publike në veçanti dhe ekonomia në tërësi. Për të pasur një gjykim sa më objektiv, vitet e fundit jemi mbështetur tek Treguesit e Cënueshmërisë mbi bazën e të cilëve Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) mbikëqyr dhe këshillon vendet anëtare dhe sidomos vendet me ekonomi në zhvillim siç është Shqipëria. Treguesit (indikatorët) bazë që përdor ky institucion dhe ecuria e këtyre treguesve bazuar në vëzhgimin e KLSH rezultojnë si më poshtë:
Indikatori i cënueshmërisë i FMN Shqipëria 2010-2014
Investimet e huaja Përkeqësim – Në rënie
Borxhi i jashtëm/Eksporte Përkeqësim – Në rritje
Borxhi i jashtëm/PBB Përkeqësim – Në rritje
Borxhi i jashtëm/Të ardhurave tatimore Përkeqësim – Në rritje
Rezerva valutore/Borxhi i jashtëm afatshkurtër Përkeqësim – Në rënie
Duke e ritheksuar që nuk duam të heqim paralele me ekonominë Greke, nga analiza e vazhduar e institucionit të KLSH kemi gjetur që të gjithë këta tregues kanë pësuar përkeqësim në vitet 2010-2014 njësoj si ekonomia Greke në vitet e parakrizës 2005-2009. Në këtë kontekst gjykojmë se nevojitet një angazhim dhe vëmendje e shtuar e krejt politikbërësve dhe menaxherëve publikë në Shqipëri për të gjykuar mbi riskun shtesë që financat publike dhe ekonomia shqiptare merr në çdo vendim që ata marrin.
Gjithashtu, bazuar në tkurrjen e investimeve të huaja gjatë vitit 2014 si dhe duke pasur parasysh ngjarjet e vitit 2015, KLSH tërheq vëmendjen për të pasur kujdes në ndërtimin e paketës fiskale të vitit 2016. Synimi për të mbledhur më shumë të ardhura tatimore mund të bëjë vendin më pak tërheqës në raport me vendet e tjera të rajonit duke dëmtuar jo vetëm sektorë të caktuar të ekonomisë por dhe vetë të hyrat publike.
Së katërti, në respekt të zbatimit të qëllimit të çdo ligji, gjykoj se mund të ndërtohen praktika dhe procedura që çojnë në një përdorim më efiçent të fondeve publike si dhe në të njëjtën kohë të ndërpriten praktika të cilat i vlerësojmë si jo efiçente, të tilla siç është rasti i përdorimit të Letër Kredive. Nëpërmjet mënyrës së tanishme të aplikimit të Letër Kredive, Qeveria Shqiptare vendos si depozitë në banka me normë interesi pothuaj 0% fonde të cilat ia ka marrë hua po bankave duke u shitur bono thesari për të cilat u ka paguar një normë interesi mbi 3%. E thënë më thjesht, qeveria ka paguar një interes mbi 3% për hua që “de facto” nuk i ka përdorur.
Gjithsesi, kam besimin se mund të gjenden mënyra më efektive për garantimin e kontratave të nënshkruara nga entet publike apo mund të gjenden mënyrat për një kontraktim më efektiv me bankat. Ekzistojnë të gjitha rrethanat ekonomike që entet publike të kërkojnë nga bankat më shumë të drejta të një klienti preferencial, ashtu sikundër bëjnë dhe kompanitë private me qarkullim të madh të fondeve nëpër banka.
Së pesti, mendoj se është e domosdoshme rritja e përgjegjshmërisë e administratës publike lidhur me pasojat ekonomike të veprimeve të tyre. Fshehja mbas kompetencave që jep detyra publike nuk duhet të shërbejë më për të lënë pa autor dëmet ekonomike dhe financiare që i shkaktohen në mënyrë të pajustifikueshme shtetit. Vetëm kostot e vendimeve politike nuk mund të auditohen. Çdo veprim dhe vendim tjetër duhet tí nënshtrohet kontrollit dhe përgjegjësisë. Siç nënvizova më lart, KLSH ka marrë iniciativën dhe po punon që çdo specialist dhe menaxher i cili shërben në administratën publike të mbajë përgjegjësi materiale për kostot financiare dhe ekonomike që i shkakton shtetit me vendimet e tij individuale apo dhe kolegjiale.
