300 VJETORI I GJYKATËS SË AUDITIMIT TË GJERMANISË

Botuar në gazetën“Ekonomia, më 9 Mars 2014
Gjykata Federale e Audituesve të Gjermanisë (në gjermanisht “Bundesrechnungshof”) është ndër institucionet më të vjetra të auditimit publik suprem në Europë dhe ndër më të zhvilluarat në botë. Ajo mbush këtë vit 300 vjet nga themelimi i saj. Janë vite që shënojnë progresin e saj drejt shndërrimit në një institucion suprem auditimi model, në shërbim të qeverisjes kombëtare gjermane, shembull i një profesionalizmi dhe integriteti të jashtëzakonshëm, për të gjithë komunitetin e INTOSAI-t dhe EUROSAI-t.
Bazuar në mandatit kushtetues që ka, Gjykata Federale e Audituesve të Gjermanisë, shqyrton menaxhimin financiar federal. Neni 114, paragrafi i parë dhe i dytë i Kushtetues Gjermane, përcaktojnë: “Bundesrechnungshof, anëtarët e të cilit do të gëzojnë pavarësinë e gjyqësorit, do të auditojë llogaritë dhe të shqyrtojë performancën, rregullsinë dhe pajtueshmërinë e menaxhimit financiar publik. Bundesrechnungshof i raporton direkt dhe çdo vit të dy Dhomave të Parlamentit”.
Misionet e Auditimit të Gjykatës mbulojnë të ardhura dhe shpenzime vjetore federale që arrijnë në mbi 600 miliardë euro.
Bundesrechnungshof është një autoritet suprem federal. Në hierarkinë e autoriteteve federale, Gjykata ka të njëjtin status si të Zyrës së Presidentit Federal.
Si një organ i pavarur i auditimit publik, Bundesrechnungshof i nënshtrohet vetëm ligjit. Asnjë institucion nuk mund t’i diktojë atij të kryejë auditime. Madje dhe Parlamenti Gjerman, Bundestag-u, nuk mund ta instruktojë Gjykatën. Parlamenti mund t’i kërkojë atij të audiojë fusha ose institucione të caktuara.
Bundesrechnungshof-i i cili e ka selinë në Berlin ka 1300 punonjës dhe nëntë zyra rajonale auditimi.
Pak histori
Paraardhësi i Gjykatës Federale të Audituesve të Gjermanisë u themelua në Prusi, në vitin 1714, si Dhoma e Përgjithshme e Llogarive e Prusisë. Struktura e atëhershme i përgjigjej mbretit. Në vitin 1848, Prusia u bë monarki kushtetuese dhe mbikëqyrjet vjetore të institucionit i drejtoheshin Parlamentit. Në vitin 1871, kur me vullnet të vetë Prusisë, u kompletua bashkimi i Gjermanisë, ky organ u bë Institucioni më i Lartë i Auditimit në Gjermani.
Pas miratimit dhe hyrjes në fuqi të Ligjit Themelor në 1949, në vitin 1950, Gjyakata Federale e Audituesve të Gjermanisë u quajt si pasardhësja e institucionit të parë, duke pasur të njëjtin status dhe të njëjtat funksione të specifikuara në Kushtetutë.
Në vitin 1969, reforma e Ligjit Buxhetor forcoi më shumë mandatin auditues të Gjykatës dhe e bëri atë organ këshillues të Bundestagut, Parlamentit Gjerman, duke i siguruar edhe akses të drejtpërdrejtë në Bundestag.
Në 1985, Ligji mbi Gjykatën Federale të Auditimit e njohu atë si gjykatë, duke i dhënë kështu edhe pavarësi kushtetuese. Të qenin “Gjykatë” reflektohet më shumë natyrën e saj kolegjiale në proçesin vendimmarrës, se sa natyrën e saj gjyqësore.
Në vitin 1998, u krijuan 9 zyra rajonale auditimi, me detyra ndihmëse kundrejt Gjykatës në misionin e saj auditues të financave federale. Zyrat rajonale të auditimit i përgjigjen Gjykatës dhe ndjekin drejtimet e saj në kryerjen e detyrave audituese.
Organizimi dhe struktura e Gjykatës
Ligji mbi Gjykatën Federale të Auditimit përcakton statusin kushtetues të Gjykatës, aspektet operative, si dhe caktimin e detyrave dhe procesin e brendshëm vendimmarrës. Gjykata është e organizuar në 9 drejtori auditimi, të cilat janë po ashtu të ndara në 46 njësi audituese.
