90 VJET KLSH

Botuar në gazetën“Panorama”, më 27 maj 2015
Në Kongresin e fundit të INTOSAI-t, INCOSAI XXI, në tetor 2013 të zhvilluar në Pekin, tema qendrore ishte “Vendosja e auditimit kombëtar në shërbim të qeverisjes kombëtare”. Në Kongresin e fundit të EUROSAI-t, zhvilluar në qershor 2014 në Hagë, Hollandë, tema qendrore ishte inovacioni, ose “Cila është hera e fundit që keni bërë një gjë për herë të parë?”.

Ne si KLSH, për herë të parë në historinë e institucionit, kremtojmë sot 90 vjetorin e krijimit të Institucionit të Kontrollit të Lartë të Shtetit, të bindur se në 100 Vjetorin e tij, do të kemi një trupë audituesisht akoma më profesioniste dhe se Shqipëria do të jetë vend anëtar i Bashkimit Evropian.
Misioni ynë, në dritën e orientimit themelor të Kongresit të Pekinit, sipas përcaktimeve kushtetuese në nenet 162-165 të Kushtetutës së Shqipërisë, por edhe në nenin 1 të Deklaratës së Limës, “Kushtetutës” së mbi 192 institucioneve supreme të auditimit kudo në botë, është “rritja e transparencës dhe përgjegjshmërisë në menaxhimin e fondeve publike, në një shkallë më të gjerë, për të gjithë komunitetin të cilit SAI i shërben: taksapaguesve, publikut, Parlamentit dhe organeve ekzekutive, duke kufizuar në maksimum abuzimet dhe duke siguruar përdorimin me ekonomicitet, efektivitet dhe efiçiencë të këtyre fondeve”.
Sikurse e ka theksuar edhe President i Gjykatës Europiane të Audituesve, z. Vitor Caldeira, në fjalën e tij përpara Komitetit të Kontrollit të Buxhetit në Parlamentin Evropian më 5 nëntor 2013: “Qytetarët e Evropës kanë të drejtën të dinë se si paratë e tyre po shpenzohen dhe nëse ato po përdoren si duhet. Ata gjithashtu kanë të drejtën të dinë nëse këto para po japin vlerën e duhur, veçanërisht në një kohë kur ka një presion kaq të madh mbi financat publike”.
Si një SAI që kërkon të zhvillohet me parametrat e SAI-ve të përparuara europiane, KLSH është e gatshme të marrë përsipër këtë përgjegjësi, duke audituar në linjë me standardet e INTOSAI-t, duke ndjekur qasjen e re këshilluese të auditimit suprem publik, sikurse e ka përcaktuar aq qartë Dr. Josef Moser, Sekretar i Përgjithshëm i INTOSAI-t dhe President i Gjykatës Austriake të Auditimit, në fjalën e tij në Simpoziumin e XXII të Kombeve të Bashkuara dhe të INTOSAI-t, më 5 mars 2013 në Vjenë: ”Auditimi dhe këshillimi nga SAI-t janë dy anë të së njëjtës monedhë. Institucionet supreme të auditimit duhet dhe mund të rrokin mundësitë që qytetarët të angazhohen, duke shfrytëzuar potencialin e tyre të plotë në përpjekjet për përmirësimin e qeverisjes së mirë publike, vetëm nëse ata zhvillojnë një qasje këshillimi në bazë të punës së tyre audituese, e cila ofron rekomandime specifike si për subjektet e audituara, ashtu dhe për menaxherët qeveritarë, rekomandime që mund të zbatohen praktikisht në sferat e tyre përkatëse të veprimit”.
Me këtë qasje të re dhe përgjegjësi të rritur kombëtare, vizioni ynë është shndërrimi i audituesve të KLSH-së në një trupë moderne auditimi, që zbaton standardet ndërkombëtare ISSAI të INTOSAI-t në kushtet dhe specifikat e Shqipërisë, e aftë të përballojë sfidat e kohës për shëndoshjen e plotë dhe qëndrueshmërinë e financave publike, të luftojë në thellësi dhe në sistem korrupsionin, si dhe të bashkëpunojë me efektivitet dhe efiçiencë me institucionet homologe në Evropë dhe më gjerë, si dhe me partnerët ndërkombëtarë.
Në përballimin e sfidave të mësipërme, me moton e INTOSAI-t “Experentia mutua Omnibus Prodest” (nga eksperienca e përbashkët përfitojnë të gjithë), ne jemi të gatshëm të shfrytëzojmë mundësitë tona, ashtu sikurse e thekson edhe Auditues i Përgjithshëm i GAO-s Amerikane, z. Gene L. Dodaro, në fjalën e tij më 16 nëntor 2012 përpara audutiuesve të SAI-t të Kinës, “E tashmja po tregon se institucionet supreme të auditimit kanë mundësi të pashoqe të ndihmojnë qeveritë e tyre për të planifikuar më parë dhe për të parandaluar risqet, duke i adresuar çështjet në një shkallë të gjerë”.
