TRI PARALAJMERIMET E KLSH: BORXHI PUBLIK, BORXHI NDAJ BIZNESIT, NDARJA ADMINISTRATIVE

Botuar në gazetën“Ekonomia”, më 29 janar 2014.
Gjatë vitit të kaluar, realizimin e misionit tonë auditues e kemi parë në dy kolona kryesore, në Strategjinë e Zhvillimit të KLSH-së 2013-2017, (2013-a ishte viti i parë i zbatimit të saj), si dhe në moton e Kongresit INCOSAI XXI të INTOSAI-t, të zhvilluar në Pekin në tetor 2013, që “auditimi kombëtar të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare, për përmirësimin e menaxhimit publik financiar të vendit”.
Gjatë vitit 2013, zbatimi i qëllimit strategjik të KLSH “Ngritja e kapaciteteve audituese”, i njëjtë me objektivin e parë të Strategjisë së INTOSAI-t, 2011-2016 dhe Strategjisë së EUROSAI-t, 2011-2017 ka nënkuptuar auditime në sasi dhe cilësi.
Për vitin 2013, nga 147 auditime të planifikuara, KLSH ka kryer 164 auditime, ose 11 përqind më shumë, nga të cilat 153 auditime janë përfunduar dhe evaduar plotësisht, ndërsa 11 janë në fazën e evadimit.
Nga auditimet e vitit 2013, KLSH ka zbuluar parregullsi dhe shkelje financiare (në të ardhurat publike dhe shpenzimet e kryera) në nivelin 15. 1 miliardë lekë (ose rreth 108 milionë euro), duke kërkuar shpërblimin e dëmit, pra arkëtimin në 99.9 përqind të tyre. Dëmi ekonomik i zbuluar në vitet 2012 dhe 2013, është rreth dy herë më i madh se vlera e dëmit të zbuluar në vitet 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku.
Pjesa më e madhe e dëmit të zbuluar është nga shitja e pasurisë dhe dhënia e objekteve me qira dhe e pasurive publike me koncesion.
Krahas zbulimeve me dëm ekonomik, gjatë vitit 2013, KLSH ka konstatuar shkelje të disiplinës financiare me ndikim negativ në performancën e subjekteve të audituara, në nivelin e 4, 4 miliardë lekëve (mbi 31 milionë euro), ose 2.5 miliardë lekë më shumë nga shkeljet e konstatuara gjatë vitit 2012.
Analiza e të dhënave (të ilustruara në grafikun në prezantimin elektronik) tregon se në vitin 2013, institucioni ka rekomandur më shumë përmirësime ligjore, sesa masa organizative, ngaqë impakti i një përmirësimi ligjor është më i prekshëm në gjithë sistemin e manaxhimit të fondeve publike dhe e tejkalon vlerën e masës organizative të nivelit të një subjekti.
KLSH ka propozuar disa ndryshime të rëndësishme kushtetuese dhe ligjore. Së pari, KLSH ka kërkuar vendosjen e kufirit të Borxhit Publik në Kushtetutë (propozim i paraqitur në dy vite rresht nga auditimi i zbatimit të Buxhetit faktik të Shtetit për vitin 2011 dhe 2012), duke rekomanduar që Ministria e Financave të ngrejë një grup pune me ekspertët më të mirë të fushës, për përgatitjen dhe paraqitjen e një nisme ligjore për fiksimin në Kushtetutë të treguesit të borxhit publik ndaj PBB-së.
Së dyti, nga auditimi i performancës për ndarjen administrative, të kryer në muajt shkurt-tetor 2013, ka rekomanduar ndërhyrjen në Ligjin për Pushtetin Vendor, për reduktimin e ndjeshëm të numrit të bashkive dhe komunave, për një shërbim më cilësor ndaj komunitetit, por në respekt maksimal jo vetëm të konsensusit politik mes partive, por edhe të atij social, kulturor dhe historik të zonave të ndryshme të vendit, sipas Kërkesave të Kushtetutës, Neni 108/2.
Së treti, Institucioni ka rekomanduar saktësimin dhe shqyrtimin me realizëm të gjendjes së borxheve që Buxheti i Shtetit ka ndaj sipërmarrësve private, si dhe përcaktimin e masave për të lehtësuar sa të jetë e mundur sipërmarrjen private nga gjendja e vështirë ku ndodhet.
KLSH ka rritur propozimin e masave disiplinore, në mënyrë që çdo punonjës publik të jetë përgjegjës për atë që merr përsipër të realizojë me punën e tij. Kemi kërkuar marrjen e 1161 masave disiplinore dhe administrative, të cilat në masën rreth 75 përqind janë zbatuar, por tek masat për largim nga puna vërejmë një zbatueshmëri më të ulet, 38-50 përqind.