Kjo iniciativë përputhet dhe me Strategjinë “Për Menaxhimit të Financave Publike 2014-2020”. Në faqen 31 të Strategjisë përcaktohet si mundësi “Ndryshimi i Ligjit Organik të Buxhetit, me qëllim përcaktimin e qartë të përgjegjësisë së secilit Ministër ose Drejtuesi të Institucionit Qendror Buxhetor gjatë të gjithë fazës së ciklit të menaxhimit të shpenzimeve publike”.
Së gjashti, praktikat e prokurimit publik vazhdojnë me shkelje në pjesën dërrmuese të tyre duke dekurajuar konkurrencën në garën për ofrimin e shërbimeve publike. Kjo jo vetëm dëmton financat publike por jep mesazh të gabuar tek operatorët ekonomikë si dhe nuk i shërben rolit që shteti duhet të luaj në një ekonomi, si operator dhe rregullator tregu.
Së shtati, dëmet në sektorin energjetik kapin vlera të konsiderueshme, jo vetëm për financat publike por dhe për ekonominë shqiptare në tërësi. Nën fokusin e kësaj rëndësie, duhet të shtohet vëmendja dhe përgjegjshmëria ndaj zbatimit më korrektësi të të gjitha kontratave që janë nënshkruar. Gabimet që janë zbuluar për kontratat e nënshkruara tashmë duhet të shërbejnë për të qenë më të kujdesshëm në kontratat e ardhshme.
Së teti, institucionet publike duhet të rrisin përgjegjshmërinë në raportimin me saktësi, në kohë reale dhe konform standardeve të kontabilitetit të të dhënave të tyre ekonomike dhe financiare. Në kushtet kur bëhet një punë intensive për të përmirësuar cilësinë e raportimit për biznesin privat, është e mundur dhe e nevojshme që paralelisht të kërkohet e njëjta gjë dhe për raportimin e institucioneve publike. Përveçse do të rriste transparencën dhe përgjegjshmërinë publike, kjo do të përfaqësonte një demonstrim nxitës për krijimin e një kulture të raportimit të saktë dhe në kohë reale për të gjitha subjektet ekonomike, publike apo private qofshin.
Së nënti, duhet të nënvizoj se armiku më i madh i ekonomisë dhe shtetit është korrupsioni i nivelit të lartë dhe jo informaliteti. Mbledhja e të ardhurave publike dhe menaxhimi i tyre janë një sfidë e vazhduar e administratës publike në një ekonomi tregu. Në funksion të qëllimit të përbashkët për mirëmenaxhimin e fondeve publike, do të vazhdojmë të kërkojmë që të shqyrtohen me më përgjegjshmëri dhe vëmendje rekomandimet e KLSH-së, në drejtim të përmirësimeve të rëndësishme ligjore, shpërblimit të dëmit, largimit nga puna të nëpunësve të lartë dhe të mesëm të gjetur në shkelje, etj.
Dhe së fundmi:
Konstatojmë se buxheti mbetet larg karakteristikave të një buxheti kredibël. Në treguesit fiskalë të realizimit të buxhetit të vitit 2014, kemi konstatuar aspekte mbi të cilat ne shprehemi me rezervë, por në përfundim, nisur nga niveli i materialitetit, nuk mendojmë se këto aspekte cenojnë shifrat e buxhetit faktik të vitit 2014. Përpjekjet pozitive që ka bërë Ministria e Financave në drejtim të formulimit të një strategjie moderne të menaxhimit të financave publike, janë larg situatës që konstatohet në praktikë.
Viti 2014 ishte viti i parë i zbatimit të Strategjisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”. Kjo strategji bart një rëndësi të dyfishtë, pasi jo vetëm përcakton rrugën për rivendosjen e financave publike në trajektoren e qëndrueshmërisë afatgjatë, duke krijuar kështu parakushtet për rritjen ekonomike, por përbën edhe një detyrim që rrjedh nga marrëveshjet me partneret ndërkombëtarë, në veçanti me Bankën Botërore, Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe Bashkimin Europian. Vizioni i saj është garantimi i një sistemi të financave publike që nxit transparencën, përgjegjshmërinë, disiplinën fiskale dhe efiçiencën në menaxhimin dhe përdorimin e burimeve publike. Viti 2014 njohu arritje në zbatimin e strategjisë, por edhe sfida ende të paplotësuara. Prandaj ne të gjithëve, Kuvendit, qeverisë dhe institucioneve të pavarura na del për detyrë të punojmë më me angazhim dhe seriozitet për zbatimin e plotë të Strategjisë “Për Menaxhimin e Financave Publike 2014-2020”.