Auditimi Kombëtar në shërbim të Qeverisjes Kombëtare

(Fjala në Konferencën e Tretë Shkencore të KLSH, 29-30 tetor 2014)
Të nderuar pjesëmarrës,
Sikurse theksohet në Deklaratën e Pekinit e Kongresit të XXI të INTOSAI-t “Auditimi kombëtar duhet të vihet në shërbim të qeverisjes kombëtare për përmirësimin e menaxhimit publik financiar”. Kemi menduar që këtë orientim themelor të organizatës botërore të institucioneve të auditimit të jashtëm publik, ta vendosim si temën dhe mesazhin qendror të Konferencës sonë të Tretë Shkencore.
Në Kongresin e fundit të INTOSAI-t, institucionet supreme të auditimit (SAI-t) kanë pranuar se qeverisja kombëtare efektive është faktori kryesor për ruajtjen e një zhvillimi ekonomik të qëndrueshëm dhe të progresit social të një vendi, për përmirësimin e jetës së qytetarëve. INCOSAI XXI theksoi se, duke pasur një lidhje të ngushte korelative me qeverisjen kombëtare, auditimi kombëtar është një forcë e rëndësishme në demokraci dhe në shtetin e së drejtës, për mbrojtjen e interesit publik, duke raportuar mbi përdorimin e burimeve publike dhe promovuar zbatimin e ligjit dhe të rregulloreve.
Në këtë mision besojmë se qëndron dobia e forumit tonë për këtë vit, në bazë dhe të standardit ISSAI 12, në të cilin theksohet se “Shkalla në të cilën një institucion suprem i auditimit është në gjendje të bëjë ndryshim në jetën e qytetarëve varet nga roli i tij në forcimin e përgjegjshmërisë, transparencës dhe integritetit të qeverisë dhe të sektorit publik”.
Më lejoni të falënderoj SAI-t partnere të Polonisë (NIK), të Turqisë, Kroacisë dhe në veçanti Presidentet e këtyre SAI-ve, Ish-Presidentin e NIK, z.Jezierski dhe Presidentin e sotëm z.Kwiatkowski, zv.Presidentin z.Kutyla, Presidentin e Gjykatës Turke të Llogarive, z. Akyel, Presidentin e SAI-t kroat z. Klesiç dhe Presidentin e Senatit të SAI-t të Malit të Zi, z. Daboviç, si për praninë e tyre dhe kumtesat në Konferencë, ashtu edhe për kontributin e qenësishëm dhe bujar që kanë dhënë në ngritjen e kapaciteteve profesionale të audituesve të KLSH-së, nëpërmjet trajnimeve të shumta, të organizuara nga ekspertët e tyre në Varshavë, Ankara dhe Zagreb për auditimin financiar, auditimin e performances, auditimin e teknologjisë së informacionit, të prokurimeve publike, etj.
Falënderoj po ashtu Eurodeputetin, z. Soltes, për praninë e tij sot në Konference dhe për kontributin për ngritjen e dijeve të audituesve shqiptare, në cilësinë e Presidentit të Gjykatës së Auditimit të Sllovenisë. Më lejoni të falënderoj, në mënyrë të veçantë Këshilltarin Kryesor të Drejtorit të Drejtorisë së Përgjithshme të Buxhetit të Komisionit Evropian (DG-Budget) dhe Drejtor i Departamentit të Kontrollit të Brendshëm Financiar Publik, z. Gielisse, për bashkëdrejtimin e kësaj konference dhe për kumtesat e tij shumë cilësore të këtyre dy viteve të fundit në këtë konferencë, por edhe për ndihmesën e jashtëzakonshme që ka dhënë në pajisjen e KLSH-së me një ligj të ri modern, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t.
Konferenca shkencore e KLSH-së njohu një ecuri në rritje, duke qenë në vitin e parë të saj në dhjetor 2012, një aktivitet kushtuar historikut të institucionit, me rastin e 100 vjetorit të shtetit shqiptar.
Në vitin e dytë, në 2013-ën, konferenca iu kushtua rolit të institucioneve supreme të auditimit për një menaxhim financiar të përgjegjshëm në sfidat e sotme, për të ardhur sot me temën qendrore të auditimit kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare. Bashkëpunimi i realizuar mes audituesve të KLSH-së dhe eksperteve të SAI-ve partnere, të Gjykatës Europiane të Audituesve si dhe me përfaqësuesit e botës akademike dhe profesionale shqiptare, vërteton dobinë e motos së organizatës së institucioneve të auditimit të jashtëm publik, INTOSAI “Experentia mutua omnibus prodest”.
Si institucione supreme të auditimit, SAI-t, sikurse e rekomandon edhe Deklarata e Pekinit, mund dhe duhet të luajë rolin e sistemit imunitar për qeverisjen publike kombëtare. Vetëm duke e pranuar këtë sfidë dhe përmbushur këtë rol parësor, ne do të jemi në gjendje të vazhdojmë të kontribuojmë për të ruajtur demokracinë dhe shtetin ligjor, duke promovuar administrim dhe një qeverisje të ndershme dhe të pastër, duke zbuluar paligjshmërinë, duke kufizuar abuzimet me pushtetin, nëpërmjet mbikëqyrjes së rreptë të pushtetit publik.