Ne jemi të vendosur të ruajmë dhe zhvillojmë vlerat e vërteta të punës profesionale audituese: pavarësinë, objektivitetin, integritetin, përgjegjshmërinë, profesionalizmin, bashkëpunimin, interesin publik dhe transparencën, duke përditësuar eksperiencën më të mirë dhe të vyer të audituesve tanë me të rejat më të fundit të auditimit suprem modern.
Duke kremtuar këtë 90 vjetor, promovojmë dhe sjellim në vëmendje të publikut, partnerëve tanë vendas e të huaj, si dhe komunitetit ndërkombëtar, historinë dhe trashëgiminë tonë institucionale, por edhe mesazhet për drejtimet dhe sfidat kryesore të misionit dhe punës sonë në të ardhmen.
Të kërkosh identitetin institucional nëpërmjet hedhjes dritë dhe evidentimit të historisë së zhvillimit është mbi të gjitha përgjegjësi, por edhe shërbim për gjeneratat e ardhshme.
Nga një hulumtim i historisë 90 vjeçare të KLSH-së, mund të konfirmohet se institucioni në mënyrë të pashmangshme, në evoluimin e tij ka ndjekur pashmangshmёrisht progresin shoqëror dhe transformimet social-politike, ekonomike e diplomatike tё Shqipërisë, që nga themelimi i shtetit modern dhe deri në ditët e sotme.
Ky institucion, i cili daton nё vitin 1925, ka funksionuar gjatë gjithё kohës, pas miratimit të Statutit të Republikës, pёrgjatё Monarkisё Kushtetuese, përgjatë regjimit komunist diktatorial e deri nё ditёt tona, duke iu pёrshtatur rrethanave historike, me rregullime të caktuara tё kompetencave,tё objektit të veprimtarisë, tipit të kontrollit dhe emёrtesёs.
Ismail Qemal bej Vlora, kreu aktin më tё lartё në të gjithë historinë institucionale tё Shqipёrisё, duke themeluar themeloi shtetin modern shqiptar dhe pёrmes një sërё vendimesh politike e diplomatike, vendosi gurin e themelit tё tij. Ai ngriti flamurin e Pavarësisë në Vlorë, më 28 Nëntor të vitit 1912 dhe shpalli Shqipërinë shtet të pavarur, duke u kërkuar fuqive ndërkombëtare ta njihnin këtë vendim. Në politikën dhe veprimtarinë ekonomike të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës, pa dyshim një vend të rëndësishëm do të zinte problemi financiar.
Ismail Qemali deklaroi vendimet e para dhe të nevojshme që duhet të merrte kombi shqipar, njëri ndër të cilat ishte “Të zgjidhet një pleqësi për ndihmë e kontroll të qeverisë”.
Administrimi i kontrollit financiar në vitet 1920-1924, u sanksionua nëpërmjet Statutit të Zgjeruar të Lushnjës, i cili ngarkonte Këshillin Kontrollues të Financave me kontrollin e financave të shtetit.
Në Qeverinë e Fan.S.Nolit, megjithë kohën e shkurtër të qeverisjes dhe kushteve mjaft të vështira ekonomike dhe financiare, roli i Komisionit Kontrollues të Financave u orientua nga skema e kontrollit të llogarive të financave.
Nёn qeverisjen e Ahmet Zogut, si Kryetar i Republikёs dhe Mbret i Shqipёrisё, Institucioni i Kontrollit më të lartë në vend shfaqet si Institucioni i Kёshillit Kontrollues, Institucion Kushtetues dhe që në boshtin e veprimtarisë së tij kishte kontrollin e financave të shtetit dhe gëzonte atributet e një organizmi të pavarur pranë Parlamentit.
Nё periudhёn e pasluftës së Dytë Botërore, nёn komunizmin, Kёshilli Kontrollues i Financave iu nënshtrua një sërë riorganizimesh të njëpasnjëshme, duke humbur pavarësinë (strukturё nёn varёsinё e ekzekutivit dhe tё partisё-shtet), nё shёrbim tё politikёs sё shtetit totalitar.
Referuar formës së organizimit dhe funksionimit, si dhe raportimit të aktivitetit kontrollues, Këshilli Kontrollues ka qënë një organ i politizuar dhe represiv, duke mos patur mëvetësi në ushtrimin e veprimtarisë kontrolluese.
Me ardhjen e Demokracisё, zhvillimet pozitive u reflektuan dhe nё fushёn e auditimit tё jashtёm publik. Me asistencën e Nismës Ligjore për Evropën Qendrore dhe Lindore (CEELI – Central and East European Initiative), një projekt ky i Qeverisë Amerikane, u ripunua dhe u paraqit projekt-ligji “Për Shërbimin e Kontrollit të Shtetit”, i cili u miratua nga Kuvendi në fund të muajit gusht 1992.