Në përputhje me objektivin e tij strategjik të përmirësimit të qeverisjes, nëpërmjet thellimit të luftës kundër korrupsionit, institucioni gjatë vitit 2013, për shkelje të dispozitave ligjore në fuqi, me pasojë shpërdorimin e fondeve publike dhe dëmtimin e pronës publike, KLSH ka bërë 38 kallëzime penale ndaj 94 punonjësve publike, kryesisht nëpunës të lartë dhe të mesëm të administratës.
Nga një analizë në vite, numri i kallzimeve penale gjatë harkut kohor të dy viteve, 2012 dhe 2013 është rreth katër herë më shumë se kallzimet penale të kryera në tre vitet e marra së bashku, 2009, 2010 dhe 2011. Kallzimet penale vetëm për vitin 2013 janë dy herë më shumë se në vitet 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku.
Në krahasim me vitin 2012 bashkëpunimi me Prokurorinë, ka njohur rritje dhe konsolidim gjatë vitit të kaluar dhe nuk mund të krahasohet me mungesën e bashkëpunimit gjatë viteve 2009, 2010 dhe 2011.
Për përmbushjen e rekomandimeve të KLSH-së nga institucionet e audituara, një rol tepër të rëndësishëm ka luajtur Urdhëri i Kryeministrit nr. 70, datë 18.04.2006 “Për masat në zbatim të rekomandimeve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, …, në institucionet në varësi të Kryeministrit a të Ministrave”, i cili shpreh vullnetin institucional të qeverisë, për marrjen në konsideratë të rekomandimeve dhe propozimeve tona për marrjen e masave të ndryshme, me efekt parandalues e ndëshkues ndaj abuzimit dhe korrupsionit.
Me ndryshimet e reja në qeverisjen e vendit, e shikojmë të domosdoshëm që ky Urdhër të përmirësohet dhe të ripërtërihet nga qeveria e sotme, në kuadër të ridimensionimit dhe rikonceptimit të frontit të luftës ndërinstitucionale kundër korrupsionit. Ai mund të rikonceptohet, pse jo, edhe në formën e një marrëveshjeje bashkëpunimi, ku të transmetohet qartazi vullneti institucional për forcimin e kulturës së ndëshkueshmërisë, ndaj abuzuesve me pronën dhe fondet publike, veçanërisht largimin nga detyra e drejtuesve të rangut të mesëm dhe të lartë, që rezultojnë me shkelje.
Gjatë vitit 2013, kemi përqendruar punën në përmbushjen e drejtimit të dytë strategjik të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t “Zbatimi i standardeve profesionale ISSAI”, i cili përmbahet dhe në Strategjinë e KLSH 2013-2017.
Gjatë vitit 2013, KLSH ka forcuar kapaciteteve audituese, nëpërmjet një procesi të vazhdueshëm kualifikimi, kryerjes së trajnimeve të thelluara dhe gërshetimit të ngritjes arsimore me veprimtarinë praktike audituese. Struktura e punonjësve ka vijuar të ndryshojë, jo vetem thjesht në favor të stafit auditues me arsim të lartë, por dhe të stafit me kualifikime profesionale, akademike dhe grada shkencore, si dhe me kualifikim në fusha të dyta ekspertize. Gjatë vitit të kaluar çdo auditues i KLSH-së u trajnua për 22 ditë, ose sa trefishi i viteve 2009, 2010 dhe 2011, të marra së bashku.
Në vitin 2013 u trajnuan 120 punonjës jashtë vendit, duke arritur një mestare trajnimi me 5,3 ditë trajnimi jashtë vendit për person. Në dy vitet e fundit, institucioni ka ndryshuar koncept në investimin për kapacitetet audituese. Nga një institucion i disa viteve më parë praktikisht pa trajnim, është kthyer në SAI me tregues perëndimorë trajnimi.
Gjithashtu, gjatë vitit të kaluar, KLSH aplikoi dhe u pranua anëtar i Task Forcës së Organizatës Europiane të Institucioneve Supreme të Auditimit (EUROSAI) “Mbi auditimin e etikës”, duke punuar për të ndërmarrë misione auditimi mbi rregullshmërinë dhe eficiencën e Etikës dhe Integritetit në institucionet publike, duke konsideruar që lufta kundër korrupsionit dhe politikat për instalimin e një sistemi efektiv të integritetit, të jenë pjesë e menaxhimittë këtyre institucioneve.
Në mars 2013, KLSH nënshkroi Marrëveshjen e Angazhimit me përfaqësues të IDI-it dhe EUROSAI-it për Programin “3i, Iniciativa e Implementimit të ISSAI-ve”. Për këtë qëllim është ngritur grupi i punës me mbeshtetjen e SIGMAs, duke plotësuar të gjitha detyrimet që rrjedhin nga kjo marrëveshje.