Në shumë raste veprojmë si këshilltarë, duke luajtur një rol konstruktiv nëpërmjet sugjerimeve për përmirësime në sistemin ligjor, nëpërmjet Kreu VII Prezantime dhe kumtesa në Konferenca Shkencore 657 auditimeve të performances. Si SAI, mund të ndihmojmë fort në ndërtimin e komunikimit dhe besimit midis sektorit publik dhe qytetarëve, duke promovuar qeverisje të hapur dhe bërë të mundur që qytetarët të marrin pjesë në mënyrë aktive në proceset e vendimmarrjes publike.
Me këto përgjegjësi, jemi përpjekur gjatë këtyre tre viteve të zbatojmë objektivat tona strategjike, në përputhje me Planin e Zhvillimit Strategjik të INTOSAI-t, 2011-2017. Këto objektiva janë: ndërtimi i kapaciteteve të plota për kryerjen e auditimeve cilësore, të përputhshmërisë, financiare dhe të performances, si dhe kontributi në mirëqeverisjen publike, duke luftuar me përparësi abuzimet me pronën shtetërore, mashtrimet financiare dhe korrupsionin.
Të nderuar pjesëmarrës në Konferencë,
si kudo në komunitetin e INTOSAI-t dhe në EUROSAI-t edhe ne besojmë se auditimi kombëtar luan një rol të rëndësishëm në promovimin e performancës së qeverisjes kombëtare, veçanërisht përmes rritjes së ekonomicitetit, efektivitetit dhe efiçiencës së përdorimit të fondeve publike, përmirësimit të mekanizmit operacional të organizatave qeveritare, promovimit të integritetit, përgjegjshmërisë dhe transparencës së administratës, si dhe promovimit të praktikave më të mira të sektorit publik, duke shkëmbyer eksperienca, metoda dhe informacion.
Për të krahasuar punën që kemi bërë me standardet e INTOSAI-t dhe me eksperiencat e mira të SAI-ve evropiane, për të realizuar shkëmbimin e këtyre eksperiencave të qasjeve në auditim dhe në përdorimin e informacionit, një objektiv ky që buron nga Strategjia e INTOSAI-t dhe standardet ISSAI të fushës, për tu përgatitur me një qasje sa më profesionale ndaj sfidave të sotme për shëndoshjen e financave publike, menduam të organizojmë këtë konferencë të tretë shkencore vjetore, të përqendruar në rolin dhe përgjegjësinë tonë si SAI në përmirësimin e qeverisjes kombëtare.
Me këtë rast, me lejoni të falënderoj edhe personalitetet e kontabilitetit, financave publike dhe profesoratit shqiptar, si Prof. Dr. Skënder Osmani, Prof. Dr. Omer Stringa, Prof. Dr. Jorgji Bollano, Prof. Ass. Dr.Sazan Guri, Prof. Ass. Dr. Hysen Çela, Prof. Dr. Aurela Anastasi, Prof. Dr. Vjollca Karapici dhe Prof. Dr. Lindita Lati, për kontributet e tyre. E veçanta tjetër e Konferencës sonë të tretë është se kemi mesazhin dhe ndihmën e Sekretarit të Përgjithshëm të INTOSAI-t, Dr. Josef Moser.
Konferencat e ardhshme, mendojmë t’ i organizojmë me mbështetjen dhe bashkëpunimin e strukturave drejtuese të INTOSAI-t dhe EUROSAI-t, për të pasur më shumë kontribute nga SAI-t partnere dhe për të zgjeruar shkëmbimin e eksperiencave.
Gjatë këtyre dy ditëve të Konferencës, prezantimet e studimeve, vrojtimeve dhe kumtesave cilësore, të përgatitura nga ekspertë ndërkombëtare të auditimit publik të jashtëm dhe nga ekspertë vendas të financave publike, kontabilitetit dhe auditimit, jam i bindur se do të ndihmojnë audituesit tanë dhe jo vetëm ata, por edhe vendimmarrësit e administratës sonë publike, të gjejnë rrugët e duhura për të siguruar një zhvillim të qëndrueshëm të financave publike dhe ekonomisë së vendit, drejt përmirësimit të ndjeshëm të qeverisjes kombëtare dhe shërbimeve publike ndaj qytetarit.
Së fundmi, dëshiroj të theksoj dhe të falënderoj paraprakisht Presidentin e Republikës së Shqipërisë, SH.T.Z. Bujar Nishani, Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, z. Aleksandër Arvizu, Kryetarin e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, z.Robert Wilton, të cilët do të marrin pjesë në punimet e kësaj Konference në ditën e dytë të zhvillimit të punimeve të saj, duke vlerësuar rëndësinë që ka Kontrolli i Lartë i Shtetit si institucion i pavarur kushtetues. Duke Ju uruar të gjithëve punë të mbarë!
Ju faleminderit!