Gjykata ka 63 anëtarë: Presidentin (Prof. Dr. Dieter Engels, një personalitet i auditimit suprem publik ndërkombëtar), Zëvendës Presidentin, 9 drejtues të lartë auditimi dhe 52 drejtorë auditimi. Ata kanë pavarësi gjyqësore dhe status kushtetues të ngjashëm me atë të gjykatësve. Ata nuk mund të shkarkohen nga puna dhe i nënshtrohen vetëm ligjit. Që nga viti 1985 Presidenti dhe Zëvendës Presidenti i Gjykatës zgjidhen me shumicë absolute dhe me ndërthurjen e përbashkët të qeverisë federale (me të drejtë aprovimi), të Bundestagu-t dhe Parlamentit Rajonal-Bundesratit apo Senatit (me të drejtë zgjedhjeje), si dhe të Presidentit të Republikës që bën emërimin. Emërimet për të dy postet kryesore bëhen për një periudhë 12 vjeçare ose deri në arritjen e moshës së pensionit (65 vjeç).
Anëtarët e tjerë të Gjykatës zgjidhen nga Presidenti i Republikës, me propozimin e Presidentit të Gjykatës, zakonisht mbas një konsultimi me Komitetin e Përhershëm të Senatit.
Anëtarët e Gjykatës kanë një liri veprimi të konsiderueshme dhe nuk kanë një metodë auditimi të përcaktuar, të cilën duhet ta ndjekin. Informacioni përfundimtar mbi auditimet individuale, vendoset praktikisht nga organi kolegjial përkatës.
Gjykata është përgjegjëse për auditimin e ministrive të veçanta. Ajo mund të ndërmarrë edhe auditime ndër–dikasteriale, si për shembull për programet mbi burimet njerëzore dhe shpenzimet, për trajtimin dhe përpunimin e të dhënave ose për fushën e pensioneve dhe punëve publike.
Grupe auditimi ad-hoc (të përkohshme) mund të krijohen nga Gjykata për të vënë në punë projekte specifikë auditimi. Gjykata ka liri të plotë, përsa i përket natyrës dhe shtrirjes së punës audituese, rekrutimit, pagës dhe kualifikimeve të stafit të saj, si dhe burimeve të tjera.
Anëtarët e Gjykatës mbështeten nga audituesit. Në stafin e Gjykatës ka alternim konstant, sidomos të atyre që kanë diploma universitare. Stafi i Gjykatës bën pjesë në shërbimin kombëtar civil dhe trajtohet në mënyre ekuivalente me të. Pavarësia e funksionit auditues nga pushteti ekzekutiv përforcohet akoma më shumë nga metoda e përcaktimit të buxhetit të Gjykatës, i cili aprovohet në Parlament çdo vit, së bashku me grantet.
Objektivat, roli dhe e drejta e aksesit e Gjykatës
Në Kushtetutën e vitit 1949, amenduar nga reforma e ligjit buxhetor, gjykatësit supreme auditojnë kontabilitetin shteteror dhe shqyrtojnë performancën, rregullsinë dhe konformitetin e menaxhimit financiar. Në Kodi Buxhetor Federal të vitit 1969 përcaktohet se “funksionet e Gjykatës përfshijnë gjithë menaxhimin financiar të të gjithë qeverisë federale, duke përfshirë këtu edhe fonde të veçuara”.
Gjykata gjithashtu ekzaminon pjesëmarrjen e qeverisë federale në kompani private, në të cilat qeveria ka interesa direkte ose indireckte, si dhe në sipërmarrje industriale, në të cilat qeveria është pjesëtare. Gjykata auditon edhe në ato raste kur qeveria ka pjesë në ndërmarrje publike, të cilat ndodhen në fazën e parë të privatizimit.
Gjykata auditon gjithashtu edhe subjekte private që marrin grante apo garanci shteterore, kur ekziston një marrëveshje ose statuti i subjektit lejon një auditim të tillë.
Proçesi i auditimit- Këshillimi mbi Buxhetin e Shtetit
Që prej reformës së Ligjit mbi Buxhetin në vitin 1969, Gjykata është përfshirë në zhvillimin e buxheteve të departamenteve dhe në veçanti në takimet midis departamentet shpenzuese dhe Ministrisë së Financës, të cilët mbahen përpara miratimit të buxhetit në Parlament.
Qasja e Gjykatës për auditimin në përgjithësi është e përcaktuar në Kodin Buxhetor Federal, i cili kërkon që të auditohet nëse janë respektuar parimet e financimit dhe menaxhimit të saktë, duke përfshirë këtu pajtueshmërinë me Ligjin mbi Buxhetin, vlerësimet dhe dokumentet mbështetës. Kodi kërkon gjithashtu që të kryhen kontrolle për të verifikuar nëse fondet janë administruar me eficiensë dhe ekonomicitet dhe nëse funksionet mund të zbatoheshin duke vënë në përdorim më pak fonde.
Përgjegjësia kryesore e Gjykatës është të sigurojë që marrja dhe shpenzimi i fondeve qendrorë, përputhet me kriteret ligjorë. Fokusi i veçantë mbi ligjshmërinë e shpenzimeve federale shpjegon arsyen pse 1/3 e personelit të Gjykatës duhet të këtë kualifikim juridik.