Pavarësia e këtij organi nga Qeveria u sanksionua me dispozitat kryesore kushtetuese dhe ligjin organik të lartpërmendur. U ndërtua një strukturë e re e organeve të kontrollit, në përshtatje me rolin e ri që merrnin financat publike në një shtet ligjor.
Në kuadër të proceseve integruese, gjatë viteve 1996–1997, ekspertët e SIGMA-s ndërmorën disa hapa seriozë për modernizimin e kontrollit të jashtëm në Shqipëri, duke kërkuar përafrimin e legjislacionit sa më shumë me standardet ndërkombëtare të auditimit.
Pavarësia e plotë, depolitizimi dhe departizimi i organit suprem të kontrollit u realizuan pas ngjarjeve të vitit 1997, me miratimin e ligjit nr. 8270, datë 23.12.1997 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit” dhe më pas të ligjit themelor të Shtetit nr. 8417, datë 21.10.1998 “Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë”, pjesa e katërmbëdhjetë “Kontrolli Lartë i Shtetit”, nenet 162-165.
Kёto akte mundёsuan rikthimin e pavarësisё funksionale organizative, financiare dhe operacionale të institucionit. KLSH operoi përgjatë viteve 1998-2011, duke gëzuar pavarësi dhe duke u përpjekur të bashkëpunonte me institucionet homologe dhe partnerët ndërkombetarë.
Në pamundësi të përmendjes së të gjithë figurave të drejtuesve të KLSH-së ndër vite, të cilët janë të shumtë në numër, do të veçoja personalitetet e ndritura, veçanërisht në vitet 1925 -1944 si Kol Thaçi, Lac Gera, Llambi Aleksi, Fejzi Alizoti, Lame Kareco, Eqerem Libohova, Xhaferr Ypi, Rrok Gera, Izedin Beshiri dhe të tjerë. Dua po ashtu të vlerësoj punën reformuese të Kryetarëve të KLSH-së në vitet e demokracisë, sidomos të Prof. Dr. Blerim Çela, Mustafa Kërçuku, etj.
Nga ana tjetër, shpreh konsideratën, respektin dhe vlerësimin maksimal për të gjithë trupën e kontrollorëve, audituesve dhe punonjësve mbështetës të devotshëm, me integritet, punëtorë, korrektë dhe profesionalë, që kanë kontribuar dhe shërbyer në këtë institucion gjatë gjithë kësaj periudhë 90 vjeçare.
Festimi i përvjetorëve të themelimit të institucioneve bazë të Shtetit, orientimi drejt kujtesës historike për ta është i lidhur ngushtësisht me objektivin e Planit Strategjik të EUROSAIT 2011-2017, për shndërrimin në një organizatë model, të orientuar nga shkëmbimi profesional i eksperiencave në auditim dhe nga vlerat e punës audituese ndër vite.
Duke marrë shkas nga ky Përvjetor i 90-të dhe duke hedhur vështrimin pas në vite, duke kryer analizёn mbi ecurinë e zhvillimeve progresive, por dhe tё kthimeve pas, jemi të ndërgjegjshëm se kjo na shërben të projektojmë të ardhmen dhe të përballojmë sfidat e saj.
Ligji i ri integral i KLSH-së, i miratuar nga Kuvendi në nëndor të vitit 2014, tërësisht në përputhje me standardet e INTOSAI-t dhe që ka njohur bashkëpunimin e ngushtë me ekspertët e Drejtorisë së Buxhetit të Komisionit Evropian dhe të SIGMA-s, synon modernizimin e plotë të institucionit, zgjerimin e veprimtarisë audituese në dimensione të afta për të përballuar sfidat e kohës, rritjen e standardeve profesionale të trupës audituese dhe një bashkëpunim edhe më të ngushtë me strukturat evropiane të auditimit suprem publik, si Gjykata Evropiane e Audituesve dhe SAI-t partnere.
Hapësirat që krijon ky ligj garantojnë synimin e KLSH-së që për periudhën në vijim të realizojë modernizimin e plotë të institucionit, për të sjellë veprimtarinë e tij në përputhje me Planet Strategjike, 2011-2016 të INTOSAI-t dhe 2011-2017 të EUROSAI-t. Sfida jonë për të ardhmen është sjellja e veprimtarisë audituese të institucionit në parametrat e institucioneve të zhvilluara homologe të Bashkimit Evropian, në respektim të plotë të mandatit kushtetues të KLSH dhe të pritshmërive të Kuvendit dhe qytetarëve.
Do të vijojmë me një ecuri të qëndrueshme të reformave të ndërrmara deri tani, duke shprehur bindjen se i gjithë ky proces do të shoqërohet me rezultate konkrete për përmirësimin e qeverisjes kombëtare, në sinergji dhe bashkëpunim të plotë me qytetarin, Kuvendin, shoqatat profesionale dhe shoqërinë civile.