I përqendruar edhe në realizimin e drejtimit të tretë strategjik të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t “Për shkëmbimin e njohurive dhe të pervojës me partnerët”, institucioni gjatë vitit të kaluar njohu një partneritet në rritje me institucionet vendase dhe të huaja.
Audituesit e KLSH-s vlerësojnë së tepërmi dhe falenderojnë institucionin e Presidentit të Republikës për ndihmën e dhënë në këto dy vite, 2012 dhe 2013, për kuptimin, ndjeshmërinë e tij të thellë dhe përkrahjen pa rezerva ndaj misionit dhe vlerave që shpalos auditimi publik suprem.
Në zbatim të Rezolutës A66 të Asamblesë së Kombeve të Bashkuara të datës 22 dhjetor 2011 “Promovimi i eficiencës, llogaridhënies, efektivitetit dhe transparencës së administratës publike, duke fuqizuar institucionet supreme të auditimit”, KLSH, si agjent i Kuvendit për sigurimin e mirëadministrimit të fondeve publike, ka realizuar një bashkëpunim efikas me Parlamentin. Institucioni falenderon Kryetarin e Kuvendit dhe Kryetarin e Komisionit për Ekonominë dhe Financat, për mbështetjen financiare që i është dhënë KLSH-s, e cila, dhe pse modeste, garanton funksionimin normal të aktivitetit tonë auditues.
I jemi mirenjohës Kuvendit që, me kërkesë të KLSH, po i siguron institucionit për auditimin e fondeve të tij, një auditues të jashtëm të pavarur, si dhe për mbështetjen për miratimin gjatë vitit në vijim, të amendimeve të ligjit organik. Në nëntor të vitit 2012, në bashkëpunim me DG-Budget, të Komisionit Evropian dhe SIGMA-s, KLSH ka përgatitur dhe dërguar në Kuvend për miratim amendimet e ligjit organik, të cilat e modernizojnë institucionin, rrisin gamën e auditimeve dhe e sjellin veprimtarinë e KLSH-s në përputhje të plotë me standardet INTOSAI-t.
KLSH falenderon po ashtu Delegacionin e BE në Tiranë, për ndihmesën e tij në fitimin e Projektit të Binjakëzimit, në vlerën prej 2.1 milion Euro, të propozuar nga KLSH në kuadër të fondeve IPA 2013. Falenderojmë ish-Kryeministrin Berisha për mbeshtetjen e dhënë për këtë projekt, si dhe Kryeministrin dhe qeverinë e sotme për mundësimin e kësaj mbështetjeje, në momentin e finalizimit të projektit, për të cilin si KLSH kemi punuar dhe lobuar që nga fillimi i vitit 2012 e deri më sot.
Gjatë vitit 2013, KLSH konsolidoi zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara gjatë vitit 2012 dhe nënshkroi marrëveshje bashkëpunimi me Fakultetin e Gjeologji-Miniera të Universitetit Politeknik të Tiranës, me Shoqatën e Kontabilistëve të Certifikuar dhe Auditorëve të Kosovës, me Institutin për Studime Publike dhe Ligjore dhe me gazetën “Ekonomia”.
KLSH vlerëson efektivitetin e lartë të marrëveshjeve me SAI-t partnere gjatë vitit 2012, si me SAI-n polak, turk dhe slloven, të cilat mundësuan trajnime shumë cilësore të audituesve shqiptarë në këto institucione modern auditimi. Në vitin 2013, krahas përfundimit të marrëveshjeve të bashkëpunimit me Gjykatën Austriake të Auditimit, me Institucionin Shtetëror të Auditimit të Malit të Zi, me Zyrën e Auditimit të Institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës dhe me SAI-n e Maqedonisë, KLSH nisi negociata për përfundimin e marrëveshjeve të bashkëpunimit dhe me SAI-t e Greqisë, Bullgarisë dhe Serbisë, duke synuar fuqizimin e rrjetit të vendeve të Evropës Juglindore të institucioneve supreme të auditimit, nën shembullin dhe eksperiencën e rrjeteve të ngjashme të krijuara në Evropë.
Duke jetësuar drejtimin e katërt strategjik të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t “Për menaxhim në përputhje me parimet e komunikimit transparent”, KLSH ka intensifikuar marrëdhëniet me publikun dhe qytetarët, duke i sjellë ato në një nivel të paarritur dhe të pakonceptuar më parë. Për të tretin vit rradhazi analizat vjetore në nivel departamenti auditimi zhvillohen krejtësisht të hapura, në prani të përfaqësuesve të medias, përgjatë disa ditëve dhe finalizohen me analizën e përgjithshme.
