Progres Raporti i BE-së bën fajtor Ramën për mosfunksionimin normal të Parlamentit

Dje, Komisioni Evropian publikoi Progres Raportin e tij për Shqipërinë, për vitin 2023. Progres Raporti kritikon ashpër kryeministrin, për qëndrimin e tij ndaj kërkesave të opozitës, për të marrë pjesë në interpelancat e thirrura prej saj. Në faqen 9, Raporti cilëson se “Mosmarrëveshjet mes mazhorancës dhe opozitës, veçanërisht për refuzimin e kryeministrit për të marrë pjesë në shumicën e interpelancave të kërkuara nga opozita, shkaktuan një ndërprerje të përkohshme në funksionimin normal të Kuvendit. Sekretariati i Etikës vendosi disa masa disiplinore, duke rezultuar në përjashtimin e paprecedentë të 23 deputetëve të opozitës brenda një muaji”. (Faqe 9 e Progres Raportit, paragrafi i katërt) https://neighbourhood enlargement.ec.europa.eu/system/files/2023-11/SWD_2023_690%20Albania%20report.pdf. Bashkimi Evropian e thellon më shumë kritikën dhe analizën e tij në Kapitullin “Themelet e procesit të integrimit”, Pika 2.1 “Funksionimi i institucioneve demokratike dhe reforma e administratës publike”. Në faqën 9, paragrafi i fundit, Progres Raporti cilëson se “Gjatë periudhës raportuese, opozita kërkoi ngritjen e dy komisioneve hetimore, por mazhoranca i hodhi poshtë të dyja kërkesat, pavarësisht se e drejta e opozitës për të inicuar komisione të tilla garantohet me Kushtetutë. Argumenti i mazhorancës në të dyja rastet ishte se është në shqyrtim një rishikim i ligjit për komisionet hetimore. Ligji aktual, megjithatë, mbetet në fuqi”. Në këtë cilësim të Komisionit Evropian, qëndron i gjithë morali dhe kuintesenca e aksionit të sotëm opozitar në Kuvend. Sekti Rama në qeverisje, duke manipuluar dhe praktikisht patronizuar drejtuesit e Kuvendit, ka minuar tërësisht dhe gati zëruar rolin dhe kontributin e opozitës, përmes mjetit të saj parlamentar më të fuqishëm për të mbajtur qeverisjen të përgjegjshme, që është komisioni hetimor i Kuvendit. Progres Raporti i Bashkimit Evropian përmend dy komisione parlamentarë të kërkuara nga Partia Demokratike, por në fakt janë tetë të tillë. Opozita është në të drejtën e saj legjitime të kërkojë dhe ndryshimin e përbërjes së Komisionit për Reformën Zgjedhore, pasi deputetët e Rithemelimit dhe grupi parlamentar i drejtuar nga kryetari Gazmend Bardhi, përbëjnë shumicën dërrmuese të deputetëve të opozitës. Po në Progres Raport, në fragmentin e katërt të faqes 9 të Raportit, Bashkimi Evropian jep edhe zgjidhjen reale të ngërçit të sotëm parlamentar në Shqipëri, duke rekomanduar që “Nevojiten standarde më të larta etike në punimet e Kuvendit, për të nxitur një dialog politik më konstruktiv midis opozitës dhe mazhorancës”. Opozita e drejtuar nga deputetët e Rithemelimit ka qenë gjithnjë për gjuhën e dialogut politik konstruktiv. Është shumica parlamentare dhe drejtuesit e Kuvendit, të komplekësuar nga Rama, që kanë injoruar dhe refuzuar në vijimësi kërkesat e opozitës për ngritjen e komisioneve hetimore, të bazuara në Kushtetutë. Nëse kjo shumicë zgjedh të zbatojë rekomandimin e Bashkimit Evropian dhe të pranojë ngritjen e komisioneve parlamentare, opozita rikthehet menjëherë në rolin e saj të natyrshëm dhe të domosdoshëm në një demokraci, si kontrolluese dhe llogarikërkuese e qeverisjes, përmes aksionit parlamentar. Nëse shumica në Kuvend zgjedh statukuonë dhe të vijojë t’i bindet verbërisht sektit Rama, ajo nuk bën gjë tjetër, veçse i jep të ashtuquajturit “Lider Global” një fron si mbreti i pashpallur i Shqipërisë, duke i shërbyer verbërisht dhe duke u barrikaduar ne vazhdën e veprimeve të shëmtuara policore të ditëve të fundit, për t’u mohuar deputetëve të opozitës edhe të drejtën që të hyjnë fizikisht në mjediset e Kuvendit. Kjo vazhdë po formaton dhe vulos nga ora në orë në Shqipëri, republikën kryeministrore të Ramës së Parë.

Botuar në Gazeta më 9 Nëntor 2023

Postimet e lidhura