Gazeta panorama date 25 maj 2020.
Sot, Kontrolli i Lartë i Shtetit kremton 95 vjetorin e themelimit të tij, duke qenë një institucion që ka përshkuar jetën e shtetit shqiptar në disa regjime të ndryshime qeverisëse.
Që nga shteti i brishtë shqiptar i viteve të para pas pavarësisë te periudha e mbretërisë, në regjimin komunist e për të vijuar në 30 vitet e fundit në sistemin demokratik, KLSH-ja ka kaluar përmes disa sfidash. Në një letër urimi të shpërndarë për mediat dhe gjithë ata që kanë kontribuuar ndër vite për këtë institucion, KLSH-ja vlerëson disa nga personazhet më të spikatura.
Në datën 25 maj 2020, Kontrolli i Lartë i Shtetit do të kremtojë datëlindjen e tij të 95-të. Në respekt të gjithë atyre që kanë dhënë kontribut në zhvillimin e institucionit, në parathënien e librit, Historiku i KLSH 1925-2012, theksova: Sjellim sot në kujtesë me vlerësim maksimal figurat që kanë drejtuar këtë institucion, vecanërisht në vitet 1925-1944, si Fejzi Alizoti, Kol Thaci, Lac Gera, Llambi Aleksi, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhafer Ypi, Rrok Gera, Izedin Beshiri dhe të tjerë më tej.
Vlerësojmë po ashtu punën reformuese të kryer nga z. Blerim Cela, ish-Kryetari i KLSH-së në vitet 1992-1997 dhe Mustafa Kërcuku, ishKryetar i KLSH-së në vitet 1997-2004, si dhe kontributin e ish-kryetarëve Zyhdi Pepa, Ylli Memisha, Alfred Karamuco e Robert Ceku, ishkryetar deri në vitin 2011, thuhet në letrën e urimit të KLSH-së.
ARRITJET
Por në këtë letër urimi, kreu i KLSH-së, Bujar Leskaj, është ndalur edhe tek arritjet që ka bërë institucioni që ai drejton prej 7 vitesh. Duke vlerësuar misionin e KLSH-së si agjent i publikut dhe i Kuvendit, për përdorimin me efektivitet, eficiencë dhe ekonomicitet të burimeve dhe fondeve publike, KLSH-ja, në tetë vitet e fundit, ka synuar forcimin e besimit të qytetarit dhe publikut në tërësi, nëpërmjet njohjes më nga afër të veprimtarisë së tij, auditimeve dhe rezultateve të tyre, si dhe partneritetet që ka krijuar brenda dhe jashtë vendit për të përmirësuar qeverisjen publike, duke u përpjekur të luftojë në thellësi korrupsionin.
Për herë të parë në KLSH, në tetor të vitit 2012, është krijuar Departamenti i Auditimit të Performancës. Ligji i ri specifikoi dhe mundësoi realizimin e këtij lloj auditimi nga KLSH. Auditimet e performancës gjatë 2012-2019 theksuan shumëllojshmërinë dhe ndjeshmërinë e cështjeve që mbuluan reformat ekonomike, sociale dhe kulturore, cështjet energjetike dhe mjedisore, aspektet makro dhe mikro të realitetit shqiptar etj. KLSH ka bërë hapa të konsiderueshëm në zhvillimin e auditimeve të Teknologjisë së Informacionit dhe për herë të parë, në KLSH kemi një Departament të Auditimit IT.
Në Strategjinë e Zhvillimit të KLSH-së, për vitet 2018-2022, i është dhënë një rëndësi e vecantë auditimit të IT dhe është punuar në drejtim të rritjes së kapaciteteve, zbatimin e standardeve profesionale dhe shkëmbimin e eksperiencave. Përmes auditimeve të zhvilluara, ne kemi dokumentuar abuzimet me pronën publike, duke synuar përmirësimin e qeverisjes publike, duke thelluar luftën pa kompromis ndaj zyrtarëve të korruptuar, kryesisht me adresim e kallëzimeve penale, me akuzat Shpërdorim detyre, Shkelje e barazisë në tenderë, etj.