Pas njëpërmbysje reale të marrëdhënieve formale dhe hipotetike me qytetarin dhe median të verejtura në vitet 2009, 2010 dhe 2011, gjatë vitit 2013, institucioni ka trajtuar 401 letra dhe ankesa të qytetarëve për probleme të ndryshme, në krahasim me një numër të papërfillshëm të letrave dhe ankesave të trajtuara në vitin 2011.
Krahas shtimit të vrullshëm të pranisë së rezultateve dhe gjetjeve të auditimeve të institucionit në median e shkruar dhe elektronike, të vërejtur edhe gjatë vitit 2012, risi e vitit 2013 ishte angazhimi i 42 punonjësve të KLSH, kryesisht kryeauditues dhe auditues të lartë, në përgatitjen dhe botimin e mbi 140 shkrimeve, analizave dhe opinioneve, në të gjitha gazetat e vendit. Me këtë rast, falenderojmë të gjitha mediat që i rezervuan, me mirëdashje dhe profesionalizëm, hapesira nismës së KLSH-së.
Në vitet 2012 dhe 2013, në zbatim të standardeve ISSAI për publikimin e gjetjeve dhe referencave të SAI-ve, institucioni ka botuar 22 tituj librash profesionale, udhëzuesish auditimi, si dhe me karakter informativ dhe historik. Personalitete të financave dhe auditimit publik kombëtar dhe ndërkombëtar kanë dhënë një kontribut cilësor me studime dhe artikuj për revistën “Auditimi Publik”, e njohur si botim shkencor nga Ministria e Arsimit dhe ndërkombëtarisht me numrin identifikues ISSN. Botimet kanë ndihmuar, duke e bërë më transparente të gjithë veprimtarinë e KLSH-së dhe duke ndikuar në rritjen e kapaciteteve audituese, sidomos botimet e vitit 2013 si “Udhëzuesi i Auditimit Financiar (ISSAI 1000-2999)”, “Udhezuesi i Auditimit të Përputhshmërisë (ISSAI 4000-4200)” dhe “Standardet e Auditimit të Borxhit Publik (ISSAI 5410-5440)”.
Gjatë vitit, në ambientet e KLSH-s, kemi përuruar një mini-ekspozite me foto, dokumenta dhe botime nga historiku 89 vjeçar i KLSH-s,e cila pasurohet në vijimësi.
Në nëntor 2013, KLSH mori pjesë me një stendë modeste, në Panairin e Librit në Tiranë, ku ekspozoi 17 titujt e librave të botuar deri atëherë, ndërsa në dhjetor organizoi në Tiranë Konferencën e dytë shkencore, me temë “Roli i Institucioneve Supreme të Auditimit për një menaxhim financiar të përgjegjshëm në sfidat e sotme”, ku morën pjesë rreth 120 pjesëmarrës nga SAI-t e zhvilluara partnere të KLSH dhe nga SAI-t e vendeve të rajonit, përfaqësues të institucioneve të tjera shtetërore, të botës akademike, të shoqatave të profesionistëve të fushës, të shoqërisë civile dhe mediave, auditues nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, etj.
Gjetjet e auditimeve të KLSH-s gjatë vitit 2013, krahasuar me fondet në dispozicion nga Buxheti i Shtetit për funksionimin e institucionit, kanë rritur treguesin e dobishmërisë, efektivitetit të institucionit, tregues ky i përdorur gjerësisht nga institucionet moderne të auditimit suprem.
Për vitin 2013, për një lek të harxhuar nga KLSH, institucioni ka theksuar dhe kërkuar shpërblimin e dëmit ekonomik për 52.4 lekë, nga 17 lekë të kërkuara për çdo lek shpenzim, në dy vitet e marra së bashku 2010 (6 lekë) dhe 2011 (28 lekë). Shifrat flasin vetë.
Sikurse theksohet në Deklaratën e Pekinit të Kongresit INCOSAI XXI, “SAI-t do të vazhdojnë ti shërbejnë shoqërisë dhe publikun, duke promovuar zhvillimin e qëndrueshëm dhe përmirësimin e qeverisjes kombëtare, forcimin e demokracisë, përmirësimin e shtetit ligjor, duke luftuar korrupsionin, ruajtur sigurinë kombëtare dhe duke nxitur reforma”.
Në këtë frymë dhe mision, ne do të japim kontributin tonë si KLSH, në punën në sistem, ku përfshihen: Qeveria, Opozita, Kuvendi dhe Institucionet e Pavarura dhe Shoqëria Civile dhe Mediat, për përmirësimin e qeverisjes dhe rritjen e përgjegjësisë dhe llogaridhënies së institucioneve publike.
Viti 2014 do të konsolidojë objektivat e vendosura në Strategjinë e KLSH 2013-2017 dhe në Planin e saj të Veprimit.