Gjatë viteve tetëdhjetë, fokusimi i Gjykatës u zhvendos drejt auditimit të performancës dhe për këtë arsye ajo filloi të punësonte personel me arsimin dhe aftësi të ndryshme, duke përfshirë këtu të rimuarit në ekonomi, biznes dhe inxhinieri.
Zyrat Rajonale të Auditimi që plotësojnë punën e Gjykatës për menaxhimin financiar, përputhshmërinë dhe vlerën e parasë janë ngritur në Berlin, Koblencë, Këln, Frankfurt, Hamburg, Hanover, Magdeburg, Mynih dhe Shtutgard. Ato zëvendësojnë sistemin para auditues të mëparshëm në Gjermani.
Sistemi i ri është projektuar për të rritur eficiencën dhe efektivitetin. Gjykata dhe Zyrat e saj Rajonale të Auditimit kanë të drejtë të kenë akses në çdo dokument dhe dosje të nevojshme për të kryer një auditim efektiv. Përveç auditimit ex post të projekteve dhe llogarive, Gjykata ka të drejtë të shqyrtojë edhe projektet e llogaritë, zhvillimi i të cilëve është në vazhdim. Gjithsesi në këto raste ajo merr në konsideratë vetëm ato vendime që janë marrë në momentin e auditimit. Këto programe auditimi bashkëvepruese mund të identifikojnë hapësira të mundshme zhvillimi dhe kursimi. Për kontratat mbi ndërtimet, Gjykata ka të drejtë të shqyrtojë të gjithë dokumentet dhe të auditojë si fazën e tenderit, ashtu dhe fazën e planifikimit.
Gjykata përmbledh rezultatet e auditimit individuale dhe jep këshilla për përmirësim, nëpermjet shkresave drejtuar drejtuesve të institucioneve të audituara. Në ndihmë të këtij proçesi është dhe Parlamenti, i cili nëpërmjet Komisionit të Zbatimit të Buxhetit, nënkomisioneve dhe Komisionit të Llogarive Publike, mundohet të sigurojë që nga raportet e Gjykatës të nxirren përfundimet e duhura.
Raporti Vjetor i Gjykatës, i ashtu quajtur “Vëzhgimet”, luan një rol të rëndësishëm në proçesin, gjatë të cilit Parlamenti aprovon llogaritë e Qeverisë. Komentet mbi menaxhimin financiar nuk kufizohen vetëm tek viti financiar për të cilin kërkohet miratimi parlamentar, por paraqesin gjetjet deri në datë e publikimit të raportit.
Komisioni Parlamentar i Llogarive Publike diskuton Vëzhgimet e Gjykatës, së bashku me Gjykatën dhe departamentet e saj. Ky Komisioni Parlamentar ia kalon raportin Komisionit mbi Zbatimin e Buxhetit, i cili i rekomandon Parlamentit të konsiderojë Qeverinë lidhur me buxhetin që ajo ka përdorur. Komisioni mbi Zbatimin e Buxhetit harton një draft rekomandimesh, mbi një rezolutë shumë të detajuar. Zbatimi i tyre monitorohet nga Gjykata.
Gjykata Federale e Audituesve të Gjermanisë mund të hartojë në çdo kohë raporte të tjera për fushat me interesi aktuale dhe çështje ndërsektoriale. Këto raporte janë më të përditësuara dhe bëjnë që Parlamenti të fokusohet në çështjet më shqetësuese financiare.
Që nga viti 1997, Gjykata ka paraqitur një raport informative shtesë (Raporti mbi Impaktin e Auditimit) për opinionit publik, i cili synon të vërë në dukje efektivitetin e punës së kësaj Gjykate. Raporti mbi Impaktin e Auditimit ka qëllime parandaluese dhe vë në dukje përfundimet e nxjerra në Raportin Vjetor. Ky Raporti i paraqitet opinionit publik çdo Qershor.
Gjykata Federale e Audituesve të Gjermanisë dhe KLSH
Marrëdhëniet mes dy SAI-ve tona janë shumë të mira dhe bazohen në nenin 15 të Deklaratës së Limës, Kushtetutes së institucioneve supreme të auditimit. Këto ditë, një delegacion i KLSH, i kryesuar nga Kryetari i tij, shkon në Gjermani, për të marrë pjesë në Simpoziumin ndërkombëtar të Teknologjisë së Informacionit, i organizuar nga Gjykata Federale e Audituesve të Gjermanisë. Simpoziumi, krahas shkëmbimit të përvojave të mira në përdorimin e teknologjisë së informcionit në certifikimin e llogarive vjetore të Buxhetit të Shtetit dhe të atyre individuale të institucioneve të audituara, përbën një takim jubilar, me rastin e 300 vjetorit të Gjykatës gjermane. Ai do të vërë theksin tek mesazhi kuptimplotë se “e ardhmja e institucioneve supreme të auditimit publik, sikurse e çdo strukture tjetër të përgjegjshme shtetërore, është investimi i thellë dhe i qenësishëm në tek teknologjinë e informacionit”.