Në vitet 2012-2019, KLSH ka përcjellë 328 kallëzime penale për 985 persona, ose thënë ndryshe, ka adresuar cdo javë një kallëzim penal për zyrtarë të nivelit të lartë dhe të mesëm, konstatuar me shkelje të rënda nga auditimet e KLSH-së. Indikatori i dobisë së auditimit, si një nga treguesit më domethënës të performancës së Institucioneve Supreme të Auditimit, për 8 vitet 2012-2019, rezulton se për cdo një lek të shpenzuar për institucionin e KLSHsë, është kërkuar për tu zhdëmtuar 82,2 lekë, ose 4 herë më shumë, se sa është kërkuar në periudhën 10-vjecare 2002-2011 (21.1 lekë). Duke filluar nga viti 2012, KLSH publikoi për herë të parë një revistë kërkimore-shkencore, Auditimi Publik. Revista ka një bord shkencor me akademikë dhe profesorë të shquar, shqiptarë dhe të huaj, në fushën e ekonomisë, ligjit, inxhinierisë etj. Revista Shkencore Auditimi Publik ka arritur në numrin 25 të saj. Transparenca e aktivitetit të KLSH-së është një nga treguesit kryesorë të modernizmit të tij si institucion dhe komunikimit shumëdimensional. KLSH-ja ka pasur një komunikim të pandërprerë me qytetarët gjatë këtyre viteve, kryesisht përmes bashkëpunimit me shoqërinë civile dhe mediat, si dhe përmes përgjigjeve ndaj letrave të qytetarëve. Bazuar në praktikat më të mira Ndërkombëtare të Institucioneve Supreme të Auditimit mbi transparencën dhe impaktin social, KLSH ka organizuar për të tretin vit radhazi Muajin e Hapur për Qytetarët.
Në tetë vite, KLSH ka organizuar shtatë konferenca vjetore shkencore, në të cilat janë trajtuar tematika të ndryshme dhe kanë marrë pjesë personalitete të fushës së auditimit dhe më gjerë nga vendi e bota. Konferenca e fundit e zhvilluar në nëntor të vitit 2019, iu dedikua audituesve të rinj të KLSH-së dhe kishte si temë kryesore Sfidat e Auditimit Publik në kontekstin e anëtarësimit të vendit në BE. Në vitet e fundit 2012-2019, KLSH ka nënshkruar 60 marrëveshje bashkëpunimi me OJF, institucione homologe dhe Universitete publike dhe private, thuhet ndër të tjera në këtë letër urimi për 95-vjetorin e themelimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit. SFIDAT Gjithashtu, në letër theksohen edhe sfidat që paraqiten në të ardhmen, ku ndër më të mëdhatë parashikohet të jetë në fushën e teknologjisë.
Misioni ynë, në dritën e orientimit themelor të Kongreseve të INTOSAI-t, sipas përcaktimeve kushtetuese në nenet 162-164, të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, por edhe në nenin 1, të Deklaratës së Limës, e konsideruar si Kushtetuta e Institucioneve Supreme të Auditmit është rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e fondeve publike, në një shkallë më të gjerë, për të gjithë komunitetin të cilit një SAI i shërben Taksapaguesve, Publikut, Parlamentit dhe Organeve Ekzekutive, duke kufizuar ne maksimum abuzimet dhe duke siguruar përdorimin me ekonomicitet, efektivitet dhe eficiencë të këtyre fondeve. Ecuria në këto vite e treguesve moshorë ka njohur trendin e uljes së moshës mesatare te punonjësve, nga 50 vjec në vitin 2011 në 42 vjec aktualisht, si rezultat i politikave të rekrutimit të punonjësve me aftësi profesionale që i përgjigjen zhvillimit dinamik të teknologjive të reja, fushave të reja me të cilat përballet sektori publik, vecohet në letrën e urimit.