“Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë 1912-2009”.

Gazeta Shqipetare 16 Maj 2005.

Deputeti Bujar Leskaj promovoi dje librin e tij, “Përfaqësuesit e Vlorës në Kuvendin e Shqipërisë 1912-2009”. Në këtë libër, përmes personazheve, përfaqësues të trevave të Vlorës në kuvendet e Shqipërisë, përcillet jetëshkrimi i vendit dhe i momenteve kyçe të historisë, në periudhën prej shpalljes së Pavarësisë Kombëtare e deri sot. Janë 152 personazhe që vendosen në këtë libër, të cilat përcillen tek lexuesit me vërtetësi e realizëm. Megjithëse jeta parlamentare në Shqipëri ka nisur në vitin 1920, autori, deputeti Bujar Leskaj, është shtyrë në kohë, duke u zhvendosur në periudhën kur u hodhën themelet e shtetit shqiptar, me Ismail Qemalin. Prandaj, dhe figurat e kësaj periudhe përjetësohen në këtë libër, përmes një analize historike. Përfaqësuesit e Vlorës nuk morën pjesë në Kongresin e Lushnjës, për shkak të pushtimit italian, por mesazhi i popullit të këtyre krahinave ishte i fuqishëm në mbështetje të vendimeve të këtij Kongresi. Periudha 1920-1924 zë një vend të rëndësishëm në faqet e këtij libri, përmes emrave të njohur të atyre që përfaqësuan Vlorën në parlamentin e atyre viteve, ndërkohë që periudha nga 1924 e deri në 1939, përvijohet me dimensionet e momenteve që shoqëruan konsolidimin dhe modernizimin e shtetit shqip′. Autori ka ditur të përcjellë edhe periudhën 1939-1944, duke i qëndruar besnik parimit se, “historia duhet pasqyruar me vërtetësi”. Ai e ndan këtë periudhë në dy momente: Asamblenë e 12 prillit 1939 dhe atë të tetorit të vitit 1943, duke veçuar personazhet me anët negative dhe ato pozitive, në funksion të kontributit ndaj çështjes kombëtare dhe në raport me ngarkesën e kohës. Leskaj, në cilësinë e një historiani, ndalet veçanërisht në Konferencën e Mukjes, e cila, sipas tij, shënoi një moment delikat dhe që shërbeu më pas si nxitëse e luftës vëllavrasëse. Emrat e Isuf Luzajt, Skënder Muços e Hysni Lepenicës, përfaqësues t&′l; Vlorës në këtë konferencë, skaliten në libër me përmasat e tyre reale, në raport me kontributin që ata dhanë për çështjen kombëtare. Por, frymëzuesit e prishjes së marrëveshjes, Enver Hoxha, Miladin Popoviçi e Dushan Mugosha, u bënë njëkohësisht edhe nismëtarë të asaj që ndodhi më pas, kur u persekutuan patriotë e nacionalistë. Leskaj nuk përjashton nga faqet e librit edhe periudhën komuniste. Duke i ndërtuar personazhet, deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, përmes vlerësimeve zyrtare, ai përcjell njëkohësisht mesazhin se, “ata ishin pa personalitet dhe kukulla, në duart e diktatorit dhe të regjimit”. Por, për Leskajn, një pjesë e deputetëve të periudhës 1945-1990, rrënjët e të cilës u hodhën në Kongresin e Përmetit, nuk i lyen duart me gjak dhe nuk u bënë drejtpërdrejt autorë të krimeve komuniste. Ai i kushton një hapësirë të konsiderueshme periudhës së pas viteve 1990-të, duke u ndalur tek deputetet e Kuvendit të parë pluralist, atyre që kontribuuan në fitoren e Partisë Demokratike të 26 majit të vitit 1996, apo të fushatave zgjedhore e parlamenteve të mëvonshëm. Në këtë libër, Leskaj, sipas studiuesit Enver Memishaj, “i përvijon personazhet si produkte të kohës kur ata kanë jetuar”. Vetë Leskaj shprehet se, për të realizuar këtë libër, ka shfrytëzuar një literaturë të gjerë të më shumë se 70 librave historikë e studimeve shkencore të një sërë autorësh të njohur, si Teki Selenica, Arben Puto, Fari Shaskaj, Bardhosh Gaçe etj. Ai thotë se, “libri është i hapur dhe mund të plotësohet në vazhdimësi”.